Home » KUJTESE » NJE INTERVISTE ME GAZETARIN BLEDI HOTI TE SHQIP, 2012

NJE INTERVISTE ME GAZETARIN BLEDI HOTI TE SHQIP, 2012

Z.Rama 23 vite më parë u krijua partia e parë, Partia Demokratike. Cila ishte rruga e juaj deri në themelimin e PD-së?

Unë s’kam dashur të merrem me politikë ndonjëherë, sepse më ka interesuar letërsia dhe përkthimi. Mirëpo, kur nuk don me u marrë me politikë, merret politika me ty. Kështu, në Maj të Vitit 1990, sapo e lejoj ligji, fillova të organizoj shoqatën letrare “Gjergj Fishta” në Shkodër. Nuk ika me Ambasadat sepse nuk kam dashur të iki ndonjeherë nga shteti shqiptar. Në tetor të vitit 1990, kam qënë i pari njeri në shtetin shqiptar, që nuk ka qënë pjesë e strukturave, dhe që ka kërkuar hapur e publikisht të drejtat e njeriut e liritë njerezore në një konferencë për Talentet e Reja që u bë në Korcë ku në prani të Foto Camit, asokohe numri nje ideologjik i sistemit, dhe të disa të tjerëve e quajta sistemin një sistem represiv dhe deformues ne lidhje me keto liri. Kam lexuar rregullisht shtypin e huaj të përditshëm, atë që hynte në Bibliotekën kombëtare dhe më gjerë, dhe kam qënë plotësisht i informuar për cka po ndodhte e cka do të duhej të ndodhte edhe në shtetin shqiptar. Kam pasur kontakte me te huaj, nje interviste e imja ka dale ne Korriere Della Sera me rastin e ikjes se Ismail Kadarese, si dhe disa gjera te tjera per te cilat do te flasim ndonjehere tjeter. I kam filluar vetë protestat në Qytetin Studenti me 6 dhe me 7 Dhjetor me thirrje e me parulla nga Godina 6-të, mirëpo nuk më ndoqi njeri dhe nën frikën e arrestit jam larguar në Shkodër. E kam ditur se do të organizohen e do të përdorohen studentët, nuk kam dashur të jem pjesë e lojës, dhe  8 Dhjetori me gjeti duke hedhur beton në një soletë në Shkodër. Së bashku me një grup të mrekullueshëm djemsh shkodranë, Artan Pervaza, Gent Ramadani, Neritan Sadiku, Andi Baba, e te tjerë jemi nisur dhe jemi kthyer me 9 Dhjetor, në Qytetin Studenti. Jemi organizuar paralelisht me të tjerët, kemi organizuar të parën demonstratë në Sheshin Skënderbej në pasditen e 9 dhjetorit, dhe jemi imponuar në drejtimin e Lëvizjes Studentore duke i dhënë asaj Lëvizjeje frymën, strukturën, organizimin dhe objektivat politike. Për mos me prishë punë, kemi ndenjur disi më në hije, mirëpo në pikat vendimtare jemi imponuar pa kushte dhe i kemi dhënë drejtimin që kemi dashtë si Lëvizjes Studentore ashtu edhe disa proceseve të tjera politike më pas për një periudhë bukur intensive.

A mund të na kujtoni diçka për ato ditë që çuan në krijimin e kësaj partie të parë opozitare?

Mbas një zhgënjimi të madh vjen e lind një shpresë e madhe. PD ka kenë një shpresë e madhe në atë kapërcyell historik. Shteti ishte efektiv por ishte një shtet që po hante veten dhe vetë shqiptarët. Lëvizja Studentore ishte një mundësi e madhe për me lindë shpresën që iu duhej shqiptarëve, mirëpo njerëzit si Azem Hajdari, por edhe disa të tjerë, ishin tepër të vegjël dhe pa vetëdijen politike.  Kështu që me mendësinë e njohur katundare, ai u lidh për njerëz. Unë isha nacionalist i bindur, edhe libri që pata nxjerrë në atë kohë e kishte titullin “Gjaku im Trashëgon,” dhe besoja në ideologjinë e në vlera të caktuara. Ishte e qartë se Lëvizja Studentore nuk mund e nuk duhej të bëhej parti. Studentët duhej të ishin garnizoni demokratik në zemër të Tiranës, shpresa e kombit dhe ajka e pandyrë e të ardhmes. Një trup i kalbur, edhe një nënë që vdes nga dhimbjet e lehonisë, rilind në pjellën e vet. Kështu që Lëvizja dhe pastërtia e saj duhej të ruhej me cdo kusht, edhe nga njerëz si unë e AzemHajdari.  Duhej të ishin këta të rinj e të reja, të panjollosurit, ata që mund të ndaheshin me të shkuarën. Partia që do të lindte duhej të ishte e përkohshme. Ajo që kishte më shumë rëndësi ishte që ndërroheshin rregullat e lojës, të ruhej shteti, dhe të vendoseshin bazat e duhura për ndryshim. Kishte shumë vetë që erdhën në Qytetin Studenti, ndër ta Skender Gjinushi, Sali Berisha, Lisien Bashkurti, Gramoz Pashko, Remzi Lani, Prec Zogaj, Besnik Mustafaj, Kujtim Cashku e të tjerë. Kushdo që të mbështetetj nga studentët do të bëhej hero. Mbas një konfrontimi shumë të ashpër me Saliun, që kishte ardhur si i dërguar i Ramiz Alisë, pra si dikush që kishte besimin e udhëheqjes së kohës, dhe mbasi atij nuk I luajti një muskul në fytyrë por e bajti ofendimin që i bëra, iu thashë Ben Likës, Azem Hajdarit, Moza Zhamos e Tefë Malshytit, se ky që duron gjithcka, që vjen nga ku vjen, me ate reputacion qe kishte krijuar dhe me lidhjet qe kishte, nuk shkon deri në fund te armiqesive dhe nuk e con vendin në Luftë civile e kësisoj njerëzish i duheshin vendit ne ate pike. Kështu që edhe pse e dija se e kisha bërë armik, në të mirë të vendit e të kombit, i thashë se duhej të vinte me ne. Azemi kishte rrugë të tjera që u lidh me të. Në mengjezin e 11 Dhjetorit i kam bërë bashkë këtë dhe Gramoz Pashkon dhe iu kam thënë të fillojnë të formojnë partinë opozitare. Dhe formalisht e publikisht i kam respektuar sepse iu duhej ai autoritet edhe nga ana e ime, sado e parëndësishme që duket ajo gjë sot, edhe pse punonin shumë intensivisht kurndër meje e kundër njerëzve që me mbështesnin edhe pse ishin formalisht të dërguarit e Ramiz Alisë. Kur e panë se nuk po i mbështeste njeri në Tiranë e ndër intelektualët, erdhën në Qytetin Studenti dhe kërkuan të viheshin në krye të punëve, gjë që Azemi e pranoi, por unë nuk e lejova. Kështu që shkuam në Takimin me Ramiz Alinë në të cilin patëm zgjidhjen që ose të duat=rtrokisnim një pluralizëm të rremë ose të tregonim se ishim ngritur për të drejtën e për demokracinë. Unë për vete, se atje më braktisën të gjithë, ngulmova për pluralizmin dhe të drejtën e formimit të partive me ideologji të ndryshme politike. Ramiz Alia u tregua shumë i zoti dhe bërë atë që duhej, e pranoi pluralizmin dhe në atë pikë u ndërruan rregullat e lojës politike, ndërroi sistemi. Kështu që pluralizmi u fitua prej nesh dhe këta nuk kanë asnjë gisht në këtë punë. Pluralizmi nuk ka kuptim pa partitë dhe këta e dinin mirë se cka duhej bërë, dhe natyrisht kishte struktura që funksiononin si duhet dhe që I mësonin e kuptivonin me shumë kujdes. Dhe opozitën do ta bënin veglat e sistemit, dihej ajo punë, mirëpo me kohë do të ndërroheshin njerëzit dhe të hynin gjërat në hulli të tjera. Kjo ishte shpresa, mirëpo kujt ia merrte mendja se ishin kaq të fëlliqur, të untuar për një grusht para, pa nder e pa dinjitet sic u treguan këta intelektualët dhe pjestarët e parisë së Tiranës?

Si e shihni sot, pas 23 vitesh PD-në. Tashmë lideri historik i saj, Berisha, dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit. Në drejtimin e PD-së u zgjodh Lulzim Basha. Brenda PD-së po dhe në rrethet politike, ai njihet si delfini i Berishës. A mendoni ju se Basha do të mund të ngrejë PD-në në lartësinë e saj, pas një humbje spektakolare në zgjedhje?

PD e ka kryer misionin e saj. Kanë ndërruar rrethanat por nuk ka ndërruar zgjidhja. Ka vetëm një derë, një zgjidhje për të dalë nga kriza e thellë dhe e gjithanshme dhe ajo është kombëtarizmi. PD mban peng të ardhmen e shqiptarëve sepse mban peng opozitën e vërtetë ndaj këtyre që nuk kanë lënë gjë pa bërë e që janë nisur ta rrjepin atë komb e t’ia hanë edhe kockat. Prandaj PD duhet të clirojë masën e madhe të militantëve dhe aktivistëve që e duan të mirën e kombit e të shtetit dhe të kemi një fillim të ri. Duhet një opozitë e re.   Sa për Lulzim Bashën, cfarë delfini, ai është e shumta një qenush politik. PD tashmë është partia e Berishës. E meqë jemi këtu, mendoj se nuk duhet kërcënuar apo arrestuar Berisha, por duhet ndërtuar një senat në të cilin ata që kanë drejtuar shtetin si Sali berisha të kenë imunitet dhe një rol këshillimor e mbrojtje nga shteti që për hir të interesave të tyre le të mos e mbajnë shtetin peng. Sado i varfër shteti shqiptar ka aq para sa të paguajë për jetë rrogën e 50 a 100 figurave të tilla që duhet të dalin nga politika e vërtetë. Arsyeja pse duhet një opozitë tjetër është se këta që po na sundojnë, po duan me vjedhë e nuk po dinë se si sepse hyn miu në thesarin e shtetit e thyen turinjtë. Ne na duhet një fillim i ri, me njerëz të tjerë, të edukuar mirë dhe me ndjenjën e shërbimit publik. ai fillim është opozita e vërtetë, kombëtariste, idealiste, e ndershme e moralshme, me njerëz që duan të shërbejnë e që e duan kombin e shtetin. kjo na mungon sot dhe kjo na duhet më shumë se gjithcka.

Roli i Berishës në PD-në si omnipotent a është një vështirësi për kryetarin e ri të zgjedhur në marrjen e vendimeve apo në reformimin e PD-së?

Normale që është një pengesë. Saliu është kryetari I vërtetë. PD është e pareformueshme. Ajo parti ka një histori jo të këndshme, dhe tani duhet që të ndahen e mira dhe e keqja Brenda saj. Ka shumë shqiptarë që kanë besuar tek idealet, vlerat, morali dhe qëllimet e fillimit të PD-së. PD I takon historisë dhe Familjes Berisha e Trustit të Geshtenjave të Tropojës. Tani ne na duhet një parti e re opozitare që të përfaqësojë të gjithë shqiptarët, pa dallimet që I shërbejnë vetëm e vetëm përjetësimit të ruajtjes së interesave të parisë së Tiranës.

Çfarë duhet të jetë ndërmarrë PD-ja që të riorganizohet si forcë politike në mënyrë që të ketë një subjekt politik realisht të djathtë, duke bashkuar dhe forcat e tjera në një bllok të vetëm opozitar? Apo jeni të mendimit se PD-ja tashmë e ka kryer misionin e saj dhe duhet të forcë e re qendrës së djathtë të kristalizohet?

Pd e ka kryer misionin e saj. Duhet një forcë e re politike. Jo me sharlatanë, por me patriotë e atdhetarë, me shqiptarë e me njerëz të ndershëm. Këta që na sundojnë nuk e kanë asnjë nga këto cilësi. Opozita duhet të jetë thelbi I vërtetë I kombit.

Për të rikthyer në atë çfarë ishte ëndrra e 23 viteve më parë, një Shqipëri si gjithë Europa. Pothuajse po kalojmë çerek shekulli dhe kjo ëndërr akoma nuk është realizuar. Ne këtë faj ia hedhim fajim klasës politike shqiptare, ndërkohë që vetë shoqëria shqiptare është ajo që e ka zgjedhur dhe votuar këtë kast politike. A mendoni se ka nevojë për një lëvizje të re të shoqërisë rinisë për të shkundur apo reformuar këtë klasë politike?

Pa dyshim. Me që ra fjala, qëllimi ynë ka qënë ta bëjmë shtetin shqiptar si Europa, jo të hyjmë në Europë. Të paktën qëllimi im. Dhe paria e Tiranës nuk është klasa politike, sepse shtresa politike jeton vetëm me politiken.  Paria e Tiranës është mashë politike e krimit, ajo është vërtetë e degjeneruar, e kriminalizuar, pa moral e pa vlera, njerëz të thyer që bëjnë cka munden që të rrinë në pushtet, aq sa janë vënë në shërbim të krimit e të interesave kriminale. Këta që janë në politikë e kanë provuar veten e tyre dhe përfundimi i sjelljes së tyre ka qënë ndërtimi i një sistemi të kapitalizmit katundar e klanor, i strukturave politike oligarkike dhe të korruptuar, zvetënimi i shoqërisë dhe zhveshja e saj nga vlerat morale dhe kriminalizimi i shoqërisë. Qarkullimi i parive duhet të bëhet përmes daljes së një force të re, me një vizion të qartë në shërbim të shqiptarëve, me vlera  kombëtare e njerëzore dhe me nje program të matur që ndërton ekuilibre të dëshërueshme shoqërore. Ky do të ishte rrotacioni i vërtetë dhe fillimi që iu duhet të gjithë shqiptarëve.

A do merreni me politike?

Jo. Une nuk dua te merrem me politike. Por, edhe me thane te verteten, ashtu si e di une, dhe ka pak qe kane pergatitjen time per kete pune, eshte nje kontribut. Ama dua qe te ndihmoj sa me shume qe mundem. Nuk kam interesa, nuk pres asgje, por dua te jap aq sa di, sa mundem dhe pa asnje kusht. Dua qe te le nje emer te mire, per ate jeton njeriu.