-Prof. Rama, cilat janë arritjet e Lëvizjes Studentore të viteve 1990-1991 dhe si e shikoni ju rolin e kësaj lëvizjeje në historinë e 100 viteve të shtetit shqiptar?
Duke lënë mënjanë shumë individë, elemente e kontribute, do të thoja se shtatë arritjet e mëposhtme të Lëvizjes Studentore e meritojnë vëmendjen e analistëve dhe të historianëve. Së pari, ishte mobilizimi e strukturimi i studentëve në masën kritike që e gjeti dhe e fitoi zgjidhjen e duhur politike në një moment historik kur paria e Tiranës dhe intelektualët ishin krejtësisht të paralizuar e të pazotët që të vepronin si duhet. Së dyti, ishte fitimi i pluralizmit nga ana e vetë studentëve dhe dhënia e shembullit të sjelljes së vërtetë demokratike e kombëtare. Së treti, ishte themelimi, drejtimi, dhe mbështetja që iu dha partisë së parë opozitare si një formë moderne kundërvënie ndaj një sistemi ende shumë të fuqishëm. Së katërti, ishte mobilizimi i masave popullore në mbështetje të ndryshimeve politike, ekonomike e shoqërore që do të mund të ndërtonin një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët. Së pesti, ishte ruajtja e dallueshmërisë së Lëvizjes Studentore nga partitë politike. Shumë nga studentët u përfshinë në politikë, por karakteri, individualiteti, dhe besimi politik i Lëvizjes u ruajt i patjetërsueshëm përmes organizatave dhe individëve të veçantë. Së gjashti, dhe e lidhur pazgjidhshmërisht me kontributin e mësipërm ishte planifikimi, organizimi, drejtimi, dhe mbyllja me sukses e Grevës Historike të Urisë që e detyroi sistemin të hiqte statujën dhe emrin e themeluesit të vet, Enver Hoxhës, dhe të pranonte humbjen e legjitimitetit dhe të çlironte masën e madhe të njerëzve që deri atëherë ishin të betuar, dhe do të vdisnin, po t’u thuhej për Enver Hoxhën. Kjo edhe çliroi masat e gjëra të popullit, dhe të gjithë shtresat nga kontrolli, frika, detyrimi, dyshimi dhe krijoi kushtet për një fillim realisht të ri. Por, së shtati, e para të gjithave, vlera themelore e Lëvizjes Studentore ishte e lidhur me natyrën e këtij fillimi të ri, dhe ky ishte mesazhi thellësisht patriotik e kombëtarist që i dha frymën gjithë veprimtarisë së saj më të rëndësishme dhe në veçanti, këtyre arritjeve që u përmendën më lart. Edhe pse kishte ideologji e besime të tjera që u bartën dhe u manifestuan nga individë e grupe të ndryshme, fryma kombëtariste ishte përcaktuese në momentet më kritike dhe në vendimet që u morën. Kjo e bëri Lëvizjen një kontribut të veçantë e të dallueshëm në atë periudhë kritike dhe pikërisht për këtë arsye, ai kontribut është themeli i respektit dhe vlerësimit që duhet të shprehet nga të gjithë shqiptarët për Lëvizjen e për pjesëmarrësit e saj. Është unike në historinë tonë sepse ishte e para lëvizje universitare, se ishte në vazhdim të traditës studentore për të kontribuar për ndryshimin për mirë, sepse nuk kërkoi gjakderdhje por vetësakrifimin e studentëve; nuk kërkoi të ngujonte vendin në të shkuarën por një fillim të ri, nuk synonte të vendoste kapitalizmin, por të ndërtonte një shtet-komb të mundësive të barabarta, nuk u nis thjesht si revoltë kundër sistemit por si shprehje e ndërgjegjes historike në përgjigje të nevojës së momentit kritik, dhe më e rëndësishmja, me dështimin e ekstremeve ideologjike, të kapitalizmit të egër e të paskrupullt, e të shtetit në shërbim të një ideologjie tjetër kozmopolitane si socializmi, Lëvizja, ose më mirë, unë e të tjerët që i kemi dhënë drejtim në një pikë a në një tjetër, synuam që të bëhemi si të gjithë të tjerët, si Europa, e cila mbas revolucioneve e dy luftërave botërore e gjeti zgjidhjen tek ndërtimi i shtet-kombit, në shërbim të të gjithë kombit. E kjo bëhej e bëhet duke gjetur e kultivuar ekuilibrat e duhura, duke shikuar nga e ardhmja, duke kultivuar mirësinë e dashurinë për shqiptarin tjetër e urrejtjen për të dëmshmen e të keqen, duke e kuptuar se e mirë e të gjithëve kërkonte që të ruhej shteti, që kishte qënë e ishte shumë efektiv, dhe të vihej në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një kaste që donte të mbijetonte në sundim të vendit.
-Si e mbani mend ju fillimin e lëvizjes, ishte një shpërthim spontan apo akumulim i disa lëvizjeve të padukshme dhe i rrethanave të tjera?
Në vitin 1990, vendi ishte në gjendje kritike, sistemi ekonomik kishte dështuar, projekti politik e ideologjik, po ashtu. Prishja e Bashkimit Sovjetik kishte krijuar një gjendje thuajse të pamundshme për ruajtjen e regjimit, edhe pse mendoj, se sistemi kishte shumë legjitimitet. Por, as ata që e drejtonin vendin nuk besonin më në atë që thonin përditë. Kishte kohë që kishin nisur lëvizjet nga lart e nga poshtë. Demonstrata e 14 Janarit në Shkodër, Demonstrata e Heshtur në Tiranë, rebelimi i Kavajës, 2 Korriku, lejimi i organizatave të tjera, hapja e kishave dhe xhamive, lirshmëria e njerëzve dhe vetëdija se tashmë ishim në prag të një kohe të re ishin shenjat e qarta se nuk kishte rrugë tjetër përpos ndryshimit. Nga fundi i gushtit e fillimi i shtatorit, mbasi dështuan me të gjithë palët, strukturat partiake dhe të shërbimeve iu drejtuan studentëve. Mendimi im është se strukturat iu drejtuan studentëve me të gjithë mënyrat, me provokime, me njerëz, me krijimin e mundësive për t’u shprehur, por edhe me lejimin e individëve të veçantë që të shpreheshin hapur e lirshëm si në rastin e Edi Ramës, apo qoftë edhe në rastin tim, sepse edhe nuk e kam mbajtur fort gojën. Ajo ishte një periudhë kritike për regjimin por edhe një periudhë romantike për ne, ishte një periudhë e ëndrrave dhe gjithkush shihte një mundësi për të bërë diçka. Kështu duke folur për veten, them se në Maj të vitit 1990, unë nisa të formoj shoqatën “Gjergj Fishta” në Shkodër, por njerëzit më iknin nga tavolina. Në Tetor kërkova hapur të drejtat njerëzore e fola hapur në Korçë, në konferencën e talenteve të reja, dhe kishte edhe takime me të huaj, pati një botim në Kosovë ku dy studiues iu treguan se i kisha çuar tek vendi ku ishin hedhur eshtrat e Fishtës në Drin e më tepër, ka edhe një intervistë timen tek Corriere della Sera etj., që po të donte sistemi na kishte fshirë nga faqja e dheut. Mirëpo në mendësinë e strukturave duhej një kalim i butë dhe prandaj u drejtuan nga studentët. Duke e parë mundësinë e lejimin, studentët filluan të lëviznin, se aq duhej. Dhe problemi i Lëvizjes është si ai i interpretimit të lumit… lumi rrjedh, por shpejtësia dhe fuqia e tij varet se si përdoren. Strukturat donin të kontrollonin studentët dhe të arrinin objektivat e tyre, dmth, një ndryshim formal dhe vendosjen e një pluralizmi fiktiv “sa të hidhnin lumin.” Lëvizja iu doli për duarsh dhe ndryshoi rregullat e lojës. Kështu që fikja e dritave, takimi me Adil Çarçanin etj., ajo që ndodhi në datën 8 dhjetor e me radhë ishin lëvizje të menduara mirë, hyrja e ime dhe e disa të tjerëve në lojë ishin të papritura, sepse ne ishim ngritur me 6 dhe me 7 dhjetor, kishim kërkuar t’i ngrinim njerëzit por nuk mbështeti njeri, dhe unë me disa shokë në orën tetë në mëngjes ikëm se menduam se do të na arrestonin dhe mandej u kthyem me 9 dhjetor kur u faktorizuam. Kështu kishte nga të dy elementët.
-Mjegulla e mitit dhe e teorive konspirative nuk e kanë lënë pa e mbuluar Lëvizjen Studentore për demokraci. A ishte lëvizja e diktuar nga Ramiz Alia dhe faktorë të jashtëm, për të shpëtuar udhëheqjen e një regjimi që po shkërmoqej, apo ishte fryt i një vetëdije të re të brezit të ri, për liri, demokraci, dinjitet dhe vlerat njerëzore?
Ramiz Alia ka qënë politikan i rrallë, njeri hijesh, por shumë i zgjuar dhe i rrethuar nga një tufë injorantësh politikë, por një fat që ishte në krye të shtetit në atë moment. Nganjëherë, në politikë, edhe dobësia e pavendosmëria është forcë dhe e dobishme. Ai ka qënë në presion të jashtëm që të ndryshohej gjendja, dhe në presion të madh nga brenda që të mos hiqej dorë nga pushteti. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kishim vetëdije dhe se nuk dinim se çfarë kërkonim. Reduktimi që ju i bëni qëllimeve tona nuk është as i saktë e as i dobishëm. Unë për vete kam qënë e jam atdhetar, dhe ajo që kam kërkuar ka qënë e mira e popullit tim. Demokracia është një mënyrë për të zgjedhur udhëheqjen e jo rrumpallë për çdo zagar, liria është e duhet kuptuar si e drejta për të thënë mendimin tënd, edhe po të jetë krejt i ndryshëm por pa cënuar rendin e tjetrin, dhe përpjekja e jonë ka qënë me ju dhënë dinjitetin e barabartë të gjithëve, edhe atyre që ishin të dënuar me breza, edhe atyre që ishin pjesë e strukturave dhe ndjeheshin të privilegjuar se kishin një patllake, apo fuqi politike. Pra, kishte edhe vetëdije nga brezi i ri, disa më të logjikshëm e më të qartë për objektivat, e disa më ëndërrimtarë, sepse aq e kishin moshën, si dhe qartësi shumë të madhe nga ana e Ramiz Alisë se si duhej vepruar. Mirëpo, pavarësisht çdo gjëje që ai bënte, nuk pranoi kush të lëvizte! As nga intelektualët, që ai nisi t’i thërriste si “të shquar” as nga figurat e artit me të cilët filloi të diskutonte me durim edhe për lopët, as nga brezi i ri i kontrollueshëm që ishin rritur nën hijen trefishe të strukturave të sigurimit, të partisë e të rinisë. Lëri këto që thonë sot, atëherë e kishin lepurin në bark, dhe ende e kanë edhe pse lehin pa ndërprerje. Prandaj Alia e sistemi, duke parë atë që ndodhi në Çekosllovaki etj., u drejtua tek studentët. Një grup shumë i vogël, ndër ta edhe unë, e nxori lojën jashtë kontrollit në pikat kyçe si pluralizmi, mënjanimi i intelektualëve që iu duheshin, apo rrëzimi i Enver Hoxhës, të tjerë si Azem Hajdari iu dolën për duarsh kur panë mundësinë e pushtetit sepse u nisën të gjenin elektoratin e vet, dhe kjo ishte një gjë që ata nuk e kishin parashikuar. Ama, kishte një kontribut të spikatur dhe të vetëdijshëm nga ana e studentëve që nuk lejojmë të na mohohet.
-Si arriti një kastë politike, duke filluar që nga Sali Berisha, Imami, Selami etj., të përfitonin nga kjo lëvizje, madje edhe ta manipulonin, duke dominuar për një çerekshekulli në politikë, për t’u pasuruar dhe fryrë, gjithnjë duke u deklaruar si frymëzues dhe lider të lëvizjes?
Po lëre Imamin se ai një karagjoz teatri është, figura kyçe këtu është Sali Berisha. Lëvizjen Studentore nuk kanë arritur ta manipulonin, sepse aq sa u bë prej saj, nuk zhbëhet, ajo është histori, mund ta interpretojnë por jo ta ndryshojnë. Por e kanë mbytur sepse kanë arritur të blejnë e të shesin pjesëmarrësit që duke shkuar mbas pushtetit i kanë ulur tek këmbët e tyre të gjitha, me merita e me të meta, sepse pushteti të korrupton. Në fillim sistemi kishte nevojë për Saliun dhe këta të tjerët, dhe i përdori me shumë shkathtësi, dhe kështu unë e të tjerët u mënjanuam shpejt. Një ndër gabimet kryesore ishte se duke e menduar thjesht si një rrugaç e katundar e lamë Azemin me dalë si figurë dhe ai ishte njeriu i sistemit dhe kaq u desh, sepse ai u bë nyja ku u lidhën të gjithë. Në dy ditë Azemi u bë legjendë. Edhe pse miti ishte i rremë, sepse ai i shërbente sistemit, dhe miti i shërbente sistemit, ne e pranuam se nuk kishim hyrë aty për poste, por për të shpëtuar vendin nga kriza e nga lufta civile dhe jo për dekorata e merita. Kështu shkoi kjo punë. Saliu doli në lojë sepse duhej dikush nga veriu të kontrollonte lojën, të kontrollonte Kosovën, të ishte i dobët moralisht por i besueshëm, dhe sepse ishte i piketuar që të dilte në krye të lojës si intelektual, mjek me rreth të gjerë e me lidhje të tjera edhe nga jashtë dhe si njeri i klanit Kapo. Klanet e tjera kishin Gramoz Pashkon dhe të tjerët që nuk hynë dot në lojë ose formuan parti të tjera. Mirëpo, edhe Saliu iu doli duarsh, mbas Dhjetorit 1991 kur e kuptoi se ia kishin ngjeshur paq e rëndësishëm, dhe e kuptoi se pushteti i vërtetë tashmë vinte nga diku tjetër. Mirëpo, Saliu është shumë i zgjuar, dhe e kuptoi se mbijetesa e tij në politikë varej nga mpiksja e interesave vendore që nuk ishin të lidhura me sistemin e mëparshëm. Dhe kështu, me një zotësi të madhe profesionale, ai arriti të mblidhte bashkë në një shportë karavidhesh që quhet PD, hajnat, fundërrinat e sistemit, të përdorurit, të persekutuarit, njerëzit që ishin të punësuar në strukturat e shtetit gjatë periudhës së sundimit të tij e kështu gjatë qeverisjes së parë krijoi një strukturë besnike të tij. Tani në lidhje me Lëvizjen, kontributin e saj dhe vendin tim e të shokëve të mi që vazhdojnë të jenë të injoruar e të heshtur, kush do të dilte e të thoshte se si ishte puna? Jo vetëm që gjërat ishin bërë me shpejtësi e pak vetë ishin në dijeni, por këta që ishin në dijeni ishin shitur të gjithë, donin një kothere, femra e apartamente e rrugë jashtë shtetit. E kështu, filluan të thonë marrëzira e rrena, njerëzit i besonin, sepse duhet thënë, unë vetë isha njeri shumë i panjohur për të gjithë, sepse nuk dihej as nga vija, ku shkoja dhe pse isha aq i bindur për rrugën që duhej ndjekur dhe me rezerva që i bënin të paqetë, dhe me në dukje i egër, por me fleksibilitet ideologjik, gjë të cilën këta as nuk e kuptonin e as e kuptojnë as sot. Shto këtu marrëzinë kolektive, se propaganda ishte e frikshme aq sa një herë më është ulur njëri në tavolinë e po më tregonte se çka kishte bërë ai, e unë nuk iu besoja veshëve kyçi i punës se si dolën këta në lojë u bë Azem Hajdari. Me transformimin e Azemit në hero, presioni mbi mua dhe të tjerët ishte i tmerrshëm. Askush nuk na besonte, por ne arritëm të bëjmë edhe grevën e urisë, që këta nuk e gëlltisin dot dhe ajo tregoi se kush ishte kush në atë punë. Prandaj, Saliut i duhet identifikimi i tij me Lëvizjen përmes Azem Hajdarit. Azemi është tanksi mbas të cilit mbrohen të gjithë këta pardesy-bardhët, spiunët, veglat, të futurit, plehrat e sistemit. Saliu nuk është budalla. Ai e di se kush e bëri punën dhe kush i mori meritat, dhe në këtë pikë Azemi ishte heroi që i duhej sistemit dhe Saliu ishte paterica e sistemit. Prandaj, Saliu e përkujton Azemin si frymëzues dhe si drejtues të Grevës së Urisë kur dihet që e kemi vënë të rrijë tek dera e banjos dhe që ka qënë kundër e që është munduar ta sabotojë grevën së bashku me Saliun. Po ashtu, Saliu mbledh rreth vetes tufën e të dërguarve nga strukturat dhe i sjell me vete në Qytetin Studenti tek ai monument idiot që i ka ngritur Azem Hajdarit. Një kohë na ka nxjerrë edhe Dhëndrin e Trustit të Gështenjave, Disidentin e Djathit, shkaktarin që në Grevën e Urisë vinte era e këmbëve sepse ky mbante kambale zbori, që të provojë versionin e tij të historisë dhe e vë pa pikë turpi të bëjë historinë. Kështu që kush do të merrej me ne? Kush do ta thoshte të vërtetën? Mirëpo, mbasi këta kanë thënë një miliona rrena, tani ne kemi filluar t’i nxjerrim se çka thënë njeri nuk ka thënë tjetri, dhe historinë e di më mirë unë qe e kam bërë se ai e ka me të dëgjuar nga Azem Hajdari apo nga fjalimet e Saliut në Opinion. Unë Azemin nuk e kam pasur mik, por armik, dhe mund të them pa mëdyshje, e kam pasur armik për vdekje. Megjithatë, Azemi ka meritat e veta që askush nuk mundet t’ia mohojë. Ai ka edhe krimet që askush nuk mundet t’ia mbulojë. Por Azemi ka qënë dora e zgjatur e strukturave dhe njeriu që për hir të interesave të veta shiti të gjithë shokët e shoqet e veta. Mirëpo këta e përdorën si gjallë ashtu edhe vdekur, por ky nuk është problem im. Problemi im është të shpjegoj atë që ndodhi, të them të vërtetën, dhe koha do t’i vërë gjërat në vend.
-Si protagonist dhe lider i lëvizjes, sipas mendimit tuaj, cili është roli i Sali Berishës dhe Ramiz Alisë në këtë lëvizje?
Si këta të tjerët, Saliu nuk ka ndonjë rol në Lëvizje sepse atje ishte një masë studentësh dhe nja pesë vetë që morën vendimet kryesore. Saliu është figurë kyçe e PD-së dhe e tranzicionit, por jo e Lëvizjes. Ramiz Alia e shihte Lëvizjen nga lart, kishte strukturat dhe njerëzit e vet dhe ishte tjetër gjë sepse ai ishte shteti. As njëri e as tjetri nuk e toleroi Lëvizjen, pikërisht sepse shkoi më larg çdo gjëje që ata kishin parashikuar dhe të dy punuan, bashkë e veç e veç për ta minuar. Mbyllja e Universitetit, arrestimi i im dhe i shumë të tjerëve, përpjekjet me më heqë qafe janë prova të mjaftueshme. Megjithatë, Saliu do të ngordhë e kurrë nuk do ta thotë të vërtetën, sepse ajo e nxjerr ashtu si ka qënë e është, dhe mua ashtu si kam qënë e si jam.
-Sot pas 24 vitesh, gjithkush rend që të gjejë një rrënjë të vetën në Lëvizjen e Dhjetorit. Madje ka nga ata që dhëndrin, bijat dhe familjarët po i paraqet si pjesë të lëvizjes. Cili është komenti juaj?
Normal, është e natyrshme. Duan t’ia lënë partinë familjes së tyre. Mirëpo partitë mbahen me ide, jo me familjen. Le të dalin të gjithë e të na thonë se ku kanë qënë e ç’kanë bërë dhe pastaj do të shihet se kush e bëri punën dhe kush lavdërohet. Edhe supë të ishte ajo Lëvizje do të mbaronin dikur meritat se nuk po merret vesh se kush bëri çka. Megjithatë, me kohë, këta do të sillen si katundarë të zgjuar, dhe sa kohë që iu ec puna do të gënjejnë sa të munden. Unë kam hallin të dalë e vërteta e këta kanë hallin të ruajnë pasurinë e së shpejti edhe kokën.
-A ka sot ndonjë forcë politike legjitimitetin dhe të drejtën morale të flasë dhe të organizojë ceremoni në emër të Lëvizjes së Dhjetorit, a kanë ndonjë lidhje idealet e lëvizjes me parinë politike të Tiranës?
Jo. Nuk e kanë legjitimitetin. Legjitimitetin e kanë pjesëmarrësit, por më shumë e kanë ata që kanë dhënë kontributin kyç në pika kyçe, dhe këto janë arritjet, strukturat, dhe kontributi i Lëvizjes në histori. Kur të pyetet se çka ke bërë ti? Cili është kontributi i yt në atë Lëvizje, përveçse për të thënë se ke qënë këtu e aty, ka pak njerëz që e kanë atë legjitimitet. Në këtë pikë, atë legjitimitet e kam vetëm unë e shokët e mi, ata që identifikohen me vlerat e saj dhe me arritjet e saj, që nga fillimet e protestave me 6-7 Dhjetor e deri mbas mbylljes së Grevës së Urisë. Të tjerët kanë qënë kalimtarë. Shfaqje mund të bëjnë të gjithë, por arritjet e asaj Lëvizje, ato që përmenda më lart, janë të lidhura me mua, sepse unë ia kam dhënë drejtimin, dhe unë as nuk shitem e as nuk blihem dhe ato bindje nuk janë të diskutueshme. Kam heshtur për shumë vite sepse kam dashur të vihen gjërat në vend nga të tjerët, tani që u bë kjo punë “shtatë vetë kemi ngrënë një kokërr ulliri” në luftën imagjinare kundër komunizmit, më duhet me dalë e me thanë se po plakemi e është turp të mbajmë veten e fëmijët tanë me rrena e gënjeshtra. Ata që duan legjitimitet le të dalin e të lajnë shpirtin e vet, por nuk besoj se do ta bëjnë.
-Pse vallë nuk u riaktivizua një lëvizje e tillë në momente të tjera kritike të vendit, si gjatë terrorit të ’94-96, trazirave të ’97 apo gjatë viteve të mëvonshme, kur korrupsioni u perfeksionua në sistem?
Lëvizja janë njerëzit, idealet e strukturat që veprojnë në një gjendje të caktuar. Më vonë u pa se njerëzit shiteshin, nuk kishin ideale për të dhënë jetën, dhe strukturat nuk bëhen me njerëz që mendojnë se i dinë të gjitha vetë e nuk duan të ndjekin rrugën që duhet. Për me tepër, tani them se ajo që ndodhi ishte një rastësi, sepse idealet tona ishin të papranueshme për njerëzit, dhe prandaj mbetëm një grusht e fillikat vetëm. Strukturat u përpinë nga PD që i përdori studentët si deshi vetë, dhe njerëzit ndoqën Azem Hajdarin e Sali Berishën. Mirëpo, ata uzurpuan Lëvizjen e meritat e saj, këta e mbyllën gojën dhe u shitën për një kothere, ne të tjerët ishim në mërgim, dhe pa një mundësi për të folur, e pa ndonjë interes për t’u dëgjuar. Ama ajo që po bëjmë është një gjë e ndryshme. Po iu themi se iu kemi thënë që atëherë se kështu do të përfundoni dhe në këtë rrugë do të shkoni në se nuk ndiqni rrugën e duhur. Ajo rrugë nuk ka ndryshuar, ne jemi pak, por më mirë pak e në shoqëri të së drejtës e të vërtetës se shumë e për lumë.