GRID RROJI: MODELI I IMAZHIT: BERISHIZEM 2.0

Me fillimin e punës së qeverisë së re, është koha për të bërë një bilanc paraprak mbi veprimin politik të shumicës së dalë nga 23 Qershori. Në këtë pikëvështrim, gjykimi mbi risitë e mundshme është detyrimisht i kufizuar tek PS-ja jo vetëm sepse Rama është tashmë kryeministër, por edhe sepse për sa i përket pushtetit dhe LSI-së asgjë nuk ka ndryshuar.

Modeli i përqafuar nga kryeministri Rama duket se është ai i krijimit të një imazhi ndryshe, si nga ana foljore ashtu edhe nga ajo pamore. Ligjërata e tij e kultivuar politike, përzgjedhja e ministrave nga radhët e të rinjve besnikë të vet, dhe paraqitja e tyre si fytyra të reja e të paprovuara janë në koherencë me fushatën zgjedhore ku argumenti kryesor i Ramës ishte “na provoni edhe ne”. Nuk mund të mohohet se përtej batutave kërcënuese të panevojshme, ligjërimi publik i kryeministrit Rama është modern, me ngjyra europiane dhe më e rëndësishmja imazhi që projektohet është i sendërtuar profesionalisht në të gjitha hallkat.

Mirëpo, e ashtuquajtura Rilindje nuk mund të ndërtohet vetëm me penelatat mediatike të ekipit të piarit. Ana e imazhit, ndonëse me rëndësi të pamohueshme në politikë, nuk mund të zëvendësojë thelbin e veprimit politik. E pikërisht veprimi politik i shumicës së re qeverisëse duket se nuk ka dallime thelbësore nga paraardhësit e palës tjetër të parisë. Thënë thjesht, shumica e re është e shqetësuar për pushtetin dhe jo për shtetin.

Një nga shembujt më domethënës ishte fotoja e publikuar nga mediat e ministrit të ri Erion Veliaj duke dërguar një fëmijë rom në spitalin ushtarak. Pa e paragjykuar aspak dhembshurinë e ministrit fotozhenik, nuk kishte asnjë arsye për të publikuar një foto të tillë sidomos kur Veliaj ende nuk ka mundur të bëjë asgjë për atë shtresë. Shpresoj që kur të ketë patur kohën e mjaftueshme për të bërë diçka, ministri t’a ketë justifikuar mbulimin pozitiv mediatik, si dhe të ndërgjegjësohet që një veprim vërtet i dembshur shpeshherë imponon heshje dhe anonimitet. Publikimi i menjëhershëm i fotos për të ngritur profilin e ministrit të ri është shfrytëzim tipik i modelit të imazhit për përfitim politik, por nuk sjell asnjë risi thelbësore në politikëbërje. Ndoshta qeveria do kishte përftuar një imazh shumë më pozitiv nëse do kishte denoncuar në prokurori për shkelje ligji mjekun, shefin e pavjonit dhe drejtorin e spitalit.

Më tej, programi qeverisës i paraqitur në Kuvend dhe Kodi i Etikës së Ministrave janë përkthime konceptualisht të dobta e me kundërshti të brendshme nga homologët britanikë. Në qoftë se do të gjykonim thjesht nga këto dy dokumente, kryeministri Rama nuk ka kurrfarë qëllimi për të ndërtuar shtet, por ka ndër mend të shfrytëzojë pushtetin për të gjeneruar një imazh të ri, i cili t’i garantojë rizgjedhjen pas katër vjetësh. Përdorimi i fjalëve “ristrukturim” apo “reformë” kodifikon qëllimin për ndryshime masive në administratën publike, por nuk garanton aspak se këto ndryshime do të bëhen në bazë të ligjit. Përkundrazi, sipas njoftimeve në media nxitimi për të ristrukturuar të gjitha ministritë përpara 15 Tetorit ka lidhje me faktin se në atë kohë hyn në fuqi ligji i ri që garanton të drejtat e punonjësve të administratës. Nuk ka dyshim që pjesë të caktuara të administratës janë të mbushura me militantë partiakë, por ajo që nuk po dëgjojmë nga qeveritarët e rinj është se zëvendësimi i tyre nuk do të bëhet me militantë të palës tjetër. Mënyrat për t’a zgjidhur çështjen janë të ditura botërisht pra ajo që mungon është vullneti politik për të ndërtuar një shtet legjitim. Një tjetër shembull i mungesës së qartësisë ideologjike është mungesa e elementëve thelbësorë të shtetndërtimit. Askund në program nuk përmenden koncepte themelore të shtetit si sovraniteti, fuqizimi dhe modernizimi i ushtrisë shqiptare, përafrimi dhe bashkëpunimi me Kosovën dhe faktorin shqiptar në Maqedoni për të krijuar një agjende mbarëshqiptare, apo edhe krijimi i një modeli të ri ekonomik kombëtar. Përkundrazi, synimi kryesor i qeverisë së re është i njëjtë me atë të 2009-s, integrimi europian.

Më tej, në fjalën e tij të parë si kryeministër, Rama nuk zgjodhi të bëhet palë me popullin e t’ja thotë të vërtetën e batakut ku ndodhemi haptaz e qartë. Në fjalimin e tij elokuent në Kuvend, Rama shprehu shumë koncepte të përgjithshme jo koherente idelogjikisht,por nuk përshkroi qartë situatën dhe nuk dha zgjidhje konkrete për problemet për të cilat tashmë duhet të jetë në dijeni të plotë. Duke marrë parasysh se pozitat dhe ndikimi i LSI-së në qeverisje është shumëfishuar, mungesa e qartësisë nga Rama nuk le shumë vend për të shpresuar se qeverisja e re do të sillet ndryshe ndaj shqiptarëve nga ato të kaluarat.

Ky model i përqafuar nga Rama nuk është i ri, ka qenë në bazë të veprimit të tij politik si kryebashkiak i Tiranës, dhe mund të përkufizohet berishizëm 2.0, ose më saktë vazhdimësia e kapjes së shtetit me petka të reja e moderne. Ndonëse do jetë e vështirë të tejkalojë zullumet e paraardhësve, ky model nuk ofron shpresë për ndërtimin e shtetit kombëtar, pa të cilin nuk kemi shanse të dalim nga humnera politike, morale dhe ekonomike në të cilën jemi zhytur.

Ky lloj modeli bëhet edhe më i dëmshëm në kushtet kur qeverisë i mungon një opozitë e mirëfilltë. Klithmat luftarake të Partisë së SaLulit nuk kanë qëllim bërjen e një opozite që t’a mbajë qeverinë nën trysni pozitive për të mirën publike, por thjesht mbrojtjen e interesave të Sali Berishës dhe rrethit të tij familjar. Lufta në parlament do bëhet për të mbrojtur interesa të cilat janë kryekëput në kundërshtim me vendosjen e një rendi të konsoliduar shtetëror.

Njëherazi, kjo lloj sjelljeje sipërfaqësore e qeverisë së re, nuk e justifikon besimin e atyre që kërkuan ndryshim më 23 Qeshor. Përtej militantëve që po tregtojnë këto ditë punësim dhe favore, një masë e madhe shqiptarësh që votuan për mazhorancën e re, por edhe shumë që nuk e votuan atë, presin sinjalet e duhura për të rivendosur autoritetin e shtetit. Kryeministri Rama duhet të ndërgjegjësohet se opozita e vërtetë nuk do jetë Sali Berisha dhe partia e SaLulit. Opozita e vërtetë do të jenë të rinjtë e të rejat e nismës Vota e Bardhë, studentët në grevë të Ekonomikut, intelektualët e rinj brenda dhe jashtë Shqipërisë që po guxojnë të thonë të vërtetën dhe shqiptarët e papërlyer kudo që gjenden. Ata presin jo vetëm që të ndëshkohen abuzuesit që kanë lidhje me pushtetin e Berishës, por që ligji të sundojë mbi të gjithë dhe gjithshka. Ata presin që shteti të ndalojë monopolet e naftës por edhe monopolin e hekurit, të dënojë trafikantët e Lazaratit e Shijakut por edhe ata të Fierit e Vlorës, të njohë të barabartë përpara ligjit Shkëlzenin dhe Argitën por edhe Ledjon, Koçon dhe përfaqësuesit e klanit të arkitektëve që betonuan Tiranën. Ata presin të ndëshkohen manipuluesit e zgjedhjeve, çunat e Palokës në Mamurras por edhe garibat e Ben Ndokës në Lezhë, të skeduarit e Olldashit në Fier por edhe bandat e Tomës dhe Ben Çelës në Shkodër. Ata presin që të ndëshkohen të gjithë ish ministrat demokratë që kanë llogari bankare jashtë Shqipërisë, por edhe ministrat e deputetët aktualë socialistë, të cilët kanë vite që mbajnë standarte luksi me paratë e vjedhura nga shqiptarët. Dosjet e tyre nuk ka nevojë të ndërtohen nga e para, mjafton të konsultohen me partnerët e huaj. Ata presin që kryeministri i ri t’u thotë miliarderëve të pasuruar në kurriz të shqiptarëve pa asnjë lloj kriteri e rregulli se tanimë duhet të paguajnë për të ringritur shtetin gjysëm të falimentuar. Koha nuk pret.

Mbi të gjitha, sfida e Ramës është që shteti shqiptar të mos jetë më instrument pushteti i klaneve të parisë apo edhe i atij grupit të padukshëm por të kudogjendshëm që i kontrollon fijet nga nëntoka e politikës. Sfida e qeverisë së re është që të ndërtojë një shtet të shqiptarëve e jo një shtet privat të klaneve të jeniçerëve të veshur me piar anglez.

Që ta bëjë këtë, z. Rama duhet të ketë kurajon të vendosë në peshore të kaluarën dhe të ardhmen e vet politike. Atij i duhet të zbatojë deri në fund ligjin, qoftë edhe duke rrezikuar rizgjedhjen e vet, por mbi të gjitha duke dalë nga gjirizet e parisë në të cilat ka notuar deri tani. E përsëris, ai nuk duhet t’u druhet kërcënimeve të partisë së SaLulit, por reagimit të pjesës së shëndoshë të shoqërisë shqiptare e cila nuk dëshiron të presë më për të ndërtuar shtetin. Ai duhet të zgjedhë midis parisë dhe shqiptarëve.

Mirëpo, në këto fillime qeverisëse, z. Rama po na tregon fatkeqësisht se e ashtuquajtura Rilindje nuk kishte synim ndërtimin e shtetit por konsolidimin e pushtetit në duart e klaneve të jeniçerëve, martallozëve dhe bashibozukëve, mbështetjen e të cilëve ai e ka tanimë. Ndaj edhe gjykoj se qeveria e re po na servir një model më të sofistikuar të berishizmit, berishizmin 2.0.

Advertisements