Home » ANALISTE TE FTUAR » ARBENC PROKOPI: KOMPLOTET, HIJET DHE E VËRTETA

ARBENC PROKOPI: KOMPLOTET, HIJET DHE E VËRTETA

Debati i hapur kohët e fundit mbi ekzistencën e një strategjie të përdorur nga regjimi komunist për të ruajtur pushtetin duke ndërruar formën por jo substancën e regjimit ka gjeneruar reagime të ashpra në shumë nivele.

Denigruesit e kësaj teze, shpeshherë të mbuluar nga hija e anonimitetit, e quajnë debatin të bazuar mbi një premisë të rreme sepse sipas tyre faktet që disponojmë nuk n’a lejojnë të dalim në atë konkluzion. Përkundrazi, thonë kundërshtarët e tezës së parisë, kjo nuk mund të jetë veçse një teori komploti e cila bazohet në një vizion të realitetit ku mbizotëron prapaskena si factotum gjithëshpjegues i fenomeneve të kaluara dhe të ardhshme. Më tej, kushdo që nuk pranon tezën e mohuesve të parisë,  shfaq tendenca të psikopatologjisë ose thjesht përdor në mënyrë shumë cinike teknikat e thjeshtimit të realitetit për konsum të përditshëm. Arsyet që i shtyjnë propozuesit e konceptit të parisë të veprojnë kësisoj janë sipas mohuesve ose qetësimi i shpirtit të tyre, ose injoranca, ose plogështia  intelektuale, ose delegjitimi i sistemit aktual me qëllime përfitimi vetjak.

Në këtë pikëvështrim,  debati është shndërruar vetiu nga një debat intelektual mbi një sistem politik, në një debat epistemologjik, i nyjëtuar mbi besueshmërinë (ose mungesën e saj)e kundërshtarit ideologjik të mohuesve.

Ndonëse tejet e diskutueshme nga pikëpamja etike dhe e bërë me tone qartësisht politike, kjo lloj qasje i hap rrugën një ballafaqimi konkret, të bazuar në faktet që disponojmë në mënyrë të pakundërshtueshme dhe interpretimet që mund të nxjerrim prej tyre. Gjithashtu, me vazhdimin e këtij debati bëhet i mundur identifikimi i disa fakteve që ose lihen jashtë argumentit ose keqinterpretohen për t’i shërbyer qëllimit të mohimit të ekzistencës së parisë. Kjo përpjekje intelektuale për fakte të njohura për publikun bëhet e domosdoshme në kushtet kur objekti i diskutimit nuk është më një interpretim i caktuar i realitetit, por aftësia e palëve diskutuese për t’a përftuar dhe argumentuar atë.

Shumica e zërave që protestuan me forcë  kundër konceptit të parisë e sulmuan konceptin herët dhe shpesh. Historiani i Europës Lindore Elidor Mëhilli argumentonte se në Shqipëri mungon një kulturë historike profesionale dhe se ekzistenca e një pakti të tillë të gjithë vendeve të Lindjes do kishte gjeneruar shumë më tepër interes në qarqe profesionale perëndimore. Gjuhëtari Ardian Vehbiu denonconte gjuhën e parregullt të dokumentit, dhe dilte në konkluzionin se një dokument i tillë nuk mund të kishte dalë nga dora e elitës komuniste e cila ishte shumë e kujdesshme.

Të tjerë komentues i janë avitur çështjes në mënyrë denigratore, ose duke sulmuar propozuesin e argumentit ose duke i bërë analiza psikologjike në mungesë debatuesve të cilët nuk pranonin tezën e tyre. Madje, ata shtyhen edhe më tej duke ja veshur këto karakteristika të deformuara gjithë shoqërisë shqiptare. Sigurisht që pika mbyllëse e rrethit nuk mund të mos ishte dhënia e shpjegimit për këtë patologji kombëtare (“nevoja për të besuar teori konspirative” e quanin tanët) me anë të fenomeneve anomike, pasigurisë, kaosit informativ dhe kolapsit ideologjik.

Ndërsa e gjitha tingëllon e argumentuar me kujdes, ajo që i bie në sy vëzhguesit të vëmendshëm është se ky është një argument i stisur.  Së pari, autorët kërkojnë të provojnë mosekzistencën e një fakti me anë të mungesës së provave. Me këtë lloj qasjeje për shembull ish presidenti Iranian Ahmadinexhad dhe mijëra ekstremistë të të gjitha llojeve mohojnë Holokaustin. Së dyti, autorët kategorizojnë debatuesit si intelektualisht të papërshtatshëm, sulmojnë motivet e tyre duke i quajtur cinikë e kërkues përfitimesh.

Mirëpo, arsyetimi i tyre ngec sepse ata nuk munden të mos konstatojnë se ekzistenca e parisë që ata mohojnë, përbën fakt për një shumicë shqiptarësh. E këtu merr udhë faza e tretë. Për t’a bërë argumentin e tyre të shitshëm u duhet që patologjinë t’ja veshin gjithë popullit shqiptar, i cili nuk i ka kapacitetet e duhura për t’a kuptuar lojën djallëzore të “intelektualëve të plogësht”. Filozofi Australian Xhejmi Uajt e quan këtë lloj argumenti turbullim të fakteve me anë të stivosjes. Mirëpo, sido dhe sado t’i stivosësh logjika që përcjell argumenti çalon.

Duke mos dashur të bie në të njëjtin batak me disa nga autorët e kompleksuar që mëtojnë të bëjnë analiza psikanalitike do të kufizohem duke cituar disa fakte të pranuara gjerësisht edhe nga vetë mohuesit e parisë. Këto fakte janë problematike dhe të pashpjegueshme bazuar në logjikën e tyre.

Vështirësia e parë logjike që hasin mohuesit e parisë është se insinuatat e Servet Pellumbit nuk mund të quhen trillime apriori. Vetë Pëllumbi është një njëri i brendshëm i regjimit komunist dhe ka paraqitur një copë letër të cilës nuk ja dimë sotpërsot origjinën.  Mohuesit gjinden përpara të njejtës vështirësi si edhe denoncuesit e parisë, mungesën e provave dokumentore. Askush nuk kërkon që të provohet mungesa e një strategjie me anë të dokumentave, por në parim mungesa e dokumentave nuk është provë e mjaftueshme për t’a mohuar ekzistencën e një strategjie. Aq më tepër që strategji të tilla janë zbuluar në vende të tjera të Lindjes.  Nuk e ndihmon argumentin as analiza e gjuhës së përdorur, sepse dokumenti mund të jetë një përshkrim i mëpasëm i mbledhjes, gjë që edhe kjo nuk arrin në cilësinë e provës mohuese. Përkundrazi, analiza gjuhësore bëhet disi qesharake kur ngulmohet se është relevante.

Problemi i dytë me faktet që kanë mohuesit e parisë është besueshmëria e Pëllumbit. Fatos Nano si skile e vjetër u përpoq t’a minonte atë me anë të një batute, ndërsa Berisha i mbajti ison Nanos me një batutë shumë më pak efikase, pikërisht sepse e bazuar në një konstrukt ideologjik të stërpërdorur nga ai më parë. Nëse Servet Pëllumbi ishte i besueshëm për t’a shndërruar nga profesor të Marksizmit dhe Materializmit Dialektik në “ideologu i të majtës” duket jashtë realitetit që ai të ketë rrjedhur pikërisht tani. Asnjëri nga mohuesit nuk u përball me besueshmërinë e tij dhe jam i bindur që kanë patur arsyet e tyre.

Vështirësia e tretë faktuale që hasin mohuesit  e parisë është reagimi apo mosreagimi nga shumë anë të vetë socialistëve ndaj deklaratave të Pëllumbit. Ish drejtori i shërbimeve sekrete Fatos Klosi e konfirmoi tezën e Pëllumbit duke i mohuar efikasitetin,  por shumë më qartë flet heshtja e shumë të tjerëve. Personazhe me peshë në PS si Blushi, Braçe, Majko, Dade, apo qoftë edhe Gramoz Ruç i preferuan që me këto andrralla të merren ushtarët e gjeneral Ramës. Nëse premisa e mohuesve se ata që e shtyjnë këtë tezë kërkojnë delegjitimimin e sistemit qëndron, do të kishte shumë arsye që reagimi të ishte i egër. Sigurisht që një shpjegim alternativ është se këta nuk kanë arsye të flasin sepse kanë ende fishekë për të përdorur. Njëri nga këta fishekë mund të përkojë edhe me delegjitimimin e denoncuesve. Shumëkush e quante Sokratin të marrë, dhe në fund e sakrifikuan për të kënaqur turmën.

Vështirësia e katërt me të cilën përballen  mohuesit është se realiteti i sotëm shqiptar duket i krijuar enkas për të provuar vërtetësinë e “teorisë së komplotit” të  ekzistencës së parisë. Pushteti ekonomik është ndarë me kujdes, pushteti politik i nënshtrohet një rotacioni ciklik që i lejon të gjitha palët të shfrytëzojnë pushtetin për të vjedhur publiken për një periudhë të caktuar, ndërsa shoqëria civile nuk është e denjë për t’a mbajtur atë emër për shkak se është tërësisht e varur nga klanet e politikës. Kushdo që e njeh sadopak realitetin shqiptar është i ndërgjegjshëm se shpjegimi shoqëror me anë të konceptit të parisë përkon me shumicën e realiteteve me të cilat përballen shqiptarët.

Paradoksalisht ky është një konstatim edhe i mohuesve të parisë, të cilët siç  e shpjeguam më lart e kanë gjetur fajtorin  e madh: popullin shqiptar. Mirëpo, ky lloj argumentimi nuk ka fuqi shpjeguese sepse nuk bazohet në ndonjë hulumtim. Përkundrazi, shpjegimi që fajin e kanë shqiptarët bazohet tek konstatimi se fajin e kanë shqiptarët.

Një tjetër shembull i paradoksalitetit të mohuesve janë lidhjet klanore. Teoria e parisë ka si premisë klanizimin e shoqërisë shqiptare në bazë të farefisnisë dhe lidhjeve martesore. Të konsoliduara për disa breza, këto lidhje janë tashmë të pashkëputshme dhe dominojnë kontekstin shoqëror. A i përgjigjet realiteti këtij konstatimi? Një këqyrje e thjeshtë tregon se po. Mohuesit nuk kanë luksin të mohojnë se në parlamentin shqiptar ka patur gjatë gjithë tranzicionit të paktën disa dhjetra anëtarë të familjeve të mëdha të regjimit komunist. Dhëndrri i një anëtari byroje është sot ministër, e madje edhe njëri nga mohuesit e parisë ka lidhje të afërt farefisnie me kokën e kupolës komuniste.  Më tej, interesat ekonomike janë ndarë në fillim dhe megjithë rrathët e “fillimeve të reja” apo “duarve të pastra” askush nuk i ka prekur ato. Po t’i shtojmë këtu dominimin e shoqërisë civile nga bashkëshortë e bashkëshorte, kunetër e dhendurrë të politikës  nuk mbetet hallkë e pushtetit ku këto “koincidenca” të mos jenë lehtësisht të verifikueshme. Këto janë fakte që vështirësisht se mund të shpjegohen në mungesë të një strukture të organizuar. Dhe mohuesit e parisë nuk janë munduar derimësot të na japin shpjegim alternativ.

Ka edhe një problem të pestë, i cili është i destinuar t’i mundojë propozuesit e tezës së mohimit të parisë. Në qoftë se e gjitha kjo është një teori konspirative pse duhet të përpiqen këta intelektualë të nderuar për t’a delegjitimuar atë? Nuk është se shumica e mediave apo organeve të informacionit është dashamirëse ndaj propozuesve të konceptit të parisë. Idetë e propozuesve të konceptit nuk gjejnë shumë dritë apo mbështetje as ndër intelektualët e pavarur të parisë. Përkundrazi, propaganda zyrtare vazhdon punën pa ndalesë duke na njohur me personazhet e radhës së Big Bradherit dhe me vendet ekzotike ku i kalojnë pushimet politikanët (ndryshe të njohur edhe si VIPa). Përse ky insistim për të delegjitimuar disa ide të cilat duhet punë për t’i gjetur në rrjet?

Në qoftë se mohuesit e parisë i mundon e vërteta, a mundet në sensin epistemologjik të thuhen veç  pjesë të saj pa i mohuar tërësisë thelbin? Thënë ndryshe, pse nuk guxojnë intelektualët tanë të pavarur të denoncojnë luftën e egër të klaneve që po shfaqet përditë e më tepër në skenën tonë politike? Ku është kontributi i tyre për të denoncuar zvetënimin e skajshëm të politikës që shfrytëzon romët për foto-ope për t’i hequr me makina policie në pesë të mëngjesit, e gjitha duke na e shitur si shërbim publik. Ku janë dashnorët e të vërtetës kur duhet theksuar se ka njëzetetre vjet që qeveritarët e të gjitha ngjyrave po na vdesin pak nga pak si komb duke na kthyer në kafshë cirku për Europën? Pse denjojnë e ndyjnë duart me paratë e oligarkëve duke shkruar për honorare nëpër gazetat e tyre,  të cilat nuk paguajnë gazetarët? Cila është e vërteta që përçon heshtja e tyre për këto probleme?

Këto pyetje mundojnë shumëkënd sot në kontekstin shqiptar dhe do të duhet të ishin baza fillestare e një shpjegimi socio-politik mbi gjendjen e shoqërisë shqiptare. Mirëpo, në mungesë të këtyre reagimeve ofshamat e mohuesve të parisë për teori komploti ngjajnë shumë me përpëlitjet e atyre që kërkojnë t’i konsiderojnë të ditur pa kryer më parë detyrimet ndaj bashkësisë. Në qoftë se nuk janë të kapur nga interesa të ngushta, do të ishte me interes të njiheshim me teoritë e tyre alternative të cilat shpjegojnë fenomenet e përshkruara më sipër e shumë deformime të tjera nën të cilat lëngon sot shoqëria shqiptare. Në mungesë, druaj se nuk do t’i ikin dot boshësisë së argumentimit për hir të argumentimit që në gjuhën popullore quhet rruga drejt hiçit.

Cila është e vërteta e tranzicionit shqiptar dhe a mundemi t’a përftojmë atë duke u bazuar në faktet që disponojmë sot? Përgjigja ime është se jemi të detyruar të përpiqemi t’a gjejmë për shkak se gjendja është aq e rëndë sa rrezikojmë që një diskutim i tillë të mos ketë më vlerë disa kohë më vonë. Më tej, si studiues të shkencave shoqërore detyra jonë  është të gjejmë shpjegime logjike për fenomenet e jetës së përditshme. Me fjalë të tjera, përpjekja jonë e vazhdueshme është që t’ja aplikojmë konceptet që përftohen teorikisht realitetit ku jetojmë. Në këtë sens, kjo është një përpjekje e vazhdueshme, jo perfekte, dhe nuk na jep luksin e fundësisë. Më anë tjetër, përpjekja e vazhdueshme për të gjetur dhe shprehur të vërtetën është raison d’etre e intelektualit.

Mirëpo, një përpjekje e tillë  në kontekstin shqiptar do të na çonte në gjykimin tim drejt një qasje e cila domosdoshmërisht e gjen pikënisjen tek koncepti i parisë. Të gjitha faktet objektive dhe të gjithë të dhënat të cilat mund t’i përftojmë sotpërsot të çojnë në këtë përfundim.

Këto lloj konceptesh, ndër të cilat përfshihet demokracia, oligarkia apo edhe të drejtat e njeriut do të mbeten gjithmonë të debatueshme në qarqe intelektuale, por e vërteta në kontekste të mirëpërcaktuara nuk varet domosdoshmërisht nga nuancat përkufizimore të tyre. Për shembull, teoristi Xhon Dan i Shkollës së Kejmbrixhit mendon se demokracia është një koncept i paqëndrueshëm logjikisht, por kjo nuk e pengon të jetë mbështetës i palëkundur i saj. Shkencat shoqërore të shkëputura nga realiteti i përftueshëm shndërrohen në pseudoshkencë e në rastin më të keq në propagandë.

Ndaj, teza që shtrojnë mohuesit e parisë është e pavlerë pikërisht sepse injoron ose nuk shqyrton realitete të përftuara qartë nga shumëkush. Madje, shumëkujt kjo logjikë Panglosiane i duket qesharake, sidomos kur ngulmohet në justifikimin e saj me të gjitha mjetet. Arsyet e kësaj sjelljeje nuk janë objekt i këtij shkrimi, por mjafton të thuhet se vrazhdësia dhe mungesa tërësore e etikës që i ka karakterizuar disa nga mohuesit ngjall dyshimin se ndoshta nuk i kanë duart e lira. Një intelektual që shkruan për të siguruar mbijetesën ka humbur arsyen e vërtetë të qenies së vet.

Për t’a mbyllur, koncepti i parisë është një nga risitë më të diskutuara këto kohë në qarqet akademike dhe mediatike shqiptare. Megjithëse shpeshherë dënohet me heshtje, përditë e më tepër ky argument po irriton drejtuesit e parisë së Tiranës.  Fakti që një grup intelektualësh me prejardhje të përbashkët, lidhje miqësore dhe familjare me parinë kërkon me çdo kusht t’a delegjitimojë është shenjë e mirë për propozuesit. Gjithsesi, angazhimi kaq aktiv në këtë debat ka krijuar një pasojë pozitive. Tashmë një pjesë më e madhe e opinionit është njohur me konceptin, dhe në gjykimin tim ky është një fenomen pozitiv.