Home » ANALIZA » GRID RROJI: REPLIKE MBI PARINE E KATOVICES

GRID RROJI: REPLIKE MBI PARINE E KATOVICES

Pyetjes së një mikeshës time në rrjetet sociale se “cilat do ishin reagimet” për shkrimin Paria e Katovicës ju përgjigja se nuk mund të priteshin reagime intelektuale të mirëfillta ku të shtjelloheshin argumenta të qartë, por do të kishte një mori manovrash, deklaratash, turbullimesh e reagimesh me spondë të cilat do të shërbenin që gjarpri të hynte përsëri në vrimë dhe preja të krijonte iluzionin e të qenit e mbrojtur. Sigurisht që gjarpri në fjalë është paria katundare dhe kriminale e Tiranës ndërsa preja është populli shqiptar.

Reagimet nuk vonuan dhe patën formën e pritshme. I pari, si për të vënë gurin në radhë reagoi gjuhëtari Ardian Vehbiu në blogun e tij Pejsazhe të Fjalës. Pa ju referuar shkrimit drejtpërdrejt, argumenti i Vehbiut ishte se dokumenti i paraqitur nga Servet Pëllumbi nuk mund të ishte autentik sepse “nga ana gjuhësore do të meritonte një dysh, dhe Komiteti Qëndror nuk mund të kish nxjerrë një dokument të tillë”. Më pas erdhi batuta sarkastike e Fatos Nanos “ jam si kokrra e mollës dhe Serveti është i rrjedhur”, dhe dje paradite reagimi i vonuar por brenda pritshmërive i Sali Berishës që si gjithmonë e gjen fajtorin tek bolshevikët me të cilët bën marrëveshje herëpashere.

Po të marrim parasysh se z.Vehbiu nuk e ka fshehur afërsinë që ka me kryeministrin Rama të cilit i ka redaktuar “Kurbanin”, të gjitha palët e përmendura në shkrimin tim dhanë një përgjigje, edhe pse me disa ditë vonesë.

Asnjëri prej tyre nuk foli për substancën, e cila qëndronte në faktin se ka patur një pakt të konsoliduar midis rrethit të drejtuesve të lartë të regjimit komunist dhe një pjese të inteligjencës, të timonuar nga struktura të mirëkonsoliduara por të padukshme të cilat kanë garantuar kontrollin e tyre mbi sistemin politik. Drejtuesit e lartë komunistë janë të kollandrisur me lidhje gjaku deri në brezin e tretë. Me përkujdesjen maksimale të elitës komuniste për martesa të ndërsjella ky grup është edhe më i konsoliduar se sa mund të mendohet. Intelektualët e dalë nga regjimi ishin të uritur e të thyer nga regjimi i mëparshëm, e për rrjedhojë e shitën veten tek prurësi më i parë.

Nga ky pikëvështrim asgjë nuk ka ndryshuar. Madje kjo duket qartazi edhe në përbërjen e parlamentit dhe kontigjentin e ministrave ndër vite. Mjafton të gërmohet pak dhe lidhjet e shumëfishta dhe të ndërsjella mes “familjeve ” dalin menjëherë në pah, pa patur nevojë për shumë teori. Për shembull, në parlamentin shqiptar gjatë tranzicionit nuk kanë munguar asnjëherë përfaqësues të klaneve Hoxha, Kapo, Shehu por edhe shumë të tjerëve të lindur gjatë tranzicionit si Trusti i Gështenjave të Tropojës, apo edhe grupimet që u lidhën rreth masonerisë.

Më tej, argumenti im dhe i kolegëve të Rrethit të Ferrit është se velloja demokratike u shërben këtyre grupimeve për të legjitimuar pushtetin tek faktori i jashtëm ndërsa legjitimiteti i brendshëm garantohet nga propaganda e shfrenuar dhe e shumëanshme. Sigurisht që brenda llojit ka konkurrencë për supremaci por kjo nuk dallohet nga siglat partiake por përkatësia klanore.

Mirëpo asnjëri nga të sipërpërmendurit nuk e hodhi poshtë këtë analizë, por tentuan t’a zhvendosin vëmendjen nga thelbi. Berisha është ai që ka më shumë gështenja në zjarr nga kjo mesele sepse ndodhet nën presionin e humbjes masive të 23 Qershorit si dhe të tentativave për t’a lënë zbuluar në lojën politike. Siç e dinë të gjithë ata që e njohin lojën, të jesh zbuluar do të thotë të kesh çdo gjë në rrezik. Paria nuk ka skrupuj dhe si gjarpri është e aftë të hajë pjesë të trupit të vet për të mbijetuar.

Sakaq, xanxën për këtë shkrim ma dha një reagim i dytë i z. Vehbiu i cili e paskësh marrë shumë personalisht shkrimin tim. Sipas tij, Paria e Katovicës ka gabime logjike elementare sepse “e bazon ekzistencën e Katovicës tek një dokument lëvere, dhe i përket një tradite e cila nuk e respekton debatuesin por e poshtëron atë”.  Z. Vehbiu spekulon edhe për një reagim të Forumit Shqiptaro Amerikan për Demokraci- ku shkrimi e tij vlerësohej si reagim i skutave të parisë-duke e quajtur “reagim idhnak dhe me qëllime denigruese” për shkak se Grid Rroji është kryetar i Forumit. Duke e informuar z. Vehbiu se unë ka disa muaj që nuk jam më kryetar por anëtar i FSHAD-it, si dhe duke e falenderuar për mbajtjen gjallë të debatit mbi Parinë e Katovicës, mendoj së është e vlefshme të korrigjohen disa moskuptime dhe keqinterpretime të kultivuara nga ai në replikën e tij.

Së pari, z. Vehbiu ka harruar që unë e kam vlerësuar publikisht si një nga penat me peshë të diasporës në një shkrim të botuar tek Panorama më 2011. Ndonëse ka disa vite që nuk e frekuentoj më, blogu i tij ka disa anëtarë intelektualë dhe trajton me thellësi tema të caktuara. Sikurse, shpeshherë në faqet e tij gjejnë vend të ngrohtë dhe lulëzojnë teza gjysëm profesionale dhe anti-kombëtare si ato të Oliver Shmitit apo dasitë e promovuara nga paria si psh. Gegë-Toskë. Kapërcime të tilla jo fort të bazuara në fakte janë evidentuar edhe në një replikë publike që autori i PTF pati disa kohë më parë me Mark Markun.

Më anë tjetër, mllefi dhe sulmet ndaj atyre me të cilët z. Vehbiu nuk ndan opinione të njëjta janë të zakonshme në blogun e tij, të lehtësuara edhe nga teknika e llagapeve të cilën ai e mbron me shumë pasion. Për hir të së vërtetës, duhet thënë edhe se dy a tre nga llagapet që ai përdor janë të njohura për publikun. Mirëpo, shumica e pjesëmarrësve në blog ruajnë panjohshmërinë dhe kjo përbën përkufizimin e një skute. Në gjykimin e FSHAD-it por edhe timin personal, kjo skutë i shërben parisë, sidomos duke marrë parasysh se shumë argumenta që ngjizen e trajtohen aty, përfundojnë në shtypin e përditshëm. Ky nuk është denigrim por konstatim, njësoj sikur z. Vehbiu të shprehej se FSHAD-i mbron pikëpamje kombëtariste.

Së dyti, ndryshe nga koha e Nils Bohrit parashikimet janë të mundshme edhe në shkencat jo ekzakte e madje ka teknika shkencore për t’i bërë ato siç vërteton suksesi i statisticienit Nejt Sillvër. Sigurisht që asnjë teknikë nuk garanton mosgabueshmërinë, por nuk ka asnjë dyshim se parashikueshmëria e shumë fenomeneve është sot shumë më e mundshme se në fillim të shekullit të njëzetë. Siç shprehet Efraim Halevi, ish-drejtor i përgjithshëm i shërbimeve izraelite: “disa ngjarje të historisë së shekullit të njëzetë i kam ditur që do ndodhin muaj më parë, për shumë të tjera jam informuar ditë para se të ndodhin, kurse disa i kam marrë vesh nga media”.  Nuk e fajësoj gjuhëtarin Vehbiu që nuk është i informuar për këtë evoluim të shkencave shoqërore e sidomos për atë që quhet shtetbërje (statecraft), sikurse nuk mund të fajësohet miku i tij Mustafa Nano kur shkruan për Gegët dhe Toskët me lehtësinë e një studenti të zellshëm.

Së treti, reagimi i Nanos dhe Berishës erdhi pas shkrimit dhe disa ditë pas deklaratës së z. Pëllumbi. Unë e vija në dukje një vonesë të tillë si të pazakonshme, sidomos në rastin e Berishës. Ndonëse nuk kam prirje të besoj se reagimi menjëherë pas shkrimit është më tepër se sa koinçidencë, të dhënat e mia tregojnë se shkrimi nuk ka kaluar pa u lexuar. Mjafton të krahasohen të dhënat e lexueshmërisë në rrjetet sociale, të cilat janë treguesi më transparent i audiencës në rrjet.

Së katërti, argumenti i shkrimit është se dora e padukshme i ka kontrolluar me kujdes zhvillimet por kjo nuk mund të përkthehet bakallçe si kontroll i çdo faze të karrierës individuale të personazheve. Kontrolli është shumë më i sofistikuar se kaq. Mjafton të marrim si shembull rastin që citon z. Vehbiu, kryeredaktorin dhe të vetëquajturin “rilindës” të Diellit të Nolit dhe Konicës, z. Dalip Greca. Ndodhia që citon z. Greca është në rastin më të mirë irrelevante për shkak se askush nuk e bazon vërtetësinë e atij dokumenti tek ajo që ka nxjerrë Servet Pëllumbi sot apo të tjerë përpara tij në fillimvitet 2000. Por kjo as nuk e minon vërtetësinë apo ekzistencën e një plani të parisë. Ajo copë letër është një mjet për të arritur një qëllim, për të cilën sipas pohimit të tij është përdorur z.Greca. Unë nuk habitem aspak që është zgjedhur ai për t’u përdorur në këtë rast.

Historia e regjimit komunist në Shqipëri nuk le vend për dyshime mbi ekzistencën e disa strukturave të fshehta, të organizuara dhe stërvitura sipas modelit të vendeve të kampit të Lindjes. Shqipëria ka patur një nga shërbimet më profesionale gjatë asaj periudhe, ndërsa njëkohësisht ishin krijuar struktura kontrolluese brendapërbrenda shtetit, ekzistenca e të cilave është provuar me dokumenta nga vëzhgues vendas e të huaj. Ndonëse do të duhen shumë vjet që të hapen arkivat dhe të studiohen dokumentat në tërësi, ekzistenca e tyre është e provuar. Këta janë “profesionistët” të cilët e njohin shtetin dhe protagonistët që dolën nga tranzicioni me dhëmbë e dhëmballë, dhe e konsiderojnë shtetin “të tyrin”.

Kushdo që ka një njohje sado të përciptë të funksionimit të këtyre strukturave në përgjithësi, dhe atyre të Lindjes në veçanti është i ndërgjegjshëm se ato nuk shpërbëhen por transformohen. Shembuj ka pafund por mjafton të citojmë këtu Rusinë e Putinit. Pra, për t’i kuptuar nuk duhet shfletuar Asimovi por Riçard Bets, Mark Louenthal apo edhe Sergei Çakhotin dhe Noam Çomski pwr sa i përket teknikave të propagandës.

Më anë tjetër, kontrolli i lojës bëhet duke lejuar dhe vëzhguar nga larg teatrin e politikës, por edhe duke ruajtur me fanatizëm kontrollin mbi hallkat e rëndësishme të një shteti siç janë asetet ekonomike, nyjet financiare dhe format e organizimit politik. Në një shtet komb normal interesat e elitave gërshetohen me ato kombëtare dhe kufizimet ndaj teprive janë të forta dhe të panegociueshme. Në sistemin që ka krijuar paria katundare e Tiranës e gjitha është në funksion të pushtetit dhe pasurimit të tyre.Në këtë sens paria katundare e Tiranës nuk ka kundërshtarë, në një mënyrë a një tjetër interesat e saj ruhen nga të gjithë. Por kjo nuk i pengon të kontrolluarit prej saj që të përfitojnë për vete, që në kontekstin shqiptar përkthehet me pasurim të menjëhershëm. Synimi i gjithkujt në politikën shqiptare është t’i afrohet standartit të parisë dhe të shndërrohet në pari.

Sakaq,vetë natyra e një regjimi në dukje demokratik nuk lejon kontroll të plotë, sidomos në rastin e një vendi të vogël si Shqipëria ku klasa politike e merr legjitimitetin jo nga sovraniteti i shtetit por nga mbështetja e ndërkombëtarëve. Mirëpo logjika elementare t’a thotë se kjo nuk e pengon kontrollin nga poshtë të lojës politike nga struktura të mirëkonsoliduara të cilat kanë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme. Ndaj, edhe këtu sarkazma e cirkut e Z.Vehbiu nuk ka vend.

Së pesti, ky lloj kontrolli nuk e përjashton aspak rastësinë, fatin apo mundësinë e zhvillimeve jashtë kontekstit të parashikuar nga dora e padukshme. Ajo që Makjaveli e quan Fortuna është fatmirësisht e pakontrollueshme. Mirëpo siç e shpjegova më sipër, rrota e mullirit sillet në mënyrë të tillë që çfarëdo lloj drithi t’i hedhësh gatuan miellin e parisë, për shkak se mekanizmat kyç kontrollohen nga dora e vjetër. Që të ndërrohet mielli duhet rindërtuar mulliri.

Dëshiroj të ritheksoj se në një vend si Shqipëria, të kontrolluar për disa dhjetëvjeçarë me dorë të hekurt nga struktura të mirëkonsoliduara si nga ana funksionale ashtu edhe nga ana e lidhjeve farefisnore e të krushqisë, me propagandë të mirëorganizuar e thellësisht të sofistikuar, si dhe me një popullsi gjerësisht të painformuar nuk është fort e vështirë të kontrollosh lojën politike edhe në demokraci. Madje me zgjerimin e instrumentave të propagandës tek blogjet dhe interneti në përgjithësi dora drejtuese bëhet gjithnjë e më e padukshme. Nuk është vendi për të bërë një shqyrtim të literaturës për këtë çështje por çdo kërkim përtej Wikipedias do të lejonte gjithkënd të informohej për këtë.

Së gjashti, Z. Vehbiu mëton të hedhë poshtë argumentin tim duke bërë insinuatën se po kërkoj vend në politikë. Pa dashur të bëj psikanalistin, ndoshta ky është qëllimi i tij, të cilin ai e reflekton tek të tjerët. Gjithashtu, Z. Vehbiu harron se konceptin e parisë nuk e kam ideuar unë por miku dhe profesori im Shenasi Rama, i cili ka shkruar një libër për këtë argument.

Për sa më përket,unë jam shprehur publikisht se politika në përgjithësi, dhe politika shqiptare në veçanti janë profesioni im. Nuk kam asnjë dëshirë apriori për të bërë karrierë politike, sikurse nuk ndjej asnjë kompleks t’i shërbej popullit tim sido që të mundem. Pozicioni i tanishëm më lejon që të shpreh pa rezerva dhe hapur atë që unë e konsideroj si të vërtetë. Si studiues jam i ndërgjegjshëm se askush nuk e ka monopolin e të vërtetës, ndaj mirëpres kritika konstruktive e të informuara të argumentave të mi.

Ndryshe nga sa gjykon përciptazi e me mllef z.Vehbiu, thënia e të vërtetës më ka krijuar armiq të betuar në të gjitha krahët e politikës shqiptare dhe në diasporë, por nuk vjen pa kosto edhe në nivelin miqësor personal. Shqipëria është vend i vogël. Unë mundem vetëm të shpresoj se e drejta është me mua dhe të ruaj përulësinë para popullit tim.

Për t’a përfunduar, Paria e Katovicës ekziston përtej debatit mbi vërtetësinë e një dokumenti. Sundimi i saj mbi shqiptarët është real. Ajo kontrollon lojën politike në Shqipëri për interesat e veta të cilat bien ndesh me interesat kombëtare. Çdo tentativë për të mohuar këtë realitet që duket sheshit nuk mund të mos klasifikohet si mjegullim, ngatërrim apo tjetërsim i një të vërtete në favor të parisë. Për t’ju rikthyer Halevit:”në botën tonë (atë të hijeve shën.im),me kalimin e kohës, kufiri midis reales dhe hijes bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar”. Në gjykimin tim, e vetmja rrugëdalje është kërkimi dhe deklarimi pa frikë i së vërtetës.