Home » KUJTESE » LEVIZJA STUDENTORE DHE NJE INTERVISTË E DHJETORIT 2011

LEVIZJA STUDENTORE DHE NJE INTERVISTË E DHJETORIT 2011

Profesor Rama, a ishte lëvizja e dhjetorit një protestë studentore për drita, ujë, etj, apo një revoltë e paramenduar politike kundër regjimit komunist?

Ka pasur përpjekje të paramenduara dhe ka pasur protesta për gjendjen edhe para datës 8 Dhjetor, por këto janë dy gjëra të ndyrshme. Duhet bërë ky dallim. Përpjekjet që u bënë nga disa studentë të Godinës 6 për të ngritur të gjithë studentët, në veçanti me datat 6 dhe 7 Dhjetor, ishin mirëfilli politike, të menduara dhe me objektiva të qarta politike. Mirëpo, studentët e tjerë nuk u ngritën dhe, duke u ndjerë shumë të kërcënuar, ne u larguam nga Qyteti Studenti. Ajo që ndodhi me datën 8 Dhjetor ishte fillimisht një protestë për ujë, drita, e për kushte më të mira. Edhe Përfaqësia e studentëve që u takua atë natë me Presidentin Ramiz Alia, sipas të gjithë dëshmive, këto kërkoi dhe as një presje më shumë. Me datën 9 Dhjetor, demonstrata e paraditës ishte më shumë një shpërthim momental se sa një demonstratë e organizuar mirë dhe me objektiva të qarta. Një kohë tjetër mund të flasim për motivimet e studentëve që donin të iknin nga Qyteti Studenti si turmë e jo si individë. Me kthimin tim e të disa të tjerëve në Qytetin Studenti, masa studentore, që ishte e mbledhur rreth një bërthame me influencë si Arben Lika, Arben Sula, Azem Hajdari, Akli Fundo, e disa të tjerë mori objektiva të qarta politike, strukturë, e organizim të mirëfilltë. Është domethënëse se ne organizuam, po atë mbrëmje, në kundërshtim me ata që kishin qënë aktivë në demonstratat e mëparshme, e që nuk shkuleshin nga Qyteti Studenti, demonstratën e parë politike në 45 vjet kundër sistemit në Sheshin Skënderbej. Në krye ishin një grusht studentësh shkodranë, djem e vajza të mrekullueshme, si Gent Ramadani apo Artan Përvaza, që kishin qënë aktivë edhe me 6 e me 7 Dhjetor, po edhe Ermal Hasani nga Skrapari e të tjerë. Azem Hajdari i mbajti studentët në Qytetin Studenti, po ne arritëm që të demonstronim edhe pse e dinim se mund të hanim edhe plumbin. Se çfarë objektivash politike kishin Azem Hajdari me shokë deri atëherë, këta ia treguan Ramiz Alisë dhe të gjithë studentëve në Takimin e 11 dhjetorit, tamam kur duhej që të provonin se për çfarë ishin ngritur në protesta. Transkriptimi i bisedës, që unë e kam realizuar me profesionistë, dhe që do ta botoj së shpejti, ka shumë xhevahire që nuk gjinden në botimin e bërë nga Aleksandër Meksi apo që nuk kapen nga transmetimet në videon që jepet. Si të ishte në mbledhjen e partisë, Azemi i tha Ramiz Alisë se “këta që çojnë dy gishtat (e kishte fjalën për mua) nuk na e duan të mirën ne, shoku Ramiz” dhe “na duem me të mbështetë ty e partinë në reformat që keni ndërmarrë.” Kjo tregon se kush ishte në të vërtetë Azemi. “Emri i nderuar i një mijë vjetëve fitohet me një moment,” thonë japonezët. Aty Azemi e ka humbur. Kjo sjellje prej provokatori të pastër politik i vë kapak të gjithave, sepse aty ku duhej të luftonte për të fituar nderin, Azem Hajdari i shiti të gjithë shokët e vet, anipse këta vazhdojnë ta brohorasin edhe sot. Pra, fillimisht protesta nuk ishte një revoltë kundër sistemit por u bë një revoltë me objektiva të qarta politike dhe nuk ka pikë dyshimi se kjo ishte vepra e jonë dhe jo e Azemit dhe e atyre që e ndoqën atë. Merita është e Arben Likës, Arben Sulos, Akli Fundos, Xheni Taninit, Fred Gemit, Mimoza Zhamos, Alban Picit, Artan Përvazës, Edvin Shvarc, Gent Ramadanit, Edmond Bushatit, Myftar Gjanës, Ilir Vjerdhës, dhe e qindra djemve e vajzave të tjera që e transformuam atë protestë nga një turmë në një Lëvizje Studentore me objektiva të qarta politike.

Cili ishte roli i studentëve të rretheve dhe atyre të Tiranës në mbarëvajtjen e kësaj lëvizjeje?

Studentët konviktorë, nga i gjithë shteti shqiptar, ishin dhe mbetën zemra dhe forca e asaj lëvizjeje. Ne ishim nga rrethet, po shumë nga ne kishin një përgatitje shumë të mirë politike, dije e mendësi jashtë kohës sepse lexonim shumë. Por, mbas datës 9 Dhjetor, shumë studentë nga Tirana erdhën e nuk u ndanë më nga Lëvizja Studentore. Mbas themelimit të PD-së, të gjitha përpjekjet për organizimin e Lëvizjes në një strukturë të qëndrueshme përfshinë studentë nga i gjithë shteti shqiptar. Ka pasur ndarje, dallime, fërkime, kundërshtime e me rradhë por, me kohë, Lëvizja u bë Lëvizja e të gjithëve. Shoqata Studentore “Fan S. Noli,” që luajti një rol kyç në organizimin e Grevës së Urisë dhe në shembjen e mitit të Enver Hoxhës, ishte me të vërtetë përfaqësuese e rinisë shqiptare. Po ashtu edhe Greva e Urisë ishte një aktivitet i gjithë Lëvizjes Studentore e jo i grupimeve studentore me baza rajonale.

Lëvizja studentore zgjati vetëm disa ditë?

Për studentët që iu bashkëngjitën pa kushte Azem Hajdarit e PD-së, dhe ata vetëquhen, në mënyrë shumë treguese, ‘dhjetoristë’ apo bëjnë organizata si Grupimi ‘Dhjetori ’90,’ që janë thjesht vegla të PD-së, Lëvizja mbaron me datën 12 Dhjetor. Mbas asaj periudhe 5 ditore, shumë nga këta individë, të paqartë në vlerat e tyre, janë kthyer në militantë të PD-së e në mbështetës të Sali Berishës që i ka përdorur si ka dashur ai. Ndarja midis Azemit e mbështetësve të tij që menduan se tashmë PD ishte partia e tyre, d.m.th. se u bë deti kos e këta u bënë ‘liderët e demokracisë’, dhe e disa të tjerëve që donin ta kthenin Qytetin Studenti në një garnizon demokratik ishte shumë evidente. Kemi pasur shumë përplasje me shokët tanë, nga më të mirët që mund të gjinden, që ishin të paqartë në lidhje me rrugën që duhej të ndiqej dhe që mendonin se kaq ishte detyra e jonë. Këta donin thjesht të përmbysnin ‘komunizmin’ dhe ende e ruajnë mërzitjen me ne. Unë për vete iu kërkoj ndjesë shumë shokëve që iu kam pasë folur ashpër, ishin kohë të këqia, dhe nuk kishte kohë me dhanë shumë shpjegime. Por, ka shumë studentë të asaj kohe që ende e mendojnë ashtu gjendjen dhe për këta më vjen keq. Për mua dhe të tjerët, që e formësuam dhe i dhamë frymë e një platformë të qartë ideologjike si Lëvizje Studentore, aktiviteti i saj ka vazhduar përmes tubimeve të ndryshme, duke filluar me intensitet nga 20 Dhjetori 1990, duke vazhduar me aktivitetet e Shoqatës “Fan S. Noli” e deri sa kemi ikur unë e shokët e mi. Menjëherë mbas formimit të PD-së, kur studentët u shpërndanë në të gjithë shtetin shqiptar për të themeluar degët e partisë, së bashku me shumë studentë të tjerë jemi mbledhur në Qytetin Studenti dhe kemi caktuar objektiva politike që duhej të ndiqeshin nga Lëvizja Studentore, si strukturë e shkëputur nga PD-ja e që ishin krejtësisht të dallueshme nga objektivat e PD-së. Shumëkujt i kujtohet mbledhja e datës 20 Dhjetor kur filluam strukturimin e Lëvizjes, si organizatë paralele e degës së PD-së në Qytetin Studenti, dhe kërkuam ndarjen e partisë nga shteti, lirimin e të burgosurve politikë, dhe me radhë. Pati një periudhë dyjavore kur të gjithë studentët u larguan nga Tirana, por me kthimin e tyre në Qytetin Studenti, themeluam shoqatën Studentore “Fan S. Noli” e cila kishte një program të qartë politik, të dallueshëm nga PD e nga të gjithë partitë e strukturat e tjera. Shoqata Studentore “Fan S. Noli” organizoi takime në fakultete të ndryshme, kishte një bërthamë udhëehqëse që përbëhej nga drejtues kryesorë e të padiskutueshëm të asaj Lëvizje Studentore si në Dhjetor ashtu edhe më vonë, si Arben Lika, Arben Sula, apo Shinasi Rama, që të tre Anëtarë të Komisionit Nismëtar të PD-së. Edhe pse kundërvënia nga PD e nga strukturat e shtetit ishte shumë e ashpër, dhe me kohë do të flasim edhe për këtë gjë, aktiviteti jonë kulmon me Grevën e Urisë dhe me shembjen e mitit themeltar të sistemit, mitit të Enver Hoxhës dhe vazhdon edhe mbas mbylljes së universitetit si për shembull me përpjekjen për të organizuar demonstratën e 10 Marsit përpara Korpusit të universitetit të drejtuar nga Edmond Bushati, Ben Sula, Ben Lika, Edvin Shvarc e pak të tjerë. Nuk përmenden kund përpjekjet sistematike të PD e të PPSH për të luftuar Shoqatën “Fan S. Noli” dhe drejtuesit e saj, nuk përmenden arrestimet e mia e të shokëve të tjerë, por me kohë do të flasim edhe për këto. Lëvizja Studentore janë studentët, dhe pavarësisht emrit që zgjodhëm, një emër shumë i nderuar në kulturën e në historinë shqiptare, ne e kemi konsideruar veten gjithnjë e pa pikë dyshimi si Lëvizje Studentore. Edhe shumë nga shokët e shoqet që fillimisht u shkëputën, u bashkëngjitën në Grevën e Urisë. Ashtu si me mbylljen e universitetit dhe me largimin tonë, shumë prej tyre iu bashkëngjitën PD-së.

Kur e kuptuat ju personalisht, se regjimi i Ramiz Alisë ishte dorëzuar?

Nuk ka pasur dorëzim të regjimit, ka pasur ndrrim të rregullave të lojës. Edhe pse i ngjeshur në kohë, në tre-katër ditë, procesi precipitoi më mënyrë të hatashme dhe tejet të shpejtë. Vetëm ata studentë që kanë qënë të përfshirë në procesin e ngushtë të vendimmarrjes në Lëvizjen Studentore mund të flasin me kompetencë se çfarë ndodhi. Nga ana e studentëve, për dy-tre ditë, ky grup ishte i përbërë nga Shinasi Rama, Arben Lika, Azem Hajdari, Tefalin Malshyti dhe Mimoza Zhamo. Të tjerët kanë qënë shumë aktivë, më përpara apo me pas, por jo pjesë e këtij grupi përfaqësues dhe vendimmarrës. Disa ishin në spital duke u mjekuar, të tjerë u mbështetën mbas këtyre individëve, dhe disa studentë, për ndryshe shumë aktivë, filluan të kishin dyshime për njerëzit dhe u tërhoqën disi. Po ashtu, kishte studentë shumë të aftë e të përkushtuar që për shkak të ngushtimit objektiv të rrethit vendimmarrës mbetën disi mënjanë dhe është me të ardhë keq që ndodhi ashtu. Për të mos folur për ca tipa megalomanë e pa kurrfarë boshti si Arben Imami e të tjerë që këmbëngulin se kanë qënë ata vendimmarrësit në këtë proces, thjesht sepse kapeshin mbas xhakaventos së Azem Hajdarit.

Prandaj, për të kuptuar se çfarë ndodhi e kur bëri çka, duhet kuptuar mirë dinamika e ngjarjeve. Gjendja ishte e qartë. Presidentit Ramiz Alia i duhej një formë pluralizmi fiktiv. Ai mendoi t’i përdorte studentët për të arritur këtë objektiv që do të legjitimonte ‘intelektualët e shquar’ që Ramiz Alia kishte punuar t’i promovonte si figura e si disidentë gjatë vitit 1990, si dhe ‘intelektualët e rinj’ që i nxori nga skutat e strukturave. Studentët si Azem Hajdari nuk patën mendësinë dhe as fuqinë e karakterit që ta kërkonin as pluralizmin fiktiv në takimet që patën me Alinë e me përfaqësuesit e tij me 8 Dhjetor e me 9 Dhjetor. Hyrja në lojë e imja dhe e disa të tjerëve e ndryshoi gjendjen sepse kërkesat tona ishin pastërtisht politike, shumë të qarta, të parashtruara me këmbëngulje, dhe, të papranueshme për të tjerët ose shumë më të guximshme. Takimi në zyrën e Xhevdet Patës midis Saliut si përfaqësues i tij dhe disa studentëve ka qënë pika kyçe ku morën drejtim punët dhe u qartësua edhe loja politike. Sa herë që u pajtua Azemi me Saliun, që aty ishte përfaqësuesi personal dhe i autorizuar i Ramiz Alisë, d.m.th. vegla e Ramiz Alisë, në emër të shokëve të mi unë kam vënë veton dhe e kam prishur marrëveshjen midis tyre. Gjithë kohën Ramiz Alia dhe Xhelil Gjoni kanë qënë të informuar nga Sali Berisha me telefon e me korrierë si Besnik Mustafaj për pozicionin tone. Intrasigjenca e jonë u bë shkaku pse mbledhja në KQ të PPSH, që po i zhvillonte punimet bash në atë kohë, duke e marrë vesh se kërkesat ishin pastërtisht politike u ndal tek një koncesion që mund të bëhej. Emëruesi më i vogël i përbashkët ishte një Organizatë e Studentëve dhe e Intelektualëve të Rinj, pluralizmi i subjekteve elektorale, d.m.th. një strukturë zgjedhore, në dukje e padëmshme, dhe që i interesonte regjimit, dhe Byroja Politike vendosi që të lëshonte pe. Nga ana e jonë, ne na duhej takimi edhe ballafaqimi i drejtpërdrejtë me Ramiz Alinë dhe problemi ishte se ku do të mbahej ai takim. Kompromisi që u arrit ishte në interes të dy palëve. Presidenti Ramiz Alia e pranoi takimin më një përfaqësi duke menduar se me lejimin e organizatës së studentëve e të intelektualëve të rinj do të mbyllej edhe kjo punë. Ai dhe sistemi do të merrte atë që donte, d.m.th.m një pluralizëm fiktiv, do legjitimonte ‘intelektualët e shquar’ dhe ‘intelektualët e rinj’ dhe mbyllej ajo punë, duke mos aktivizuar askënd dhe duke e vënë në gjumë popullin me idenë e një demokracie të rreme. Azemi e pranoi takimin sepse ashtu i thane Sali Berisha e Besnik Mustafaj si dhe i vëllai, Rasimi, që e sollën nga Tropoja, ‘me Gaz,’ e që rrinte aty gjithë kohën. Unë e pranova takimin sepse ai takim do të ishte mundësia e përballjes dhe e kërkimit me forcë të pluralizmit drejtpërdrejt Ramiz Alisë. Edhe në takimin e Përfaqësisë Studentore thashë se do të kërkoj pluralizmin politik dhe vetëm atë gjë. Kur e nuhati Sali Berisha me Gramoz Pashkon, që unë i kisha bërë të njohur me njëri-tjetrin po atë mëngjez, se takimi ishte tashmë i pakontrollueshëm nga Ramiz Alia, deshën të na bashkëngjiteshin, por unë i përzura të dy dhe nuk i lashë as të hynin në sallë e jo më të bëheshin pjesë e Përfaqësisë. Kjo ishte gjendja e marrëdhënieve para takimit të 11 Dhjetorit. Mirëpo, në takim, Presidenti Ramiz Alia erdhi me mendimin se do të mbante një fjalim, ne do të duartrokisnim, do të binim në gjunjë, do na rrihte shpatullat e kështu mbyllej kjo punë. Por, edhe mbas fjalës kërcënuese hyrëse të Alisë, në takimin e 11 Dhjetorit, unë ia kërkova pluralizmin e vërtetë politik. Kjo e fuste lojën në një hulli të re shumë të rrezikshme sepse po kërkohej ndrrimi i rregullave të lojës politike. Asnjë prej nesh nuk e dinin se çka ishte vendosur në Byronë Politike apo në se Ramiz Alia e kishte autorizimin për të pranuar pluralizmin e partive. Dokumenti që na lexoi nuk ishte pluralizmi i vërtetë, por fiktiv, pluralizmi i subjekteve elektorale. Po atë dokument ma kishte sjellë edhe Sali Berisha në mëngjezin e 11 Dhjetorit. Ku e kishte marrë, le ta thotë Saliu. Edhe kur të gjithë të tjerët më dolën kundër, edhe kur Presidenti Ramiz Alia më kërkoi që të flisja si individ “fol për vete e jo për këta” d.m.th., jo si përfaqësues i studentëve e në emër të tyre, çka ishte një kërcënim krejt i hapur me jetë, por edhe një shenjë se Alia e dinte se kush ishte kundërshtari i vërtetë aty, unë nuk hoqa dorë por e kërkova pluralizmin e vërtetë. Edhe në atë pikë, ai nuk ishte i përgatitur që ta jepte por vazhdonte që të bënte dredha e lojra. Mbas ngulmimit tim, u thanë shumë budallallëqe që në bisedën që jepet në video nuk shihen mirë e që shkasin prej dëgjimit pse jo fort të dëgjueshme, gafa historike nga Azem Hajdari, por veçanërisht nga Arben Imami, që ndryshe ka folur dikur e që ndryshe flet sot. Mbaj mend që u ngrita në këmbë dhe ulërita ‘a don me e dhanë a jo?’ shumë më vonë, Alia e tha një ‘po’ dhe ajo pikë ishte kthesa e vërtetë sepse tashmë po ndërroheshin rregullat e lojës. Pra, kjo është pika kur i doli loja për dore. Kjo është edhe merita e Lëvizjes Studentore, sepse aty ne ishim si përfaqësues të saj, flisnim në emër të saj, të të gjithë shokëve e shoqeve tona, e jo si individë. Por, edhe në atë pikë ai ende e kishte në dorë gurin dhe arrën dhe nuk u dorëzua. Nuk ka pasur dorëzim formal të Ramiz Alisë. Edhe kur i ikte loja nga dora, siç i iku në atë takim historik, mjetet që kishte në dispozicion, legjitimiteti, kontrolli i thellë që kishte mbi njerëzit dhe strukturat si dhe aftësia profesionale e lejonin që të influenconte procesin në rrugën që i interesonte. Në rastin më të mirë, e kthente kahun e procesit nga donte ai. Në rastin më të keq arrinte që të minimizonte dëmet.

Sipas informacioneve të sotme bëhet e ditur se në lëvizjen tuaj studentore u parashutuan nga shteti edhe shumë spiunë. A ishit ju në dijeni të tyre, ose a e konstatuat juve,se disa njerëz ju survejonin në veprimet tuaja?

Sistemi ishte shumë i fuqishëm. Nuk pritej ndryshe. U përdorën të gjithë mjetet e mundshme. Pjesë e kësaj lojë ishte edhe fushata intensive kundër meje, që përfshinte gjithvka që mund të merret me mend, që nga denigrimi, tek izolimi, tek përndjekja e përgjimi. Po unë kam qënë shumë i vetëdijshëm për këtë gjë dhe me veprime e me sjellje çorientuese që kërkonin shumë mund e kohë, dhe që më vendosën në anë të proceseve politike, e duke ndenjur qëllimisht ‘jashtë tavës,’ ia arrita të bëj disa gjëra të tjera por edhe të mbijetoj. Po ashtu, duke e ndjerë se çka po ndodhte, që në fillim propozova krijimin e një Zyre Informacioni në PD që do të ishte në kontroll të informacionit lidhur me njerëzit që do të na bashkëngjiteshin dhe e mora vetë përsipër këtë punë. Edhe pse Sali Berisha, Ben Imami, Azem Hajdari, Gramoz Pashko, e të tjerët, pavarësisht rezervave që kishin prej meje, më sillnin gjithfarë njeriu ‘me përvojë,’ dhe me këta njerëz unë krijova një strukturë gjysëm-private paralele. Këtu kishte ish-oficerë të shërbimeve, të përjashtuar, spiunë të dyfishtë, hajna, femra gjithfarllojësh, të burgosur, e miq të vjetër të të gjithë markave, që në dy javë ua bënë dosjen të gjithë kundërshtarëve të secilit prej këtyre në parti si dhe ‘militantëve’ demokratë që dolën si këpurdhat. Kështu mësova shumë. Kjo ishte edhe një metodë që më garantoi mbijetesën sepse nuk dihej se sa dije kisha, ku qëndroja në lojë, ku i kisha rrënjët, e me radhë.

Çfarë ndjetë kur vutë re se disa prej këtyre spiunëve u bënë demokratë më të flaktë, se ju që inicuat lëvizjen e dhjetorit. A ndjetë xhelozi ndaj tyre?

Shiko, PD është bërë me njerëz të të gjithë markave. Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Nuk kishte fort rëndësi se kush do të dilte në krye. Kushdo që do të dilte në krye ishte i dënuar që të dështonte. Puna ishte a do të pranonin që të sakrifikoheshin? Ajo që po formësohej ishte një formë regjimi e re. Regjimi do të ishte afatgjatë dhe njerëzit do të ishin të përkohshëm. Kthesa duhej të ishte në të mirë të gjithëve, duhej të ishte, me një fjalë, një fillim i ri. Shumë nga këta arrivistë ishin duke rendur mbas parasë e pushtetit nën petkun e demokratëve të orëve të para. Shumë vetë e shihnin hyrjen sa më të shpejtë në PD njëlloj si atë të 200 komunistëve të parë në Partinë Komuniste. Historia përsëritet dhe kësaj here ishte një komedi e vërtetë. Nuk kisha pse të ndjeja cmirë apo zili ndaj asnjërit. Unë vetë isha një nacionalist i bindur, qëllimi kryesor në mendjen time duhej të ishte shmangja e Luftës Civile, dhe nuk kishte rëndësi se kush bëhej instrumenti për të arritur qëllimin. Mandej, unë nuk kam kërkuar kurrë karierë politike. Familja e ime ka qënë edhe e persekutuar nga sistemi i atëhershëm por edhe e lidhur shumë ngushtë me sistemin e mëparshëm. Unë e shihja veten aty si të sakrifikueshëm, pa të ardhme, nuk kisha synim që të hyja në politikë, dhe doja thjesht që të jepja kontribut në të mirë të kombit e t’i kthehesha letërsisë e përkthimeve. Me këtë synim e kam toleruar edhe Gramoz Pashkon, që ishte pjesë e Bllokut, edhe Sali Berishën, që e njihja si spiun të dyfishtë, me këtë synim i kam promovuar që të dy në Shkodër, me këtë synim e kam detyruar Pjetër Arbnorin, që shokët e burgut e akuzuan si spiun, të bëhej kryetar i PD-së së Shkodrës, me këtë synim kam pranuar të jap e të marr me gjithkënd, por vetë nuk kam pranuar asnjë pozicion, pavarësisht ftesave që kam pasur nga shumëkush, që dinin se si kishin rrjedhur gjërat, edhe mbasi dhashë dorëheqjen nga Komisioni Nismëtar i PD-së. Pra, nuk ka pasur rëndësi se kush u bë anëtar apo drejtues i kësaj apo asaj partie. Kjo pritej. Rëndësi kishte që demokracia të fillonte e të zinte rrënjë. Mirëpo, këta, mbeturinat e PPSH-së, të rreshtuar në të gjithë strukturat politike të parisë, i kanë zënë frymën demokracisë, dhe duke i zënë frymën demokracisë, na e kanë zënë frymën edhe ne shqiptarëve si popull.

Çfarë mendoni sot për rolin e Ramiz Alisë në atë lëvizje?

Para së gjithash, unë dëshëroj t’i shpreh ngushëllimet familjes së Presidentit Alia për humbjen e prindit të tyre. Ai ka qënë një figurë qëndrore në politikën shqiptare në momente shumë kritike, një diktator jo i vullnetshëm, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm, në disa drejtime shumë pozitiv, por edhe shumë më negativ. Si studjues, them se është shumë herët që ta gjykojmë figurën e tij. Në gjykimet që jepen për politikanë të atij kalibri të lartë duhet shumë maturi. Mund të flitet për karakteristikat individuale, sepse ato shihen e dihen, por gjithnjë duhet pritur për të dhënë gjykime për kontributet politike. Roli që ai ka luajtur ka qënë tejet kritik dhe vendimet që ai ka marrë në atë kohë kanë kushtëzuar shumëçka më vonë. Lidhja e tij me Levizjen është e qartë. Presidenti Alia e kuptoi mirë potencialin e studentëve si forcë progressive në një shoqëri dhe mendoi ta përdorte atë potencial në interes të strukturës që ai drejtonte e përfaqësonte. Megjithatë, si edhe e kam shpjeguar më lart, loja i doli nga duart, si në Takimin e 11 Dhjetorit ashtu edhe me Grevën e Urisë të Shkurtit 1991, dhe kur e kuptoi se nuk i kontrollonte dot më studentët, edhe me sugjerimin e PD-së e të Sali Berishës, e mbylli universitetin.

Kur do ta shkruani librin tuaj me kujtime për ditët e Dhjetorit të vitit 1990?

Kur t’i vijë koha. Tashmë jam shumë më i interesuar që të përfundoj studimin tim në lidhje me periudhën dhe proceset e tranzicionit se sa të shkruaj kujtimet e mia modeste. Për shumë vite kam menduar se koha do t’i vendosë gjërat në vend e njerëzit do të arrijnë që të thonë të vërtetën ashtu si ka ndodhur dhe kështu, shokët e shoqet e mia, ata që bënë të jashtëzakonshmen për kombin, do të merrnin nderimin që meritojnë. Edhe kështu, unë kam thënë shumë gjëra që mendoj se i vënë pikat mbi ‘i’ dhe e kam ndërgjegjen e qetë. Edhe pse nuk kam folur shumë për Shoqatën “Fan S. Noli,” për Grevën e Urisë, e për Lëvizjen Studentore e mbas themelimit të PD-së, mendoj se kjo është pjesë shumë e rëndësishme e histories, edhe për vetë Lëvizjen Studentore. Me kohë do ta trajtoj edhe këtë periudhë me vëmendjen që meriton. Mendoj se nuk ka pasur kundërshtime të hapura ndaj argumenteve që kam paraqitur rregullisht në shtyp. Edhe ata që kallzojnë përralla e stisin gjëra të ndryshme simbas interesave të momentit e halucinacioneve të dikujt në ‘Opinion’ të Blendi Fevziut e dinë se cila është e vërteta. Tashmë, mua më intereson vetëm e vetëm zbardhja e së vërtetës sepse vetëm e vërteta të shpëton.