INTERVISTE ME GAZETA SOT, 23 TETOR 2014

-Ka një regres dhe evokim të së kaluarës në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Ka mjaftuar shfaqja e një balone elektronike që raportet mes dy vendeve të lëkunden. Cili është komenti juaj? 

Politika bëhet në bazë të perceptimeve për palën dhe për shtetin tjetër, për qëllimet që ka e interesat në bazë të të cilave vepron. Natyrisht që perceptimet janë të mbështetura në histori, dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe historikisht nuk kanë lënë shumë vend për mëdyshje. Midis dy kombeve dhe shteteve ka shumë plagë të hapura dhe të pambyllura, një urrejtje të ushqyer nga paritë serbe, e kujtesë për dhimbjet historike nga ana shqiptare. Fluturaku i telekomanduar nuk hapi ndonjë plagë të re, vetëm e gërvishti plagën që kishte zënë kore, por që ishte e qelbëzuar. Pavarësisht nga erdhi, efekti që pati mbi masën e tifozëve, niveli më i pagdhendur i një shoqërie, e të zyrtarëve në stadium, grupi më i sofistikuar i një shoqërie, ishte i frikshëm sepse tregoi thellësinë e urrejtjes që serbët dhe paritë e tyre ushqejnë për shqiptarët. Kjo ndodh në një kohë kur Tirana e kryebashkiakut Rama, që e ka pritur Goran Bregoviçin, i ka dhënë çelësin e kryeqytetit dhe kërcente si i marrosur nën tingujt e këngës serbe Kallashnikov në Pallatin e Kongreseve vetëm një vit mbas luftës… Pra, Tirana nuk ka asnjë lloj kujtese historike por kërkon afrim me çdo kusht për interesa ekonomike dhe e shtyrë nga të huajt. Tani raportet midis shtetit serb dhe atij shqiptar duhet të shihen në këto nivele. Së pari, popujt kanë një mosbesim të thellë ndaj njeri-tjetrit. Së dyti, Beogradi është një kryeqytet shumë nacionalist me një nivel ndërgjegjësimi ekstrem që është qartësisht shovinist, por që e ruan sjelljen kozmopolitane në nivelin e parisë kur i shërben asaj. Tirana është një qytet shumë kozmopolitan, në të cilin, përtej rinisë dhe të shpërngulurve nuk ka ndërgjegje kombëtare dhe ku sjellja politike nuk përcaktohet nga interesi i shtetit apo ai kombëtar, por nga interesat e parisë që e kontrollon atë shoqëri me dorë të hekurt. Së treti, paria e Tiranës është një pari luledielli që kthehet nga shkon dielli, e dielli i saj është paraja. D.m.th. paria e Tiranës ka nevojë për para, këto vijnë nga gjermanët dhe nga BE, dhe ata e dinë se për të marrë ato para duhet të kërcejnë vallen si iu intereson të huajve. Kështu, e shkurt, paradoksi është se raportet në nivel të popujve janë shumë të këqija sepse popujt kanë kujtesë, e në nivel të parive shumë të mira, sepse paritë kanë interesa, e në rastin tonë përfshirë edhe opozitën që ka punuar pa ndërprerje me shtetin serb. Marrëdhëniet ekonomike janë në lulëzim, marrëdhëniet në nivelin e OJQ-rave po ashtu, e natyrisht në nivelin e parive. Por është një turp diplomatik që të shkosh në një vend me të cilin ke arritur marrëveshjen për qëllime jo kombëtariste, por arriviste e ekonomike, dhe kryeministri i atij vendi të të thotë deri tre ditë para vizitës se nuk e di ende nëse duhet të të presë apo jo. Edhe krushqit shkojnë në një dasmë kur janë të mirëpritur dhe kur e dinë se çfarë po marrin, e jo kur nuk dinë se si po iu del nusja… Pra, nuk niset kjo punë tafti-bafti në nivel të shtetit. Në politikën e shteteve nuk rrihet njeriu me shpulla, por me fjalë. Pavarësisht asaj që ndodhi, nuk habitem fare që kur të takohen me 10 Nëntor, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç do të puthen e përqafohen. Ama njëri punon për kombin e vet e tjetri për klanin që e mban në pushtet.

-Si e vlerësoni pezullimin dhe më pas shtyrjen e vizitës së kryeministrit Edi Rama në Beograd, si këmbënguljen e palës shqiptare për të zhvilluar këtë vizitë? 

Paria e Tiranës është një pari që mbahet në pushtet jo nga dashuria e respekti që ka populli shqiptar për të, por sepse iu shërben interesave të caktuara. Këmbëngulja e Edi Ramës për të shkuar në Beograd është një përpjekje për t’iu treguar të huajve se është “çun Tirone”, d.m.th, djalë i dëgjueshëm dhe i bindur, që për hir të një shume të caktuar që vjen në formën e ndihmave për kanalet e fekaleve e të ujit të pijshëm, nuk pyet për interesin e dinjitetin e shtetit e të shqiptarëve. Përtej këtij niveli të mendësisë së rajasë që bën politikë, nga ana e tyre, serbët treguan se kanë shtet, se kanë dinjitet, se luajnë mirë e me dy porta, dhe se ne shqiptarët jemi në dorën e amatorëve politikë që luajnë pa mëshirë e pa skrupuj me interesat e gjithë shqiptarëve. Do të ishte shumë mirë, nëse Kryeministri i Lumturisë Kombëtare, i bënte shqiptarët të kuptonin gjendjen dhe i bënte një telefonatë kryeministrit serb, në një deklaratë ku thoshte se në kushtet e krijuara i kishte kërkuar kryeministrit serb që ta shtynte vizitën. Por ndodhi e kundërta! Në gjuhën tonë popullore kësaj i thonë, “edhe me të rrahë edhe mos me të lanë me qa”. Për ata që e marrin seriozisht këtë punë, dinjiteti i shtetit është si nderi i gruas, mjafton që dikush t’i shkulë një fije floku në publik dhe humbet diçka që nuk kthehet kurrë më. Mirëpo, jeniçerët nuk dinë si të sillen ndryshe, ata duan një perandori për t’i  sunduar dhe eventualisht për ta sunduar dhe, z. Edi Rama është një përfaqësues tipik i tyre. Mirëpo, detyra e parë e një qeveritari është për të mbrojtur nderin e dinjitetin e shtetit. Si e kemi thënë me kolegët e mi të Rrethit të Ferrit, këmbëngulja e qeverisë shqiptare shpjegohet vetëm me ryshfetin që iu dhanë për të mbajtur gjallë projektin gjerman, që në fakt, nuk ka kurrfarë shansi për t’u  jetësuar, përveçse me dorëzimin e pakusht të shqiptarëve.

-A kemi të bëjmë me një vetëdije evropiane të qeverisë shqiptare, apo me një simptomë inferioriteti ndaj udhëheqjes serbe? 

Po çfarë vetëdije europiane! Me qenë europian është me besue në vlera të caktuara, në të mirën e popullit tënd, në mundësinë e mbërritjes së një ekuilibri shoqëror ndryshe, e me radhë. Këta që na sundojnë ne, janë brezi i dytë, i tretë dhe i katërt i një çorbe parie që u krijua gjatë sistemit të Enver Hoxhës. Me origjina etnike të ndryshme, me vlera politike të dyshimta, pa respekt për popullin e tyre, pa vetëdije për interesat kombëtare e shtetërore, pa përgatitjen e duhur dhe pa vullnetin me shërbyer. Ashtu si kemi pasur piramidat e ndryshme në financa, edukim, ndërtim etj., kemi pasur edhe një piramidë të rrejshme në paritë sunduese, rilindja ka qënë riciklimi i shtresës, ashtu si ripërtëritja është riciklimi i mbeturinave të palës tjetër. Në politikë nuk vepron në një mënyrë të caktuar sepse e urren tjetrin, por sepse do popullin tënd. Këta nuk e duan popullin e vet. Këta thjesht duan të duken se janë të besueshëm, e të bindur karshi atyre që do t’ua japin një grusht para me e zgjatë ndenjen në pushtet edhe një vit tjetër, derisa të vijnë datat për marrëveshjen e nëse nuk tentojnë t’ia dredhin njëri-tjetrit. Mirëpo këta nuk shohin të punojnë për shtetin e për shqiptarët, këta kanë qënë e kanë mbetur të uritur për mall e gjë dhe shkojnë mbas erës së parasë. Në këtë rrugë na kanë shkatërruar e do të na shkatërrojnë edhe më shumë. Si e kam thënë edhe një shkrim të mëparshëm tek Rrethi i Ferrit, “shtetet e vogla ua detyrojnë mbijetesën e tyre fuqive të mëdha. Si edhe e kam thënë shumë herë më parë, edhe ne jemi në atë gjendje. Mirëpo ka shtete të vogla që ua detyrojnë mbijetesën e tyre popullit të tyre. E në Ballkan kjo që po ndodh është paradoks. Serbët e grekët ua detyrojnë mbijetesën si shtete politikës së madhe e popujve të tyre, e politikanët tanë përdorin politikën e madhe për mbijetesën e tyre e kundër popullit të tyre. Sepse nuk ka kurrfarë logjike që kjo që po ndodh se Edi Rama të jetë njeriu me besueshmëri politike. Kjo që po ndodh është se Edi Rama ka vënë në tavolinë atë që duan serbët e të huajt dhe kjo nuk mundet me kenë gja e mirë për shqiptarët. Serbët duan të luajnë me dy porta, me rusët e kinezët, por edhe me BE, anipse jo me SHBA-në e NATO, por duan të jenë në kontroll të fatit të tyre. Edhe këta tanët duan të luajnë me dy porta gjithashtu, sepse njëra palë ka pazar të mirë e kemi lidhje të vjetra si pari e Tiranës me ta, e tjetra na ka lidhë politikisht pazgjidhshmërisht. Mirëpo, këta janë shërbëtorë gjithmonë e asnjëherë në kontroll të fateve të kombit, por gjithnjë të interesuar vetëm për vete e për klanin e tyre. Kur të bëjmë shtet do të jetë ndryshe, mirëpo tani kemi qeveritarë e jo shtet, prandaj këta bëjnë çka duan me shtetin pa u dënuar për gabimet. Serbët kanë shtet e qeveritar bëhet kushdo sepse nuk të lë makina e shtetit me gabuar lehtë.

-Çfarë mendoni ju për “makthin” e Shqipërisë së Madhe? Historianët dhe ekspertët serbë thonë se Shqipëria e Madhe është një realitet, ndërsa në Shqipëri ka një paqartësi, ambiguitet dhe dilema për Shqipërinë Etnike. 

Shiko, Ballkani ka tre zgjidhje. E para, për të ruajtur kufijtë politikë siç janë. Kjo nuk ka për të ndodhur, sepse serbët nuk duan që kjo të ndodhë. E dyta, me u integruar në Europë. As kjo nuk ka me ndodhë, anipse BE do na ofrojë të gjithëve një lloj organizimi të dorës së dytë që nuk ngrihet në nivelin e anëtarësimit të plotë. E treta është zgjidhja etnike, d.m.th. vazhdimi i shpërbërjes së perandorisë otomane derisa të ketë një qartësim të popujve e kufijve ku të gjithë të kenë shtetet e tyre me pakica të papërfillshme në shtetet e tjera. Duke e parë kështu, gjasat më të mëdha janë që do të këtë shpërthime të kontrolluara këtu e aty e mandej do të bëhet një riorganizim i paevitueshëm sipas parimit të tretë. Tani konceptet duhet të jenë të qarta. Kur themi Shqipëri e Madhe, nënkuptohet një Shqipëri me territorin e katër vilajeteve e kjo është shoviniste dhe në kushtet politike e papranueshme për të gjithë. Kurt themi Shqipëri Natyrale, flasim për të gjithë territoret ku kanë jetuar shqiptarët, e kjo po ashtu është jo normale dhe e papranueshme politikisht për gjithkënd sepse nuk ka më shqiptarë në Toplicë. E njëjta është për Shqipëri Etnike. Ne kemi 100 000 shqiptarë në Beograd apo 15000 shqiptarë në Sarajevë… çka me ba me ta? Mënyra e konceptimit të problemit shqiptar duhet me qenë realiste, e mbështetur në shembujt e tjerë, si për shembull izraelitët, ku fillimi është kombi. Të duam njëri-tjetrin, të punojmë për të mirën e gjithsecilit e të të gjithëve bashkë, të ndërtojmë ura bashkëpunimi ekonomik, politik, kulturor, vlera morale e të identitetit dhe të ushqejmë shpirtin e shqiptarit me dashurinë për shqiptarin tjetër. Objektivi jonë duhet të jetë për t’i bërë kufijtë të parëndësishëm ndërmjet vetes, për të pasur një vetëdije se ngado që vjen shqiptari tjetër, e kudo që ndodhet, mundesh të mbështetesh tek ai, për të ndërtuar me kujdes panteonin e ndërgjegjen tonë kombëtar, dhe për të menduar si bleta, ashtu si thoshte Thimi Mitko, Bleta Shqiptare. Nëse do të bëjmë një shtet shqiptar ku të jetojmë të gjithë, është në dorën e historisë. Ama që të bëjmë kombin tonë, të mbështetur në dashurinë për shqiptarin tjetër, në atë që na bashkon e jo në urrejtjen për tjetrin, është në dorën tonë. Natyrisht që do të ketë pengesa nga të gjithë anët, injoranca e njerëzve tanë, mendjengushtësia e intelektualëve apo e të vetëquajturve intelektualë, interesat e parisë që kërkon skllavërimin e shqiptarëve, të huajt që duan të zgjidhin problemet politike të ditës e paaftësitë e individëve që kanë peshë, por nuk shohin më larg se interesi i ngushtë e që duan të ruajnë interesat e tyre. Mirëpo, duhet të ngrihemi mbi vetveten e të bëjmë atë që na shërben të gjithëve. Ky është programi shqiptar që na duhet neve. Këtë e ka formuluar Rilindja Kombëtare, këtë duhet të punojmë ta përshtasim në kushtet ku jemi, sepse këtu është e mira e jonë e të gjithëve, e fqinjëve, e rajonit, dhe e stabilitetit rajonal.

-Kush është rreziku më potencial për kombin shqiptare, natyra korruptive dhe oligarkike e parisë sunduese apo platformat anti-shqiptare e serbëve dhe grekëve? 

Shiko, një komb nuk ndërtohet mbi urrejtjen e frikën prej tjetrit. Ne shqiptarët nuk motivohemi nga urrejtja për serbët apo grekët. Ka shumë serbë që e kanë origjinën etnike shqiptare, e ka shumë grekë që janë më shumë shqiptarë etnikë se shumë të tjerë. Mirëpo ata punojnë për shtet-kombin e tyre. Në rastin tonë, paritë tona sunduese bëjnë çdo gjë për të punuar kundër kombit shqiptar. Disa nuk ndjehen shqiptarë, disa nuk janë shqiptarë, disa ndjehen shqiptarë, por duan më fort kuletën e respektin e të huajve. Paria jonë mendon për vete e për klanet e saj dhe kundër të gjithë shqiptarëve të tjerë që i sheh si skllevër të saj. Ne na duhen elita, na duhen njerëz të zgjedhur që mendojnë për të mirën e të gjithëve si një komb. Ne do të mbërrijmë diçka kur elitat tona të punojnë për kombin dhe të mos kenë frikë se ku do t’i fshehin paratë. Askush nuk merr gjë me vete në varr, e ne e dimë se ata që kanë punuar kundër popujve të tyre, nuk kanë pasur as varr. Platformat e të huajve janë shumë problem, por kur ke një shtet-komb normal, e një vetëdije për rrezikun, atëherë edhe t’i ruhesh edhe tjetri matet fort para se me u marrë me ty.  Kjo ndodhi edhe kur kishim një shtet të fortë, por jo kombëtar siç ndodhi gjatë kohës së Enver Hoxhës. Do të na marrë edhe do kohë për të mbërritur në atë nivel vetëdijeje, mirëpo kemi humbur e po humbim kohë të çmuar dhe po sakrifikojmë breza të tërë shqiptarësh.

-Si e shihni ju situatën me Maqedoni dhe a mendoni se ka një projekt për ndarjen e saj mes Shqipërisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë?

Shqiptarët në Maqedoni jetojnë në territoret e tyre historike, janë një masë kompakte, numerikisht rreth 40 përqind e popullsisë, me një vitalitet të theksuar e gjendje ekonomike shumë më të mirë se pjesa tjetër e popullsisë. E mira jonë është se kanë një vetëdije kombëtare të theksuar dhe se ndjehen shqiptarë. Paritë që kemi atje janë kalimtare, kanë bërë kompromise jo të mira, por shqiptarët e Maqedonisë janë kombëtaristë. E sa për ndarjet, çka do mundet me ndodhë, dhe shumë maqedonas kanë marrë shtetësinë bullgare, e shumë shqiptarë atë shqiptare, e asnjë nuk e ka marrë atë greke. Mirëpo ne si komb nuk na duhet një përplasje me bullgarët, anipse duke e parë sjelljen e  tyre e pretendimet gjatë Luftës së Dytë Botërore do të kishte arsye për t’u shqetësuar. Ajo që po ndodh është se përkundër tkurrjeve e sulmit mbi identitetin maqedonas si të dallueshëm nga të bullgarëve, elitat e tyre, sepse ata punojnë për kombin e vet, e shohin më oportune afrimin e tyre me serbët e të tjerët. Edhe një herë, detyra jonë është për të  pasur vizion të qartë, për të punuar për kombin tonë, mos t’i duam të keqen as armikut, dhe ta duam shqiptarin tjetër si veten e kjo vlen si në Maqedoni, ashtu edhe në trojet e tjera shqiptare.