Home » ANALISTE TE FTUAR » FADIL LEPAJA: EDHE NJË PALË ZGJEDHJE (PARA)HISTORIKE?!

FADIL LEPAJA: EDHE NJË PALË ZGJEDHJE (PARA)HISTORIKE?!

Dikur, kur bota ishte mbarë, sondazet ishin veçse një parashikim, ndërkaq zgjedhjet përfaqësonin vullnetin real të qytetarëve. Pastaj filluan lojërat. Sondazhet e porositura u bënë veç një udhëzim se si duhet të duket rezultati final. E kur votat e numëruara nuk përputheshin me sondazhet e “pavarura”, militantët dilnin në (prapa)skenë, dhe fjala e ”parashikuesve” vihej në vend. Ju kujtohet kur “parashikuesi” thoshte 30%?

Pastaj , pat filluar turri i marrë për me i mbushë kutijat natën, për me i vjedhë votat e opozitës, për me u ba objekt tallje në përmasa planetare! Derisa u mbush norma 30%! Aq u duheshin! Pastaj krejt këto u shpallen zgjedhje historike! Por, ranë këto votime e u pamë, po thonë, tashmë, të gjallë e të vdekur. Kështu ka derivuar shprehja e moqme! Dikur, nëpër të pame shiheshin e çmalleshin i gjithë farefisi i shkapërderdhur. Jo vetëm të gjallët, por po paralajmërohet se edhe shumë të vdekur tashmë do të dalin sërish nëpër votime. U ka mbetë ëmbël nga zgjedhjet e kaluara! Ky nuk është veq humor i zi qeveritarë, por është një mekanizëm i sigurtë për me i mbushë kutitë e me e përmbushë fjalën e “parashikuesve” të motit, ups, të zgjedhjeve. “Ardhja e tyre” në zgjedhjet e kaluara dhe “historike”, sidomos nëpër disa komuna pat krijuar një kaos të paparë duke ngritur shifrat dhe përqindjet si në kohën më të mirë të komunizmit. Qytetarët deklaroheshin me 140% ,pro një partie apo lideri. Disa votonin me dhjetëra herë! Në disa qytete! Ishin kohë të arta, ato!

Eh! Nejse, ndoshta edhe nuk ”dalin” të gjithë, pasi opozita është këndellur pak, por një pjesë me siguri se do të përvidhen deri te kutitë e votimit për të votuar për linjën qeveritare. Ndoshta jam gabim, por kështu po shkruajnë mediat, duke përmendur edhe emrat e të vdekurve nëpër listat e votimit. Tashmë e dijmë se kur lëvizin listat e votuesve , apo kur nuk funksionojnë llampat detektuese, militantët e partisë dhe votuesit profesionist do të ndërmarrin turin e tyre nëpër Kosovë për të shpërndarë nëpër kutitë e votimit vullnetin e oligarkisë tonë të re! Pastaj do vijnë zëdhënësit e korporatave “multi” të infiltruar në organizmat ndërkombëtarë dhe do të i shpallin zgjedhjet historike. Se korporatat globale i përshtaten mentalitetit lokal. Pastaj qeveria ua shpërblen me kompromise! Ky është modeli i zgjedhjeve (para)historike!

Kur jemi te bazat e sistemit , m’u kujtua një shembull interesant, nga e kaluara. Ju kujtohet që dikur e blenit bukën njëkilogramshe që peshonte 1000 gram ? T’a dini, se tash kilogrami ndër ne peshon 500 gram! Ndër ne ka dështuar sistemi ndërkombëtarë i peshave. E kur lëvizë standardi, asgjë më nuk mund të matet realisht. Duhet me një qeverisje të ndershme, qytetare, me e rikthye standardin! Kjo, pa një ndërhyrje serioze ndërkombëtare, nuk rikthehet dot! Për këtë duhet edhe të rilindë vullneti i qytetarëve të këtij vendi të ri të marrun peng nga një grup oligarkësh të cilëve nuk u përshtaten standardet europiane. Ende po flejnë në një shtrat me krimin! Ende nuk janë ngi! Asgjë nuk mund të matet saktë në këtë vend i cili tashmë i ka harruar plagët e luftës dhe po përpëllitet në plagët e urbanizmit të shpejtuar dhe kaotik. Ashtu si është kaos në ndërtime aq më kaotike është gjendja në demokracinë tonë të kurdisur. Idealistët , nga pafuqia, janë bërë agresiv dhe po përpiqen të krijojnë një rregull dhe një orientim të qartë, ndërkohë që makiavelistet po bëjnë pazare, pazare dhe vetëm pazare. Vendore dhe ndërkombëtare.

Zgjedhjet e radhës me gjasë do të zhvillohen në mes idealistëve dhe të atyre që ndërtuan më shumë rrugë të cilat po prishen ende pa u promovue dhe banesa të cilat vështirë se ofrojnë siguri dhe ngrohtësi. Në mes përfituesve që (sh)përlanë miliona në infrastrukturë dhe atyre idealistëve që duan të krijojnë një rend në këtë kaos paraurban. Këto ditë stacionet e autobusve në kryeqytet, u gdhinë me harta të reja të linjave të kryeqytetit. Pas shumë kohësh për herë të parë vizuelisht, qytetarët arritën me e pa kuptimin e numrave që shohin në xhamat e autobusve të “lodhur” të kryeqytetit. Numrat 1,2,3,4,5 etj të shoqërur edhe me shkronja ose pa to fituan një hartë! Një parti politike, opozitare, e pa të arsyeshme që në vend të një fushate me fjalë të zhurmshme të provoj të ndihmoj qytetarët të orientohen në kaosin e një qyteti që ka gufë nga ndërtimet me leje e pa leje. E qytetarëve nuk u nevojitet veç një hartë me linjat e trafikut (ndër)urban! Ka konfuzion edhe në trafikun (inter)nacional! Urime, qytetarë të republikës! Zgjedhjet janë shpallur zyrtarisht, e partitë kanë filluar zhurmën parazgjedhore! Mos u lodhni! Nga ju pritet të jeni statist! Krejt punën e bëjnë militantët. Ata që paguhen apo i mban shpresa për ndonjë vend pune në kompanitë publike apo institucionet tona publiko/private ! Ata janë bërë agresiv jo vetëm në media por edhe nëpër lagje e madje edhe brenda të njëjtës familje. Kujdes! Kafshojnë!

E,kryeministri, njëherit edhe kryetari legjendar, e ka gjetur mënyrën e mirë se si me i rrënue kundërshtarët e vet në parti. Duke u premtuar nominime për kryetar komunash. Fotografohet me ta, pastaj, krejt papritmas emëron të tjerë. I ka kapë për ambicie, shefi. Kjo i bie sikur me i kapë për hunde. Kështu, kandidatët e rinjë/të vjetër sërish garojnë në Prizeren, Skenderaj, Gjilan, Viti etj ! Disa viktima të pehlivanllëqeve të kryetarit legjendarë të partisë më të fortë se vet Partia e Fortë, e lëshuan krejt PDK-në, e disa u rahatuan duke vuajtur në heshtje. Rikandidimi i kandidatëve të vjetër, qoftë nën hetime, qoftë nën arrest, tregon vetëm se opinioni dhe qytetari nuk vendosë asgjë në këtë vend. Krejt është nënë kontrollë. Përfshi edhe gjykatat, komisionet, pjesa më e madhe e mediave etj! Do të shkojë ngjashëm me zgjedhjet e kaluara, veqse kësaj radhe pritet të bëhen më pak gabime publike. Risia është se si duket, në mbrojtje të interesave të përbashkëta janë bërë edhe disa pazare, ku në disa komuna do të ndërrohen gjoja partitë, por grupet e interesit do të mbesin të njejta.

Në fund fare, të kuptohemi, se kandidatët janë veq figura në tabelën e shahut. Ata nuk e dijnë se si është parashikuar rezultati. Se sa kandidatët , ministra dhe zyrtarë të lartë aktual, besojnë në fitoren e tyre, tregon fakti se asnjeri nga ata nuk ka dhënë dorëheqje nga postet aktuale. Përpos Mimozës! E Mimoza….! Por, të lëmë edhe diçka për javën e ardhshme…! Po e ndërpresim kur ështëkurreshtja më e madhe! Se, zgjedhjet nuk veç janë film tashmë i shikuar. Janë serial , që përsëritet !