INTERVISTE ME GAZETEN INTERVISTA, “PARIA I KA DUART ME GJAK, NË POLITIKË MBROJNE INTERESAT E TYRE”

Prof. Dr. Shenasi Rama është një nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore, është bashkëthemelues i PD-së, por, i zhgënjyer nga politika që ndoqi Sali Berisha, u largua për në SHBA, ku sot është Profesor i Politikes në u]Universitetin e Nju Jork-ut (NYU).

Zoti Rama, cili fitoi dhe cili humbi në zgjedhjet e 23 Qershorit?

Fituan klanet e krimit, fituan ata që kanë shkatërruar kombin e shtetin. Fituan ata që blejnë e degjenerojnë shpirtërat e njerëzve me një grusht lekë. Fituan ata interesa brenda e jashtë, që kanë investuar tek këta politikanë në qeveri e në opozitë. Humbësit janë shqiptarët, humbësit janë njerëzit e ndershëm, humbësit janë rinia, të pambrojturit, dhe të vuajturit. Humbja më e madhe është shpresa për një të ardhme më të mirë, më të begatë, e më të lumtur për shqiptarët.

Zoti Rama, ardhja e së Majtës në pushtet pas 8 vjetësh, mund të quhet rotacion në politikëbërje, me shpresën se mund të kemi një hop cilësor për një politikë konsensuale midis forcave politike?

Po çfarë rrotacioni! Janë ndërruar bandat e hajnave dhe të krimit. Iku Trusti i Gështenjave dhe erdhi Çeta e Lavatriçeve. Konsensusi nuk ka munguar. Këta vjedhin bashkë, bizneset i kanë bashkë dhe marrëveshjet i kanë bashkë. Këta bëjnë marrëveshje se si të pasurohen e të ruajnë atë që kanë vjedhur. Nuk duhet të gëzohemi pse bandat merren vesh. Ky konsensus është fatkeqësi.

Shikoni vullnet politikë te kjo maxhorancë e re që të vendosë një ekuilibër demokratik, kushtetues, midis institucioneve dhe pushteteve?

Po çfarë vullneti? Këta janë këtu për të mbushur xhepat. Shqiptarët duan një shtet normal, një ekonomi tëshëndoshë, edukim, shëndetësi, vlera e struktura efektive. Këta duan te vendosin ekuilibrin, që i lejon të vjedhin sa më shumë e me sa më pak zhurmë, rremujë e kontrolle. Nuk duan shtet të mirëfilltë, të fortë, efektiv e ligjor.

Keni ndjesinë se Rama do të reflektojë ndaj gabimeve që bëri në ndryshimet kushtetuese të 2008-s, prej të cilave PS-ja vuajti në në 4 vjeçarin e opozitës së saj?

Kushdo që është në pushtet mendon për interesin e tij. Këta janë si shoferi që kur i jep makinës nuk pyet për këmbësorët. Kur bëhet këmbësor, shan shoferët e tjerë. Në këtë rast varet nga marëveshja që ka bërë me z. Meta.

Mendoni se varësia e votës nga nevoja për punësim ishte faktori që favorizoi LSI-në, PR-në, PDIU-në, apo ato ofruan alternativa më bindesë në elektorat?

Per çfarë alternativash bëni fjalë? Këta ofruan para në zarf, vendin e punës, dhe mbështetje për veprimtari të caktuara të ligjshme e të jashtëligjshme, Brenda e jashtë vendit. Këta duhet të jenë në burg. Me që nuk i fut njeri në burg, këta e bëjnë shtetin shqiptar burg për ne të tjerët. Njerëzit që shitën votat, shitën shpirtin e tyre, nuk janë elektorat, janë fatkeqë që duan të hanë një kafshatë bukë. 

Kam parasysh këtë varësi të votës për nevojën për punësim, që ishte faktori përcaktues i zgjedhjeve në Greqi për 36 vjet me efekte që administrata shtetërore atje të fryhej në 1,4 milionë të punësuar në shtet. Ndërsa me reformat shkurtuese, ND-ja dhe PASOK-u nga 40-46 %, që merrnin , arritën në 8 % për PASOK dhe 26 % ND. Mos vallë ky fenomen përsëritet edhe në Shqipëri me partitë tona?

Të gjithë këta duan të hanë nga shteti, dikush thërmija e dikush një furrë me para. Në fakt, ky ishte edhe mesazhi shqiptarëve në këto zgjedhje. Bëni një shtet që të na japë punë, bukë, siguri e nder. Mirëpo, këta e duan shtetin për vete. Si do t’i fusin në punë të gjithë këta që shpresojnë të gjejnë punë?? Grekët kanë shtet, kanë identitet, kanë edhe struktura. I vetmi sektor ku ne mund të punësojmë kaq shumë njerëz është ekonomia e jashtëligjshme. Nuk ka para, nuk ka ekonomi nuk ka investime, nuk ka drejtësi.

A ka ndryshuar imazhin politik PD-ja, që të reflektojë nga humbja?

PD ka qënë një bandë, mbetet dhe është një bandë e drejtuar nga një Barbie Doll në duart e Saliut. Humbën shqiptarët, sepse këta zyrtarët e PD-së që vodhën sa mundëm, janë majmur e janë bërë rehat për 100 vjet. PD-ja është një maskë për trustin e gështenjave. I mashtroi militantët, I mashtroi njerëzit që donin një të ardhme më të mirë, I mashtroi të përmndjekurit, pronarët legjitimë, rininë, na i humbi 20 vjet dhe lufta e saj është që të rrijë në opozitë e në krye të opozitës.

 Çfarë i mungon PD-së, tani, që të bëhet alternativë qeverisëse për 4 vjeçarin e ardhshëm?

PD nuk ka shans që të bëhet alternativë për nja 12 vjet. Por me që pyetët, i mungon struktura, vlerat, atdhedashuria, nderi, kontributi, respekti, dhe udhëheqja e duhur. PD-ja e ka kryer misionin e  saj.

A mund të bëhet një rimëkëmbje e PD-së, pas një humbjeje të madhe elektorale, me Berishën violinë e parë në opozitë?

Saliu është politikani më I zoti në shtetin shqiptar. Por ajo që më intereson mua është se a do të kenë ndonjë të mirë shqiptarët nga kjo gjë. Nuk besoj. Tani është koha që Saliu të luajë një rol tjetër. Mirëpo i ka larë duart me gjak e nuk del dot nga loja, se i duhet të ruajë interesat e familjes. PD-ja është Sali Berisha dhe Sali Berisha është PD-ja. Koha është për një parti tjetër, struktura të tjera, për një ideologji kombëtariste e për mënjanimin e tij nga jeta politike. Saliu do të luajë një rol ekuilibrues midis parisë së Tiranës, por shumë pengues për të mirën e shqiptarëve

Ditët e para të Kuvendit të ri, ripamë konfrontimin total shterpë të politikave. Nëse nuk ndryshoj ky mentalitet i politikëbërjes, në favor të arritjes së konsensusit e bashkëpunimit, a mund të keni shpresë për një politikëbërje të standarteve europiane?

Europiane ne kemi cantat, këpucët, orët, vilat dhe makinat. Mendësinë e kemi katundare dhe politiken e bejme si katundare. Kështu që do të vazhdojmë të sillemi si katundarë qe nuk duan shtet per te tjeret por per vete. Europianet kane vlera ideologjike. Edhe kur jane te mbaruar, e ruajne dukjen, sidomos ne lidhje me njeri tjetrin. ne nuk n aka dale ende urrejtja per shtetin dhe nuk jemi ngopur duke vjedhur edhe pse nuk do te marrim asgje.

Pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. A është rrezik real kjo edhe për qeverisjen e së Majtës?

Jo. Sepse shumë nga këta janë tërësisht të korruptuar pa filluar. A ishin këta që frejtuan Tiranën? A ishin këta që Nano I bëri leckë në mbledhjen e KPD-së? A janë këta të lidhur me krimin etj, klanin e Zemunit, që e përmendte, dikur, Saliu?

Edhe pse ditët e para të ushtrimit të pushtetit nga maxhoranca e re, shikojmë që Rama dhe Meta kanë mbajtur qëndrime të kundërta midis tyre, sikurse Meta nuk mbështeti vendimin e qeverisë Rama për potretin e Presidentit, për SHQUP, etj. Ju i deshifroni si qëndrime taktike, apo divergjenca politike në marrëdhëniet Rama-Meta?

Këta kanë bërë një marrëveshje, do ta respektojnë. Edhe Edi Rama edhe Ilir Meta janë të rrahur me vaj e me uthull. E dinë se duhet të ruajnë veten dhe dallimet. Do të vijnë koha që të përplasen, por këto janë thjesht sa për konsum publik.

Ardhja e Ilir Metës në koalicion me PS-në,  a shikohet edhe si një tentativë në perspektivë e Metës, për t’u bërë ai lideri i gjithë socialistëve, sepse vetë Rama po bën përpjekje që të krijojë një klan të tij, duke e zhveshur PS-në nga e kaluara.

Ilir Meta është një figurë politike që do të jetë për shumë kohë në politikën shqiptare. Marrëveshja që ai ka me Ramën është e përkohëshme. Paqja është pushimi midis dy luftërave. Nëse Meta nuk del në krye të PS-së, atëherë ai do ta kthejë PS-në dhe elektoratin e saj në LSI. Edi Rama ka dy vjet kohë me ndërtue e me konsolidue strukturat, që do ta mbajnë në politikë. PS-ja nuk ka nevojë për të kaluarën, PS-ja ka nëvojë për të ardhmen.

A përbën Ilir Meta personalitetin më të besueshëm që mund të bashkojë e të mishërojë socialistët e vërtetë?

Kush janë socialistët e vërtetë? Ilir Meta e njeh strukturën, di të punojë në strukturë, dhe pa strukturën nuk funksionon. Varet se si do ta shohin brenda PS-së. Edi Rama ka mbështetje të fuqishme, por shumëcka do të varet nga do të shkojnë dy-tre klanet që u mënjanuan kësaj here e që nuk harrojnë lehtë.

A është Meta një garanci për një rotacion të shëndoshë?

Brenda parisë po. Meta do të mbrojë interesat e parisë. Saliun e ka pasur partner dhe tani ka Lul Bashën. Me Ramën ka marrëveshje. Rrotacioni do të bëhet pa problem, edhe pse do të ketë sharje e rrahje në gazeta. Edhe gazetarët e shkretë duhet të fitojnë bukën e të prodhojnë lajme. Kështu që ata do t’i ushqejnë me lajme, kunja, thumba, batuta, e ngacmime, por nuk do të ketë sherre serioze.

Marrja e mundshme e statusit kandidat të Shqipërisë në dhjetor, a përbën një hop cilësor në standartet demokratike që kemi arritur deri tani?

Po cfarë hopi cilësor. Cfarë do të ndryshojë nga 18 Dhjetori më 19 Dhjetor?

Çfarë mund të ndryshojë në mentalitet dhe psikologji e politikëbërjes shqiptare, pas marrjes së statusit kandidat në BE?

Asgjë hiç. Do të mendojnë se si të vjedhin në mënyrë më të sofistikuar e që të mos kapen kaq lehtë.

Ekipin e ri qeverisës të Ramës e shikoni si një prurje e re në politikë, apo përpjekje e Ramës që të ketë njerëzit e tij, duke e zhveshur PS-në nga e kaluara?

Është edhe prurje dhe nuk është zhveshje e PS-së nga e kaluara, sepse të gjithë këta e kanë një lidhje në kërthizë me PS-në, përmes PPSH-së, familjeve, strukturave etj.

Mendoni se LSI-ja do të jetë protagoniste në qeverisje, apo thjesht do të jetë në bashkëqeverisje, sikurse u justifikua nga përgjegjësitë e bashkëqeverisjes në PD?

LSI-ja do të ketë radhën e vet për të qeverisur. Tani është në bashkëqeverisje e në gjetjen e mundësive për të hapur vende pune.

Sa besueshmëri ofron kjo bashkëqeverisje PS-LSI në luftën kundër korrupsionit, derisa LSI-ja ishte akuzuar nga opozita e PS-së, si pjesë e korrupsionit?

Politika është interes. Mirëpo, varet se në interes të kujt punon. A punon për vete, për parinë, apo për popullin shqiptar.

Disa thonë që Erjon Veliajn atëherë e kishte vënë Edi Rama, që t’i merrte PSnë Nanos, ndaj sot Rama e shpërbleu Veliajn dhe gjithë MJAFT-in, Spiropali është zvministre e Jashtme, ndërsa gjithë bashkëpunëtorët e Nanos janë jashtë PS-së e qeverisë. Po ju, e keni këtë mendim, dmth, Rama me Veliajn dhe MJAFT bëri komplot kundër Nanos, për t’i rrëmbyer PS-në?

Këto gjëra unë nuk i di se jam larg. Por, di, që në një moment të caktuar, MJAFT-i dhe Erion Veliaj  i ka bërë një shërbim të madh vendit. Se kush përfitoi prej atyre veprimeve, është tjetër gjë. Bashkëpunëtorët e lanë Nanon në baltë, ai qënë vetëm për shumë kohë, nuk ia hapi njeri telefonin përveç Sali Berishës. Tani, si të ndahet torta e vendeve të punës e koncesioneve, do të shohim se kush do të fillojë të lëvizë.

Cila është fryma që ushqen konfliktualitetin, si produktin e politikbërjes në Shqipëri? Përse strategjitë politike të pozitë-opozitës mbështeten pikërisht në komfrontimin total shterpë?

Këta nuk i besojnë njëri tjetrit, kanë mendësi kriminale dhe e kanë mendjen të vjedhin sa më shumë. Strategjia e përplasjes vjen kryesisht sepse këta duan të mbajnë turmën e mbështetësve bashkë. Politika në shtetin shqiptar nuk bëhet me vlera apo për vlera, por me interesa e për interesa. Dhe njerëzve iu shitet si tifozllëk. Dikur shkonin në stadium, tani ulen ne kafene e shohin televizorin, se si sharen e grinden ditën këta, që i vjedhin  ditën dhee vrasin natën. Meqë mendojnë mbrapsht, besojnë se edhe të tjerët sillen mbrapsht dhe kështu grinden për gjithçka.

Edi Rama, si kryeministër, a do të dëftohet si egocentrist, në përqëndrimin e të gjitha pushteteve, sikurse akuzoi edhe Berishën?

Ende nuk e kemi parë. Do të ketë kohë të provojë veten.

A mundet që Rama të mbajë premtimin e dhënë, që do të japë drejtësi për 21 janarin, derisa bashkëqeveris me Ilir Metën?

Ka gjithmonë zgjidhje për gjithçka.

Cila do të ishte ajo “drejtësi”, që do të jepte drejtësinë 4 të vrarëve në 21 Janar? Të dënohen vetëm gardistët? Kryeministri Rama a duhet të dënojë tani shkakun e vërtetë, korrupsioni i zvkryeministrit Meta, që i dha motivin demonstratës së 21 Janarit?

Shkaku i vërtetë është ende i paditur dhe Ilir Meta doli i pafajshëm. Sepse, ata që ishin në krye të turmës, nuk ishin më pak të korruptuar se ai që ishte në Kryeministri. Dhe këta nuk u nisën drejt zyrave të LSI-së, por drejt zyrës së Saliut. Kur të na e thonë shkakun ,do ta marrim vesh. Po,r nuk besoj se do ta thonë ndonjë herë shkakun. Ilir Meta ka marrë dyfishin e votave. Të tjerët, i numërojnë votat si shuplaka, njëri një million, tjetri 700 mijë, Iliri i numëron si plumba, në zemër të armikut. Kështu që do të bëhet drejtësi, me aq sa duhet e sa nuk prish punë

Gazeta Intervista, 28 Shtator 2013.

GJENDJA E FINANCAVE: NGA KONFERENCA PER SHTYP E MINISTRIT TE FINANCAVE SHKELQIM CANI

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi dje në një konferencë të përbashkët në shtyp me FMN dhe Bankën e Shqipërisë se situata financiare në vend është tepër e vështirë. “Ndajmë të njëjtat mendime me FMN dhe Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Ekonomisë se situata makro ekonomike në vend është kritike dhe e rendë”. Për të kapërcyer këtë situatë, ai tha se qeveria mendon të hyjë më tej në borxhe, duke kaluar madje edhe nivelin e 60-përqindëshit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Por, për herë të parë, lidhur me këtë rritje kaq të lartë, Fondi Monetar nuk ka dhënë mendim negativ. Në të kundërt, për përfaqësuesin e saj, duhet të paguhen urgjentisht faturat e prapambetura të shtetit ndaj biznesin, në mënyrë që të zhbllokohet ngërçi i ndërmarrjeve dhe të ulet niveli i kredive të këqija bankare.

Situata
Ministri Cani tha se të ardhurat buxhetore për tetë-mujorin kanë arritur në 210.5 miliard lekë, 7.2% më pak se plani i buxhetit 2013 dhe 3.8% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Deri në fund të vitit pritet që të ardhurat në buxhet të arrijnë në 320 miliardë lekë, ose 23.7% e PBB-së. “Kjo është ndër rëniet më të rënda të të ardhurave në ekonominë shqiptare, përjashto 1997. Në këtë performancë negative nevojiten jo më pak se 24 miliardë lekë borxh shtesë”, – tha Cani.
Shpenzimet pritet të jenë 405 miliardë lekë. Deficiti aktual dhe ai i pritshëm i buxhetit janë më të lartë sesa parashikohen. Cani theksoi se e vetmja zgjidhje është thyerja e kufirit të borxhit publik meqë paratë janë harxhuar ndjeshëm. “Borxhi në fund të vitit nuk do jetë 64% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sa parashikonte qeveria e mëparshme, por mbi 67%, pa llogaritur këtu borxhin e fshehtë për pagesat e papaguara, pasi po të shtojmë dhe këtë pjesë të borxhit, detyrimet që shteti u ka bizneseve, deficiti do të arrijë jo më pak se 71% të PBB-së”, – tha Cani.
Për vitin 2014, synimi kryesor është për ta vënë borxhin nën kontroll, por aq sa për të mos frenuar dhe rritjen ekonomike, që është aq shqetësim sa dhe borxhi, tha ministri i financave. Për vitin 2014 pritet që borxhi të arrijë në 72-73% e PBB-së, por mbetet të saktësohet nga projektbuxheti i vitit 2014. Në afatin e mesëm, deri në 2018, objektivi është i vështirë, por deri diku i realizueshëm, tha Cani, duke synuar ta ulë këtë nivel në 60% të PBB-së.

Faturat
Cani bëri më pas një ekspoze të detyrimeve të papaguara nga shteti. “Faturat që presin prej muajsh likuidimin nga thesari janë 9 miliardë lekë, duke penguar aktivitetin në kopshte e shkolla dhe realizimin e punëve publike; përveç kësaj janë dhe 6 miliardë lekë kërkesa, por të paplanifikuara në buxhet për pagesa sociale; TVSH për t’u rimbursuar është 6 miliardë lekë, pa përfshirë dhe 7 miliardë lekë që nuk janë të certifikuara; 10 miliardë lekë është tatim fitimi i parapaguar nga biznesi por që nuk është kthyer nga administrata tatimore. Për vitin 2013, tha Cani, rritja ekonomike nuk arrin 3.1%, por diku 1.7-1.9%, pra gati e përgjysmuar nga ajo e parashikuar. Ministri pohoi se po bashkëpunohet me FMN, Bankën Botërore me synimin që buxheti i 2013 që është e imponuar tashmë të rishikohet, të jetë sa më realist, dhe në të njëjtën linjë do të jetë dhe buxheti i 2014.“Gjendja është vërtet e rëndë po jo e pashpresë”, – tha Cani. “Relativisht shpejt do të shohim përmirësime nga ky realitet i hedhur ku na ka futur qeveria e kaluar. Përmasat reale sa vijnë e njihen dhe ne ishim të përgatitur për masat që do merreshin”.

Buxheti
Cani shtoi se do të dërgohet shumë shpejt buxheti i 2013 për rishikim në ulje të të ardhurave, me 40 miliardë lekë më pak nga sa ishte parashikuar.
Sipas tij, do të ulen shpenzimet dhe do të rritet dhe deficiti me 24.25 miliardë lekë. “Po bëjmë përpjekjet për të kapur kohën e humbur nga mospagesat në thesari. Shpresojmë të paguajmë 9 miliardë lekët e prapambetura deri në fund të vitit. Deficiti buxhetor deri në fund të vitit, sipas Canit, do të jetë dikur rreth 84-85 miliardë lekë.
Ministri i financave shtoi se për fazën e emergjencës do të synohet përmirësimi i politikës së taksave dhe rritja e eficencës së mbledhjes së të ardhurave, do të luftohet evazioni dhe do të rritet baza e tatimpaguesve. Cani shtoi se do të prezantohet taksa progresive në të ardhurat personale, do të hiqet taksa e biznesin e vogël, do të rritet tatim fitimin, do të shlyhen detyrimet ndaj bizneseve, do mbështete shtresat në nevojë, do të hiqet TVSH për ilaçet. Cani përmendi se mjaft i rëndësishëm është dhe rishikimi i skemës së pensioneve.

(Pergatiti Ervin Kaduku: Marre nga gazeta Standard)

VALBONA KARANXHA: RËNDËSIA E VLERAVE NË KRIJIMIN E SHTETIT-KOMB

Në serinë e artikujve lidhur me krijimin e shtetit-komb të përbërë nga shqiptarët  janë përmendur faktorë të shumtë që ndihmojnë apo pengojnë në bashkimin kombëtar. Secili nga ato është trajtuar me kujdes, vëmëndje dhe konsiderate. Në të njëjtën frymë, nuk është lënë pa u përmëndur dhe analizimi i sistemit të vlerave kombëtare  të etnicitetit shqiptar në shekuj dhe faktorët socio-politik që ndikuan në krijimin dhe zbehjen më vonë të tyre.

Pengesat e brëndëshme në krijimin e shtetit-komb mund të jenë mungesa e një vizioni të përbashkët, mungesa e një force të përbashkët politike e cila do ndërmarrë procesin në dorë, mungesa e një lidërshipi  qeveritar të aftë në të dyja entitetet politike, si Shqipëria  ashtu dhe Kosova. Deri tani përpjekje dhe përkushtim më serioz ka nga ana e Republikës së Kosovës.  Pa u ndalur në forcat politike në Shqipëri me një ideologji te ngjajshme si ajo e Levizjes Vetvendosje (VV), mund të them se duke i krahasuar, VV është tejet e organizuar, e qartë në vizionin e saj, në strategjitë dhe kryerjen e misionit.

Në Shqipëri  kushtet  janë të tilla që një forcë e re politike me synimin “bashkim kombëtar” nuk mund të “Ngrihet” tani për tani për shkak të faktorëve të brëndëshëm.  Disa nga këto faktorë janë gadishmëria, të qënit të motivuar në një cështje të tillë. Me një fjalë populli nuk është gati të prodhoj një forcë e cila do përfaqsoj një ideologji të qartë shtet-komb formuese. Pra, pytja vertitet nga vërtitet dhe del tek predispozicioni i popullit brënda territorit të Shqipërisë. Përse populli shqiptar, (ai brënda territorit të Shqipërisë) është hezitues për të krijuar ose përkrahur një forcë të tillë kombëtariste?

Nga anlizat  e mëparshme që janë bërë në këtë spekter,  rezulton se midis faktorëve të tjerë për krijimin e shtetit-komb shqiptar është mungesa e nje sistemi vlerash kombetare. Këto vlera nuk janë të qënit thjesht patriot. Po ashtu, flamuri shqiptar në shtëpi  është vetëm një nga vlerat kombëtare. Manifestimet dhe festimet me karakter patriotik  janë një fraksion i vogël i vlerave kombëtare. Vlerat kombëtare në veten e tyre janë një sistem mjaft i gjërë i cili e ka bazën në vlerat e shoqërisë shqiptare kudo që ndodhet.  Dhe vetëm kur populli të krijoj një sistem  të tillë, nevoja e të cilit është jetike, atëherë dialogu i shtet-kombit do jetë aktual dhe frytdhënës. Deri atëherë ka mjaft pune për të bërë.

Sistemi i vlerave në përgjithësi

Për një komb  të jetojë në harmoni duhet të ketë në bazë të tij një sistem të konsoliduar vlerash të cilat janë primare në identifikimin e kombit si njësi sociale, politike dhe kulturore. Në shoqëri të ndryshme në epoka të caktuara  ngritjen e sistemin e vlerave e ka marë përsipër  kleri në emer te fesë apo besimit fetar. Sot për shëmbull, në pjesën e shoqërisë amerikane te nivelit të ulët ekonomik, shumë nga  pjestarët e saj i janë kthyer fesë dhe mësimeve biblike për restauriminin e vlerave morale, shoqërore dhe kulturore.  Madje, njerëz të cilët kanë një njohuri të thellë në Bibël japim mësimet e saj për të burgosurit ordiner. Kynë fakt nuk është i përgjithshëm por vihet re tek individë të cilët kanë pasur histori droge, prostitucioni, vesi, vjedhje, krimi dhe përndjekje nga organet ligjore.

Pjesmarrja aktive familjare në  rivendosjen e vlerave është një lloj kontrate individuale ose e një grupi të vogël shoqëror e cila premton një ngritje të statusit shoqëror, të paktën në planin moral. Kjo kontratë është shkëmbim i vlerave për një jetë më të denjë, me të përmbushur më të respektuar. Pra edhe pse financiarisht asnjë gjë nuk ndryshon, këta individe kërkojnë një kuptim në jetën e tyre dhe atë e gjejne në vendosjen e vlerave.

Këto që përmënda më lartë janë vendosja e standarteve  në plan individual dhe skenari është krejt i ndryshëm nga një vlerat tona kombëtare. Ky skenar vetëm ilustron fuqinë e vlerave në jetën e dikujt. Në qoftëse të sipërpërmëndurit kan humbur ose nuk janë edukuar me vlera në një moment të rëndësishëm të jetës, atëherë  dikur dhe diku, në rast krize morale, financiare, shoqërore e kanë kuptuar rëndësinë e tyre dhe lidhjen e ngushtë që ka sistemi i vlerave me gjëndjen shpirtërore dhe statusin shoqëror.

Kur vijmë tek cështja jonë, shqiptarët si komb kanë nevojë për vlera të një natyre tjetër. Ato janë vlera kolektive kombëtare me bosht në atë që është etnike shqiptare. Pra, përpos vlerave individuale familjare, shqiptarët kanë nevojë të kultivojnë vlerat e përbashkëta kombëtare.

Por problemi qëndron se vlerat nuk janë një list detyrash personale, në plan individual dhe kolektiv të cilave i referohemi për të vendosur se cfarë është mirë apo keq.  Aq më tepër, njerzit nuk janë të detyruar të ndjekin vlerat pasi ato nuk janë ligje të shkruara; nuk penalizohet njëri fizikisht për mos respektimin e vlerave.  Sistemi i vlerave që kemi të bëjmë këtu, në këtë diskurs  është specifik për kontekstin tonë kombëtar; ajo që mungon tani për tani.

Sistemi i vlerave ndryshon nga kultura në kulturë. Struktura shoqërore loz një rol në ndërtimin dhe vendosjen e ketyre vlerave. Zakonisht (jo përgjithsisht) vlerat janë më të zbehta ne skajet e shoqerisë, dhe më të dukshmë në strukturën e mesit të saj. Faktikisht, në strukturën e mesit janë klasa si intelektuale, nënpunësit, shtresat e mesme, etj. Ndrërsa në tejskajet, për arsye të interesave imediate vlerat pak a shume zevendësohen me interesa të tjera sic është shumëzimi i kapitalit në shtresat e pasura, dhe nevoja për të mbijetuar në të varfërin e dukshëm (visible poor).

Po ta marrim këtë lloj teorie në kontekstin shqiptar, pa u futur në historikun  se  ku , kur dhe si i humbëm vlerat, vëmë re se shoqëria shqiptare është tejet e polarizuar. Por megjithatë të treja klasat janë të dukshme. Në dy skajet e shoqërisë interesi për ndërtimin e një sistemi vlerash është shumë i vogël, ndërsa  në shtresën e mesme pëprepjekjet për vendosje vlerash dhe aplikimin e tyre në praktikë dhe jetë janë të pamohueshme, ato janë të pranishme qoftë edhe të artikulluara.

Vlera familjare

Sistemi i vlerave ka gjithashtu nën-sistemet e veta. Për shëmbull, vlerat morale, familjare janë një nën-sistem më vete i cili ka për synim të edukoj fëmijët me dashurin prindërore, vllazërore, rëndësinë e familjes, respektin për të moshuarit, respektin për institucionin e martesës, respektin bashkëshortor dhe besnikërinë bashkëshortore e kështu me rradhe. Përgjegjse për kultivimin e vlerave familjare është familja, institucionet fetare (në qoftese familja është praktikuese)  dhe deri diku shkolla.

Vlerat shoqërore

Janë ato vlera të cilat janë në bazë të shoqërisë dhe janë përgjegjse për të krijuar  identitetin social me vecoritë kombëtare. Janë ato vlera në baze të të cilës funksionon shoqëria dhe si dallojnë pjestarët e saj midis shoqërive të tjera. Në vlerat shoqërore hynë toleranca për të gjitha shtresat, bindjet,  fetë. Në vlerat shoqërore hynë integriteti, kooperimi, respekti, dashuria për komunitetin; qënia qytetar model, dashuria  ndaj tjetrit dhe ndaj pronës se tjetrit. Në vlerat shoqërore hyn zgjidhja dhe hapja e djalogut në vend të konfliktit; vet-disiplina, respekti ndaj pronës së përbashket;  të jetuarit në paqe dhe harmoni në të njëjtin komunitet. Vlerën shoqërore e perbën gjithashtu respektimi i ligjit në cdo aspekt.  Të gjitha këto vlera ndërtohen në bazë të një ndërgjegje kolektive dhe kultivohen që në femijeri, në qelizën më elementare të shoqërisë sic është familja dhe duke vazdhuar në struktura kolektive sic është puna, shkolla etj.

Këto lloj vlerash u bastarduan dhe dolën nga natyra e shoqërisë me vendosjen e rregjimit mono-komunist. Sic e kam thënë më pëpara shoqëria u kthye në një shoqëri hibrid, eksperimentale me koncepte të huazuara. Vlerat qe u vendosën i përkisnin një sistemi i cili kishte primar një ideologji dhe jo kapitalin kulturor bashkë me faktorin  human. Për shëmbull, shoqëria u manipulua të ve primare partinë politike dhe udheheqjen e saj. Gabime quheshin devijime nga vija politike. Po kështu edhe vlerat atdhetare u zevëndësuan nga ato komuniste. Do me thënë të ishe atdhetar do të thoshte të doje partinë, dhe udheqësit e saj. Gjatë sistemit monist, krimet e pasionit nuk përbënin statistika të ndjeshme, jo sepse popullsia kishte vlera të forta shoqërore  por presioni ishte shumë i madh në planin politik dhe vlerat shoqërore ishin zevendësuar nga ato politike. Humbja e vlerave shoqërore po edhe atyre morale  shpeshherë i dedikoheshe devijimit nga ideologjia politike.

Vlerat Kombëtare

Vlerat kombëtare munguan për shtatëdhjet  vjet në Shqipëri, ose në qoftëse nuk munguan atëherë ishin të cunguara. Ku mund të gjehen vlerat kombëtare dhe si mund të instalohen ato? Thjeshtë. Për të rivëndosur dhe përcaktuar vlerat kombëtare shqiptare mjafton te rikthehesh tek ata patriot që i vendosën dhe besuan në këto vlera. Ne si komb mund t’i adoptojme për momentin dhe situatën në të cilën jetojmë.  Patriotët shqiptarë të cilët luftuan për ndërtimin  e një mentaliteti shqiptar në baza patriotike dhe atdhedashurie janë të panumërt dhe aktiviteti i tyre daton që prej 150 vjetësh, me përpjekjet për krijimin e shtet-kombit shqiptar. Vlerat patriotike egsistojë  tek cdo shqiptar dhe shoqëria duhet të luftojë për t’i nxjerr ato në pah.  Këto lloj vlerash patriotike, kombëtare nuk kanë munguar ndonjëherë, modele janë paraqitur edhe më përpara, individë apo grupe modeste politikë po i artikullojnë edhe sot i kanë vënë në programet e tyre.  Sfida qëndron në kultivimin e tyre në shkallë të gjërë. Vlerat patriotike nuk janë aspakt koncept abstrakt. Ajo që është në boshtin e vlerave patriotike është cdo gje që është në vlerat shoqërore familjare duke i shtuar  dashurinë për atë që është shqiptare.

Po të kthehemi në realitetin shqiptar përvec vlerave shoqëria ka krijuar antivlerat familjare, antivlerat shoqërore, dhe antivlerat kombëtare. Kjo është e pamohueshme. Në periudhën e tranzicionit antivlerat janë konsoliduar dhe sic e shpjegon Dr. Shenasi Rama  kanë krijuar “të keqen” e cila ka hyrë në palcë të shoqërisë, politikës dhe familjes. Dramat familjare janë kronike e perditshme në lajmet, kështu që është komplet e panevojshme të ndalesh për të ilustruar detajisht.  Në shoqëri, vet hapja e shoqatave për drejtësi civile dëshmon se e keqja është bërë pjesë e shoqërise dhe e ka deformuar ose transformuar ate me anë te krimit dhe të vesit. Në politikë korrupsioni ka shkatërruar atë që është pasuri e përbashkët. Vjedhja ndaj vet popullit e ka kthyer klasën politike në armike të kombit shqiptar.

Në këtë pamje të erret lind pyetja. A do mund t’i restaurojmë sistemin e vlerave? Keto tre struktura, familja, shoqëria,  atdheu dhe vlerat që vijnë bashke me to duhet të jenë në sinkronizim dhe në harmoni. Është shumë e vështirë të japësh një përgjigje pozitive kësaj pyetje duke parë realitetin që jemi dhe antivlerat që janë krijuar kanë efekt shumë negativ në edukimin e brezit të ri. Megjithatë, në analizën e strukturës shoqërore që bëra më lartë, baza e rivendosjes së vlerave duhet të filloj tek dhe nga shtresa e mesme, intelektuale, nenpunës, zanatcinjtë,  femijët e të cilëve po rriten dhe frekuentojne shkolla të mesme, të larta; nga familjet të cilat mbështesin një sistem vlerash . Ky duhet të jetë fillimi i mbarë për kultiviminm e dashurisë të asaj që është me vlerë dhe shqiptare.

LEDJAN PRIFTI: GJEOPOLITIKA NË HISTORINË SHQIPTARE

Pozicioni gjeografik i Shqipërisë (RSH) në  Ballkan është vlerësuar shpesh si strategjik, për shkak të lidhjes Lindje-Perëndim nëpërmjet Egnatias/Shkumbinit, pra Shqipëria e parë si urë. Kur u ne Vlore u instalua baza sovjetike, roli strategjik i RSH-së, nga rajonal (Itali-Ballkan) u ngrit në nivel botëror, për shkak të Luftës së Ftohtë.
Sot mund të vërehet se për shkak të zhdukjes së Perandorive (romake,bizantine, turke, musolianiane dhe sovjetike), të cilat i dhanë rëndësinë strategjike territorit të RSH-së, roli i RSH-së si urë mes Lindjes dhe Perëndimit ka rënë në nivelin më të ulët historik, po të përjashtojmë periudhën e errët të mesjetës së hershme (shek VII-IX). Kjo do të thotë se rëndesia strategjike lidhej me çështje të natyrës gjeopolitike dhe jo thjesht me ato të natyrës gjeografike.
Në të vërtetë, një entitet shtetëror i gadishullit italik, i cili s’ka synime drejt Ballkanit dhe mungesa e një entiteti shtetëror perandorak në Ballkan, e kthejnë Shqipërinë në një territor periferik, pa ndonjë rëndësi domethënëse strategjike.

Ndryshe është çështja e territoreve shqiptare dardane, lindore ose të Ballkanit Qendror, ato pavarësisht Perandorive, luajnë gjithnjë një rol të rëndësishëm strategjik, sidomos falë trekëndëshit lindor, Luginë-Shkup-Kumanovë, që përfaqëson pikën më nevralgjike ku kalon aksi kryesor ballkanik Moravë-Vardar (i cili e ndan Ballkanin më dysh). Praktikisht, përgjatë historisë mesjetare, moderne e bashkëkohore, ai shtet i cili ka kontrolluar trekëndëshin e mësipërm, ka qenë edhe fuqia më e madhe në Ballkan. Po njësoj gjatë dyndjeve barbare në atë trekëndësh kalonin gjithë barbarët që drejtoheshin në jug të Ballkanit.

Kështu ka qenë gjatë mesjetës për shtetin e parë  dhe të dytë bullgar, për shtetin serb të S. Dushanit, perandorinë bizantine e shtetin osman të fundshek 14 kur e kontrolloi, deri në 1912 kur e humbi, për të përfunduar me Serbinë, e cila zëvendësoi Turqinë si fuqia më e madhe ballkanike. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, trekëndëshi u nda mes Maqedonisë dhe Serbisë, një situatë që praktikisht e ktheu Ballkanin në zonë pa fuqi rajonale, situatë e cila për nga natyra e fuqisë nuk mund të jetë afatgjatë. Dështoi në këtë drejtim dora e lirë që i la Europa Greqisë, e cila si periferike dhe me prirje detare (gadishullore), nuk mund të jetë dot fuqia rajonale e Ballkanit.

Por si ndikoi kjo diferencë e rolit gjeostrategjik në historinë politike të shqiptarëve ?

Territoret e Shqipërisë, për shkak të rolit të tyre strategjik, i lidhur me efektin urë kalimi mes Ballkanit dhe Italisë, afërmendsh nuk mund të ndikonin dot pozitivisht në krijimin e një shteti shqiptar gjatë fazave ekspansive dhe kulmeve të perandorive ballkanike apo shteteve italike. Rëndësia strategjike për Bizantin e shtynte këtë të fundit ta vlerësonte si jetike për lidhjet me Italinë, pra si zonë për të cilën shpenzimet ushtarake ia vlenin të bëheshin. Me emrin arbër, shqiptarët dalin për herë të parë në historine politike, si ish-aleatë (symmachioi’) të bizantinëve, por që ishin bashkuar me gjeneralin rebel Gjergj Maniaku (viti 1043), i cili prej Italisë donte të merrte fronin perandorak. Pra, dalin pikërisht në një ndodhi historike që përfshinte Italinë dhe Ballkanin, pavarësisht se ngjarjet zhvillohen brenda shtetit bizantin ( i cili asokohe zotëronte edhe Italine e Jugut).

Por, fakti që para se të bashkoheshin me Gjergj Maniakun, arbërit ( e malesive prej Elbasanit ne Puke, ose Shkumbin-Drin) vlerësoheshin si aleatë të tipit vasalik, tregon për një rol politik të luajtur prej tyre në luftën e Bizantit për shkatërrimin e Perandorisë Bullgare, e cila përfundoi vetëm 25 vjet më herët (1018). Pra, fillesa e një roli politik lidhet me shkatërrimin e një perandorie (ajo bullgare). Zëvendësimi i menjëhershëm i një perandorie nga një tjeter, nuk dha mundësinë e krijimit të shtetit, por krijoi hapësira për një rol politik vasalik.

Kështu, në bazë të këtij parimi gjeopolitik, na mjafton të presim dobësimin e Bizantit (një perandorie ose shteti hegjemon) në mënyrë që arbërit të dalin me shtetin e tyre të pavarur. Në fakt, në fund të shekulli XII Bizanti dobësohet, prej kësaj përfitojnë bullgarët që krijojnë shtetin e dytë bullgar në 1185 dhe 5 vjet më vonë kemi shtetin e Arbërit si shtet i pavarur. Ky shtet, përsëri në bazë të parimit të mësiperm do e kishte jetën në hartën politike, derisa zbrazëtia e pushtetit në Ballkan të mbushej, pra derisa të dilte një shtet hegjemon. Ky shtet hegjemon ishte Perandoria e Nikesë, e cila rikrijoi Perandorinë Bizantine (e shkatërruar nga kryqëzata e katërt). Më 1255 shteti i arbërit nuk ekziston më as në formë vasalike (më 1261, Nikea rimerr Kostandinopojën e kështu rikrijon P. Bizantine).

Historia e Shqipërisë vazhdon t’i bindet këtij parimi gjeopolitik, sipas të cilit në territoret e Shqipërisë ekzistojne shtete të pavarura, nqs në Ballkan ka një zbrazëti fuqie dhe asnjë shtet italik s’ka forcë për të pushtuar Ballkanin.
Për Bizantin, rëndësia strategjike e Shqipërisë ishte e atillë saqë vetë Perandori Bizantin vjen 2 herë në krye të ushtrive për të shtypur kryengritje arbërore në malësitë poshtë Shkumbinit dhe kjo vetëm pak vite para se Stefan Dushani (mesi i shek. XIV) të pushtonte gjithë territoret bizantine në perëndim të Selanikut e të kërcënonte vetë Kostandinopojën. Pra, në kushtet kur Bizanti ishte dobësuar sa më s’ka, përsëri sforcohej në maksimum që të kontrollonte Shqipërinë (të njëjtin sforcim do të bëjë edhe Turqia 5 shekuj më vone, kur në prag të varrit, në vend të na jepte autonominë, vinte me ushtri – apo vizita e Sulltanit në Kosovë, 1911).

Kryengritësit antibizantine duket se kanë gjetur një aleat të përkohshem taktik tek Stefan Dushani, pasi pak vjet pas vdekjes së tij, me shkatërrimin e perandorisë jetëshkurter që krijoi, arbërit dalin në mënyrë spektakolare, nga Shkodra deri në Artë, me një sërë principatash (praktikisht gjithë Shqipëria gjeopolitikisht Perëndimore- RSH, Camëri, Mal i zi). Pra kemi sërisht, zbatimin e parimit gjeopolik, sipas të cilit zbrazëtia e pushtetit që krijohet pas shkatërrimit të një shteti hegjemon, nxit krijimin e shteteve të pavarura në territoret e Shqipërisë.

Ndërkaq, roli i rëndësishëm i Shqipërisë si urë kalimi Ballkan-Itali, vërehet tek vëmendja e ulët që i kushtoi Turqia në fazën e parë të ekspansionit të saj në Ballkan dhe këmbëngulja e jashtëzakonshme e Sulltan Mehmetit më vone, gjatë kohës së Skënderbeut. Ndërsa në fazën e parë, Turqia u bë shtet hegjemon me pushtimin e Maqedonisë dhe fitoren në betejën e Kosovës, por i la Shqipërisë për një kohë të gjatë princat e principatat, në kohën e sulltan Mehmetit, i cili donte me çdo kusht që pas Kostandinopojës (1453) të pushtonte edhe Romën, kemi një luftë të pashembullt për pushtimin e  plotë të Shqipërisë, e pasi e realizoi në 1479, nuk humbi kohë, por menjëherë në vitin që pasoi, zbarkoi 10 mijë ushtarë në Itali (Otranto).

Shqipëria nuk mund t’i rezistonte dot përjetësisht fuqisë hegjemone të Ballkanit, madje duhej një gjeneral e burrë shteti i jashtëzakonshëm si Skënderbeu, që të vononte zbatimin e parimit gjeopolitik. Ishte shumë e rëndësishme strategjikisht për lidhjet me Italinë (sulmin apo mbrojtjen) që të lejohej ekzistenca e ndonjë shteti (sikunder si Bizanti, si Turqia, pas përpjekjeve të dështuara, lejuan ekzistencën e Dioklesë/ Malit të Zi si shtet vasal).

Për të rigjetur një formacion shtetëror duhet të presim dobësimin e Turqisë, i cili ndodh në gjysmën e dytë të shek 18, kështu kemi pashallëqet autonome të Bushtallinjve dhe Ali Pashës, të cilat nuk kthehen dot në shtete shqiptare (sikundër pashallëku i Beogradit u kthye në shtetin aktual serb), për shkak, nga njëra anë të rifuqizimit të pushtetit qendror në Turqi gjatë viteve ’20-30 të shek 19, nga ana tjetër sepse nuk gjetën mbështetje nga jashtë e as zbatuan parimin nacional të shtetformimit (sikundër bënë grekët e serbët). Pra ishin dy formacione thellësisht feudale në strukturë e mendësi, që nuk i mbijetuan dot rikthimit të pushtetit qendror turk.

Së fundmi, vazhdimi i dobësimit të Turqisë (sado që ngeli shteti hegjemon), krijoi mundësinë e një shteti të ri shqiptar, mundësi që u bë realitet pasi Turqia humbi hegjemoninë si pasojë e dëbimit nga Ballkani gjatë Luftës së parë Ballkanike. Nga kjo zbrazëti e përkohshme pushteti, u krijuan kushtet për një shtet të pavarur shqiptar në Shqiperi, në bazë të ciklit historik. Këto kushte u shfrytëzuan si duhet nga shqiptarët  e me ndihmën e Italisë dhe Austro-Hungarisë, rilindi shteti shqiptar.

Duhet ripohuar e theksuar se ky cikël historik që lidhet me hegjemoninë në Ballkan, përfshin vetëm Shqipërinë Perëndimore (RSH) e jo krejt trojet etnike, pikërisht për shkak të pozicionit strategjik, prandaj edhe kemi ekzistenca të vazhdueshme shtetesh të pavarura e formacionesh vasale gjatë fazave të shkurtra apo të gjata të zbrazëtisë sëpushtetit (arbërit si symmachioi, Principata e Arbërit, pricipatat arbërore, shteti i Skënderbeut, pashallëqet autonome të Aliut e Bushatllinjve e së fundmi Shqipëria), ndryshe nga territoret gjeopolitikisht lindore (Kosova, Ilirida, Lugina), të cilat pas pushtimit romak deri në 1999, nuk kanë patur mundësi të krijojnë formacione politike shqiptare (asnjë pashallëk nuk ishte realisht autonom).

Territoret lindore kanë vuajtur rolin e rëndësishëm strategjik në vendosjen e kujt do të ishte fuqi hegjemone në Ballkan e për atë territor janë përleshur, bizantinët, bullgarët, turqit e serbët përgjatë 1200 vjetëve të fundit. Shqipëria perëndimore ka vuajtur fuqitë hegjemone vetëm pasi ato përfitonin statusin në Ballkanin Qendror, por asnjëherë nuk ka qenë territor ku vendosej se cili do të ishte shteti hegjemon i Ballkanit. Kjo i ka dhënë avantazh, që gjatë periudhave të zbrazëtisë tëpushtetit/hegjemonisë, të krijonte entitete shtetërore vendase.

Si përfundim në bazë të gjithë arsyetimit të mësipërm, aspekti ciklik i historisë politike vendos si imperative për mbijetesën e RSH-se përgjatë mijevjeçarit të tretë ku kemi hyrë, përpjekjet për pengimin e krijimit të çfarëdo shteti hegjemonik që nuk është Shqipëria e Bashkuar, pasi çdo orvatje hegjemonike, përfshirë Jugosllavinë deri në 1990 dhe Greqinë pas 1990, rrezikon seriozisht ekzistencën e shtetit shqiptar apo tërësinë territoriale të tij. Po kështu, shqiptarët e Territorit Dardan (Kosovë-Iliridë-Luginë) duhet të ndërgjegjsohen se çdo shtet i vogël shqiptar që mund të ngrihet (Kosova apo nesër Ilirida), do të jetë pre e menjëhershme e fuqisë së ardhshme hegjemone, sikundër ka qenë deri me sot, prandaj e vetmja e ardhme e një shteti shqiptar në ato troje, e vetmja garanci afatgjatë për sigurinë e jetës, pronës dhe lirisë politike, mund të jetë vetëm Shqipëria e Bashkuar.

 Persa i përket Shqiperisë së Bashkuar, vlera e bashkuar strategjike e RSH-së dhe Territorit Dardan, është shumë më e madhe sesa vlerat strategjike të ndara të dy zonave. Kështu Shqipëria e Bashkuar, nga bregdeti në Kumanovë do të kishte kontrollin e rrugëve kryesore të lëvizjeve Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, njëkohësisht të rrugës më tëshkurtër ballkanike prej bregdetit në  Ballkanin Qendror (kjo do të ngrinte për nga rëndësia Durrësin në rangun e Selanikut). Do të kishim edhe kontrollin e komunikiminit Serbi-Greqi, i cili në rast konflikti ka vlerë të paçmuar. Maqedonia është shtet tepër i vogël për të përbërë pengesë reale për komunikimin serbo-grek, e megjithatë një shtet sllav në pjesën sllave të Maqedonisë, është i domosdoshëm si shtet guzhinet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë ( historia i ka bërë bullgarët me një mentalitet të rrezikshëm hegjemonik, mentalitet që e kanë shprehur vazhdimisht deri në 1945-n).
Roli i kontrollit të trefishtë të komunikimit (Veri-Jug,Lindje-Perëndim, Bregdet-Ballkan Qendror) kerkon një ndërgjëgjsim të ri, një mentalitet të ri, një projekt dhe mjetet e nevojshme për t’u  realizuar. Karakteri ciklik i historisë politike na detyron të zgjedhim midis marrjës përsipër së kontrollit të trefishtë dhe vasalitetit (e përgjumjes historike që e shoqëron).

LEDJAN PRIFTI: SHQIPTARIA DHE FEJA II

Në replikën  e tij, ”Shqiptaria nuk i ka asnjë borxh fesë”, z. Kallamata më vuri para një pozicioni relativisht të papritshëm; atë të shpjegimit të hollësishëm të premisave mbi të cilat bazohej ideja e shkrimit, se shqiptaria nuk e ka përmbushur ende rolin esencial të vendosjes së sistemit modern të vlerave, rol të cilin e mori përsipër nacionalizmi gjatë Rilindjes. Megjithatë replika (me mbështetjen e gjerë që gjeti) më konfirmoi bindjen e shprehur se nuk kemi ende as ndërgjegjësim si front për përmbushjen e këtij roli.

Titulli i replikës është kryekëput pa lidhje; mesa duket i nderuari z.Kallamata kishte nevojë për një titull bombastik, prandaj po e anashkaloj, ashtu sikundër edhe disa momente jo fort të lumtura (të prodhuara me siguri nga leximi i pavëmendshëm) , të cilat e tejkalojnë etikën e debatit të përgjegjshëm dhe prodhues.

Në vija të trasha:

1-Shqiptaria jo vetëm që i mori fesë terren në politikë e kulturë, por iu mbivendos totalisht tek aksioma ”feja e shqiptarit është shqiptaria”.

2- Nuk kam folur për monopol aktual fetar të moralit, përkundrazi kam folur për betejë moderne mes fesë dhe liberalizmit

3- Nuk kuptohet replika rreth komunizmit

4- Askund s’kam pohuar në asnjë formë (dhe larg meje ideja) se bejleret ishin më të moralshëm se rilindasit

5- Nuk kam thënë që fetë janë indiferente ndaj parasë, por vetëm që paraja nuk përbën bosht për sistem vlerash (hiq ato ekonomike, kuptohet)

6- Kam thënë se feja islame në Kosovë u përdor si mjet politik prej nacionalizmit për arsye reagimi e mbijetese (çka strukturalisht ishte pozitive e jo negative)

Më hollësisht, premisa esenciale e marrjes së terrenit ose zëvendësimit nuk përbën ndonjë gjë skandaloze për të çjerrë faqet, përkundrazi ishte dhe është një proçes i domosdoshëm modernizimi të shoqërisë. Për më tepër që fetë në Shqipëri, për arsye historike ishin lidhur fort me pushtuesit, mjaft të kujtojmë që deri në fund të shek XIX, myslimani kishte avantazhe politike, juridike e ekonomike ndaj kristianit, një pabarazi e konfirmuar prej traditës dhe ligjit islamik. Tanzimati dha njëfarë barazie formale, por që nuk pati asnjë substancë domethënëse në praktikë (pavarësisht presionit të vazhdueshëm të Fuqive të mëdha gjatë shek XIX).

Po njësoj ortodoksia ishte e lidhur fort me pushtuesit bizantinë, më vone grekë (deri në shkëputjen falë Nolit), ashtu sikundër katolicizmi me pushtuesit venedikas (Durrës, Shkodër,Drisht, Lezhë, Ulqin, Tivar, Danjë), më vonë me austro-hungarezët dhe italianët (të dyja shtetet u kthyen nga Fuqi kujdestare në pushtuese).

Pra, zëvendësimi i rolit të identitetit fetar me atë etnik, ose marrja e terrenit në shtetformim, politikë, administratë, kulturë etj ishte një domosdoshmëri, si për ekzistencën e një shteti të pavarur shqiptar, ashtu edhe për modernizimin e shoqërisë shqiptare dhe kalimin në epokën e sovranitetit kombëtar/popullor (i cili implikon demokracinë) dhe shtet- kombit.

Deri këtu, proçesi është relativisht i ngjashëm me proçeset europiane, ku bashkë me nacionalizmin operonte edhe liberalizmi (e ideologji të tjera më pak të suksesshme), prandaj kemi ngado laicizimin e shtetit. Në pothuaj gjithë vendet perëndimore kemi një nacionalizëm që mbizotëron ne aspektin politik, sidomos në shtetfomim (shtet-kombi), e që luan rol kyç bashkë me liberalizmin në kulturë.

Por, nuk duhet harruar se ky zëvendësim u bë i mundur edhe falë depërtimit të nihilizmit (vdekja e Zotit), të cilin e shpjegoi aq mirë Niçja, por duhet thene se që tek Hegeli shohim frikën ndaj mungesës së absolutes.

Ndërsa nihilizmi sillte në Perëndim, por edhe Shqipëri, nevojën për rishikimin e sistemit fetar të vlerave, tek ne ndryshe nga Perëndimi ( ku  liberalizmi iu fut me sukses punës së rishikimit dhe vendosjes së një sistemi vlerash), këtë barrë, në mungesë të çfarëdo forme të liberalizmit, madje edhe progresizmi, marksizmi etj,  e mori përsipër nacionalizmi. Nihilizmi si esencialisht antifetar, shtroi detyrën e rishikimit të të gjitha vlerave, deri në atë kohë monopol i fesë. Në perëndim, më i suksesshmi u tregua liberalizmi dhe më pak rrymat e tjera, përfshirë nacionalizmin, i cili u mor me vlerat politike të shtetformimit dhe me vlerat themeltare të kulturave kombëtare.

Në Shqipëri, barrën e rishikimit të të gjitha vlerave e mori përsipër nacionalizmi (deri ne 1945, kur hyri në skenë komunizmi), qoftë sepse mungonte liberalizmi, progresizmi, marksizmi, por sidomos sepse nacionalizmi duke fituar i vetëm betejën ndaj fesë, mori i vetëm edhe gjithë terrenin e fituar, duke bërë të vështirë vetë ekzistencën e hapësirave të pavarura liberale, progresiste, marksiste etj. Nacionalizmi brenda vetes kishte edhe liberalë, edhe progresistë, edhe majtistë ose më mirë socialdemokratë.

Natyrisht, nevojat e Shqipërisë në rrugën e modernizimit ishin të stërmëdha dhe struktura e fortë gati-feudale e vështirësonte më tej rrugëtimin, por kjo nuk justifikon paaftësinë kronike që ka treguar nacionalizmi në rishikimin e të gjitha vlerave (kur kundërshtarët janë më të fortë, atëherë tregon paaftësi ose pamundësi për t’i mposhtur). Rilindasit nuk u pasuan nga trashëgimtarë të denjë (si elitë, jo si individë) dhe komunizmi ndërhyri aq dhunshëm saqë në 1945, filloi një epokë e re, ajo e elitës majtiste, e cila i jep ngjyrat ende sot çdo proçesi domethënës në lidhje me sistemin e vlerave; ka një hegjemoni që nuk është kontestuar si duhet nga djathtistët, aq më pak nga nacionalistët, të cilët kanë humbur busullën e s’po e gjejnë dot më.

Problemi më themelor i nacionalizmit në procesin e rishikimit të vlerave (i filluar nga bashkëveprimi i nacionalizmit me nihilizmin ) është se nuk ka treguar aftesitë e nevojshme propozitive, por është limituar në importin e vlerave prej Perëndimit dhe konfirmimin e vlerave historike që quajmë shqiptare (të cilat nxirren zakonisht nga përjashtimi i vlerave specifike që shprehin fetë monoteiste në Shqipëri). Në të vërtetë, elitat hegjemone majtiste si edhe ato djathtiste, janë më të limituara edhe se vetë elitat e hershme nacionaliste, pasi merren vetëm me import vlerash, si me qenë tregtarë e ndonjëherë trafikantë vlerash ( kur trafikojnë në Shqipëri vlera tipikisht kristiane të Perëndimit).

Si përfundim (padyshim mund të thuhet më shumë), kalimi i detyrueshëm nga epoka e sistemit fetar të vlerave në epokën moderne të sistemit të vlerave, i filluar nga nacionalizmi nuk është përmbushur ende, sado që në këtë proçes kanë ndërhyrë edhe liberalizmi, marksizmi, progresizmi e çdo lloj ideologjie moderne. Nacionalizmi rregulloi vetëm vlerat supreme të shtetformimit e ato themeltare të kulturës kombëtare, por nuk arriti të konsolidojë një rend të detajuar vlerash, mungesë të cilën e vuajmë sot dhe do vazhdojmë ta vuajmë derisa nacionalizmi të çojë në fund detyrën e marrë përsipër gjatë Rilindjes. Liberalë, marksistë e progresistë, nuk kanë asnjë shans ta realizojnë, sepse askund nuk mund të vendoset një rend i detajuar vlerash vetëm nëpërmjet tregtisë e trafikimit ndërkombëtar të vlerave. Pa përpjekje të reja e propozitive në këtë drejtim, nuk do të ketë as ndonjë forcë domethënëse politike nacionaliste në Shqipëri dhe as pengesë serioze ndaj proçesit bashkëkohor të degjenerimit të partive nacionaliste në Kosovë e Maqedoni.

GRID RROJI: MODELI I IMAZHIT: BERISHIZEM 2.0

Me fillimin e punës së qeverisë së re, është koha për të bërë një bilanc paraprak mbi veprimin politik të shumicës së dalë nga 23 Qershori. Në këtë pikëvështrim, gjykimi mbi risitë e mundshme është detyrimisht i kufizuar tek PS-ja jo vetëm sepse Rama është tashmë kryeministër, por edhe sepse për sa i përket pushtetit dhe LSI-së asgjë nuk ka ndryshuar.

Modeli i përqafuar nga kryeministri Rama duket se është ai i krijimit të një imazhi ndryshe, si nga ana foljore ashtu edhe nga ajo pamore. Ligjërata e tij e kultivuar politike, përzgjedhja e ministrave nga radhët e të rinjve besnikë të vet, dhe paraqitja e tyre si fytyra të reja e të paprovuara janë në koherencë me fushatën zgjedhore ku argumenti kryesor i Ramës ishte “na provoni edhe ne”. Nuk mund të mohohet se përtej batutave kërcënuese të panevojshme, ligjërimi publik i kryeministrit Rama është modern, me ngjyra europiane dhe më e rëndësishmja imazhi që projektohet është i sendërtuar profesionalisht në të gjitha hallkat.

Mirëpo, e ashtuquajtura Rilindje nuk mund të ndërtohet vetëm me penelatat mediatike të ekipit të piarit. Ana e imazhit, ndonëse me rëndësi të pamohueshme në politikë, nuk mund të zëvendësojë thelbin e veprimit politik. E pikërisht veprimi politik i shumicës së re qeverisëse duket se nuk ka dallime thelbësore nga paraardhësit e palës tjetër të parisë. Thënë thjesht, shumica e re është e shqetësuar për pushtetin dhe jo për shtetin.

Një nga shembujt më domethënës ishte fotoja e publikuar nga mediat e ministrit të ri Erion Veliaj duke dërguar një fëmijë rom në spitalin ushtarak. Pa e paragjykuar aspak dhembshurinë e ministrit fotozhenik, nuk kishte asnjë arsye për të publikuar një foto të tillë sidomos kur Veliaj ende nuk ka mundur të bëjë asgjë për atë shtresë. Shpresoj që kur të ketë patur kohën e mjaftueshme për të bërë diçka, ministri t’a ketë justifikuar mbulimin pozitiv mediatik, si dhe të ndërgjegjësohet që një veprim vërtet i dembshur shpeshherë imponon heshje dhe anonimitet. Publikimi i menjëhershëm i fotos për të ngritur profilin e ministrit të ri është shfrytëzim tipik i modelit të imazhit për përfitim politik, por nuk sjell asnjë risi thelbësore në politikëbërje. Ndoshta qeveria do kishte përftuar një imazh shumë më pozitiv nëse do kishte denoncuar në prokurori për shkelje ligji mjekun, shefin e pavjonit dhe drejtorin e spitalit.

Më tej, programi qeverisës i paraqitur në Kuvend dhe Kodi i Etikës së Ministrave janë përkthime konceptualisht të dobta e me kundërshti të brendshme nga homologët britanikë. Në qoftë se do të gjykonim thjesht nga këto dy dokumente, kryeministri Rama nuk ka kurrfarë qëllimi për të ndërtuar shtet, por ka ndër mend të shfrytëzojë pushtetin për të gjeneruar një imazh të ri, i cili t’i garantojë rizgjedhjen pas katër vjetësh. Përdorimi i fjalëve “ristrukturim” apo “reformë” kodifikon qëllimin për ndryshime masive në administratën publike, por nuk garanton aspak se këto ndryshime do të bëhen në bazë të ligjit. Përkundrazi, sipas njoftimeve në media nxitimi për të ristrukturuar të gjitha ministritë përpara 15 Tetorit ka lidhje me faktin se në atë kohë hyn në fuqi ligji i ri që garanton të drejtat e punonjësve të administratës. Nuk ka dyshim që pjesë të caktuara të administratës janë të mbushura me militantë partiakë, por ajo që nuk po dëgjojmë nga qeveritarët e rinj është se zëvendësimi i tyre nuk do të bëhet me militantë të palës tjetër. Mënyrat për t’a zgjidhur çështjen janë të ditura botërisht pra ajo që mungon është vullneti politik për të ndërtuar një shtet legjitim. Një tjetër shembull i mungesës së qartësisë ideologjike është mungesa e elementëve thelbësorë të shtetndërtimit. Askund në program nuk përmenden koncepte themelore të shtetit si sovraniteti, fuqizimi dhe modernizimi i ushtrisë shqiptare, përafrimi dhe bashkëpunimi me Kosovën dhe faktorin shqiptar në Maqedoni për të krijuar një agjende mbarëshqiptare, apo edhe krijimi i një modeli të ri ekonomik kombëtar. Përkundrazi, synimi kryesor i qeverisë së re është i njëjtë me atë të 2009-s, integrimi europian.

Më tej, në fjalën e tij të parë si kryeministër, Rama nuk zgjodhi të bëhet palë me popullin e t’ja thotë të vërtetën e batakut ku ndodhemi haptaz e qartë. Në fjalimin e tij elokuent në Kuvend, Rama shprehu shumë koncepte të përgjithshme jo koherente idelogjikisht,por nuk përshkroi qartë situatën dhe nuk dha zgjidhje konkrete për problemet për të cilat tashmë duhet të jetë në dijeni të plotë. Duke marrë parasysh se pozitat dhe ndikimi i LSI-së në qeverisje është shumëfishuar, mungesa e qartësisë nga Rama nuk le shumë vend për të shpresuar se qeverisja e re do të sillet ndryshe ndaj shqiptarëve nga ato të kaluarat.

Ky model i përqafuar nga Rama nuk është i ri, ka qenë në bazë të veprimit të tij politik si kryebashkiak i Tiranës, dhe mund të përkufizohet berishizëm 2.0, ose më saktë vazhdimësia e kapjes së shtetit me petka të reja e moderne. Ndonëse do jetë e vështirë të tejkalojë zullumet e paraardhësve, ky model nuk ofron shpresë për ndërtimin e shtetit kombëtar, pa të cilin nuk kemi shanse të dalim nga humnera politike, morale dhe ekonomike në të cilën jemi zhytur.

Ky lloj modeli bëhet edhe më i dëmshëm në kushtet kur qeverisë i mungon një opozitë e mirëfilltë. Klithmat luftarake të Partisë së SaLulit nuk kanë qëllim bërjen e një opozite që t’a mbajë qeverinë nën trysni pozitive për të mirën publike, por thjesht mbrojtjen e interesave të Sali Berishës dhe rrethit të tij familjar. Lufta në parlament do bëhet për të mbrojtur interesa të cilat janë kryekëput në kundërshtim me vendosjen e një rendi të konsoliduar shtetëror.

Njëherazi, kjo lloj sjelljeje sipërfaqësore e qeverisë së re, nuk e justifikon besimin e atyre që kërkuan ndryshim më 23 Qeshor. Përtej militantëve që po tregtojnë këto ditë punësim dhe favore, një masë e madhe shqiptarësh që votuan për mazhorancën e re, por edhe shumë që nuk e votuan atë, presin sinjalet e duhura për të rivendosur autoritetin e shtetit. Kryeministri Rama duhet të ndërgjegjësohet se opozita e vërtetë nuk do jetë Sali Berisha dhe partia e SaLulit. Opozita e vërtetë do të jenë të rinjtë e të rejat e nismës Vota e Bardhë, studentët në grevë të Ekonomikut, intelektualët e rinj brenda dhe jashtë Shqipërisë që po guxojnë të thonë të vërtetën dhe shqiptarët e papërlyer kudo që gjenden. Ata presin jo vetëm që të ndëshkohen abuzuesit që kanë lidhje me pushtetin e Berishës, por që ligji të sundojë mbi të gjithë dhe gjithshka. Ata presin që shteti të ndalojë monopolet e naftës por edhe monopolin e hekurit, të dënojë trafikantët e Lazaratit e Shijakut por edhe ata të Fierit e Vlorës, të njohë të barabartë përpara ligjit Shkëlzenin dhe Argitën por edhe Ledjon, Koçon dhe përfaqësuesit e klanit të arkitektëve që betonuan Tiranën. Ata presin të ndëshkohen manipuluesit e zgjedhjeve, çunat e Palokës në Mamurras por edhe garibat e Ben Ndokës në Lezhë, të skeduarit e Olldashit në Fier por edhe bandat e Tomës dhe Ben Çelës në Shkodër. Ata presin që të ndëshkohen të gjithë ish ministrat demokratë që kanë llogari bankare jashtë Shqipërisë, por edhe ministrat e deputetët aktualë socialistë, të cilët kanë vite që mbajnë standarte luksi me paratë e vjedhura nga shqiptarët. Dosjet e tyre nuk ka nevojë të ndërtohen nga e para, mjafton të konsultohen me partnerët e huaj. Ata presin që kryeministri i ri t’u thotë miliarderëve të pasuruar në kurriz të shqiptarëve pa asnjë lloj kriteri e rregulli se tanimë duhet të paguajnë për të ringritur shtetin gjysëm të falimentuar. Koha nuk pret.

Mbi të gjitha, sfida e Ramës është që shteti shqiptar të mos jetë më instrument pushteti i klaneve të parisë apo edhe i atij grupit të padukshëm por të kudogjendshëm që i kontrollon fijet nga nëntoka e politikës. Sfida e qeverisë së re është që të ndërtojë një shtet të shqiptarëve e jo një shtet privat të klaneve të jeniçerëve të veshur me piar anglez.

Që ta bëjë këtë, z. Rama duhet të ketë kurajon të vendosë në peshore të kaluarën dhe të ardhmen e vet politike. Atij i duhet të zbatojë deri në fund ligjin, qoftë edhe duke rrezikuar rizgjedhjen e vet, por mbi të gjitha duke dalë nga gjirizet e parisë në të cilat ka notuar deri tani. E përsëris, ai nuk duhet t’u druhet kërcënimeve të partisë së SaLulit, por reagimit të pjesës së shëndoshë të shoqërisë shqiptare e cila nuk dëshiron të presë më për të ndërtuar shtetin. Ai duhet të zgjedhë midis parisë dhe shqiptarëve.

Mirëpo, në këto fillime qeverisëse, z. Rama po na tregon fatkeqësisht se e ashtuquajtura Rilindje nuk kishte synim ndërtimin e shtetit por konsolidimin e pushtetit në duart e klaneve të jeniçerëve, martallozëve dhe bashibozukëve, mbështetjen e të cilëve ai e ka tanimë. Ndaj edhe gjykoj se qeveria e re po na servir një model më të sofistikuar të berishizmit, berishizmin 2.0.

ARBEN KALLAMATA: SHQIPTARIA NUK I KA ASNJË BORXH FESË

Lexova te “Rrethi i Ferrit” shkrimin e Ledian Priftit “Shqiptaria dhe Feja” dhe u nxita të shkruaj disa shenime. Më duket se ky shkrim ka disa të problem serioze me të vërtetën dhe faktet.

Së pari, shqiptaria nuk i ka marrë ndonjëherë terren fesë dhe nuk ka krijuar asnjë boshllëk moral. Përkundrazi, përkatësia etnike, kombëtare për shqiptarët ka qënë gjithmonë tipar thelbesor identiteti. Feja dhe tipare të tjera kanë qënë të dorës së dytë. Si një komb me tre-katër-pesë fe, shqiptarët e kanë pasur të pamundur të identifikohen me fenë. Ky nuk është rast unikal (në botë ka shembuj të shumtë kombesh të përbëra nga popullsi të feve të ndryshme). Personalisht mendoj se ata shqiptarë që kanë qënë më tepër shqiptarë se fetarë, kanë qënë më të moralshëm se të tjerët që kanë qënë më tepër fetarë se sa shqiptarë, pavarësisht se kjo është temë e gjerë për t’u diskutuar.

Së dyti, askush nuk mund të thotë që feja ka monopolin e moralit – as feja e krishterë, as feja islamike, asnjë lloj feje. Njeriu fare mirë mund të jetë i moralshëm pa qënë nevoja të jetë fetar. Në fakt, kur shtetet perëndimore u futën në rrugën e shtetformimit demokratik, ata e bënë këtë duke u shkëputur shtetin nga feja dhe duke bërë të vetin nocionin bazë të laicizmit, ose shtetit “sekular”. Shteti më i madh demokratik i botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetet në kushtetutën e vet pikërisht te shkëputja e fesë nga shteti. E njëjta gjë ndodhi edhe në Britani – ku demokracia u vendos pasi monarkisë (kreut të fesë anglikane) iu hoq pushteti absolut dhe iu la një rol simbolik dhe protokollar. Po kjo ndodhi edhe në Francë, edhe në Gjermani, edhe në Itali, edhe në vendet Skandinave. Në këto vende vlerat morale janë relativisht të forta dhe të qëndrueshme, pa qënë nevoja që shteti dhe kombi të indentifikohet me fenë. Madje në France, në Gjermani, në vendet Skandinave, në Britani, etj, përqindja e njerëzve që besojnë është më e vogël se e atyre që nuk besojnë. Është qesharake që, në vend që të marrë në konsideratë këto shtete, artikullshkruesi sjell modelin e Serbisë dhe të Greqisë – dy vende që vërtet e kanë identifikuar kombin e shtetin me fenë, por edhe që nuk shquhen për vlera demokratike dhe morale. Ne s’kemi nevojë të marrim mësime morale nga Serbia, të cilën shovinizmi i diktuar nga nacionalizmi ortodoks e çoi në masakrat më të shëmtuara në Europën e shekullit të njëzetë pas holokaustit. Nuk kemi nevojë të marrim mësim as nga Greqia, ku për një periudhë të gjatë shteti fetar u identifikua me një diktaturë fashiste, ndërsa më vonë, qytetarët e këtij shteti fetar u shquan për evazion fiskal dhe për vlera të dyshimta morale që e çuan ekonominë e vendit të tyre drejt katastrofës.

Së treti, komunistët nuk zhdukën fenë – ata zhdukën fetë konvencionale (krishtërimin dhe islamin), të cilat i shihnin si rivale për pushtet, duke i zëvendësuar ato me një fe të re (komunizmin). Në shumë elementë të tij komunizmi operonte si fe në pushtet. Ashtu si fetë paraardhëse, ai predikonte disa vlera morale, shumë prej të cilave ishin te shtrembëra – ashtu siç janë edhe një pjesë e madhe e vlerave morale që predikojne fetë monoteiste.

Së katërti, askush nuk mund të thotë se bejlerët dhe skuta e puthadorësve që i shërbyen me devotshmëri Turqisë gjatë gjithë periudhës së pushtimit otoman ishin më të moralshëm se sa Rilindasit, që predikonin shqiptarinë si tipar më të përcaktues për shqiptarët se sa feja. Një pohim të tillë nuk mund ta thuash në asnjë formë, as në formën e sofistikuar që përpiqet ta thotë ky shkrim.

Se pesti, nuk mund të thuash që fetë monoteiste, ashtu sic ushtrohen sot në të gjithë botën, janë indiferente ndaj parasë. Përkundrazi, mënyra se si përhapet evangjelizmi dhe teleevangjelizmi në SHBA, pasuria e pamatë e Vatikanit dhe Katolicizmit, lidhja e ngushtë e qendrës së pushtetit të fesë islame (Arabisë Saudite) me paratë e naftës dhe pisllëqe të tjera, të gjitha të bindin se feja është një biznes i pastër (lexo “i ndyrë“) që ka për vlerë kryesore paranë, ndërsa virtutet e tjera i përdor si maskim ose si mjet për të arritur paranë. Ta konsiderosh fenë si të kundërtën morale të parasë është, në rastin më të mirë, naivitet dhe padituri.

Se gjashti, nacionalizmi shqiptar në Kosovë nuk është i identifikuar ndonjëherë me fenë islame. Serbët bëjnë përpjekje maksimale për ta identifikuar nacionalizmin shqiptar me fenë islame, por kjo nuk do të thotë se kjo është e vërtetë. Të theksosh se nacionalizmi shqiptar është identifikuar me fenë islame do të thotë të përsërisësh një parrullë propagandistike serbe.

Dhe së fundi një thënie nga Ludvig Fojerbah: “Kur morali mbështetet në teologji, kur e drejta vihet në vartësi të autoritetit hyjnor, atëherë gjërat më të pamoralshme, më të padrejta, më të turpshme mund të justifikohen dhe të zënë rrënjë. Në këtë rast morali i nënshtrohet arbitrarizmit pabazë të fesë.” Ledjan Prifti bën mirë t’i kërkojë gjetkë shkaqet e rënies morale të shoqërisë shqiptare. Ndoshta është mirë të rrëmojë te mendësia feudale dhe prapambetja në të cilën e la pushtimi otoman dhe islamizmi i tij; te shkatërrimi i mëtejshëm që i bëri edhe asaj pak ndjenje qytetarie që kishte mbetur komunizmi dhe enver hoxha, te paaftësia e politikanëve shqiptarë për të vendosur, krahas demokracisë edhe sundimin e ligjit the të rendit në Shqipëri, te korrupsioni i paparë i të gjithë shoqërisë shqiptare (jo vetëm i politikanëve dhe gjykatësve), te paaftësia për të bërë shtet dhe për të konceptuar mënyrën se si mund të bëhet shtet – por jo te një goditje imagjinare që i qënka bërë mbajtëses imagjinare të moralit – fesë.

LEDJAN PRIFTI: SHQIPTARIA DHE FEJA

Historikisht, raportet (brenda-)kombëtare dhe ndërkombëtare jane kushtëzuar në masë të madhe prej fesë. Në epokën e shqiptarisë si parimi themeltar i shtetformimit, politikës,kulturës etj, falë goditjeve të vazhdueshme e të shumanshme që ka marrë, feja ka lëshuar terren, madje më shumë sesa shqiptaria ishte në gjendje të mbulonte. Terreni, të cilin shqiptaria ia mori fesë, por pa qenë në gjendje ta mbulonte, duke e lënë kështu në anarki, u identifikua 80 vjet më parë nga Noli tek ”5 anarkitë”:

– E treta. Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

Anarkia morale e Nolit mund të quhet edhe anarkia e vlerave, e gjykimit nga pozicioni i vlerave. Sikur të mos mjaftonte pamundësia e nacionalizmit për të vendosur në mënyrë përfundimtare rendin në fushën e vlerave- ose të caktonte rendin e duhur të vlerave-, në anarkinë e vlerave hyri me shpatë edhe komunizmi, që u duk sikur po caktonte një rend të gjerave, por për te kuptuar pas 1990-s, se komunizmi vetëm sa e kishte thelluar anarkinë. Kjo gjendje anarkie nuk u sistemua as në këto 22 vjet, me hyrjen e sistemit perëndimor të vlerave. Prandaj edhe Noli është kaq bashkëkohor, sepse e njëjta anarki sundon edhe sot, madje sundim pa afat.

Në këtë anarki vlerash, jo vetëm që s’ka vend për meritokraci të menjëhershme, por nuk ekziston as ndonjë shans për të nisur ndonjë reformë të bazuar tek parimi meritokratik (merita kuptohet vetëm në hierarkinë e vlerave, pra vetëm brenda një rendi vlerash). E vetmja vlerë e qendrueshme është paraja, por paraja është një vlerë, e cila nuk mund të shërbejë dot si parim esencial për të krijuar një rend moral. Pra, s’kemi as nga t’ia nisim, që të kemi besim tek sistemimi afatshkurtër i gjendjes. Nqs parimi meritokratik, aq i domosdoshëm në politikë, administratë, kulturë etj, nuk mbështetet nga një rend i përcaktuar i vlerave në shoqëri, ngelet një koncept krej bosh, veç një sllogan politik.

Kur Rilindasit e ngritën shqiptarinë nga një identitet i përgjumur apo paraqitje mjegullore e qenies shqiptare, në parim themeltar të shtetformimit, politikës, kulturës e të prodhimit të vlerave (feja e shqiptarit është shqiptaria), ata nuk ishin në gjendje të mendonin për gjithë pasojat e këtij ndryshimi epokal në jetën e shqiptarëve. Detyra e tyre ishte hapja e rrugës për brezat e ardhshëm, jo dhënia e gjithë zgjidhjeve si me magji. Detyrat që u kish caktuar Historia i kryen me sukses, ishin brezat pasardhës që nuk u treguan në lartësinë e detyrave e përgjegjësive të tyre. Për brezat pasardhës mund të gjenden 1000 arsye e justifikime, por fakti ngelet që ato u treguan në lartësinë e pretendimeve për të drejtat e tyre, por jo të detyrave.

Megjithatë, pak rëndësi ka fajtori, gjendja është kjo që është, një anarki kronike vlerash dhe një front nacionalist ende i papërgatitur për të përmbushur detyrat që vijnë nga zëvendësimi i fesë me shqiptarinë. Biles, jo vetëm i papërgatitur, por deri diku ende i pandergjegjësuar (si front) për detyrën esenciale të  sistemimit të vlerave në shoqëri.

Duke qenë se koha e kthimit të shqiptarisë në themel qenësor të gjithçkaje që lidhej me shqiptarët, përkon me kohën e vdekjes së Zotit në Perëndim dhe rrjedhimisht me depërtimin e nihilizmit në mbarë Perëndimin – çka u përkthye në rishikim të gjithë vlerave-, atëherë nacionalizmi jo vetëm që e pranoi nihilizmin në esencën e vet antifetare, por përsa i përket fushës së rishikimit te vlerave krijoi me të një organizëm simbiotik. Kjo eshte veçori shqiptare pasi nacionalizmat ballkanike ishin në simbioze me Kishën, ndërsa ata perëndimorë u morën me fushën politike e ia lanë rrafshin e vlerave Kishës dhe liberalizmit, duke ndërhyrë rrallë në betejat mes tyre. Ky organizëm simbiotik(nacionalizëm+nihillizëm) më shumë se me krijimin e rishikimin e të gjithë vlerave u kufizua në konfirmimin e vlerave jokristiane e joislame.

Gjithsesi në trojet etnike të pushtuara prej Serbisë e Greqisë, nacionalizmi nuk pati luksin të armiqësohej me fenë, përkundrazi në masa relativisht të gjera identiteti shqiptar vazhdoi të kuptohej brenda fesë islame. Ky ishte një hap i detyruar nga lidhja simbiotike kishë-nacionalizëm që kanë serbët e grekët. Megjithatë në ato troje etnike, raporti mes shqiptarisë dhe fetarisë/identitetit fetar, gjatë këtij 100 vjeçari, ndryshoi përsa i përket lidhjes mes mjetit e qëllimit.

Më parë, kur identiteti fetar si identiteti suprem në politikë,administratë, kulturë etj, kishte nevojë për identitetin etnik shqiptar në mënyrë që të forconte pozitat e P. Osmane, e përdori shqiptarinë si mjet lufte kundër serbëve dhe grekëve. Duke parë leverdine politike, në këtë përdorim të shqiptarisë në favor të fetarisë e shtetit osman, elitat politike e fetare të Turqisë u përpoqën edhe gjatë Lidhjes së Prizrenit që ta kthenin shqiptarinë në mjet lufte. Por gjatë kohës së Lidhjes, nacionalistët shqiptarë i kthyen letrat në tavolinë dhe duke vendosur shqiptarinë si qëllim politik u përpoqën të kthenin identitetin fetar në mjet, e jo vetëm atë islam, por edhe atë katolik ( kundër malazezëve).

Në njëfarë mënyrë, ky kthim i shqiptarisë në qëllim politik dhe i fetarisë në mjet politik, vazhdoi të ekzistojë në trojet e pushtuara paralelisht me shqiptarinë e mirëfilltë që nuk i njihte asnjë rol politik  pozitiv fesë, as si mjet. Vazhdon të ekzistojë edhe sot, por duke qenë një produkt strukturor, në momentin e sotëm të panevojshmërisë strukturore, mund të vlerësohet në zhdukje e sipër. Të njëjtin fat ka ndjekur edhe lidhja e shqiptarisë me fenë e krishterë, e përdori fenë në momentin fillestar kundër Turqisë dhe pasi feja e përmbushi detyrën, filloi të largohet prej saj deri në shpalljen e armiqësisë.

Problemi më i mprehtë i shqiptarisë me fenë lidhet me faktin e mirënjohur që feja, prej hyrjes së Krishtërimit, ka përfaqësuar gjithnjë interesat politike të entiteteve politike të huaja (nga vinte edhe nevoja e ndërrimit te fesë gjatë mesjetës tek fisnikët shqiptarë). Kur Krishtërimi zhduku hyjnitë shqiptare, zhduku edhe çdo ndikim pozitiv të besimit fetar në politikën dhe historinë e shqiptarëve si të tillë (ose si etni). Të njëjtën gjë kemi edhe me islamin, i cili erdhi si përfaqësues i interesave politike të shtetit osman, me një kaste klerikale besnike të Sulltanit (që ishte edhe Kalifi). Prandaj hyrja e nacionalizmit në historinë e shqiptarëve, nuk mund të mos përshoqërohej me një identifikim të negativitetit historiko-politik të fesë. Pavarësisht apologjive të rolit të x apo y feje në periudha të ndryshme të historisë, në tërësinë e vet identiteti fetar ka qenë dhe është një armë e të huajve për ndikim në Shqipëri. Roli pozitiv i njërës apo tjetrës fe, nuk është gjë tjetër veçse produkt i pajtimit të përkohshëm së interesave shqiptare me interesat e ndonjërës prej fuqive të huaja, sepse në thelb, roli historiko-politik i feve në Shqipëri nuk dallon nga ai i agjencive të huaja.

Ky problem mund të quhet i zgjidhur prej kohësh në aspektin politik, sepse feja është ndarë nga shteti dhe ka ndikim të vogël në masën e votuesve, megjithatë që të zgjidhej ky problem, u desh të sakrifikohej rendi i vlerave, ose më saktë zgjidhja e tij u pagua me anarkinë e vlerave. Nacionalizmi nuk pati aftësinë që më asgjësimin e rolit fetar, t’i mbivendosej si duhej feve në fushën e vlerave. Roli i tij ontologjik u kufizua në njëfarë ontologjie politike, vetëm aty arriti të sistemojë rrafshin e vlerave supreme, por edhe aty pa përcaktuar në detaje rendin e vlerave politike. Roli ontologjik në kulturë ndoqi nevojat politike, duke e lënë kështu kulturën shqiptare pa një rrafsh të mirëfilltë ontologjik, aq sa sot duhet të debatojmë se cili është boshti i kulturës sonë, ai perëndimor( kristian) apo ai lindor(islamik).

Si përfundim, dy zgjidhje ka; ose të dorëzohemi e të pohojmë se nacionalizmi e bëri hapin më të madh se këmba kur pretendoi të zëvendësojë edhe rolin ontologjik të feve, nga buron një rend i fiksuar i vlerave shoqërore, ose të drejtohen energji nga fusha politike drejt zhvillimit të rrafsheve ontologjike e morale, në mënyrë që anarkia e vlerave të marrë fund njëherë e mirë. Në rastin e parë, fusha e vlerave shoqërore do i lihet në dorë fesë e liberalizmit, betejës historike perëndimore mes tyre, në rastin e dytë, nga fiksimi i një rendi të vlerave shoqërore mund t’i japim shqiptarisë statusin e një feje civile, çka e bën shqiptarinë garante të ekzistencës politiko-kulturore së shqiptarëve nëpërmjet unitetit e unicitetit të vlerave; e pse jo edhe krijuese të një qytetërimi autentik.

INTERVISTË ME GAZETARIN GJ.J.

Zoti  Rama, ardhja e së Majtës në pushtet pas 8 vjetësh, mund të quhet rotacion në politikëbërje, me shpresën se mund të kemi një hop cilësor për një politikë konsensuale midis forcave politike?

Ky është rrotacion në drejtim të shtetit por jo ndryshim në drejtim të formulimit të politikave të ndryshme. Këta janë dy krahët e parisë së Tiranës dhe do të bëjnë të njëjtën gjë që dinë të bëjnë më mirë, d.m.th. të mjelin lopën e shtetit, të shtrydhin para sa të munden, të pasurohen shpejt e shpejt dhe të mbajnë të gjithë shqiptarët e tjerë nën sundimin e tyre. Në lidhje me hop cilësor në marrëdhëniet konsensuale midis tyre, nuk besoj. Këta grinden edhe për krundet. Janë nga e njëjta mendësi por nuk i besojnë njëri tjetrit. Kështu që nuk i ikin dot sherrit e rrugës.

Politika shqiptare, qoftë e Majta, qoftë e Djathta, mendoni se e kanë deshifruar qartë mesazhin e 23 Qershorit, duke gjykuar se qysh në seancën e parë të Kuvendit të ri mungon vullneti politik për të arritur  konsensus, edhe për gjëra më të thjeshta?

E majta dhe e djathta nuk kanë kuptim sepse këta janë të gjithë njelloj, pjestarë të parisë së Tiranës. Në lidhje me mesazhin, cili ishte mesazhi i 23 Qershorit? Sepse pati disa mesazhe. Po të lëmë mënjanë zhaurimën mediatike, mesazhi i vërtetë erdhi nga masa e shqiptarëve emigrante, nga masa e atyre që shkuan me pushime, që nuk votuan dhe që tashmë e shohin sistemin politik dhe partitë politike, si dhe parinë e Tiranës si një masë parazitare që thith gjakun e shoqërisë. Në se e keni fjalën për mesazhin e votuesve që votuan, i tipit ‘një milion shuplaka’ atëherë ka disa mesazhe sepse nuk mori njëri një million dhe tjetri asgjë, por i dha ketij edhe shtateqind mije shuplaka. me aq shuplaka duhet te kishin ngordhur te dy palet.  por kjo pune do pare ndryshe. Duke e ditur se shqiptarët e dinë që këta janë të gjtihë plehurina të sprovuara politike, atëherë mesazhi i votuesve ishte dy llojesh. Njëra palë votuan se donin një vend pune e një kafshatë buke për familjen dhe këta do të bëjnë gjithcka që munden për të mbajtur frymën gjallë. Pala tjetër, e shiti votën për një zarf me një grusht lekë sa të shtynte muajin. Mesazhi që erdhi nga të tre palët është shumë domethënës dhe shumë I zymtë sepse tregoi se sa keq është gjendja, se sa poshtë është mendësia, se sa lirë shitet e ardhmja, dhe sa cinike, kriminale dhe e poshtër është paria oligarkike sunduese e Tiranës.

Cila është fryma që ushqen konfliktualitetin, si produktin e politikbërjes në Shqipëri?

Logjika e sherrit është një logjikë e mbështetur në mendësinë katundare, të cilën këta e njohin mirë dhe të cilës nuk I ikin që nuk i ikin dot. Në kohën e sistemit të mëparshëm, roja dhe hajni vidhnin misrat dhe i ndanin bashkë. Kur kapej njëri, tjetri e akuzonte për gjithcka dhe  prapë vazhdonin të ishin miq. Kështu edhe këta, ditën shahen dhe rrahen, d.m.th., sillen si prostituta politike, në darkë hajnë bashkë dhe bizneset i bëjnë bashkë si vëllezër të një prindi. As telefon nuk kanë nevojë të përdorin se e dinë mirë se si mendon njëri e tjetri. Mirëpo, nga që janë të poshtër e maskarenj, mendojnë se tjetri do të sillet si maskara dhe ja këtu fillon sherri i pashmangshëm.  Kjo që ndodhi sot në Kuvend është ilustrimi më i mirë. Nuk pritet tjetër nga këta. Këta krunde mielli dhe nuk bëhen dot njerëz e shtetarë.

Përse strategjitë politike të pozitë-opozitës mbështeten pikërisht në konfrontimin total shterpë?

Po sepse kjo sjellje është e vetmja mënyrë me i shmangë njerëzit nga politika e vërtetë, dhe me e mbajtë turmën e katundarëve heroikë  të lidhur mbas vetes. Këta japing shfaqje dhe njerëzit bëjnë tifozllëk.

Sa besueshmëri ka programi i qeverisjes të së Majtës, se do të jetë i realizueshëm?

Njeriu don me besue, se ka gjëra të mira që janë thënë aty, mirëpo nga do të dalin paratë? Kur nuk ka para, kur nuk ka një politikë të qartë se si do të dalë shteti nga falimentimi, kur nuk thuhet se do të taksohemi si duhet, atëherë duket si një program elektoral e jo qeveritar. Shqiptarëve iu duhet thënë e drejta dhe e vërteta. Jemi të falimentuar dhe shteti është në borxh deri në fyt. Kjo rrugë, në të cilën janë të gjithë bashkë na ka cuar në ekstrem. Shoqëria është e kriminalizuar, një grusht pasunarësh kanë në dorë shtetin shqiptar. Puna është se këta janë një bandë e lidhur me lloj lloj interesash të brendshme e të jashtme. Dhe iu kanë hedhur njerëzve trutë e gomarit. Puna është se të gjithë këta në opozitë e në qeveri punojnë kundër shqiptarëve. Pra, nuk ka asnjë shpresë për realizim të programit.

Mendoni se të gjitha këto objektiva të qeverisjes Rama kanë themel edhe një buxhet të mjaftueshëm, apo thjesht janë zotime, që në kohë do të mbeten në letër?

Do të mbesin në letër. Ku janë paratë?

Sa shpresëdhënës do të jetë marrja e statusit kandidat të Shqipërisë në dhjetor, në mënyrë të tillë, që përfundimisht Shqipëria dhe shqiptarët të futen në rrugën e normalitetit të proceseve demokratike dhe të integrimit për në BE?

Be nuk është rruga e jonë. Nga një lloj statusi I tillë nuk fitohet gjë, vec parave që mund të vjedhi paria e Tiranës. BE është në krizë, ekonomia është e shkatërruar, ne nuk na duan, dhe ne nuk jemi sprovuar me kenë ashtu si duhet. Shkurt, ne na duhet shteti I jonë, na duhet ligji, drejtësia, e drejta e pronës, mbrojtja shoqërore, edukimi, kujdesi për të moshuarit e jo një mënyrë për pasurim të parisë. Ne na duhet shteti I shqiptarëve. Këta duan që të ngopemi me lugë të zbrazur, d.m.th. prit gomar të mbije bar … në Bruksel. Duke pritur integrimin, kemi përjetuar shkatërrimin, krimin, vjedhjen e degjenerimin ekstrem. Ne na duhet një shtet normal, atëherë edhe BE do të na konsiderojë me respekt. Por tanimë këtyre as nuk duhet Brukseli por e thonë se e dinë që pot ë binden shqiptarët se është një mashtrim I pastër, atëherë do ti vënë më kryq këta vetë. Se ndryshe dikush duhet të përgjigjet për 23 vjet që kanë shkuar dëm, për gjsymën e shqiptarëve që kanë tretur kockat në kurbet, dhe për vjedhjen e shkatërrimin masiv të shtetit e të kombit. Atëherë flasim për Europën.

Cilat duhet të jenë reformat që duhet të ndërmarrë PD-ja, në mënyrë të atillë, që të kapërcejë humbjen elektorale dhe të bëhet sërish forca protagoniste dhe pretenduese për qeverisje?

PD është një parti që e ka kryer misionin historik me kohë dhe që tani është begël e vullnetit politkkë të Sali Berishës. Nuk do të bëhet ndonjëherë parti e mirëfilltë sepse nuk ka ideologji, nuk ka vlera, ka një bagazh kriminal, ka mashtruar elektoratin e vet dhe njerëzit që i besuan me shpirt. Kur ka qënë në pushtet, PD ka kaluar nga një krim i përbindshëm kundër shqiptarëve tek tjetri. Ky ekip që e drejton PD-në janë pasha të lehta, kukulla Barbie Dolls të politikës. Shqiptarët kanë nevojë për një forcë të re. Ajo nuk është PD, ajo nuk është PS. Ajo është një forcë që synon ndërtimin e shtet-kombit modern shqiptar. Kur ta kuptojnë edhe ata pak militantë të PD-së se janë mashtruar, përdoruar, degjeneruar e kriminalizuar, atëherë do të jetë fundi I vërtetë I PD. Parti të tilla që mbahen mbas një individi e jo një ideologjie, vdesin me ngadalë, sepse kanë një strukturë informale por perëndimi I tyre është I pashmangshëm. Megjithatë, PD iu shërben interesave të parisë, dhe Ramës e Metës e të tjerëve iu duhet një parti e tillë qesharake e kriminale, vegël e Trustit të Gështenjave që nuk e lejon opozitën e vërtetë që të dalë në lojën politike.

Megjithë mendimet kontradiktore të udhëheqësve të partive të së Djathtës, a është momenti politik, që e Djathta duhet të reformohet, të bashkohen të gjitha forcat, pavarësisht së shkuarës politike, në mënyrë që opozita të jetë e bashkuar, dhe aktive?

Po cfarë opozite! Këta janë në ankand për shitje, i shiten prurësit më të parë dhe që ofron cmimin më të lartë njëlloj si manekinët që shesin kostume. Këta për para shesin edhe ushkurin. Opozita e vërtetë duhet të jetë e mbështetur në një ideologji të caktuar kombëtariste, me djem e vajza të reja që nuk kanë bagazhe krimi e zvetënimi si këta, që janë të edukuar mirë, dhe që duan t’I shërbëjnë popullit, e që shpresojnë të bëjnë atë që bëjnë sepse duan nderim e respect.  Sa për Bandën e Ali babait dhe dyzet partitë, kjo nuk është opozitë, nuk mundet me kenë.  Këta që janë në krye të opozitës janë uzurpatorë të së vërtetës, të opozitës së vërtetë. Shteti që na duhet do të ndërtohet nga djem e vajza që do të hyjnë në politikë me besimin se ata e duan kombin me shumë se këta e duan pasurinë. Sepse kur je duke u mbytur e hedh arin që ke vjedhur. Por kur e do kombin me zemër do të shpëtosh a do të mbytesh me kombin tënd sepse pa zemrën nuk ke jetë. Kjo është opozita që na duhet e që nuk e kemi. Kjo është opozita që Barbie Dolls e llapaqenëria e Tiranës e kanë frikë, por që kur të vijë, po erdhi është e duhet të jetë shpëtimi I kombit dhe I shtetit shqiptar.

SHENASI RAMA ANALIZON PROGRAMIN E PS: S’SHOH NDËRTIMIN E SHTETIT

Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-lideri i dhjetorit, profesor në Nju York University Shenasi Rama ka analizuar programin e PS të prezantuar nga kryemininistri Rama.

Zoti Rama (Çfare koinçidence!). Zoti Shenasi Rama, besoj se ju ka interesuar të hulumtoni programin e PS për qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme. Çfarë ndjesish ju la?

Kaq jemi ne shqiptarët, dhe emrat tanë këta janë. Si thotë diku Shekspiri, nuk kanë rëndësi emrat, ka rëndësi njeriu. Si njerëz, kemi qënë dikur miq, kam pasur shumë respekt për të, dhe mbesim me konsideratë si individe, por jemi krejt të ndryshëm e me bindje të kundërta politike. E mora Programin e Qeverisë dhe e lexova me shumë vëmendje. Në përgjithësi, do të vija në dukje shumë gjëra, por do të ndalem tek më kryesoret. Së pari, ky program është një përpjekje e qartë për të ruajtur fytyrën dhe premtimet e bëra gjatë fushatës.

Mirëpo, shihet një përpjekje e qartë për të lëvizur drejt problematikës reale që kërkon masa të tilla që nuk u përmendën në fushatë. Së dyti do të thoja se është një program shumë ideologjik. Mirëpo, ideologjia që është bazë e këtij programi është tejet eklektike, sepse aty gjen koncepte që nuk bashkëjetojnë lehtë bashkë si tregu dhe solidariteti. Së treti, do thoja se është një program tejet optimist në premtime dhe njëkohësisht i kursyer në burime. Nga do të dalin paratë? Pra, i parealizueshëm sepse kjo qeveri nuk do të taksojë milionerët për të sjellë zhvillimin. Së katërti, programi është një lojë ideologjike e qartë e një mashtrim i hapur me shqiptarët sepse vazhdohet sharada e pamundshme e agjendës së integrimit europian, nuk adresohen si duhet problemet e vërteta e reale me te cilat përballemi ne. Së pesti, një program i tillë tregon cektësinë ideologjike të hartuesve dhe të qeveritarëve të ardhshëm. Këta duket se duan pushtet e jo shtet. Për shembull në këtë program nuk përmendet sovraniteti, atributi themelor dhe unik i shtetit.

Emigrantët përmenden një herë, në faqen 56. Po bashkëpunimi ndërshqiptar? E kështu me radhë. Problemet, sipas meje janë të shumta jo vetëm në nivelin e në mënyrën e konceptimit të gjendjes, por dhe në zbatimin e asaj që premtohet. Sipas mendimit tim, ky program, edhe kështu i parealizueshëm, mbetet një mbulojë për agjenda të tjera. Fjalë të kodifikuara si reformim, në shqip përkthehen si heqje nga punë e kundërshtarëve, dhënie rroge e mbështetësve etj. Por nuk ka dyshim që gjendja është tejet e rëndë dhe në program ndjehet vetëdija se do të jetë një qeverisje shumë e vështirë.

Ju njiheni tashmë si kritik i rreptë, por kush do të ishin sugjerimet tuaja në situatën ku ndodhet Shqipëria, çfarë duhet të bëjë më mirë, dhe çfarë duhet të bëjë nga e para qeveria e re?

Qeveria duhet t’iu thojë shqiptarëve ku gjendemi. Duhet t’iu thotë se edhe këta që janë në qeveri kanë vjedhur, grabitur, uzurpuar, toleruar e zhvatur njëlloj si të tjerët. Duhet t’iu thuhet se integrimi europian as nuk ka me ndodhë, as nuk na duhet. Qeveria duhet t’iu thotë se duhet të shtërngojmë rripin dhe të taksojmë me drejtësi e ndershmëri.  Qeveria duhet t’iu thotë se duhet të ndërtojmë shtetin dhe administratën civile që të funksionojnë jashtë influencave partiake. Se duhet të drejtohemi me parësi nga bashkëpunimi ndërshqiptar si mundësi e ndërtimit të tregjeve, të sigurisë, të shfrytëzimit racional të burimeve dhe të forcimit të vetëdijes politike e të mbështetjes politike. Qeveria duhet t’iu thotë shqiptarëve se nuk kemi ushtri, se jemi një vend i kriminalizuar, me shoqëri të polarizuar, me një oligarki kriminale që kanë bërë miliarda dhe me shqiptarë që vrasin veten dhe me një gjendje zvetënimi moral që të bën më pasë frikë. Qeveria duhet të nisë një debat të madh shoqëror lidhur me ndasitë, me humbjen e sovranitetit, të territorit, të faljes së burimeve natyrore e të pasurive kombëtare, të shpërdorimit të pasurisë, të shmangjes nga rruga e krimit dhe e hajnisë, e trafiqeve dhe e ndërtimeve pa leje.

Shqiptarët duan një qeveri që të thotë të drejtën dhe të mos ketë frikë se nuk do të zgjidhet më në pushtet. Kjo është edhe detyra kryesore e shërbyesit publik. Shihe në sy popullin tënd e thuaji të vërtetën. Po si mund t’ua thuash të vërettën kur ua ke blerë votën tek qendra e votimit me një zarf me 50000 lekë të vjetra e me një thes mielli e një bidon vaji???

A keni vërejtur risi në programin e paraqitur nga Rama dhe kush janë ato?

Risitë janë në shprehjet e në konceptet e përdorura dhe në adresimin e disa çështjeve që janë tejet shqetësuese. Koncepti i gjeneratës tjetër është interesant. Mirëpo nuk duket se këta janë të ndryshëm në mendime nga paraardhësit.

Eshtë një numër i madh shqiptarësh që i kanë besuar Ramës t’i qeverisë. Ky program sipas jush i përgjigjet besimit 1 milionësh?

Qeveria nuk është e mbështetësve, ajo është e gjithë popullit dhe në një shtet kaq të ndarë si shteti shqiptar, qeveria duhet të jetë e të gjithë popullit, ndryshe ke dështuar pa filluar. Tash në lidhje me këtë shifrën “1 milion” që përmende, në program ka vetëm një shifër të tillë.

Ajo nuk është shifra e mbështetësve por e të papunëve. Qeveria Rama ka premtuar 300000 vende pune të reja. Po ata 700000 të papunë që nuk do të gjejnë punë gjatë kësaj qeverisje? Çfarë do të bëhet me ta? Po ashtu, shihet se në program ka shumë pika në të cilat shteti do të adresojë problemet e grupeve që mbështetën fort PS dhe LSI, siç është bie fjala, kujdesi për ushtarakët e liruar.

Besoj se këta nuk do ta ndajnë tortën me legena, por urtë e butë do të gjejnë mënyrat që ti shpërblejnë mbështetësit simbas shërbimeve dhe shkallës në hierarki. Do të ketë punësim masiv nga LSI, por liçenca, koncesione, subvencione, partneritete, lehtësime nga taksat etj. që do të garantojnë ruajtjen e mbështetjes.

Nëse nuk do të qëndrojmë vetëm në anën e kritikës, çfarë ju kënaqi më shumë gjatë leximit të faqeve të programit? Besoni ju në nisjen e një ere të re, në qeverisjen shqiptare?

Jo, jo çfarë risie! Iku Ilir Meta dhe erdhi dyfish më i fuqishëm dhe pala tjetër ka mësuar dhe po e kopjon simbas parimit, të gjithë si Ilir Meta, pesë vota për një vend pune. Këta e kanë mendjen me vjedhë njëlloj si të tjerët. Kur e blen votën e popullit, e korrupton që në kutinë e votimit, nuk ka asnjë lloj shprese se do të qeverisësh me drejtësi.

Njerëzit të shohin në sy dhe në vend të mjekrës tënde shohin mjekrën e Ismail Qemalit, të Fan Nolit e të Naim Frashërit që i kemi në kartmonedhat tona. Po nga ana estetike, duket bukur. Shpresa e vetme që ka, është se këta e dinë mirë se çka është shteti. Të mbarë a të mbrapshtë, le të mundohen të vënë ligjin e të bëjnë një shtet. Sepse një shtet, edhe kur është i hajnave dhe i parisë, ka ligje që e shtërngojnë edhe vetë parinë. Këta kanë qënë të gjithë pjesë e shtetit kur kishim shtet, tani të shohim a do të pranojnë shtërngesat që duhet t’ia vënë vetes, për të mirën tonë, por edhe të tyren se ndryshe nuk i dihet. Në shtetin shqiptar, asgjë nuk është e sigurtë, as jeta, as pasuria, as nderi, as mendja e kokës. Shteti kombëtar dhe ndërtimi i tij ky duhet të jetë objektivi kardinal, aftarshkurtër dhe afatgjatë, po që unë nuk e shoh qartë në këtë program bile nuk e shoh kund.

Shkrimi u publikua sot(12.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print) – See more at:  Shqiptarja.com – Shenasi Rama analizon programin e PS: S’shoh ndërtimin e shtetit