Home » ANALISTE TE FTUAR » EDUART GJOKUTAJ: PABARAZIA EKONOMIKE: ËSHTË RRITUR APO DO TË RRITET MË TEJ?

EDUART GJOKUTAJ: PABARAZIA EKONOMIKE: ËSHTË RRITUR APO DO TË RRITET MË TEJ?

Nuk ka dyshim që të ardhurat midis shtresave shoqërore dhe familjeve shqiptare janë të pabarabarta. Sipas raportit të vitit 2012 nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave mbi strukturën e 1.5 milionë llogarive të siguruara të individëve në bankat shqiptare (zënë 85% të totalit të depozitave prej 9.4 miliardë USD), vetëm 5% e tyre përfshijnë 58% të totalit të depozitave bankare të siguruara (4.6 miliardë USD) dhe kanë një rritje prej 36.9% në 2012, ndërsa 95% e llogarive bankare të siguruara përfshijnë 42% të totalit të depozitave bankare të siguruara (3.4 miliardë USD) dhe kanë një rritje 38.7% në 2012-n. Këto të dhëna tregojnë se qarkullimi dhe akumulimi i kapitaleve po realizohet shumë më tepër në kanalet bankare, duke shmangur paranë në dorë. Kjo është një fazë zhvillimi ekspansionist për familjet e pasura dhe të mesme. Ndërkaq, familjet e varfra dhe shumë të varfra nuk janë pjesë e këtyre fakteve.

A kanë logjikë reale faktet, apo është thjesht fantazi dhe fobi ndaj pasurisë? Le të tregojmë zhvillime logjike dhe faktet për ilustrim. Të dhëna të tjera të përpunuara nga AL-Tax Center, bazuar në analiza, studime e anketime të kryera prej organizatave të huaja dhe vendase në lidhje me kapitalet dhe pronat tregojnë se, <1% e individëve rezidentë shqiptarë (rreth 8-9 mijë) zotërojnë 85% të totalit të tregut të kapitaleve dhe pronave në vend, ndërsa >99% e individëve rezidentë shqiptarë zotërojnë 15% të tyre. Fitimet dhe norma e akumulimit të kapitaleve në familjet më të pasura në Shqipëri, për të paktën 6 vitet e fundit janë rritur nga njëri vit në tjetrin, duke u transformuar në një pasuri të stërmadhe dhe me peshën më të madhe në ekonominë e vendit. Ndërsa pagat e punonjësve (të ardhurat individuale) dhe familjet e tyre kanë pasur rënie të peshës specifike në raport me tregun, duke mbajtur peshë të ulët në raport me ekonominë e vendit.

Nisur nga kapitalet që zotërojnë, të pasurit shpenzojnë më shumë se çdokush tjetër, por konsumi, rishpërndarja e pasurisë nuk shkon te segmentet kryesore të ekonomisë bazë, por në pjesë të madhe në tregje financiare jashtë vendit, metalet e çmuara, apo mallrat e luksit dhe pasuritë e paluajtshme brenda dhe jashtë vendit (kjo e fundit luhatet në varësi të stabilitetit politik).

Ekonomia shqiptare në 6 vitet e fundit nuk pati rënie ekonomike, por pati rënie të rritjes që tregon më së paku, se kapitalet e huaja dhe të brendshme nuk kishin forcë për të fuqizuar ekonominë. Një pjesë e mirë e fitimeve dhe pasurisë së akumuluar nga më të pasurit në vend nuk rezulton të ketë shkuar për rritjen ekonomike të vendit. Nëse llogaritim se të pasurit kanë një vlerë depozitash bankare në vend te 4.6 miliardë dollarë, ndërkohë kur dividenti i shpërndarë është 4 herë më pak, rezulton se pjesa kryesore e kapitaleve të lira në vend nuk vijnë nga sipërmarrja, por nga aktivitete informale (të pasur anonimë). Edhe investimet nga fondet e fitimeve të mbartura nuk kanë dhënë zhvillime të fuqishme. Qarkullimi i një pjese të madhe të kapitaleve jashtë ekonomisë përkon me disa konkluzione të organizatave të huaja për fluks të qarkullimit të parave informale të sipërmarrjes dhe aktiviteteve informale jashtë kufijve të vendit, duke ndikuar në shëndetin e ekonomive të vendeve të ndryshme, por më shumë në shtete dhe zona të quajtura si parajsa fiskale.

Nga del ky mendim?

Sipas llogaritjeve, të realizuara nga ekspertët e AL-Tax Center, duke ndjekur kurbën e pasurimit të shpejtë të <1% të familjeve shqiptare, natyrshëm si në çdo vend tjetër duhet të kishte një rritje të kontributit fiskal (barrë fiskale) në buxhetin e vendit. Nga statistikat zyrtare të financave të vendit rezulton se tatimi mbi të ardhurat individuale (TAP), për 6 vitet e fundit ka pasur një rritje prej 3.2 herë (më shumë 174 milionë dollarë). Peshën më të madhe e mbajnë pagat e punonjësve (tatimi mbi pagat 65%), ndërsa peshën më të vogël e mbajnë tatime të tjera që përfshijnë grupin e tatimeve mbi kapitalin (tatimi mbi dividendin dhe depozitat 18%). Në mungesë edhe të tatimit mbi të ardhurat individuale në të gjithë harkun e viteve të fundit (ka një peshë të pandjeshme në vitin e fundit), atëherë mund të thuhet se politika fiskale ka favorizuar të pasurit dhe ka ndikuar negativisht mbi familjet e mesme dhe të varfra. Ajo që mbetet gropë e zezë dhe e pamonitoruar asnjëherë si duhet nga financat publike është mbartja e fitimeve dhe destinacioni i tyre real. Nëse llogaritim se në buxhet, për 6 vitet e fundit është paguar një tatim-fitimi në kufijtë e 1.5 miliardë dollarëve, atëherë fitimi i mbartur do të rezultonte në kufijtë e 8.5 miliardë dollarëve. Shuma e dividendëve të shpërndarë është në kufijtë e 1 miliard dollarëve. Atëherë, nga llogaritja e mbetur pas dividendëve të shpërndarë, fitimi i mbartur në të paktën 6 vitet e fundit duhet të ndodhet në dy destinacione (a) të jetë kapitalizuar, pra rritje e kapitaleve të shoqërive; (b) të jetë përdorur në formën e investimeve me fonde të brendshme për shtim aktivesh, ose shtim të likuiditeteve dhe inventarëve. Mbetet për t’u verifikuar nga administrata fiskale!

Taksa të larta-taksa të ulëta, taksë e sheshtë-taksë progresive ishin fjalët më të përdorura në një nga debatet më të mëdha në garën për zgjedhjet administrative të vitit 2013. Mbështetur në këto të dhëna dhe në ndërthurje me situatën e ekonomisë së vendit, lideri i Aleancës për Shqipërinë Europiane doli të prezantonte modelin e taksimit të ndershëm sipas modelit që harmonizon shkallë të ulët të taksës për biznesin e vogël me vendosjen e shkallëve progresive për tatimin mbi të ardhurat e individëve. Parimi i modelit është “kush fiton më shumë paguan më shumë dhe e anasjelltë”. Ky prezantim ishte aq serioz sa vuri në diskutim moralin politik të disa prej përfaqësuesve të spikatur të institucioneve edukative të politikave ekonomike dhe fiskale. Por, nga ana tjetër, diskutimi duhet të përfshinte po aq dukshëm edhe parimin ekonomik nxitës, se “kush kontribuon më shumë në ekonomi dhe buxhet meriton një shërbim më të personalizuar”, për sa kohë ekonomia përfiton nga kapitalet e investuara dhe fuqia punëtore dhe tregu i punës ka më shumë oferta për vende pune të reja.

Globalizimi ka ndikim edhe në vendin tonë. Pronarë në disa nga sipërmarrjet e mëdha dhe të suksesshme në vend janë shtetas dhe kompani jorezidente fiskale. Edhe pse Shqipëria nuk aplikon tatim për transferimin e fitimeve jashtë vendit, mbetet që të shihet harmonizimi për këto raste me temën kryesore të takimit të G-20 në lidhje me transferimin e fitimeve dhe shkëmbimin e informacionit midis shteteve në funksion të rritjes së balancuar dhe të qëndrueshme.

Pabarazia ekonomike në vend ka shënuar rritje të madhe. Pesha e të ardhurave ka një rëndim mbi të pasurit e rinj. Pesha e taksave mbi ta nuk ka qenë sipas peshës së të ardhurave, me qëllim që të mund të balanconte sadopak peshoren midis shtresave. Pabarazia e vendosur ka ndryshuar status quo-në për qindra mijë punonjës. Polarizimi ekonomik ka ndikuar duke varfëruar më shumë të varfrit dhe duke pasuruar më shumë të pasurit. Por, si do i vejë halli pabarazisë ekonomike? Një rrugë e gjatë me ulje dhe ngritje…

(Botuar ne gazeta Shqip, 10 Shtator 2013: http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/09/10/pabarazia-ekonomike-eshte-rritur-apo-te-rritet-tej/)