Home » GRID RROJI » GRID RROJI: E DJATHTA DHE RRUGA E DUHUR

GRID RROJI: E DJATHTA DHE RRUGA E DUHUR

Debati i hapur nga Mark Marku (Referencat Ideologjike të së Djathtës Shqiptare, Panorama, 19 Janar 2014) mbi boshtin ideologjik të së djathtës shqiptare është një debat i duhur dhe ndoshta i vonuar në skenën shoqërore shqiptare. Marku nënvizon se të djathtës shqiptare i ka munguar një bosht i qëndrueshëm ideologjik dhe e sheh zgjidhjen tek një ideologji e bazuar tek pozicionimet e disa figurave të njohura antikomuniste. Në gjykimin tim premisa duhet shtrirë përtej të djathtës, dhe duhet nënvizuar natyra jo ideologjike e palëve të parisë së Tiranës, e cila ka sunduar skenën politike të tranzicionit.

Në ndryshim nga Marku, unë nuk e shoh zgjidhjen ideologjike të së djathtës në funksion të individëve por tek adoptimi i një vije ideologjike të qëndrueshme kombëtariste. E djathta si nocion ideologjik përfshin një seri konceptesh si prona, familja, shteti, kombi etj., të cilat lidhen së bashku tek ideologjia kombëtare. Veçanërisht në rastin tonë, në prani të shumë rrymave e trysnive që vijnë nga shumë anë, zgjidhja optimale ideologjike për shqiptarët është projekti i ndërtimit të një shteti komb demokratik dhe modern.

Pikësëpari, duhet theksuar se politika shqiptare e tranzicionit ka qenë dhe mbetet një përpjekje pragmatike e parisë së Tiranës për të mbajtur me çdo kusht nën sundim shqiptarët, dhe për të ndarë pushtetin mes klaneve. Si pasojë, palët në mjedisin politik nuk dallohen për nga ideologjia, por nga lidhjet personale, klanore, krahinore etj. Për shembull, në partitë kryesore grupet e ndryshme që konkurrojnë për pushtet përkatësohen në bazë të emrave të përveçëm e jo të ideologjisë.

Ky lloj ligjërimi pragmatik përforcohet nga mënyra se si media i raporton marrëdhëniet politike. Në PD nuk ka ndasi ideologjike midis të moderuarve dhe ekstremistëve por ka “grupe” personale të Bashës, Topallit, Bodes etj., të cilët i përmbledh ombrella familjare e Sali Berishës dhe Trusti i Gështenjave të Tropojës. Në PS nuk ka rryma të së majtës social demokrate dhe asaj marksiste por grupe klanore si 99shat e Ramës, jeniçerët e “qafës së partisë” Gramoz Ruçi, grupi i bashibozukëve të pakënaqur të bashkuar rreth Ben Blushit etj. Duke qenë parti me të kaluar dhe strukturë të mirëorganizuar ndasitë në PS reflektojnë edhe klanet që janë kacafytur gjatë regjimit hoxhist. LSI-ja as nuk bën përpjekje për të fshehur mungesën e ideologjisë dhe vetëetiketohet “partia që të zgjidh punë”.

Në këtë nënshtrat pragmatik, nuk ka asnjë mundësi të flitet për ndasi ideologjike, për një të majtë apo një të djathtë të bazuar në boshte ideologjike sepse ideologjia thjesht është e panevojshme. Më tej, përtej retorikës, nuk ka dallime ideologjike mes palëve sepse të gjithë kanë përqafuar kapitalizmin Putinian që në gjuhën e parisë përkufizohet “vidh ç’të mundësh se kaq meritojnë këta pisa”. Paria ka përqafuar një liberizëm të shfrenuar pa rregulla, ose me rregulla të stilit mafjoz ku dënohen vetëm ata që nuk kanë mbështetjen e duhur. Madje, me anë të kontrollit të informacionit ky është modeli që na imponohet si i vetmi i mundshëm nën okelion e “integrimit në Evropë”. Mirëpo, mungesa tërësore e ideologjisë e rrezikon ndjeshëm legjitimitetin e parisë. Njerëzit në qoftë se nuk lidhen prej ideologjive dhe prej interesit shtetëror e kombëtar,  i kanë litarët shumë të liruar, e nuk mund të pritet besnikëri prej tyre. Asnjë sistem politik nuk mund të krijojë dallueshmëri mes palëve përpos ideologjive.

Ndaj për t’a zëvendësuar ideologjinë, paria ja ka arritur derimësot të krijojë, ushqejë dhe mbajë gjallë ndasi klanore, krahinore, personale e fetare, me anë të të cilave ka mundur të krijojë një diferencim fals midis palëve. Ky lloj diferencimi në bazë të ndasive ka si qëllim të zëvendësojë etikën e kundërshtarëve politikë me atë të armiqve, të zerojë vlerat morale duke i zhytur dhe konsideruar të gjithë si pjesë të llumit, por edhe të mbysë alternativën natyrale të kombëtarizmit.

Ndasia kryesore në të cilën bazohet dhe mbahet legjitimiteti i parisë është e mirënjohura komunist-anti komunist. Edhe argumenti i Markut mbështetet në mënyrë eksplicite në këtë ndasi. Mirëpo, të bazosh një argument në këtë premisë paraqet disa probleme jo të vogla logjike. Së pari,  dallimi që bëhet është praktikisht artificial sepse kryetari i “anti komunistëve” Sali Berisha ka qenë për disa dekada komunist. Më anë tjetër, kryetarët e partisë që përfaqëson strukturën e ish komunistëve kanë qenë nga më “jo komunistët” e komunistëve. Fatos Nano dhe Edi Rama nuk dallohen për konsekuencë ideologjike, madje të dy as nuk kanë ruajtur ndonjë koherencë gjatë karrierës së tyre politike. Pra kriteri i ndasisë komunist-anti komunist në kontekstin shqiptar është strukturor dhe jo ideologjik dhe e paraqet realitetin politik shqiptar së prapthi. Për pasojë, ndasia vetë është e fryrë artificialisht dhe e nxitur për arsye pushteti. Po ashtu, konceptimi i anti komunizmit si vijë ndarëse midis dy grupeve qartësisht të diferencuara nuk përkon me realitetin. Një ndarje e tillë e prerë do të nënkuptonte që raportet njerëzore përcaktohen eksluzivisht në një nivel të caktuar. Një vëzhgim i përciptë i psikologjisë bashkohore e hedh poshtë menjëherë këtë hipotezë.

Më anë tjetër, ka një problem konceptual me përkufizimin. Të jesh kundër regjimit të Hoxhës nuk të bën domosdoshmërisht të djathtë, e as të kesh qenë komunist në atë kohë nuk të bën domosdoshmërisht të majtë sot. Idetë evoluojnë, njerëzit ndryshojnë mendim, dhe gjejnë hapësira të reja ideologjike. Më tej, shembujt e sjellë nga Marku-Prof. Repishti, Prof. Pipa dhe I ndjeri At Zef Pllumi-i bashkon statura e padiskutueshme, dhe kundërshtia ndaj një regjimi kriminal, por jo një ideologji e djathtë. Në fakt, Pipa dhe Repishti kanë pozicionime qartazi social demokrate ndërsa At Pllumi si përfaqësues i kishës katolike nuk mund të mos kishte në ligjërimin e tij një tis thellësisht social. Edhe Pjetër Arbnori, një simbol i “antikomunizmit” të PD-së i cili pat kryer gati 30 vjet burg, ishte dënuar për krijimin e një partie social demokrate. Pra, anti komunizmi nuk të shndërron detyrimisht në të djathtë, sidomos në kontekstin e regjimit hoxhian i cili nuk bëri dallime në persekutimin e të vetëve.

E djathta moderne në vende të zhvilluara përfaqëson frymën konservatore shoqërore, zhvillimin kombëtar në kuadrin e një shteti komb. Ky grupim njerëzish nuk bashkohen vetëm nga prejardhja, përkatësia e familjes apo të qenit anti diçkaje, por nga besimi tek një grup principesh dhe nga gatishmëria për të krijuar një strukturë politike e cila t’i promovojë këto principe.

Sigurisht që çdo popull krijon elitat e veta ekonomike dhe politike, të cilat kanë interesat e veta, mirëpo elitat e vërteta janë ato që punojnë për kombin dhe jo thjesht për interesat e veta të ngushta. Sipas studiuesve ka tre lloje institucionesh të cilat kanë për zemër dhe i dedikohen mirëfunksionimit të një shteti: strukturat ushtarake, shtetërore dhe ekonomike. Në kontekstin shqiptar, paria në fillimvitet 90të shkatërroi qëllimshëm strukturat ushtarake (të rrënuara në vitet e fundit të regjimit komunist po shumë të strukturuara dhe funksionuese), duke eliminuar kësisoj njërin nga polet shtetndërtuese. Më tej, paria e tranzicionit e mbështetur nga urrejtja popullore që kishte krijuar shteti terrorist i Hoxhës dobësoi deri në pragvdekje strukturat shtetërore dhe krijoi shtetin e varur nga politika. Duhet theksuar se kjo nuk ishte e vetmja rrugë, por ishte e vetmja që i garantonte parisë pushtetin.Së treti, paria kooptoi interesat ekonomike duke krijuar ekonominë klienteliste proto kapitaliste, në të cilën suksesi nuk varet nga aftësitë sipërmarrëse të individëve por nga lidhjet e tyre politike. Pra, paria e tranzicionit me veprimet e veta eliminoi çdo mundësi që shteti të lulëzonte e konsolidohej për shkak se eliminoi qëllimshëm dhe kooptoi ato grupe që do të kishin interes t’a mbronin shtetin.

Ndaj, e djathta e re shqiptare nuk mund të mbështetet tek strukturat e vetëquajtura të djathta të cilat rrjedhin nga tranzicioni, por duhet të krijojë një bosht ideologjik të qëndrueshëm bazuar në tre elementët e sipërpërmendur, si dhe duke përparësuar interesin kombëtar.

E djathta moderne shqiptare duhet të synojë t’a çlirojë shoqërinë shqiptare nga pesha e rëndë e marrëzisë kolektive që na ka imponuar derimësot paria e Tiranës. Ajo duhet të bazohet tek vlerat shqiptare, tek funksionimi i një shteti komb demokratik e modern dhe të mbrojë interesat kombëtare të shqiptarëve. E djathta moderne shqiptare duhet të krijojë struktura shtetërore të qëndrueshme, të pavarura nga politika si dhe të nxisë kontrollin e tyre nga një shoqëri civile e pavarur dhe funksionuese. E djathta moderne shqiptare duhet t’i largohet njëherë e mirë strukturave klanore, krahinore dhe personale dhe të promovojë bashkimin e shqiptarëve rreth interesit të tyre kombëtar. E djathta moderne shqiptare duhet të nxisë krijimin e një shoqërie morale e gjithëpërfshirëse, dhe të ruajë e promovojë vlerat kulturore, etike dhe tradicionale të shqiptarëve. Pra, e djathta moderne shqiptare duhet të jetë një përpjekje e re, energjike dhe shtetformuese në interes të kombit.

Në gjykimin tim, zgjidhja optimale për të djathtën shqiptare është ndjekja e një ideologjie politike i cili të përkufizohet nga ndërtimi i shtetit komb, demokratik dhe modern. Thënë ndryshe, shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se ajo që i bashkon është më e thellë se ajo që i ndan. Ajo që na bashkon brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, është të ndjerit shqiptar, veprimi politik në të mirë të shtetit dhe kombit tonë. Për këtë nuk kemi nevojë të shpikim rrotën, mjafton të ndjekim rrugën që n’a kanë treguar burrat e shtetit që konceptuan Rilindjen Kombëtare. Një rishprehje e platformës Rilindase jashtë kontureve të parisë së Tiranës është alternativa më optimale për të ardhmen e shqiptarëve. Po ashtu, e djathta moderne shqiptare duhet të ndërtojë struktura të reja të bazuara mbi këto principe ideologjike e jo në bazë njerëzish. Kushdo mund t’ bashkohet këtij projekti me kusht që të përqafojë pa kushte ideologjinë dhe të mos ketë skelete nga e kaluara. Kjo është rruga e duhur.