ARBEN KALLAMATA: SHQIPTARIA NUK I KA ASNJË BORXH FESË

Lexova te “Rrethi i Ferrit” shkrimin e Ledian Priftit “Shqiptaria dhe Feja” dhe u nxita të shkruaj disa shenime. Më duket se ky shkrim ka disa të problem serioze me të vërtetën dhe faktet.

Së pari, shqiptaria nuk i ka marrë ndonjëherë terren fesë dhe nuk ka krijuar asnjë boshllëk moral. Përkundrazi, përkatësia etnike, kombëtare për shqiptarët ka qënë gjithmonë tipar thelbesor identiteti. Feja dhe tipare të tjera kanë qënë të dorës së dytë. Si një komb me tre-katër-pesë fe, shqiptarët e kanë pasur të pamundur të identifikohen me fenë. Ky nuk është rast unikal (në botë ka shembuj të shumtë kombesh të përbëra nga popullsi të feve të ndryshme). Personalisht mendoj se ata shqiptarë që kanë qënë më tepër shqiptarë se fetarë, kanë qënë më të moralshëm se të tjerët që kanë qënë më tepër fetarë se sa shqiptarë, pavarësisht se kjo është temë e gjerë për t’u diskutuar.

Së dyti, askush nuk mund të thotë që feja ka monopolin e moralit – as feja e krishterë, as feja islamike, asnjë lloj feje. Njeriu fare mirë mund të jetë i moralshëm pa qënë nevoja të jetë fetar. Në fakt, kur shtetet perëndimore u futën në rrugën e shtetformimit demokratik, ata e bënë këtë duke u shkëputur shtetin nga feja dhe duke bërë të vetin nocionin bazë të laicizmit, ose shtetit “sekular”. Shteti më i madh demokratik i botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetet në kushtetutën e vet pikërisht te shkëputja e fesë nga shteti. E njëjta gjë ndodhi edhe në Britani – ku demokracia u vendos pasi monarkisë (kreut të fesë anglikane) iu hoq pushteti absolut dhe iu la një rol simbolik dhe protokollar. Po kjo ndodhi edhe në Francë, edhe në Gjermani, edhe në Itali, edhe në vendet Skandinave. Në këto vende vlerat morale janë relativisht të forta dhe të qëndrueshme, pa qënë nevoja që shteti dhe kombi të indentifikohet me fenë. Madje në France, në Gjermani, në vendet Skandinave, në Britani, etj, përqindja e njerëzve që besojnë është më e vogël se e atyre që nuk besojnë. Është qesharake që, në vend që të marrë në konsideratë këto shtete, artikullshkruesi sjell modelin e Serbisë dhe të Greqisë – dy vende që vërtet e kanë identifikuar kombin e shtetin me fenë, por edhe që nuk shquhen për vlera demokratike dhe morale. Ne s’kemi nevojë të marrim mësime morale nga Serbia, të cilën shovinizmi i diktuar nga nacionalizmi ortodoks e çoi në masakrat më të shëmtuara në Europën e shekullit të njëzetë pas holokaustit. Nuk kemi nevojë të marrim mësim as nga Greqia, ku për një periudhë të gjatë shteti fetar u identifikua me një diktaturë fashiste, ndërsa më vonë, qytetarët e këtij shteti fetar u shquan për evazion fiskal dhe për vlera të dyshimta morale që e çuan ekonominë e vendit të tyre drejt katastrofës.

Së treti, komunistët nuk zhdukën fenë – ata zhdukën fetë konvencionale (krishtërimin dhe islamin), të cilat i shihnin si rivale për pushtet, duke i zëvendësuar ato me një fe të re (komunizmin). Në shumë elementë të tij komunizmi operonte si fe në pushtet. Ashtu si fetë paraardhëse, ai predikonte disa vlera morale, shumë prej të cilave ishin te shtrembëra – ashtu siç janë edhe një pjesë e madhe e vlerave morale që predikojne fetë monoteiste.

Së katërti, askush nuk mund të thotë se bejlerët dhe skuta e puthadorësve që i shërbyen me devotshmëri Turqisë gjatë gjithë periudhës së pushtimit otoman ishin më të moralshëm se sa Rilindasit, që predikonin shqiptarinë si tipar më të përcaktues për shqiptarët se sa feja. Një pohim të tillë nuk mund ta thuash në asnjë formë, as në formën e sofistikuar që përpiqet ta thotë ky shkrim.

Se pesti, nuk mund të thuash që fetë monoteiste, ashtu sic ushtrohen sot në të gjithë botën, janë indiferente ndaj parasë. Përkundrazi, mënyra se si përhapet evangjelizmi dhe teleevangjelizmi në SHBA, pasuria e pamatë e Vatikanit dhe Katolicizmit, lidhja e ngushtë e qendrës së pushtetit të fesë islame (Arabisë Saudite) me paratë e naftës dhe pisllëqe të tjera, të gjitha të bindin se feja është një biznes i pastër (lexo “i ndyrë“) që ka për vlerë kryesore paranë, ndërsa virtutet e tjera i përdor si maskim ose si mjet për të arritur paranë. Ta konsiderosh fenë si të kundërtën morale të parasë është, në rastin më të mirë, naivitet dhe padituri.

Se gjashti, nacionalizmi shqiptar në Kosovë nuk është i identifikuar ndonjëherë me fenë islame. Serbët bëjnë përpjekje maksimale për ta identifikuar nacionalizmin shqiptar me fenë islame, por kjo nuk do të thotë se kjo është e vërtetë. Të theksosh se nacionalizmi shqiptar është identifikuar me fenë islame do të thotë të përsërisësh një parrullë propagandistike serbe.

Dhe së fundi një thënie nga Ludvig Fojerbah: “Kur morali mbështetet në teologji, kur e drejta vihet në vartësi të autoritetit hyjnor, atëherë gjërat më të pamoralshme, më të padrejta, më të turpshme mund të justifikohen dhe të zënë rrënjë. Në këtë rast morali i nënshtrohet arbitrarizmit pabazë të fesë.” Ledjan Prifti bën mirë t’i kërkojë gjetkë shkaqet e rënies morale të shoqërisë shqiptare. Ndoshta është mirë të rrëmojë te mendësia feudale dhe prapambetja në të cilën e la pushtimi otoman dhe islamizmi i tij; te shkatërrimi i mëtejshëm që i bëri edhe asaj pak ndjenje qytetarie që kishte mbetur komunizmi dhe enver hoxha, te paaftësia e politikanëve shqiptarë për të vendosur, krahas demokracisë edhe sundimin e ligjit the të rendit në Shqipëri, te korrupsioni i paparë i të gjithë shoqërisë shqiptare (jo vetëm i politikanëve dhe gjykatësve), te paaftësia për të bërë shtet dhe për të konceptuar mënyrën se si mund të bëhet shtet – por jo te një goditje imagjinare që i qënka bërë mbajtëses imagjinare të moralit – fesë.

Advertisements