EDLIRA GUSHTA: OPINIONISTËT DHE ZGJEDHJET

Në gazetën Mapo, pronari dhe drejtuesi i saj, Henri Çili, në një editorial të tij të djeshëm i kërkonte opinionistëve shqiptarë, që të vepronin ndryshe. Sipas Cilit ka ardhur koha që edhe ata të ndjekin shembullin e “kolegëve” të tyre amerikanë dhe më pas europianë dhe të shprehin hapur, si shenjë civilizimi, se cilën parti përkrahin në këto zgjedhje.

Për standardet e gazetës dhe të atyre që e blejnë nuk është ndonjë mendim i keq. Megjithatë, shumica e shqiptarëve që ndjekin me shumë tifozllëk emisionet politike në vend, s’kanë nevojë për editoriale të tilla, e as që opinionistët që të shprehen më kë parti janë… Opinionistët ua tregojnë përnatë në të gjitha stacionet, madje tifozllëku i opinionistëve shprehet edhe me të bërtitura, me të çirrura, njësoj si në mitingjet elektorale.

Kjo gazetë ka vazhduar sot me opinione marrë nga disa prej opinionistëve për të treguar secili prej tyre kahun e vet politik për zgedhjet e 23 qershorit. Gjithnjë për standartin që ka gazeta nuk është ndonjë nismë që duhet të zhvlerësohet. Por, fakti që merren si opinionistë vetëm ata që dalin përnatë në televizione, në të gjitha stacionet e mundshme, po të kishin mundësi, në disa njëherësh edhe në transmetim të drejtpërdrejtë, tregon, se gazeta i trajton këta opinionistë njësoj si figurat rozë të shoqërisë shqiptare dhe asgjë më shumë. Nejse ky është standarti i tyre.

Zonë aspak e lirë

Pra nuk ka ndonjë çudi, apo ndryshim te qëndrimi i Arian Çanit, i cili s’është shumë i besueshëm si opinionist, sepse ai është thjeshtë njeri i shfaqjes televizive. Ai është njësoj si Kac Islami, që ishte antiberishian, partizan i Edi Ramës deri në pikën e fundit të gjakut e më pas kaloi sërish me Berishën, por jo në PPSH por në PD.

Çani ishte ai që prishi kontratën e parë me Klanin, se Frangaj nuk e donte në Studion e Klan kreun e bashkisë së Tiranës dhe kreun e PS-së, me konceptin, ‘topi është i imi, penalltinë e gjuaj unë, unë gjej dhe portierin’. E më pas Çani e çoi emisionin te Vizioni dhe në emisionin e parë ai e pati Ramën tek pullë të ftuar, të ftuarin e vetëm te ‘Zonë e Lirë’, që nuk u la pa thënë asgjë as për Berishën dhe as për Frangajn.

Pastaj Çani pati një iluminim kaloi sërish me Frangajn, u bë me Berishën dhe tani është partizan i tij deri në pikën e fundit të gjakut. Në fakt i kushtuam Çanit më shumë radhë se sa duhej, për vetë faktin se nuk është një opinionist, ai nuk prodhon opinion, ai thjeshtë është njeri i spektakleve, që gazetat nuk harruan të na e tregojnë të gjitha detajet me fotografi se si i varfëri e kishte kaluar 45 vjetorin sa më afër natyrës lakuriqe.

Asgjë të re në frontin e lindjes

Ajo që vë re te opinionistët e tjerë, janë që ata përpiqen që me argumente të të bindin për kahet që mbrojnë fort, diku dhe shumë kund vetëm për arsyet e tyre personale, për vazhdimin e përfitimeve që kanë nga pushteti dhe ata që janë pro rrotacionit të këtyre përfitimeve, pra diçka të mbetet edhe për ta kur të vijë Rama në pushtet. Pra secili prej tyre, Baze, Shkullaku, Zheji, Hila, Nazarko, i shërbejnë me penë kraheve politikë. Këta janë rrogëtarë.

Në shoqëritë demokratike, ku standartet mininale të një jete në demokraci janë të vendosura prej qindra vitesh, një gjë e tillë, nuk do të shqetësonte njeri, madje as pronarin e gazetës, apo as kryeministrin. Secili prej këtyre opinionistëve, si në opozitë ashtu dhe në pushtet nuk e kanë provuar nivelin minimal të jetesës, edhe pse mund të dëgjosh histori persekutimesh. Secili prej tyre jeton në kullën e tyre të krijuar prej vitesh dhe itinerari i vetëm është shtëpi dhe kafenetë e shtrenjta dhe për më tepër asnjërin nuk e ha meraku për viktimat e Gërdecit apo për viktimat e 21 janarit. Këta shohin vetëm interesin e liderit me të cilin pinë kafe.

Fatos Lubonja

Përjashtim bën këtu këtu Fatos Lubonjën, i cili e ka shprehur qëndrimin e tij në editorial te Panorama, se është për një kryq të fletës së votimit dhe ai i ka treguar pse-të e këtij kryqi. Duke qenë se ai e njeh shumë mirë Sali Berishën dhe se çfarë bën ai me shtetin, por duke e njohur shumë e shumë më mirë Edi Ramën dhe çfarë mund të bëjë me pushtetin, pra të njëjtën masakër që bëri dhe me aq pushtet që kishte në Tiranë, Lubonja u tregoi njerëzve se ky është standarti demokratik që duhet të ndjekin për zgjedhjet e 23 qershorit.

Andi Bushati

Por njeriu dhe opinionisti që me zor më bind se nuk duhet të votoj për Edi Ramën, për Sali Berishën dhe për të gjithë klasën politike në vend dhe marr penën dhe ta shkarravis e ta nxij atë fletë, është Andi Bushati. Një javë më parë në një shkrim ‘Kush kërkon të vrasë Edi Ramën?’, ai e tregoi ashtu siç është në të vërtetë Rama, ashtu siç edhe na e ka treguar Lubonja, por ne nuk kemi pasur sy ta lexojmë. Por më pas, ai po në gazetën Tema shkruan një editorial ‘Vota historike e 23 qershorit’. Këtë opinion ai e përsërit edhe te gazeta Mapo ku shkruan: ‘vota kundër Sali Berishës është edhe votë historike, sepse është një brez i tërë 40-45-vjeçarësh të cilit edhe unë i përkas, që, po të bëjnë sot një llogari, kanë jetuar më shumë vite politike nën Sali Berishën se sa nën Enver Hoxhën.

Pra, këtë radhë, vota e 2013 është edhe një përpjekje që të mos krijojmë me votë udhëheqës të përjetshëm.’

Zoti Bushati, jam një grua që ka jetuar në të dy këto hegjemoni dhe është e vërtetë që kam jetuar më pak në kohën e Enverit se sa në kohën e Berishës, por nëse do të krahasohen të dy kohët nuk janë të ngjashme me njëra-tjetrën, në asnjërën pikë.

Nuk e di për ju zoti Bushati, por më ka qëlluar që për të marrë dy shishe qumësht më tepër zgjohesha me motrën herët në mëngjes që në ora 03.30 për të zënë radhën e qumështit, unë me motrën e nënën në radhën e grave dhe babai në radhën e burrave dhe atë ditë mund të bënim ndonjë byrek me kos. (Po ju tregoj vetëm eksperiencën time, se ka 40-45 vjeçarë, ose baballarët e tyre që të tregojnë tmerre, mundesh edhe të flasësh me Lubonjën dhe të të tregojë po tmerre).

Zoti Bushati jam një njeri që ka prindër që kanë jetuar më shumë në kohën e Enverit se sa të Berishës që as nuk duan t’ia shohin bojën as emrin e shkruar të parit, madje u ikën boja e fytyrës kur shohin e dëgjojnë në televizione se iu përkujtua ditëlindja atij dhe vdekja e atij. Duhet ta dini zoti Bushati, se një pjesë e mirë e shqiptarëve e di që e keqja aktuale në Shqipëri është Berisha, por në momentin që kanë përballë PS-në, asnjëherë e distancuar nga trashëgimia gjakatare e Partisë së Punës, nuk duan ta votojnë.

Ata kanë ende varre të pahapura zoti Bushati, nuk dinë se ku janë kockat e 3500 njerëzve të vrarë në të gjitha format e të varrosur pa nam e nishan, kështu që nuk të japin fare të drejtë ty, prandaj ti duhet t’i pranosh etiketimet që të janë bërë dhe që i keqpërdor Berisha.

Zoti Bushati Shqipëria pragun e historisë së saj e kaloi më Lëvizjen e Dhjetorit që e bënë pikërisht studentët e atëhershëm që tani janë 40-45 vjeçarët, por ju lutem më thoni se ku janë ato drejtues të kësaj lëvizje, ku janë pjestarët e saj, ku janë ata që bënë grevën e urisë? Ata që qëndruan nëse nuk u bënë pjesë e palëve u harruan dhe nuk i ftojnë as në aktivitete përkujtimore, ata që ikën as duan t’ia dëgjojnë emrin fare, sepse të gjitha kontributet i duan për vete. Nëse vota e 23 qershorit qenka historike, se ti nuk do të jetosh më në regjimin e Berishës, që ta ka mërzitur më shumë se sa regjimi i Hoxhës, dhe do ta bësh rrotacionin për këtë arsye; atëherë faleminderit për opinionin tënd.

Në pamundësi për të votuar për këtë argument të majtën shqiptare, për shkak se historia e familjes dhe e shumë familjeve si e imja nuk ma lejon këtë, pavarësisht premtimeve, apo sepse shumë pjestarë të shtresës sime i janë bashkuar së majtës, puna e tyre, për shkak të atyre vuajtjeve që kanë kaluar nuk do ta votoj të majtën, pavarësisht se xhaxhi Luftari më thotë ta bëj. Në pamundësi për të votuar të djathtën, që nuk më përfaqëson më historinë e vuajtjen e familjes sime, do ta nxij atë fletë votimi dhe jam duke bërë përpjekjet maksimale që fëmijët e mi të mos edukohen me faktin e të nënshtruarit ndaj çdo regjimi për hir të interesave thellësisht personale.

 

EDLIRA GUSHTA: A JAM KRENARE QË JAM SHQIPTARE?

Fjalorin e Gjuhës Shqipe kur kërkon fjalën ‘krenar,’ gjendet ky shpjegim: “1. Që e çmon dhe e nderon veten si njeri e si qytetar, që nuk i lë të tjerët ta marrin nëpër këmbë, ta fyejnë e ta poshtërojnë, që nuk e ul kokën para të tjerëve; që e mbron ballëhapur nderin e dinjitetin e vet; që shpreh një ndjenjë a një qëndrim të tillë, kryelartë. Vajzë krenare. Djalë krenar. Bir krenar i popullit. Me pamje krenare. Me vështrim krenar.”

Ndërsa rrija ulur përballë televizorit dhe nëpër të kalonin kronikat e lajmeve, por pa zë, (çuditërisht edicionet e lajmeve janë bërë shumë të gjata këto ditë) me fjalor në dorë, mendova me të vërtetë a jam krenare sot për të qenë shqiptare. Është një muaj maj i bezdisshëm, herë me kohë të mirë e herë me vetëtima e bubullima, por me një zjarrmi të pashoqe, zjarrmi që na e transmetojnë me dhjetra stacione kombëtare dhe lokale televizive. Muaji që po vjen, qershori, do të duket edhe më i mërzitshëm, kur zjarrmia s’ka për të duruar më nën tokë dhe do të shpërthejë jashtë. Por duke iu kthyer fjalorit, në pjesën e parë të fjalisë thuhet ‘që e çmon dhe e nderon veten si njeri e si qytetar’. Këtë përpiqem ta bëj me ç’është e mundur. Tani, s’mund të thuhet se jam qytetare, sepse jam nga ato katundaret që thotë Shenasiu, dhe paraadhësit e mi kanë kontribuar me modesti për këtë komb. Duhet të më falë profesori që e përmenda vetëm me emër se Rama tjetër, ai i gjati fare ia ka qejfi ta përdorë shprehjen katundar, por në te folmen e tij, ‘katunar’, ose në shumë raste ‘katnar’.

Besoj se do e mbani mend që ky zotëria Rama, kur ishte kryetar Bashkie, e përdorte këtë shprehje, madje e ngjeu me bojë në mur shprehjen ‘mos shurro këtu katunar’. E kishte fjalën për një rrezikzi, që rastësisht e zuri duke urinuar poshtë një nga urat e shumta të Lanës dhe se po ia ulte vlerat e publicitetit që po i bënin shumë televizione ndërkohë që ai bënte sikur kontrollonte cilësitë e punës. E pa ky kryetar bashkie rrezikziun tonë një urë me tej, dhe me aq zë sa kishte i tha ‘mos shurro aty ore katunar’ dhe nuk gjeti asnjë minutë kohë të thoshte, të paktën në respekt të vetes, të televizioneve dhe të bënte pakëz publicitet, se do të shtonte banjot publike nëpër kryeqytet. Atëherë nuk ishte kohë fushate, siç është tani, e cila më vë të mendoj realisht për qenien nëse jam krenare apo jo.

Në fakt, aktualisht, ne katundarët ia kemi lënë në dorë të na e shpjegojnë qytetarinë disave që e kanë kompleks vendin ku janë lindur e rritur dhe s’e kanë vizituar asnjëherë, (as për të veruar Berisha nuk shkon në katundin e tij), ose disa të tjerëve qe i kanë kompleks katundarët (Rama) se u duket vetja si qytetar, por që sillen me keq se funderrinat.

Fjalori i Gjuhës Shqipe vazhdon me shpjegimin; ‘që nuk i lë të tjerët ta marrin nëpër këmbë, ta fyejnë e ta poshtërojnë, që nuk e ul kokën para të tjerëve’, gjithnjë bëhet fjala për krenar. Ndërsa lexoj këtë pjesë, në imazhet pa zë të televizorit më shfaqet pamja e aktiviteti elektoral të një prej atyre kandidatëve që i kërkon edhe Interpoli dhe mendoj se ai kandidati e ka paguar shtrenjtë, jo vetëm kronikën televizive, por edhe kandidimin.

Parisë ia ka qejfi që ta ketë edhe një kriminel afër shtëpisë, se kur do të bëhet fjalë për të bërë punë me kriminelë, me kasta dhe mafia kriminale, nuk shkon vetë se prish imazhin, çon kriminelin e vet. E ndërsa gazetari i Top-Channelit Sokol Shameti thotë se në listat e kandidatëve të parisë së Tiranës janë të paktën dhjetë kandidatë të tillë që janë në vende të sigurta për të dalë deputetë, imagjinoj nevojën e kësaj parie për të negociuar me sa më shumë klane krimi, me sa më shumë copëza të mafias brenda dhe jashtë vendi. E sa? Aq sa bën për deputetë 10 persona të kërkuar nga institucionet ndërkombëtare të luftës kundër krimit të organizuar.

E kjo më rrëzon krejt përcaktimin e fjalorit të gjuhës shqipe ‘që nuk i lë të tjerët ta marrin nëpër këmbë, ta fyejnë e ta poshtërojnë, që nuk e ul kokën para të tjerëve’. Nuk po marr pjesën tjetër të fushatës, por vetëm momentin kur televizionet japin kronikat e këtyre njerëzve me njollë, vetëm kur gazetat u kushtojnë faqe të tëra këtyre njerëzve, më vjen të mendoj ‘jo nuk jam krenare që jam shqiptare’. Ata kanë paguar majshëm shfaqjen televizive dhe do të mbeten në historinë e shkruar të gazetarisë shqiptare, ata janë mafia, por shiko se edhe i kanë mirë këtij populli. Ndërsa lajmet vazhdojnë dhe shoh kronikën e kryetarit të parisë, të kryeministrit që sheh ndeshjen Bajern-Borusia e Dortmundit këmbë për mbi këmbë, ose nënkryetarin e parisë Ramën, që i bie dajres për lezet dhe pas tyre grupe të qeshura njerëzish, më kujtohet një film italian për mafian napoletane përballë një prifti të sapoemëruar.

Ishin Krishtlindjet dhe prifti me idealizmin se hyjnorja do të fitojë kundër horrave, me ndihmën e dhjetë-dymbëdhjetë të rinjëve bën një procesion nëpër rrugët e lagjet e Napolit me fuguren e Krishtit në shpatulla. Po grupi i tyre ishte shumë i vogël dhe papritur kryqëzohet në rrugë me një procesion mijëra njerëzish që mbajnë në shpatulla figurën e të fortit të Napolit dhe këndojnë këngën e tij m’u poshtë ballkonit ku banonte kjo figurë. Dhe i forti i Napolit ngrihet dhe i hedh para turmës dhe turma vetëm brohoret dhe hidhet mbi paratë, sa më shumë të brohorasë aq më shumë hedhë lekë i forti i Napolit, i cili e shikon me nënqeshje priftin në anën tjetër të rrugës.

Ai kandidati horr, jo vetëm ato 10 që i kërkon Interpoli, por edhe ato 10 të tjerët në listat e sigurta për të cilët di shumë gjëra por nuk flet Interpoli, edhe ato 10 të tjerët në listat e sigurta përtej këtyre ai për të cilët Interpoli nuk di gjë sepse i ka me emra të tjerë, ata 10 të tjerët në listat e sigurta që janë kushërinj e farefis të të fortëve, edhe…. ai e ajo që që na nderon në të gjitha listat ngjan me këtë të fortin e Napolit.

Ndërsa kryetari i parisë dhe nënkryetari i parisë, dhe keta hajnat e forte nuk janë aq të marrë sa të më hedhin para që të brohoras, ata ma bëjnë me detyrim të nxjerr nga goja brohoritje dhe kjo është një sjellje më e rrezikshme se ai i horrit. Sepse unë punoj në administratë që drejtohet nga kryetari i parisë dhe duhet të dal patjetër të mbush sheshet se ma shënon drejtori se nuk kam qenë në shesh, s’duhet të kem asnjë justifikim se kam nënën apo dikë tjetër të sëmurë, se ma verifikojnë. Unë thjesht shpresoj që të mos më japin ndonjë flamur të valëvis ose të mbaj pankartë, se kam dhimbje shpine. Por unë punoj edhe në administratën lokale, ku nënkryetari i parisë dhe kandidat për kryetar zëvendësues në fakt, më nxjerr gjithashtu në mitingjet e tij, më çojnë me autobus, falas, një xhiro në Tiranë pa lekët e tua s’është keq, por puna është se nuk na lënë kohë as të hamë akullore, se të thotë shoferi, nëse s’do të jeni këtu në këtë dhe atë orë hajdeni në këmbë në shtëpi. Duke qenë se jam katundare dhe s’e njoh Tiranën, sepse jemi edhe kushërinj me Shenasiun, mund të më japin deri edhe GPS për të gjetur pallatin e sportit Asllan Rusi, por ma marrin e s’ma japin më që të gjej autobusin se ku është parkuar.

Dhe vazhdoj e mendoj se a kam a s’kam arsye me kenë krenare. Nuk kam ndonjë arsye për të qenë krenare që jam shqiptare. Fjalori vazhdon e më mërzit me shpjegimet e tij për mbiemrin ‘krenar’ sepse më thotë; ‘që e mbron ballëhapur nderin e dinjitetin e vet; që shpreh një ndjenjë a një qëndrim të tillë, kryelartë’. Ndoshta këto të fjalorit nuk e dinë, se mbase kanë ndryshuar dhe kohërat, se sot po ta mbrosh ballëhapur nderin e dinjitetin tim, do të thotë që të mbes pa punë, pa bukë dhe t’i nxjerr fëmijët në rrugë të punojnë se mua s’më merr njeri. Por ndoshta e kanë kopjuar fjalorin nga ca të vdekur apo e kanë përkthyer dhe e kanë si ka qënë në gjuhë të huaj.

Nëse them që Berisha s’është burrë zotëri (s’po e përmend emrin vrasës, se më duhet të jetoj sa të rris këta fëmijë, opozita e përdor sepse fiton përkrahës dhe s’e trazon njeri) të gjithë do më thonë që unë jam me Ramën, pra me kundërshtarin, me nënkryetarin e parisë, nëse i them që përveçse ka një histori jo shumë të mirë (gjithnjë duke përdorur terma zbutës) se ka 1996 për zgjedhjet, 1997 për luftën civile, 1998 për grushtin e shtetit, 2008 për Gërdecin, 2011 për të vrarët në bulevardin Dëshmorët e Kombit, të gjithë më sulen, më nuk më flasin, por më bërtasin në vesh se më shumë se sa kjo histori lufte, Berishës i njihen suksese të padiskutueshme në rrëzimin e komunizmit.

Por nëse i them, që ai nuk e rrëzoi vetëm, se nëse do ta kishte rrëzuar i vetëm, të paktën s’do bëhej anëtar i Partisë së Punës. Por duke qenë se akuzat vijojnë, të dashur hartues të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, e lë këtu nderin e dinjitetin tim sepse s’mund të shpreh një mendim kryelartë. Nëse them, ore ky Rama po e shpërdoron keq emrin ‘familje’ në fushatë, krahu tjetër më sulet dhe më thotë jam me Berishën, se më paguan Berisha dhe për më keq, jam pjesë e administratës së Berishës. Më japin një mijë e një argumente, fotot me mamin e Ramës, foto me gruan e Ramës, foto me çunin e Ramës, e çka ka bërë ai për këtë djalë. Nëse vazhdoj e them që historia e këtij djali për të qenë një familjar shembullor është e turbullt dhe tani i ka hyrë spekullimeve, është diçka që edhe ai vetë e di, s’ka nevojë kush ta kundërshtojë.

Mora shembullin këtë term, ‘familje’, ‘familje e madhe’, ‘njeri i përkushtuar për familje’, ‘njeri i dashur me të afërmit’, ‘…kushtuar ëngjëllit tim (për mamanë e tij), sepse ai vetë po e përmend një term për të na e mbushur mendjen neve për dy gjëra, që nuk është më ai që ka qenë, pra një familjar i keq dhe se vetëm ai qenka familjar i mirë dhe që duhet marrë shembull, pasi ne të tjerët s’jemi të tillë sepse unë e Shinasiu jemi katnarë. Historinë e dhimbshme me Gregorin, e tregoi dhe për zgjedhjet lokale të 2011, njësoj ishte edhe kësaj radhe nuk kishte ndryshuar. Thjeshtë dallova që i biri nuk e thërriste, as baba, apo babi, por thjeshtë Edi, mua në të vertëtë fëmijët e mi kam dëshirë të më thërrasin ‘mamë’, ose ‘mami’.

Pak para zgjedhjeve të 2011 ndodhi dhe martesa e Ramës me Linda Bashën, gojët e këqija thanë që u martua për të hequr namin e keq që kishte për gratë dhe se do t’i shtonte pikë në zgjedhje, që në fakt edhe pse përdori dy histori personale familjare, zgjedhjet i la që t’ia vidhte Berisha sepse në fund të fundit ky është kryetari I parisë. Ai po përpiqet të na e mbushë mendjen, që nëse është i mirë dhe të drejtojë njëkohësisht familjen e tij në mënyrë shembullore, partinë e tij dhe në mënyrë shembullore, edhe Shqipërinë e shkretë ashtu do ta dretojë në mënyrë shembullore, se ku do të jetë i keq ai. Dhe unë mendoj për familjen time, që nganjëherë s’më del koha të hap televizorin, pasi më duhet të jem në shumë vende në të njëjtën kohë, e jo më të dal në televizor duke i rënë edhe dajres.
 Përpjekja e tij për t’u treguar kaq shembullor, që në të thelb nuk është, u duk dhe në editorialin e Mero Bazes, të pak ditëve më parë. Rama u mërzit që Andi Bushati i tha të vërtetën atij në një editorial ‘Kush kërkon ta vrasë Ramën’ dhe po në Gazetën Tema, kreu dhe pronari i saj shkroi një editorial për të kundërshtuar Andin edhe në sensin e familjarit shembullor, duke e krahasuar me familjarin tjetër Berisha, që sipas tij, nuk është shembullor fare, por është zi e më zi.

Kjo tema e familjes së kryetarit të parisë dhe nënkryetarit të saj është tejet e gjërë dhe nuk ia vlen as të diskutohet për momentin, gjithnjë as të merret si shembull, gjithnjë për momentin. Pra, nëse pjesës tjetër të shqiptarëve u thua një gjë të tillë, thjeshtë mund të të thonë, siç e bëri edhe Meroja, mos u merrni me familjen e tij, por me familjen e Berishës, se ne jemi të shitur, të frustruar, etj, etj.

Pra këto pjesë, nuk e kanë idenë se ekziston dhe qytetari normal, ose në rastin në fjalë, timin e të Shinasiut, një katundar normal, që ka dëshirë more njëherë të ndjehet krenar që është shqiptar. Se të jesh krenar që je shqiptar, nuk do të thotë patjetër që duhet të fitojë në futboll Shqipëria kundër Norvegjisë (apo Norvegjizë???) dhe ne të ëndërrojmë të shkojmë në Brazil, që duhet të dalë në luftë të derdh gjak në emër të shqiptarizmës, por të qenurit krenar është edhe kur ndjehesh shqiptar në vendin tënd, në një ditë normale apo dhe në një dite fushate, sepse askush s’ka arritur të të fyejë dinjitetin, pavarësisht rrenave që flet, sepse ke mundësi t’i thuash që gënjen.

Por unë, më mirë po e mbyll Fjalorin e Gjuhës Shqipe, më duhet të fik televizorin dhe të shkoj në dy koncerte elektorale, hyrja ëshë falas, në njërën anë këndon Çiljeta, në tjetrin Alketa, të dyja me këngë të nxehta. Nganjëherë s’mjaftoka vetëm historia dhe tradita për të të bërë të ndjehesh krenar që je shqiptar.