VALBONA KARANXHA: PERSPEKTIVA E PARTISE SOCIALISTE MBI ÇËSHTJEN SHQIPTARE

Retorika kombëtariste është nxehur së fundmi dhe secili nga ne është i lejuar të jap opinionin e vet pavarësisht se ku qëndron në këtë problem.  Në fund të fundit, të gjithë “dakordohemi” që diskursi  kombëtarist tani për tani ngelet në ajër përderisa nuk mbështetet në mënyrë zyrtare nga qeveritë përkatse. Nga konstatimet, duket se nuk do kemi ndonjë zhvillim të ndjeshëm në këtë temë për katër vitet që vijojnë bazuar në atë që Partia Socialiste përmban në programin e saj. Megjithëse, nuk mund të pretendosh të gjykosh pushtetin e ri të Ramës me kabinetin e tij që pritet të krijoj në shtator, sepse nuk do ishte e drejtë. Sido dhe kushdo qofshin këta individë të cilët do marrin në dore zbatimin e Rilindjes i duhet dhënë kohë përpara se të gjykohen ose vlerësohen për punën e tyre, por, në të njëjtën kohë dua të ve në dukje se në programin Për një Rilindje Shqiptare çështja e Kosovës është përmëndur në një nivel “Play it safe”, ose luaj pa rrezikuar. Edi Rama e anashkalon çështjen e Kosovës, i shkon rreth e rrotull, e trajton shumë ëmbël në periferi të problemit, por si çështje, e lë komplet pa solucion,  ose e le në hava.

Para disa kohësh, në blogun Rrethi i Ferrit dhe në http://www.fshad.com botova artikullin në të cilin trajtoja çështjen e kombëtarizmit drejt krijimit të shtetit komb. Sot vendosa të shoh se ku qëndron Edi Rama në programin e tij përderisa i përket kësaj çështje. Në artikullin tim shkruaja se disa nga rrugët dhe fillesat drejt bashkimit dhe krijimit të shtetit komb ishte edhe bashkëpunimi arsimor, ekonomik, unifikimi i kurikulumit gjuhesor etj. Nuk mund të them që nuk u befasova kur i pash në Rilindjen të artikuluara shumë bukur, dhe disa nga pikat që unë i sugjeroja ishin aty, madje programi kalonte më në detajim. Por i parë në spektrin e një programi të një force politike në Shqipëri  e cila përfaqson pothuajse gjysmen e shqiptareve brënda territorit të Shqipërisë, shumë të cilët kanë ndjenja të forta për çështjen e Kosovës, i mungon thelbi, objektivi dhe qëllimi final. Çështja e Kosovës në program është e paraqitur në një formë dhe frymë e bashkëpunimit miqsor. Me thelb nënkuptoj arsyen përse po kërkojmë bashkëpunim me Kosovën në fushat e përmëndura më sipër, ku duam të arrijmë me anën e bashkëpunimit?
Përse është reduktuar çështja shqiptare vetëm në një bashkëpunim miqsor? Cili është vizioni ynë për Kosovën dhe si do ta përmbushim këtë vizion? Pra Rilindja nuk i jep përgjigje këtyre pyetjeve.

Faktikisht, Edi Rama, nuk e ka në axhendë problemin e bashkimit kombetar sepse Rilindja është e bazuar në parime të tjera, atë të integrimit të vendit në socialisten dhe familjen Europiane. Problemi i Kosovës në Rilindje është kornizuar në bashkëpunim dilpomatik, ndërkombëtar, arsimor, edukativ dhe ekonomik. Hartuesit e Rilindjes për çështjen kombëtare janë mjaftuar me hartimin e një protokolli i cili do vihet në zbatim në vitet në vazhdim. Sipas kësaj platforme,  Kosova konsiderohet si “Partner strategjik dhe aleat”.  Në thelb,  Rilindja është formuluar në formë të tillë që krijon një kufi  ose një hendek midis Shqipërisë dhe Kosovës i cili nuk mund të kalohet përderisa është i artikuluar në këtë mënyrë në programin e PS. Ky hendek i ka fillesat pikërisht tek mungesa e viziont te PS dhe Edi Ramës përsa i përket çështjes se bashkimit kombëtar.

Për një studjues që merret me shkrirje strukturash apo sistemesh, dhe reforma të këtij kalibri, por edhe per një lexues të thjeshte nuk do shumë mënd për t’u kuptuar që këto nuk janë veçse procese të thjeshta protokollore midis dy vendeve fqinjë te cilet flasin një gjuhë.

Të gjitha pikat që parashtrohen në Rilindje janë pozitive, por jo të mjaftueshme nga një qeveri shqiptare e cila ka përgjegjsi morale për shqiptarët kudo që janë, dhe aq më tepër në një zonë të nxehtë Ballkanike siç është Kosova.

Më lart përmenda që Edi Rama loz pa rrezikuar me kartën nacionaliste. Kjo kartë do të zemëronte shumë po nuk u luajt siç duhet. Por, po diti Rama ta kanalizojë me diplomaci atje ku duhet, asnjë lider nuk mund të kritikohet për bashkimin shpirtëror të kombit të vet, të paktën në një shoqëri demokratike. Duke u nisur në modelin e lidërshipit të tij, por gjithashtu edhe vizionin qe Rama ka për kombin, kjo as nuk mund të pretendohet. Rama nuk është në gjëndje ta loz kartën e kombëtarizmit me mënçuri, për shkak të shumë faktorëve në politikën e brëndëhme dhe të jashtme. Për më tepër, Edi Rama ne Rilindje nuk e shikon kombin shqiptar si një, por vazhdon me mëndesine e pushteteve para-ardhëse. Duke mos u artikuluar fare në program, Rama shënon pikë në arenën ndërkomëtare dhe mban në kontroll tensionin që mund të shkaktohet ose që u shkaktua me Kreshnik Spahiun.

Ku qëndron PS në realitet?

Në fakt, unë e kam përmendur që diku duhet filluar dhe çdo hap përpara na ndihmon në unifikim shpirtëror si komb, por në qoftëse ne punojmë pa një objektiv në mëndje asnjë nga keto fillesa nuk do ketë vlerë sepse nuk mbështeten në një qëllim final. Pavaresisht se premtimet në Rilindje janë të shumta ato janë vetëm kontur i asaj që duhet të jetë thelbi. T’i vish anash këtij problemi pa pasur një qëllim përfundimtar është rrugë pa krye është konfuze si për popullin tonë ashtu dhe për popullin e Kosovës; në fund të fundit janë përpjekje të cilat nuk gratifikohen dhe finalizohen.

Prioritet e PS në politikën ndërkombëtare dhe rreziku i Kosovës.

PS angazhohet për ndjekjen e një politike ndërkombëtare korrekte, respektuese ndaj pikave përkatse të cilat do mundësojnë vëndin për marrjen e statusit të kandidatit me qëllim që më vonë te hyjmë në BE. Madje, në të theksohet që Shqipëria do ndjek modelin e Kroacisë e cila ka bërë arritje substanciale në njëzet vjetët e fundit. Rilindja nuk merr parasysh një sërë faktorësh të cilët e bëjnë Kroacinë shumë ndryshe nga Shqipëria. Këto faktorë janë, lufta për pavarsësi e cila pavaresisht se mund të kishte efekt negativ në çdo aspekt, bashkoi popullin kroat drejt ndërtimit të vendit me një qëllim “Rimbëkëmbjen e tij”. E dyta, Kroacia ka një një popullate prej 4.5 milion banorë të cilët banojnë brënda Republikës së Kroacisë, ku 90% janë kombësi kroate,  një pakicë serbe prej 5% dhe rejdhimisht pakica të tjera të vogla. Ndërsa shqiptarët janë komb i ndarë në shumë zona, treva, rrajone, dy më të medhat janë përkatsisht në Kosovë dhe në Shqipëri.

Për mos t’u futur shumë në aspektin ekonomik të Kroacisë dhe Shqipërisë sepse është e pamundur të mbulohet në këtë artikull, mund të thuhet se plani i PS për t’u futur në BE është primar dhe nuk përfshin bashkimin kombëtar. Thjesht, përpjekjet për futjen e Shqipërisë në BE janë komplet të shkëputura nga Kosova. Pa e komplikuar më shumë çështjen, Rama është i mahnitur mbas nocionit të Europës, bashkangjitjes ndaj saj, dhe Kosova nuk konsiderohet primare tani për tani sepse “kimetin” nuk do t’ja shoh së shpejti por në një të ardhme të largët, në qoftëse do t’ja shoh ndonjëherë.

Domosdoshmëria e një force politike midis Shqipërisë dhe Kosovës

Detyra e Shqipërise dhe përgjegjsia që ka ajo ndaj Kosovës është e nje rëndësie të veçantë. Tani për tani, duke marrë në konsideratë problemet që Kosova ka me sovranitetin e saj dhe lidërshipin mjaft të dobët për t’i përballuar këto probleme, nivelet e larta të korrupsionit, çështjet e luftëtarëve te UCK dhe orvatjet e diplomacisë serbe për të moslejuar krijimin e shtetit sovran të Kosovës, përgjegjsia rritet katerciperisht. Nuk ka kurfarë garancie që Kosova të mbijetoj si shtet, madje as nuk dihet se çfarë lloj shteti do jetë Kosova në vitet që vijojnë, ke do përfaqsoj, nje komb të konsoliduar shqiptar, apo komunitete  të ndryshme. Pra struktura e Kosovës tani për tani nuk është e qartë.

Rreziku qëndron se Sërbia di të manipuloj kartën e të drejtave shoqërore të pakicave që  kushdo shoqëri demokratike nuk do t’i kundërshtonte sepse lidhet me të drejat e njeriut. Por të gjithë jemi të bindur për qëllimiet që Sërbia ka pas kësaj. Me krijimin e një shteti komunitetesh, krijohen xhepa me komunitete të ndryshme, në vënd të një shteti-komb shqiptar. Normalisht, çdo etnicitet kudo qe është duhet respektuar dhe dhënë mundësia funksiojoj brënda kontureve të veta, i barabartë në oportunitetet e dhëna, dhe të shpreh i lirshem identitetin kombëtar, por çështja e krijimit të këtyre komunistetve brënda Kosovës, behet në kurriz të sovranitetit të saj sepse nuk ka standarte të përcaktuara. Kjo i hap rrug  krijimit e komuniteteve të panumërta dhe përfundimin e Kosovës së egsistuari si shtet me popullsi të konsoliduar shqiptare. Këta faktor duhet të shërbejnë për qeverinë Shqiptare si pike referimi për të hartuar një politikë bashkimi ndaj Kosovës dhe jo neglizhimi total.

Që të arrihet të krijohet një forcë ideo-politike nepërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do duhen që të oranizohen kapacitet dhe të kanalizohen nëpër struktura. Koço Danaj, përmendi para disa ditësh rezultatet e disa sondazheve të cilat janë bërë në popullsi për një bashkim të mundëshëm kombëtar, dhe në të gjitha rezultonte se popullsia mbi 60% e dy shteteve e aprovon dhe kërkon bashimin kombëtar. Kjo përqindje ishte më e lartë në zona të caktuara, por për hatër të këtij artikulli unë po e marr 60%. Pavarësisht, se populli i sondazhaur mund të ketë prioritete të tjera politike, është pozitiv fakti që bashkimi kombëtar mbështetet. Ateherë, rruga drejt kristalizimit të këtyre forcave aktive për bashkim kombetar është çështje kohe.

Në vënd të përfundimit

Edi Rama ka një minimum katër vjeçar në qeveri dhe në qoftëse Edi Rama i qëndron programit të vet dhe premtimeve,  shanset janë që pushteti i tij do zgjas dhe katër vjet të tjera. Përsa i përket arenës ndërkombëtare, Edi Rama nuk ka reputacion të keq tani për tani, dhe kjo është pozitive. Siç e thashë nuk mund ta  gjykoj as Ramën as Rilindjen pa pasur disa indikues të cilët mund të maten, por edhe tani për tani nuk i është dhënë mundësia ende të tregoj veten. Si reformiste mund t’i sygjeroj se programet, politikat e brendëshme, jashtme dhe publike nuk mund të jenë statike, ato ndryshohen në rrugë e sipër, sidomos kur populli ushtron trysni për një problem. Modifikimet që mund t’i bëhen Rilindjes duhet të pasqyrojnë jo vetëm vullnetin e popullit por në të njëjtën kohë arritjen e qëllimit përfundimtar, përmbushjen e nevojave të tij. Bashkimi kombëtar është një përmbushje dëshire prandaj PS ka përgjegjsi për të. PS duhet të krijoj kushte të kaloj caqet e bashkëpunimit, të krijoj një vizion të qartë dhe të përbashkët në ndihmë të çështjes  duke punuar të përmbush atë.

MAJMUNËT NA MBAJNË SKLLEVËR: REPLIKË ME KOLORETO CUKALIN

Në një shkrim interesant, “Zoti i Majmunëve” që sapo e vendosa edhe në Rrethin e Ferrit, Koloreto Cukali shpreh shqetësimin qytetar në lidhje me gjendjen në shtetin shqiptar dhe me kapjen e vendit nga oligarkia e parisë së Tiranës. Shkrimi ka vlera sepse e shpreh gjendjen ashtu si e vlerëson autori. Përtej kësaj, duhet thënë se shkrimi mundohet të ndërtojë sekuencat që do të cojnë nga kundërvënia ndaj oligarkisë tek zgjidhja e duhur. Si gjithnjë, Cukali gjen një fabulë, parabolë, krahasim apo anekdotë të njohur dhe duke e përdorur metaforikisht ose si krahasim, mundohet të nxjerrë në pah thelbin e cështjes.

Këtë herë ai mundohet të ndricojë sekuencën dhe urat që mungojnë në rrugën që duhet të nxjerrë shqiptarët nga kriza e thellë ku janë. Mirëpo, në rrugë e sipër, Cukali e humbet fillin dhe shkrimi që nxjerr me forcë në pah problemin, mbyllet me nota negative e pesimiste me një thirrje për kundërvënie. Arsyeja pse nuk shkon një hap me tej është se Cukali nuk sheh se ka njerëz, grupe, ide të shtruara apo sisteme vlerash që e ofrojnë këtë zgjidhje. Pa dashur të ul aspak vlerat e këtij shkrimi, por përkundrazi për ta nxitur Cukalin që të shohë pak më larg e më qartë, do të vija në dukje katër problemet e mëposhtme.

Zotnia dhe Shteti

“Zoti i Majmunëve” është një mesele e bukur, mirëpo nuk e kap qartësisht thelbin e dilemës tonë historike. Majmunët rebelohen kundër Zotnisë. Mirëpo, në rastin tonë, problem është se ne na duhet shteti. Mund të rebelohesh kundër një shteti që nuk është i yti, mund të rebelohesh kundër atyre që duan të përdorojnë shtetin, por në thelb të cdo ideologjie e grupi, revolucionar apo kundërshtar, është gjithnjë ideja e një shteti më të mirë. Pra, mbledhja e frutave nga majmunët vetë në pemë është anarki. Detyrimi për të punuar për ‘plakun’ është skllavëri. Mirëpo, në rastin tonë, në botën modern mund të mbijetosh, të arrish të lulëzosh e të zhvillosh potencialin tënd vetëm në se kë shtet-komb. Shtet-kombi nuk ka pronarë. Shtet-kombi nuk ka zot.Shtet-kombi ka ligj, barazi, mbrojtje për të gjithë, mundësi zhvillimi e shfrytëzim racional e efektiv të burimeve materiale e njerëzore të shoqërisë. Në mos tjetër, në botën e sotme, popujt që nuk kanë shtet-kombe, bien nën zgjedhën e dikujt tjetër. Shtet-kombi është struktura që arrin të zhvillojë më me efektivitet e sukses shoqërinë. Sepse, në mos tjetër, shtet-kombi është struktura më e lartë, sovrane dhe e pazëvendësueshme, njësia bazë, që pavarësisht nga madhësia ka të drejtën ta konsiderojë veten sit ë barabartë me shtetet e tjera. Në parim të gjtihë shtetet janë të barabartë me njëri tjetrin. Sovraniteti I bën të barabartë.

Pra, metafora e Cukalit duhej të kishte edhe një element tjetër. Ai element do të ishte ky: në se nuk ke strukturë, atëherë do të vijë një plak tjetër që do të përdorjë, sepse frutoren e kontrollojnë këta. Zgjidhja e majmunëve është që të bëjnë një majmun si plakun e tyre.

Rezistencë dhe Delegjitim

Së dyti, Cukali e ka kapur mirë thelbin e problemit të kundërvënies ndaj regjimit oligarkik të parisë së Tiranës. Për të, edhe pse nuk ka rezistëencë të hapur diku duhet filluar. Sepse, dhe këtu jemi në një mendje, sistemet oligarkike kanë një thembër të Akilit që është legjitimiteti. Në se njerëzit votojnë, nëse e shfaqin mbështetjen për regjimin, atëherë, askush nuk mundet me thanë se këta njerëz janë të shfrytëzuar, të përdoruar, të dhunuar, të skllavëruar. Përfundimi në të cilin mbrrin Cukali është se kjo ndodhi edhe me sistemin e partisë-shtet dhe, megjithëse mund ta kishte zgjeruar e pasuruar argumentin, në fakt e në thelb, ka të drejtë. Mirëpo, diskutimi historic mund të zhvillohet një herë tjetër, ajo që ka rëndësi është se cka po ndodh tani? Ku është rezistenca? Ku është delegjitimimi? Ku është kundërvënia? Më vjen mirë se Cukali e ka gjetur rrugën tek “Vota e Bardhë” dhe tek Bojkoti. Ai e ka kuptuar potencialin e asaj përpjekjeje dhe fisnikërinë e saj. Kjo i bën nder z. Cukalit.

Bojkoti dhe e Keqja më e Vogël

Problemi i tretë që ka z. Cukali është me votën e bardhë, inisiativën për Bojkot dhe me kundërvënien e rreptë ndaj tyre nga ana e parisë së Tiranës dhe e veglave të llapaqenërisë mediatike. Cukali shpreh habinë me kundërvënien e rreptë të parisë së Tiranës dhe të kolegëve të tij të shtypit që propganduan me ngulm të keqen më të vogël dhe rotacionin. Këtu hyjnë ata që duhej t’ia bënin ‘qokën’ parisë, sepse ashtu llogarisin të fitojnë koromanen e shkretë. Për këta që të paktën e dinë se cka po ndodh, njeriu nuk din as se sit ë ndjejë mëshirë, sepse këta shërbëtorë që bëjnë krim duke u shitur si intelektualë janë në fund të fundit të mullarit të llumit. Ndoshta nuk do të japin kurrë llogari e vetë shpresojnë të harrohen, por nuk munden me harrue mjerimin e ndytësinë e tyre. Këta janë të ndëshkuem me jetue me poshtërsinë e tyre e kaq del e tepron.

Por në lidhje me kundërvënien ndaj sistemit, më duhet të sqaroj se unë e kam mbështetur inisiativën e Votës së Bardhë, por ajo ishte tërësisht një përpjekje e një grupi të rinjsh nga Tirana si Gjergj Erebara,  Alida Karakushi, Alban Nelaj e të tjerë si Eljan Tanini. Një përpjekje tjetër u bë nga një grup që njihet Demokracia Direkte në të cilin spikat Sokol Shameti. Fatos Lubonja bëri vetëm një shkrim por e gjithë paria u mor me të, sepse, në fund të fundit edhe ai aty han, është në tavën e parisë së Tiranës dhe me të e kishin me të lehtë dhe mbas atij shkrimi e qepi gojën.

Por, ka pasur një grup shumë të konsoliduar ideologjikisht e profesionalisht në të cilin konsideroj Valbona Karanxhen, Grid Rrojin, dhe kolegë të tjerë të Rrethi të Ferrit.  Më argumente të forta, me qetësi, qartësi e profesionalizëm si dhe me përkushtim qytetar, kolegët e Rrethi të Ferrit kontribuan shumë në qartësimin e cështjes dhe pranuan të paguajnë cmimin e madh. Në politikë, kush mbështet një kauzë që duket e humbur, e paguan cmimin me emrin e me reputacionin e vet. Ne kemi qënë të vetëdijshëm të gjithë, por mbas disa diskutimeve vendosëm që në atë llumhane që është shteti shqiptar, cdo përpjekje për të ndezur një shkëndijë duhej mbështetur, e fuqizuar duke bërë gjithcka mundeshim. Dhe cimin e paguajmë përditë sepse llapaqenëria mediatike, dhe minjtë e gjirizeve blogiste, nuk lënë rast pa na e kujtuar. Por, si katundar që jam, më kujtohet një fjalë që ma thoshte një plak në fermë: nuk digjet gja ma me lehtësi se bajga e tharë. E gjendja në Tiranë është shumë afër bajgës së tharë. Cdo shkëndijë mundet dhe ia vë zjarrin.

Në Tiranë ndodh një fenomen interesant: Llapaqenëria mediatike merret me llapaqenërinë mediatike dhe politika është dicka tjetër. Por në rastin e Bojkotit, e gjithë struktura punoi me efektivitet që ta zhvlerësonte. Po rata kishin edhe gurin edhe arrën në dorë, numëruan votat e hedhura, mbushën kutitë, hoqën votat kundër bënë cka deshën. E prapë se prapë, edhe nga shqiptarët që ishin në shtetin shqiptar Bojkoti ishte partia më e madhe. Dhe mbështetësit e Votës së Bardhe ishin Partia e pestë. Shqetësimi I parisë është ndjerë e ndjehet gjithë kohën sepse ata e kuptojnë se nuk mund të sundojnë duke qënë të deligjitimuar.

Dhe sa për këta vemjet e gjirizeve mediatike e blogiste, vlen të thuhet se ndihmuan në mbytjen e një inisiative që në shkretirën dështimit të aprtive të mëdha do të ndihmonte në hyrjen në lojë të djemve e vajzave të reja që do të jenë e vetmja shpresë që ne kemi për t’u bërë një shtet-komb normal.  Duke I thyer, paria iu ofron vetëm alternativat e braktisjes së vendit ose të kooptimit në radhët e saj. Katër vjet prej tash  do të dalin të tjerë, poir nuk do të kenë legjitimitet, do të jenë të dobët dhe kjo I intereson parisë. Prandaj edhe këta vemjet që iu kundërvunë Bojkotit e Votës së Bardhë janë instrumentalë e përgjegjës për vrasjen e nje shkëndije që mund të ishte bërë një shpresë. Megjithatë, Cukali e ka kuptuar thelbin e asaj inisiative, dhe në mos tjetër, kjo mjafton me thanë se kapitali moral që është investuar nuk ka shkuar kot.

Labirinti dhe rrugëgjidhja

Në fund Cukali ngulmon se armiku është oligarkia e parisë së Tiranës, se kjo ishte një inisiativë fisnike, por se nuk ka as plan e as zgjidhje. Mendoj se në të dy drejtimet është gabim. Në këto qindra shkrimet e postuara në Rrethin e Ferrit, të gjithë ne kemi dhënë të qartë, besoj unë, edhe rrugën, edhe vlerat, edhe kredon, edhe zgjidhjen e duhur. Punë tjetër se në këtë pikë duket se nuk do të merremi me politikë. Por po të gjejë kohën z. Cukali që të lexojë me vëmendjen që meritojnë shkrimet e Grid Rrojit, të Valbona Karanxhës dhe të Ledjan Priftit, do të gjejë edhe përgjigjen e shumë prej pyetjeve që ngren.

Në vend të përfundimit

Një shkrim i tillë meriton respekt. Mirëpo, përpjekja ër të nxjerrë vendin nga bataku ku e mban paria e Tiranës, dhe ky system është oligarkik, kriminal, antishqiptar, i degjeneruar dhe i zvetënuar në të gjithë drejtimet, kërkon shumë njerëz. Njerëzit që merren me lexime si puna e imë janë si dentisti. Dentisti të thotë se cili dhëmb është i prishur, të ndihmon ta ruash apo pot ë jetë I prishur që ta heqësh por kur të vijë puna për ta nxjerrë dhëmbin e ri, atë duhet ta nxjerrësh vetë. Kjo është edhe tragjedia sepse nga jeta në katudn më kujtohet se si dikush e mbillte bostanin, dikush e kultivonte, dikush tjetër e shiste, dhe në fund të fundit, ajo që kishte rëndësi ishte fakti se fëmijët e hanin të lumtur e gëzimi i tyre ishte shpërblimi që prisnin të gjithë ata që kishin pjesë në atë frut të mundit të tyre. Shpresoj që Z. Cukali të lexojë Blogun Rrethi i Ferrit dhe jam i sigurtë se do të ndrrojë mendje në lidhje me planin dhe me ideologjinë që duhet në mënyrë që shoqëria shqiptare të gjejë ekuilibrin e duhur, në një shtet-komb modern dhe larg kontrollit të këtyre majmunëve që mbajnë njerëzit skllevër.

 

 

KOLORETO CUKALI: KUNDËR ZOTIT TË MAJMUNËVE

Kam vënë re se artikujt me “rilindje” në titull nuk klikohen më. Kjo është shenjë e mirë dhe e keqe. E mirë, sepse propaganda me “rilindje” nuk josh më. E keqe, sepse frigohem se bashkë me një farë neveritjeje me mbipërdorimin e termit politik “rilindje”, njerëzit thjesht kanë hequr dorë. Më ka shqetësuar gjatë mungesa e protestës reale në Shqipëri, përveç ndonjë shkreptime të veçuar e të dhimbshme si 21 janari.

Kemi pasur liderin më jetëgjatë komunist në pushtet, dhe kemi liderin më jetëgjatë (po komunist) të pas rënies së murit më gjatë në pushtet. Për paradoks, të gjithë bërtasin kundër komunizmit, ndërsa krejt lidershipi përbëhet o nga ish-komunistë o nga bij të tyre (deri dhe biologjikë). Ndaj askush nuk ka pse nxehet nga një metaforë marksiste.

Dy fantazma e autoritarizmit

Dy  fantazma vërdallisen sot nëpër Shqipëri. Në fakt, janë dy opsione ‘demokracie’: Qeverisja e kësaj copë Shqipërie që ka mbetur përmes grupit “të shokëve” të rilindjes, dhe ripozicionimi (në mënyrën e vetme se si di të bëjë opozitë) i Kryeministrit në ikje Berisha – nuk i njeh zgjedhjet. Dy opsione që shkojnë nga oligarkia drejt autoritarizmit. Këto kushte më bëjnë të trembem se edhe po të mos jemi dakort me manaxhimin nga ’rilindja’ mbas 4 vitesh, nuk do duam të shkojmë të qahemi te opozita. Me fjalë të tjera, do jemi prapë duke zgjedhur mes të këqiash.

Si një vend që ka kultivuar varietete diktaturash që nga shtet-formimi, ne jemi një komb shumë i brishtë ndaj vullneteve të grupeve apo individëve që, me të marrë pushtetin, vendosin mos ta lëshojnë më. Madje, kemi kaluar në një zinxhir variantesh autoritariste. E ardhmja duket e zymtë. Siç thotë një mik i imi, janë vetëm dy grupe që riciklohen: kur sundon e vjedh njëri, tjetri bën pauzë. Pastaj, nis të sundojë e vjedhë grupi tjetër, dhe i pari bën pushim. Ky zinxhir oligarkik duket vështirë i thyeshëm. Por, Aristoteli thoshte se oligarkia dhe tirania janë më jetë-shkurtra se çdo konstitucion tjetër. Tiranitë anë e kënd nuk kanë pasë jetë të gjatë.

Nga Diktatura në Demokraci i Gene Sharp

Nën diktaturë popullata dhe institucionet civile të shoqërisë kanë qenë shumë të dobëta, dhe qeveria shumë e fortë. Pa ndryshuar këtë mungesë baraspeshimi një regjim i ri  mundet, nëse do, të jetë po aq diktatorial sa regjimi i vjetër.  Këtë shkruan akademiku amerikan Gene Sharp në esenë e tij “Nga Diktatura në Demokraci”  që do doja t’ju përcillja sot.

Ky libërth, që mund të titullohej edhe “guidë thelbësore për rezistencën paqësore” u shkrua më 1993 për të mbështetur opozitën në Burma, dhe dënimi për këdo që kapej me të në dorë ishte 7 vjet burg. I fotokopjuar ka lëvizur nga Burma në Serbinë e Millosheviçit, nga Egjipti në Kinë, dhe ka qenë një nga tekstet e përkthyera e shpërndara ilegalisht në shumë vende gjatë Pranverës Arabe. (Unë vetë po e përkthej me atë timen në shqip.) Në këtë kohë fantazmash, më pëlqen të flas për këtë libërth, sepse ndjej që duhet të jemi vigjilentë. Diktaturat, fundja, ekzistojnë falë nesh.

Pragu i diktaturës

E vërteta është se diktatorët ekzistojnë vetëm prej shpërndarjes së pushtetit në vendin e tyre, thotë Sharp. Ata arrijnë t’i dobësojnë institucionet politike, ekonomike e shoqërore apo grupet sociale. Popullsia “atomizohet”, kthehet në një masë individësh të izoluar. Shpirtrat thyhen, shpresa nis të fishket. Askush nuk ka besim se do të mund ta heqim qafe ndonjëherë “katallanin”. Njerëzit kanë frikë edhe të flasin. Më kujtohet një mik që ulte zërin në lokalin e vet kur shante “atë” nga frika se mund ta dëgjonin e tatimorët mund të vinin t’i mbyllnin dyqanin.

Edhe kur bie një diktaturë, shpesh ajo le pas varfëri, krim, inefiçencë burokratike dhe shkatërrim mjedisor. Gjurmë të tilla vërej sot pas rotacionit të 23 qershorit. Aftësitë e rigjenerimit politik e shoqëror kanë dritë-hije dyshimi. I vetmi që do të mund t’i bënte ballë një neo-diktature, është nën administrim droge. Populli i ‘rilindjes’.

Drejt një rezistence paqësore

Problemi është që ne e kemi humbur popullin gjatë rrugës. Do të duhet të rifitohet pushteti demokratik mbi popullin, në radhë të parë. Është një popull që ka dhuruar disa dhjetëra deputetë të blerë. Me nga 50 deri në 200 Euro për kokë. Lufta e dhunshme ndaj sistemit, është deri diku e pashpresë. Nuk mund ta luftosh diktaturën me armët ku ajo ka superioritet. Ajo pak dhunë e protestuesve më 21 janar, u përdor si kartë morale për të justifikuar dhunën policore. Ndaj, edhe një 28 janar i dhunshëm mund të mos ishte zgjidhja. Por, një 28 janar paqësor e jo për ‘qokë’ mund të na kish kursyer disa vite.

Puçi-puçet

Pasi ka analizuar regjimet e shumta anëkend botës, Gene Sharp arrin në përfundimin se as puçet ushtarake, as zgjedhjet nën kujdesin e diktatorit e as të huajt nuk mund ta shpëtojnë një vend.  Diktatorët nuk janë aty për të lejuar që dikush t’i heqë si pa të keq nga pushteti. Vështirë të sfidohen në pikën ku janë më të fortë – te dhuna!

Shqiptarët vetë kanë pritur gjithmonë që të huajt të preken nga shqiptarë të tjerë që u vënë çizmen në fyt e të vijnë t’i shpëtojnë. Por shtetet e huaja, thotë Sharp, mund të përfshihen në mënyrë aktive vetëm nëse shkundja e diktaturës ka nisur. Mënyra më efikase është mosbindja civile e politike. Jo dhunë, por rezistencë.

Mosbindja besoj se ka qenë elementi që e rrënoi diktaturën e Ramiz Alisë. Askush nuk punonte, “arritjet” falsifikoheshin, të tërë vidhnin. Askush nuk jepte maksimumin. Ky ka qenë kolapsi i atij sistemi. Diktatura shembet vetëm duke shtrënguar rradhët me popullsinë e shtypur, duke forcuar aftësinë e tyre për rezistencë, vetbesim dhe vetëvendosje; duke forcuar grupet sociale të pavarura dhe institucionet e organizmat e popullsisë së shtypur; duke krijuar një forcë të brendshme rezistence; dhe, kryesorja, duke zhvilluar një Masterplan të rezistencës.

Masterplani i rezistencës

“Të gjitha diktaturat kanë dobësitë e veta, mungesa efiçense të brendshme, rivalitete personale, joefektivitet institucional dhe konflikte midis organizatave dhe departamenteve”. Identifikimi i tyre është hapi i parë i këtij Masterplani. Fuqia e shtetit totalitar, vëren Karl Dojç, është e madhe vetëm kur përdoret rrallë. Nëse u duhet ta përdorin gjithë kohën, kundër një populli të tërë, nuk mund të qëndrojë e tillë për kaq gjatë.

Përmes formave të mos-bindjes politike dhe të sabotimit pasiv, pushtetit i hiqen mjetet e sundimit. Pushteti bëhet konfuz. Mos-bindja politike ëshët një “armë”, dhe kryen një “luftë”, por ndryshe nga dhuna, operon në shumë forma: psikologjike, politike, sociale, ekonomike. Imagjinoni një popull që vendos të mos punojë 1 ditë ose 1 javë. Shteti vdes. Policët e diktatorit nuk kanë as autobusë për të dalë në punë. Si tek një përrallë kineze.

Zoti i Majmunëve

Gene Sharp rrëfen historinë kineze të Zotit të Majmunëve. Në provincën feudale Chu, një burrë i quajtur Ju Gong (zoti i Majmunëve), nxirrte çdo ditë majmunët të punonin, nën udhëheqjen e më të vjetrit. Sipas rregullit, çdo majmun i jepte një të dhjetën e ushqimit të mbledhur. Në të kundërt, dënimet ishin të rrepta. Majmunët vuanin, por nuk ankoheshin dot. Derisa një ditë një majmun pyeti një tjetër, “plaku i ka mbjellë pemët e shkurret?”. “Jo, ato rriten vetiu”. “A mund t’i mbledhim frutat vetë, pa pasur nevojë për lejen e plakut?” “Sigurisht”. “Po atëherë, pse duhet t’i shërbejmë plakut?” Dhe majmunët ikën e nuk u kthyen më te plaku, i cili vdiq nga uria.

Filozofi Yu-Li-Zi, ai që e shkrojti historinë, vëren se ka shumë burra që sundojnë mbi popullin e vet me truke e jo me principe. Njësoj si Zoti i Majmunëve. Madje, as vetë nuk e kuptojnë. Derisa populli i vet ndriçohet dhe truket nuk punojnë më.

A ju kujtohet vota e bardhë?

Vota e bardhë thuajse është harruar. Mua më është dukur një përpjekje shumë fisnike. Më ka habitur kundërsulmi i egër ndaj idesë dhe ideatorëve. Ne, një komb që kemi votuar shtrembër në gjithë historinë tonë, duam t’i tregojmë disave se si e pse duhet të votojnë. Por, vota e bardhë kishte një defekt të madh. Ajo nuk i përgjigjej dot pyetjes, “po pastaj?”. Ka një planifikim në çdo rezistencë. Nuk zhduken oligarkitë me “oburra”. Por vota e bardhë, tregoi se ka njerëz që nuk janë nën administrim drogash, e nuk pranojnë rotacionin e së keqes. E keqja është kasta politike në tërësinë e vet. Lufta jonë (paqësore) është dhe do të vazhdojë të jetë me atë.

(Marre nga Revista KLAN)