NJË NDESHJE FUTBOLLI DHE TRE SHFAQJET E MOSSHFAQJET E KOMBËTARIZMIT

Në literaturën mbi nacionalizmin dhe kombëtarizmin, sporti, e vecanërisht futbolli zë një vend përherë e me të rëndësishëm. Përpjekja sistematike e elitave të vendeve të ndryshme të Europës ka qënë që dëshirën për të qënë më të mirë se të tjerët, më të sigurtë për vetveten e vendin që kombi zë në mes të kombeve të tjera, ta transferojnë nga fusha e betejës tek fusha e sportit. Me një fjalë, beteja ndërmjet dy kampionëve, pelivanëve, të zgjedhurve të një një kombi ushtrie ripërsëritet, pa gjak e pa dhunë, në ndeshjen ndërmjet dy skuadrave kombëtare. Në këto ndeshje shpesh shihen se ku janë besnikëritë e vërteta të njerëzve. Për shembull në ndeshjen Francë Algjeri, edhe ata francezë me origjinë algjeriane mbështetën Agjerinë kundër Francës, ceshtje që ngriti jo pak pikëpyetje. Fytyra e keqe e këtyre besnikërive u pa në vrasjen nga disa tifozë grekët në Zakinthos të një shqiptari që festonte fitoren e Kombëtares shqiptare në vitin 2004 ndaj kombëtares greke.

Mirëpo në mes të argumenteve të shumta të lidhura me identitetin e të tjera, një nga argumentet më provocative është se ekipi kombëtar, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, pavarësisht se kush është drejtuesi, do të pasqyrojë karakterin kombëtar e do të bëhet fytyra e një kombi, dhe modeli i sjelljes së tij. Kjo anë kulturore shihet në stilin, në organizimin, në përdorimin e topit, e në mënyrën se si fitohet e si luhet në lojë. Nga ky këndvështrim, ajo që ndodhi dje në Beograd është një ngjarje që ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombëtarizmave shqiptarë e serbë e të marrëdhënieve ndërmjet popujve. Arsyeja pse kjo ndeshje do të kujtohet për shumë e shumë kohë është se fytyra e kombëtarizmave respektivë u tregua qartë dhe pa mëdyshje. Edhe nga kaq pak, nga një ndeshje futbolli, është e pamundur mos me e kuptue se Ballkani jo që nuk i ka zgjidhur, po nuk është askurkund afër zgjidhjes reale të problemeve politike e të identitetit. Politika bëhet për interesa por luhet me emocionet e njerëzve dhe dje, gjendja emotive ishte tejet e prekshme dhe e lartë. Më e rëndësishmja është se dje u treguan tre fytyrat e kombëtarizmit që shqetësojnë shqiptarët. Dhe shqetësimi vjen për arsye të ndryshme.

Nga një anë ishte nacionalizmi ekstrem cetnik i tifozerisë serbe që e ktheu ndeshjen nga një lojë sporti në një shprehje të histerisë ekstreme nacionaliste. Si një kor gjigand, i gjithë stadiumi ushtonte nga këngët e cetnikëve dhe thirrjet për vrasjen e shqiptarëve. Duhet me iu dhanë të drejtë zyrtarëve serbë që këmbëngulën se nuk duheshin lejuar tifozët shqiptarë në stadium. Ata e njohin mirë popullin e tyre dhe e dinin se mund të ndodhte e se cka do të ndodhte. Dhe për me iu dhanë hakun, kishin mobilizuar mijra policë me tepër se sa në një ndeshje tjetër. Mirëpo, ajo që nuk kishin llogaritur ishte se histeria nacionaliste do të kapte nivelet e tërbimit e të urrejtjes që ndajnë popujt për shumë kohë. Është e vështirë me ndërtue ura bashkëpunimi me dikë që shfaq një nivel urrejtjeje të tillë për tjetrin. Askush nuk duhet me besue për një minutë se të gjithë serbët janë të këqinj apo se ata përfaqësohen nga ata tifozë në stadium. Por, ajo që ndodh është se në mendësinë e një populli tjetër, ajo që ndodhi në stadium kthehet në stereotipin e grupit tjetër që mandej shihet si shkaku I të keqes. Në këtë mënyrë, duke e parë këtë nivel urrejtjeje përbuzjeje, dëshire për vrasje e për hakmarrje primitive, tjetri bëhet jo I “huaji’ por bëhet armiku dhe jo vetëm aq, tjetri bëhet armiku për vdekje. Dilema e sigurisë funksionon në këtë mënyrë: duke kërkuar me shfaqë e me riafirmue bindjet tuaja, ti e kërcënon tjetrin dhe interesat e tija jetike. Duke e konsideruar në vazhdimësinë e argumenteve historike, pra, kjo ndeshje është bërë, si ajo me Greqinë më 2004, një shtresë tjetër në armiqësinë midis nacionalizmit shovinist, revizionist e revanshist dhe të tjerëve. Paritë sunduese mund ta harrojnë, por njerëzit e thjeshtë nuk do ta harrojnë sepse kjo vetëm iu shtohet përvojave negative të shkuara.

Nga ana tjetër ishte kombëtarizmi i skuadrës shqiptare, e cila ka vetëm dy lojtarë që janë rritur në shtetin shqiptar. Nga të gjithë trojet ku jetojnë shqiptarët, në këtë ndeshje ata përfaqësojnë shtetin shqiptar por u sollën si përfaqësues të kombit të tyre. Edhe për ta, gjendja psikologjike ishte e rëndë. Momenti kritik ishte kur tifozë ekstremistë, me sa thuhet, Shvercerat e Shkupit, pra tifozë shqiptarë të skuadrës shqiptarë të Shkupit në Maqedoni, nga jashtë stadiumit, duke llogaritur gabimisht se duhet të ishte koha e pushimit ndërmjet dy pjesëve lëshuan, në një provokim të hapur, një fluturuese të telekomanduar me nje flamur që tregon shtet-kombin shqiptar të shtrirë në tokat ku kanë jetuar shqiptarët ashtu si e imagjinojnë jorealistët e shumtë ndërmjet shqiptarëve. Duke kërkuar me shmangë të keqen që mund të shtohej, si për shembull nga cdo veprim që mund të shihej si përdhosje e flamurit, disa futbollistë shqiptarë u munduan ta nxjerrin atë flamur nga fusha dhe në fillim patën edhe mirëkuptim nga dy lojtarët serbë. Ajo që ndodhi më pas ishte një shpërthim i momentit dhe nuk heq asgjë nga sjellja dinjitoze e shumë lojtarëve shqiptarë por edhe serbë që kërkuan me luejtë sport, pavarësisht fyerjeve që I bënë njeri tjetrit, e gjërave që u thanë. Por edhe pse të gjithë lojtarët në fushë luajnë në Europë e kanë sjellje sportive profesionale, shihej qartë se ndjenja kombëtare tek skuadra shqiptare e serbe ishte krejtësisht e prekshme njëlloj si midis dy skuadrave si Horacët e Kuracët në Romën e lashtë. Ky është edhe kombëtarizmi pozitiv, kur nuk kërkohet të bëhet sherr me tjetrin, por të ruhet dinjiteti e normat e sjelljes sportive dhe njerëzore. Duke kërkuar me fitue ndeshjen, skuadra shqiptare i dha një fytyrë tjetër, të edukuar dhe pozitive, kombëtariste e moderne shoqërisë shqiptare ashtu si edhe pati shembuj nga skuadra serbe ku u sollën me dinjitet e kërkuan me ndalua sherrin. E megjithatë, mbizotëruese nuk ishte pozitivja por e keqja e përshkruar në shfaqjen e parë të nacionalizmit.

Përkundër këtyre dy esktremeve ishte edhe forma e tretë e shfaqjes së ndjenjave që nuk ishte e pranishme kund. Kjo ishte ndjenja e antikombëtarizmit, e manifestuar në sjelljen arriviste e të pafytyrë të parisë sunduese të Tiranës. Asnjë pushtetar nuk shkoi në Beograd, por ishin në FB e në Tëitter. Kryeministri i Lumturisë Kombëtare është në Boston, me dhanë një ligjëratë në një shkollë ku cdo profesor i pranishëm, din me shumë për politikën ndoshta se vetë ai dhe i gjithë delegacioni i tij bashkë. Duhej që të paktën një drejtues shteti të ishte me skuadrën, sepse dihej që duhej dhënë mesazhi kur te gjithë drejtuesit e shtetit serb do të ishin në tribunë. Nuk kishte pse të kishte frikë, sepse ashtu, të paktën dergohej një mesazh gatishmerie per mirekuptim. Por, edhe pse kësaj here nuk shkoi njeri, që në mos tjetër të dërgohej një mesazh mirëkuptimi, edhe përkundër asaj që ndodhi, paria do të nisë njerëzit javën tjetër që të bëjnë pazaret që duan paritë. Në rrugën e tyre paria sunduese në shtetin shqiptar, që nga Kryeministri i Lumturisë Kombëtare, tek Kryetari i Kuvendit të Lumturisë Kombëtare, tek Kryetari i Opozitës së Lumturisë Kombëtare e me radhë ndjekin vetëm interesat e tyre. Të gjithë punojnë me interesa e grupe që nuk pyesin për popullin e tyre dhe kjo që ndodhi vetëm sa ua prishi pak planet e vizitës së ardhshme dhe të pazarllëqeve që do të bëjnë.

Nga një herë është më mirë me heshtë dhe me i lanë gjërat të shkojnë në rrugën e tyre, e nganjëherë duhet edhe me reflektue pak me thellë mbi atë që ndodhi sepse ferra e vogël e fsheh lepurin e madh, dhe ngjarje të tilla të tregojnë se cka është e rëndësishme dhe bëhen mesim për të ardhmen. Ndeshja dhe i gjithë konteksti në të cilin u zhvillua ajo, tregoi tre fytyra të identitetit, për perceptimit të tij dhe të politizimit të identitetit. Këto shfaqje ishin te kombëtarizmit pozitiv tek skuadra shqiptare, të nacionalizmit negative tek tifozeria serbe e të kozmopolitanizmit të interesit tek paria e Tiranës. Nga një anë, ishte një stadium i mbushur me një urrejtje të thellë për atë që serbët e konsiderojnë një padrejtësi të madhe, nga ana tjetër ishte nje skuadër që nën trysni të mëdha përfaqësonte kombin e vet. E përfaqësuesit e parisë së Tiranës nuk ishin kund. Por dihet se ata do të vazhdojnë në rrugën e tyre, që pa marrë fare në konsideratë gjë tjetër si për shembull interesin kombëtar, do të ndjekin interesat e veta e do të punojnë kundër popullit të vet.