ARBENC PROKOPI: KOMPLOTET, HIJET DHE E VËRTETA

Debati i hapur kohët e fundit mbi ekzistencën e një strategjie të përdorur nga regjimi komunist për të ruajtur pushtetin duke ndërruar formën por jo substancën e regjimit ka gjeneruar reagime të ashpra në shumë nivele.

Denigruesit e kësaj teze, shpeshherë të mbuluar nga hija e anonimitetit, e quajnë debatin të bazuar mbi një premisë të rreme sepse sipas tyre faktet që disponojmë nuk n’a lejojnë të dalim në atë konkluzion. Përkundrazi, thonë kundërshtarët e tezës së parisë, kjo nuk mund të jetë veçse një teori komploti e cila bazohet në një vizion të realitetit ku mbizotëron prapaskena si factotum gjithëshpjegues i fenomeneve të kaluara dhe të ardhshme. Më tej, kushdo që nuk pranon tezën e mohuesve të parisë,  shfaq tendenca të psikopatologjisë ose thjesht përdor në mënyrë shumë cinike teknikat e thjeshtimit të realitetit për konsum të përditshëm. Arsyet që i shtyjnë propozuesit e konceptit të parisë të veprojnë kësisoj janë sipas mohuesve ose qetësimi i shpirtit të tyre, ose injoranca, ose plogështia  intelektuale, ose delegjitimi i sistemit aktual me qëllime përfitimi vetjak.

Në këtë pikëvështrim,  debati është shndërruar vetiu nga një debat intelektual mbi një sistem politik, në një debat epistemologjik, i nyjëtuar mbi besueshmërinë (ose mungesën e saj)e kundërshtarit ideologjik të mohuesve.

Ndonëse tejet e diskutueshme nga pikëpamja etike dhe e bërë me tone qartësisht politike, kjo lloj qasje i hap rrugën një ballafaqimi konkret, të bazuar në faktet që disponojmë në mënyrë të pakundërshtueshme dhe interpretimet që mund të nxjerrim prej tyre. Gjithashtu, me vazhdimin e këtij debati bëhet i mundur identifikimi i disa fakteve që ose lihen jashtë argumentit ose keqinterpretohen për t’i shërbyer qëllimit të mohimit të ekzistencës së parisë. Kjo përpjekje intelektuale për fakte të njohura për publikun bëhet e domosdoshme në kushtet kur objekti i diskutimit nuk është më një interpretim i caktuar i realitetit, por aftësia e palëve diskutuese për t’a përftuar dhe argumentuar atë.

Shumica e zërave që protestuan me forcë  kundër konceptit të parisë e sulmuan konceptin herët dhe shpesh. Historiani i Europës Lindore Elidor Mëhilli argumentonte se në Shqipëri mungon një kulturë historike profesionale dhe se ekzistenca e një pakti të tillë të gjithë vendeve të Lindjes do kishte gjeneruar shumë më tepër interes në qarqe profesionale perëndimore. Gjuhëtari Ardian Vehbiu denonconte gjuhën e parregullt të dokumentit, dhe dilte në konkluzionin se një dokument i tillë nuk mund të kishte dalë nga dora e elitës komuniste e cila ishte shumë e kujdesshme.

Të tjerë komentues i janë avitur çështjes në mënyrë denigratore, ose duke sulmuar propozuesin e argumentit ose duke i bërë analiza psikologjike në mungesë debatuesve të cilët nuk pranonin tezën e tyre. Madje, ata shtyhen edhe më tej duke ja veshur këto karakteristika të deformuara gjithë shoqërisë shqiptare. Sigurisht që pika mbyllëse e rrethit nuk mund të mos ishte dhënia e shpjegimit për këtë patologji kombëtare (“nevoja për të besuar teori konspirative” e quanin tanët) me anë të fenomeneve anomike, pasigurisë, kaosit informativ dhe kolapsit ideologjik.

Ndërsa e gjitha tingëllon e argumentuar me kujdes, ajo që i bie në sy vëzhguesit të vëmendshëm është se ky është një argument i stisur.  Së pari, autorët kërkojnë të provojnë mosekzistencën e një fakti me anë të mungesës së provave. Me këtë lloj qasjeje për shembull ish presidenti Iranian Ahmadinexhad dhe mijëra ekstremistë të të gjitha llojeve mohojnë Holokaustin. Së dyti, autorët kategorizojnë debatuesit si intelektualisht të papërshtatshëm, sulmojnë motivet e tyre duke i quajtur cinikë e kërkues përfitimesh.

Mirëpo, arsyetimi i tyre ngec sepse ata nuk munden të mos konstatojnë se ekzistenca e parisë që ata mohojnë, përbën fakt për një shumicë shqiptarësh. E këtu merr udhë faza e tretë. Për t’a bërë argumentin e tyre të shitshëm u duhet që patologjinë t’ja veshin gjithë popullit shqiptar, i cili nuk i ka kapacitetet e duhura për t’a kuptuar lojën djallëzore të “intelektualëve të plogësht”. Filozofi Australian Xhejmi Uajt e quan këtë lloj argumenti turbullim të fakteve me anë të stivosjes. Mirëpo, sido dhe sado t’i stivosësh logjika që përcjell argumenti çalon.

Duke mos dashur të bie në të njëjtin batak me disa nga autorët e kompleksuar që mëtojnë të bëjnë analiza psikanalitike do të kufizohem duke cituar disa fakte të pranuara gjerësisht edhe nga vetë mohuesit e parisë. Këto fakte janë problematike dhe të pashpjegueshme bazuar në logjikën e tyre.

Vështirësia e parë logjike që hasin mohuesit e parisë është se insinuatat e Servet Pellumbit nuk mund të quhen trillime apriori. Vetë Pëllumbi është një njëri i brendshëm i regjimit komunist dhe ka paraqitur një copë letër të cilës nuk ja dimë sotpërsot origjinën.  Mohuesit gjinden përpara të njejtës vështirësi si edhe denoncuesit e parisë, mungesën e provave dokumentore. Askush nuk kërkon që të provohet mungesa e një strategjie me anë të dokumentave, por në parim mungesa e dokumentave nuk është provë e mjaftueshme për t’a mohuar ekzistencën e një strategjie. Aq më tepër që strategji të tilla janë zbuluar në vende të tjera të Lindjes.  Nuk e ndihmon argumentin as analiza e gjuhës së përdorur, sepse dokumenti mund të jetë një përshkrim i mëpasëm i mbledhjes, gjë që edhe kjo nuk arrin në cilësinë e provës mohuese. Përkundrazi, analiza gjuhësore bëhet disi qesharake kur ngulmohet se është relevante.

Problemi i dytë me faktet që kanë mohuesit e parisë është besueshmëria e Pëllumbit. Fatos Nano si skile e vjetër u përpoq t’a minonte atë me anë të një batute, ndërsa Berisha i mbajti ison Nanos me një batutë shumë më pak efikase, pikërisht sepse e bazuar në një konstrukt ideologjik të stërpërdorur nga ai më parë. Nëse Servet Pëllumbi ishte i besueshëm për t’a shndërruar nga profesor të Marksizmit dhe Materializmit Dialektik në “ideologu i të majtës” duket jashtë realitetit që ai të ketë rrjedhur pikërisht tani. Asnjëri nga mohuesit nuk u përball me besueshmërinë e tij dhe jam i bindur që kanë patur arsyet e tyre.

Vështirësia e tretë faktuale që hasin mohuesit  e parisë është reagimi apo mosreagimi nga shumë anë të vetë socialistëve ndaj deklaratave të Pëllumbit. Ish drejtori i shërbimeve sekrete Fatos Klosi e konfirmoi tezën e Pëllumbit duke i mohuar efikasitetin,  por shumë më qartë flet heshtja e shumë të tjerëve. Personazhe me peshë në PS si Blushi, Braçe, Majko, Dade, apo qoftë edhe Gramoz Ruç i preferuan që me këto andrralla të merren ushtarët e gjeneral Ramës. Nëse premisa e mohuesve se ata që e shtyjnë këtë tezë kërkojnë delegjitimimin e sistemit qëndron, do të kishte shumë arsye që reagimi të ishte i egër. Sigurisht që një shpjegim alternativ është se këta nuk kanë arsye të flasin sepse kanë ende fishekë për të përdorur. Njëri nga këta fishekë mund të përkojë edhe me delegjitimimin e denoncuesve. Shumëkush e quante Sokratin të marrë, dhe në fund e sakrifikuan për të kënaqur turmën.

Vështirësia e katërt me të cilën përballen  mohuesit është se realiteti i sotëm shqiptar duket i krijuar enkas për të provuar vërtetësinë e “teorisë së komplotit” të  ekzistencës së parisë. Pushteti ekonomik është ndarë me kujdes, pushteti politik i nënshtrohet një rotacioni ciklik që i lejon të gjitha palët të shfrytëzojnë pushtetin për të vjedhur publiken për një periudhë të caktuar, ndërsa shoqëria civile nuk është e denjë për t’a mbajtur atë emër për shkak se është tërësisht e varur nga klanet e politikës. Kushdo që e njeh sadopak realitetin shqiptar është i ndërgjegjshëm se shpjegimi shoqëror me anë të konceptit të parisë përkon me shumicën e realiteteve me të cilat përballen shqiptarët.

Paradoksalisht ky është një konstatim edhe i mohuesve të parisë, të cilët siç  e shpjeguam më lart e kanë gjetur fajtorin  e madh: popullin shqiptar. Mirëpo, ky lloj argumentimi nuk ka fuqi shpjeguese sepse nuk bazohet në ndonjë hulumtim. Përkundrazi, shpjegimi që fajin e kanë shqiptarët bazohet tek konstatimi se fajin e kanë shqiptarët.

Një tjetër shembull i paradoksalitetit të mohuesve janë lidhjet klanore. Teoria e parisë ka si premisë klanizimin e shoqërisë shqiptare në bazë të farefisnisë dhe lidhjeve martesore. Të konsoliduara për disa breza, këto lidhje janë tashmë të pashkëputshme dhe dominojnë kontekstin shoqëror. A i përgjigjet realiteti këtij konstatimi? Një këqyrje e thjeshtë tregon se po. Mohuesit nuk kanë luksin të mohojnë se në parlamentin shqiptar ka patur gjatë gjithë tranzicionit të paktën disa dhjetra anëtarë të familjeve të mëdha të regjimit komunist. Dhëndrri i një anëtari byroje është sot ministër, e madje edhe njëri nga mohuesit e parisë ka lidhje të afërt farefisnie me kokën e kupolës komuniste.  Më tej, interesat ekonomike janë ndarë në fillim dhe megjithë rrathët e “fillimeve të reja” apo “duarve të pastra” askush nuk i ka prekur ato. Po t’i shtojmë këtu dominimin e shoqërisë civile nga bashkëshortë e bashkëshorte, kunetër e dhendurrë të politikës  nuk mbetet hallkë e pushtetit ku këto “koincidenca” të mos jenë lehtësisht të verifikueshme. Këto janë fakte që vështirësisht se mund të shpjegohen në mungesë të një strukture të organizuar. Dhe mohuesit e parisë nuk janë munduar derimësot të na japin shpjegim alternativ.

Ka edhe një problem të pestë, i cili është i destinuar t’i mundojë propozuesit e tezës së mohimit të parisë. Në qoftë se e gjitha kjo është një teori konspirative pse duhet të përpiqen këta intelektualë të nderuar për t’a delegjitimuar atë? Nuk është se shumica e mediave apo organeve të informacionit është dashamirëse ndaj propozuesve të konceptit të parisë. Idetë e propozuesve të konceptit nuk gjejnë shumë dritë apo mbështetje as ndër intelektualët e pavarur të parisë. Përkundrazi, propaganda zyrtare vazhdon punën pa ndalesë duke na njohur me personazhet e radhës së Big Bradherit dhe me vendet ekzotike ku i kalojnë pushimet politikanët (ndryshe të njohur edhe si VIPa). Përse ky insistim për të delegjitimuar disa ide të cilat duhet punë për t’i gjetur në rrjet?

Në qoftë se mohuesit e parisë i mundon e vërteta, a mundet në sensin epistemologjik të thuhen veç  pjesë të saj pa i mohuar tërësisë thelbin? Thënë ndryshe, pse nuk guxojnë intelektualët tanë të pavarur të denoncojnë luftën e egër të klaneve që po shfaqet përditë e më tepër në skenën tonë politike? Ku është kontributi i tyre për të denoncuar zvetënimin e skajshëm të politikës që shfrytëzon romët për foto-ope për t’i hequr me makina policie në pesë të mëngjesit, e gjitha duke na e shitur si shërbim publik. Ku janë dashnorët e të vërtetës kur duhet theksuar se ka njëzetetre vjet që qeveritarët e të gjitha ngjyrave po na vdesin pak nga pak si komb duke na kthyer në kafshë cirku për Europën? Pse denjojnë e ndyjnë duart me paratë e oligarkëve duke shkruar për honorare nëpër gazetat e tyre,  të cilat nuk paguajnë gazetarët? Cila është e vërteta që përçon heshtja e tyre për këto probleme?

Këto pyetje mundojnë shumëkënd sot në kontekstin shqiptar dhe do të duhet të ishin baza fillestare e një shpjegimi socio-politik mbi gjendjen e shoqërisë shqiptare. Mirëpo, në mungesë të këtyre reagimeve ofshamat e mohuesve të parisë për teori komploti ngjajnë shumë me përpëlitjet e atyre që kërkojnë t’i konsiderojnë të ditur pa kryer më parë detyrimet ndaj bashkësisë. Në qoftë se nuk janë të kapur nga interesa të ngushta, do të ishte me interes të njiheshim me teoritë e tyre alternative të cilat shpjegojnë fenomenet e përshkruara më sipër e shumë deformime të tjera nën të cilat lëngon sot shoqëria shqiptare. Në mungesë, druaj se nuk do t’i ikin dot boshësisë së argumentimit për hir të argumentimit që në gjuhën popullore quhet rruga drejt hiçit.

Cila është e vërteta e tranzicionit shqiptar dhe a mundemi t’a përftojmë atë duke u bazuar në faktet që disponojmë sot? Përgjigja ime është se jemi të detyruar të përpiqemi t’a gjejmë për shkak se gjendja është aq e rëndë sa rrezikojmë që një diskutim i tillë të mos ketë më vlerë disa kohë më vonë. Më tej, si studiues të shkencave shoqërore detyra jonë  është të gjejmë shpjegime logjike për fenomenet e jetës së përditshme. Me fjalë të tjera, përpjekja jonë e vazhdueshme është që t’ja aplikojmë konceptet që përftohen teorikisht realitetit ku jetojmë. Në këtë sens, kjo është një përpjekje e vazhdueshme, jo perfekte, dhe nuk na jep luksin e fundësisë. Më anë tjetër, përpjekja e vazhdueshme për të gjetur dhe shprehur të vërtetën është raison d’etre e intelektualit.

Mirëpo, një përpjekje e tillë  në kontekstin shqiptar do të na çonte në gjykimin tim drejt një qasje e cila domosdoshmërisht e gjen pikënisjen tek koncepti i parisë. Të gjitha faktet objektive dhe të gjithë të dhënat të cilat mund t’i përftojmë sotpërsot të çojnë në këtë përfundim.

Këto lloj konceptesh, ndër të cilat përfshihet demokracia, oligarkia apo edhe të drejtat e njeriut do të mbeten gjithmonë të debatueshme në qarqe intelektuale, por e vërteta në kontekste të mirëpërcaktuara nuk varet domosdoshmërisht nga nuancat përkufizimore të tyre. Për shembull, teoristi Xhon Dan i Shkollës së Kejmbrixhit mendon se demokracia është një koncept i paqëndrueshëm logjikisht, por kjo nuk e pengon të jetë mbështetës i palëkundur i saj. Shkencat shoqërore të shkëputura nga realiteti i përftueshëm shndërrohen në pseudoshkencë e në rastin më të keq në propagandë.

Ndaj, teza që shtrojnë mohuesit e parisë është e pavlerë pikërisht sepse injoron ose nuk shqyrton realitete të përftuara qartë nga shumëkush. Madje, shumëkujt kjo logjikë Panglosiane i duket qesharake, sidomos kur ngulmohet në justifikimin e saj me të gjitha mjetet. Arsyet e kësaj sjelljeje nuk janë objekt i këtij shkrimi, por mjafton të thuhet se vrazhdësia dhe mungesa tërësore e etikës që i ka karakterizuar disa nga mohuesit ngjall dyshimin se ndoshta nuk i kanë duart e lira. Një intelektual që shkruan për të siguruar mbijetesën ka humbur arsyen e vërtetë të qenies së vet.

Për t’a mbyllur, koncepti i parisë është një nga risitë më të diskutuara këto kohë në qarqet akademike dhe mediatike shqiptare. Megjithëse shpeshherë dënohet me heshtje, përditë e më tepër ky argument po irriton drejtuesit e parisë së Tiranës.  Fakti që një grup intelektualësh me prejardhje të përbashkët, lidhje miqësore dhe familjare me parinë kërkon me çdo kusht t’a delegjitimojë është shenjë e mirë për propozuesit. Gjithsesi, angazhimi kaq aktiv në këtë debat ka krijuar një pasojë pozitive. Tashmë një pjesë më e madhe e opinionit është njohur me konceptin, dhe në gjykimin tim ky është një fenomen pozitiv.

MIZA NËN KËSULE: PARIA E TIRANËS DHE STRUKTURAT QË MBIJETUAN

Gjatë këtij tranzicioni ka shumë pyetje që nuk kanë marrë përgjigje. Më kryesorja është se a ka pasur PPSH dhe strukturat e saj një plan për periudhën e tranzicionit? Për shqiptarët, të cilëve cdo e mirë dhe e keqe iu vjen nga jashtë, e asnjëherë nga brenda, duhej të kishte një plan të paramenduar mirë.  Viktimizimi është një dukuri rutinë. Lënia e përgjegjësisë ndërkombëtarëve dhe historisë është po ashtu një teknikë e njohur për të mbuluar djallëzitë dhe dështimet. Plani që kanë parë në shtyp quhet Katovicë dhe numërohet si platform e Gorbacovit e paraqitur në mbledhjen sekrete te udheheqësve të kampit lindor. Dalja e Servet Pëllumbit në television ka ngritur shumë pluhur. Duke e nxjerrë materialin z. Pëllumbi akuzoi udhëheqësit e dy palëve, Fatos Nanon dhe Sali Berishën si vegla të sistemit të vjetër dhe zbatues të detyrave të caktuara nga udhëheqja e atëhershme. Tani kanë hyrë në lojë edhe Fatos Klosi e të tjerë.   Po ashtu janë shprehur edhe Grid Rroji, më nje shkrim që i vë pikat mbi ‘i’, Ardian Vehbiu që e vë në pikëpyetje qënësinë e një dokumenti të tillë duke u mbështetur në një analizë gjuhësore, e me radhë. ndër të tjerët edhe Arben Kallamata si dhe unë. Replikat dhe debati nuk duket se janë shterruese, por edhe nuk duket se do të ndalen lehtë. Problemi shkon në zemër të legjimititetit të kësaj parie që na sundon.  Prandaj, në vijim, në një shkrim të sotshëm në një gazetë, me profesionalizëm të respektuar, një koleg thote se nuk gjen evidence se ka pasur një mbledhje të tillë, apo një plan për të ndryshuar sistemin dhe e sheh si një teori konspirative të dikujt që kërkon që përgjegjësinë për dështimin e tranzicionit t’ua lerë në derë të huajve si dhe si një shprehje të batakut intelektual shqiptar. Pajtohem me konstatimin e tij se kjo që ndodhi gjatë ndrrimit të sistemit, e që nuk ka përfunduar ishte zgjatim i atij sistemi. Po ashtu, thirrja e tij që të ruajmë arkivat e të punojmë me arkivat është shumë e vyeshme dhe të shpresojmë se do të ruhen ato që kanë mbetur.

Mirëpo, jo e gjithë e vërteta është në arkiva dhe nuk mund të presim për arkivat që të merret vesh e vërteta. Plani Katovica dhe teoritë konspirative që kanë qarkulluar me kohë janë për t’u injoruar sepse nuk fillon aty baza historike apo e vërteta. Në fakt, duke u marrë me emra vendesh si ky mbulohet e vërteta dhe pikërisht për këtë vënie në spikatje të këtij aspekti shkrimi i kolegut ka vlerë të madhe Por, në të njëjtën kohë, arkivat janë njerëzit e gjallë. Ata e dinë të vërtetën, edhe më mirë se sa arkivat. Prandaj, duke u nisur nga ajo që është ditur e parathënë, duke analizuar këtë që ka ndodhur gjatë tranzicionit, duke rishikuar sjelljen e politikanëve të caktuar, dinamikat e klaneve politike e me radhë, nuk duhen edhe aq shumë arkivat. Arkivat të ndohmojnë të ndërtosh një realitet në të cilin nuk ke jetuar. Një historian bën mirë që të gërmojë në arkiva. Mirëpo realiteti në të cilin kemi jetuar e funksionuar të gjithë, si gjatë tranzicionit, por edhe më parë si pjesë e strukturave dhe e shoqërisë shqiptare është historia e vërtetë. Aq më shumë kur disa prej nesh këmi qënë edhe në dijeni si të planeve ashtu edhe të njerëzve, të qëllimeve, dhe të efektivitetit të strukturave. Nuk besoj se kjo do të gjendet në arkiva. Kurt ë gjendet nuk do të na hyjë fare në punë, as për të kuptuar se cfarë ka ndodhur me ne.

Prandaj mendoj se komenti që i bie në shenjë problemit është shkrimi i kolegut Grid Rroji, Paria e Katovicës. Në këtë shkrim, Rroji me të drejtë vë në dukje se pavarësisht nga ka ardhur platforma, këta që dolën në krye të shtetit shqiptar e zbatuan pikë për pikë një platform që pati këto pasoja dramatike e tragjike për shqiptarët. Këtu duhen sqaruar të paktën pesë aspekte të këtij problem. Kushdo që është i interesuar, trajtimin e zgjeruar të këtij problemi e gjen në dy librat e mi, Probleme Politike Shqiptare dhe Perrallat e Tranzicionit Shqiptar. Megjithatë ia vlen që të vihen ën dukje këto pese aspektet që përmenda më lart dhe natyrisht që do të shtohen të tjera kur të krijohet mundësia dhe nevoja. Kjo nuk e shmang nevojën e trajtimit shkencor të problemit, mirëpo duke qënë ujqit gjallë, nuk kemi pse e kërkojmë gjurmën e tyre në arkiva. Sepse Mafia, për shembull nuk ka arkiva. Kjo nuk do të thotë se Mafia nuk ka platform apo që nuk I ndjek me konseguencë e me metodë qëllimet e saj.

A KA PASUR PLATFORMË?

Natyrisht që ka pasur jo një por disa platforma. Platforma më e njohur/epanjohur për ndryshimin e sistemit dhe gjendjen e stanjacionit në sistemin lindor është ajo e Andropovit. Mirëpo Andropovi vdiq shpejt. Ka pasur gjithashtu dokumente, platforma struktura si nga sovjetikët ashtu edhe nga të tjerët. Për shenbull, platforma tjetër që ia vlen të përmendet është platforma e NKVD/GPU lidhur me rezistencën në tokat e pushtuara. Apo ajo platform që nuk ekziston që thotë se do ta lënë agjenturën e tyre në vendet lindore. Sepse, herë pas here kapen ca tipa që nuk dihet nga dalin por që punojnë ende për strukturat e tyre. Mirëpo, shkurt, duke nxjerrë mësime nga LIIB, sovjetikët ndërtuan struktura paralele të partisë dhe të shërbimeve në të gjitha nivelet e shoqërisë. Ashtu si ekzistonin listat për të zhdukur njerëzit ashtu ekzistonin edhe ata që do ti zhduknin e që do të vazhdonin luftën guerrile. Me sa më kujtohet, nga bisedat në kohët e vjetra, tek ne ka pasur një platforme të vitit 1953, një tjetër të rishikuar me urgjencë në nentor/dhjetor të vitit 1968, një tjetër të vitit 1976 dhe me atë të rishikuarën në vitin 1983. Njerëzit që shkonin në shkollat e instruksionit për oficerë shkonin edhe në kurse në Pukë apo diku tjetër. Që ka pasur njerëz që i kanë ndjekur këto punë, edhe pse ishim nja tre hapa mbas të tjerëve ka pasur. Ja, për shembull, Sofokli Lazri shkonte në Ceki e Bullgari për të nxjerrë mësime. Intelektualët filluan të bëhen të “shquar” dhe të botonin shkrime disidente tek Zëri i Popullit. Delegacionet e arumunëve shkuan në Rumani për të nxjerrë mësime. Minoritarët e kushërinjtë e tyre shkuan në Greqi. Mërgata filloi të vinte për vizita në Tiranë. Gratë ruse filluan të shkruanin letra. Të huajt po ashtu filluan vinin e të na japin mend. Kontaktet u shtuan në të gjitha nivelet. Këto punë nuk bëheshin pa platformë. A quhet Katovicë, Bërdicë, Drashovicë, Kamenicë, kush po pyet? Kur ecën si Gjel Deti, lëshon zë si gjel deti, dukesh si gjel deti, dhe han gështenja (sepse arrat i kemi prerë e kercujte i kemi shitur ne Itali) si gjel deti, je gjel deti. Edhe po ta vunë emrin Parti Demokratike, Parti Socialiste apo Parti Republikane me flatra noliane, je gjel deti. Ai shteti që kishim ishte shtet që punonte me metode dhe shumë i sofistikuar. Janë bërë mbledhje të regjistruara e e që gjenden në arkiva, por edhe ka biseda e takime, mbledhje e sqarime që nuk besoj se gjenden më aq lehtë.

PSE NUK FLASIN NJERËZIT?

Po kush të flasë??? Këta janë të gjithë të lidhur me një ushkur të padukshëm bashkë. Ndoshta do të duhej ta ilustroja me një histori. Dy punëtorë e urrenin njëri-tjetrin. Mirëpo pronari iu jep të dyve, gabimisht nga një muaj rrogë më tepër. Këta rrihen për gjithcka por atë rrogën nuk e zë njëri në gojë. Ose me e thanë ndryshe, kur i sheh qentë që zihen për kocka, mendon se të gjithë do të ngordhin. Ata zihen për kocka por janë vëllezër. Prandaj edhe nuk flasin. Sepse atëherë do të duhej që të dalin e të tregonin pse duhej të ndodhnin këto krime të llahtarshme. PSe duhej të shkatërrohej ekonomia, pasuria kombëtare, vlerat morale, pse duhej të dëboheshin nga vendi një million e gjysëm shqiptarë, pse duhej të duronim erën e këtyre që katranosën tranzcionin. Të gjithë aty janë, të gjtiha ia kanë parë, dosjen, njëri tjetrit. Të gjtihë janë të lidhur me martesa, me interesa, me edukime, me miqësi, me lidhje të dukshme e të padukshme. Nuk do të flasin. Kush do të flasë??? Omerta alla shqiptare katundare simbas parimit “unë nuk flas por kush  kapet e han.” Por kohë mbas kohe e tregojnë fytyrën e vërtetë. Njerëzit e shohin atë fytyrë por nuk duan me besue. Metoda e gomarit që po e hante ujku funksionon. Gomari e futi kryet në ranë dhe tha “bane Zot andërr.” Puna e këtyre është si puna e arkivës së Mafias. Vetëm kur të flasin do ta marrim vesh. Mirëpo, nuk besoj se do të flaës ndonjëri.

 

A KA QËNË E DITUR KJO PUNË?

 

Pa dyshim. Kur e kam ditur unë që kam qënë një askushi në atë kohë, dhe që e merrja vesh nga shtypi e mediat e huaja, e më shumë nga bisedat me miqtë e shokët, po këta që mbaheshin për dikushi dhe që shkonin e vinin?! Këta e kanë ditur që cke me të. Se atë që nuk duhej në atë ditë e nisën në Greqi për ekspozitë, dhe atë që duhej e sollën nga Italia me biletë me emër tjetër. Se në të gjithë palët duhej të kishte në krye nga një njeri të klaneve kryesore. Se në shqiptarët punët i bëjmë me dyshe e treshe. Dhe këtë e di mirë sepse rastisi që të isha në atë lojë. Edhe karrocën dy kuaj duhet ta tërheqin. Pse nuk kanë folur?? Po nuk kanë folur sepse kanë qënë duke vjedhur e duke ngrënë mallin e kombit dhe duke u bërë borgjezia. Tani që po hanë kockat e kombit e të shtetit do të grinden për kockat dhe do të zihen me njëri tjetrin. Dhe me kohë ndoshta del dikush dhe ia nxjerr petët lakrorit. Mirëpo si zor. Se kanë dalë këta të platformave që nuk kishin asnjë të shkuar apo cen politik, që shpesh ishin tërësisht neutral në shoqëri dhe na bëjnë ligjin, na japin mend, dhe drejtojnë nga një katastrofë tek tjetra aq sa na kanë bërë të kemi nostalgji për ata të vjetrit.

A KA QËNË LËVIZJA STUDENTORE PJESË E LOJËS?

Unë kam një interes jo të vogël personal në këtë debat. Nëse besohet se gjithcka u bë me plan, e pot ë mos distancohemi, atëherë edhe unë edhe miqtë e mi paskemi qënë pjesë e këij plani. Fakti është që Lëvizja ka qënë pjesë e lojës, e planifikuar me kujdes, me njerëz dhe me project të detajuar. Mirëpo ajo që ndodhi, si edhe u shprehën në një mbledhje të Ministrisë së Brendshme, aty na kishte qënë një agjent i CIA dhe i Intelligence Service që duhej zhdukur sepse u prishën punët dhe iu doli loja nga duart. A do të gjendet ndonjeherë procesverbali I asaj mbledhjeje apo i takimeve që pak veta i dinë? Nuk besoj sepse e di mirë që nuk ka process-verbal. Por dikush që e njoh mirë, më ka thënë verbalisht se cka ndodhi jashtë procesverbalit. Problemi ishte se në atë rremujë, ku kishin futur duart të gjithë palët, nuk dihej kush ishte i kujt dhe që për kë punonte. Platforma nuk parashihte lënie të pushtetit sepse, si tha Fatos Klosi, nuk kishte kush ta merrte pushtetin nga klasat e përmbysura dhe kjo dihej.  Mirëpo Lëvizja Studentore ia arriti të ndërronte rregullat e lojës duke imponuar e kërkuar pluralizmin e vërtetë politik. Pra do të duhej të luhej loja me rregulla të tjera. Nuk do të ishte futboll, por basketboll. Pra, u vendos pluralizmi që shkonte shumë larg atij që dëshëtronte paria e Tiranës. U mobilizua populli sepse u bënë demonstrata në Sheshin Skënderbeg e tjerakund.  U rrëzua miti I Enver Hoxhës, shtylla e legjitimitetit të parisë dhe të strukturave e me radhë. Dhe sa për këto  arrestimet e mërgimet që sillen si deshmi, kur luajnë futboll femijët e të rriturit nuk kanë hall pa ia futur një shkelm njëri tjetrit. Aq më tepër kur duhet të bindim mbështetësit se e kemi prej së vërteti lojën. Prandaj edhe duhet ndarë shapi nga sheqeri. Aty kishte lojtarë të futur, kishte nga të gjithë llojet, por kishte edhe që kishin hyrë me zemër për ti shërbyer kombit e shtetit. Me njerëzit gjallë që kanë folur e denoncuar këto gjëra që nga dita e parë, arkivat  mund të presin.

A MBRRITËN ATË QË DESHËN?

Po, pa dyshim. Shteti shqiptar është një shtet i shkatërruar. Shqiptarët vishen me Versace por punë nuk kanë. Gjysmën e popullsisë e ke në mërgim. Shtetin e kemi në borxh deri në fyt. Nomenklatura e vjetër janë bërë rehat edhe për shtatë breza. Shoqëria është moralisht e degjeneruar dhe e zvetënuar. Në krye të të gjithë kësaj katrahure, shkaktare dhe përgjegjëse historike është paria e Tiranës. Kjo është një shtresë oligarkike që sundon shtetin, që kontrollon ekonominë, dhe që manipulon vlerat shoqërore përmes sistemit të fuqishëm të propagandës nën kontrollin e saj. Këtë shtresë, një grup të lidhur ngushtë me njëmijë fije të pazgjidhshme, dhe të ndërtuar në bazë të parimeve klanore mafioze, së cilës i përkasin të gjithë prijatarët politikë dhe oligarkët e vërtetë të klaneve mafioze-politike, unë e kam quajtur paria e Tiranës dhe e kam bërë objekt të studimeve dhe analizave të mia. Shteti shqiptar është një shtet në një gjendje shumë kritike, në të gjithë drejtimet e mundshme. Në nivelin politik, nuk janë zgjidhur problemet themelore të identitetit dhe të formimit të shtetitkomb. Shteti nuk ka sovranitet. Territori dhe pasuria kombëtare falen nga politikanët. Shteti drejtohet si kooperative bujqesore, me metoda enveriste dhe simbas interesave të klaneve. Politikanët vetë janë të zvetënuar dhe të kriminalizuar, pa vlera morale dhe pa kurrfarë ndjenje shërbimi publik. Aty ku duhet të ketë dashuri për kombin e shtetin, ka besnikëri të shpallur e të pakufizuar për tarafin, bandën, katundin e klanin. Aty ku duhet të gjenden e të dallohen manipulatorët e sofistikuar të ligjeve që janë formuluar për të gjithë e në interes të të gjithëve, brohoriten ata që e bëjnë ligjin aty për aty, veç për interesat e tyre, dhe e ndërrojnë ligjin sa të kryejnë punën e vet që mund të jetë, as më shumë e as më pak, nevoja e ndërtimit të një pallati në tokën e vjehrrës. Aty ku duhet të ketë shtet, të paktën aq sa për të mbrojtur interesat e parisë, ka një strukturë të pastër mafioze që e mban edhe parinë si peng të sajin. Aty ku duhet të ketë sofistikim intelektual e argumentim ligjor, luhet fall për natë në emisionet televizive. Politikanët të thonë sot, atë që nuk do ta thonë nesër, e që është e kundërta e asaj që kanë thënë dje e që nuk ka asgjë të përbashkët me atë që ia thonë vetes së tyre. Ai që duhej të ishte pari dikund tjetër, në Tiranë shet drogë në qoshe të rrugës, e ai që din se si mund të rrihet në qoshe të rrugës bëhet deputet, ministër, kryetar, prijatar i parisë dhe konsiderohet si e ardhmja e kombit. Në nivelin shoqëror, shoqëria është e thërmuar, e paqartë dhe e zvetënuar. Shteti shqiptar është i sunduar nga një oligarki e pastër politike, një shtet në të cilin hajdutët e thesarit të shtetit dhe të pasurisë kombëtare janë pasanikët më të mëdhenj por edhe drejtuesit e partive politike. Pushteti dhe fuqia e vërtetë ekonomike është e përqëndruar në një grusht familjesh mafioze. Nuk ka ekonomi të mirëfilltë prodhuese. Humbjet njerëzore dhe të kapitalit njerëzor kanë qënë katastrofike. 1.5 milionë shqiptarë kanë lënë vendin, janë hedhur në rrugë me qindra mijra jetë, janë shpërdoruar mbi 120 miliardë dollarë para të pastra e të papastra që kanë hyrë në shtetin shqiptar. Tranzicioni nuk është mbyllur por edhe nuk mund të mbyllet sepse nuk është ndërtuar sistemi që duhet. Ka ardhur koha për reflektime shumë serioze dhe zgjidhjet nuk vijnë nga paria ato vijnë nga masat dhe nga intelektualët që do të dalin nga gjiri i popullit. Shteti shqiptar kërkon zgjidhje por zgjidhjet nuk mund të vijnë nga paria që e sjellë vendin në këtë gjendje.

NË PËRFUNDIM

Në përfundim, edhe pse pajtohem me kolegun që duhet të presim arkivat, kur të hapen, them se Grid Rroji që argumenton që me plan e pa plan këta zbatuan atë platform që iu interesonte. Menduan për vete e për pjellat e tyre e jo për kombin e shtetin. Në rrugë e sipër ka pasur devijime, ngatërresa, sherre, përplasje e me radhë por ja, shih kë kemi në krye të shtetit. Nuk ka pasur nevojë të na vijë plani nga jashtë kur e kemi pasur të zezën brenda vetes. Sepse këta që na mbajtën me bukë e ujë e dhallë duke hapur gropa në ferma dimrit, për të ruajtur pushtetin, si mund të ndalen kur përvec pushtetit kanë edhe mundësinë e pasurimit pa fre? Prandaj le të mos merremi me Katovicën, Bërdicën, Kamenicën, Drashovicën, Recicën, Nivicën e me rradhë por të reflektojmë mbi këtë hata që na ka rënë e mbi këta kërma politike që na sundojnë, shfrytëzojnë, shesin, korruptojnë e na degjenerojnë. Keta duhet te ikin sepse keta e platforma e tyre ishin e jane fatkeqesia e jone.

 

 

 

GRID RROJI: REPLIKE MBI PARINE E KATOVICES

Pyetjes së një mikeshës time në rrjetet sociale se “cilat do ishin reagimet” për shkrimin Paria e Katovicës ju përgjigja se nuk mund të priteshin reagime intelektuale të mirëfillta ku të shtjelloheshin argumenta të qartë, por do të kishte një mori manovrash, deklaratash, turbullimesh e reagimesh me spondë të cilat do të shërbenin që gjarpri të hynte përsëri në vrimë dhe preja të krijonte iluzionin e të qenit e mbrojtur. Sigurisht që gjarpri në fjalë është paria katundare dhe kriminale e Tiranës ndërsa preja është populli shqiptar.

Reagimet nuk vonuan dhe patën formën e pritshme. I pari, si për të vënë gurin në radhë reagoi gjuhëtari Ardian Vehbiu në blogun e tij Pejsazhe të Fjalës. Pa ju referuar shkrimit drejtpërdrejt, argumenti i Vehbiut ishte se dokumenti i paraqitur nga Servet Pëllumbi nuk mund të ishte autentik sepse “nga ana gjuhësore do të meritonte një dysh, dhe Komiteti Qëndror nuk mund të kish nxjerrë një dokument të tillë”. Më pas erdhi batuta sarkastike e Fatos Nanos “ jam si kokrra e mollës dhe Serveti është i rrjedhur”, dhe dje paradite reagimi i vonuar por brenda pritshmërive i Sali Berishës që si gjithmonë e gjen fajtorin tek bolshevikët me të cilët bën marrëveshje herëpashere.

Po të marrim parasysh se z.Vehbiu nuk e ka fshehur afërsinë që ka me kryeministrin Rama të cilit i ka redaktuar “Kurbanin”, të gjitha palët e përmendura në shkrimin tim dhanë një përgjigje, edhe pse me disa ditë vonesë.

Asnjëri prej tyre nuk foli për substancën, e cila qëndronte në faktin se ka patur një pakt të konsoliduar midis rrethit të drejtuesve të lartë të regjimit komunist dhe një pjese të inteligjencës, të timonuar nga struktura të mirëkonsoliduara por të padukshme të cilat kanë garantuar kontrollin e tyre mbi sistemin politik. Drejtuesit e lartë komunistë janë të kollandrisur me lidhje gjaku deri në brezin e tretë. Me përkujdesjen maksimale të elitës komuniste për martesa të ndërsjella ky grup është edhe më i konsoliduar se sa mund të mendohet. Intelektualët e dalë nga regjimi ishin të uritur e të thyer nga regjimi i mëparshëm, e për rrjedhojë e shitën veten tek prurësi më i parë.

Nga ky pikëvështrim asgjë nuk ka ndryshuar. Madje kjo duket qartazi edhe në përbërjen e parlamentit dhe kontigjentin e ministrave ndër vite. Mjafton të gërmohet pak dhe lidhjet e shumëfishta dhe të ndërsjella mes “familjeve ” dalin menjëherë në pah, pa patur nevojë për shumë teori. Për shembull, në parlamentin shqiptar gjatë tranzicionit nuk kanë munguar asnjëherë përfaqësues të klaneve Hoxha, Kapo, Shehu por edhe shumë të tjerëve të lindur gjatë tranzicionit si Trusti i Gështenjave të Tropojës, apo edhe grupimet që u lidhën rreth masonerisë.

Më tej, argumenti im dhe i kolegëve të Rrethit të Ferrit është se velloja demokratike u shërben këtyre grupimeve për të legjitimuar pushtetin tek faktori i jashtëm ndërsa legjitimiteti i brendshëm garantohet nga propaganda e shfrenuar dhe e shumëanshme. Sigurisht që brenda llojit ka konkurrencë për supremaci por kjo nuk dallohet nga siglat partiake por përkatësia klanore.

Mirëpo asnjëri nga të sipërpërmendurit nuk e hodhi poshtë këtë analizë, por tentuan t’a zhvendosin vëmendjen nga thelbi. Berisha është ai që ka më shumë gështenja në zjarr nga kjo mesele sepse ndodhet nën presionin e humbjes masive të 23 Qershorit si dhe të tentativave për t’a lënë zbuluar në lojën politike. Siç e dinë të gjithë ata që e njohin lojën, të jesh zbuluar do të thotë të kesh çdo gjë në rrezik. Paria nuk ka skrupuj dhe si gjarpri është e aftë të hajë pjesë të trupit të vet për të mbijetuar.

Sakaq, xanxën për këtë shkrim ma dha një reagim i dytë i z. Vehbiu i cili e paskësh marrë shumë personalisht shkrimin tim. Sipas tij, Paria e Katovicës ka gabime logjike elementare sepse “e bazon ekzistencën e Katovicës tek një dokument lëvere, dhe i përket një tradite e cila nuk e respekton debatuesin por e poshtëron atë”.  Z. Vehbiu spekulon edhe për një reagim të Forumit Shqiptaro Amerikan për Demokraci- ku shkrimi e tij vlerësohej si reagim i skutave të parisë-duke e quajtur “reagim idhnak dhe me qëllime denigruese” për shkak se Grid Rroji është kryetar i Forumit. Duke e informuar z. Vehbiu se unë ka disa muaj që nuk jam më kryetar por anëtar i FSHAD-it, si dhe duke e falenderuar për mbajtjen gjallë të debatit mbi Parinë e Katovicës, mendoj së është e vlefshme të korrigjohen disa moskuptime dhe keqinterpretime të kultivuara nga ai në replikën e tij.

Së pari, z. Vehbiu ka harruar që unë e kam vlerësuar publikisht si një nga penat me peshë të diasporës në një shkrim të botuar tek Panorama më 2011. Ndonëse ka disa vite që nuk e frekuentoj më, blogu i tij ka disa anëtarë intelektualë dhe trajton me thellësi tema të caktuara. Sikurse, shpeshherë në faqet e tij gjejnë vend të ngrohtë dhe lulëzojnë teza gjysëm profesionale dhe anti-kombëtare si ato të Oliver Shmitit apo dasitë e promovuara nga paria si psh. Gegë-Toskë. Kapërcime të tilla jo fort të bazuara në fakte janë evidentuar edhe në një replikë publike që autori i PTF pati disa kohë më parë me Mark Markun.

Më anë tjetër, mllefi dhe sulmet ndaj atyre me të cilët z. Vehbiu nuk ndan opinione të njëjta janë të zakonshme në blogun e tij, të lehtësuara edhe nga teknika e llagapeve të cilën ai e mbron me shumë pasion. Për hir të së vërtetës, duhet thënë edhe se dy a tre nga llagapet që ai përdor janë të njohura për publikun. Mirëpo, shumica e pjesëmarrësve në blog ruajnë panjohshmërinë dhe kjo përbën përkufizimin e një skute. Në gjykimin e FSHAD-it por edhe timin personal, kjo skutë i shërben parisë, sidomos duke marrë parasysh se shumë argumenta që ngjizen e trajtohen aty, përfundojnë në shtypin e përditshëm. Ky nuk është denigrim por konstatim, njësoj sikur z. Vehbiu të shprehej se FSHAD-i mbron pikëpamje kombëtariste.

Së dyti, ndryshe nga koha e Nils Bohrit parashikimet janë të mundshme edhe në shkencat jo ekzakte e madje ka teknika shkencore për t’i bërë ato siç vërteton suksesi i statisticienit Nejt Sillvër. Sigurisht që asnjë teknikë nuk garanton mosgabueshmërinë, por nuk ka asnjë dyshim se parashikueshmëria e shumë fenomeneve është sot shumë më e mundshme se në fillim të shekullit të njëzetë. Siç shprehet Efraim Halevi, ish-drejtor i përgjithshëm i shërbimeve izraelite: “disa ngjarje të historisë së shekullit të njëzetë i kam ditur që do ndodhin muaj më parë, për shumë të tjera jam informuar ditë para se të ndodhin, kurse disa i kam marrë vesh nga media”.  Nuk e fajësoj gjuhëtarin Vehbiu që nuk është i informuar për këtë evoluim të shkencave shoqërore e sidomos për atë që quhet shtetbërje (statecraft), sikurse nuk mund të fajësohet miku i tij Mustafa Nano kur shkruan për Gegët dhe Toskët me lehtësinë e një studenti të zellshëm.

Së treti, reagimi i Nanos dhe Berishës erdhi pas shkrimit dhe disa ditë pas deklaratës së z. Pëllumbi. Unë e vija në dukje një vonesë të tillë si të pazakonshme, sidomos në rastin e Berishës. Ndonëse nuk kam prirje të besoj se reagimi menjëherë pas shkrimit është më tepër se sa koinçidencë, të dhënat e mia tregojnë se shkrimi nuk ka kaluar pa u lexuar. Mjafton të krahasohen të dhënat e lexueshmërisë në rrjetet sociale, të cilat janë treguesi më transparent i audiencës në rrjet.

Së katërti, argumenti i shkrimit është se dora e padukshme i ka kontrolluar me kujdes zhvillimet por kjo nuk mund të përkthehet bakallçe si kontroll i çdo faze të karrierës individuale të personazheve. Kontrolli është shumë më i sofistikuar se kaq. Mjafton të marrim si shembull rastin që citon z. Vehbiu, kryeredaktorin dhe të vetëquajturin “rilindës” të Diellit të Nolit dhe Konicës, z. Dalip Greca. Ndodhia që citon z. Greca është në rastin më të mirë irrelevante për shkak se askush nuk e bazon vërtetësinë e atij dokumenti tek ajo që ka nxjerrë Servet Pëllumbi sot apo të tjerë përpara tij në fillimvitet 2000. Por kjo as nuk e minon vërtetësinë apo ekzistencën e një plani të parisë. Ajo copë letër është një mjet për të arritur një qëllim, për të cilën sipas pohimit të tij është përdorur z.Greca. Unë nuk habitem aspak që është zgjedhur ai për t’u përdorur në këtë rast.

Historia e regjimit komunist në Shqipëri nuk le vend për dyshime mbi ekzistencën e disa strukturave të fshehta, të organizuara dhe stërvitura sipas modelit të vendeve të kampit të Lindjes. Shqipëria ka patur një nga shërbimet më profesionale gjatë asaj periudhe, ndërsa njëkohësisht ishin krijuar struktura kontrolluese brendapërbrenda shtetit, ekzistenca e të cilave është provuar me dokumenta nga vëzhgues vendas e të huaj. Ndonëse do të duhen shumë vjet që të hapen arkivat dhe të studiohen dokumentat në tërësi, ekzistenca e tyre është e provuar. Këta janë “profesionistët” të cilët e njohin shtetin dhe protagonistët që dolën nga tranzicioni me dhëmbë e dhëmballë, dhe e konsiderojnë shtetin “të tyrin”.

Kushdo që ka një njohje sado të përciptë të funksionimit të këtyre strukturave në përgjithësi, dhe atyre të Lindjes në veçanti është i ndërgjegjshëm se ato nuk shpërbëhen por transformohen. Shembuj ka pafund por mjafton të citojmë këtu Rusinë e Putinit. Pra, për t’i kuptuar nuk duhet shfletuar Asimovi por Riçard Bets, Mark Louenthal apo edhe Sergei Çakhotin dhe Noam Çomski pwr sa i përket teknikave të propagandës.

Më anë tjetër, kontrolli i lojës bëhet duke lejuar dhe vëzhguar nga larg teatrin e politikës, por edhe duke ruajtur me fanatizëm kontrollin mbi hallkat e rëndësishme të një shteti siç janë asetet ekonomike, nyjet financiare dhe format e organizimit politik. Në një shtet komb normal interesat e elitave gërshetohen me ato kombëtare dhe kufizimet ndaj teprive janë të forta dhe të panegociueshme. Në sistemin që ka krijuar paria katundare e Tiranës e gjitha është në funksion të pushtetit dhe pasurimit të tyre.Në këtë sens paria katundare e Tiranës nuk ka kundërshtarë, në një mënyrë a një tjetër interesat e saj ruhen nga të gjithë. Por kjo nuk i pengon të kontrolluarit prej saj që të përfitojnë për vete, që në kontekstin shqiptar përkthehet me pasurim të menjëhershëm. Synimi i gjithkujt në politikën shqiptare është t’i afrohet standartit të parisë dhe të shndërrohet në pari.

Sakaq,vetë natyra e një regjimi në dukje demokratik nuk lejon kontroll të plotë, sidomos në rastin e një vendi të vogël si Shqipëria ku klasa politike e merr legjitimitetin jo nga sovraniteti i shtetit por nga mbështetja e ndërkombëtarëve. Mirëpo logjika elementare t’a thotë se kjo nuk e pengon kontrollin nga poshtë të lojës politike nga struktura të mirëkonsoliduara të cilat kanë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme. Ndaj, edhe këtu sarkazma e cirkut e Z.Vehbiu nuk ka vend.

Së pesti, ky lloj kontrolli nuk e përjashton aspak rastësinë, fatin apo mundësinë e zhvillimeve jashtë kontekstit të parashikuar nga dora e padukshme. Ajo që Makjaveli e quan Fortuna është fatmirësisht e pakontrollueshme. Mirëpo siç e shpjegova më sipër, rrota e mullirit sillet në mënyrë të tillë që çfarëdo lloj drithi t’i hedhësh gatuan miellin e parisë, për shkak se mekanizmat kyç kontrollohen nga dora e vjetër. Që të ndërrohet mielli duhet rindërtuar mulliri.

Dëshiroj të ritheksoj se në një vend si Shqipëria, të kontrolluar për disa dhjetëvjeçarë me dorë të hekurt nga struktura të mirëkonsoliduara si nga ana funksionale ashtu edhe nga ana e lidhjeve farefisnore e të krushqisë, me propagandë të mirëorganizuar e thellësisht të sofistikuar, si dhe me një popullsi gjerësisht të painformuar nuk është fort e vështirë të kontrollosh lojën politike edhe në demokraci. Madje me zgjerimin e instrumentave të propagandës tek blogjet dhe interneti në përgjithësi dora drejtuese bëhet gjithnjë e më e padukshme. Nuk është vendi për të bërë një shqyrtim të literaturës për këtë çështje por çdo kërkim përtej Wikipedias do të lejonte gjithkënd të informohej për këtë.

Së gjashti, Z. Vehbiu mëton të hedhë poshtë argumentin tim duke bërë insinuatën se po kërkoj vend në politikë. Pa dashur të bëj psikanalistin, ndoshta ky është qëllimi i tij, të cilin ai e reflekton tek të tjerët. Gjithashtu, Z. Vehbiu harron se konceptin e parisë nuk e kam ideuar unë por miku dhe profesori im Shenasi Rama, i cili ka shkruar një libër për këtë argument.

Për sa më përket,unë jam shprehur publikisht se politika në përgjithësi, dhe politika shqiptare në veçanti janë profesioni im. Nuk kam asnjë dëshirë apriori për të bërë karrierë politike, sikurse nuk ndjej asnjë kompleks t’i shërbej popullit tim sido që të mundem. Pozicioni i tanishëm më lejon që të shpreh pa rezerva dhe hapur atë që unë e konsideroj si të vërtetë. Si studiues jam i ndërgjegjshëm se askush nuk e ka monopolin e të vërtetës, ndaj mirëpres kritika konstruktive e të informuara të argumentave të mi.

Ndryshe nga sa gjykon përciptazi e me mllef z.Vehbiu, thënia e të vërtetës më ka krijuar armiq të betuar në të gjitha krahët e politikës shqiptare dhe në diasporë, por nuk vjen pa kosto edhe në nivelin miqësor personal. Shqipëria është vend i vogël. Unë mundem vetëm të shpresoj se e drejta është me mua dhe të ruaj përulësinë para popullit tim.

Për t’a përfunduar, Paria e Katovicës ekziston përtej debatit mbi vërtetësinë e një dokumenti. Sundimi i saj mbi shqiptarët është real. Ajo kontrollon lojën politike në Shqipëri për interesat e veta të cilat bien ndesh me interesat kombëtare. Çdo tentativë për të mohuar këtë realitet që duket sheshit nuk mund të mos klasifikohet si mjegullim, ngatërrim apo tjetërsim i një të vërtete në favor të parisë. Për t’ju rikthyer Halevit:”në botën tonë (atë të hijeve shën.im),me kalimin e kohës, kufiri midis reales dhe hijes bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar”. Në gjykimin tim, e vetmja rrugëdalje është kërkimi dhe deklarimi pa frikë i së vërtetës.

GRID RROJI: PARIA E KATOVICES

Dalja në skenë e dokumentit sekret të Byrosë Politike për Katovicën nuk ishte një ngjarje  e rastësishme por as e papritur. Fjalimi i Ramiz Alisë në  Byronë  Politike njihej nga profesionistet por edhe ka kohë që qarkullon në formë gjysëm zyrtare në shtyp dhe në rrjetet sociale.

Gjithashtu është e ditur se plani original nuk ishte për t’a lejuar pluralizmin menjëherë por me faza.

Ndaj, deklarata e Servet Pëllumbit se Ramiz Alia inskenoi tranzicionin shqiptar në të  gjitha hallkat e tij nga prapa perdeve të  trasha të  regjimit komunist, duke caktuar deri edhe kryetarët e partive të  para pluraliste nuk përbën risi.

Po ashtu, tashmë ka kohë që në shtypin e shkruar diskutohet klasa politike si një pari katundare e dalë nga sinoret e regjimit komunist, e cila ka ndjekur një  linjë  të  qartë  interesash personale në  kurriz të  interesit kombëtar. Shenasi Rama e ka trajtuar problemin e parisë në librin Përrallat e Tranzicionit Shqiptar (Botimet Princi 2012) duke analizuar shkaqet dhe pasojat e krijimit të  një  grupimi të  tillë  shoqëror madje duke i tipologjizuar grupimet e saj si për shembull trusti i gështenjave të  Tropojës, klani i jeniçerëve, banda e lavatriçeve apo grupet e martallozëve dhe bashibozukëve.

Më  tej, gjatë  fushatës së  fundit zgjedhore një  grup studiuesish dhe analistësh tek blogu Rrethi i Ferrit përfshi edhe të nënshkruarin, e interpretuan fushatën duke u bazuar në analizën e parisë.  Pra, z.Pëllumbi nuk tha asgjë të paditur e të pathënë publikisht më parë .

Risia e deklaratës i përket burimit prej nga doli informacioni. Z. Pëllumbi është një nga eksponentët e lartë  të  PPSH-së  dhe të  parisë  së Tiranës, me interesa të  qarta në  ekonomi dhe në lojën politike të  tranzicionit.

Gjithashtu, megjithëse media i referohet si “filozofi i të  majtës” z. Pëllumbi kredinë e ka fituar në  politikën aktive. Më  tej, si një  nga njerëzit e dalë  nga Partia e Punës dhe si një individ që  ka përfituar nga skema e Ramiz Alisë të cilën e zbulon sot me dokumenta konkrete, ai ka gjasa të  ketë  qenë i informuar me kohë për këto çështje. Pra, deklarata nuk mund të  jetë as një  lajthitje e rastësishme e as e pakëshilluar me qarqe të  caktuara, të  cilat ndonëse në hije kanë përcaktuar të  gjitha lëvizjet politike gjatë  tranzicionit. Thënë thjesht, deklarata ishte e porositur dhe e mirëllogaritur.

Më  anë  tjetër, kjo deklaratë  disi e papritur në  fillim të pushtetit Rama-Meta krijon më  shumë pikëpyetje se sa përgjigje. Së pari, përse tani? Cilat janë  arsyet që e shtyjnë “dorën e padukshme” të  pohojë ekzistencën e vet, ndërkohë që  është  kujdesur me shumë mund gjatë këtyre viteve t’ja fshehë  popullit prezencën e saj me të  gjitha mjetet? Së  dyti,cili është  mesazhi i vërtetë  pas deklaratës? Kujt i drejtohet ky mesazh dhe cili është  synimi i tij? Së treti, cilat janë përfundimet që  mund të  nxjerrim duke marrë  parasysh se tashmë  paria e Katovicës nuk ngurron të dalë hapur dhe madje t’a vendosë  vetveten qartazi kundër popullit?

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk janë të  thjeshta. Duke u nisur nga momenti politik kritik, pritej që  reagimet të ishin të egra, sidomos nga personazhet që janë në politikë. Mirëpo, pas mesazhit të Pëllumbit duket se ka rënë heshtja, a thua se të gjithë protagonistët kërkojnë ta hedhin pas këtë episod, e t’a harrojnë  sikur të mos ketë ndodhur.

Nuk kemi parë derimësot reagim nga i diskredituari i parë nga ajo deklaratë, Sali Berisha. Megjithëse gjeti kohë të kritikojë Tifozat Kuqezi, në llogarinë e tij në  Fejsbuk nuk gjindet asnjë reagim për këtë  akuzë e cila ja rrëzon të  gjithë  legjitimitetin si udhëheqësi i lëvizjes demokratike të Dhjetorit. Në rastin e tij veçanërisht, heshtja flet shumë.

Heshtja ka pushtuar edhe Kryeministrin cicërues Rama dhe bashkëudhëtarin e tij Meta, por edhe të gjithë eksponentët aktualë të  PS-së. Përbën habi sidomos heshtja e atyre që e kanë ndërtuar profilin politik me anë të  sulmeve kundër “gogolit” Berisha, paçka se sipas z.Pëllumbi Berisha nuk paska qenë aq i ndryshëm nga ata.

Nuk ka reaguar as ndonjë nga kryetarët e partive të  vogla si Skënder Gjinushi apo familja e të ndjerit Sabri Godo, të cilët kanë rregulluar dhjetë breza me pazaret që kanë bërë në emër të demokracisë.

Nuk kanë reaguar as familjarët e “tribunit të  demokracisë ”Azem Hajdari, eshtrat e të  cilit sapo u transferuan me ceremoni shtetërore në varrezat e dëshmorëve. Aq më pak mund të  pritet ndonjë  reagim nga një pensionist i politikës si Fatos Nano.

Duke u nisur nga sa më sipër, gjykoj se mesazhi i përçuar nga z. Pëllumbi nuk i drejtohet vetëm përfaqësuesve të  klaneve të  parisë, por përbën një mesazh për gjithë qytetarët shqiptarë se loja politike dhe rrjedhimisht edhe shteti kontrollohet tërësisht prej arkitektëve të parisë sipas strategjisë së Katovicës.

Një tjetër mesazh është se qeveria aktuale duhet mbështetur sepse e ka gjetur gjuhën me njerëzit e duhur. Edhe pse kryeministri Rama duket se ka krijuar një celulë ojq-iste brendapërbrenda PS-së me të  cilën dëshiron të qeverisë,dërguesit e z.Pëllumbi kërkojnë të na thonë se Rama ka siguruar mbështetjen e dorës së padukshme, atij grupi të  konsoliduar pa miratimin e të  cilit askush nuk ka mundur të qeverisë gjatë  këtyre 23 viteve. Pikësëpari ky duket të  jetë  qëllimi i bërjes publike të  skemës së Ramiz Alisë shumë kohë përpara Dhjetorit 1990.

Më anë tjetër, koha e përzgjedhur për t’a përçuar këtë mesazh është po ashtu e rëndësishme. Me       rrënimin përfundimtar të  shtetit dhe krijimin e një  sistemi politik pastërtisht oligarkik, me kapjen e interesave ekonomike nga paria dhe rënien e kontributeve nga diaspora, me zvetënimin tërësor të shoqërisë dhe normave të moralit, si dhe me bjerrjen e pritshme të mitit të integrimit paria e ka të  qartë se farsës së  saj 23 vjeçare po i vjen fundi. Çfarëdo strategjie mediatike të gatuajë Kryeministri Rama, dhe sado që skuadra e tij do të  vazhdojë  të na servirë nga një lajm “të madh” çdo ditë, duket qartë se paria nuk i ka mjetet e nevojshme për t’ja hedhur edhe kësaj here. Kur thika ekonomike të  prekë kockën, shqiptarët do kërkojnë llogari.

Mirëpo në mendjen e parisë shteti është i tyri, ndaj shqiptarët kanë marrë atë  që meritojnë. Duke qenë  në kontroll të plotë të të gjitha hallkave të pushtetit, demokracia u është kthyer në një procedurë të  bezdisshme.

Megjithatë, ata e dinë se katastrofa ekonomike që po afrohet nuk do lerë shumë vend për manipulimet e zakonshme. Paria i druhet me të drejtë kthesave të mëdha, sepse vetëm ato ja rrezikojnë realisht vazhdimësinë në pushtet. Ndaj, duke u treguar shqiptarëve se edhe Edi Rama është aty ku është në sajë  të mbështetjes së dorës së padukshme të parisë së Katovicës ata synojnë të  dekurajojnë çdo lloj lëvizje politiko qytetare që ka për qëllim ndërtimin e shtetit. Me mesazhin e z.Pëllumbi ata po i thonë publikut dhe kujtdo tjetër se zgjidhjet kalojnë domosdoshmërisht nëpërmjet tyre.

E fundit, por jo nga rëndësia, publikimi i skemës së Katovicës bëhet edhe për të  delegjitimuar Lëvizjen Studentore të Dhjetorit e cila me sa duket u kish dalë dore. Historia e manipuluar e Dhjetorit 90’, e promovuar këto 23 vjet nga paria, i ka shërbyer pikërisht kësaj dite kur i gjithë  tullumbaci i fryrë i versioneve që  ndryshonin sipas stinës të delegjitimohej përfundimisht. Me sa duket dora e padukshme ende i druhet legjitimitetit të asaj Lëvizjeje në popull dhe kërkon t’ja mbyllë të gjitha shtigjet e mundshme në të ardhmen.

Mirëpo, megjithë përpjekjet e mëdha për të ngritur tymnaja do të jetë e pamundur të mbulohen të  vërtetat e Dhjetorit. Në  fakt, disa ish-studentë i kanë  publikuar kujtimet e tyre, të cilat ndryshojnë kryekëput nga historiografia zyrtare, pa u ndeshur me ndonjë reagim nga protagonistët e vetëshpallur e as nga shoqatat tashmë të  shumta që popullojnë skenën publike. Mungesa e reagimit ndaj tyre dëshmon se ende ka shpresë për të  zbuluar të vërtetën e plotë të  atyre ngjarjeve. Gjithashtu, fatmirësisht versionet e ndryshme të palëve dhe metamorfoza e tyre gjatë viteve janë të regjistruara nëpër arkiva televizive dhe të medias së  shkruar të cilat nuk do t’i shpëtojnë historisë. Publikimi i skemës së Katovicës e rihap këtë debat.

Për ta përfunduar, gjykoj se bërja publike e dokumentit zyrtar të  Byrosë  Politike për Katovicën është një  ngjarje e rëndësishme për disa arsye. Së pari,i heq çdo lloj velloje legjitimiteti politikanëve që  derimëtani kanë deklamuar meritat për ndryshimet demokratike në dhjetor të nëntëdhjetës. Së  dyti, ridimensionon legjitimitetin e sistemit politik në tërësi duke konfirmuar atë që  shumë nga ne ka kohë  që e quajnë një oligarki e pastër. Së  treti, konfirmon kapjen totale të  shtetit dhe politikës nga paria dhe mungesën e zgjidhjeve reale brendapërbrenda kontekstit të  parisë . Së katërti, nënvizon ekzistencën e një strukture të padukshme e cila kontrollon në masë të madhe të gjitha klanet e parisë. Së pesti, demaskon si taktikë  pastërtisht konjukturale dhe në masë të madhe të stisur përdorimin nga paria të ndasive e veçanërisht ndasitë komunist-jo komunist dhe gegë-toskë. Së  gjashti, rikonfirmon strukturën dhe mendësinë katundare dhe antikombëtare të klaneve të  parisë,  të cilat nuk janë ndalur përpara asgjëje për të ruajtur interesat e tyre meskine.

Ndaj edhe duhet që shqiptarët të mos ua vënë më veshin premtimeve dhe llomotitjeve të kësaj klase politike. Ata të  gjithë  i ka pjellë  Katovica.