Home » KUJTESE » Leandrit MEHMETI: Ç’mund të përfitojnë shqiptarët nga vendimi i UEFA-s?

Leandrit MEHMETI: Ç’mund të përfitojnë shqiptarët nga vendimi i UEFA-s?

Le të më ndjejnë dashamirët e futbollit në këtë rast meqë kjo analizë nuk ka për qëllim shtjellimin e rezultatit apo pikëve dhe askpektin sportiv të vendimit, thjeshtë për arsye profesionale. Ajo çka më shtyn ta shtjelloj një temë të tillë janë aspektet tjera që nxjerr në pah ky vendim, mbi shoqërinë tonë dhe politikat tona shtetërore/nacionale. Si shoqëri mbase mund të përfitojmë një ri-vizitim të gjërave që na presin në të ardhmen, si nga elita politike ashtu edhe nga intelegjencia e shoqëria shqiptare kudo e jo ndonjë ndryshim të verdiktit të UEFA-s.
Ku qëndrojmë ne si shoqëri shqiptare, gjeografikisht, politikisht, ekonomikisht e kombëtarisht? Cili është niveli i arsimit që kemi dhe si i edukojmë e arsimojmë gjeneratat e ardhshme? Cili është niveli i debatit shkencor tek ne dhe sa jemi kreativë në këtë drejtim? Çfarë spitalesh kemi ne që të sigurojmë një nivel të mirë shëndetësor për qytetarët tanë? A kemi administratë efektive? Si i trajtojmë ne qytetarët të cilët nuk identifikohen si shqiptarë por jetojnë në hapësirat, që ne i quajmë tonat? A kemi ndonjë ndjenjë raciste kundër tyre? A e kemi të qartë si shoqëri dhe si elitë politike se si e imagjinojmë ne shoqërinë shqiptare të themi në dhjetë, tridhjetë apo pesëdhjetë vjet? Si dhe ku do të jenë Shqipëria dhe Kosova, si entitete politike, në këto hapësira kohore? Si do të jetë kombi shqiptarë në këto hapësira kohore, më i shpërndarë, më i hapur, më i humbur, më i mbledhur, më i bashkuar? A i kuptojmë ne drejt fqinjët tanë dhe pse na duket se nuk kanë ndonjë simpati të veçantë ndaj nesh (të pakten sipas opinionit popullor)? A e kuptojmë ne drejtë Evropen, që poashtu duket se nuk tregon ndonje respekt të veçantë ndaj nesh (poashtu sipas opinionit popullor ndërshqiptar)? Pse vlerësojmë se Evropa i trajton të tjerët më mirë dhe më drejt se ne?
Kuptohet përgjigjet në këto pyetje janë me dy mundësi: e para ofrimi i përgjigjeve që kemi dëshirë t’i dëgjojmë dhe e dyta përgjigjet që bazohen në evidencë e fakte. E dyta kuptohet mund të jetë veçanërisht e vështirë për shkak se nganjëherë ndonjë evidencë edhe mund të mos na pëlqejë.
Duhen kapituj të tërë për të diskutuar mbi arsimin, shëndetësinë dhe administratën në Shqipëri e Kosovë dhe nuk dua t’i marr kohë lexuesit më gjërat që i shohim çdo ditë. Të mjaftohemi me atë se kemi një situatë ku njerëzit mezi presin të largohen nga hapësirat shqiptare për të marrë ca shkollë apo për të marrë një shërbim më real mjekësor dhe tanimë kanë filluar të largohen edhe për të pasur punë me administrata tjera e jo me këto tonat dhe natyralizohen nëpër vende ku kanë mundësi. Nuk jam i sigurtë nëse për këto situata mund t’i fajsojmë Evropën apo fqinjët tanë apo Edi Ramën, Hashim Thaçin, Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ramush Haradinajn, Isa Mustafën, Ilir Metën e të tillët. Qëllimisht po i lë të tjerë si Albin Kurtin dhe njerëzit në VV jashtë kësaj liste për shkak se ende nuk kanë qenë në pozitën që të mirren më gjërat që i përmenda më lart përkundër gjithë këtyre të tjerëve. Nëse vijnë në pozitë për t’u marrur më këto gjëra dhe këto gjëra prap mbesin të pandryshuara nuk do të hezitoj t’i shtoj në listë. Ka përjashtime, kuptohet, por janë aq simbolike sa që vështirë vërehen. Po thuhet se administrata në Prishtinë ka pësuar ndryshime rrënjësore me administrimin e Shpend Ahmetit dhe ekipës së tij ku duket se është krijuar një atmosferë shërbimi më efikas. Nëse është kështu i gëzohem pa masë dhe është një argument shtesë se Evropa dhe fqinjët nuk janë fajtorë pse situata te ne është kryesisht e mjerë dhe se nëse ekziston vullneti me të njëjtit njerëz mund të krijosh diç më efektive. Nuk po zgjatem në aspektet gjeopolitike se ku mund të imagjinohet shoqëria shqiptare dhe institucionet e tyre në të ardhmen se do të mund të shkaktoj kokëdhimbje te ata që mirren me këto gjëra më detajisht dhe te opinioni i gjërë poashtu.
Nuk kam ndonjë thirrje dhe kompetencë ta komentoj vendimin e UEFA-s, aq më pak kur e shikoj një ndeshje futbolli një herë në katër vjet me interesim dhe ca të tjera po të kem ndonjë presion nga shoqëria e çastit. Por një pjesë e vendimit më bën përshtypje ajo mbi mosdënimin e shprehjeve dhe thirrjeve raciste dhe fashiste të tifozëve Serb kundër shqiptarëve në veçanti por edhe kundër popujve tjerë të Ballkanit para fillimit dhe gjatë atyre 42 minutave të ndeshjes. Vendimi zyrtar i UEFA-s, publikuar në faqen e tyre të internetit, është shumë ambiguoz dhe nuk specifikon arsyet e denimeve por shpjegon se për arsye të incidenteve ekipet dënohen kështu dhe ashtu. Marr vesh se thirrjet raciste janë shkelje serioze të shumë rregulloreve të UEFA-s (siç reflektohet edhe ne vetë moton e tyre “Thuaj JO racizmit”) dhe se sanksionimet mund të jenë shumë të ashpra që mund të rezultojnë në diskualifikim të ekipeve nga garat. Nuk do isha veçanërisht i kënaqur ta shihja ekipin Serb (apo cilindo ekip tjetër) të diskualifikohet, thjesht për arsye sportive. Por gjithsesi do të isha i kënaqur të shihja një dënim për thirrjet raciste. Kjo në mënyrë që të shihja një sinjal më të qartë nga një institucion Evropian se e kaluara e shëmtuar e imperializmit, kolonializmit, racizmit e fashizmit Evropian është vërtetë diç që i takon së kaluarës. Dështimi për t’u marrë më këto thirrje, biles as edhe për t’i përmendur ato dërgon sinjalë të përziera jo vetëm në adresë të shqiptarëve. Fuqimisht besoj se shqiptarët duhet të vazhdojnë të mirren me atë çka mund të projektohet në të ardhmen pas kësaj përvoje pa u degjeneruar në ndonjë armiqësi apo urrejtje ndaj tjerëve.
Një pyetje që është bërë shpesh nga shumë shqiptarë me këtë rast ishte se si do të sillej UEFA nëse Danimarka, Portugalia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli apo edhe Andora do të gjindeshin në situatën e Shqipërisë? A do t’i injoronte UEFA thirrjet fashiste për të shfarosur ndonjërin nga këta popuj? Natyrisht e kuptoj se thirrjet për të shfarosur me vetë shfarosjen janë dy gjëra të ndryshme, por Serbia është bombarduar pikërisht për të ndaluar përpjekjet e saj të shfarosjes kur i kishte përzënë mbi 1 milion shqiptar nga vendbanimet e tyre. Besoj se po të ishte Izraeli në pyetje UEFA do të sillej krejt ndryshe dhe këtë më shumë për shkak të Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore se sa për shkak të Inkuizicionit Spanjoll a Portugez tw shekullit tw 15. Sinçerisht, nuk e di përgjigjen në këtë pyetje, por besoj në një gjë; UEFA apo cilido institucion ndërkombëtar do të sillej më me kujdes ndaj një vendi ku arsimi është për t’u marrë lakmi. Ku trajtimi nëpër spitale mund të barazohet me shërbimet që mund t’i marrësh nëpër hotele me pesë yje. Ku korrupsioni i administratës mund të lokalizohen në një numër tepër të vogël rastesh apo është thjesht inekzistent. Ku bota shikon drejt këtyre vendeve dhe shoqërive për kreativitete shkencore e të teknologjisë. Këtë e ka treguar historia në shumë raste. Mbase sikur të zhvillonim kualitete të tilla të tjerët do të na shihnin më me kujdes. Do t’ua vështirësonim fqinjëve por edhe Evropës e të tjerëve të na shikonin më ndonjë dozë të mundëshme neverie apo urrejtjeje nëse eventualisht na shohin ashtu. Sidoqoftë vendimi i UEFA-s të mbetet i tillë ndërsa shqiptarët të shohim edhe në drejtimet tjera.
Të them se është koha që elita politike shqiptare kudo të reflektojë prapa mbi veprimet e tyre dhe strategjitë se si t’i mbrojnë dhe shërbejnë interesave kombëtare dhe shtetërore do të bëja një gabim konceptual, për shkak se kjo kohë ka qenë gjithmonë. Megjithatë, vërtetë është koha që elita jonë politike ta marrë timonin në duar dhe së bashku me intelegjencën dhe shoqërinë në tërësi të shohin se si do të mund t’i rregullojmë oborret tona. Si do të mund t’i parandalojmë pengesat e sidomos ato që mund të vinë nga të tjerët, të huajt (siç zakonisht kemi dëshirë të besojmë) që do t’i kemi në rrugën tonë drejt zhvillimeve? Si shoqëri, shoqëria Shqiptare mund të përfitojë shumë nga kjo situatë. Nëse flasim për bashkimin ne kurrë nuk kemi qenë më të bashkuar se sot në Ballkan Tani duket se e kemi kuptuar se mund të garojmë në mënyrë të barabartë me të gjitha shoqëritë e Ballkanit dhe se kërkesa për t’u trajtuar si i barabartë gjithsesi është kërkesë e drejte por assesi e domosdosshme dhe krejtësisht e panevojshme. Zhvillimi i shoqërisë sonë (e i të gjitha shoqërive shqiptare që jetojnë në entitete të ndryshme politike) dhe sigurimi i një kualiteti të lartë të jetës së të gjithë qytetarëve tonë duhet të jetë prioriteti i parë në listën e prioriteteve tona dhe jo integrimi në BE apo në çfarëdo organizate tjetër. BE-ja nuk e garanton zhvillimin ekonomik, edhe për këtë ka raste sa të duash për ta ilustruar dhe nuk kemi nevojë të dalim jashtë rajonit tonë si me anëtarët e rinj e poashtu me ata më të vjetër të BE-së. Institucionet e shendosha dhe efikasiteti i administratës garanton më shumë se sa organizatat ndërkombëtare një zhvillim të tillë. Gjithsesi ato mund të ndihmojnë. Miti se mbijetesa e jonë kombëtare dhe ekonomike është vetëm në BE dhe se pa të nuk mundemi, duhet të ri-vizitohet me urgjencë. Sinçerisht mendoj se kjo nuk është e vërtetë. Ne nuk do të mundemi pa shoqërinë tonë dhe pa njerëzit tonë prandaj duhet të bëjmë çmos që t’i mbajmë njerëzit brenda e jo të na largohen në këtë masë. BE-ja dhe të tjerët mund të ndihmojnë e përkrahin dhe zakonisht e bëjnë këtë më mirë dhe më sinçertë kur shohin ndonjë interes. Ne si shoqëri dhe elitë politike duhet t’i qartësojmë këto interesa në mënyre që ta fitojmë atë përkrahje dhe jo ta kërkojmë si lëmoshë.
____
Autori është ligjerues në lëndët mbi: Politikat e BE-së, Politikat Botërore dhe Sociologji në Universitetin e Australisë Jugore. Jeton në Adelaide, Australi dhe mund të kontaktohet në leandrit.mehmeti@unisa.edu.au

Advertisements