GJENDJA E FINANCAVE: NGA KONFERENCA PER SHTYP E MINISTRIT TE FINANCAVE SHKELQIM CANI

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi dje në një konferencë të përbashkët në shtyp me FMN dhe Bankën e Shqipërisë se situata financiare në vend është tepër e vështirë. “Ndajmë të njëjtat mendime me FMN dhe Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Ekonomisë se situata makro ekonomike në vend është kritike dhe e rendë”. Për të kapërcyer këtë situatë, ai tha se qeveria mendon të hyjë më tej në borxhe, duke kaluar madje edhe nivelin e 60-përqindëshit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Por, për herë të parë, lidhur me këtë rritje kaq të lartë, Fondi Monetar nuk ka dhënë mendim negativ. Në të kundërt, për përfaqësuesin e saj, duhet të paguhen urgjentisht faturat e prapambetura të shtetit ndaj biznesin, në mënyrë që të zhbllokohet ngërçi i ndërmarrjeve dhe të ulet niveli i kredive të këqija bankare.

Situata
Ministri Cani tha se të ardhurat buxhetore për tetë-mujorin kanë arritur në 210.5 miliard lekë, 7.2% më pak se plani i buxhetit 2013 dhe 3.8% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Deri në fund të vitit pritet që të ardhurat në buxhet të arrijnë në 320 miliardë lekë, ose 23.7% e PBB-së. “Kjo është ndër rëniet më të rënda të të ardhurave në ekonominë shqiptare, përjashto 1997. Në këtë performancë negative nevojiten jo më pak se 24 miliardë lekë borxh shtesë”, – tha Cani.
Shpenzimet pritet të jenë 405 miliardë lekë. Deficiti aktual dhe ai i pritshëm i buxhetit janë më të lartë sesa parashikohen. Cani theksoi se e vetmja zgjidhje është thyerja e kufirit të borxhit publik meqë paratë janë harxhuar ndjeshëm. “Borxhi në fund të vitit nuk do jetë 64% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sa parashikonte qeveria e mëparshme, por mbi 67%, pa llogaritur këtu borxhin e fshehtë për pagesat e papaguara, pasi po të shtojmë dhe këtë pjesë të borxhit, detyrimet që shteti u ka bizneseve, deficiti do të arrijë jo më pak se 71% të PBB-së”, – tha Cani.
Për vitin 2014, synimi kryesor është për ta vënë borxhin nën kontroll, por aq sa për të mos frenuar dhe rritjen ekonomike, që është aq shqetësim sa dhe borxhi, tha ministri i financave. Për vitin 2014 pritet që borxhi të arrijë në 72-73% e PBB-së, por mbetet të saktësohet nga projektbuxheti i vitit 2014. Në afatin e mesëm, deri në 2018, objektivi është i vështirë, por deri diku i realizueshëm, tha Cani, duke synuar ta ulë këtë nivel në 60% të PBB-së.

Faturat
Cani bëri më pas një ekspoze të detyrimeve të papaguara nga shteti. “Faturat që presin prej muajsh likuidimin nga thesari janë 9 miliardë lekë, duke penguar aktivitetin në kopshte e shkolla dhe realizimin e punëve publike; përveç kësaj janë dhe 6 miliardë lekë kërkesa, por të paplanifikuara në buxhet për pagesa sociale; TVSH për t’u rimbursuar është 6 miliardë lekë, pa përfshirë dhe 7 miliardë lekë që nuk janë të certifikuara; 10 miliardë lekë është tatim fitimi i parapaguar nga biznesi por që nuk është kthyer nga administrata tatimore. Për vitin 2013, tha Cani, rritja ekonomike nuk arrin 3.1%, por diku 1.7-1.9%, pra gati e përgjysmuar nga ajo e parashikuar. Ministri pohoi se po bashkëpunohet me FMN, Bankën Botërore me synimin që buxheti i 2013 që është e imponuar tashmë të rishikohet, të jetë sa më realist, dhe në të njëjtën linjë do të jetë dhe buxheti i 2014.“Gjendja është vërtet e rëndë po jo e pashpresë”, – tha Cani. “Relativisht shpejt do të shohim përmirësime nga ky realitet i hedhur ku na ka futur qeveria e kaluar. Përmasat reale sa vijnë e njihen dhe ne ishim të përgatitur për masat që do merreshin”.

Buxheti
Cani shtoi se do të dërgohet shumë shpejt buxheti i 2013 për rishikim në ulje të të ardhurave, me 40 miliardë lekë më pak nga sa ishte parashikuar.
Sipas tij, do të ulen shpenzimet dhe do të rritet dhe deficiti me 24.25 miliardë lekë. “Po bëjmë përpjekjet për të kapur kohën e humbur nga mospagesat në thesari. Shpresojmë të paguajmë 9 miliardë lekët e prapambetura deri në fund të vitit. Deficiti buxhetor deri në fund të vitit, sipas Canit, do të jetë dikur rreth 84-85 miliardë lekë.
Ministri i financave shtoi se për fazën e emergjencës do të synohet përmirësimi i politikës së taksave dhe rritja e eficencës së mbledhjes së të ardhurave, do të luftohet evazioni dhe do të rritet baza e tatimpaguesve. Cani shtoi se do të prezantohet taksa progresive në të ardhurat personale, do të hiqet taksa e biznesin e vogël, do të rritet tatim fitimin, do të shlyhen detyrimet ndaj bizneseve, do mbështete shtresat në nevojë, do të hiqet TVSH për ilaçet. Cani përmendi se mjaft i rëndësishëm është dhe rishikimi i skemës së pensioneve.

(Pergatiti Ervin Kaduku: Marre nga gazeta Standard)

NUK NDALEN GRABITJET ME ARMË

Hajdutët “kryqëzojnë” ligjin, policia i arreston, gjykata i liron

Grabitjet me armë, edhe pse përbëjnë krim duket se janë lënë jashtë vëmendjes së Policisë së Shtetit, ndërsa në muajt e fundit vjedhjet janë kthyer në tmerrin e qytetarëve. “U grabit, në mes të ditës, një kazino, dy të moshuar u sulmuan në shtëpinë e tyre ku mbetën të plagosur nga agresorët, biznesmenit i grabisin paratë”, ky është refreni që dashur pa dashur gjithkush nga ne po e dëgjon çdo ditë e më shumë. Hajdutët duket se kanë kryqëzuar me të vërtetë ligjin, ndërsa pa ju dridhur syri organizojnë grabitje në mes të ditës, në rrugë, në zemër të kryeqytetit, madje shumë herë edhe mu nën hundën e drejtorisë së Policisë. Në shumë raste nga këto ngjarje ka edhe viktima ndërsa statistikat tregojnë se 60 për qind e agresorëve identifikohen nga Policia por i shpëtojnë kapjes dhe në shumë raste janë ende në kërkim. Nga statistika të siguruara prej të dhënave nga Policia e Shtetit që prej Janarit të këtij viti nga vjedhjet me armë, janë evidentuar tre deri në katër viktima çdo muaj, e ndërsa shpesh hajdutët qëndrojnë vetëm disa muaj në paraburgim e më pas paguajnë gjobat që të dalin, Policia e Shtetit duket sikur e ka humbur “betejën” me agresorët.

Statistikat

Burime konfidenciale nga Policia e Shtetit deklarojnë për gazetën se në pesë muaj janë shënuar në regjistrat e policisë rreth 90 raste të grabitjeve me armë nga grupe të armatosur e me maska ndërsa nga Gjykata pjesa dërrmuese e agresorëve duket se lirohet brenda disa muajve duke u mjaftuar vetëm me pagesën e gjobave të lehta. Sipas këtyre burimeve dhjetëra të rinj, të proceduar disa herë nga Policia i shpëtojnë dënimit, edhe pse kanë kryer grabitje me armë e në rastet më flagrante rastis të kenë plagosur edhe njerëz të pafajshëm. Sipas të dhënave nga policia e shtetit veprat penale, të krimeve kundër personit si vjedhjet me dhunë dhe me armë kanë të dhëna shkurajuese për qytetarët. Policia arrin që të zbulojë vetëm 41 për qind të rasteve të ndodhura. Megjithëse komuniteti po tregohet gjithnjë e më i gatshëm që të bashkëpunojë me policinë dhe kësisoj është shtuar ndjeshëm sensibilizimi i qytetarëve dhe janë shtuar deri ne 40 për qind të telefonatave denoncuese apo denoncimet direkte në rajonet e policisë për grabitjet me armë, kjo gjë e tillë nuk shpërblehet nga strukturat e rendit të cilat në rreth 60 për qind të rasteve të grabitjeve apo vjedhjeve të banesave nuk arrijnë që të gjejnë autorët. Vetëm në Tiranë sipas analizës së publikuar nga Policia për vitin e kaluar u regjistruan 140 vjedhje me dhunë dhe me armë, ndërsa nga të dhënat e 2013 kjo shifër duket se do të arrihet vetëm në një kohë të shkurtër brenda gjashtë muajve. Grabitje të tilla po kthejnë edhe një fenomen të rëndë për shoqërinë, atë të vetëgjyqësisë. Besimi i publikut dhe arrestimi i grabitësve ka kohë që janë në luftë të hapur me njëra-tjetrën, ndërsa çdo kush prej nesh ndihet thuajse plotësisht i pasigurt në jetën e përditshme ku jo vetëm biznesmenët, rojet e ndërtesave por edhe gratë e të moshuarit në rrugë a në shtëpi qofshin në shumë raste janë viktimat e vërteta nga vetë hajdutët.

7 
kazino të grabitura me armë janë shënuar për lojërat e fatit në Tiranë e në Durrës brenda një periudhe prej 5 muajsh, ku hajdutët kanë pranuar autorësinë e grabitjes dhe kanë dëshmuar në polici se e kanë kryer vjedhjen për arsye ekonomike.

57.6 për qind e rasteve në 2012 përsa i përket rasteve të grabitjeve janë zbuluar ndërsa përqindja tjetër e grabitësve janë të lirë sipas statistikave. Sipas të dhënave një individ i vetëm arriti të bënte rreth dhjetë vjedhje bankash në Tiranë dhe në Fier.

35 grabitje bankash janë janë regjistruar në vitin 2012, ku 28 janë realizuar, dhe 7 mbetën në tentativë. Viti 2010 shënon numrin më të madh, me 13 raste. Në 2012 ishin 3 raste, ndërsa vërehet se bankat gjatë vitit 2013 kanë qenë objektiv i shpeshtë i vjedhjeve me armë.

http://www.tiranaobserver.al/2013/07/12/grabitjet-me-arme-nuk-ndalen-90-raste-ne-pese-muaj/

VLADIMIR PUKA: ÇMIMI I KARBURANTIT U RRIT, KUR DUHET TË NDODHTE E KUNDËRTA

Rënia e çmimeve të produkteve të naftës në bursat ndërkombëtare veçanërisht në Europë dhe pas janarit 2013, është pa ekuivokë shprehje e qartë e uljes së kërkesës, por dhe e parashikimeve për zgjatjen e recensionit në kohë. 898 USD/ton u kuotua benzina 95 RON 10 ppm në ditën e parë të muajit maj, sipas Platts European Marketscan High CIF Med Italy.

Referuar datës 18 shkurt 2013, kur çmimi i këtij produkti arriti 1149 USD/ton, i bie që çmimi i benzinës në bursën e Londrës të ketë rënë plot 251 USD/ton brenda 3 muajve, ndërkohë që çmimi i këtij produkti në tregun tonë të pakicës nuk ka lëvizur, madje është ngritur deri 13 lekë/ltr në një shumicë stacionesh pikërisht gjatë kësaj periudhe!

Benzina 95 RON është produkt importi, pra varet 100% nga kuotimi në bursë; kësisoj luhatjet reflektohen direkt në pompë në ndryshim nga karburanti Diezel, i cili deri në shkurt 2013, me prodhimin e lirë vendas, ndikoi të paktën në mbajtjen 169 lekë/ltr të këtij produkti në mbi 30% të pompave në tregun shqiptar…

Llogaritet se 251 USD/ton rënie në blerje japin 0.19 USD/ltr ose më shumë se 20 lekë/ltr ulje në koston e produktit IM7 (para zhdoganimit); pra ngarkesat gjatë këtij muaji blihen mesatarisht me rreth 20 lekë/ltr më pak, ashtu siç gjatë muajit prill janë blerë rreth 15 lekë/ltr më pak e po ashtu në muajin mars, me rreth 10 lekë/ltr më pak, krahasuar me mesin e shkurtit! Duke qenë se kursi i këmbimit USD/lek për 4 muajt e parë të vitit është luhatur mesatarisht prej 2.2 pikësh, duke qenë se 1 pikë shtrenjtim i USD jep 0.75 lekë/ltr rritje në blerjen e benzinës, korrektësisht rritja e kostos për këtë shkak në blerje është jo më shumë se 1.5-2 lekë/ltr, pra i papërfillshëm.

Pas një maksimumi prej 1041.25 USD/ton më 8 shkurt 2013, edhe Diezeli ULSD 10 ppm ra progresivisht deri 850 USD/ton më 17 prill, pra me 191.25 USD/ton rënie absolute; ndërkohë vazhdon të jetë prej 2 muajsh nën 900 USD/ton, por çmimi i produktit në pompa nuk ka lëvizur ose është rritur në një shumicë stacionesh deri 16 lekë/ltr pikërisht gjatë kësaj periudhe! Llogaritet se rënia mesatare në blerje është: për muajin maj 0.16 USD/ltr ose mbi 17 lekë/ltr, prill-9 lekë/ltr e mars-7 lekë/ltr më pak.

Aq evidente është rënia e çmimeve në bursë sa edhe dy buletinet e fundit të Prokurimeve Publike nr. 19 e 20 nuk publikuan si zakonisht çmimet e referencës ose ato dysheme për karburantet, ndoshta në përpjekje për të shmangur efektet te publiku… Fakti është se në atë të fundit të publikuar, nr. 18, çmimi dysheme i llogaritur për benzinën ishte 149.37 lekë/ltr, për Diezelin 155.71 lekë/ltr; diferencën me çmimin në pompë mund ta bëjë kushdo!

Për shkak të pandryshimit të çmimit fundor në pompë prej më se një viti nga 2-3 operatorët me fuqi të ndjeshme në treg dhe rritjes evidente nga njëri prej tyre, shteti ka marrë e vazhdon të marri të njëjtën TVSH për litër e pak më shumë (nga stacionet që rritën çmimin e benzinës); taksat e tarifat e tjera të aktivitetit pothuajse janë fikse. Në kushtet e rënies së konsumit, tkurrjes së ekonomisë, por dhe situatës parazgjedhore, organet shtetërore në një korrelacion “fitimprurës” me OFN-të po transferojnë efektet financiare të hershme dhe aktuale mbi konsumatorin; bazuar te sasitë e karburanteve të zhdoganuara pas muajit shkurt, ato llogariten në mbi 6 mln euro!

Pas rritjes rreth 10 lekë/ltr që çmimet pësuan në pjesën e dytë të vitit 2011, kryesisht për shkak të taksës së qarkullimit e rritjes së taksës së karbonit, grosistët vazhduan të mbajnë Diezelin 174-178 lekë/ltr (produkti vendas 164-169 lekë/ltr) e benzinën 176-180 lekë/ltr (174 lekë/ltr nga një OFN), megjithëse u kuotuan në rënie nën 1000 USD/ton më ulët në bursë. Pas luhatjeve ngritje-ulje mbi 350 USD/ton gjatë pjesës së parë të vitit 2012, çmimet kapën afërsisht nivelet aktuale: çmimi më i ulët i Diezelit 10 ppm është 177-179 lekë/ltr, por gjithmonë jashtë qytetit të Tiranës, në periferi dhe pranë burimit kryesor të furnizimit me shumicë – instalimeve bregdetare të Porto Romanos, pra akseve rrugore pranë qytetit të Durrësit; çmimi më i lartë është përgjithësisht kudo, por veçanërisht në qytetet larg Durrësit; 182-185, por dhe 189 lekë/ltr mund të hasësh në Tiranë e nëpër stacione shitjeje, disa pa tabela informuese për publikun (për arsye të tarifave “të kripura” që organet vendore shpesh pa kriter aplikojnë mbi to), në kundërshtim të plotë me Ligjin nr. 8450 të harruar tashmë nga amendimet e shumta.

Me pretendimin “historik” të zhvleftësimit të lekut në raport me USD, tregu i pakicës nuk e reflektoi më tendencën e bursave, por u mëshoi marzheve në përpjekje për të kompensuar rënien e shitjeve me to. Në mungesë të një autoriteti rregullator të pavarur që monitoron ecurinë e bën transparencën e çmimeve, të sasive e më tej të cilësisë, të dalat në buxhetet familjare do të vijojnë të rriten.

(Marre nga Gazeta SHQIP, 25 Maj, 2013)

PËRGJIMET E AK DHE OFERTAT E PS


Përgjimi 2
Operatorja e PS: Alo përshëndetje!
Anëtari i AK: Përshëndetje!
Operatorja e PS: Flas me zotin Laku?
Anëtari i AK: Po, unë jam.
Operatorja e PS: Ju telefonojmë nga Partia Socialiste në emër të deputetit Saimir Tahiri, për t’ju ftuar që të bëheni pjesë e PS-së. Jeni i interesuar?
Anëtari i AK: Jo, nuk kam punë. Unë jam me Aleancën Kuqezi!
Operatorja e PS: Në rregull. Ju falënderoj. Më falni për shqetësimin.

Përgjimi 2

Operatorja e PS: Alo përshëndetje!
Anëtari i AK: Po, urdhëro!
Operatorja e PS: Ju telefonojmë nga Partia Socialiste në emër të zotit Saimir Tahiri, kryetarit të Partisë Socialiste të Tiranës, për t’ju ftuar të bëheni pjesë e Partisë Socialiste. Jeni i interesuar?
Anëtari i AK: Ku e keni gjetur numrin tim?
Operatorja e PS: Numrin tuaj e kemi marrë nga listat zgjedhore. Anëtari i AK: Po numri im nuk është në listat zgjedhore.
Operatorja e PS: Aty e kemi gjetur.
Anëtari i AK: Po aty nuk ka asnjë numër. Ku e keni gjetur?
Operatorja e PS: E kemi marrë nga listat e gjendjes civile.
Anëtari i AK: As në listat e gjendjes civile nuk ka asnjë numër.
Operatorja e PS: Po tani mua kështu më kanë thënë. Jam thjesht një operatore telefonike, nuk di çfarë t’ju them më shumë.
Anëtari i AK: Jo, unë nuk jam i interesuar fare. Por zoti Saimir Tahiri dhe të tjerët nuk bëjnë mirë me këto gjëra. Lista është marrë nga Aleanca Kuqezi. Edhe ti, edhe Saimir Tahiri e dini shumë mirë, por nuk është mirë kjo gjë që po bëni.
Operatorja e PS: Unë nuk e di fare. Unë jam vetëm një operatore e thjeshtë dhe nuk di çfarë të them më shumë.
Anëtari i AK: Nuk jam fare i interesuar. Kalofshi mirë!
Operatorja e PS: Mirë atëherë, faleminderit!