Home » KUJTESE » DEMONSTRATA E 9 DHJETORIT 1990 NË SHESHIN SKANDERBEG DHE FILLIMET E LEVIZJES STUDENTORE SHQIPTARE, 1990-1991

DEMONSTRATA E 9 DHJETORIT 1990 NË SHESHIN SKANDERBEG DHE FILLIMET E LEVIZJES STUDENTORE SHQIPTARE, 1990-1991

Hyrje

Lëvizja Studentore Shqiptare 1990-1991 (tash e mbrapa, LSSH) është njëra nga lëvizjet shoqërore më pak të njohura në historinë e vonshme shqiptare. Anipse e ashtuquajtura klasë politike shqiptare dhe intelektualët janë rrekur ta paraqesin veten si pjesë të saj apo afër saj, paradoksalisht e në mënyrë persistente, ato kanë ngulmuar në mohimin e ekzistencën e saj. Në analizat e qëndrimet e tyre të cilave ju është dhënë shumë hapësirë në shtypin shqiptar ato vazhdimisht janë përpjekë që ta deformojnë Lëvizjen në të gjitha aspektet: si kohëgjatësi, duke thënë se ishte vetëm një ose disa ditë, (8 Dhjetori dhe jo një Lëvizje e shtrirë nga Dhjetori deri në Mars 1991); të përcaktojnë se kush ishin pjesëmarrës apo udhëheqës të saj duke ndarë dekorata qesharake dhe të pameritueme, (dhe nga pjesëmarrës e drejtues të kësaj Lëvizjeje edhe të papranueme); ta zvogëlojnë kontributin e saj në një demonstratë dhe të lënë mënjanë Grevën e Urisë dhe Rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës. Për më tepër ato kanë shkuar aq larg sa të shpikin mite krejtësisht të pabazuara të cilat glorifikonin veten dhe shërbyesit e tyre. Por histeria nuk është historia dhe faktet janë shumë kryeforta. Ato duhen trajtuar një e nga një dhe me vëmendjen që meritojnë.

Në këtë shkrim të shkurtër do të analizoj vetëm fillimet e LSSH duke u përqëndruar në njërin nga aktivitetet më të para të saj. Këtu do të ndalem në analizmin e përgatitjes, organizimit, të mesazhit dhe të domethënies politike të demonstratës studentore ne Sheshin Skanderbeg me 9 Dhjetor 1990. Kjo demonstratë, e para demonstratë e vërtetë dhe jo e heshtur me qëllime të mirëfillta e krejtesisht te qarta politike e mbajtur për gati 50 vjet në kryeqytetin shqiptar, shënon shndrrimin e masës studentore në Lëvizje shoqërore si dhe, njëkohësisht, edhe fillimin e vërtetë të LSSH si lëvizje politike. Mesazhi, organizimi, mbështetja që pati e bëjnë këtë demonstratë një moment kthese në përpjekjet për të ndryshuar sistemin politik në Shqipëri. Po ashtu edhe kundërvënia e hapur e elitës sunduese, e një grupi të caktuar intelektualësh dhe studentësh te tjere, pjestare te Levizjes Studentore ndaj organizimit të kësaj demonstrate e bëjnë këtë veprimtari politike një pikë kritike në procesin e organizimit të studentëve universitarë të Tiranës dhe në rrugën drejt vendosjes së demokracisë në Shqipëri.

Si dhe pse regjimi u përqëndrua tek studentët si faktori i fundit që mund të sillte ndryshimin e sistemit 

Menjëherë mbas takimit të dështuar me intelektualët komuniste të kryeqytetit të mbajtur më 12 Gusht 1990, regjimi kishte filluar të konsideronte me seriozitetin e duhur mundësinë e përdorimit te studentëve universitarë në kryeqytet si një katalist për krijuar mbështetje për reformat politike që kishin ndërmend të zbatonin jo pse donin, por se nuk kishin se çka të bënin tjetër. Në këtë zgjidhje ato po e ndiqnin modelin çekosllovak të ‘revolucionit të kadifenjtë’ por edhe i druheshin modelit rumun të trancizionit; në të dyja modelet studentët kishin qënë protagonistë por ajo çka e kishte bërë ndryshimin kishin qënë intelektualët. Ajo çka i qetesonte ishte se shume studente që nuk e donin atë sistem kishin pasur mundësi të iknin me ambasadat dhe e vërteta është se shumë prej tyre kishin ikur. Pra, shumë prej studentëve që kishin mbetur, sipas mendimit të regjimit mund te dukeshin si besnike të regjimit. Megjithatë si mase shtesë sigurie, vepronte një sistem i shumëfishtë kontrolli, mbikqyrjeje dhe mbledhje informacioni që ishte konsoliduar ne kufij të skajshëm me caktimin e ish-instruktoreve te Komitetit Qëndror të Rinisë në cdo konvikt dhe fakultet. Takimet masive me rininë universitare para fillimit të vitit të ri shkollor në të gjitha rrethet ku sekretarët e parë të partisë e të rinisë dhanë udhëzime e direktiva ishin një shenjë e qartë se rinia universitare shihej si një faktor i mundshëm në lojën politike. Regjimi po i vinte rrotull rinisë universitare pa e ditur se si mund ta ‘përdorte’ më mire por duke e matur e peshur me shumë kujdes.

Cka e bënte përfshirjen e rinisë në lojë të lakmueshme dhe njëkohësisht problematike ishte modeli ‘specifik’ i pluralizmit të mendimit (që synonte mbajtjen e pushtetit në familje dhe në kastën politike) e njëkohësisht dështimi i regjimit për me krijue atë lloj opozitet që dëshëronte dhe e cila do ta luante lojën si duhej. Pasi kishin falimentuar në përpjekjet për t’u bërë të pranueshëm për fuqitë e huaja, mbasi kishin dështuar në përpjekjet e tyre për të galvanizuar intelektualët (që vazhdimisht e treguan veten pa shtyllë kurrizore), shumë të pasigurtë në lidhje me rolin e emigracionit shqiptar dhe pa pikën e vullnetit për të luajtur me kartën e nacionalizmit shqiptar (përvecse me shmangë vëmëndjen e shqiptarëve në shtetin amë duke fillue trazime sa herë lëviznin shqiptarët ne Kosovë), si dhe duke refuzuar çdo opozitë që nuk kontrollohej prej tyre (protestat ne Shkodër e Kavajë) regjimi dhe elita politike përfundoi me studentët si një faktor i kontrollueshëm që mund të sillte ‘pluralizmin e mendimit’ por jo pluralizmin e vërtetë e të mirëfilltë politik, çka është edhe parimi bazë i funksionimit të cdo demokracie të vërtetë.

Plani i tyre afatgjatë, i hartuar me shumë kujdes dhe i modifikuar gjatë Gushtit e deri në fund të Shtatorit 1990, vecanerisht mbas vizites së dështuar të Ramiz Alisë në SHBA, parashihte qe me drejtim të kujdesshëm studentët do të ngriheshin në protesta të kontrolluara nga levat e partisë. Studentët do t’i kërkonin Alisë pikërisht atë lloj pluralizmi të organizatave e shoqatave (thuajse i njëjti model i majit 1990 i propozuar nga Alia në Plenumin e KQ të PPSH dhe i ricikluar nga Salih Berisha në takimin e Alisë me intelektualët komuniste të kryeqytetit) sepse intelektualët e shquar edhe pse kishin bredhur boten perendimore kishin deklaruar se nuk e dinin se cfare ishte pluralizmi politik. Më pastaj, plani parashihte që të njëjtët intelektualë ‘duetet’ e ‘trojkat’ e kryeqytetit – të cilët ishin lejuar të botonin mendimet e tyre të cekta dhe të përgjithshme në gazetat më të rëndësishme të partisë or të jepnin intervista në Zërin e Amërikës por që kishin sprovuar veten të ishin njerëz pa pikën e karakterit dhe të manipulueshëm – ma së parit se nuk e pranuan me e marrë përgjegjësinë historike në takimin me Ramiz Alinë – do të delnin në krye të organizatave e shoqatave pluraliste. Studentët do të shkonin në klasat e tyre dhe transformimi i pamundimshëm do t’a shndrronte regjimin nga totalitar në demokratik, komunistët do të bëheshin kapitalistë, dhe shteti shqiptar do të mbetej ajo pronë feudale e kastës sunduese siç kishte qënë edhe në vitet e fundit mbas vdekjes së Enver Hoxhës. Do të kishte kenë shumë më e lehtë po qe se intelektualët do të kishin gjetur një mënyrë të organizoheshin në të vetën. Por asnjë organizatë e tillë nuk u krijua prej tyre përpara se studentët t’ia shkulnin pluralizmin politik presidentit Ramiz Alia. Për më tepër, për disa javë shumë të rëndësishme të tranzicionit drejt demokracisë, e vetmja forcë e organizuar e opozitës do të ishte Lëvizja Studentore Shqiptare.

Disa hapa të logjikshëm u morën në mënyrë që të krijohej si atmosfera ashtu edhe vullneti politik tek studentët për të kërkuar ndryshime politike. Makina e fuqishme e shtetit u vu në lëvizje. Zhurmat po shpërndaheshin me shumë kujdes dhe gradualisht e gjithe elita e kryeqytetit i kthyen sytë nga Qyteti Studenti, dhe pas disa takimeve të organizuara me kujdes, edhe nga Instituti i Lartë Bujqësor në Kamëz. Kjo po ndodhte pothuajse një muaj përpara se të fillonte rebelimi i pritur e i paralajmëruar i mbas-ditës së çlirimit të vendit. Që edhe ky rebelim do të përkonte me zgjedhjet politike në Serbi ishte më shumë se një koincidencë.

Në parapërgatitje, nga mesi i Nëntorit, kryeministri, një enverist i tërbuar por i letuar, u takua me shumë studentë, vecanërisht me një grup të zgjedhur nga Fakulteti i Inxhinierisë. Shkëmbimi i hapur i mendimeve e bëri të qartë se kërkesat e studentëve ishin shumë të paqarta dhe konfuze. Studentët që folën në atë takim shpesh nuk e dinin se çfarë donin. Por askush nuk ngriti kërkesa politike të mirëfillta.

Në vazhdim, kushtet e jetesës në Qytetin Studenti po përkeqësoheshin me fiat administrativ e institucional; nuk kishte drita, nuk kishte ujë të nxehtë, dhe ushqimi po bëhej vazhdimisht e më i keq. Dritat filluan të priteshin nga 1 Dhjetori por jo më parë. Po të donte regjimi i kishte të gjitha rezervat ushqimore dhe energjinë në mes të dimrit të mbante studentët të kënaqur. Por dukej se askush nuk kishte dëshirë të bënte një gjë të tillë. Në tre katër ditët që vijuan zhurma e parrulla të hedhura nga studentët u ‘injoruan’ qëllimisht dhe kuptohet studentët morën zemër. Me 7 dhe 8 Dhjetor, procesi mori një rrugë tjetër.  Se bashku me shume shoke te mi te Godines 6 ne synuam ti ngrimin studentet naten e 7 dhjetorit. Por nuk gjetem shume mbeshtetje dhe u detyruam te largoheshim. Zhurmat e thashethemet e besueshme tregonin se e shtuna e 8 Dhjetorit do të ishte nata kur do të fillonte rebelimi i paralajmëruar.  Perpjekja e ime dhe e disa te tjereve, pak ma te informuar se shumica, me i dale perpara deshtoi.

Dhe me të vërtetë, loja po vazhdonte saktësisht ashtu si ishte parashikuar dhe kallzuar në konviktet, në rrugët, e në kafenetë e Tiranës. Me 8 Dhjetor kryeministri erdhi edhe një herë që të takohej me studentët së bashku me një shpurë të madhe, natyrisht jo për të zgjidhur problemet e ujit të ngrohtë dhe të dritave – se për atë punë I dilte një telefon centralit – por për t’i dhënë rëndësinë e duhur këtyre ‘shqetësimeve serioze’ që natyrisht mund ti zgjidhte edhe Drejtori i Qytetit Studenti përmes lidhjeve të tija në KQ të PPSH. Përshtypja u krijua që të dukej se regjimi do të ishte i hapur për diskutime. Nënteksti që nuk mund të mos kuptohej ishte se nuk do të kishte ‘ndëshkime’ dhe se studentët mund të flisnin si edhe kishin folur e hedhur parrulla në terr për disa ditë me rradhë para se të vinte kryeministri. Po të bërtitej pak më shumë, edhe mund të vinte vetë Ramiz Alia.

Drita kishte por dikujt iu tha që të shkëpuste qarkun kështu që disa konvikte mbetën pa drita. Disa të tjerëve ju tha që të dilnin të demonstronin dhe ndërkohë, të tjerët do të prisnin me durim për to para konvikteve të tyre. Këto individë që punonin për sistemin numëroheshin me gishtat e dorës; shumica e studentëve ishin të sinqertë dhe po demonstronin se e donin ndryshimin e sistemit. Të tjerë donin drita për provimet e ushqim më të mirë. Gjithsesi u krijua një masë e elektrizuar që mund të drejtohej edhe për mire por që u drejtua në rrugë.

Nuk duhet harruar se ishte e shtunë dhe shumë studentë kishin shkuar në qytetet e tyre; për më tepër ishte sezon provimesh dhe numri i studentëve ishte vetëm sa një e treta e masës normale, dhe kuptohet shumë më e lehtë për t’u kontrolluar e mbikqyrur.  Megjithatë studentët që dolën në demonstratën e 8 Dhjetorit ishin pak dhe nuk e dinin se çfarë kërkonin. Në takim me Presidentin Alia ato kërkuan kushte më të mira, por ky nuk ishte qëllimi i regjimit. Kështu që regjimi vendosi që do të ishte më mirë t’i kthente pas në mënyrë që rradhët e tyre të shtoheshin paksa dhe të kontrolloheshin më mirë. Megjithëse policia nuk i lejonte qytetarët të ngjiteshin në Qytetin Studenti, shumë pak qytetarë të Tiranës e morën rrugën vetë për t’u bashkuar me studentët.

Pika kyçe këtu është se studentët atë natë nuk e dinin se çfarë të kërkonin. Ato u takuan në mes të natës për një orë me presidentin Ramiz Alia por nuk kishin as edhe një kërkesë të mirëfilltë politike për t’i parashtruar. Për më tepër ato ishin kaq të nënshtruar dhe me respekt karshi tij sa që Alia e ndjeu të nevojshme të jepte urdhërat që të rriheshin mirë në mënyrë që fitonin ndërgjegjësimin e nevojshëm politik por jo me shume se duhej. Qëllimi ishte, natyrisht që t’i shtynte studentët që të fillonin të mendonin ndryshe, inlektualët të fitonin kohë, dhe që mekanizmat të viheshin në punë si duhet. Pra, udhëheqja më e lartë e parties, e cila çuditërisht kishte ndenjur zgjuar gjithë natën, e dinte se studentët ishin konfuzë dhe nuk dinin se çka donin – si u tha më lart, disa me ne krye Azem Hajdarin ishin takuar me Alinë dhe nuk kishin thënë ndonjë gjë interesante, ne fakt asgje me u mbajte mend – dhe prandaj ‘duetet’ e ‘trojkat e intelektualëve që e kishin krijuar emrin e tyre si ‘disidentë’  në pesë muajt e fundit u vunë në punë dhe u dërguan që t’i udhëheqnin dhe t’i mësonin që të bënin ‘çka duhej’ dhe çka ishte më e mira për partinë, socializmin, dhe kastën sunduese.

Gjithashtu, shumë kujdes u tregua për të kultivuar disa njerëz të besueshëm si udhëheqës të studentëve. Në fakt, zgjedhjet ishin bërë me kohë se kush do të ishin ‘liderët’ e studentëve dhe kjo ishte krejtësisht në rrjedhën normale të gjërave.  Disa pedagogë të rinj filluan të përziheshin por shumica qëndruan në konviktet e tyre të bindur se kjo ishte ‘loja’ për të cilën flitej tash një muaj. Në mënyrë direkte dhe të drejtpërdrejtë, Sali Berisha, i derguar aty prej Xhelil Gjonit dhe i shoqëruar nga një i punësuar në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste të Nexhmije Hoxhës, e njekohesisht sekretar I KQ te BRPSH, Besnik Mustafaj, u dërguan që të qëndronin mbrapa ndërtesës së tashme të Ambasadës të SHBA. Berisha duhej të merrte udheheqësinë e studentëve dhe të bëhej lideri intelektual për të cilin regjimi kishte kaq shumë nevojë. Jo vetëm që këto të dy nuk u arrestuan por ruheshin edhe me operativë civilë në distancë.

Studentët filluan të përgatiten që të demonstronin edhe të nesërmen. Megjithatë policia nuk ndërhyri, një veprim i pajustifikueshëm për atë regjim dhe i paimagjinueshëm deri në atë kohë… që sigurisht e kishte një arësye. Në vijim, demonstrata e mëngjezit të 9 Dhjetorit ishte një përpjekje shumë e pastër e studentëve për të tërhequr vëmendjen – dhe shkaku i saj ishin thirrjet se disa dhjetra studentë ishin vrarë nga regjimi – por edhe ajo u kontrollua me shumë kujdes. Nëpërmjet mbikqyrjes të detajuar dhe të funksionimit gati perfekt të makinës shtetërore-policore regjimi dukej se po ja mbrrinte qëllimit që të krijonte një simbiozë midis intelektualëve pa disidencë dhe studentëve që nuk dinin se çfarë kërkonin në mënyrë që të krijohej pikërisht ajo lloj përgjigje për të cilën ato kishin nevojë; kërkesa për pluralizëm të organizatave dhe të shoqatave, ‘pluralizëm i mendimit’ më të cilin do të tentohej që t’i hidhej hi syve edhe Perëndimit dhe që do t’i shitej si pluralizëm i vërtetë. Plani i regjimit po realizohej pikë për pikë.

Si dhe pse plani i regjimit nuk shkoj ashtu si duhej? 

Paradoksi ishte se regjimi nuk donte që të kishte një lëvizje studentore; megjithatë, eksperiencat e përbashkëta dhe përballja reale me regjimin krijuan një ndjesi shumë të fortë solidariteti që po shërbenin si një themel i vërtetë për një lëvizje të konsoliduar shoqërore. Si gjithnjë, elita sunduese kishte dashur një masë studentore që do të udhëhiqej nga kohorta e intelektualëve të tyre dhe të zgjedhur prej tyre, që, aspak habitshëm, ishin dhe mbetën anëtarë të Partisë së Punës deri në Janar 1991.

Megjithatë, më një shpejtësi të pabesueshme, studentët ishin në rrugën e transformimit në një lëvizje shoqërore, e para e këtij lloji gjatë 45 viteve të sundimit komunist në Shqipëri. Shumica dërmuese e studentëve që morën pjesë në këto ngjarje ishin jashtëzakonisht të sinqertë dhe po ashtu thellësisht të fyer nga trajtimi që ju kishte bërë policia dhe forcat speciale, trajtim i cili, më duhet të them, ishte mjaft i përmbajtur. Mbas atij momenti, jeta e tyre u ndrrue një herë e përgjithmonë; ajo ditë përcaktoi se çka prisnin ato nga jeta dhe me kë do të ishin të lidhur në veprimtarinë e tyre. Urrejtja për regjimin që i kishte rrahur, si dhe mundësia e një vale dënimesh u bënë vatra e solidaritetit në rritje dhe elementi themelor i sistemit të vlerave dhe të besimit të tyre që ishte i shndrruar një herë e përgjithmonë anipse studentët nuk ishin transformuar në një lëvizje shoqërore të mirëfilltë.

Masë Studentore apo Lëvizje Shoqërore? 

Më sipër kam theksuar se studentët po transformoheshin në një lëvizje por që ende nuk ishin transformuar në një lëvizje shoqërore të mirëfilltë. Deri në mbasditen e 9 Dhjetorit ato ishin një masë studentore të pakënaqur por edhe pa struktura të konsoliduara e qëllime të qarta. Në të gjitha demonstratat nuk kishte kundërvënie të mirëfilltë të regjimit, struktura të udhëheqjes e me rradhë. Por ky problem sqarohet kur analizohet koncepti i lëvizjes shoqërore.  Lëvizja shoqërore ka në thelb katër karakteristika të ndërlidhura: a- mospajtimin kolektiv të individualëve; b- të cilët kanë qëllime të përbashkëta; c- që veprojnë në solidaritet me njëri tjetrin në një kontekst të caktuar shoqëror; dhe d- që janë në bashkëverprim të vazhdueshëm me elitat, më kundërshtarët e regjimit dhe me autoritetet e shtetit.

Në fillim, masa studentore nuk i kishte këto karateristika të lëvizjes. Ato ishin një masë individësh që kishin përvoja, shpresa, qëllime dhe kërkesa shumë të ndryshme nga njëri tjetri shpesh edhe të papajtueshme në mes tyre.  E vetmja gjë që i lidhte atë masë studentore ishte identifikimi me opozitën karshi sistemit ekzistues. Studentët nga rrethet nuk e donin regjimin, ashtu si edhe studentët nga kryeqyteti por arësyet ishin krejtësisht të ndryshme. Studentët kishin filluar të vepronin në solidaritet me njëri tjetrin, por ato nuk kishin qëllime të qarta politike dhe nuk bashkëvepronin në mënyrë sistematike me elitat, kundërshtarët e regjimit dhe më autoritetet partiako-shtetërore. Çka i bën këto probleme akute është fakti se të dy këto elemente kërkojnë një ideologji të qartë dhe një platformë politike e cila të përcaktojë qëllimet dhe mënyrat për t’i arritur ato.

Mbi të gjitha, këto dy elemente kërkojnë një udhëheqësi të qartë. Nuk ka një lëvizje e cila nuk ka një udhëheqësi të qartë që i mbështet veprimet e saj në një sistem koherent vlerash. Studentët që u takuan me Alinë natën e 8 Dhjetorit nuk e dinin se çka donin, ata nuk dinin as cka donin edhe ne takimin me Aline te 11 Dhjetorit 1990. Nevoja për këtë drejtim që vetëm bartësit e një sistemi koherent vlerash mund ta japin u pa qartë gjatë procesit të shpërthimit revolucionar dhe të radikalizimit të studentëve dhe të situatës. Situatat revolucionare janë revolucionare pikërisht për shkak të ndryshimeve radikale në sistemin e vlerave të individëve që marrin pjesë në këto evenimente, të identifikimit të përbashkët me një sistem besimi dhe të rolit shumë të ndjeshëm që luajnë udhëheqësit si në përmbushjen e qëllimeve të masës ashtu edhe në influencimin dhe formësimin e tyre. Megjithatë, testi i përhershëm i veprimit është pajtueshmëria e veprimeve me vlerat themelore të masës.

Fillimi i përplasjes të sistemeve të vlerave dhe transformimi i masës në lëvizje

Në këtë kontekst duhet thënë se mekanizmat e sistemit kishin nënvlerësuar disa elemente shumë të rëndësishme; së pari ato kishin nënvlerësuar thellësinë e lidhjeve personale, familjare, kulturore e rajonale si dhe miqësitë e bazuara në besimin reciprok të cilat nuk mund të kontrolloheshin prej regjimit por që edhe në të njëjtën kohë kishin ekzistuar paralel me të. Së dyti, ato nënvlerësuan rëndësinë e sistemeve të tjera të vlerave shumë prej studentëve përqafuan sisteme të gatshme vlerash dhe këtu dallohen ideologjia e gatshme e nacionalizmit shqiptar si dhe sistemi i vlerave të kundërta të regjimit, nemesis e tij, sistemi kapitalist.

Studentët kishin nevojë për një qëllim dhe për një mision. Për të pasur një mision ato duhej të kishin një sistem të patundshëm vlerash dhe modele se si duhej të silleshin. Pothuajse menjëherë mbas demonstratës së 8 Dhjetorit, e si ndodh gjithmonë, në mënyrë thuajse të pavetëdijshme por thelbësisht racionale, ato ishin vënë në kërkim të atij sistemi e të modelit.  Kristalizimi i tre sistemeve të ndryshme dhe të papajtueshme të vlerave ishte jo vetëm i dallueshëm në çka studentët kërkonin por ai kishte filluar të polarizonte dhe masën e studentëve.  Këto tre ideologji ishin bazuar pikërisht në prezencën e tre platformave të ndryshme politike të mbështetura në ideologjinë e klasës sunduese, në vlerat e nacionalizmit shqiptar të Rilindjes Kombëtare, dhe në ideologjinë e sistemit kapitalist, që në mendësinë e tyre ishte e identifkueshme me tregun e lirë dhe më konsumerizmin europianoperëndimor.

Këto tre sisteme vlerash dhe individët që i propagandonin ato sisteme po luftonin që të fitonin besimin e studentëve. Çka e bënte gjendjen më të komplikuar ishte se këto sisteme vlerash nuk janë në thelb të papajtueshme. Studentët që vazhdonin të besonin se sistemi mund të reformohej besonin shumë se Alia do të bëhej ‘Reformatori i Madh’ dhe se ndryshimi do të ishte në të mirë të të gjithëve me demokratizimin e mëtejshëm të sistemit. Grupi i dytë, synonte ndryshime, të cilat do të ishin radikale në ekonomi, në hapjen karshi botës dhe në vendosjen e një sistemi demokratik. Grupi i tretë kërkonte të ndryshonte sistemin në një sistem demokratik, por jo se ‘duhej të shkonim te Europa’ por sepse ‘ishte në natyrën e shqiptarëve’ që të ishin një popull i lirë dhe demokratik. Si në çdo periudhë tranzicioni, kombi është forma e organizmit shoqëror që është natyrshëm e mbështetur në do të vërteta që janë të qarta dhe të lidhura me të nga përkufizimi si drejtësia shoqërore, barazia dhe vëllazëria.

Disa studentë i mbështetën veprimet e tyre në vlerat themelore të nacionalizmit shqiptar, disa të tjerë i pranuan ato si të natyrshme dhe të tjerët po ndiqnin modele të cilat i njihnin. Përgjegjësia historike filloj që të ndjehej edhe në debatet e proceset e vendimmarrjes. Përplasja midis intelektualëve ‘pragmatikë’ dhe të mençur, të studentëve që i mbështesinin dhe të elitave komuniste nga njëra anë dhe të studentëve që gjykonin çdo veprim se sa mirë i shërbente kombit të tyre në anën tjetër u bë shumë intensive dhe e papajtueshme. Paaftësia e elitave sunduese për të kontrolluar studentët nëpërmjet ‘dueteve’ dhe ‘trojkave’ të zgjedhura me kujdes u pa qartë në mbasditen e 9 Dhjetorit. Kjo përplasje do të çonte në mbylljen e univeristetit dhe në bashkëfajësinë e tyre në fitoren e regjimit që çoi në ngulfatjen e Lëvizjes Studentore në Mars 1991. Ja vlen që këto kontradikat dhe sistem vlerash të ilustrohen me një argument nga ndodhitë e asaj kohe.

 Demonstrata e 9 Dhjetorit 1990 në Sheshin Skanderbeg dhe polarizimi i studentëve. 

Mbasi regjimi ja kishte arritur që ti përmbante studentët në dy demonstratat e tyre të njëpasnjëshme të mbremjes së 8 Dhjetorit e të paraditës së 9 Dhjetorit, studentët po radikalizoheshin me shumë shpejtësi. Ndërsa qytetarët e kryeqytetit ishin të dhënë mbas ndeshjes së futbollit që do të luhej vetëm disa qindra metra nga Qyteti Studenti (rreth 20,000 vetë shkuan në stadium) studentët ishin duke rrahur mendime se çka duhej bërë tash e tutje.

Si u tha edhe më parë, studentët po organizoheshin në tre grupe që po kristalizoheshin me të shpejtë dhe po konsolidoheshin rreth tre ideologjive të ndryshme të cilat edhe sugjeronin tre rrugë të ndryshme për tu ndjekur. Studentët që nuk mund të konceptonin politikën përjashta reformimit të regjimit ekzistues filluan të shkoqiteshin e të binin në në anët e masës studentore dhe të adoptonin një pozicion më esëll, ‘prit e të shohim se çka do ndodhë.” Të dy grupet e tjera ishin për veprim, por një pjesë e madhe e studentëve ishin nën influencën e Azem Hajdarit dhe të disa pjesëmarrësve të tjerë në ‘demonstratën’ e 8 Dhjetorit. Nën influencën e qartë të Berishës dhe të Besnik Mustafajt, Hajdari e kishte të formësuar planin i cili parashihte që studentët do të protestonin vetëm brenda kufinjve të Qytetit Studenti, ekzaktësisht çka, e pikë së pari, regjimi donte të arrinte. Ja vlen të theksohet se deri në atë pikë, por as atëherë, Hajdari dhe grupi i tij nuk kishin bërë asnjë kerkesë politike për be.

Grupi tjetër me radikal dhe më luftarak i studentëve, ende jo fort i konsoliduar por mjaft i strukturuar dhe i lidhur me një qëllim të qartë donte ta çonte demonstratën tek populli i Tiranës, ta transformonte atë në një lëvizje të të gjithë popullit dhe të kërkonte demokraci e pluralizëm. Pjese e ketij grupi kam qene edhe une edhe shoket e shoqet e mia Andi Baba, Ermal Hasani, Artan Pervaza, Gent Ramadani, e shume e shume te tjere qe ju kerkoj ndjese qe nuk ju permendi emrin ketu.

Arësyet e dhëna nga grupet e ndryshme për të justifikuar këto dy rrugë të ndryshme veprimi, si dhe individët që dolën si udhëheqës të dy grupeve tregonte qartë se studentët ishin po ashtu të ndarë. Me kthimin ne Qytetin Studenti te ketij grupi qe kishte organizuar edhe perpjekjen e 7 dhjetorit situata u polarizua keqas. Nga ora 16:00 ishte krejtësisht e qartë se studentët sihin të polarizuar dhe se kishin pikëpamje krejtësisht të ndryshme se çka duhej bërë. Në njërën anë qëndronte Azem Hajdari dhe grupi i tij që argumentonte se studentët duhej të qëndronin në Qytetin Studenti dhë të përqëndroheshin në kërkesat e tyre (ujë, drita, ushqim më të mirë dhe refrenin “Shoku Ramiz, ju lutemi të arrestoni ato policët na kanë rrahur padrejtësisht”). Në thelb të kësaj pozite qëndronte izolimi i studentëve nga populli i Tiranës dhe këto ishin të vendosur që ta shmangnin këtë rrugë të shkririjes së studentëve me popullin me çdo kusht. Çfarë përfitimi do të kishte regjimi po të lejonte popullin dhe studentët që të përziheshin bashkë? Regjimi rrezikonte të humbte shumëçka po të ndodhte një gjë e tillë. Studentët mund të përmbaheshin por jo edhe populli i Tiranës. Jo rastësisht ato kishin pritur me shumë durim sezonin e provimeve kur vetëm, e më pak se gjysma, e studentëve rrinin në konvikte.

Në anën tjetër ishin studentët që ngulmonin që demonstrata duhej të çohej tek populli i Tiranës. Qëllimi ishte që të arrihej transformimi i sistemit nga një sistem totalitar në një sistem demokratik, dhe këtë nuk mund ta bënin studentët; këtë duhej ta bënin studentët bashkë me popullin. Probleme të tilla si uji, dritat dhe ushqimi më i mirë dukeshin krejtësisht të parëndësishme, dhe nga këndvështrimi i këtij grupi plotësisht të marra dhe të pakuptimta. Argumenti ishte se studentët nuk mund të fitonin pluralizmin për popullin po të rrinin ku ishin, të izoluar dhe duke kërkuar ujë të nxehtë. Studentët kërkuan një takim të përgjithshëm, por ora e takimit qëllimisht u shtye shumë vonë në mbrëmje nga grupi i Hajdarit. Megjithatë, pavarësisht nga Hajdari dhe nga pjesa tjetër e të ashtuquajturve ‘udhëheqësa,’ ndërsa shumica dërmuese e studentëve mbetën në Qytetin Studenti, qindra studentë, shumë nga Godina 6 por edhe nga godina e fakultete të tjera filluan të zbrisnin drejt qëndrës së kryeqytetit.  Vendimi ishte marrë që të zbrisnin në grupe të vegjël, pa ngjallur dyshimë dhe duke përdorur të gjitha justifikimet si ‘po shkoj të pres motrën tek stacioni i trenit’ dhe ‘më duhet të marr pyetjet e provimeve tek një shok.’ Shumë studentë mundën që të linin Qytetin Studenti në këtë mënyrë.

Demonstrata e 9 Dhjetorit 1990

Ndërsa shumë studentë po prisnin të dëgjonin se çka do t’u thoshte grupi i Hajdarit për të bërë atë natë, fjala se demonstrata do të fillonte në Sheshin Skanderbeg ishte përhapur si era. Pas rreth një ore, grupi kryesor organizues i studentëve kishte filluar të lëvizte nga Monumenti i Partizanit të Panjohur drejt Sheshi Skanderbeg. Ato ndaluan në në skajin verior të sheshi përballë Xhamisë.

Shumë studentë po qëndronin përballë Muzeumit Historik dhe po ashtu atje kishte edhe shumë agjentë të veshur civilë dhe policë. Ato ishin të informuar mirë sepse, në një moment ishte diskutuar bukur gjatë në se demonstrata do të mbahej në Sheshin Skanderbeg apo përballë Muzeumit Historik. Kjo edhe kishte krijuar konfuzion në lidhje me pjesëmarrjen e megjithatë ndihmoi shumë për të mbajtur policinë disi larg edhe pse në atë orë të vonë të mbrëmjes i merrte do minuta të mira me i ra përmes sheshit të mbushur me njerëz dhe me policë.

Për rreth nje çerek ore disa studentë u nisën të lajmëronin shokët e tyre që të vinin ndërsa të tjerët po i binin sheshit rrotull sikur po shëtisnin. Për pak kohë u formuan dy grupe njerëzish. Nga njëra anë qëndronin dhjetra studentë të ardhur nga rrethet, konviktoret heroike, shkodrane por edhe nga rrethet e tjera dhe në anën tjetër të rrugës qëndronin banorët kureshtarë të kryeqytetit qe poi u ruheshin policeve. Fjala ishte se studentët do të demonstronin në Shesh dhe ata, publiku i edukuar i Tiranës, po prisnin te shihni se cka do te ndodhte. Ato nuk kishin ardhur në Qytetin Studenti se policia e kishte rrethuar atë dhe ruante çdo hyrje e dalje, por studentët po habiteshin se askush nuk po bashkohej me to kur të gjithë e dinin se çka do ndodhte.

Sapo grupi i studentëve u rrit ndjeshëm, filluan të lëviznin edhe policët. Makinat e mbushura me policë dhe sambistë u dukën në skajin verior të sheshit. Duke mbledhur rradhët,studentët filluan të këndonin këngë të Rilindjes Kombëtare duke e filluar me hymnin e patriotëve të Shqipërisë së Jugut “Për Mëmëdhenë.” Pas saj u këndua edhe një këngë tjetër, “Eja Mblidhuni Këtu-Këtu.” Më pas studentët filluan të hidhnin parulla politike si “Liri-Demokraci” e “Tirana është me ne.”

Për pak minuta u duk se i gjithë sheshi ngriu. Nga njëra anë qëndronin policët dhe agjentët civilë që kishin qënë duke i pritur studentët përballë Muzeumit Historik. Ato u turrën me një frymë ta shpërndanin demonstratën. Nga ana tjetër publiku i edukuar i kryeqytetit filloj të duartrokiste nga ana tjetër e rrugës por nuk u bashkua me studentët. Të izoluar dhe të braktisur nga një publik i edukuar duartrokitës demonstrata e jone nuk zgjati shumë. Mirepo duke kene i fundit qe kam prej atij sheshi e kam pase te veshtire me e ruejte respektin per shume prej atyne qe i vuna re ne shkallet e Pallatit te Kultures e qe ne ditet e mevonshme u turren ne Qytetin Studenti.

Populli nuk u bashkua me studentët, policia ishte e shumtë, dhe studentët ishin relativisht të paktë në numër.  Me dhjetra e qindra studentë kishin mbetur në qoshet e tjera të sheshit, shumë prej tyre ishin përzjerë me masën e shëtitësve në bulevard pa mundur të bashkoheshin me shokët e tyre dhe shumë të tjerë nuk kishin mundur të kalonin kordonin policor. Në kthim e sipër grupe të veçanta studentësh e shprehën zemërimin e tyre duke i thyer do vitrina dyqanesh. Përshtypja se ishin të vetëm e kishte rritur shumë përgjegjësinë që ato tash e shihnin si krejtësisht të tyren.

Mbi domethënien e demonstratës së studentëve në Sheshin Skanderbeg

Nuk mund të mos vihen në dukje pikat e mëposhtme. Së pari, karakteristika më kryesore e kësaj demonstrate ishte mesazhi i pastër kombëtar i bazuar katërcipërisht ne ideologjinë e Rilindjes Kombëtare. Mesazhi, këngët dhe parullat ishin marrë të gjitha nga arsenali i Rilindjes. Studentët nuk kërkuan ‘le ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’ por ato kërkuan ‘liri e demokraci për popullin shqiptar.’ Së dyti, organizimi i demonstratës dhe sinjali i qartë dhe pastër politik që dërgoi përbëjnë një shkëputje radikale nga kërkesat e demonstratës së një nate më parë dhe të grupit të studentëve që do të vazhdonin të kërkonin kushte më të mira, ujë e drita edhe disa ditë më vonë.  Së treti, organizmi i demonstratës, i bërë krejtësisht kundër vullnetit të shprehur të disa individëve të dërguar nga presidenti Alia apo të ashtuquajturve udheheqës të studentëve të lidhur me to, tregonte qartë se nuk kishte një individ apo grup që mund të kontrollonte masën e studentëve. Me e thënë hapur, edhe në këtë fazë të hershme, edhe përmes të ashtuquajturve ‘lidera studentorë’ që regjimi donte të impononte, nuk mundte dhe nuk do të mundte të kontrollonte studentët. Së katërti, kishin lindur qëndra dhe struktura autoritative që përplaseshin me njëra-tjetrën dhe po luftonin për zemrën e mendjen e studentëve. Së pesti, nuk mund të mos vihet në dukje se demonstrata e 9 Dhjetorit nuk ishte një shpërthim ‘spontan’ por një demonstratë e organizuar mirë e cila kishte qëllimin e qartë politik të sjelljes së popullit në luftën për vendosjen e demokracisë së mirëfilltë në Shqipëri. Së gjashti, demonstrata ja kishte hedhur ‘dorezën’ regjimit në zemër të kryeqytetit dhe ky ishte një hap i madh për të përfshirë në lojë popullin që regjimi donte ta mbante jashtë lojës. Mbas demonstratës, loja nuk mund të luhej më si më parë.

Debati që u zhvillua në të njëjtën kohë në Qytetin Studenti: me u bashkue apo mos me u bashkue me Demonstratën? 

Duhet theksuar se demonstrata po zhvillohej në të njëjtën kohë që disa forca të tjera po i pengonin studentët e tjerë që t’i bashkëngjiteshin asaj.  Shumë studentë që ishin identifikuar me Hajdarin  si udhëheqës i demonstratës së një nate më parë kishin qëndruar në Qytetin Studenti. Ato po prisnin të dëgjonin se çka duhej bërë, në se ato duhej të bashkoheshin me shokët e tyre në Sheshin Skanderbeg dhe si të bashkoheshin me to. Shumë prej studentëve ishin gati t’ju bashkoheshin shokëve të tyre, dhe shumë prej tyre filluan të ushqenin dyshime rreth synimeve të Hajdarit dhe të atyre që qëndronin mbas tij.

Parë nga këndvështrimi i sistemit të tyre të besimit dhe vlerave, ky dështim i të ashtuquajturve ‘lidera’ përbente çarjen më të rëndësishme ndërmjet dy grupimeve kryesore të studentëve që ishin gati për veprim. Ja si e përshkruan gjendjen Bësnik Mustafaj, i cili kishte shkuar atje së bashku me Salih Berishën me qëllim që të ndihmonin Azem Hajdarin që të merrte vendimet ‘e drejta’:

“‘Ne të gjithë do të vdesim bashkë dhe nuk lejojmë njeri të na mashtrojë. Unë do të vdes i pari.’ Me këto fjalë A. Hajdari e qetësoi turmën prej afro pesë mijë studentësh, po atë të dielë në orën shtatë të pasdites. Ky ishte një nga momentet delikate kur gjithçka u rrezikua të prishej.”[1]

Përveç faktit se demonstrata në Sheshin Skanderbeg ishte në vazhdim e sipër ose pothuajse e përmbyllur në atë kohë, natyrisht, gjëja e parë që të shkon ndërmend është se çka po rrezikonte që të prishej? Kush do ta prishte atë plan që Mustafaj e kishte ndërmend? Po ashtu me interes është që të shihet në se Hajdari ja arriti që ta kontrollonte ‘turmën’ – si i definon studentët Mustafaj – dhe situatën; me që Mustafaj na thotë se ai ja arriti, atëherë si ja arriti?

Në lidhje me çka po rrezikohej që të prishej, Mustafaj e sqaron pikën e vet duke shtuar se “pas dështimit të mëngjezit, studentët kishin vendosur të zbrisnin me çdo kusht në mbrëmje në sheshin Skënderbej.”[2] Ajo çka studentët kërkonin ishte që të tërhiqej në protestën e tyre edhe populli i Tiranës duke ju dhënë siguri e mbrojtje reciproke nga çdo e papritur dhe duke e kthyer këtë protestë në lëvizje mbarëpopullore. Por futja në lojë e popullit të Tiranës në fjalët e Mustafajt ‘do të prishte gjithçka.’ Mustafaj thekson se “Doktor Berisha dhe unë nuk ua këshilluam.”[3] Por menjëherë e korigjon veten duke sqaruar se “Arritëm ta bindnim Azemin, me të cilin biseduam në një nga kthinat e bodrumit të mensës qëndrore të Qytetit Studenti.”[4]

Pyetja me interesante këtu është se kush e kishte ndërtuar atë ‘gjithçka’ që mund të prishej? Pse Berisha dhe Mustafaj ishin të interesuar që të mbeshtesnin me forcë një plan i cili i përshtatej plotësisht planit të udhëheqjes komuniste? Pse ato kishin frikë – apo nuk donin – që të inkurajonin studentët që të shkonin në Sheshin Skanderbeg si dhe të inkurajonin popullin që të protestonte, e pse, jo, edhe ta udhëhiqnin atë? Pa dyshim, përgjigjen e këtyre pyetjeve e dinë Berisha e Mustafaj e sigurisht, jo vetëm ato të dy. çka tregon çarjen e thelle ndërmjet grupeve është ky dialog i dhënë nga Mustafaj:

“Por Azemi nuk e kishte të lehtë t’i bindte shokët e tij. Turma e fishkëlleu menjëherë. Ne të dy rrinim në një qoshe dhe e ndiqnim skenën me gjak të ngrirë.

– Nuk duhet, – përsëriti Azemi me gjithe zërin që kishte filluar ti ngjirej.

U ngrit një lumë tjetër fishkëllimash. Dhe pastaj një zë që u pasua nga dhjetëra:

– Na tradhëtove. Ata të dy (ishte fjala për ne) i ka çuar Ramiz Alia për të na mashtruar…

– Jo… – u rrek t’i kundërshtonte Azemi. Ishte e kotë. Ata që e kishin ndjekur pas pa ngurrim edhe nën shkopinjtë e policëve nuk e linin as të fliste.

Në momente të tilla, besimi i fituar me lodhje e rreziqe të mëdha, rrëzohet me një shpejtësi marramendëse. Më shumë se nga logjika, njërëzit urdhërohen nga ndjenjat e pasionet.

– Si nuk i kanë gjetur të paktën një megafon? – i thashë me zë të ulët doktor Berishës.”[5]

Ashtu siç do të shihej qartë nga zhvillimet e ditës së nesërme, udhëheqësit e përzgjedhur nga partia nuk kishin mundur që t’i bindnin studentët që t’ju ishin besnikë. Shumë studentë, në një mënyrë të çuditshme dhe natyrale ju ishin kthyer atyre të vërtetave që ato i konsideronin aq të rëndësishme sa për me dhënë jetën. Këto vlera nuk ndaheshin nga udhëheqësit e tyre. Për shumë studentë, këto të vërteta nuk ishin vetëm ruajtja e pushtetit në kastën sunduese, apo ngjitja e tyre në karriket e pushtetit – atëbotë shumë prej tyre as nuk e imagjinonin një gjë të tillë – por as vetëm vendosja e sistemit kapitalist. Ato donin demokracinë e mirëfilltë dhe shumë prej tyre kërkonin edhe shpëtimin e kombit, diçka që kishte qënë tabu gjatë regjimit komunist. Ishte e mahnitshme të shihje se si studentët duke diskutuar për problemet politike nuk e ndanin Kosovën nga Shqipëria, dhe shumë gjykime u dhanë pikërisht duke i parë gjërat nga ky prizëm që nuk ishte thjesht i ngushtuar tek interesat ekonomike apo rregullat e lojës politike.

Takimi përfundoj si një dështim. Megjithatë mbas pak orëve, shumica e pjesëmarrësve në demonstratën e 9 Dhjetorit u kthyen në Qytetin Studenti. At natë u morën shumë vendime, u krijuan shumë miqësi që i qëndruan kohës dhe jeta e këtyre studentëve nuk do të ishte më kurrë si përpara. Po ashtu edhe lidhja midis studentëve dhe popullit të tiranës nuk do të ishte kurrë më e njëjtë si më përpara.  Megjithatë, më e rëndësishmja gjë ishte se plani i regjimit kishte dështuar. Ato nuk mund të kontrollonin studentët dhe kështu duhej të gjenin rrugë e mënyra për të bërë që dëmi të mos ishte aq i madh.

Shndrrimi i masës studentore në lëvizje shoqërore

Radikalizimi i studentëve ishte i prekshëm dhe demonstrata e 9 Dhjetorit kontribuoi shumë për të drejtuar masën studentore nga ushqimi, dritat dhe pluralizmi i mendimit në një nivel më të thellë politik. Çka është e rëndësishme për të përcaktuar atë hap cilësor në transformimin e masës në lëvizje shoqërore është çasti kur pjesëmarrësit u shkëputen nga kontrolli i regjimit dhe elitave, d.m.th. ai moment kur as regjimi, as kohorta e intelektualëve, as familjet dhe të afërmit e tyre, dhe as frika nuk kishte më pushtet përmbi to.

Ky ndryshim nga masa në lëvizje ndodh kur pjesëmarrësit e kanë gjetur një qëllim, i vënë vetes një mision politik dhe janë gati që të sakrifikojnë gjithçka për përmbushjen e jetësimin e atij qëllimi. Armiqësia midis studentëve dhe regjimit totalitar ishte diçka që regjimi nuk e kishte në dorë ta kontrollonte. Largimi i studentëve që besonin se regjimi mund të reformohej dhe shtysa e madhe nga ideja kombëtare kishin sjellë një radikalizim që nuk ishte parashikuar. Por mbetej ende që qëllimi politik të definohej qartë. Pse duhej t’ju kërkohej studentëve që të luftonin, e ndoshta edhe të vdisnin e në emër të çkaje? Dy ideologjitë dhe individët që ishin në gjendje ti shprehnin dhe ti mbronin vlerat e tyre hynë në një luftë të pamëshirë me njëra-tjetrën. Në njërën anë qëndronin elitat sunduese, kohortat e intelektualëve dhe studentët e përzgjedhur nga regjimi si liderë dhe nga ana tjetër ishin një grup që mbahej vetëm me prestigj personal dhe me karakter.

Grupi i parë përfundoj duke u identifikuar me mbeturinat e regjimit komunist, me kohortën e intelektualëve që filluan të zvarriten drejt Qytetit Studenti dhe që gjetën strehë në partitë e opozitës duke fituar e ruajtur edhe pozitat kryesore në to. Duke qënë për shumë vjet në pushtet, ky grup ja arriti që të përkufizonte, të shpikte dhe të luante me historinë me qëllimin e vetëm që të keqparaqiste Levizjen Studentore Shqiptare dhe arritjet e saj. Paradoksi është se pikërisht ato që luftuan intensivisht për të zhdukur Lëvizjen Studentore Shqiptare që nga çasti që u krijua, më vonë kërkuan kredit politik për gjithë ato çka kishte arritur ajo Lëvizje.

Përmbyllje

Mitologjia e krijuar tash sa vjet është e vështirë që të demaskohet sepse nganjëherë është më e vështirë që të tregohet bindshëm e vërteta se sa të manipulohet e vërteta. Por faktet janë kokëfortë dhe kurdo që krijohet mundësia ato duhen nxjerrë në dritë një e nga një. Në fund të fundit për ato që e dinë të vërtetën është mirë ta thonë; kështu të paktën një faqe e historisë shqiptare do të jetë e shkruar ndershmërisht.

Po ashtu është edhe një detyrim njerëzor karshi studentëve dhe lëvizjes së tyre.  Përkundër të gjitha pengesave që ndeshën në rrugën e tyre, studentët që dolën në krye të fraksionit kombëtar (dhe eventualisht në krye të lëvizje studentore) dhe që në thelb besonin se ndryshimi i regjimit duhej të drejtohej në një mënyrë të tillë që të përfitonte i gjithë kombi shqiptar arriti disa fitore të jashtëzakonshme në këtë periudhë tejet të rëndësishme të trancizionit shqiptar. Vetëm tre ditë më vonë Lëvizja arriti që t’i shkulte Ramiz Alisë pluralizmin politik dhe vendosjen e sistemit demokratik. Më vonë lëvizja u rindërtua dhe u konsolidua nën ombrellën e Shoqatës “Fan S. Noli.” Lëvizja do të arrinte që të organizonte edhe Grevën e Urisë që solli përmbysjen e Statujës së Enver Hoxhës, të kultit të tij të individit, çka ja shterri legjitimitetin Partisë së Punës dhe ideologjisë së saj.

Por kundërshtarët e Lëvizjes Studentore Shqiptare të strehuar në Partinë Demokratike e të Punës, e përdorën pa hezitim aparatin shtetëror për të shkatërruar Lëvizjen dhe arritjet e saj. Në një akt civil që meriton respekt, sepse e duke dashur shmangjen e Luftës Civile, shpërbërja u pranua si alternativë e pashmangshme, Lëvizja Studentore e humbi betejën. Si pasojë, shumë prej udhëheqësve dhe veprimtarëve të saj u detyruan të linin Shqipërinë si emigrantë e të dëbuar nga vendi i tyre.

Shinasi Rama eshte Doktor i Shkencave Politike, Professor i Asociuar Klinik, Drejtor I Programeve te Masters ne Departamentin e Politikes te New York University dhe Zv. Drejtor I Qendres Alexanher Hamilton per Ekonomine Politike.

[1] Besnik Mustafaj, Midis Krimeve e Mirazheve Onufri: Tiranë, 1999: 56-57. Dyshoj se ora ‘shtatë’ është gabim.

[2] Natyrisht që përleshja e studentëve me policinë me nëntë Dhjetor ishte një ndër momentet më katalizuese në këtë proces. Mustafaj, p.57

[3] Mustafaj, p.57

[4] Mustafaj, p.57

[5] Mustafaj, p.57.