Home » KUJTESE » NE VAZHDIM TE DEBATIT MBI KOMBETARIZMIN E TE DJATHTEN – II

NE VAZHDIM TE DEBATIT MBI KOMBETARIZMIN E TE DJATHTEN – II

Ne vijim të shkembimeve lidhur me pikat e referimit të së djathtës shqiptare me mikun tim, shkrimtarin dhe përkthyesin e shquar dr. Agron Tufa, si dhe me kolegët Dr. Mark Marku dhe Doktorant Grid Rroji u ngritën disa cështje te rëndësishme që duhen sqaruar. Së pari më vjen mirë që të gjithë ndajmë mendimin se themeli i ideologjisë të së djathtës shqiptare duhet të jetë tek tradita kombëtariste që i paraprin vendosjes së sistemit parti shtet. Pra, themeli është tek rilindja kombëtare. Së dyti, si edhe është vënë në dukje nga Tufa dhe Rroji, tradita e qëndresës dhe e kundërvënies ndaj sistemit të mëparshëm e përplotëson dhe nuk e përjashn apo zhvendos mendimin politik të Rilindjes Kombëtare. Së treti, të gjithë biem dakord që themelet ideologjike të së djathtës duhet të jenë kombëtariste. Së katërti, sic vënë në dukje me të drejtë Tufa dhe Rroji, deligjitimimi i të ashtuquajturve të djathtë që sot mbajnë peng opozitën në Tiranë është kthyer në një detyrë imperative dhe të domosdoshme. Është me të vërtetë e dobishme që të vijohet ky debat cilësor dhe shumë i domosdoshëm, që në të njëjtën kohë është i zhveshur nga pasionet e momentit dhe nga interesat e klaneve të parisë së Tiranës. Duke besuar se nuk mundtë thuhen të gjitha në një shkrim, si dhe duke shpresuar se ky debat do të vazhdojë edhe në të ardhmen, do të ndalem kryesisht në problemet që identifikon Tufa në komentin e tij.

1. Në komentin e tij, Tufa pyet: “Eshte e sigurt qe djathtizmi nuk trashegohet, qe eshte ceshtje pervojash te ngulitura personale dhe po aq fryt e kulturimit, leximit qe nxjerrin ne pah formimin e personalietit sensibel. Po a ka nje mastar (mates) per me qene “kombetarist”, kur ky atribut eshte shnderruar ne ligjerim demagogjik? Kush ka te drejte te me quaje mua apo ju “antikombetarist”, apo ne te quajme dikend tjeter te tille, bazuar ne cirkuset e fjaleve?”

Përgjigja e shkurtër është “po” sepse ka një metër me matë se kush është kombëtarist. Kombëtarizmi shihet në veprime e në sjelljen e njerëzve dhe të politikanëve. Në terma të mjegullt e të përgjithshëm, kush e don shtet-kombin e vet, më shumë se sa shtresën, fenë, klanin, krahinën, rrethin shoqëror apo kulturor, është kombëtarist. Rroku një fshatar nga Fandi i Gjakovës që vrau konsullin në Podgoricë në vitin 1916 sepse ai donte me nda trojet shqiptare dhe mandej u vra vetë në luftim, është kombëtarist. Indrit Cara, që la Greqinë ku ishte emigrant dhe shkoi të luftonte për kombin në radhët e UCK dhe u vra në Kosovë është kombëtarist. Ai shqiptari nga Mirdita që e therën në një ishull grek, Zakinthos sepse festoi fitoren e kombëtares shqiptare mbi greqinë është kombëtarist. Fuat Dibra që shiti restaurantet në Paris dhe vdiq i mjerë në Tiranë është kombëtarist. E kështu me radhë, Anastas Kullurioti që shkriu pasurinë për shqiptarët, Ndok Illia, Naum Veqilharxhi, Hasan Prishtina, e me mijra shqiptarë të tjerë që nuk mundën të mendojnë veten ndryshe përvecse si shqiptarë. Aq më shumë, edhe kur e kishin mundësinë me kenë dicka tjetër, ata zgjodhën me kenë shqiptarë. picameni në Nju Jork, pastruesi në Itali, bojaxhiu në Greqi, emigranti në Kanada, në një nivel e ndjejnë veten shqiptarë. Në një nivel, të gjithë e ndjejnë veten si shqiptarë. Këta janë në një nivel të kombëtarizmit, ku veprimi iu vjen natyrishëm dhe ku identiti nuk është I diskutueshëm. Cka munden me kenë tjetër? Gjaku, gjuha, përkatësia etnike, krahina e mbi të gjitha familja por edhe dhe sundimi i huaj, i kanë lindë shqiptarë dhe i kane kthye ne shqiptare … nuk mundën me kenë tjetër.

Mirëpo ky nivel identiteti është në nivelin shoqëror e themelor. Niveli më i lartë dhe modern i kombëtarizmit është në nivelin e të menduarit për shtetin. Kështu kombëtarist është ai që bën më të mirën e mundshme në kushtet ku gjindet për popullin shqiptar duke punuar për të mbrojtur e për të forcuar shtet-kombin shqiptar. Pra, Abdyl Frashëri që paraqiti një platformë kombëtare, Myderriz Omer Prizreni që organizoi Lidhjen e Prizrenit, Sami Frashëri që mendoi e punoi për shqiptarët, Mullah Haxhi Zeka që bëri lidhjen e Pejës, Sefë Kosharja që u var sepse nuk pranoi me kenë tjetër përpos shqiptar, Papa Kristo Negovani që e helmuan se mësonte fëmijët shqip, At Shtjefën Gjecovi që mblodhi Kanunin, Babai i Teqesë së Frashërit që i mblodhi bektashinjtë mbas Lidhjes, Petro Nini Luarasi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mithat Frashëri, e me radhë deri tek Adem Demaci, Adem Jashari, Zahir Pajaziti e me radhë janë kombëtaristë. Sepse kombëtarist tregohesh ose duke punuar për të ngritur shtet-kombin e shqiptarëve, ose duke e drejtuar atë shtet-komb dhe vlerat e tij në interes të shqiptarëve. Atëherë je kombëtarist. Metri me i gjykue njerëzit në se janë kombëtaristë është sjellja e tyre dhe asgja nuk është më e lehtë dhe më e vështirë se sa me gjykue politikanët. Abaz Kupi, për shembull ka kenë officer monarkist. Por Abaz Kupi është kombëtarist sepse rezistoi në Shijak dhe i zbardhi faqen kombit, por edhe pse refuzoi me fillue e me vazhdue luftën civile, duke u tërhequr pa luftë para formacioneve partizane. Anton Harapi që u sakrifikue edhe pse e dinte se nuk kishte zgjidhje të tjera dhe e tha këtë në mbledhjen e Regjencës është prift por është kombëtarist. Kush i kontribuon pa hile e pa mendësi të tjera forcimit të identitetit të shtet-kombit dhe interest kombëtar është kombëtarist si Mehdi Frashëri që e coi të birin peng në Vjenë dhe prapë luftoi me ruajtë shtetkombin shqiptar.

Për të dhënë gjykime në këtë nivel, megjithatë, duhet një gjykim shumë më i kualifikuar dhe duhet kohë. Por cdo ideologji që i ndan shqiptarët nën petkun e cdo justifikimi, është e mbrapshtë dhe nuk na duket. Dhe kësisoj ideologjish kemi me bollëk. Me kenë kombëtarist, don me thanë me besue e me punue në të mirën e shqiptarëve si komb që lidhen me gjak, me besë, me gjuhë e me vllazni shekullore. Me kenë kombëtarist don me thanë me punue që shteti të jetë në shërbim të shqiptarëve dhe të interesave të tyre   si në politikën ndërkombëtare ashtu edhe në politikën e brendshme. Ka shumë politikanë që janë me dritë-hije, pse kanë vepruar në kohë të këqia, por edhe pse kanë vepruar në politikë për një kohë të gjatë. Ata I ka gjykue ndërgjegja e tyre por tani edhe ne duhet me I gjykue ashtu si duhet dhe pyetja e pashmangshme është: a e kanë vënë këta interesin e shtet-kombit përpara cdo gjëje tjetër? Dhe duke i parë politikanët tanë nga ky këndvështrim, do të shohim të tjera gjëra në veprimtarinë e tyre. Kështu iu del kallaji edhe demagogëve, injorantëve, veglave dhe të zvetënuarve si Esad Pashë Toptani për shembull. Por metrin e vlerësimit të politikanëve e mbajnë intelektualët dhe elita e kombit që duhet të jenë bërthama e shoqërisë civile.  Prandaj edhe historia e shkruar është e cmuar, e njëkohësisht edhe e vështirë me u shkrue sepse duhen njerëzit e saktë e pa hile me iu thanë të vërtetën njerëzve. Sepse kombëtarist nuk je sepse flet si shqiptar mban fjalime e shet dokrra hinit, por sepse punon. Kështu, edhe kur jemi armiq me dikë, por e shohim se punojnë për të mirën e kombit, të shtet-kombit, atëherë intelektuali dhe politikani duhet me tregue mirëkuptimin e duhur. Kjo vjen me një përgatitje profesionale, me një kuptim të qartë të interest kombëtar-shtetëror, por tashmë kemi dalë nga faza e infantilizmit professional. Tashmë jemi në gjendje me gykue me qetësi e me maturi se kush është kombëtarist e kush shet dokrra e është mashtrues e maskara. Ata që i duan shqiptarët ata do tu t’ua tregojnë të vërtetën. Edhe po të mos i dëgjojë kush, e vërteta duhet të thuhet e do të thuhet.

2. Pyetja e dytë që ngre Tufa është: Nje i djathte nuk mund te jete ndryshe vecse Kombetarist, pse asht ne boshtin e vlerave te djathta miti i personit/privatesise, prones, aftesise, familjes, fjales se lire dhe lirise, tradites, atdheut/kombit, Besimit etj, etj. A jemi te sigurte, qe brenda vizionit te Rilindjes nuk ka pase rilindes me botekuptim te majte/majtist? Ku t’i gjejme, edhe sikur t’i marrim te mireqene, ate format personalitetesh, mundesisht tani?

Përgjigja e ime është se në të gjitha shoqëritë, organizimi I forcave politike bëhet në një spektër të caktuar ideologjik që është njëkohësisht i ngushtë dhe por edhe i skajshëm nw sensin qw zgjidhjet qw ofrohen janw gjithmonw tw kufizuara. Spektri i bindjeve politike të pranueshme për një shoqëri influencohet shumë nga e shkuara historike, origjinat kulturore të sistemit, nga paria sunduese dhe nga balanca e interesave Brenda asaj shoqërie. Kështu në Arabinë Saudite, spektri shkon nga Vahabizmi tek Sunizmi tradicional, pra është gjithsesi I skajshëm kur konsideron ideologji si liberalizmi apo marksizmi. Në Iran, ke Ajatollahët në të dy krahët. NË Itali, themeli I vërtetë I debatit politik është shumë I përkufizuar nga sistemi I vlerave katolike që gjenden edhe në të majtën italiane. NË Greqi identiteti ortodoks grek përcakton debatin  politik por edhe të majtën e të djathtën greke. Pse e them këtë? Sepse në thelb të politikës tonë, sit ë cdo kombi tjetër, duhet të jetë një dilemë e tillë: Cila është më e mira e mundshme për shtet-kombin shqiptar? Ky duhet të jetë thelbi I politikës kombëtariste. Nëse një politikë e caktuar mbron interesat e popullit ndaj një parie të zvetënuar atëherë sjellja kombëtariste konsiston pikërisht në imponimin e shtërngesave ligjore që e mbajnë këtë pari në fre. Nëse dikush thotë se nje fe është më e mirë se tjetra, ai është armiku I shqiptarëve. Në se dikush thotë se një krahinë është me e zonja se tjetra, se një mendësi është me e mirë se tjetra është kundër shqiptarëve. Shqiptarët duhet me kenë si një lumë që bahet I madh dhe I vyeshëm kur bledh e shkrin në një gjithcka që është ujë. Kombi duhet me shkri e me njehësue gjithcka që është kombëtare dhe e vecantë për shqiptarët.

Sa për Rilindasit tanë ata kanë pasur bindje te ndryshme politike. Ka pasur hoxhallarë si Omer Prizreni, priftërinj si Kristo Negovani, abatë si Preng Doci, kapedana si Preng Bibë Doda, bajraktarë si Mehmet Shpendi, burra të mencur si Binak Alia apo Prenk Cali, Fisnikë si Abdullah Draga apo Ali Pashë Gucia, bejlerë si Abdi Toptani, reshperë si Haxhi Zeka, shkollarë si Vasa Pasha, të mencur si Hasan Prishtina, masonë si Jani Vreto, Kryeministra si Mustafa Pashë Gjiritlia, protestantë si Konstandin Kristoforidhi, folklorist si Thimi Mitko, dhe lista është e gjatë, kaq e gjatë sa të vjen turp me u ndalë. Mirëpo thelbi del edhe me kaq: Kush punon për të mirën e të gjithë shqiptarëve është shembulli që duhet me u ndjekë.

Dhe pikërisht këtu hyn edhe pragmatizmi që na duhet. Ajo që na ndihmon me kultivue të mirën e të dobishmen, me mbrojtë interesin e shqiptarëve, me I ruejtë brezat e ardhshëm, me krijue kushte që me lulëzue e me u begatue si popull, ajo na duhet. A quhet e majtë apo e djathtë diku tjetër nuk ka fare rëndësi. Sepse gjithmonë dikush duhet me u shtërngue për të mirën e përgjithshme. Duke mos e pranue dhunën dhe terrorin e shtetit dhe të parisë, duhet me thanë se cdo përpjekje për të mirën shoqërore, sic ndodh, bie fjala në Izrael apo në Slloveni është një shembull që duhet me u ndjekë. Don të kemi debate, do të kemi fërkime, por nuk duhet kurrë të ikim larg nga themelet. Dhe themeli i vetëm që na bashkon është bindja se ndajmë një gjak, e se jemi vëllezër. Mandej bindja se ndajmë një gjuhë. Mandej bindja se ndajmë një histori, një territory historik, një kulturë, një histori, një mendësi krejt të ndryshme nga të tjeret, dhe sado absurde për disa, edhe njerëz e grupe që nuk ua dojnë të mirën shqiptarëve. Se duhet me mendue si Skënderbeu që I lindun ortodoks, u ba musliman kur e cuan në oborrin e Sulltanit, u ba bektashi kur ishte në ortën e jenicerëve, u kthye katolik kur iu desht ndihma e Papës, dhe gjithmonë ishte e mbeti shqiptar, sic na e kujton letra e tij lapidare Jakopo Orsinit, Princit të Tarantos e shkruajtun në vitin 1461. Jo më kot e kemi heroin tonë kombëtar. Kështu mendoj unë është një mënyrë tjetër me mendue për të djathtën e për kombëtarizmin si ideologji e djathtë. Kjo nuk do tw thotw se janw ezauruar tw gjithw pwrgjigjet por se debati mbi tw djathtwn e mbi kombwtarizmin mund e duhet tw zhvillohet pwrgjatw kwtyre shenjave treguese.