Home » KUJTESE » KUJT IA VRET SYTE LEVIZJA STUDENTORE E VITEVE 1990-1991?

KUJT IA VRET SYTE LEVIZJA STUDENTORE E VITEVE 1990-1991?

Vazhdon perpjekja e shumëanshme por edhe shume interesante e parisë së Tiranës për të zhvlerësuar e shkatërruar edhe një nga momentet më të pastra dhe më idealiste në historinë e vonshme shqiptare, Lëvizjen Studentore të viteve 1990-1991. Vecanerisht sivjet, sulmet dhe insinuatat, hedhja e baltës dhe minimizimi I njerëzve dhe Lëvizjes Studentore kanë qënë më shumë se të dukshme, kanë qënë e janë qartësisht të qëllimshme, me prapavijë politike dhe në një mënyrë të bashkërenduara. Argumentet kanë ardhur duke u grumbulluar dhe duke u sistematizuar deri në atë pikë sa të duket se ne kemi jetuar në një epokë tjetër. Por të gjitha rrenat jetojnë për pak kohë, e vërteta është për gjithmonë. Asnjë sulm, insinuatë, krijim gjendjeje hipotetike, dezinformim, përdredhje e argumenteve, dëshmi në erë, ndërrimi i mendjes nga disa nga pjesëmarrësit nuk e ndërron atë që ka ndodhur dhe historinë. Por në këtë boshllëk moral e vlerash ku jemi, në këtë llum degjenerimi e kriminalizmi, Lëvizja Studentore është kthyer në një ankth për parinë e Tiranës. Më e pakta që mund të thuhet është se historia nuk bëhet pa ne, sepse historinë e kemi bërë ne; se ne mbesim ende një shembull shërbimi publik I papërsëritshëm; se kemi treguar rrugën ku duhet ecur dhe që është pa dyshim e vetmja zgjidhje edhe mbas të gjithë këtyre dështimeve të tranzicionit e të parisë së Tiranës; që kemi qënë të ndryshëm nga paria dhe se ishim ndërgjegja dhe shpresa e kombit; se u kontrolluan individët, por nuk e kontrolloi dot njeri Lëvizjen; se krijuam struktura, platformë politike, udhëheqje studentore, të shtrira në kohë dhe se u trajtuam qartësisht si Lëvizje kundërshtare e parisë dhe e planeve të saj; se punuam për ti bërë bashkë të gjithë e për të organizuar shoqërinë mbi parime të tjera e dështimi I jonë nuk është prova e gabimit tonë, por e fuqisë së kundërshtarëve tanë; dhe se rruga e ndjekur nga individët e ndryshëm më pas nuk thotë asgjë për vetë Lëvizjen Studentore; Lëvizja kishte një jetë të vetën, u jetësua në struktura të ndryshme, si Shoqata “Fan S. Noli”, që nuk zgjatën katër ditë në dhjetor 1990 por katër muaj; por pak e shumë qëllimet, vlerat dhe njerëzit ishin identike; se kemi menduar e jemi sjellë si pjestarë të një Lëvizje Studentore edhe kur kemi qënë kundërshtarë ne mendime e në metodat që duheshin ndjekur. Asnjë përpjekje e parisë nuk e ndërron të vërtetën dhe kontributin e Lëvizjes Studentore, por, njollosja, hedhja e dyshimeve, lidhja e saj me gjithfarë individi, përfytyrimi I saj si një mashë e strukturave e me radhë ka si synim një gjë e vetëm një gjë: të binden njerëzit se nuk ka qënë e mundur që të ketë pasur njerëz që shihnin qartë, që e dinin se cka duhej bërë, që vepruan me mencuri e zgjuarësi, që ua hodhën strukturave dhe që mbijetuan me thanë të vërtetën e tyre. Sepse ndyrshe si mund të mbahen në sundim shqiptarët???? Një shoqërie që I heq dhe I mohon shembujt e shkuar të shërbimit publik I ke hequr zemrën dhe kujtesën, si dhe standartin moral me të cilin duhet të maten brezat. E Lëvizja Studentore është një shfaqje e vlerave morale që në këtë natën e errët të shpirtit tonë si komb e gjatë këtij rrugëtimi drejt askundit e drejt rrethit të ferrit që ishte tranzicioni shqiptar I ngjan një rrufeje të cilës, ata që e shikojnë, nuk mund ti rezistojnë, ata që e dëshërojnë nuk e besojnë, dhe ata që e kanë frikë e mohojnë. E ata që e kuptojnë vlerën e saj, kanë me mbajtë sytë nga qielli duke pritur rrufe të tilla sepse në aq pak kohë, e sheh botën ma qartë se cdo herë tjetër dhe e din se cila eshte rruga qe duhet ndjeke. Mund te zgjedhesh rrugen e gabuar, por ne mendje e din se cila eshte rruga e duhur.