Home » ANALIZA » STUDENTË TË INSTRUMENTALIZUAR APO LËVIZJE E PAVARUR? NJË VËSHTRIM I SHKURTËR MBI DISA TRAJTIME TË LEVIZJES STUDENTORE TË VITEVE 1990-1991 NË 20 VJETORIN E SAJ

STUDENTË TË INSTRUMENTALIZUAR APO LËVIZJE E PAVARUR? NJË VËSHTRIM I SHKURTËR MBI DISA TRAJTIME TË LEVIZJES STUDENTORE TË VITEVE 1990-1991 NË 20 VJETORIN E SAJ

NË VEND TË HYRJES

Duhet thënë se për shumë shqiptarë Lëvizja Studentore Shqiptare e viteve 1990-1991 (tash e mbrapa LSSH), është një nga levizjet e spikatura shoqërore të historisë kombëtare. Për pjesëmarrësit, ajo mbetet një faqe e ndritur e jetës së tyre personale dhe një shembull për t’u ndjekur nga më të rinjtë. Pavarësisht këndvështrimeve të kundërta (që e shohin atë si një instrument të segmenteve të parisë apo si një Lëvizje të pavarur), të gjithë palët në debat pajtohen se Lëvizja ia arriti të kontribuojë fuqimisht në ndërrimin e sistemit e në shmangjen e Luftës Civile në një moment tejet kritik për shtetin e kombin shqiptar.

Por, interpretimet ndahen kur vjen puna që të gjykohet pavarësia e saj, drejtimi i saj, qartësia e orientimi i saj ideologjik, e mbi të gjitha roli i intelektualëve dhe individëve të vecantë brenda Lëvizjes. Të gjitha këto pika ndarëse u pa qartë se ishin trajtuar në mënyrë konsistente por tërësisht të papajtueshme në tre narrativat e pranishme në shtyp e media. Është e pritshme se me kohë nëse LSSH trajtohet me rigorozitetin e duhur shkencor shumë gjëra do të qartësohen. Megjithatë, pavarësisht interpretimeve të ardhshme, duket se, në këtë pikë, këto tre narrativa do të përcaktojnë edhe trajtimin që do ti rezervohet në histori kësaj Lëvizje. Në përgjithësi, debatet më thelbësore janë të lidhura me rolin e individëve të ndryshëm në Lëvizje e në drejtimin e saj, me rolin e intelektualëve, me vlerat ideologjike të Lëvizjes e objektivat e saj politike si dhe me kontributin e saj në një rrafsh historik e krahasues me lëvizje të ngjashme, ose me vende që kanë qënë në pika kthese të ngjashme me shtetin shqiptar. Prandaj ia vlen që të ndalemi e ti trajtojmë këto probleme me kujdesin që meritojnë.

Pikëpyetjet janë të shumta dhe, si të gjitha lëvizjet që shpërthejnë në skenën politike e që luajnë një rol kritik, edhe LSSH është e rrethuar me shumë hamendësime. Proceset evoluan shpejt e pak fakte janë të filmuara e të dokumentuara dhe mungon konteksti i tyre. Arkivat e kohës duhet të jenë të mbushura por ato janë të paarritshme për ata që janë të interesuar e kështu gjithkush mbështetet në kujtimet e në paterialet që kanë privatisht duke e paraqitur LSSH nga një këndvështrim përvoje personale që shpesh nuk e përfshin të tërën. Nuk mund të pritet që në këtë shkrim të jepet një pamje e plotë e saj, e as të ofrohet një përshkrim i detajuar.

Në këtë shkrim, mbasi paraqes disa nga këndvështrimet kryesore, do të mundohem të hedh dritë mbi disa nga elementet e këtyre interpretimeve që nuk përputhen me të vërtetën historike. Me që shkrimi, s’mund të përmbledhë e të thotë gjithcka, do të synoj që të analizoj disa nga këto aspekte thelbësore të trajtimit të LSSH. Në mos tjetër, për të shkruar pak më mirë historinë, ia vlen që të fillohet një debat i ngritur në nivel profesional lidhur me Lëvizjen, rolin e vendin e saj në historinë e vonshme shqiptare si dhe me interpretimet e ndryshme.

Duke sjellë edhe disa argumente e fakte që dalin nga filmimet, materialet e shkruara, e dokumentet e kohës do të mundohem që në pika të caktuara të ballafaqoj atë që shihet e dëgjohet me narrativat e caktuara. Po ashtu, duke qënë një nga ata që i dha asaj Lëvizje një frymë e rrugë të caktuar, si dhe duke pasë qënë vendimmarrës në momente kritike, e konsideroj legjitime që të sjell edhe gjykimin e kujtimet e mia për momente lidhur me të cilat nuk ka dëshmi të tjera e njerëzit që kanë qënë të pranishëm, gjithnjë për arsyet e tyre, nuk kanë folur sepse nuk ju ka interesuar ose nuk i kanë trajtuar me rëndësinë që meritojnë, thjesht sepse nuk dinë më shumë. Mirëpo efekti ka qënë gjithnjë i njëjtë. Lëvizja është interpretuar në mënyra jo të drejta dhe jo ashtu si e meriton.

Në pjesën e parë të shkrimit trajtohen tri narrativat sunduese. Në pjesën e dytë diskutohen disa nga pikat më të debatuara ndërmjet narrativave. Në pjesën e tretë e përmbyllëse ofrohet një përmbledhje e argumenteve të paraqitura.

1. TRE PARADIGMA LIDHUR ME INTERPRETIMIN E LEVIZJES STUDENTORE

Si u vu re në shtypin e mediat e Tiranës e më gjerë, gjatë këtij 20 vjetori interesimi për Lëvizjen studentore është ende i gjallë. Përtej dëshmive individuale e interpretimeve të pjesëmarrësve të përmendur më lart duhet theksuar se në përgjithësi ka tre grupime interpretimesh lidhur me Lëvizjen Studentore. Të tre këndvështrimet japin interpretime të papajtueshme e krejtësisht të kundërta lidhur me të gjitha aspektet kryesore të veprimtarisë së asaj Lëvizje. Nevoja për të paraqitur një interpretim koherent e konsistent e sa më afër të vërtetës është më se e prekshme. Kjo përbën një shtysë të fortë për të analizuar e konsideruar me qetësi, si në kohë, ashtu edhe në qëllimet politike e në vetëdijen e atyre që organizuan këto veprime.

Një përpjekje për të krijuar me objektivitet ecurinë e ngjarjes është bërë nga Fred Abrahams i cili këtë vit botoi kapitullin e parë të librit të tij mbi tranzicionin në shtetin shqiptar që përqëndrohet te kjo Lëvizje dhe në rolin e saj. Po ashtu shquhen kujtimet e analizat e disa prej studentëve që kanë qënë aktivë në Lëvizje si Mimoza Ferraj, Arben Sulo, Akli Fundo, Spiro Cura, Agim Parllaku, Latif Hoxha, Mujë Bucpapaj, Alban Tershana, Bardhyl Ukcamaj, Afrim Krasniqi, Edvin Shvarc, Ardi Stefa, Blendi Fevziu, Flamur Bucpapaj, Dritan Shakohoxha, Skender Minxhozi, Arian Manahasa, Blendi Gonxhe e shume e shume të tjerë që kanë botuar ose kanë dhënë intervista në shtyp e media.

Duhet thënë se këtë vit tërhoqën vëmendjen edhe intervistat e disa politikanëve e intelektualëve që kanë qënë në role kryesore si vendimmarrës, themelues të PD, disa edhe aktivë ose afër Lëvizjes Studentore, e disa edhe të pranishëm në veprimtaritë e saj për arsye të caktuara. Në vecanti, vlen të përmenden Ramiz Alia, Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Prec Zogaj, Mitro Cela, Skender Gjinushi, Zenel Hoxha, Arben Imami, Edmond Budina, Engjell Gishti, Omer Stringa, Eduard Selami, Arben Mecaj, dhe Besnik Mustafaj. Shumë prej tyre përqëndrohen në veprimtarinë e ditëve të para d.m.th. në Dhjetor 1990. Si pasojë, ata e shohin Lëvizjen si “Lëvizje e Dhjetorit” që zgjati jo më shumë se 5-6 ditë dhe e lidhin gjithcka ose me intelektualet ose me Partinë Demokratike, kontributi i tyre në analizimin e rolit të asaj Lëvizje meriton vëmendje të vecantë. Duke hedhur dritë mbi procese e me ngjarje që tashmë mund të vërtetohen vetëm me dëshmitarë, kontributi i këtyre individëve në gjykimin e saj është i një rëndësie të dorës së parë dhe nuk mund të kalohet lehtë. Natyrisht, duhet thënë se gjatë këtyre 20 viteve shumë vetë kanë dhënë dëshmi që kundërshtojnë njëra-tjetrën, e natyrisht edhe dëshmitë e vetë pjesëmarrësve kanë qënë të ndryshme në kohë të ndryshme. Prapëseprapë, një tufë dëshmish të reja krijon mundësinë për debat e për të analizuar më me vëmendje disa nga momentet kritike në jetën e asaj Lëvizje Studentore.

Në fund janë një grup opinionistësh e komentatorësh ndër të cilët Artan Fuga, Fatos Lubonja, apo Mustafa Nano, të cilët e shohin si Lëvizjen ashtu edhe kontributin e saj me një dozë skepticizmi. Mendimi i tyre është se kjo Lëvizje u përdorua nga sistemi. Sipas këtyre analistëve, studentët që e shohin  Lëvizjen si kontribut të mirëfilltë vec gënjejnë vetëm veten e tyre thjesht sepse ata u përdoruan keqasi nga gjahtarët e parisë.

1.1. HAGJIOGRAFIA ZYRTARE: NJË LËVIZJE E FRYMËZYAR, E ORGANIZUAR DHE E DREJTUAR NGA INTELEKTUALËT E NGA PD

Një këndëndvështrim është hagjiografia zyrtare që është e paraqitur fuqimisht në shkrimet në gazetat RD, ’55,’ e në dokumentarët e televizionit ‘KLAN,’ si dhe në disa botime të tjera. Argumenti thelbësor i këtij grupimi është se Lëvizja Studentore është e lidhur në gjithcka e pazgjidhshmërisht me personin e Azem Hajdarit, të Sali Berishës, e të Arben Imamit. Në të gjitha këto shkrime theksohet lidhja e pazgjidhshme (në kërthizë) midis Lëvizjes Studentore e Partisë Demokratike. Sipas hagjiografeve, si Fahri Balliu e Arben Mece, por edhe te individëve të tjerë që s’kanë qënë askurrkund afër Lëvizjes, si bie fjala, Neritan Ceka apo Jozefina Topalli, njëra është vazhdimi i patjetërsueshëm i tjetrës. Argumenti i tyre është se individët drejtues e aktivë në Lëvizje kaluan nga Lëvizja në PD në mënyrën më të natyrshme. Nga ky këndvështrim, Lëvizja paraqitet si një masë studentore e amullt e pa ide, të cilës iu dha drejtim nga Sali Berisha e Azem Hajdari.

Po ashtu nji opinion i fuqishëm i kësaj qasje është se në thelb lëvizja nuk arriti ndonjë gjë të madhe përtej asaj që ia këshilluan intelektualët e kryeqytetit. Pra Lëvizja reduktohet në protesta që zgjatën vec pesë ditë e në një masë studentore që u shkri natyrshëm në Partinë Demokratike që shihet si e lindur natyrshëm prej saj dhe që nuk u shkëput ndonjëherë prej saj. Në këtë mënyrë, PD paraqitet edhe si organizuesja e drejtuesja e Grevës së Urisë dhe del si struktura që ishte në thelb të cdo arritje të asaj Lëvizje. Shembujt ma interesantë në mbështetje të kesaj hagjiografie janë intervistat e Sali Berishës tek Blendi Fevziu ku flitet për ‘Tribunin Legjendar të Demokracisë,” Azem Hajdari, për parashikimet profetike të këtij të fundit se Shtatorja e Enver Hoxhës do të bjerë, për kontributin e vetë Sali Berishës e me rradhë. Në këto përpjekje retushuese të historisë përmenden thjesht si interlokutorë e jo si urdhër-dhënës, Ramiz Alia, Xhelil Gjoni, Adil Carcani, Robert Koli, Xhevdet Pata e me rardhë por jo edhe disa persona të tjerë që, anipse në hije, kanë luajtur një rol kyc në prapaskenat e kohës. Ky interpretim është qartësisht i dukshëm në shkrimet e intervistat e Besnik Mustafajt, të Eduard Selamit e të Arben Imamit, Neritan Cekës, Arben Meces por edhe të disa intelektualëve të atyre viteve që kanë botuar shkrime apo kanë dhënë intervista lidhur me Lëvizjen Studentore.

Nga ana e studentëve të asaj kohe, të bëjnë përshtypje dokumentari, anipse konformues, i Blendi Fevziut “Misteret e Dhjetorit ‘90’ si dhe interpretimi i lirshëm i historisë në dokumentarin e fundit “20 Shkurti” në TV Klan. Këtu bëjnë pjesë edhe shkrimet panegjirike të pjestarëve të një grupimi i quajtur “Dhjetori 90.’” Shembulli me ilustrues i të cilëve janë eulogjite e përvitshme të Mujo Bucpapajt e të Bislim Ahmetit në RD. Bislimi eshte një njeri që s’ka pasur ndonjë rol në Lëvizjen Studentore në Qytetin Studenti e natyrisht as në organizimin e Grevës së Urisë.

Cka të bën përshtypje është se shumë nga shkrimet vijnë nga ish-studentë që edhe pse kanë qënë atje me 5-13 dhjetor as mbas 20 vjetësh nuk janë në gjendje me thanë se cka kanë arritur të bëjnë politikisht, as atëherë e as mbrapa. Këta nuk dinë se cfarë kanë synuar të arrijnë e pse duhen nderuar si ata ashtu edhe ajo Lëvizje Studentore, pjestarë të së cilës kanë qënë. Shumë shkrime të lënë përshtypjen se këto individë thjesht po ndjekin linjën e hagjiografisë zyrtare e me vetëdije të plotë e lejojnë veten të përdoren pa mëshirë e për një post pune. Shkrimet, intervistat, e veprimtaritë e tyre janë të mbushura me lavde patetike për Sali Berishen, për Azem Hajdarin, për Arben Imamin e për disa individë të tjerë që nga ana e tyre iu referohen krushqve apo ish-shokëve të dhomës si dëshmitarë apo edhe oportunistëve që gjinden me kaq shumë lehtësi në Tiranën e sotme.

Përtej këtij emisionit të sotshëm të Blendi Fevziut në Opinionin e 18 Shkurtit 2011, i cili ishte i ndërtuar me shumë kujdes për të dhënë si të vërtetë hagjiografinë zyrtare (ndër të tjera duke promovuar një Komision të Grevës së Urisë që në fakt se ka pyetur njeri në vendimet që janë marrë) e natyrisht për ta nxjerrë Sali Berishën të larë nga roli negativ që ka luajtur si ai, ashtu si edhe Azem Hajdari por edhe PD, ka shumë të tjerë që nuk të lënë asnjë përshtypje të mirë.

Një nga shkrimet më të forta në drejtim të delirit politik, por edhe më tragjikomike në mbështetje të hagjiografisë zyrtare ishte shkrimi i Edmond Budinës tek MAPO në Dhjetor 2010. Në atë shkrim teatral tregohej në detaje se si, duke pirë cigare, e të mbështetur për mur të një godine, z. Budina na i paskësh kishte treguar Arben Brocit se si do të ishte e ardhmja demokratike e shtetit shqiptar. Edhe pse në atë kohë ai ishte zv.sekretar partie në Teatrin Popullor, e dinte më shumë se shumë të tjerë, duke gjykuar nga rruga që mori më vonë z. Budina, njeriu ka dyshime lidhur me sa ka ditur ai për të ardhmen ‘demokratike’ të shtetit shqiptar. Ose, nëse ai ka ditur dicka se si do të jetë kjo e ardhme, dhe ka ikur në Itali, atëherë njeriu ka dyshime lidhur me ndershmërinë e argumenteve të tij në të sotmen ‘demokratike’ sidomos kur ai flet në mbështetje të individëve të vecantë e të arritjeve të PD-së.

1.2. GJUETARËT DHE PREJA: LËVIZJA ËSHTË PËRDORUR NGA PARIA E TIRANËS

Në paradigmën (qasjen) e dytë dallohen prof. Artan Fuga si dhe opinionistët Mustafa Nano apo Fatos Lubonja. Mosbesimi i tyre tek pastërtia e tek kontributi i Lëvizjes Studentore është i thellë, ashtu sic është edhe më i thellë mosbesimi i tyre tek individët që sipas hagjiografisë zyrtare ishin themeluesit, drejtuesit e inspiruesit e asaj Lëvizje. Kur flasin për Lëvizjen, si Lubonja ashtu edhe Nano kanë në mendje individët që u promovuan intensivisht që nga ditët e para e që u bënë të njohur gjatë tranzicionit. Kam parasysh Sali Berishën, që në shkrimin e Nanos shihet si “drejtuesi i Dhjetorit” e Azem Hajdarin që shihet si tribuni i demokracisë apo më saktë i PD-së.

Premisa e gjykimit është kjo: në se Lëvizja Studentore ka qënë e drejtuar dhe e organizuar nga këta individë që, sipas autorëve, gjatë tranzicionit u sprovuan të ishin me karakter tejet të dyshimtë, dhe që me sjelljet e tyre të mëpastajme, po sipas autorëve, kanë lënë një shije të hidhur në nivelin e vlerave më njerëzore e kombëtare atëherë nuk ka pse të respektohet një Lëvizje e tillë. Po ashtu, nëse Lëvizja ka qënë e përbërë nga studentë që mblidhen me grupimin “Dhjetori 90’” që edhe që sot e kësaj dite mbështet verbërisht Sali Berishën, (jo më larg se deklarata e tyre për shtyp në Gazetën 55 të 20 Shkurtit 2011 e provon këtë) ajo nuk mundet me pasë kenë e pavarur. Nëse këta individë e tregojnë veten si individë pa pikë pavarësie e vetëdije politike, atëherë nuk ka se si me kenë e mundur që ata s’kanë pjekuri politike as sot e kësaj dite, por përdorohen me kaq lehtësi, me kenë heronj e me e meritue me u nderue si heronj. Si pasojë, ergo, Lëvizja Studentore as ka merita, as nuk mundet me pasë kontribute. Prandaj, përkujtimi i saj, si Lubonjës ashtu edhe Nanos, por edhe një mase të heshtur apo vokale anonime të pasuesve të kësaj paradigme iu shkakton dyshime e neveri.

Pika që Lubonja e Nano e cekin por nuk e zbërthejnë sa duhet është bindja e tyre se Lëvizja Studentore u përdor nga ‘gjahtarët’ e sistemit, që ende nuk duan të flasin e të thonë se cfarë bënë e si ja arritën. Mendimi i tyre por edhe i të tjerëve, është se në rastin më të mirë, ‘gjahtarët’ ua hodhën ‘luanëve’ të rremë të Levizjes Studentore e në rastin më të keq, ‘luanët’ ishin thjesht marioneta të tyre. Duke qënë se ipso facto, në mendjen e tyre, Lëvizja ose ka qënë e përdorur, ose e drejtuar nga këta dy individë, atëherë sic shkruan Mustafa Nano tek MAPO e datës 10 Dhjetor 2010, ai habitet që pjesëmarrës të tjerë në këtë Lëvizje por edhe “… Shinasi Rama… ngrefoset e është krenar se ka qënë student në Lëvizjen Studentore.” Nënkuptimi është se ne flasim pa arsye e se nuk jemi fare të vetëdijshëm se si jemi përdorur dhe se nuk duhet të lidhim emrin me Lëvizjen që nuk ka pse të respektohet pse e drejtuar dhe e organizuar nga Sali Berisha e Azem Hajdari e pa vlera pikëpamje e program të qartë.

Nga një anë duhet thënë se individë si Mustafa Nano tregojnë mllef te pajustifikuar karshi të tjerëve por edhe mungesë dijesh në lidhje me rolin e vendin e asaj Lëvizje në historinë shqiptare. Duke ja pranuar lirshmërinë në gjykim, sepse si komentator ai ka të drejtë me thanë cka I duket e drejtë, Z. Nano duhej të mendohej dy here e të lexonte të paktën se cka thonë pjestarët e saj. Po ashtu, dyshimet e Fatos Lubonjës lidhur me kontributin e saj, por edhe me rolin e individëve, po ashtu tregojnë një keqkuptim të madh që duhet sqaruar me durim. E prandaj, ia vlen që të vihen pikat mbi ‘i’. Edhe në se nuk është e mundur që të sqarohen të gjitha gjërat (nga këndvështrimi i jonë, natyrisht) ia vlen që të ceken disa pika kyce e prej andej mund të fillojë edhe diskutimi lidhur me këtë lëvizje madhore në historinë e vonshme shqiptare.

1.3. NJË LËVIZJE PATROTIKE E DEMOKRATIKE E PAVARUR NGA PARIA E TIRANES

Paradigma e tretë është e përfaqësuar nga një grup tjetër në të cilin bëjnë pjesë disa nga organizatorët, drejtuesit, e pjesëmarrësit në atë Lëvizje. Në shkrimet e tyre ndihet zëri i një masë kritike dhe të heshtur të pjesëmarrësve që nuk gjen pasqyrimin e duhur në përkujtimet e zhurmshme për Lëvizjen në Tiranë. Ish-studentë si autori i këtij shkrimi, por edhe intelektualë të asaj kohe e kanë trajtuar Lëvizjen në shkrimet e tyre me një nivel objektiviteti që deri deri tash e në përgjithësi ka munguar. Mirëpo varfëria dokumentare dhe pamundësia për të rrokur tablonë e madhe, si dhe zhurma mbytëse e aparatit mediatik, por edhe shkrimet që dalin në shtypin e përditshëm nuk e ka nxjerrë si duhet të vërtetën e saj.

Një përpjekje interesante por edhe tejet kontradiktore (sepse tregoi mungesën e njohurive lidhur me atë Lëvizje) për të rivlerësuar me objektivitet Levizjen studentore po ashtu u bë nga ana e Presidentit Bamir Topi. Në motivacionin e dekorimit të Lëvizjes Studentore me titullin “Nderi i Kombit,” Bamir Topi theksoi disa aspekte të kontributit themelor të Levizjes qua Levizje, të cilat nuk kanë qënë as të përmendura në parë e lëre më kaq të theksuara si në fjalimin e tij. Pjesa e parë e fjalimit të tij vinte në dukje më një qartësi të jashtëzakonshme disa nga kontributet themelore të asaj Lëvizje dhe për këtë meriton vëmendje të vecantë.

Nga ana tjetër, në paragrafin e fundit, ai edhe potencoi fuqishëm interpretimin e Lëvizjes nga këndvështrimi i hagjiografisë zyrtare duke folur për Azem Hajdarin si figura qëndrore e Lëvizjes Studentore në periudhën Dhjetor 1990-Shkurt 1991. Problemi është se njëri këndvështrim përjashton tjetrin. Azem Hajdari nuk ka kenë ndonjëherë lideri i LSSH sepse ai as nuk ka kenë, as nuk ka mundë me kenë lideri im, as i shumë shokëve të mi as edhe për një moment.  Ma e shumta ka kenë një bashkëudhëtar. Ai ka pasur mbështetje në fillim në një grup të caktuar e si do ta shpjegoj më poshtë, erdhi një ditë, jo më vonë se në Janar të vitit 1991 që vetë ata studentë që e mbështetën në fillim, e përbuzën dhe e tallën në Sheshin e Qytetit Studenti. Edhe pse duhet mbajtur në mend se politikani i vërtetë është ai që mundet me mbajtë dy ide të kundërta në mendje si të vërteta, kjo sjellje është e papranueshme në analizën historike e vecse nxjerr në pah idiosinkracinë e të menduarit lidhur me Lëvizjen.

Por, duke u kthyer tek roli i Lëvizjes, të gjithë ne, që e kemi studjuar apo analizuar, në mënyrat tona, me qetësi jemi përpjekur me vue në dukje disa nga arritjet e asaj lëvizje madhore në historinë e vonshme shqiptare. Argumentet e këtij grupi studjuesish janë se Lëvizja Studentore ishte një lëvizje në vazhdimësinë e Lëvizjeve studentore që kanë qënë aq të gjalla e të fuqishme në periudhat më kritike të historisë shqiptare. Ajo është faktori më i fuqishëm në fillimet e tranzicionit, sepse studentët e thyen partinë-shtet, ishte më masivja sepse në të u përfshinë studentë nga të gjitha anët e shtetit, ishte më vendimtarja se ju kundërvue aparatit të dhunës e terrorit tamam kur ishte koha më kritike dhe paritë zvarriteshin përdhe, ishte më e papërlyera se ato studentë nuk kërkuan asgjë veç të mirën e popullit dhe nuk morën asgjë si shpërblim. Mbi të gjitha, ajo lëvizje ishte më e panjolla, sepse askush nuk mundet me dalë e me thanë se studentët në atë lëvizje kërkuan gjakderdhje e vëllavrasje. Më në fund, askush nuk mundet me dalë e me thanë se atë Lëvizje e përdorën si vegël të tyre individë e grupe të caktuara të parisë së Tiranës. Kur jemi përdorur, e kemi lanë veten të përdoremi se e kemi ditur dhe se e kemi ndjerë se ku ishte e mira e të gjithë shqiptarëve.  Rrugët tona janë kryqëzuar por ne kemi qënë në rrugën e tyre sa kohë që ato kanë qënë në rrugën tone.

Ishte ajo Lëvizje që synoi ta transformonte dhe ta drejtonte urrejtjen e popullit karshi një sistemi tiranik në një revolucion të vërtetë popullor që synoi dhe ja arriti të merrej me strukturat e jo me njerëzit e veçantë. Për një periudhë shumë kritike, sytë dhe mendja e popullit ishte përqëndruar tek Lëvizja Studentore dhe, ishte ajo Lëvizje Studentore që e drejtoi në rrugën e së drejtës, të mirëkuptimit e të pajtimit kombëtar duke e përdorur respektin e prestigjin e fituar për të ndihmuar të gjithë shqiptarët. Lëvizja studentore mori përsipër me ndërgjegje të plotë dhe pa u përdoruar atë detyrë historike të  nxjerrjes prej sundimit të partisë shtet dhe të futjes së vendit në binarët e një sistemi demokratik e modern.

Për mbi të gjitha, lëvizja Studentore nuk bëri asnjëherë thirrje për gjakderdhje por vetëm për vetësakrifikim e vetëflijim. Ajo ishte një Lëvizje e qytetëruar dhe e kulturuar që kërkoi e punoi që të gjithë shqiptarët të kishin mundësi që të fillonin një jetë të re pa e urryer njëri-tjetrin dhe pa e lënë Luftën e Klasave që të shndrrohej në Luftë të hapur Civile. Lëvizja veproi e shkëputur e paralel partive politike që lindën apo u transformuan gjatë periudhës së parë të tranzicionit.

Lëvizja zgjidhi problemin e eliminimit të rolit e të mitit të Enver Hoxhës duke i hapur rrugën demokracisë së ideve e të vlerave. Organizimi i Grevës së Urisë është ndër shembujt më të pastër e patriotikë të shërbimit publik që mund të ketë dhënë ndonjë grup në historinë shqiptare. Nga fillimi i Janarit 1990, një grup studentësh u organizua në Shoqatën Studentore Fan S. Noli, shoqata që ideoi, e përgatiti, e organizoi dhe e drejtoi Grevën e Urisë që shembi mitin e diktatorit Enver Hoxha. Kjo Grevë urie është menduar, organizuar dhe drejtuar me një vetëdijshmëri të lartë për pasojat që mund të kishim, por edhe për nevojën e jashtëzakonshme të kryerjes së këtij detyrimi karshi të ardhmes të të gjithëve shqiptarëve. Enver Hoxha ishte shpirti, jeta, dhe mendja e diktaturës dhe e strukturave që e mbanin atë gjallë. Emri dhe vepra e tij i mbante bashkë të lidhur fort të gjithë strukturat e sistemit të partisë-shtet. Nuk mund të kishte demokraci me fytyrën e një krimineli si Enver Hoxha të varur në çdo klasë shkolle e në çdo shesh të qyteteve e të fshatrave të shtetit shqiptar. Ka qënë bindja e jonë e patundur se duke e hequr dhe duke e shembur mitin e tij, do të liroheshin jo vetëm ato kishin qënë të shtypur, të dhunuar e të persekutuar por edhe vetë pjestarët e strukturave të partisë, të shtetit dhe të sigurisë që jetonin me frikë se e tillë ishte natyra e despotizmit, e sulltanizmit dhe e tiranisë enveriste. Duke e shembur mitin dhe statujën e Enver Hoxhës, ne kishim besimin e thellë se do të hiqej ‘molla e sherrit’ dhe vendi do të merrte frymë lirisht, se do të kishte probleme por se nuk do të kishte Luftë Civile, se do të kishte përplasje por nuk do të kishte vëllavrasje.

Ne këmbëngulim në vlerat historike të saj, në kontributin e jashtëzakonshëm të të gjithë atyre mijra studentëve e studenteve që morën pjesë në atë Lëvizje që zgjati nga Dhjetori 1990 deri në fund të Marsit a në fillim të Prillit 1991, kjo varet se si konsiderohen ngjarjet e 2 Prillit 1991. Para se me dhanë gjykime për Levizjen Studentore, ata që flasin për atë Lëvizje duhet me konsiderue edhe pikëpamjen e këtij grupi me peshë, thjesht sepse shumë nga kontributet e saj më të rëndësishme lidhen direkt e pazgjidhshmërisht me këtë grup pjesëmarrësish e drejtuesish të Lëvizjes Studentore.

2. MBI DISA PIKËPYETJE E PROBLEME LIDHUR ME LËVIZJEN STUDENTORE

Nuk ka dyshim se mund t’iu jepet përgjigje të gjithë pikëpyetjeve lidhur me interpretimet e ndryshme të Lëvizjes e të rolit të saj. Për 20 vjet është folur kaq shumë dhe volumi i argumenteve, edhe për ne që i ndjekim me rigorozitet, është i tillë që e bën të vështirë dhënien e përgjigjeve. Ka një numër momentesh të rëndësishme të cilat duhen analizuar për të nxjerrë në pah rolin që luajti Lëvizja Studentore. Ndër të tjera, duhen përmendur përpjekjet për të ngritur studentët në ditët e para të Dhjetorit 1990, ngritja massive e studentëve me 8 Dhjetor, demonstrata e mengjezit të 9 Dhjetorit e përplasja tek Liceu, demonstrata e mbremjes së 9 Dhjetorit në Sheshin Skenderbeg, vendosja e hapur e kushteve politike, organizimi e strukturimi i studenteve, zgjedhjet e para demokratike në shtetin shqiptar në disa dekada, fitimi i pluralizmit, mundësimi e organizimi i opozitës në nivel kombëtar, heqja e frikës, ngritja e ceshtjes të burgosurve politikë, përpjekja për ndarjen e shtetit nga kontrolli i partisë, lufta kundër kultit të individit të Enver Hoxhës, aktiviteti i spikatun i Shoqatës Studentore ‘Fan Noli,’ përpjekja për të vënë opozitën në një shtrat vlerash kombëtare e patriotike, lufta për të shmangur Luftën Civile e për të organizuar një Front Kombëtar, shembja e mitit të Enver Hoxhës, ndalimi i gjakderdhjes së 2 Prillit e me rradhë. Këto janë disa ndër arritjet e asaj Lëvizje Studentore.  Këto janë arritje të jashtëzakonshme e historike.

Megjithatë, dy janë pikat kulmore. Njëra është vendosja e pluralizmit në shtetin shqiptar. Tjetra është shembja e mitit të Enver Hoxhës. E në asnjë pikë tjetër dallimet ndërmjet këtyre paradigmave nuk janë më të papajtueshme se në interpretimin e rolit të Lëvizjes Studentore në këto momente historike si dhe në rolin e individëve të vecantë. Mirëpo problemet me narativat e këtyre paradigmave dalin qartë kur ballafaqohen me mospërputhjet me faktet që sillen si nga përshkruesit e që provohen me dokumentet ekzistuese ashtu edhe nga qëndrimet e ndryshme brenda qasjes vetë. Për shkak të hapësirës, do të ndalem në mitin qëndror e më të diskutueshëm, atë të vendosjes së pluralizmit në shtetin shqiptar.

2.1 Miti I Hagjiografisë Zyrtare: Pluralizmi Ishte Ideja E Sali Berishës Dhe U Kërkua E U Fitua Prej “Tribunit Legjendar Të Demokracisë’ Azem Hajdari

Një nga variantet më të promovuara lidhur me vendosjen e pluralizmit mbetet ai që i vendos Sali Berishën dhe Azem Hajdarin, njërin si frymëzues dhe tjetrin si faktorin kryesor të arritjeve të Lëvizjes Studentore, e mbi të gjitha, të pluralizmit politik. Edhe pse i përsëritur pambarimisht gjatë këtyre 20 vjetëve, interpretimi i hagjiografisë zyrtare është përmbledhur qartë në intervistën e Sali Berishës dhënë në emisionin “Opinion” të TV Klan. Kështu, duke e përmbledhur interpretimin e kësaj qasje, Sali Berisha flet me nje krenari të dukshme për rolin e tij të frymëzuesit, të mbështetësit e të dhënies drejtim të Lëvizjes Studentore.  Po marr lirinë për ta dhënë dialogun të plotë.

“Blendi Fevziu: Cfare kerkonte Ramizi nga ju?

Sali Berisha: Ramizi kerkonte te bindeshin studentet qe te shkonin ne takim me te.

Blendi Fevziu: Ju tha se studentet duhet te shkonin ne shkolle me pare?

Sali Berisha: Jo jo. Kaq ishte takimiKaq.

Blendi Fevziu: E moret persiper te negocioni me studentet?

Sali Berisha: E mora me kenaqesi te madhe. Une kisha nje qellim ti coja tek ajo cka eshte themelore. Shkuam me Besnikun ne nje kafe aty prane aty takova Azemin per here te pare. U gezuan shume. I them Azemit se me tregoi listen e kerkesave. I thashe leri menjane nje eshte themelore dhe thelbesore pluralizmi. Ata e kishin por kishin kerkesa te tjera jo te ike byroja etj. I thame do te mbeshtesim.

Blendi Fevziu: I thate se vinit nga Ramiz Alia

Sali Berisha: Po i thashe.

Blendi Fevziu: Po qe ai kerkonte nje takim me ta?

Sali Berisha: Po por nuk i nxita une ata.

Blendi Fevziu: Si e priten takimin me Ramizin?

Sali Berisha: Ata me priten shume mire mua po lere Ramizin. Qellimi ishte qe keta te konsolidoheshin ne kerkesen per pluralizem politik. Gjeresisht Besniku u ul me Azemin ne nje qoshe dhe diskutuan per pluralizmin. Me te tjeret po merresha une….

Blendi Fevziu: Po ideja juaj cila ishte?

Sali Berisha: Ideja ime ishte qe te konsolidohej sa me shume kerkesa per pluralizmin politik. Une nuk doja ne asnje menyre qe kjo kerkese te mbulohej nga kerkesa te tjera. Ushtimi ne qytet ishte i domosdoshem. Studentet duhet te kishin mbeshtetjen e Tiranes. Ne shkuam ne darke bashke me Lisien Bashkurtin ne mbledhjen e dyte me studentet. Shkojme ne rektorat dhe ishin prape drejtuesit ata jo te favorshem. Perkundrazi donin te sillnin aty studentet e shkolles se bashkuar dhe te policise. Ata nuk pranuan. Lisjeni mbajti nje qendrim te shkelqyer. Fliste ne emer te rinise u tha ne rektorat se nuk mund te ndodhe kurre qe te rinjte shqiptare te perleshen me njeri-tjetrin. …Ne daten 10 dhjetor pasdite kur u be nje mbledhje dukej sikur nuk kishte zgjidhje tjeter vec dialogut. Ndarja me dhune e studenteve ishte pothuajse e pamundur.

Blendi Fevziu: Po ate mbremje ju keni takuar Gramoz Pashkon Prec Zogaj e disa intelektuale te tjere. Apo e shfrytezonit ju kete situate per te krijuar nje formacion politik?

Sali Berisha: Pa diskutim. Filluam te mendonim per nje parti politike qe ne ate moment. Ne donim te theksohej pluralizmi politik. Para ikjes ne takim me Ramiz Aliaj me studentet ne godinen 15 u be nje mbledhje rreth nje ore ku u diskutua ne kerkesat qe do ti paraqiteshin Ramizit. Fokusimi ishte kryekeput te pluralizmi… Te nesermen qe erdhem te studentet me thote Kujtim Cashku ne e beme punen tone tani te largohemi te ndjekim rrjedhen tone intelektuale. I them jo ne do rrime. Per dy arsye. Se pari ne jemi gjakftohte kemi marre vendimet tona dhe ne mund ti mbrojme studentet se dyti ishte Kosova. I thashe Besnikut keto dy faktore na detyrojne ne te qendrojme. Sepse per Kosoven pluralizmi ne Shqiperi ishte jetik…”

Në këtë hagjiografi ka disa probleme të cilat kërkojnë shpjegim. Së pari, cilët janë ata studentë me të cilët foli z. Berisha dhe që iu tregoi që të kërkonin pluralizmin politik? Takimet për një kohë i ka pasur me një grup shumë të ngushtë, pjesë integrale e të cilit kam qënë edhe unë. Me sa mbaj mend në atë takim që permendet në kujtimet e tij në zyrat e Drejtorisë së Qytetit Studenti kanë qënë edhe Skender Gjinushi, Lisjen Bashkurti, Besnik Mustafaj, Remzi Lani, e Sali Berisha nga një anë, e nga ana e studentëve, Mimoza Zhamo, Arben Lika, Azem Hajdari,  Tefalin Malshyti, Shinasi Rama e një a dy studentë të tjerë. Për fat të keq, Saliu nuk është pritur mire, në fakt është pritur shumë keq. Me sa më kujtohet, një nga studentët e pranishëm e quajti ndër të tjera e sistematikisht ‘kodoshi i Ramiz Alisë,’ e me rradhë. Shkurt, Saliu nuk ka gezuar pikë respekti e besimi tek ky grup studentësh që nuk e pranuan as si ndërmjetës e lëre më si frymëzues as atëherë e as më vonë. Prandaj deklarata e tij e mëvonshme se ai erdhi për të mbrojtur studentët, po keta qe e shihnin si armik e si një instrument të partisë në fuqi, është e lindur nga një imagjinatë e ndezur dhe jo reale.

Së dyti, si Sali Berishës ashtu edhe Gramoz Pashkos iu është bërë ftesa nga unë që të vinin e ta kërkonin pluralizmin me gojën e tyre dhe e refuzuan. Kur deshën të vinin e ti bashkëngjiteshin Përfaqësisë, në takimin në godinën 15 për të cilin flet Saliu, si frymëzues i pluralizmit, dihet mirë se po unë i kam përzënë të dy. Kjo mendoj unë nuk flet për dashamirësi, besim e respekt reciprok ndërmjet tij e studentëve, por për dicka tjetër. Kjo mendoj unë, tregon se unë e disa të tjerë nuk kishim asnjë besim tek këta të dy.

Së treti, një nga problemet më të rënda në hagjiografinë zyrtare është i lidhur me rolin e Azem Hajdarit në këtë arritje të Lëvizjes Studentore. Azemi etiketohet si “Tribuni i demokracisë,”(Eduard Selami) “Princi i Mendjeve të Lira” (Bislim Ahmeti), “Tribuni Legjendar” (Fahri Balliu), ose me fjalët e Sali Berishës, “Shqipëria ju detyrohet ju sot, studentëve dhe studenteve të 8 dhjetorit ‘90, prijësit tuaj të përjetshëm Azem Hajdari” e më rradhë.

Në se Besnik Mustafaj qenka ulur t’ia shpjegojë Azem Hajdarit se cfarë ishte pluralizmi politik, del se Azemi, edhe pse sa ishte pranuar si kandidat partie, nuk e paska ditur më parë se cfarë ishte pluralizmi. Pra, të gjithë legjendat lidhur me kërkimin e pluralizmit e të demokracisë nga ana e Hajdarit në takimet e mëparshme me Ramiz Alinë bijnë poshtë. Kjo nuk është e vështirë të provohet sepse të gjitha dëshmitë që janë dhënë kanë provuar katërcipërisht se në asnjë takim nuk është kërkuar pluralizmi. Ajo që del nga të gjitha dëshmitë, si të Ramiz Alisë, por edhe të studentëve pjesëmarrës, është se studentët e pranishëm në këto takime s’kanë ditur cfarë kërkonin.

Po ashtu, nëse Besniku e Saliu e paskan drejtuar Azemin që të kërkojë pluralizmin, dhe ky e paska mësuar atëbotë prej tij e prej Besnikut se cka duhej, atëherë kemi një seri pikëpyetjesh të tjera. Njëra ka të bëjë me këmbënguljen e Azemit për vendosjen e kërkesave ekonomike. Tjera ka të bëjë me kundërvënien e hapur të Azem Hajdarit në takimin me Ramiz Alinë ndaj studentëve të tjerë. Verba volant, scripta manent, në videon e regjistrimit të takimit e në transkript, shihet qartë se Azem Hajdari iu kundërvihet hapur shokëve e shoqeve të tjera. Në një moment i thotë Ramiz Alisë duke bërë me kokë nga një student tjetër se “këta që i cojnë dy gishtat, nuk na e duen të mirën ne shoku Ramiz.” Në një moment tjetër, kur diskutohej nëse shtypi i kishte etiketuar veprimtaritë e Lëvizjes si Lëvizje në kundërshtim me politikën e Partisë, i thotë Mimoza Ferrajt, “ Më fal moj ti, se nuk është e vërtetë.”

Edhe më keq, edhe pse ishte rënë dakord që të kërkohej vec pluralizmi politik e të dilej prej atij takimi, edhe mbasi u kërkua pluralizmi politik nga dikush tjetër, Azem Hajdari e Arben Imami vazhduan që të kërkonin Lëvizjen e Studentëve e të Intelektualëve të Rinj. E kur të tjerët iu kundërvunë Alisë e kur pluralizmi ishte kërkuar hapur prej tyre, Azem Hajdari vazhdon e i flet Ramiz Alisë për një Lëvizje  “që duhet tu mbështeti ju si president, presidiumin tonë të Kuvendit Popullor në këto reforma… dhe partinë si inisiatore të parë në këto reforma demokratike.” Në atë takim Azem Hajdari nuk e ka përmendur fjalën ‘pluralizëm’ as edhe një herë të vetme. Pra, Azem Hajdari jo vetëm që nuk bëri atë që pritej por edhe iu doli kundër studentëve të tjerë në takimin me Ramiz Alinë duke u sjellë si krahu i tij i djathtë, e si mund të thuhet, si kolonë e pestë. Prandaj kjo që thotë Sali Berisha lidhur me rolin e Hajdarit si ‘Tribun i Demokracisë” për këshillat që ai vetë u ka dhënë studentëve, e me rradhë ngren më shumë probleme se sa sqaron dhe e bën qasjen zyrtare krejtësisht të pabesueshme.

2.2. Ramiz Alia Synonte Të Vendoste Pluralizmin Partiak: Studentët U Përdorën Nga Sistemi

Një nga mitet që e kanë pasë mbajtur qasjen e dytë si të pranueshme është miti se Ramiz Alia e synonte vendosjen e pluralizmit politik dhe e shpalli atë në mbledhjen e Byrosë Politike. Pra, Lëvizja studentore nuk bëri gjë tjetër por shërbeu si instrument i pastër politik për nxitjen e arritjen e këtij objektivi politik. Pozicionin më të qartë në këtë drejtim e ka mbajtur Skënder Gjinushi. Në një intervistë të tijën të gjatë lidhur me veprimtarinë e tij politike, ndër të tjera përmendet edhe procesi i vendosjes së pluralizmit. Argumenti i z. Gjinushi është se:

“Skënder Gjinushi: Te henen kam vajtur tek zyra e Ramiz Alise.

Blendi Fevziu: Cila ishte pergjigjja?

Skënder Gjinushi: Pergjigjja ishte Po takohemi njehere. Pastaj i tha Berishes Si i the ti ne takim Sali. Aty une e kujtova takimin e pare se c’pyeti dhe thashe i ka thene se ndryshimet e koheve te fundit jane me te avancuara sesa psikologjia shoqerore. Berisha u pergjigj se atehere d.m.th. para tre muajsh ndersa tani ka ndryshuar situata. Aty e kuptova se prirja ishte per po pluralizem.

Blendi Fevziu: Ju shkuat pastaj se bashku tek studentet?

Skënder Gjinushi: Po shkuam pastaj te tre une Berisha dhe Lisieni.

Blendi Fevziu: Perse Ramiz Alia vendosi qe te shpallte pluralizmin politik perpara takimit me studentet?

Skënder Gjinushi: Normal ai po e kishte mbledhur mendjen me pare do e bente.

Blendi Fevziu: Me pas ti shkon ne takim i relaksuar.

Skënder Gjinushi: Realisht une para se te shkoja ne takim vajta tek Ismaili qe ne ate kohe frekuentoheshim dhe shkonim pothuajse perdite tek shtepia e njeri-tjetrit dhe ai ishte duke hapur nje shishe shampanje a vere e me tha: Hajde te festojme se u shpall pluralizmi politik. Aty e kam marre vesh une vendimin.”

Te tjerë si Alfred Lela i bien më shkurt “Një prej anëtarëve të Byrosë, kur debatohej mbi atë se a duhej lejuar apo jo pluralizmi politik, e dha “po-në” e tij duke e përforcuar edhe me sigurinë e fitores së PPSH-së. “Po nuk mundëm edhe partinë e Azem Hajdarit, çfarë partie jemi ne?”, e siguroi ai kupolën komuniste.” Kësaj teze I mëshon edhe Blendi Fevziu, kur thotë se: “Ndërsa Koleka shprehej për një kundërveprim radikal, se e kishin marrë pushtetin me luftë e nuk mund ta lëshonin në mënyrë kaq paqësore, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha ishin pro. Ky ishte vendimi që iu komunikua përfaqësisë prej 40 studentësh dhe pedagogësh në takimin e zhvilluar në Pallatin e Brigadave me Sekretarin e KQPPSH, Ramiz Alia. Një vendim, për të cilin as studentët nuk ishin përgatitur se do të merrej kaq shpejt, edhe pse në kërkesat e shpallura nga vetë ata, në pikën 4, kërkohej pikërisht pluralizmi.”

Miti, pra është ky: Ramiz Alia dhe Byroja Politike e deshën pluralizmin politik, e përdorën Lëvizjen Studentore thjesht si mashë, dhe sa u krijua mundësia e lejuan dhe e shpallën pluralizmin politik. Pra Lëvizja Studentore nuk ka asnjë meritë, ajo thjesht u përdor për të nxjerrë në skenën politike intelektualët e Azem Hajdarin dhe pjesëmarrësit e saj nuk kanë asnjë të drejtë për të qënë krenarë për vendosjen e pluralizmit e demokratizimin e sistemit politik.

Ashtu si edhe paradigma tjetër, edhe kjo qasje ka një numër problemesh shumë theksuara që nuk mund të kalohen kaq lehtë. Në këtë drejtim, dokumentari i Blendi Fevziut “Mistere të Dhjetorit 1990” si dhe botimi i librit Dhjetori 1990:Dokumente e Materiale i Prof. Aleksander Meksit ka ndihmuar shumë për nxjerrjen në dritë të materialeve e dokumenteve të cilat provojnë se Ramiz Alia dhe drejtuesit e partisë kishin objektiva të ndryshme prej atyre që u arritën nga Lëvizja Studentore.

Në materialet e mbledhjes së Byrosë Politike shihet qartë se Ramiz Alia ishte i informuar deri në detaje për ecurinë, individët, objektivat e strategjinë e Levizjes Studentore. Nuk ka dyshim se strukturat e atëhershme kishin edhe raporte më të detajuara që jam i sigurtë që do të dalin me kohë.

Sic shihet edhe nga materialet e botuara e nga regjistrimet filmike si të mbledhjeve të Byrosë Politike ashtu edhe të takimit të Përfaqësisë Studentore me Ramiz Alinë, plani i Ramiz Alisë ishte që të vendosej një pluralizëm fiktiv, subjektesh elektorale brenda kornizës kushtetuese ekzistuese.  Krahas Organizatës së Veteranëve, të Frontit Demokratik, e me rradhë do të krijohej një organizatë paralele e intelektualëve të rinj. Ashtu sic kishte ekzistuar Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare me Bashkimin e Rinisë Komuniste, ashtu mund të bashkëekzistonte edhe kjo Organizatë e Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj me BRPSH.

Edhe pse varianti i bisedës së transkriptuar botuar në librin “Dhjetori ’90: Dokumente e Materiale” të Aleksandër Meksit nuk është i plotë, ai ndihmon për të ngritur një seri pikëpyetjesh lidhur sjelljen e pluralizmit. Duke qënë se une e kam te plote transkriptimin e bisedes (shume me te detajuar e te zgjeruar) e te bere nga profesioniste them me bindje të plotë se ka disa pika shumë të rëndësishme qe mungojne e nuk dalin qarte dhe që e kanë errësuar pak debatin. Megjithatë, ky transkript i botuar ne librin e Meksit eshte nje fillim i mire per te diskutuar per shume gjera qe tashme kane vlere vetem historike e studimore.

Së pari, qëndrimi i Ramiz Alisë në takim është konsistent me objektivat që ai kishte përcaktuar në Mbledhjen e Byrosë Politike. Pluralizmi që do të vendosej do të ishte një pluralizëm subjektesh elektorale. Pleniumi i KQ të PPSH shprehte mendimin se “… lejohet krijimi i organizatave të pavarura në përputhje me ligjet në fuqi” d.m.th., me Kushtetuten e vitit 1976. E mbas kësaj, Ramiz Alia e mbylli duke thënë “… duhet ti masim hapat që hedhim, duhet të jemi të kujdesshëm, pa u ndalur aspak në rrugën tonë që kemi nisur, që është rruga e interesave të Atdheut, të socializmit, të popullit tonë. Këto kasha ti thoja kështu në fillim. Tashti do të dëshëroja të dëgjoja nëqoftëse keni juve e ca keni juve… për të më thënë.”

Cdo kush që ka jetuar në atë sistem e din mirë se sa e rrezikshme dhe e frikshme ishte një deklaratë e tillë. E megjithatë, studentët e treguan vetveten me ndërgjegje të lartë politike. Nga një anë, studentët e ndanë rolin e Ramiz Alisë si Sekretar i Parë i KQ të PPSH, nga ai i Presidentit të shtetit. Studentët kërkuan pluralizmin politik, jo atë të subjekteve elektorale që po paraqitej prej Ramiz Alisë. Ata nuk ja kërkuan atë Sekretarit të PPSH-së, por presidentit të shtetit. Së dyti, përpjekja e Ramiz Alisë për të sulmuar studentë të vecantë, që duhej se nuk pajtoheshin me atë qëndrim që ishte përcaktuar nga KQ i PPSH duke iu thënë që, ‘ti fol për vete, lëri këto të tjerët’ dështoi se studentët nuk ja përtuan të flisnin me të si me një të barabartë.

Në një moment të caktuar kur po këto studentë këmbëngulën ne kërkesën për pluralizëm të mirëfilltë partiak, ai u dorëzua dhe tha se mbaroj kjo punë. Arsyeja pse ai veproi në këtë mënyrë nuk është se ai donte të jepte pluralizmin e mirëfilltë politik, por sepse e ndjeu se sa më shumë që zgjatej ajo bisedë, e sa më shumë që ai konfrontohej me studentët, të paktën me ata që ishin të fiksuar në idenë e pluralizmit politik, aq më shumë po zhvlerësohej si ai vetë, si roli që kishte në sistem, si sistemi vete. E vërteta është që ai e kishte paraparë këtë mundësi, dhe kur erdhi momenti që duhej të bënte zgjidhjen, e pranoi pluralizmin politik.

Pra, ky mit i përdorimit të studentëve nga sistemi nuk mundet me qëndrue, sepse studentët shkuan shumë më larg se sa ishte plani për ti lejuar e sa i kishte mundesite Ramiz Alia. Në vend të një subjekti elektoral, ata kërkuan pluralizëm për të gjithë. Kjo donte të thoshte ndrrim i rregullave bazë të sistemit, një sistem i ri, shumë partiak e demokratik. Në bisedat e zhvilluara në Byronë Politike e në Plenium, vecanërisht në ditën e neserme, shihet qartë se Ramiz Alia nuk kishte qënë i përgatitur për të ta lejuar vendosjen e pluralizmit të mirëfilltë. Tensioni i pranishëm në mbledhjet e Byrosë e të Pleniumit tregon qartë e pa kurrfarë dyshimi se pluralizmi u fitua nga studentët, përkundër qëndrimit e interesave të partisë në pushtet.

Argumenti që pluralizmi partiak e i mirëfilltë u fitua nga studentët e nuk ishte i falur nga PPSH shihet qartë nga sjellja e individëve që qysh atëherë konsideroheshin si kolonë e pestë brenda Lëvizjes Studentore si Azem Hajdari e Arben Imami. Edhe mbasi kërkesa për pluralizëm u shtrua hapur, qartë e pamëdyshje, ata vazhdonin avazin e kërkesës për lejimin e krijimit të Organizatës së Studentëve e të  Intelektualëve të Rinj. Shpjegimi për këtë sjellje duhet kërkuar ose tek injoranca e tyre, që mandej ngren pyetjen se pse ishin rebeluar këto individë, ose tek përdorimi nga strukturat e sistemit, se pse nuk merrej vesh per c’arsye ata nuk po pranonin të dilnin kundër skenarit. Akuzat e mëpastajme të Sali Berishës që e quajti Azem Hajdarin e Arben Imamin spiun e me rradhë, janë një argument që duhet konsideruar me seriozitetin e duhur, sepse, në mos tjetër, ndihmon që të shpjegohet sjellja e tyre e pandershme në një moment kritik.

3. MBI DISA CËSHTJE TË TJERA LIDHUR ME INTERPRETIMIN E LËVIZJES STUDENTORE E ROLIN E INDIVIDËVE NË ATË LËVIZJE

Edhe pse fitorja e pluralizmit politik ishte një arritje madhore, periudha e veprimtarisë së Lëvizjes Studentore është e mbushur me ngjarje që meritojnë trajtim të vecantë sepse ishin të vecanta në një moment të caktuar historik e të papërsëritshme. Si edhe e kam përmendur me parë e në shkrime të tjera arritjet e saj ishin historike e vendosnin një precedent që do të mbetet shembull në politikën shqiptare, ndoshta edhe i papërsëritshëm në rolin kritik që luajti.

3.1. A Do Të Kishte Ndryshuar Sistemi Pa Lëvizjen Studentore?

Së pari, a do të kishte ndryshuar sistemi pa Lëvizjen Studentore? Të gjithë analistët që merren me këtë process thonë se sistemi do të binte se nuk kishte rrugë tjetër. Mirëpo, ja ku është Kuba, Koreja e Veriut, Bjellorusia e Moldavia. Nuk është aq e rëndësishme në se po të binte, por edhe se si do të binte, a do të kishte luftë civile, dhe cfarë të ardhme do të kishin shqiptarët.

Duke e pare mbeshtetjen qe kishte regjimi i athershem, qe edhe atehere, por edhe me vone ishte shume efektiv, e shkallen e madhe te legjitimitetit të sistemit ne popull, nivelin e ulet te kurajos qytetare vecanerisht tek intelektualet e Tiranes, injorancen masive politike ne lidhje me rrugen qe duhej ndjekur, e strukturat represive efektive, ka dyshime se sistemi nuk do te binte si ra. Pa këtë lëvizje, mund te kishte ardhur puna qe ndoshta shqiptarët nuk do të hanin bar e parimet nuk do ti shkelnin si Koreja e Veriut por do të sundoheshim nga një Huntë intelektuale që do të ishte maska e fytyra e sistemit te fshehur mbas tyre. Ne ate mocalishte morale qe ishte shteti shqiptar, ngritja e studenteve, politizimi i tyre i shpejte dhe aftesia e tyre per te thithur mbeshtetjen e masave popullore e vuri regjimin para nje dileme te madhe. Zgjidhja qe sistemi gjeti ishte qe te ofronte nje pluralizem subjektesh elektorale, cka ne fakt do ja shtonte legjitimitetin sistemit pa e ndryshuar thelbin e tij. Ma shume do te ndryshonte e ma shume do ti mbeste besnik vetvetes.  Intelektualët u sprovuan të ishin pa shtyllë kurrizore, të persekutuarit iu druheshiun strukturave të shtetit, rebelët e të pakënaqërit u përzunë me ambasada e maleve për në Greqi.

E prapë se prapë, ndodhi që Lëvizja Studentore e detyroi Ramiz Alinë të dorëzohej e të pranonte jo thjesht pluralizmin e subjekteve por pluralizmin e pastër politik, cka është thelbi i demokracisë. Këtë e arriti vetë, pa ndihmën e kontributin e kurrkujt. Studentët që e kërkuan dhe e fituan nuk kishin as besim e as nevojë për intelektualët që filluan të vinin në Qytetin Studenti, as për Sali Berishën, as për Gramoz Pashkon, as për kënd tjetër. Kjo është fitorja e tyre e madhe sepse e arritën vetë ata dhe Levizja e tyre.

Por edhe më e rëndësishme se fitorja e pluralizmit ka qënë Greva e Urisë. Duke e menduar, organizuar, drejtuar e përmbyllur me sukses, Lëvizja Studentore dhe Shoqata Fan S. Noli dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm e historik. Duke sulmuar thelbin e ekzistencës së partisë-shtet, mitin e Enver Hoxhës, duke e detyruar sistemin dhe pasardhësit e tij në pushtet që ta rrezonin me duart e tyre, ne kishim besim se do të shmangnim Luftën civile, do të clironim masat e gjera të popullit e të komunistëve të atëhershëm dhe do të vendosnim vendin në binarët e demokracisë së vërtetë. Ky objektiv u arrit edhe përkundër kundërvënies nga ana e të gjithë partive politike e të veglave të tyre në këtë aktivitet. Ata që e organizuan atë grevë, ata e hapën dhe po ata e mbyllën, plotësisht të vetëdijshëm se kishin ndërmarrë një akt vetëflijimi dhe që mbas atij akti, në shtetin shqiptar ishin të padëshërueshëm e pa të ardhme e siguri për jetën.

3.2. Mbi Rolin e Intelektualëve Dhe Të Azem Hajdarit Në Lëvizjen Studentore

Përpjekja e hagjiografisë zyrtare ka qënë dhe mbetet që Lëvizja Studentore dhe PD të jenë të lidhura në kërthizë e pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën. Nyja që i bën të dy këto formacione, (shumë të dallueshme nga njëri-tjetri) bashkë është figura e Azem Hajdarit. Ai shihet si faktori qëndror në të dyja dhe nyja qe i lidh te dyja formacionet. Mirëpo, PD e Lëvizja Studentore janë dy formacione të ndryshme. Pa e ndare PD nga Levizja Studentore, kontributi i saj nuk ka me dalë kurrë aq i pastër e i qartë ashtu sic është e si edhe e meriton. PD nuk ka qene Levizja Studentore, nuk ka mundur me kene. Eshte e vertete qe une e kam nisur PD-ne duke i bere keta individe si Sali Berisha e Gramoz Pashko bashke. Po ashtu, Azem Hajdari ka një rol të madh në formimin e PD-së por une e disa te tjere, mbas dates 10 Dhjetor nuk i kemi lejuar qe as te na afrohen ma shume se duhet e jo me te na japin mend apo të na kontrollojnë ne si Lëvizje Studentore. Ne kemi dashur që ata të bënin partinë e tyre e ne të ruanim Lëvizjen tonë. Në pika kyce ne i kemi përdorur dhe detyruar që të sillen në një mënyrë të caktuar sa që sot besoj duhet t’ju vijë turp nga vetja. Prandaj me vjen habi kur njerezit i marrin seriozisht fjalet e thena nga njerez qe gjate atyre diteve i kemi trajtuar thjesht si vegla të Ramiz Alisë e si emisare te sistemit, pavaresisht karrierave qe paten gjate tranzicionit e respektit që kanë në masa të njerëzve.

Për të zgjidhur nyjen gordiane duhet te ndalemi me qetesi tek miti qendror i Levizjes, i promovuar kaq shume nga hagjiografia zyrtare, dmth tek figura e Azem Hajdarit. Ai ka vdeke, dhe ne kemi qene shume te kujdesshem mos me e preke me shume se duhet, jo pse e ka merituar por sepse gjithnje e kemi pare si nje nga shoket tane me te afert e me rol te madh ne ate Levizje, e per ne Lëvizja ka kene ma e madhe kushdo qofshin individet e vecante. Ma shumë ka kenë një respekt njerëzor, si thonin latinët, de mortuis aut bene aut nihil, për të vdekurit ose fol mire ose mos thuej asgja.

Mirepo celesi i interpretimit të Lëvizjes nga këndvështrimi i hagjiografisë zyrtare por edhe i palës tjetër është ky individ. E duke mos u marrë me të si njeri por si figure politike, pyetja është se cili ka qene kontributi i tij? Azemi iu bashkengjit turmes se studenteve protestues me 8 Dhjetor, në krye të së cilës ishin Arben Lika, Arben Sula, Spiro Curra, Agim Kasa e shumë e shumë studentë të tjerë. Këtyre u premtoi se nuk do ti tradhetonte. Shumë prej tyre u lidhen me Azemin që u bë figurë qëndrore në mbremjen e 8 Dhjetorit e në mengjezit e 9 Dhjetorit e që nuk mundi kurrë të delte mbi Ben Likën e disa të tjerë. Pavarësisht ku gjindet sot, Ben Lika, për atë Lëvizje është një figurë e jashtëzakonshme dhe e vyeshme, dhe padyshimin me te vogel figure qendrore.

Nga ana e vet, Azemi ishte shume trim dhe studentët e deshën dhe shumë prej tyre i besuan qorrazi. Megjithatë, Azemi ja arriti që të shpërdoronte mirëbesimin e tyre duke i përdoruar e drejtuar, shpesh jo për mirë. Fakti është se mbas demonstratës së 9 Dhjetorit 1990, Azem hajdari gjithkund beri te kunderten e asaj qe duhej bere, duke u sjelle ekzaktesisht si e kerkonte nevoja e sistemit dhe e udheheqesve te tij.

Pse duhet me e quajte kundershtar te regjimit, tribun legjendar, hero të demokracisë etj., dikend qe i bente ‘amin’ Ramiz Alise e puthadoreve te tij si Sali Berisha?  Ketu duhet theksuar se Azemi nuk ka gisht për mirë ne asnjeren prej ketyre arritjeve qe u permenden me lart, e te atyre arritjeve të tjera të Lëvizjes Studentore, me numërimin apo përshkrimin e të cilave nuk ia vlen që te zgjatem ne kete shkrim te shkurter, bile eshte me mire ta them troc se keto jane arritur ne kundershtim me vullnetin e deshiren e tij.

Personalisht s’kam pasur pikë respekti për të. Pse e kemi toleruar ato dite? Sepse nuk donim qe te kishte percarje, nuk donim qe fillonte sherri midis studentëve. Per sa kohe qe arritem te impononim mendimet e rrugezgjidhjet tona, Azemi nuk ishte problem për ne. Kur bahej problem, e gjenim rrugen me fole me te, ose i merrnim vendimet pa e pyetur fare.

As ai nuk na ka besue ne, e as ne nuk i kemi besue atij. Si shembull po kujtoj se kur rame dakord me kerkue vec pluralizmin politik, ai jo vetem qe me la ne balte por edhe i tha Ramiz Alise duke bere me krye nga une se “keta qe i cojne dy gishtat nuk na e dune te miren ne shoku Ramiz.”  Ai qe sot e quan ‘Tribun te Demokracise” e ngren turmat me kembe me  “Azem ti je gjalle!” nuk thote se si e vrane e si ja perdoren deri edhe kufomen. Nuk thote se dikur ia botoi edhe dosjen si spiun i Sigurimit ne RD.  Jeta e mepastajme e Azemit i ka sprovue tane fjalet qe ia kemi thane ne te tjeret e qe i kane dale te verteta. Prandaj të bësh si bën Mustafa Nano e të barazosh Lëvizjen Studentore me Azem Hajdarin e Sali Berishën është e pafalshme dhe tregon injorance historike. Levizja Studentore nuk ka kene Azem Hajdari, ai u promovua si fytyra e saj por ai nuk ka kene as mendja, as zemra e as shpirti i saj.

Nje fjale te fundit ne lidhje me kete figure shume te dyshimte e per lidhjen e tij me Levizjen Studentore. Para e mbas zgjedhjes si Kryetar i Komisionit Nismetar te PD-se, Azemi u tregua një individ egoist, instrumenti kryesor qe i solli veglat e Ramiz Alise ne Qytetin Studenti, i ktheu studentet ne auditore. Si atehere edhe me vone,  Azemi u be armiku i betuar i drejtuesve te asaj Levizje, qe nen umbrellen e Shoqates Studentore “Fan S. Noli” ia arriten te organizonin me sukses greven e Urise qe ia hoqi legjitimitetin PPSH, por edhe shmangu Luften Civile. por hagjiografise zyrtare i duhet Azemi si hero i Greves se Urise. Këtu hyn edhe emisoni i z. Fevziu. Duke e paraqitur një pamje rozë të gjendjes e të rolit të Azem Hajdarit, deri edhe si profetik, Fevziu po bën dezinformim. Kur Azemi erdhi e tha se shtatorja e Enver Hoxhës do të bjerë, ai praktikisht erdhi që të shtynte student që të linin protestën, se pse simbas tij, shtatorja do të bjerë vetë nga koha. Eshte nje merite e atyre studenteve qe nuk e degjuan por vazhduan protestat.

Asokohe Azemin e kam quajtur hapur si spiun e provokator, cka edhe vetë Saliu nja katër vjet më vonë e mbeshteti dhe e provoi me dosjen qe ia botoi në RD. Nuk po merrem me të tjerët se gjithkujt i vjen koha e vet, por mjafton me thanë se kaq shume e pat humbur respektin tone Azem Hajdari, sa kur erdhi me prishe Greven e Urise, disa studente e shkulen nje dere banjoje ne katin e dyte dhe e vune me ndenje aty te dera ndersa ne banjo hynin e dilnin studentet greviste. E ky i ashtuquajtur ‘Tribun Legjendar i Demokracisë’ nuk mundi me durue për shumë kohë aty e iku. Kur erdhi herën tjetër, erdhi me mission për me prishë Grenëvne Urisë duke përhapur fjalët se universitëtit i ishte hequr emri i Enver Hoxhës, një sjellje prej provokatori të vërtetë.

Pra, Levizja Studentore që bani shumë ma shumë e zgjati shumë ma shumë se pesë ditet në Dhjetor kur ishte i pranishëm ai, nuk ka kene Azem Hajdari. Lëvizja nuk ka kenë Azem Hajdari as ato pesë ditë. Incidentet e shumta midis tij e studentëve të tjerë gjatë atyre ditëve, që nuk përmenden sot, janë aq të shumta e aq domethënëse sa ngrejnë hijen e dyshimit të thellë për të si njeri e si person publik. Me e thanë hapur, mbas drekës së 9 Dhjetorit 1990, Azem Hajdari s’ka asnjë gisht ne arritjet e lavdishme të Levizjes Studentore as në ato ditë qe viuan e as me pas. Mbi të gjitha ai ka kenë armiku jonë kryesor për vdekje si përpara, si gjatë Grevës së Urisë ashtu edhe më pas. Ai ka kene armiku i jonë për vdekje, provokatori i lidhur me sistemin, njeriu që na kërcënoi me jetë e vrasje. Natyrisht e ka marrë përgjigjen që duhet prej meje e disa të tjerëve si atëherë ashtu edhe ma vonë.  Këto janë gjëra që dihen, por që duhen theksuar më fort.

Pse ka nje vend kaq qendror ne kujtimet e njerezve? E para, Azemi u ba nje simbol per studentet qe ishin te lidhur mbas tij ne Dhjetor. Shume prej tyne qe kishin qene aktive me 8-9 Dhjetor, as u perzien ma ne veprimtarine e Levizjes Studentore, as ne Greven e Urise, por u perdoruan pa meshire prej Azemit e prej PD-se.

Nder te tjere, edhe une e kam mbeshtete, per aq kohe sa na sherbente me mbrrite qellimet tona por egoja e tij ishte ma e madhe se mendja qe kishte e shume ma e madhe se vlerat qe duhej te kishte e që si kishte. Se dyti, sistemi vendosi me dhane e me marrë me Azemin, sistematikisht e pa mëdyshjen ma të vogël. Për më tepër, te gjithe intelektualet qe u afruan me Levizjen ishin ose te lidhur me Azemin ose armiq me armiqte e Azemit ne Levizje. Keshtu qe tash e vetmja legjende urbane qe duhet e qe ka mbetur per me iu dhane legjitimitet intelektualëve, me zhvlerësue Lëvizjen Studentore, e të tjerët asht lidhja e tyre personale me Azem Hajdarin. Me thane qe cka arriti Levizja eshte e lidhur me dikend tjeter e me grupe te tjera don me thane me minue legjitimitetin e tyne si kontribues sepse si unë ashtu edhe disa të tjerë, nuk kemi pasur pikë respekti për këto individë, i kemi luftuar pa ndonjë iluzion. I kemi mbështetur kur është dashtë për të mirën e kombit por iluzione nuk kemi patur asnjëherë, për asnjë moment per asnjerin prej tyre.

Prandaj si Saliu, ashtu edhe Eduard Selami, Ben Imami e të gjithë të tjerët janë gati të vdesin  por ata do ta mbajnë Azem Hajdarin si hero, edhe përkundër të vërtetës se dokumentuar e perkunder dëshmive tona sepse pa atë nuk kanë asnjë pikë legjitimiteti politik por dalin ashtu sic edhe kane qene, kolone e peste e sistemit. Identifikimi me Azemin ju jep ketyre legjitimitet ashtu si edhe PD-se e në të njëjtën kohë e minon kontributin, pastërtinë, idealizmin e lavdinë e Lëvizjes Studentore.

3.3. Problemi i Vlerave Ideologjike dhe Objektivave të Lëvizjes

Problemi kyc këtu është ai i vlerave e mendësisë ideologjike të Lëvizjes e të individëve që dolën në krye të saj. Pyetja që shtrohet shpesh, ne kete kontekst, është se a kishte qartësi ideologjike Lëvizja, në përgjithësi por edhe udhëheqësit e pjesëmarrësit? Cfare bene studentet e atij brezi idealist, në sensin e shërbimit publik, jo të mungesës së vlerave të zbatueshme ideologjike, qe ne duhet ti nderojme?

Përgjigja është e pamëdyshje dhe shumë positive. Masa studentore mbeshteti zgjidhjen e ofruar nga disa studente që të luftohej per pluralizem te paster politik e vetem e vetem per ndryshimin e rregullave baze te sistemit politik. Pra, me ba nji krahasim te thjeshte, nuk do te luhej ma volejboll por futboll. Topi tashma nuk do te prekej ma me dore por vetem me kembe. Rregulla te reja, loje e re, sistem i ri politik. Lëvizja nuk ishte vec me iu kundërvue sistemit, ajo kërkonte me vue baza të shëndosha për një fillim të ri për të gjithë, një hap i jashtëzakonshëm përpara në krahasim me protestat e Shkodrës të 14 Janarit 1990, të Kavajës e me 2 Korrikun. Vetedija politike se ndryshimi i rregullave baze te lojes politike ishte kyci i punes dhe perqendrimi i studenteve ne kete pike eshte nje kontribut i jashtezakonshem politik qe mbetet i pakrahasueshem edhe sot. Kjo ishte nyja gordiane e athershme dhe ne ishim ata që e këputëm. Asnjeri nuk diti se si me e zgjidhe ate problem. Me ndryshimin e parimit baze te sistemit politik, ndryshoj edhe loja politike. Kjo është një meritë e padiskutueshme e Lëvizjes Studentore dhe e gjithsecilit prej atyre pjesëmarrësve në atë Lëvizje.

Shprehje e kesaj vetedije te larte politike kane qënë veprimet e sjellja e studenteve gjate protestave te fillimit cka ilustrohet me organizimin e zgjedhjeve te para demokratike ne shtetin shqiptar ne mengjezin e 11 Dhjetorit. Por duhet thënë se që me 10 Dhjetor, une e te tjeret u morëm me nje turme studentesh te ciles i dhame strukture, udheheqje e objektiva te qarte politike. Nga ana e vet, Levizja Studentore pati vetedijen te sillej me dinjitet shembullor dhe te zgjidhte perfaqesuesit e vet ne menyren ma demokratike te mundshme. Nder gjerat qe ia vlen te permenden eshte edhe toleranca e madhe karshi njeri-tjetrit, vetedija politike e larte dhe drejtimi qe iu dha levizjes nga individe te vecante, por edhe nga masa studentore.

Levizja ishte nje levizje kunder sistemit por ne i dhame nje karakter te theksuar nacionalist, duke ndjekur me koherence e vetedije te plote ideologjine nacionaliste e vlerat e saj. Kushdo qe e ndjek ate Levizje e din se ideologjia e atyre qe i dhane shpirt, mendje e zemer ka kene nacionalizmi shqiptar. Edh atë parullën e deformueme “E Duam Shqipërinë si Gjithë Europa” e kemi parë si nacionalistë e jo si kozmopolitanë.  Ne qe kemi qene pjesë e asaj Levizje, e kemi dite se cka duem dhe e kemi kerkue per te miren e te gjithe shqiptareve. Mitingjet qe ma vone u quajten anti-komuniste etj, ne i kemi fillue e mbarue me himnin kombetar. Greven e urise e kemi fillue e mbarue me ndjenjen e sherbimit kombetar. Kemi kerkue nje shtet kombetar demokratik shqiptar e nuk kemi heke dore prej atij objektivi as atehere e as sot. E meqe ra fjala, shume prej nesh kane kene tejet aktive ne lufterat e ndryshme te shqiptareve ne te gjitha trojet amtare. Na s’kemi kene vegla, s’kemi pranue me u ba vegla dhe iu kemi ndenje besnike idealeve tona. Koha po provon se kemi pasur te drejte si ne rrugen qe kemi propozuar ashtu edhe ne gjykimet qe kemi fhene per individet e proceset, te cilat, fatmiresisht jane te dokumentuara.

PËRMBLEDHJE

Duke e njohur këtë sjellje e duke e pritur se do të ndodhte pikërisht kështu edhe këtë herë, nuk duhet habitur shumë që përkujtimi i 20 vjetorit të fillimit të protestave të Lëvizjes Studentore të viteve 1990-1991 por edhe më shumë se aq, përkujtimi i Grevës së Urisë këto ditë nxori në dritë ndarjen e thellë midis grupimeve të ndryshme si dhe interpretimet e papajtueshme në vlerësimin e në interpretimin e saj. Duke gjykuar nga interpretimet, kujtimet, dokumentarët, e opinionet e paraqitura këto ditë, vlerësimi i duhur dhe i saktë i kontributit të asaj Levizje të rëndësishme në historinë e vonë shqiptare a prima facie duket se është thuajse i pamundur. Jo vetëm ata që nuk dinë gjë, as për sistemin totalitar e as për Lëvizjen Studentore, sidomos brezi i ri për të cilët pika kulmore e jetës së tyre është viti 1997, por edhe organizues e drejtues të saj e gjejnë veten të habitur duke degjuar e lexuar kujtimet e atyre qe duan të nxjerrin kapital politik prej saj, si për interesat e ditës, ashtu edhe në shërbim të dikujt.

Sic shihet edhe nga trajtimi i saj në këtë periudhë disa mujore në shtypin e Tiranës, Lëvizja Studentore dhe roli i saj në ndryshimin e sistemit është krejtësisht i paqartë. Edhe kur ndodhitë janë të dokumentuara, të regjistruara apo të sprovuara me dëshmi të shumëfishta gojore, prapë shohim se si në të shkuarën, ato momente por edhe Lëvizja debatohet vec për interesa politike të momentit, sensacionalizohet e interpretohet simbas interesave të castit, e në këto deformime shndrrohet në një instrument të një njeriu, partie a grupi të caktuar. Kështu ndodhi edhe këtë përvjetor; shtypi e media iu kushtoi shumë hapësirë si disa personave e kujtimeve me vlerë, ashtu edhe disa shkrimeve pa vlerë por që shiten si të thella apo sensacionale edhe pse qartësisht delirante apo vetëlavdëruese. Në këtë mënyrë, doli sërish në pah se kemi disa ‘të vërteta,’ që të gjitha të papajtueshme me njena-tjetrën.

Në përfundim të këtij shkrimi që nuk mundet të përfshijë gjithcka që është thënë e që duhet thënë, do të thoja se për mue e shokët e mi nuk ka asnjë pikëpyetje në lidhje me rolin e LSSH. Ne dimë se rruga asht e gjatë, e s’dihet ku do dali, por të paktën, ne kemi lanë një shembull nderi, kemi kthye përsëmbari një fletë të historisë shqiptare, e kemi vra frikën, kemi luftue për një të ardhme ku të kenë pjesë të gjithë e jemi sakrifikue për të mirën e të gjithëve. Prandaj shqiptarët, që të gjithë, kanë pjesë në atë Lëvizje studentore, në kontributin e saj kombëtar, sepse ajo ka kenë e vetmja shpresë e pastërt në atë llum politik që ishte Tirana. E në fund, dështimi i përplotë i parisë së Tiranës tash 20 vjet po e vërteton bindjen tonë se e ardhmja iu përket idealeve të shpalosuna prej asaj Lëvizje Studentore, e bindjeve të pandryshueme të atyne që dinë me ju qëndrue besnikë si kombit ashtu edhe bindjeve të tyne. Ajo që ka rëndësi është se ne mendjen e studentëve e të organizatorëve të saj ajo ishte një lëvizje që përqafoi një pozicion politik e një ideologji që edhe sot ofron shpëtimin e kombit nga kriza e gjithanshme.

Emisionet, intervistat, opinionet e shkrimet e të tjerëve janë për nji moment oportunist. Historia e kontributi i asaj Lëvizjeje janë përgjithmonë. Le ta përballin atë me faktet që dihen e të shohin se ku asht e vërteta. Ne do ta mbrojmë kontributin tonë e të asaj Lëvizje deri në fund. Historinë në Tiranë le ta bajnë kushdo, ne do ta themi fjalën tonë. As gjahtarët, as hienat nuk do të marrin meritat e Lëvizjes Studentore. Ndoshta do të shkruhen tri histori, por njena prej tyne do të jetë e vërteta, e besimi i jonë është se historia e vërtetë do të jetë ajo që themi ne.