GJENDJA E FINANCAVE: NGA KONFERENCA PER SHTYP E MINISTRIT TE FINANCAVE SHKELQIM CANI

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi dje në një konferencë të përbashkët në shtyp me FMN dhe Bankën e Shqipërisë se situata financiare në vend është tepër e vështirë. “Ndajmë të njëjtat mendime me FMN dhe Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Ekonomisë se situata makro ekonomike në vend është kritike dhe e rendë”. Për të kapërcyer këtë situatë, ai tha se qeveria mendon të hyjë më tej në borxhe, duke kaluar madje edhe nivelin e 60-përqindëshit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Por, për herë të parë, lidhur me këtë rritje kaq të lartë, Fondi Monetar nuk ka dhënë mendim negativ. Në të kundërt, për përfaqësuesin e saj, duhet të paguhen urgjentisht faturat e prapambetura të shtetit ndaj biznesin, në mënyrë që të zhbllokohet ngërçi i ndërmarrjeve dhe të ulet niveli i kredive të këqija bankare.

Situata
Ministri Cani tha se të ardhurat buxhetore për tetë-mujorin kanë arritur në 210.5 miliard lekë, 7.2% më pak se plani i buxhetit 2013 dhe 3.8% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Deri në fund të vitit pritet që të ardhurat në buxhet të arrijnë në 320 miliardë lekë, ose 23.7% e PBB-së. “Kjo është ndër rëniet më të rënda të të ardhurave në ekonominë shqiptare, përjashto 1997. Në këtë performancë negative nevojiten jo më pak se 24 miliardë lekë borxh shtesë”, – tha Cani.
Shpenzimet pritet të jenë 405 miliardë lekë. Deficiti aktual dhe ai i pritshëm i buxhetit janë më të lartë sesa parashikohen. Cani theksoi se e vetmja zgjidhje është thyerja e kufirit të borxhit publik meqë paratë janë harxhuar ndjeshëm. “Borxhi në fund të vitit nuk do jetë 64% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sa parashikonte qeveria e mëparshme, por mbi 67%, pa llogaritur këtu borxhin e fshehtë për pagesat e papaguara, pasi po të shtojmë dhe këtë pjesë të borxhit, detyrimet që shteti u ka bizneseve, deficiti do të arrijë jo më pak se 71% të PBB-së”, – tha Cani.
Për vitin 2014, synimi kryesor është për ta vënë borxhin nën kontroll, por aq sa për të mos frenuar dhe rritjen ekonomike, që është aq shqetësim sa dhe borxhi, tha ministri i financave. Për vitin 2014 pritet që borxhi të arrijë në 72-73% e PBB-së, por mbetet të saktësohet nga projektbuxheti i vitit 2014. Në afatin e mesëm, deri në 2018, objektivi është i vështirë, por deri diku i realizueshëm, tha Cani, duke synuar ta ulë këtë nivel në 60% të PBB-së.

Faturat
Cani bëri më pas një ekspoze të detyrimeve të papaguara nga shteti. “Faturat që presin prej muajsh likuidimin nga thesari janë 9 miliardë lekë, duke penguar aktivitetin në kopshte e shkolla dhe realizimin e punëve publike; përveç kësaj janë dhe 6 miliardë lekë kërkesa, por të paplanifikuara në buxhet për pagesa sociale; TVSH për t’u rimbursuar është 6 miliardë lekë, pa përfshirë dhe 7 miliardë lekë që nuk janë të certifikuara; 10 miliardë lekë është tatim fitimi i parapaguar nga biznesi por që nuk është kthyer nga administrata tatimore. Për vitin 2013, tha Cani, rritja ekonomike nuk arrin 3.1%, por diku 1.7-1.9%, pra gati e përgjysmuar nga ajo e parashikuar. Ministri pohoi se po bashkëpunohet me FMN, Bankën Botërore me synimin që buxheti i 2013 që është e imponuar tashmë të rishikohet, të jetë sa më realist, dhe në të njëjtën linjë do të jetë dhe buxheti i 2014.“Gjendja është vërtet e rëndë po jo e pashpresë”, – tha Cani. “Relativisht shpejt do të shohim përmirësime nga ky realitet i hedhur ku na ka futur qeveria e kaluar. Përmasat reale sa vijnë e njihen dhe ne ishim të përgatitur për masat që do merreshin”.

Buxheti
Cani shtoi se do të dërgohet shumë shpejt buxheti i 2013 për rishikim në ulje të të ardhurave, me 40 miliardë lekë më pak nga sa ishte parashikuar.
Sipas tij, do të ulen shpenzimet dhe do të rritet dhe deficiti me 24.25 miliardë lekë. “Po bëjmë përpjekjet për të kapur kohën e humbur nga mospagesat në thesari. Shpresojmë të paguajmë 9 miliardë lekët e prapambetura deri në fund të vitit. Deficiti buxhetor deri në fund të vitit, sipas Canit, do të jetë dikur rreth 84-85 miliardë lekë.
Ministri i financave shtoi se për fazën e emergjencës do të synohet përmirësimi i politikës së taksave dhe rritja e eficencës së mbledhjes së të ardhurave, do të luftohet evazioni dhe do të rritet baza e tatimpaguesve. Cani shtoi se do të prezantohet taksa progresive në të ardhurat personale, do të hiqet taksa e biznesin e vogël, do të rritet tatim fitimin, do të shlyhen detyrimet ndaj bizneseve, do mbështete shtresat në nevojë, do të hiqet TVSH për ilaçet. Cani përmendi se mjaft i rëndësishëm është dhe rishikimi i skemës së pensioneve.

(Pergatiti Ervin Kaduku: Marre nga gazeta Standard)

ALBIN KURTI: FJALIMI NE KUVENDIN E KOSOVES ME 11 KORRIK 2013

(Nje teme per tu diskutuar)

Para një viti lajmet dominoheshin nga premtimi qeveritar për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Më 10 shtator 2012 trumbetohej se si Kosova tash e ka pavarësinë e plotë dhe se u hoq mbikëqyrja ndërkombëtare. Sot, jo vetëm që nuk kemi pavarësi të plotë, por u vërtetua plotësisht ajo që thoshim ne të VETËVENDOSJE!-s: së pari, mbikëqyrja po hiqet për të filluar dialogu politik për veriun, me ç’rast Pieter Feith do të duhet të shkonte në dialog nëse nuk shkon nga Kosova, sepse ai ishte kreu i vërtetë i shtetit dhe i qeverisë e jo Jahjaga apo Thaçi; dhe, së dyti, tash e tutje mbikëqyrja joformale do të jetë edhe më e rëndë sesa ajo zyrtare. Ndikimet ndërkombëtare për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë dhe për projektligjin për amnisti janë edhe më të rënda sesa para 10 shtatorit të vitit 2012. Ashtu qysh zgjedhjet për këtë Kuvend nuk ishin të lira, edhe zgjedhjet në këtë Kuvend nuk janë të lira. 

http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=d0Obg9OEpBA

 Në memorandumin shpjegues të këtij Projektligji thuhet që amnistia bëhet duke pasur parasysh rrezikshmërinë e ulët të personave që amnistohen. Mirëpo, këtu kemi një kundërthënie logjike: rreziku ka të bëjë me qëllimin e synimin e kriminelëve, ndërkaq këtu kriminelët amnistohen për nga pasoja , pra, nëse kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore ose vrasje. Nëse dikush ka shkaktuar lëndime të lehta trupore ose dëme të mëdha materiale sikurse ato nga zjarrvëniet, kjo nuk do të thotë që ai është i parrezikshëm, por që nuk ka qenë i suksesshëm në atë moment, për fatin e mirë të atyre që u sulmuan.

Ky Projektligj shpreh kufizim vetëm te rastet që kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore ose vrasje. Ata që janë sulmuar për t’u vrarë, por kanë pësuar lëndime trupore që nuk cilësohen të rënda, do të amnistohen. Pra, marrëdhënia e këtillë e shtetit të Kosovës me kriminelët, jo vetëm në veri, është e organizuar rreth efikasitetit të kriminelëve e jo vlerave të republikës e normave të drejtësisë.

Janë bërë edhe kërkesa që ky Projektligj duhet të kufizohet vetëm në ato tri komuna e gjysmë në veri. Mirëpo, porsa ta lexoni marrëveshjen 15 pikëshe Thaçi- Daçiq e kuptoni që kjo nuk është e mundur: asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm i komunave në veri të Ibrit, por gjithandej nëpër Kosovë; dhe, strukturat kriminale e armiqësore të Serbisë ka anekënd Kosovës e jo vetëm në veri. Prandaj, ky Projektligj nuk është i kufizuar në territorin e komunave në veri. E, natyrisht që këtu po i kontrabandojnë edhe krimet e Xhabirave për t’i amnistuar. Kjo Qeveri është Qeveri e kontrabandës. Ajo kontrabandon mallra në treg e njerëz në politikë, ligje në Kuvend e marrëveshje me Serbinë në shtet

Pardje, pra të martën, pas takimit me Baroneshën Ashton në Beograd, kryetari i Serbisë, Nikoliq, pati një konferencë të përbashkët me të e ku ishte edhe kryeministri i Serbisë, Daçiq. Aty Nikoliq deklaroi që për të kërkuar diçka nga Serbia duhet t’i jipet njëherë diçka asaj. Dhe, vetëm dy minuta më herët gjatë fjalës të tij, ai kishte thënë që bashkësia serbe do ta ketë policinë e vet, komandantin e vet rajonal i cili do të jetë nën jurisdiksionin e Prishtinës, aq sa është edhe komandanti i Rashkës nën jurisdiksionin e Prishtinës! Pra, brenda të njëjtës fjalë të tij pesë minutëshe ai thotë dy gjëra interesante: në njërën anë thotë që komandanti rajonal për veriun do të jetë nën jurisdiksionin e Prishtinës, aq sa është komandanti i Rashkës, dhe në anën tjetër ai thotë se nuk mund t’i kërkosh diçka Serbisë pa i dhënë njëherë. Afër tij ishte edhe kryeministri Daçiq e këtyre të dyve po i beson kryeministri Thaçi, i cili po merret vesh me ta. Amnistia e strukturave të Serbisë në veri po ndodh pa u bërë çarmatosja e demilitarizimi në veri të Kosovës. Mos harroni që në veri të Kosovës ka më shumë armatim sesa në të gjithë Kosovën. Duke amnistuar krimet e Serbisë, më parë sesa integrim të veriut në Kosovë do të kemi integrim të Kosovës në veri.

Pas takimit me Baroneshën Ashton, Thaçi tha se kjo amnisti i afron e i pajton njerëzit! Kjo ka kuptim vetëm nëse konsiderohet që kriminelët serbë paskan pasur të drejtë të jenë të hidhëruar, dhe tash pasi që i falin, ata do të pranojnë të pajtohen me shqiptarët! Me këtë qasje, kryeministri Thaçi po e kriminalizon rezistencën ndaj Serbisë dhe luftën tonë çlirimtare. Thaçi po synon pajtim. Mirëpo, historia na e dëshmon që kërkesa për pajtim është kërkesë e xhelatit dhe jo e viktimës. Në asnjë situatë, në asnjë kohë, nuk është viktima ajo që kërkon të pajtohet me xhelatin, por është xhelati ai i cili kërkon të pajtohet me viktimën. Thaçi po e merr rolin e xhelatit kur kërkon pajtim dhe këtë po e bën në emër të gjithë Kosovës.

Ky kryeministër ka qejf të na e përkujtojë vazhdimisht qysh NATO-ja na e paska shpëtuar Kosovën. Le ta marrim për të mirëqenë këtë përshtypje, pa rezervë. Mirëpo, sot NATO-ja nuk mund ta shpëtojë Kosovën. I vetmi njeri që mund ta shpëtojë Kosovën është kryeministri Thaçi. Vetëm kryeministri Thaçi mund të na e shpëtojë Kosovën. Vetëm ai mund të bëjë diçka që nuk e bën dot as NATO-ja, as BE-ja e as SHBA-ja. Mirëpo, për këtë qëllim madhor kryeministri Thaçi duhet ta bëjë një akt madhor – të shkoj në burg. Përderisa ai është në lirë Kosova vetëm sa do të fundoset. Kryeministri në burg, shpëton Kosova. Kryeministri në liri e në pushtet, fundoset Kosova. Prandaj, unë i bëj thirrje kryeministrit Thaçi të shkojë e të dorëzohet te EULEX-i, të cilin vetë e ka ftuar, ose, edhe më mirë, le të shkojë te prokuroria e Kosovës dhe të rrëfehet aty gjerë e gjatë për të gjitha krimet e gjithë korrupsionin që e ka bërë. Sulmet mbi Kosovën do të ndalen, nuk do të jetë aspak e domosdoshme të bëjmë dialog me Serbinë pa kushte për Serbinë e për çështje e të brendshme të Kosovës . Ky kryeministër i korruptuar e i shantazhuar është edhe mundësia edhe kushti i këtij dialogu makabër me Serbinë, që po na e bosnjëzon Kosovën.

Dëshmorët e patën sakrifikuar veten për Kosovën, ndërkaq Thaçi po e sakrifikon Kosovën për veten e tij. Pra, Thaçi është anti-dëshmor. Të këqijat kryesore në Kosovë ndodhin vetëm që Thaçi të mos shkojë në burg. Edhe privatizimet e egra, ku shiten ndërmarrjet më lirë se falas, edhe koncesionet e panumërta ndaj Serbisë, të gjitha këto bëhen vetëm dhe vetëm që Thaçi të mos shkojë në burg. Edhe gjahu e persekutimi ndaj ish- pjesëtarëve të UÇK-së ndodh pikërisht pse ky kryeministër nuk merr përgjegjësi. Nuk ka burg në Kosovë që nuk ka pjesëtarë të UÇK-së. Në burgun e Hagës nganjëherë kishte më shumë shqiptarë sesa serbë. Gjithnjë për shkak se ky kryeministër do pushtet lartë pa përgjegjësi poshtë.

Në një intervistë me gazetaren Jeta Xharra para disa viteve, kur ajo iu drejtua kryeministrit me nofkën “komandant gjarpri”, ky tha: jo, s’kam qenë komandant, jam marrë me politikë si drejtor i drejtorisë politike. Qerthulli vicioz në Kosovë është ai i kryeministrit mizor ndaj qytetarëve dhe servil ndaj ndërkombëtarëve, i cili anash e ekspozon UÇK-në ndaj EULEX-it. Kjo është ajo që po e tjetërson edhe të kaluarën e Kosovës se lërë më që po e errëson të ardhmen.

Qëndrimi që duhet të votohet ky Projektligj për amnisti për shkak se kjo parashihet në planin e zbatimit nuk është i qëndrueshëm. Plani i zbatimit nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Plani i zbatimit është miratuar vetëm në Qeveri në e Kosovës. Prandaj, ka kuptim kur vetëm ndonjë qeveritar thotë miratojeni Projektligjin për amnisti për shkak se e kemi kaluar në Qeveri. Mirëpo, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe aq më pak deputetët opozitarë nuk do të duhej kurrsesi të thonë që ne po e miratojmë këtë Projektligj, për shkak se është në planin e zbatimit. Plani i zbatimit është plani i zbatimit të Thaçit jo i yni.

Sot në këtë Kuvend nuk ka demokraci. Fakti, që kemi ardhur në situatë ku duhet të votojmë PËR ose KUNDËR këtij Projektligji kriminal tregon se sa poshtë ka rënë Kosova dhe dëshmon që këtu nuk ka demokraci. Prandaj, sot asnjëri deputet nuk i përfaqëson as qytetarët dhe as votuesit. Asnjëri prej jush nuk ka folur në fushatë e nuk e ka në program një këso projektligji. Prandaj, këtu sot kemi dy lloj deputetësh,varësisht sesi do të votojnë: deputetët e krimit dhe deputetët kundër krimit!

ILIR META: PARLAMENTI I LESHIT U KTHYE NË KUVENDIN E VESHIT

Lëvizja Socialiste për Integrim po zhvillon një aktivitet elektoral në pallatin e sportit Vlorë, me qindra mbështetës dhe aktivistë të kësaj partie.

Nga Vlora, kreu i LSI-së Ilir Meta tha se pas 24 qershorit askush nuk do mund ta anashkalojë më këtë qytet ku lindi shteti shqiptar.

“Vlora na ka bërë të ndjehemi krenarë edhe nëntorin që kaloi. Pavarësisht se u bënë përpjekje për ta anashkaluar në 100 vjetorin e Pavarësisë vendin ku u krijua shteti dhe patriotin, burrin që ngrit flamurin Ismail Qemali. Ata që u përpoqën të anashkalojnë Vlorën dhe Ismail Qemalin bënë gabim se guxuan të maten me histrinë. Por më 24 qershor ata nuk do mund të bëjnë më histroi dhe Vlora e Qemali do mbeten të shtrenjta e të dashura për të gjithë”, tha Meta.

Për Metën, qytetarët e Vlorës meritojnë dhe duan që Shqipëria të zhvillohet ekonomikisht e të integrohet në BE, por sic tha ai vendi është sot në udhëkryq dhe integrimi mbahet peng nga politika konfliktuale.

“Kur thua Vlorë të vjen në mend shteti dhe institucionet e tij. Sot pas 100 vitesh ne jemi vend anëtar i NATO-s, vendi ka bërë jo pak në rrugën e mundimshme drejt BE, vendi është zhvilluar falë sakrificave të qytetarëve shqiptarë, me rëndësi për të është edhe liberalizimi i vizave, ndërsa integrimi i papërmubushur dhe i parealizuar, sot e lë vendin në udhëkryq se politika e mbrapsht dhe konfliktuale e mban Shqipërinë larg BE. Ndaj jemi sot këtu për të dhënë mesazhin se Vlora dëshiron të ecë më shpejt në rrugën e integrimit. Kush premton 250 mijë vende pune, kur nuk hapi dot 50 mijë në 8 vite i them se Vlora nuk ngopet me lugën e zbrazët, se Vlora kërkon ndryshim, Shqipëria kërkon një model të ri ekonomik, një ekonomi që eksporton e konkurron. Ndaj jemi sot këtu për të thënë se Vlora nuk mund të pajtohet me arrogancën dhe vetëkënaqësinë për ekonominë. Nuk mund të vazhdohet të qeveriset me lëvdata, kur borxhet ndaj kompanive të punëve publike po shkojnë në 300 milionë euro të papaguara, duke rritur kreditë e këqija, nuk mund të vazhdohet me efuroi për ekonominë kur borxhi për mosrimbursimin e TVSH po arrin në 200 milionë euro”, tha ai.

Sipas Metës, “Shqipëria ka nevojë për një alternativë që kujdeset për njerëzit, një projekt dhe plan konkret për ekonominë dhe punësimin, për bujqësinë e fermerët. LSI është e vendosur për grantet dhe subvencionet për të rritur prodhimin bujqësor, në do rrisim investimet në sektorin turistik, ne duan Shqipëri dhe Vlorë me turizëm të zhvilluar”, tha ai më tej.

Meta tha se LSI është për një Shqipëri që krijon lehtësira fiskale për biznesit me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës dhe që konkurron në rajon. Meta theksoi se vendi ka nevojë për një shet ligjor që respekton Kushtetutën dhe jo një ‘ambulancë’ që vjen sa herë vendi ka nevojë’ .

“Ne duam një Shqipëri që respekton shtetin ligjor dhe Kushtetutën pasi janë baza për të ecur më shpejt drejt rrugës së integrimit Evropian. Politikanët ikin dhe vijnë ndaj është detyra jonë për të vendosur standarde. Ne kemi nevojë për shtet strateg dhe jo për ambulancë që vjen sa herë kemi nevojë” theksoi Meta.

Kreu i LSI shprehu vendosmërinë për të qëndruar larg politikës konfliktuale, që mban peng mirëqenien e shqiptarëve dhe integrimin në BE, teksa tha e vendi ka nevojë për pjekuri politike pasi Shqipëria është i vetmi vend në NATO që zhvillon zgjedhje që në fund kontestohen.

Madje kryetari i LSI mbrojti edhe aleatin e ri, Edi Rama, duke komentuar vendimin e parlamentit për të ngritur një komision hetimor për ngjarjen e Vjenës. Meta tha se ky është shndërruar nga parlament leshi, në parlament veshi.

“Ne duam një Shqipëri pa politikanë përçarës, të cilët e kthyen para një jave parlamentin në parlamentin e ‘leshit’ dhe sot e kthyen ne parlamentin e ‘veshit’. Ne na duhet një parlament që merret me shqetësimet kryesore të vendit dhe reformat që e integrojnë më shpejt në BE, larg akuzave dhe denigrimeve. Ne duam një Shqipëri me klasë politike që ka pjekurinë dhe vetëpërmbajtjen që di të bëjë zgjedhje të lira, pasi jemi i vetmi vend në NATO që nuk kemi zhvilluar ende zgjedhje të cilat nuk janë kontestuar”, theksoi Meta.

NJE DEKLARATE E SRB

“Problem mbetet pjesëmarrja e të rinjve në votime. Detyra jonë është të bëjmë gjithçka, të punojmë me çdonjërin prej tyre që të marrë pjesë në votime. T’ua dimë adresat, të dimë se ku do të jenë ata në datën 23 qershor”.

15 pikat e “Kartës së parimeve të bashkimit PS-LSI”

1. Një bashkëpunim strategjik, programor dhe politik, bazuar në domosdoshmërinë e realizimit të objektivave afatgjatë dhe në nevojën e bashkëveprimit konstant mes PS e LSI, për të ndërtuar Shqipërinë Europiane si realitet i ri i në të ardhmen e afërt i Bashkimit Europian, përmes mirëqeverisjes së punëve të vendit çdo ditë;

2. Një zhvillim konstruktiv të bashkëpunimit mes PS e LSI, mbi parimet e kushtetuetshmërisë e të ligjshmërisë, respektit të të gjithë faktorëve institucionalë, politikë e shoqërorë, garantimit të lirive e të drejtave të opozitës dhe kërkimit të konsensusit sa më të gjerë në procesin vendimmarrës, përmes gjithëpërfshirjes e vendosjes së prioriteteve të procesit të ndërtimit të Shqipërisë Europiane mbi çdo prioritet partiak. 
3. Një vullnet të palëkundur për të garantuar kohezion të brendshëm të koalicionit dhe konsensus për mirëqeverisjen, në funksion të reformave të dakordësuara bashkarisht, të emërimeve që janë përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit për të garantuar pavarësinë e institucioneve, të depolitizimit dhe modernizimit të administratës publike përmes konkurrencës e meritës.
4. Një qasje të re publike të shumicës qoftë në parlament e qoftë në qeveri, për të garantuar mbi bazën e një Kodi Etik që do të hartojmë e miratojmë bashkarisht, shprehjen e respektit më të madh për opinionin publik dhe rritjen e transparencës në qeverisje në një shkallë të panjohur deri më sot.
5. Një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit Sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re.
6. Një pozicionim të qartë në mbrojtjen e shtresave të nevojë dhe në mbështetjen e shtresës së mesme, përmes uljes së barrës së detyrimeve apo taksave të drejtpërdrejta si edhe nxitjes së integrimit social përmes punës dhe rritjes së fuqisë blerëse.
7. Një politikë vijimësisht mbështetëse për biznesin e vogël, për të rritur vetëpunësimin dhe fuqinë ekonomike të familjeve që merren me biznes të vogël si edhe për të filluar uljen e borxheve të familjeve të varfra ndaj biznesit të vogël.
8. Një garanci të plotë për lirinë e biznesit të madh për të stimuluar një ekonomi prodhuese duke mbrojtur lirinë e konkurrencës, duke e trajtuar punësimin si objektiv themelor të rritjes ekonomike, duke rritur përgjegjshmërinë e shtetit në raport me çdo potencial zhvillim dhe investitor vendas apo të huaj, si edhe duke rritur transparencën e cilësinë e marrëdhënieve mes qeverisë e sipërmarrjes në funksion të interesit madhor të zhvillimit ekonomik e social të vendit – çka për ne do të thotë përfshirje e sipërmarrjes në çdo vendimmarrje të rëndësishme për të dhe luftë pa kompromis arbitraritetit të organeve tatimore ndaj sipërmarrjes.
9. Një angazhim të fuqishëm për zgjidhjen e çështjes së pronës, duke siguruar transparencën e domosdoshme të procesit të kthim-kompensimit të pronave në funksion të së drejtës së mohuar të pronarëve që pas dy dekadash liri janë ende shumë që nuk gëzojnë asnjë të drejtë mbi pronën e tyre. Duke siguruar përmes një procesi të mirëorganizuar e transparent dhënien e çertifikatës së tokës për të gjithë fermerët që prej dy dekadash punojnë një tokë që e kanë de facto po nuk e gëzojnë de jure. Duke realizuar me transparencë procesin e zvarritur të legalizimeve që në dy dekada ka sjellë vetëm rritjen e numrit të ndërtimeve pa leje dhe shkatërrime të mëdha të territorit.
10. Një trajtim me prioritet të sigurisë publike dhe të garantimit të paprekshmërisë së individit e të pronës, duke i shpallur një luftë të pashoqe krimit të çdo natyre dhe korrupsionit. Në këtë kontekst e shohim të pandashme edhe sigurinë juridike për çdo qytetar, në mënyrë të barabartë, eficente dhe të përgjegjshme duke organizuar drejtësinë si një shërbim publik të sigurtë e të aksesueshëm nga te gjithë sipas nevojës. Për ne një Shqipëri e drejtë me të gjithë fillon nga mirëqeverisja për të gjithë.
11. Një politikë të re për rininë shqiptare si kontributore e pazëvendësueshme për projektin e Shqipërisë Europiane dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian. Kjo vetëkupton arsimimin e një brezi me mentalitet dhe profesionalizëm europian, krijimin e mundësive reale për punësim, si dhe çdo kontribut tjetër për të përballuar sfidën e lirisë në mjedisin e një ekonomie gjithnjë e më globale.
12. Një vëmendje të posaçme ndaj barazisë gjinore duke synuar rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes së gruas në përfaqësimin e popullit Sovran në nivel qendror e vendor, në mirëqeverisjen e punëve të vendit apo komunitetit në administratën publike, në biznes apo shoqërinë civile. Aleanca për Shqipërinë Europiane do të ketë objektiv të palëvizshëm të përpjekjes së saj zhdukjen e dhunës kundër gruas si edhe luftën kundër papunësisë femërore.
13. Një vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, burimet nëntokësore, trashëgiminë kulturore, përmes politikash zhvillimi me një përmasë të gjelbër në kuadrin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.
14. Një vizion europianizues që të lerë pas përgjithmonë fantazmën e nacionalizmit primitiv e të promovojë atdhedashurinë si shprehje të krenarisë kombëtare dhe të 
respektit për historinë si burim frymëzimi për të ardhmen, jo si gjenerator dasish e konfliktesh të së shkuarës.
15. Një objektiv madhor: Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda harkut të dy mandateve qeverisëse, ku të bashkuar në emër të shumicës së shqiptarëve dhe me dorën e bashkëpunimit të shtrirë ndaj përfaqësuesve të pakicës në emër të Shqipërisë Europiane, do t’i shërbejmë besnikërisht popullit shqiptar.

ILIR META: ME RASTIN E NENSHKRIMIT TE MARREVESHJES PS-LSI

Ne kohen e skandalit 700000 Euro, ILIR META ka thene:  “Edi Rama. Tashmë kryetar i sektit të spiunëve të Shqipërisë, kjo fundërrinë e pashembullt e shoqërisë shqiptare, ky njeri që mohoi atësinë e të birit në gjyq, ky njeri që akuzoi babain e tij si babain e djalit të tij, ky njeri i panderë, pa familje, pa asnjë normë shoqërore dhe morale, synoi të bënte një puç në Shqipëri përveç një përgjimi kriminal dhe jo të palogjikshëm dhe jo vetëm kaq, përmes një kriminal dhe të pashembullt duke përdorur si dëshmitar një fundërrinë tjetër të paparë, i cili e kishte akuzuar publikisht Edi Ramën përpara shqiptarëve si një njeri që e kishte parë duke marrë kokainë në zyrat e kryetrait të bashkisë. Unë dua t’i konfirmojë të gjithë qytetarëve shqiptar se mandati i fëlliqur , se listat e vendosura nga Edi Rama, se vendosjet dhe mbivendosjet në funksion të një perceptimi negativ, se e gjitha kjo veprimtari kriminale dhe e paligjshme, se të gjitha shpifjet për shkak të detyrës do të denoncohen në mënyrën më spektakolare përpara drejtësisë dhe përpara opinionit publik. Unë tashmë kam krijuar një grup juristësh, të cilët duke filluar nga dita e nesërme do të nisin punën e tyre dhe shumë shpejt të gjithë qytetarët shqiptar do të shohin se njeriu që kërkon të vijë në pushtet përmes dhunës, përmes intimidimit të qytetarit shqiptar, përmes të drejtave dhe lirisë së tyre, eshtë një montazhues i fëlliqur, është një njeri i cili me 8 maj do të marrë verdiktin nga të gjithë qytetarët e Shqipërisë si një fundërrinë morale, por dhe politike duke pastruar jo vetëm qytetin e Tiranës, por edhe politikën shqiptare nga një monstër që bëhet garant i një veprimi kriminal, duke ndërhyrë në mënyrë kriminale, jo vetëm duke dëmtuar kryeministrin dhe kryetarin e LSI-së, në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme dhe duke përdorur manipulimin dhe fallsifikimin, por duke dashur të dëmtojë dhe kryeministrin e vendit pikërisht në përgjigjet e tij për të rrëzuar në mënyrë puçiste një qeveri tërësisht legjitime.”  Video gjendet ketu: http://www.youtube.com/watch?v=WLsrXNxYY_8

ZBARDHEN BATUTAT NË PARLAMENT MES TOPALLIT-KLOSIT DHE BALLËS

Klosi: Edhe 65 dite, 21 orë, 43 minuta, kanë ngelur që qytetarët shqiptarë të vuajnë nga i njëjti stres

Topalli: Prandaj kjajnë këta

Klosi: Edhe 65 ditë, 21 minuta, 5 sekonda kanë ikur që qytetarët shqiptarë të shpëtojnë nga hilet e Sali Berishës

Topalli: Edhe shkoni për lesh edhe ju…

Klosi: Çfarë tha mo?

Jozefina Topalli- Taulant Balla

Balla: Ju personalisht jeni njeriu që mbani patentën më negative për mënyrën sesi drejtohet parlamenti, në Evropë. Ju së bashku me kryeministrin tuaj mbani patentën më negative të sjelljes së një mazhorance përkundrejt institucioneve të pavarura.

Topalli: E kanë filluar para këta për të reklamuar humbjen e zgjedhjeve. Lëri të tjerat…

Balla: Harroje se mund të më presësh fjalën mua.

Topalli: Ju jeni tu kjajt humbjen e zgjedhjeve more zotëri…

Balla: Ne do ti fitojmë zgjedhjet sepse shqiptarët janë lodhur nga kjo mazhorancë që e ka ndërtuar rrugën e vet me 4 patenta që nuk kanë të bëjnë me Evropën. Me patentën e korrupsionit, të vjedhjeve, të vrasjeve…

Topalli: Ore ti ke thënë që jep dorëheqjen se nuk ke tokë, na shpjego tani se pse s’jep dorëheqjen se doli toka, tani…

Balla: Ti moj zonjë, nënkryetarja e një partie të një kryeministri që ka vrarë…

Topalli: Ore LSI e keni ju apo kush e ka? Bllokun e keni ju apo kush e ka..

Balla: Ti moj zonjë, ke ngrënë dhe ti moj zonjë nga ai bllok, se ke marrë dhe ti nja 2 koncensione bashke me kompaninë Curri…

Topalli: Hajt na i kallo, hajt ta marrsha na i kallo se po më pëlqeka shumë kjo histori…

Balla: I ke marrë nja dy hidrocentrale

Topalli: Vetëm dy?? (Qesh)

Balla: A ke marrë më shumë?

Topalli: Pa mi numëro një cikë more djalë….

Balla: I ke marrë shpirtin dhe Radio Shkodrës me atë pallatin që ke bërë aty përballë

Topalli: Pa ma kallxo pallatin, yyyy qenka interesant shumë. Po mor Taulant tani më kallxo për patentën

Balla: Ti zonjë ke dhe një patentë tjetër evropiane që nuk e ka asnjë kryetar parlamenti në Evropë, që të ketë shpenzuar për fluturime jashtë shtetit 735 mijë euro

Topalli: Tani Taulant me të than të drejtën nuk të kam marr me vete kurrkund ku kam shkue dhe më je lut, me ke çuar mesazhe, aman moj më merr me vete, në vizitat që ti ban duke takuar kryetarët e parlamenteve, kryeministra. Veçse më je lut duke kja, pas dere më rri, nuk të marr me vete as mandatin e ardhshëm, nuk të marr kurrkund me vete.