GRID RROJI: KUSH KA FRIKE NGA NDERGJEGJESIMI I SHQIPTAREVE?

Dhuna e ushtruar mbi ekipin kombëtar shqiptar të futbollit në Beograd risolli në vëmendjen e mediave problemin e mprehtë të ndërgjegjësimit të shumë shqiptarëve se identiteti kombëtar është lidhëza që na bashkon përtej të gjitha ndasive. Më tej, reagimi gati racist e tërësisht i shkujdesur ndaj ndjesive të shqiptarëve i disa zyrtarëve të lartë të europianë, i mishëruar në daljen famëkeqe të zëdhënëses së komisioneres së jashtme me deklaratën “autoritetet e Beogradit ju përgjigjën në mënyrë të kënaqshme situatës së krijuar”, i shërbeu shumëkujt për t’u ndërgjegjësuar mbi mënyrën si na shohin e perceptojnë në Evropë e më gjerë. Mirëpo, ky rizgjim i vullnetit të shqiptarëve për dinjitet kombëtar, i cili mendohej nga shumë anë si një fenomen i kufizuar në Kosovë e Iliridë, ka shkaktuar sëkëlldi në shumë qarqe, veçanërisht tek paria e Tiranës dhe disa aktorë të jashtëm, interesat e të cilëve bien ndesh me agjendën e shqiptarëve.
Kësisoj, mbrojtja e flamurit, si simbol kombëtar nga futbollistët e kombëtares, edhe përkundër rrezikut të qartë fizik nga huliganët serbë që mësynë në fushën e lojës ka pasoja jo vetëm psikologjike por edhe politike.
Tre janë grupimet më të mëdha që janë hedhur në veprim për t’a fashitur këtë rizgjim të vetëdijes shqiptare: 1) paria e Tiranës; 2) grupi i intelektualëve kozmopolitë dhe gjithologëve mediatikë në shërbim të parisë, të cilët e kanë ndërtuar pozicionin e tyre shoqëror duke përqafuar ideologji alternative si kozmopolitanizmi, liberalizmi apo zhizhekizmi; dhe 3) një grup shtetesh të cilat shohin tek rizgjimi i vetëdijes së shqiptarëve rrezikimin e interesave të tyre.
Së pari, paria e Tiranës i druhet kombëtarizmit si ideologji përshkuese kombëtare për shkak se ajo mendësi rrezikon pozicionin e tyre politik. Reagimet e shtirura të politikanëve të Tiranës, të cilët e kanë ndërtuar karrierën e tyre politike duke punuar kundër interesave kombëtare shqiptare, janë tregues i qartë se në Tiranë po mundohen t’a menaxhojnë e kooptojnë frymën kombëtare që përshkon opinionin publik. Kryeministri Edi Rama dhe apologjetët e tij ngulmojnë se “shkuarja në Beograd për të kërkuar njohjen e Kosovës por edhe për të bërë ndonjë pazar”-duke nënkuptuar kësisoj se paratë janë gjëja që shqiptarët çmojnë më shumë sidomos në kushtet e një krize të thellë ekonomike- është një veprim i duhur. Ende ka mbetur pa shpjegim se cila çështje e rëndësishme për shqiptarët (e jo për mbijetesën e Ramës në pushtet) kërkon bisedime në Beograd, sepse interesat dhe qëndrimet e palës serbe nuk do të ndryshojnë për shkak të këtij udhëtimi. Përkundrazi, tanimë janë serbët që nuk e duan më vizitën e Ramës në Beograd! Ky lloj amatorizmi politik dhe grykësie për t’u dukur tolerant përpara mbikëqyrësisë së perëndimorëve nuk i shërben interesave shqiptare e as mund të mbulohet me tisin propagandistik të cicërimave mediatike. Për më tepër që para se të shkojë në Beograd Edi Ramës i duhet të na shpjegojë arsyet pse Fazlliçi ka vazhduar punën i qetë gjatë qeverisjes së Rrulindjes, madje duke deklaruar se ka miqësi me ministrat e tij*.
Nga ana e vet, e ashtuquajtura opozitë e Sali Berishës, Trusti i Gështenjave i drejtuar formalisht nga Lulzim Basha, duket se e ka humbur zërin e kundërshtimit për këtë çështje. Duke patur në biografinë e vet politike bashkëpunimin me Bullatoviçin dhe Millosheviçin, mbrojtjen e bashkëpunimin me Fazlliçin, hapjen e tregjeve shqiptare sipërmarrjeve serbe të lidhura ngushtë me shërbimet e shtetit serb, si dhe me një urrejtje të shprehur haptaz ndaj shqiptarëve të cilët patën “fajin” e madh që nuk i votuan, kjo klikë e ka shumë të vështirë të ruajë një cipë kombëtare. Incidenti i fundit i mbesës së Kryetarit legjendar, e cila shprehte me naivitetin e një adoleshenteje pikëpamjet e saj kryekëput anti-shqiptare, ja shumëfishon frikën nga kombëtarizmi real Trustit.
Aq më pak mund të flaës Ilir Meta I cili shumë pak kohë më parë deklaronte se “Shqipëria dhe Serbia kanë rol parësor në paqëtimin e rajonit”!** Duke marrë parasysh edhe natyrën klienteliste të klanit të tij, heshtja e tij për këtë çështje ishte e pritshme dhe tejet domethënëse.
Pra, paria politike e Tiranës ndjehet e rrezikuar nga një ligjërim politik i mbështetur tek identiteti kombëtar i shqiptarëve, sepse një politikë e tillë nuk do i lejonte të përvetësonin pasuritë që kanë përfituar deri tani në kurriz të shqiptarëve.
Më anë tjetër, një pjesë jo e parëndësishme e parisë, shtresa e intelektualëve kozmopolitë të vënë në shërbim të hapur e të fshehur të palëve të parisë, por edhe të shumë interesave jashtëshqiptare, ndjehet keqazi e rrezikuar nga këto zhvillime sepse kombëtarizmi i shfaqur në mënyrë gjenuine nga shqiptarët i shndërron ata në një kontorno shumë pak të rëndësishme për zhvillimet e mëtejme. Në disa prej reagimeve të këtyre “intelektualëve” sidomos në bllogosferë, dallohet qartë shqetësimi se historia e shqiptarëve po e le mbrapa turlinë e tyre post-moderne. Reagimit personal që patën për shkak se “qeveria serbe guxoi t’i ndalonte në aeroport këta VIP-a”, i pasoi rënia në batakun e zakonshëm i cili nuk mund të dilte nga qerthulli kozmopolit që fajëson shqiptarët e pagdhendur për provokimin e dhunës serbe. Ajo që përbën një dukuri shumë interesante është se kur vjen puna për të ruajtur këtë lloj ligjërimi në thelb anti-shqiptar edhe pse të kamufluar me parrulla populiste të momentit, nuk ka më ndasi mes palëve të parisë, ata punojnë të gjithë së bashku. Shembulli më i fundit ishte prononcimi i një personazhi me të kaluar dhe lidhje shumë interesante si Baton Haxhiu se “duhet t’i kërkojmë falje Serbisë se I kemi marrë 11000 metra katrorë tokë” në emisionin Opinion të Blendi Fevziut. ***
Së treti, rizgjimi i vetëdijes kombëtare shqiptare si reagim ndaj dhunës flagrante në stadiumin e Beogradit shqetëson rivalët gjeopolitikë të kombit shqiptar si dhe një shtresë burokratësh evropianë, mendësia e të cilëve është e mbrujtur nga perceptimi se shqiptarët janë një popull problematik, i pacivilizuar dhe që më shumë shkakton kokëçarje për ta. Deklarata thellësisht e njëanshme dhe raciste e zëdhënëses së Komisioneres së Jashtme të BE-së Kethrin Eshton, znj. Maja Koçijançiç se “reagimi i autoriteteve policore serbe ishte për t’u përgëzuar” ndërkohë që dhuna e ushtruar mbi lojtarët shqiptarë shoqërohej me brohorima të thekura raciste, duhet të kishte shkaktuar dorëheqjen e saj dhe një mea culpa të menjëhershme të Lejdi Eshtonit. Përkundrazi, reagimi i flashkët i burokracisë së Brukselit me anë të një zëdhënsi tjetër, pa marrë përgjegjësinë për deklaratën raciste të Koçijançiçit tregon se burokratët europianë nuk shqetësohen tepër se kanë lënduar popullin shqiptar. Mirëpo, këtë herë ata nuk u ndeshën me indiferencën e përgjithshme të shqiptarëve, dhe megjithë përpjekjet për të influencuar apo frikësuar median ata nuk arritën t’a shuajnë revoltën ndaj aktit të shëmtuar të Koçijançiçit. #
Reagimet nga të gjitha palët e sipërpërmendura ndaj ndërgjegjësimit kombëtar të shqiptarëve ishin të pritshme dhe të provuara më parë. Paria po përpiqet të përdorë kontrollin e hekurt mbi median për të ndërruar temën, për t’a drejtuar vëmendjen tek ana futbollistike e çështjes dhe për të mbytur zërat kombëtaristë të cilësuar “jashtë kohe”. Një tjetër argument tepër i përdorur nga veglat e parisë është se “shqiptarët e kanë kombëtarizmin vetëm për futbollin”. Mirëpo faktet flasin ndryshe. Megjithë skepticizmin e përgjithshëm të parisë dhe burokracive evropiane, shqiptarët i pritën dyerhapur vëllezërit e tyre nga Kosova gjatë luftës. Në Kosovë luftuan dhe ranë dëshmorë shqiptarë nga të gjitha trevat. Gjithashtu, futbolli në rang shtetesh ka kohë që përbën një aspekt shumë të rëndësishëm të identitetit dhe ka një dimension të qartë politik. Ndërhyrja e zëdhënëses së BE-së në këtë event sportiv e tregon këtë më kulluar se kurrë.
Më anë tjetër, paria ka gati edhe alternativën kooptuese. Përdorimi i disa veglave të saj për të diskredituar kombëtarizmin, me padije dhe mungesë të thellë serioziteti siç është promovimi si kombëtarist i Kreshnik Spahiut, është një tjetër metodë e njohur që përdor paria në kësi rastesh krize. Mirëpo, megjithëse I pati të gjitha mundësitë për t’a treguar veten si udhëheqës me vizion, Spahiu është shndërruar në një karikaturë politike të përdorur keqazi sa here parisë i duhet të shfryjë valvulën e zemërimit popullor.
Nga ana e vet, burokracia e BE-së po përdor kontrollin e plotë që ka mbi parinë për t’ja rikujtuar asaj se legjitimitetin nuk e kanë nga populli shqiptar, por nga mbështetja që marrin nëpër korridoret e Brukselit. Shtyrja që I bëhet Edi Ramës për të shkuar në Beograd, edhe në kushtet kur kryeministri Serb dhe ministri i tij i jashtëm shprehen se brohoritjet “vritini shqiptarët” janë të pranueshme pas provokimit me flamur, është tregues i qartë se kush e zotëron sovranitetin në shtetit shqiptar. Mirëpo luhatja e Serbisë midis Lindjes dhe Perëndimit, mbajtja peng e BE-së duke ju valëvitur para syve lidhjet e vjetra me Moskën, e sjellë në vëmendje nga pompoziteti i vizitës së Putinit në Beograd, nuk mund të shndërrohet në problem të shqiptarëve. Dobësia që tregon Rama për t’i rezistuar trysnive të jashtme nuk ju shërben interesave të shqiptarëve.
Në gjykimin tim, ndonëse këto truke do të arrijnë të mbyllin tenxheren me trysni në afatin e shkurtër, nuk munden më të mbulojnë realitetin. Me kohë, shqiptarët po ndërgjegjësohen se rruga që ju është propozuar nga paria nën mbikëqyrjen e burokratëve evropianë është një rrugë pa krye dhe miope. Ajo i shërben pasurimit të parisë, ruajtjes së status kuosë, dhe arrivizmit të disa burokratëve të paaftë për tu dalluar në vendet e tyre, të cilët gjejnë tek paria e Tiranës ortakun më të mirë të mundshëm për të ledhatuar egon. Kjo rrugë qorre nuk i shërben shqiptarëve sepse nuk po na afron as me objektivin e deklaruar prej tyre, integrimin në BE. Të gjithë studiuesit evropianë të rajonit, dhe një numër jo i paktë politikanësh e analistësh në Bruksel kanë deklaruar qartë se nuk mund të ketë integrim për Shqipërinë të paktën deri nga viti 2035. Pra, integrimi si objektiv strategjik, në kushtet kur integrimi nuk është i mundur dhe situate rajonale është krejt e pasigurtë, është një sjellje e pakuptimtë dhe jo prodhimtare. Rrjedhimisht, loja kukamfshefti jo vetëm që nuk i pakëson por i rrit tensionet në rajon në afatin e gjatë.
Më anë tjetër, Kombëtarja e futbollit nuk luan vetëm sport. Ajo përfaqëson në Shqipëri por edhe në shumë vende të tjera, një aspekt të rëndësishëm të identitetit dhe krenarisë së një kombi. Kombëtarja përfaqëson çdo shqiptar, kudo që ai jeton e ndodhet. Paria dhe ortakët e saj nuk duan t’a pranojnë këtë fill identitar që i lidh shqiptarët të ekspozuar nga futbolli. Mirëpo reagimi masiv pas dhunës serbe në Beograd tregon se jo gjithmonë kapaku mund ta mbyllë tenxheren. Vetëdija kombëtare shqiptare u ka rezistuar për qindra vite trysnive që i kanë ardhur si nga brenda edhe nga jashtë. Ndaj mendoj është vetëm çështje kohe derisa ajo të përvijohet në rrafshin politik dhe më gjerë. Reagimi masiv popullor ndaj dhunës serbe në Beograd përbën një pikë të rëndësishme në këtë rrugëtim.

Referenca.
*http://illyriapress.com/miku-serbo-boshnjak-berishes-fazllic-nderton-ne-kohen-e-rames-linjen-400-kv-kosoven/
**http://www.gazetatema.net/ëeb/2014/10/13/meta-gojkovic-shqiperia-dhe-serbia-rol-paresor-per-stabilitetin-dhe-te-ardhmen-e-rajonit/
*** prononcimin e Baton Haxhiut mund t’a gjeni në formati video këtu:http://tvklan.al/serbi-shqiperi-po-me-pas/
# përgjigja arrogante e Koçijançiçit ndaj gazetares Erisa Zykaj gjindet këtu: http://www.top-channel.tv/neë/lajme/artikull.php?id=286137&ref=ml

Advertisements