Home » ANALIZA » VALBONA KARANXHA: ÇËSHTJA SHQIPTARE DHE KOMBËTARIZMI: DREJT KRIJIMIT TË SHTETIT-KOMB

VALBONA KARANXHA: ÇËSHTJA SHQIPTARE DHE KOMBËTARIZMI: DREJT KRIJIMIT TË SHTETIT-KOMB

Probleme gjeopolitike

Shumë herë janë kritikuar shqiptarët për shprehjen e dëshirës për të qenë një shtet-komb. Kritika vërshojnë nga të katër anët e globit sikur “larg qoftë” ne shqiptarët të shkojmë nëpër mëndje një ide të tillë. Deri më sot, asnjë nga organet ndërkomëtare nuk e zbavit idenë se një Shqipëri e bashkuar do sjell paqe dhe stabilitet në rajon. Shumë e shohin në të kundërtën, një Shqipëri e bashkuar do krijoj probleme. Pa u ndalur në anën administrative se si mund të ndodh ky bashkim, sepse të tjerë para meje e kan bërë me detajim, desha të theksoja edhe mungesën e vullnetit të të gjitha qeverive shqiptare dhe sidomos në shtatdhjetë vjetët e fundit për të paktën ta hedhur në tavolinë idenë ashtu siç bëri Albin Kurti dhe Kreshnik Spahiu.

Në një konferencë me Albin Kurtin në NY ku foli edhe ish Kreu i Misionit të Verifikimit të Kosovës,  Ambasadori dhe Diplomati Amerikan William Walker, më bëri përshtypje fjala e tij kur u prononcua. “Nuk e di të ardhmen e Kosoves përsa i përket bashkimit me Shqipërinë, por për një gjë jam i bindur, VV di dhe është e qartë se çfarë kërkon, gjë të cilën nuk ma kanë thënë asnjë nga zyrtarët dhe personalitet e Kosovës ndër vite”

Bashkimi politik dhe juridik me Kosovën është ndërmarrja më e rendësishme për kombin Shqiptar në histori. A jemi ca si vonë për këtë? Politikat e brëndshme dhe të jashtme preferojnë të çorodisin më shumë se sa të prononcohen për këtë problem sepse sipas tyre nacionalizmi është koncept i cili ndjell luftra. Padyshim! Nuk përjashtohet aspak kjo ndrojtje për hapjen e debatit të nacionalizmit. Ambicjet nacionaliste të Milloshevicit gati zhduken ethnicitete të tëra ne Ballkan duke përfshirë dhe shqiptarët e Kosovës.

Pra te tjerët kanë lënë shije të hidhur përsa i përket problemeve gjeopolitike në Ballkan. Por ajo që këto përfaqsi, organizata, apo institucione refuzojnë të dallojnë është ndryshimi midis ambicjeve territoriale dhe bashkimit paqsor të një kombi në dhe brënda territorit të vet.  Për shqiptarët, krijimi i  një shteti komb fillon me unifikimin kombëtar, pra bashkimin e trojeve Shqiptare. Kjo ide debatohet nga shume sidomos në epokën e globalizimit. Ideja që shteti-komb ka dalë jashtë mode qarkullon në rrethet e shkencave politike apo shoqërore. “Bota është e rrafshët”, thotë Thomas Friedman, dhe kjo nënkupton që epoka e globalizimit ka filluar. Friedman flet më shumë për teknologjinë dhe avancimet ne Kinë, Indi dhe Brazil si edhe rritjen e tyre si fuqi ndërkombëtare duke lënë të varur idenë se nesër do rafshohen dhe kufinjtë. Friedman, në fakt preokupohet për brezin  e ri amerikan i cili nuk duhet te bie në gjumë por të rrij syhapur të mos ja kalojnë kombet e tjera. Te tjere thonë që globalizimi do i jap fund shteteve-kombe. Por unë mendoj, jo kaq shpejt.

Gjeopolitika është koncept i nxehte dhe nuk ikën kollaj nga skena, për më tepër në kohën kur zonat e nxehta të globit janë ende të ngarkuara me pretendime territorjale dhe konflikte. Le ti kthehemi Ballkanit. Jo vetëm që ideja e globalizimit është shumë larg konceptimit nga fuqiptë politike të Ballkanit, por politikat ndërkombëtare të tij nuk mbështeten fare në kooperim dhe bashkëpunim ndër-qeveritar, por në djallëzi diplomatike, kush t’ja hedh njëri tjetrit, në shtirje, hipokrizi, në vendime paragjykuese të lojtarëve kryesor në Ballkan siç është Serbia dhe mbështetësit e saj.

Sot rreziku i Sërbisë është ende aktual. Pa asnjë dyshim,  Sërbia në qoftëse nuk lufton me armë, sot ajo lufton me mënyra diplomatike dhe manipulime. Albin Kurti thekson, “Trysnia ndaj qeverise serbe eshte e domosdoshme, sepse Serbia ka qëllime të fshehura dhe një gabim i vogel diplomatik qoftë edhe në përpilim marveshjesh, mund të kushtoj shumë”. Në realitet, rreziku i saj në  rajon nuk qëndron vetem në faktin se kërkon të aneksoj përsëri Kosovën. Rreziku qëndron në mentalitetin e Sërbisë e cila e e konsideron Kosovën plaçkë të vetën. Po t’i kthehemi traktatit të Londrës të 1913,  vëndet e Lidhjes Ballkanike, të shpallura fitimtare ndaj Perandorisë Otomane kerkuan shpërblim, si rrjedhoje Kosova i kaloi Sërbisë dhe pjesa tjetër ngelet histori. Pra, Sërbia, thjesht mendon se Kosova i përket si plaçkë e fituar në lojë bixhozi.

Por çështja e shqiptare nuk mund të zhduket kaq lehtësisht nga skena Ballkanike dhe ajo ndërkombetare. Në të janë të investuar kapital i jashtëzakonshëm njerzor, shoqëror dhe kulturor. Kështu që lënia e trojeve shqiptare jashtë kufinjve të Shqipërisë megjithëse u përpoq të zbehej nga kalimi i kohës, nuk mundi të harrohet. Çështja shqiptare më shumë se kurrë është bërë verbale sot nga të dy palët, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria paçka se jo në rrugë qeveritare, dialogu ka filluar.

Ceshtja shqiptare e lënë në harresë ndër vite.

Kjo ndërrmarje është aq komplekse sa edhe e vështirë dhe kërkon vullnet dhe vazhdimësi nga palët e interesuara në të. Historikisht, Kosova është lënë në harresë për një kohë mjaft të gjatë. Kështu mbas LDB (Luftes së Dytë Botërore), etja për pushtet absolut e lidërve shqiptarë në vite si Enver Hoxha, Sali Berisha apo Nano, anashkalon çështjen shqiptare. Kjo ndodh për disa arsye, por une po përmënd të mijat pasi çdonjëri e sheh në prizmin e vet. Mbas LDB, Hoxha nuk e preku fare problemin e Kosovës por ja la me mirëkuptim Titos dhe Republikes Federale te sapokrijuar Yugosllave. Përse i qëndroi Hoxha larg Kosovës për afro 40 vjet? Disa teza egsistojnë se Hoxha e shiti Kosovën, disa të tjera thonë ja la me dashje dhe mirëkuptim Yugosllavise. Neglizhenca e Hoxhës ndaj Kosovës ishte e lidhur me pamundesinë e tij për te dominuar atë. Kjo ndodhi për disa arsye.

E para, Enver Hoxha nuk do mund të mbante në kontroll absolut Kosovën edhe Shqipërinë, pasi Kosova në përgjithësi nuk ndante të njëjtën ideologji komuniste. Duke e ditur se kontrolli i Veriut të Shqipërisë i cili ndodhej pak a shumë në të njëjtin bosht ideologjik si Kosova ishte mjaft i vështirë,  Enveri e shihte të pamundur, dhe një dalje potenciale jasht kontrollit do të thoshte humbje e pushtetit komunist. Aktiviteti komunist i Enver Hoxhës shtrihej më teper brënda territorit të Shqipërisë, dhe për të mbajtur nën kontroll Kosovën, Hoxhës do t’i duhej një infrastukture me adekuate dhe e zhvilluar, një organizim më i mire administrativ, një ushtri më e madhe të cilën Hoxha nuk e kishte dhe nuk kishte mjete financiare ta bente menjehere pas luftës. Pra, Kosova ishte me teper kokçarje administrative e pakontrollueshme e cila mund vetëm t’i sillte probleme.

Hoxha dyshonte se në Shqipëri do krijoheshin dy fronte antikomuniste, Kosova dhe Veriu i vendit te cilat përbënin dhe pjesën më të madhe të tij. Megjithese, LDB teknikisht mbaroi në 1944,  në të vëretë lufta në Shqipëri mbaroi diku nga mesi apo fundi i viteve pesedhjet. Mund të thuhet  pa druajtje se zonat e Veriut luftuan ashpër për përmbysjen e pushtetit komunist duke përfshirë Mirditën, Puken, Malsinë ku kishin aktivitet intensiv grupet të cilat synonin të hidhnin pushtetin e Enver Hoxhës. Keto grupe Hoxha i quajti banda diversantësh, por në fakt organizimi i tyre vinte nga jashtë dhe mbështetja e tyre ishte vet populli. Ideja se grupe të tilla mund të lindnin në Kosovë, ishte e pakonceptueshme për Enverin, dhe jashtë mundesisë së tij për te mbytur revoltën antikomuniste.

E dyta, Enver Hoxha, mbas luftës se dytë boterore ju bashkangjit lindjes komuniste dhe preu çdo marrdhenie me përëndimin i cili edhe “mund” të përkrahte çështjen shqiptare, pasi Perëndimi nuk do deshironin daljen e Jugosllavisë dhe partneres të saj politike Rusisë në zonën e Mesdheut. Megjithëse këto janë hipoteza, është i qartë fakti që Hoxha nuk i dha mundësi vendit të kishte përkrahjen e Perëndimit,  gjë e cila ishte në dëm të vendit dhe kështu Kosova ishte një çështje e mbyllur njëherë e përgjithmonë.

E treta, Enver Hoxha nuk kishte pretendime kombëtariste, dhe aq më tepër patriotike. Megjithëse e kam përmendur që Enver Hoxha e bastardoi konceptin e marksizmit, i cili presupozohet te jete social, Hoxha përsëri ngelej në thelb komunist, pra Hoxha ishte për përbashkësi ideologjike. Duke qënë se  ideologjia e tij nuk i kapërceu dot kufinjtë në tokat shqiptare në Kosovë, atëherë Hoxha nuk kishte pse të ndërmerrte rrezikun dhe të luftonte për krijimin e një shteti-komb demokratik ku nuk i shpëtonte dot pluralizmit.

Qeveritë e tranzicionit dhe çështja shqiptare

Në 23 vitet e fundit, “mahnitja” e ndërkombëtarëve me Berishën përsa i përket çështjes kombëtare qëndron në faktin se Sali Berisha u përpoq të ruante paqen dhe stabilitet në rajon mbas 2005, pavarësisht se  nuk e preku fare çështjen e Kosovës, dhe kjo i vinte për shtat ndërkombëtareve të cilët nuk janë të pregatitur për një konflikt te ri Ballkanik.  Ashtu si Hoxha, edhe Berisha u kufizuan me pushtetin e tyre absolut brenda kufinjve të vendit. Por Berisha shkoi një hap më përpara se Hoxha, Berisha bëri premtime boshe se do të paiste të gjithe ata që kanë kombësi shqiptare me pashaporta. Kjo ishte një shashkë e cila hodhi tym dhe u qartësua menjëherë pasi u morr vesh se ishte vetëm një demagogji e Berishës për të fituar elektorat. Në thelb, megjithëse tingëllon mjaft pozitive nuk është asgjë përveçse të ngopësh një popull me lugë bosh kur në të vërtetë Berisha nuk ka kontribuar aq sa duhet për çështjen shqiptare.

Përpjekjet për drejtësi

Në përpjekjet per drejtësi, ajo çka ngjall dekurajim dhe pesimizem është fikja që ndërkombëtarët i bëjnë shkëndijës së kombëtarizmit tek shqiptarët. Eksperienca ka treguar se çka është kyçe është përqasja e problemit. Të jemi të bindur dhe të qartë, në këtë gjëndje që ndodhemi tani, po t’i  hyjmë një ndërmarrje të tillë nuk do kemi të gjithë popullin me vete pasi populli shqiptar është mjaft i përçarë ideologjikisht dhe jo të gjithë janë të mirinformuar apo njohin teorinë e shtetit-komb. Këtë e tregoi qartë zhgënjimi i Aleances Kuq e Zi në zgjedhjet e 2013, i cili kishte ideologji të përngjajshme me krijimin e shtetit komb. Madje, disa shqiptarë me pikpamje të majta nuk e përtypin fare këtë ide; ndërsa shqiptarë të tjerë janë të grimcuar siç shkruan Grid Rroji, në shumë drejtime; krahinore, ideologjike, partiake, etj. Por ka rëndësi që ajo shtresë që mbështet idenë e Shqipërisë shtet-komb të jetë e bindur në të dhe ta përqas me dinjitet, me llogjikë, me argumenta të pakontestueshëm, me rekomandime për të ardhmen, me modernizëm, duke pasur paqen dhe stabilitetin në rajon në mëndje.

Krijimi i një shteti të ardhshëm të kombit shqiptar nuk është një betejë e cila luftohet ne fushën politke, diplomatike apo gjeopolike. Nuk është një betejë që duhet të luftohet vetëm nga Albin Kurti, Shpend Ahmeti apo Kreshnik Spahiu. Krijimi i shtetit komb kryhet në disa nivele paralele, dhe bashkimi me Kosovën është vetëm njëri nga ato nivele. Këta zotërnij kanë hedhur idenë dhe kanë parashtruar rrugët politiko-administrative për arritjen,  por duket që as ndërkombëtarët  dhe as një nga qeveritë e Tiranës apo të Prishtinës nuk e kanë në axhendën e tyre të afërt apo të largët. Për këtë çështje që të avancojë më shumë, organizata politike apo shoqërore duhet të ushtrojnë trysni në dy qeveritë përkatëse për hapjen e dialogut në shkallë më të gjerë dhe krijimin e mundësive. Berisha mundësoi lëvizjen e lirë me hapjen e Rrugës së Kombit por ky është vetëm një hap në përpjekjet e një qeverie e cila ka përgjegjsi për kombin shqiptar brënda dhe jashtë kufijve. Por në fund të fundit është populli shqiptar brenda territoreve ai që duhet të vendos.

Përpara se populli të vendos dhe referendumi të ket sukses për një ndërmarrje kolosale të kësaj natyre, popullit duhet t’i krijohet mundësia për të bashkëpunuar në disa nivele të cilat do të sheshojnë terrenin për më vonë. Keto nivele janë, politike, diplomatike, kulturore, arsimore, shpirtërore etj. Pra ky multi-nivel është ai që do krijoj gradualisht bashkimin në një shtet komb. Aktualisht, Kosova e ka të domosdoshëm bashkimin me Shqipërinë sepse rreziku serb është gjithmon i pranueshëm, madje argumenti që Albin Kurti parashtron është: Pritja e hyrjes në BE mund të jetë e larget, mund të jetë një plan edhe njëzet vjeçar, gje e cila është plotësisht e besueshme. Në këto njëzet vjet çdo gjë mund të ndodh. Kosova është shtet i pavarur por jo sovran. Kosova nuk ka ushtrinë e saj por mbështetet në mbrojtjen e trupave të NATOs. Sado pozitiv të jetë ky fakt, e pengon Kosovën të ec me këmbët e veta”.

Pra cilat ngelen rrugët alternative për unifikimin e dy shteteve me të njëjtën kombësi? Diku duhet filluar, dhe çdo hap përben një hap përpara, dhe jo një hap mbrapa ose një e ndenjur në vend numëro. Bashkimi i kapitalit kulturor dhe arsimor, përbën një anë shumë të rëndësishmë të unifikimit kombëtar. Kapitali kulturor eshte shqiptari vet. Kjo realizohet me dëshirën dhe vullnetin e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Me bashkim kulturor dhe arsimor kuptohet unifikimi i sistemit arsimor ku të dy vëndet të kenë të njëjtat programe shkollore, të njëjtin kurrikulum gjuhësor, shkencor dhe shoqëror. Besa Shahini, analiste e Inisiatives për Stabilitet Europian, në një konferencë në Universitetin Columbia te mbajtur në maj të 2013 shprehu shqetësimin e saj për sistemin arsimor në Kosovë i cili është shumë mbrapa për mungesën e infrastrukturës dhe personelit të domosdoshëm. Rast si ky duhet të behët fillesë e nje inisiative nder-qeveritare midis Kosovës dhe Shqipërise për unifikimin e sistemit arsimor.

Kooperimi në fushën ekonomike gjithashtu, është vendimtar për të dy vëndet për një bashkepunim të ngusht ekonomik, për krijimin e bizneseve apo shoqërive të përbashketa. Ekonomia e Kosovës ashtu si ajo e Shqipërisë janë ekonomi konsumi, asnjë nga këto dy vënde nuk prodhojnë. Kjo gjë duket absurde, por hapja e mundësive për ngritje ekonomike duhet t’i kaloj kufinjte përkatës. Këto lloj kooperimesh i hapin rrugë gradualisht krijimit të sistemeve të përbashketa në shumë fusha.

Pengesat e njehsimit si komb shqiptar

Pengesat e njehsimit si komb janë disa sjellje të cilat bien në kundërshtim me qëllimin e tij. Këto pengesa paraqiten nga ata që nuk janë për një bashkim kombëtar por edhe nga ata të cilët e dëshirojnë një diçka të tillë, pavarsisht se duket si paradoksale.

Së pari, si komb duhet të jemi të respektueshem ndaj ligjeve ndërkombëtare paçka se shumë herë kanë qënë të padrejta për ne. Ligjet, vendimet ndërkombetare duhen respektuar siç i respektojnë të gjitha kombet dhe kjo është shenjë e qyteterimit. Aktualisht, trojet Shqiptare janë të ndare në disa rajone, vende, krahina dhe natyrisht disa nga to janë pjese juridiksioneve të huaja. Dy më të medhat janë dy shtetet e pavarura Shqipëria dhe Kosova. Fatkeqsisht, harta e Shqipërisë është ajo që bota njeh sot dhe jo ajo e 1912 e cila përbehet nga katër vilajetet. Me gjithë dëshirën e unifikimit mbarkombëtar, nuk duhet të biem në grackën e nacionalizmit. Pra valvitja e hartës së Shqipërisë Etnike, tani për tani më shumë prish se sa ndeq punë për disa arsye.

Të jemi të qartë se sa herë që nxjerrim publikojmë harta të Shqipërisë Etnike, provokojmë,  tregojme menjeherë se kemi ambicje territorjale ndaj vendeve fqinje. Kjo i le të kuptojnë ndërkombëtarëve se ne nuk e respektojme vendimin dhe perpjekjet e NATOs dhe SHBAs, për çlirimin e Kosovës dhe shkëputjen e saj nga Sërbia. Kjo na ul shume pikë në çështjen tonë në komunitetin ndërkombëtar dhe mund të jetë një nga arsyet që kombëtarizmi shqiptar është kritikuar pa hyrë ende në skenën politike duke u keqinterpretuar si nacionalizem.

Ky është imazh arrogant që ne i paraqesim arenës ndërkombëtare, kur ne në fakt luftojme për më shumë se kaq.  Ne jo vetëm luftojmë për unifikim të trojeve tona, por edhe për dinjitet kombëtar, për respektim te qënies tonë kombetare. Hartat e Shqipërisë Etnike tani për tani nuk bejnë gjë tjetër veçse kufizojnë dimensionin tonë si komb dhe i japin argument Sërbisë dhe Greqisë për pretendime territorjale nga ana jonë. Këto vende duhet të mësohen me idenë që në fakt dy shtete shqiptare pavarësisht se politikisht nuk janë të bashkuar, shpirtërisht janë një dhe nuk ndahen dot. Harta e Shqipërisë Etnike do bëhet legjitime vetëm kur të krijohet shteti-komb, kur bota të njoh Shqipërinë si shtet-komb, por deri atehëre kjo hartë është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe hap konflikte të padeshirueshme. Ne nuk duhet të paraqitemi me pretendime territoriale, por me deshirë bashkimi te kombit  shqiptar, kjo deshirë i kalon caqet territorjale dhe hyn ne nje dimension tjeter, ate shpirtëror.

Së dyti përçarja krahinore egziston për shumë arsye që unë dhe kolegët e mi i kemi përmendur. Përçarje ka jo vetëm brënda territorit të Shqipërisë po edhe asaj të Kosoves gjithashtu edhe midis Shqiperise dhe vet Kosovës. Siç u shpreh Shpend Ahmeti, këto pretendime janë jo-substanciale dhe kanë të bëjnë më tepër me ndryshime kulturore midis krahinave, por jo ndonjë arsye e ndjeshme për të mos u bashkuar si komb. Ajo që në rradhë të parë i duhet kombit tonë është unifikimi shpirtëror. Unifikim shpirtor në vendet apo kombet te cilat i përkasin një feje ndodh më lehtë. Në Shqipëri dhe Kosovë ku dominojnë tre lloj besimesh fetare kjo gjë nuk mund të ndodh. Unifikimi shpirtëror (fetar) duhet të ndodh mbi bazë tjetër dhe kjo duhet të jetë kombëtarizmi, vlerësimi i të qënit shqiptar, respekti ndaj shqiptarit pa dallim krahinor apo fetar dhe në fund të fundit dashuria dhe toleranca për njëri tjetrin. Kjo ide është hedhur edhe nga studjuesi Ledjan Prifti.

Së treti, kohët e fundit, në rrjetet sociale (atje ku shkëmbehen dhe përleshen idete) sepse bota virtuale na bashkon si shqiptar, po vjen vërdallë dhe një debat mbi legjitimitetin e luftëtareve të UÇKs dhe të kaluarën e tyre. Opinione të ndryshme egzistojnë se disa publiçist janë të paguar për të hedhur baltë mbi çështjën Shqiptare. Mbase; ka të ngjarë, qarqe të ndryshme edhe mund ta justifikojnë me mjete krejt legjitime duke i quajtur si “studime te përbashkëta” por që në thelb janë mjaft të njëanshme dhe hapin preçedentë për te ardhmen. Detyra e çdo shqiptari është të thotë jo, në qoftëse këto lloj studimesh, demtojnë imazhin tonë si komb dhe çështjen tonë të mbijetesës në Ballkan. Mos të harrojmë se Shqipëria ka ecuar në fijen e perit për rreth pesqind vjet. Këtu ku jemi, nuk jemi keq, por nuk jemi aty ku duam te jemi dhe ku duhet të jemi, te bashkuar në një shtet-komb.

Në përfundim, krijimi i shtetit-komb është rrugë e gjatë dhe me shumë pengesa. Është e realizueshme me vullnet të mirë dhe me dinjitet. Krijimi i shtetit komb nuk është një ndërmarrje arbitrare e qeverive, por i deshirës së mirë të popullit për të qenë i unifikuar, shpirterisht, nga ana kulturore, politikisht, ekonomikisht dhe juridikisht. Unifikimi kombëtar do të realizohet vetëm atëherë kur populli të jet gati. Në qoftëse populli nuk është gati kjo nuk realizohet. Por pregatitja e popullit është ajo që kemi në dore ne. Krijimi i mundësive për bashkëpunim është ajo që ne mund të fillojmë pa humbur kohë. Në mënyrë që populli të jetë gati duhet të rrafshohen të gjitha pengesat, mentalitet, te rritet toleranca, të ndalohet politika përçarëse. Kështu, ish Ambasadori Walker theksoi, “Në qoftëse populli shqiptar do ta kërkoj  unifikimin unanimisht ateherë dhe ndërkombetarët nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse ta pranojnë vullnetin e popullit shqiptar”.

Advertisements

2 thoughts on “VALBONA KARANXHA: ÇËSHTJA SHQIPTARE DHE KOMBËTARIZMI: DREJT KRIJIMIT TË SHTETIT-KOMB

  1. Valter, ke te drejte per shume nga argumentet. Nuk te kundershtoj. Por ja qe nuk qendron aty thelbi i shkrimit. EH eshte pare ne prizmin e teorive te lidershpit,, me shume ne sensin praktik se sa ne kontekstin historic si p.sh (shitja/blerje e nje idologjie, lidershipi ne kohe krize dhe proritetet, frymezim i (gjithe) masave, vendime logjistike ne favor te tij, ,te gjitha keto te para ne kontekstin e Kosoves). Plus, une nuk hodha poshte asnje hipoteze por vetem shtova te mijat nga perspektiva e lidershipit.

  2. Keto hipoteza nuk qendrojne Valbona. VENDIMET POLITIKE MERREN NE BAZE TE RAPORTIT TE FORCAVE.
    Enveri nuk mund te kerkonte dot Kosoven per vet faktin se errerat nuk ishin ne favor te politikes shqiptare. Ishim akoma shtet pa rrenje. Duhej konsoliduar njeher shteti shqiptar, te mos harrojme qe deri ne 49 jugosllavet ishin ne çdo sektor te vendit dhe Tito kerkonte ta kthente Shqiperin republiken e saj te 7. Unioni Sovjetik ishte teper i fuqishem, ku paraqiste rrezik edhe per vendet e evropes perndimore. Ato kishin friken e tyre per dy gjera : nje sulme te mundshem nga kampi i Varshaves (ke dokumentare plot mbi ket) ; nje marrje pushteti nga partite komuniste ne vendet respektive (France desh mori pushtetin ne vitet 70 me gati 30% dhe ne Itali gjithashtu).
    E dyta, nje rebelim i pavemendshem perfundonte si Cekia nen tankset e Rusise. Enveri diti te largohesh me diplomaci, fat dhe padyshim duke shfrytezuar konfliktin e dy superfuqive.
    E treta, kishim ne te dyja krahet dy shtete qe spushonin se reshturi provokimet (Greqia dhe Jugosllavia) dhe ne nuk e kishim forcen e tyre. Pushteti monist smund te ndermerrte veprime qe do te ishin fatale edhe per ne.
    E katerta abuzohet shume me fjalen komunizem te pakten nese do ta artikulojme ashtu siç e ka konceptuar Marx e Engels tek « Manifesti i Partise Komuniste, 1848 ». Te jesh komunist do te thot te jesh ne shkallen me te lart te ndergjegjes njerezore ku ti i shikon njerzit te barabart dhe ku ska pasuri individuale por ku shoqeria punon per interesin publik, ska klasa dhe as shtet, pra diçka ideale. Ti thuash Enverit komunist eshte si ti thuash nje demoni engjell. Asnje drejtues i shteteve qe pretendojne si komuniste nuk kane qen komuniste. Ideologjia eshte perdorur per te fituar pushtetin dhe per ta ruajtur ate por ne asnje menyre per ta aplikuar ate.
    Persa i perket marrjes se Kosoves do te thosha qe era u kthye per ne pasi jugosllavia u shperbe, dhe ishte shume fat qe Rusia ishte ne periudhe delikate per vete, per me teper e drejtonte nje pijanec si Helsingi.
    Ndersa, Berisha nuk mund te krahasohet me Hoxhen pasi jane dy te tipa krejt te kundert : sistemi i Enverit prodhoi pasuri e cila i mbeti vendit dhe pa borxhe (ose shume shume pak) ndersa sistemi i saliut e shkaterroi kete pasuri, e vodhi dhe ne fund e ka shitur te gjithe territorin shqiptar. Pashaporta per te gjithe jane retorika boshe qe eshte turp edhe ti degjosh. Saliu e di mire se po ti pyesesh shqiptaret çfare pasaporte doni gati 99% do te thon amerikane, angleze, gjermane apo franceze. Asnje se do ate shqiptare, biles u vjen turp neper dogana te thon jemi shqiptar (pasi ketu na katandisen keta pseudopateriot).
    Persa I perket shteti-komb, jam dakort qe nuk mund te futemi ne europ pa u ber bashkimi I dy shteteve shqiptare. Kjo per faktin e vetem se duhet te mesojme nga e kaluara, te mos bejme gabime qe do te na kushtojne rend neser (pretendimi se mund te bashkohemi nen qiellin e europes nuk qendron). Projekti i europes se bashkuar ashtu siç po behet nje dite edhe mund te çbehet por ne duhet te jemi te pergatitur qe edhe nese çbehet te dalim si nje shtet i vetem.
    Se fundemi, nese ne nuk arrijme te bashkojme forcat asnjeher nuk do te jemi ne gjendje te vendosim ekuiliber ne ballkan me shtet fqinje. Vetem te qenit te fort sjell per ta respekt dhe nderim.

Comments are closed.