Home » KUJTESE » KOLORETO CUKALI: KUNDËR ZOTIT TË MAJMUNËVE

KOLORETO CUKALI: KUNDËR ZOTIT TË MAJMUNËVE

Kam vënë re se artikujt me “rilindje” në titull nuk klikohen më. Kjo është shenjë e mirë dhe e keqe. E mirë, sepse propaganda me “rilindje” nuk josh më. E keqe, sepse frigohem se bashkë me një farë neveritjeje me mbipërdorimin e termit politik “rilindje”, njerëzit thjesht kanë hequr dorë. Më ka shqetësuar gjatë mungesa e protestës reale në Shqipëri, përveç ndonjë shkreptime të veçuar e të dhimbshme si 21 janari.

Kemi pasur liderin më jetëgjatë komunist në pushtet, dhe kemi liderin më jetëgjatë (po komunist) të pas rënies së murit më gjatë në pushtet. Për paradoks, të gjithë bërtasin kundër komunizmit, ndërsa krejt lidershipi përbëhet o nga ish-komunistë o nga bij të tyre (deri dhe biologjikë). Ndaj askush nuk ka pse nxehet nga një metaforë marksiste.

Dy fantazma e autoritarizmit

Dy  fantazma vërdallisen sot nëpër Shqipëri. Në fakt, janë dy opsione ‘demokracie’: Qeverisja e kësaj copë Shqipërie që ka mbetur përmes grupit “të shokëve” të rilindjes, dhe ripozicionimi (në mënyrën e vetme se si di të bëjë opozitë) i Kryeministrit në ikje Berisha – nuk i njeh zgjedhjet. Dy opsione që shkojnë nga oligarkia drejt autoritarizmit. Këto kushte më bëjnë të trembem se edhe po të mos jemi dakort me manaxhimin nga ’rilindja’ mbas 4 vitesh, nuk do duam të shkojmë të qahemi te opozita. Me fjalë të tjera, do jemi prapë duke zgjedhur mes të këqiash.

Si një vend që ka kultivuar varietete diktaturash që nga shtet-formimi, ne jemi një komb shumë i brishtë ndaj vullneteve të grupeve apo individëve që, me të marrë pushtetin, vendosin mos ta lëshojnë më. Madje, kemi kaluar në një zinxhir variantesh autoritariste. E ardhmja duket e zymtë. Siç thotë një mik i imi, janë vetëm dy grupe që riciklohen: kur sundon e vjedh njëri, tjetri bën pauzë. Pastaj, nis të sundojë e vjedhë grupi tjetër, dhe i pari bën pushim. Ky zinxhir oligarkik duket vështirë i thyeshëm. Por, Aristoteli thoshte se oligarkia dhe tirania janë më jetë-shkurtra se çdo konstitucion tjetër. Tiranitë anë e kënd nuk kanë pasë jetë të gjatë.

Nga Diktatura në Demokraci i Gene Sharp

Nën diktaturë popullata dhe institucionet civile të shoqërisë kanë qenë shumë të dobëta, dhe qeveria shumë e fortë. Pa ndryshuar këtë mungesë baraspeshimi një regjim i ri  mundet, nëse do, të jetë po aq diktatorial sa regjimi i vjetër.  Këtë shkruan akademiku amerikan Gene Sharp në esenë e tij “Nga Diktatura në Demokraci”  që do doja t’ju përcillja sot.

Ky libërth, që mund të titullohej edhe “guidë thelbësore për rezistencën paqësore” u shkrua më 1993 për të mbështetur opozitën në Burma, dhe dënimi për këdo që kapej me të në dorë ishte 7 vjet burg. I fotokopjuar ka lëvizur nga Burma në Serbinë e Millosheviçit, nga Egjipti në Kinë, dhe ka qenë një nga tekstet e përkthyera e shpërndara ilegalisht në shumë vende gjatë Pranverës Arabe. (Unë vetë po e përkthej me atë timen në shqip.) Në këtë kohë fantazmash, më pëlqen të flas për këtë libërth, sepse ndjej që duhet të jemi vigjilentë. Diktaturat, fundja, ekzistojnë falë nesh.

Pragu i diktaturës

E vërteta është se diktatorët ekzistojnë vetëm prej shpërndarjes së pushtetit në vendin e tyre, thotë Sharp. Ata arrijnë t’i dobësojnë institucionet politike, ekonomike e shoqërore apo grupet sociale. Popullsia “atomizohet”, kthehet në një masë individësh të izoluar. Shpirtrat thyhen, shpresa nis të fishket. Askush nuk ka besim se do të mund ta heqim qafe ndonjëherë “katallanin”. Njerëzit kanë frikë edhe të flasin. Më kujtohet një mik që ulte zërin në lokalin e vet kur shante “atë” nga frika se mund ta dëgjonin e tatimorët mund të vinin t’i mbyllnin dyqanin.

Edhe kur bie një diktaturë, shpesh ajo le pas varfëri, krim, inefiçencë burokratike dhe shkatërrim mjedisor. Gjurmë të tilla vërej sot pas rotacionit të 23 qershorit. Aftësitë e rigjenerimit politik e shoqëror kanë dritë-hije dyshimi. I vetmi që do të mund t’i bënte ballë një neo-diktature, është nën administrim droge. Populli i ‘rilindjes’.

Drejt një rezistence paqësore

Problemi është që ne e kemi humbur popullin gjatë rrugës. Do të duhet të rifitohet pushteti demokratik mbi popullin, në radhë të parë. Është një popull që ka dhuruar disa dhjetëra deputetë të blerë. Me nga 50 deri në 200 Euro për kokë. Lufta e dhunshme ndaj sistemit, është deri diku e pashpresë. Nuk mund ta luftosh diktaturën me armët ku ajo ka superioritet. Ajo pak dhunë e protestuesve më 21 janar, u përdor si kartë morale për të justifikuar dhunën policore. Ndaj, edhe një 28 janar i dhunshëm mund të mos ishte zgjidhja. Por, një 28 janar paqësor e jo për ‘qokë’ mund të na kish kursyer disa vite.

Puçi-puçet

Pasi ka analizuar regjimet e shumta anëkend botës, Gene Sharp arrin në përfundimin se as puçet ushtarake, as zgjedhjet nën kujdesin e diktatorit e as të huajt nuk mund ta shpëtojnë një vend.  Diktatorët nuk janë aty për të lejuar që dikush t’i heqë si pa të keq nga pushteti. Vështirë të sfidohen në pikën ku janë më të fortë – te dhuna!

Shqiptarët vetë kanë pritur gjithmonë që të huajt të preken nga shqiptarë të tjerë që u vënë çizmen në fyt e të vijnë t’i shpëtojnë. Por shtetet e huaja, thotë Sharp, mund të përfshihen në mënyrë aktive vetëm nëse shkundja e diktaturës ka nisur. Mënyra më efikase është mosbindja civile e politike. Jo dhunë, por rezistencë.

Mosbindja besoj se ka qenë elementi që e rrënoi diktaturën e Ramiz Alisë. Askush nuk punonte, “arritjet” falsifikoheshin, të tërë vidhnin. Askush nuk jepte maksimumin. Ky ka qenë kolapsi i atij sistemi. Diktatura shembet vetëm duke shtrënguar rradhët me popullsinë e shtypur, duke forcuar aftësinë e tyre për rezistencë, vetbesim dhe vetëvendosje; duke forcuar grupet sociale të pavarura dhe institucionet e organizmat e popullsisë së shtypur; duke krijuar një forcë të brendshme rezistence; dhe, kryesorja, duke zhvilluar një Masterplan të rezistencës.

Masterplani i rezistencës

“Të gjitha diktaturat kanë dobësitë e veta, mungesa efiçense të brendshme, rivalitete personale, joefektivitet institucional dhe konflikte midis organizatave dhe departamenteve”. Identifikimi i tyre është hapi i parë i këtij Masterplani. Fuqia e shtetit totalitar, vëren Karl Dojç, është e madhe vetëm kur përdoret rrallë. Nëse u duhet ta përdorin gjithë kohën, kundër një populli të tërë, nuk mund të qëndrojë e tillë për kaq gjatë.

Përmes formave të mos-bindjes politike dhe të sabotimit pasiv, pushtetit i hiqen mjetet e sundimit. Pushteti bëhet konfuz. Mos-bindja politike ëshët një “armë”, dhe kryen një “luftë”, por ndryshe nga dhuna, operon në shumë forma: psikologjike, politike, sociale, ekonomike. Imagjinoni një popull që vendos të mos punojë 1 ditë ose 1 javë. Shteti vdes. Policët e diktatorit nuk kanë as autobusë për të dalë në punë. Si tek një përrallë kineze.

Zoti i Majmunëve

Gene Sharp rrëfen historinë kineze të Zotit të Majmunëve. Në provincën feudale Chu, një burrë i quajtur Ju Gong (zoti i Majmunëve), nxirrte çdo ditë majmunët të punonin, nën udhëheqjen e më të vjetrit. Sipas rregullit, çdo majmun i jepte një të dhjetën e ushqimit të mbledhur. Në të kundërt, dënimet ishin të rrepta. Majmunët vuanin, por nuk ankoheshin dot. Derisa një ditë një majmun pyeti një tjetër, “plaku i ka mbjellë pemët e shkurret?”. “Jo, ato rriten vetiu”. “A mund t’i mbledhim frutat vetë, pa pasur nevojë për lejen e plakut?” “Sigurisht”. “Po atëherë, pse duhet t’i shërbejmë plakut?” Dhe majmunët ikën e nuk u kthyen më te plaku, i cili vdiq nga uria.

Filozofi Yu-Li-Zi, ai që e shkrojti historinë, vëren se ka shumë burra që sundojnë mbi popullin e vet me truke e jo me principe. Njësoj si Zoti i Majmunëve. Madje, as vetë nuk e kuptojnë. Derisa populli i vet ndriçohet dhe truket nuk punojnë më.

A ju kujtohet vota e bardhë?

Vota e bardhë thuajse është harruar. Mua më është dukur një përpjekje shumë fisnike. Më ka habitur kundërsulmi i egër ndaj idesë dhe ideatorëve. Ne, një komb që kemi votuar shtrembër në gjithë historinë tonë, duam t’i tregojmë disave se si e pse duhet të votojnë. Por, vota e bardhë kishte një defekt të madh. Ajo nuk i përgjigjej dot pyetjes, “po pastaj?”. Ka një planifikim në çdo rezistencë. Nuk zhduken oligarkitë me “oburra”. Por vota e bardhë, tregoi se ka njerëz që nuk janë nën administrim drogash, e nuk pranojnë rotacionin e së keqes. E keqja është kasta politike në tërësinë e vet. Lufta jonë (paqësore) është dhe do të vazhdojë të jetë me atë.

(Marre nga Revista KLAN)