GRID RROJI: E DJATHTA DHE RRUGA E DUHUR

Debati i hapur nga Mark Marku (Referencat Ideologjike të së Djathtës Shqiptare, Panorama, 19 Janar 2014) mbi boshtin ideologjik të së djathtës shqiptare është një debat i duhur dhe ndoshta i vonuar në skenën shoqërore shqiptare. Marku nënvizon se të djathtës shqiptare i ka munguar një bosht i qëndrueshëm ideologjik dhe e sheh zgjidhjen tek një ideologji e bazuar tek pozicionimet e disa figurave të njohura antikomuniste. Në gjykimin tim premisa duhet shtrirë përtej të djathtës, dhe duhet nënvizuar natyra jo ideologjike e palëve të parisë së Tiranës, e cila ka sunduar skenën politike të tranzicionit.

Në ndryshim nga Marku, unë nuk e shoh zgjidhjen ideologjike të së djathtës në funksion të individëve por tek adoptimi i një vije ideologjike të qëndrueshme kombëtariste. E djathta si nocion ideologjik përfshin një seri konceptesh si prona, familja, shteti, kombi etj., të cilat lidhen së bashku tek ideologjia kombëtare. Veçanërisht në rastin tonë, në prani të shumë rrymave e trysnive që vijnë nga shumë anë, zgjidhja optimale ideologjike për shqiptarët është projekti i ndërtimit të një shteti komb demokratik dhe modern.

Pikësëpari, duhet theksuar se politika shqiptare e tranzicionit ka qenë dhe mbetet një përpjekje pragmatike e parisë së Tiranës për të mbajtur me çdo kusht nën sundim shqiptarët, dhe për të ndarë pushtetin mes klaneve. Si pasojë, palët në mjedisin politik nuk dallohen për nga ideologjia, por nga lidhjet personale, klanore, krahinore etj. Për shembull, në partitë kryesore grupet e ndryshme që konkurrojnë për pushtet përkatësohen në bazë të emrave të përveçëm e jo të ideologjisë.

Ky lloj ligjërimi pragmatik përforcohet nga mënyra se si media i raporton marrëdhëniet politike. Në PD nuk ka ndasi ideologjike midis të moderuarve dhe ekstremistëve por ka “grupe” personale të Bashës, Topallit, Bodes etj., të cilët i përmbledh ombrella familjare e Sali Berishës dhe Trusti i Gështenjave të Tropojës. Në PS nuk ka rryma të së majtës social demokrate dhe asaj marksiste por grupe klanore si 99shat e Ramës, jeniçerët e “qafës së partisë” Gramoz Ruçi, grupi i bashibozukëve të pakënaqur të bashkuar rreth Ben Blushit etj. Duke qenë parti me të kaluar dhe strukturë të mirëorganizuar ndasitë në PS reflektojnë edhe klanet që janë kacafytur gjatë regjimit hoxhist. LSI-ja as nuk bën përpjekje për të fshehur mungesën e ideologjisë dhe vetëetiketohet “partia që të zgjidh punë”.

Në këtë nënshtrat pragmatik, nuk ka asnjë mundësi të flitet për ndasi ideologjike, për një të majtë apo një të djathtë të bazuar në boshte ideologjike sepse ideologjia thjesht është e panevojshme. Më tej, përtej retorikës, nuk ka dallime ideologjike mes palëve sepse të gjithë kanë përqafuar kapitalizmin Putinian që në gjuhën e parisë përkufizohet “vidh ç’të mundësh se kaq meritojnë këta pisa”. Paria ka përqafuar një liberizëm të shfrenuar pa rregulla, ose me rregulla të stilit mafjoz ku dënohen vetëm ata që nuk kanë mbështetjen e duhur. Madje, me anë të kontrollit të informacionit ky është modeli që na imponohet si i vetmi i mundshëm nën okelion e “integrimit në Evropë”. Mirëpo, mungesa tërësore e ideologjisë e rrezikon ndjeshëm legjitimitetin e parisë. Njerëzit në qoftë se nuk lidhen prej ideologjive dhe prej interesit shtetëror e kombëtar,  i kanë litarët shumë të liruar, e nuk mund të pritet besnikëri prej tyre. Asnjë sistem politik nuk mund të krijojë dallueshmëri mes palëve përpos ideologjive.

Ndaj për t’a zëvendësuar ideologjinë, paria ja ka arritur derimësot të krijojë, ushqejë dhe mbajë gjallë ndasi klanore, krahinore, personale e fetare, me anë të të cilave ka mundur të krijojë një diferencim fals midis palëve. Ky lloj diferencimi në bazë të ndasive ka si qëllim të zëvendësojë etikën e kundërshtarëve politikë me atë të armiqve, të zerojë vlerat morale duke i zhytur dhe konsideruar të gjithë si pjesë të llumit, por edhe të mbysë alternativën natyrale të kombëtarizmit.

Ndasia kryesore në të cilën bazohet dhe mbahet legjitimiteti i parisë është e mirënjohura komunist-anti komunist. Edhe argumenti i Markut mbështetet në mënyrë eksplicite në këtë ndasi. Mirëpo, të bazosh një argument në këtë premisë paraqet disa probleme jo të vogla logjike. Së pari,  dallimi që bëhet është praktikisht artificial sepse kryetari i “anti komunistëve” Sali Berisha ka qenë për disa dekada komunist. Më anë tjetër, kryetarët e partisë që përfaqëson strukturën e ish komunistëve kanë qenë nga më “jo komunistët” e komunistëve. Fatos Nano dhe Edi Rama nuk dallohen për konsekuencë ideologjike, madje të dy as nuk kanë ruajtur ndonjë koherencë gjatë karrierës së tyre politike. Pra kriteri i ndasisë komunist-anti komunist në kontekstin shqiptar është strukturor dhe jo ideologjik dhe e paraqet realitetin politik shqiptar së prapthi. Për pasojë, ndasia vetë është e fryrë artificialisht dhe e nxitur për arsye pushteti. Po ashtu, konceptimi i anti komunizmit si vijë ndarëse midis dy grupeve qartësisht të diferencuara nuk përkon me realitetin. Një ndarje e tillë e prerë do të nënkuptonte që raportet njerëzore përcaktohen eksluzivisht në një nivel të caktuar. Një vëzhgim i përciptë i psikologjisë bashkohore e hedh poshtë menjëherë këtë hipotezë.

Më anë tjetër, ka një problem konceptual me përkufizimin. Të jesh kundër regjimit të Hoxhës nuk të bën domosdoshmërisht të djathtë, e as të kesh qenë komunist në atë kohë nuk të bën domosdoshmërisht të majtë sot. Idetë evoluojnë, njerëzit ndryshojnë mendim, dhe gjejnë hapësira të reja ideologjike. Më tej, shembujt e sjellë nga Marku-Prof. Repishti, Prof. Pipa dhe I ndjeri At Zef Pllumi-i bashkon statura e padiskutueshme, dhe kundërshtia ndaj një regjimi kriminal, por jo një ideologji e djathtë. Në fakt, Pipa dhe Repishti kanë pozicionime qartazi social demokrate ndërsa At Pllumi si përfaqësues i kishës katolike nuk mund të mos kishte në ligjërimin e tij një tis thellësisht social. Edhe Pjetër Arbnori, një simbol i “antikomunizmit” të PD-së i cili pat kryer gati 30 vjet burg, ishte dënuar për krijimin e një partie social demokrate. Pra, anti komunizmi nuk të shndërron detyrimisht në të djathtë, sidomos në kontekstin e regjimit hoxhian i cili nuk bëri dallime në persekutimin e të vetëve.

E djathta moderne në vende të zhvilluara përfaqëson frymën konservatore shoqërore, zhvillimin kombëtar në kuadrin e një shteti komb. Ky grupim njerëzish nuk bashkohen vetëm nga prejardhja, përkatësia e familjes apo të qenit anti diçkaje, por nga besimi tek një grup principesh dhe nga gatishmëria për të krijuar një strukturë politike e cila t’i promovojë këto principe.

Sigurisht që çdo popull krijon elitat e veta ekonomike dhe politike, të cilat kanë interesat e veta, mirëpo elitat e vërteta janë ato që punojnë për kombin dhe jo thjesht për interesat e veta të ngushta. Sipas studiuesve ka tre lloje institucionesh të cilat kanë për zemër dhe i dedikohen mirëfunksionimit të një shteti: strukturat ushtarake, shtetërore dhe ekonomike. Në kontekstin shqiptar, paria në fillimvitet 90të shkatërroi qëllimshëm strukturat ushtarake (të rrënuara në vitet e fundit të regjimit komunist po shumë të strukturuara dhe funksionuese), duke eliminuar kësisoj njërin nga polet shtetndërtuese. Më tej, paria e tranzicionit e mbështetur nga urrejtja popullore që kishte krijuar shteti terrorist i Hoxhës dobësoi deri në pragvdekje strukturat shtetërore dhe krijoi shtetin e varur nga politika. Duhet theksuar se kjo nuk ishte e vetmja rrugë, por ishte e vetmja që i garantonte parisë pushtetin.Së treti, paria kooptoi interesat ekonomike duke krijuar ekonominë klienteliste proto kapitaliste, në të cilën suksesi nuk varet nga aftësitë sipërmarrëse të individëve por nga lidhjet e tyre politike. Pra, paria e tranzicionit me veprimet e veta eliminoi çdo mundësi që shteti të lulëzonte e konsolidohej për shkak se eliminoi qëllimshëm dhe kooptoi ato grupe që do të kishin interes t’a mbronin shtetin.

Ndaj, e djathta e re shqiptare nuk mund të mbështetet tek strukturat e vetëquajtura të djathta të cilat rrjedhin nga tranzicioni, por duhet të krijojë një bosht ideologjik të qëndrueshëm bazuar në tre elementët e sipërpërmendur, si dhe duke përparësuar interesin kombëtar.

E djathta moderne shqiptare duhet të synojë t’a çlirojë shoqërinë shqiptare nga pesha e rëndë e marrëzisë kolektive që na ka imponuar derimësot paria e Tiranës. Ajo duhet të bazohet tek vlerat shqiptare, tek funksionimi i një shteti komb demokratik e modern dhe të mbrojë interesat kombëtare të shqiptarëve. E djathta moderne shqiptare duhet të krijojë struktura shtetërore të qëndrueshme, të pavarura nga politika si dhe të nxisë kontrollin e tyre nga një shoqëri civile e pavarur dhe funksionuese. E djathta moderne shqiptare duhet t’i largohet njëherë e mirë strukturave klanore, krahinore dhe personale dhe të promovojë bashkimin e shqiptarëve rreth interesit të tyre kombëtar. E djathta moderne shqiptare duhet të nxisë krijimin e një shoqërie morale e gjithëpërfshirëse, dhe të ruajë e promovojë vlerat kulturore, etike dhe tradicionale të shqiptarëve. Pra, e djathta moderne shqiptare duhet të jetë një përpjekje e re, energjike dhe shtetformuese në interes të kombit.

Në gjykimin tim, zgjidhja optimale për të djathtën shqiptare është ndjekja e një ideologjie politike i cili të përkufizohet nga ndërtimi i shtetit komb, demokratik dhe modern. Thënë ndryshe, shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se ajo që i bashkon është më e thellë se ajo që i ndan. Ajo që na bashkon brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, është të ndjerit shqiptar, veprimi politik në të mirë të shtetit dhe kombit tonë. Për këtë nuk kemi nevojë të shpikim rrotën, mjafton të ndjekim rrugën që n’a kanë treguar burrat e shtetit që konceptuan Rilindjen Kombëtare. Një rishprehje e platformës Rilindase jashtë kontureve të parisë së Tiranës është alternativa më optimale për të ardhmen e shqiptarëve. Po ashtu, e djathta moderne shqiptare duhet të ndërtojë struktura të reja të bazuara mbi këto principe ideologjike e jo në bazë njerëzish. Kushdo mund t’ bashkohet këtij projekti me kusht që të përqafojë pa kushte ideologjinë dhe të mos ketë skelete nga e kaluara. Kjo është rruga e duhur.

GRID RROJI: REPLIKE MBI PARINE E KATOVICES

Pyetjes së një mikeshës time në rrjetet sociale se “cilat do ishin reagimet” për shkrimin Paria e Katovicës ju përgjigja se nuk mund të priteshin reagime intelektuale të mirëfillta ku të shtjelloheshin argumenta të qartë, por do të kishte një mori manovrash, deklaratash, turbullimesh e reagimesh me spondë të cilat do të shërbenin që gjarpri të hynte përsëri në vrimë dhe preja të krijonte iluzionin e të qenit e mbrojtur. Sigurisht që gjarpri në fjalë është paria katundare dhe kriminale e Tiranës ndërsa preja është populli shqiptar.

Reagimet nuk vonuan dhe patën formën e pritshme. I pari, si për të vënë gurin në radhë reagoi gjuhëtari Ardian Vehbiu në blogun e tij Pejsazhe të Fjalës. Pa ju referuar shkrimit drejtpërdrejt, argumenti i Vehbiut ishte se dokumenti i paraqitur nga Servet Pëllumbi nuk mund të ishte autentik sepse “nga ana gjuhësore do të meritonte një dysh, dhe Komiteti Qëndror nuk mund të kish nxjerrë një dokument të tillë”. Më pas erdhi batuta sarkastike e Fatos Nanos “ jam si kokrra e mollës dhe Serveti është i rrjedhur”, dhe dje paradite reagimi i vonuar por brenda pritshmërive i Sali Berishës që si gjithmonë e gjen fajtorin tek bolshevikët me të cilët bën marrëveshje herëpashere.

Po të marrim parasysh se z.Vehbiu nuk e ka fshehur afërsinë që ka me kryeministrin Rama të cilit i ka redaktuar “Kurbanin”, të gjitha palët e përmendura në shkrimin tim dhanë një përgjigje, edhe pse me disa ditë vonesë.

Asnjëri prej tyre nuk foli për substancën, e cila qëndronte në faktin se ka patur një pakt të konsoliduar midis rrethit të drejtuesve të lartë të regjimit komunist dhe një pjese të inteligjencës, të timonuar nga struktura të mirëkonsoliduara por të padukshme të cilat kanë garantuar kontrollin e tyre mbi sistemin politik. Drejtuesit e lartë komunistë janë të kollandrisur me lidhje gjaku deri në brezin e tretë. Me përkujdesjen maksimale të elitës komuniste për martesa të ndërsjella ky grup është edhe më i konsoliduar se sa mund të mendohet. Intelektualët e dalë nga regjimi ishin të uritur e të thyer nga regjimi i mëparshëm, e për rrjedhojë e shitën veten tek prurësi më i parë.

Nga ky pikëvështrim asgjë nuk ka ndryshuar. Madje kjo duket qartazi edhe në përbërjen e parlamentit dhe kontigjentin e ministrave ndër vite. Mjafton të gërmohet pak dhe lidhjet e shumëfishta dhe të ndërsjella mes “familjeve ” dalin menjëherë në pah, pa patur nevojë për shumë teori. Për shembull, në parlamentin shqiptar gjatë tranzicionit nuk kanë munguar asnjëherë përfaqësues të klaneve Hoxha, Kapo, Shehu por edhe shumë të tjerëve të lindur gjatë tranzicionit si Trusti i Gështenjave të Tropojës, apo edhe grupimet që u lidhën rreth masonerisë.

Më tej, argumenti im dhe i kolegëve të Rrethit të Ferrit është se velloja demokratike u shërben këtyre grupimeve për të legjitimuar pushtetin tek faktori i jashtëm ndërsa legjitimiteti i brendshëm garantohet nga propaganda e shfrenuar dhe e shumëanshme. Sigurisht që brenda llojit ka konkurrencë për supremaci por kjo nuk dallohet nga siglat partiake por përkatësia klanore.

Mirëpo asnjëri nga të sipërpërmendurit nuk e hodhi poshtë këtë analizë, por tentuan t’a zhvendosin vëmendjen nga thelbi. Berisha është ai që ka më shumë gështenja në zjarr nga kjo mesele sepse ndodhet nën presionin e humbjes masive të 23 Qershorit si dhe të tentativave për t’a lënë zbuluar në lojën politike. Siç e dinë të gjithë ata që e njohin lojën, të jesh zbuluar do të thotë të kesh çdo gjë në rrezik. Paria nuk ka skrupuj dhe si gjarpri është e aftë të hajë pjesë të trupit të vet për të mbijetuar.

Sakaq, xanxën për këtë shkrim ma dha një reagim i dytë i z. Vehbiu i cili e paskësh marrë shumë personalisht shkrimin tim. Sipas tij, Paria e Katovicës ka gabime logjike elementare sepse “e bazon ekzistencën e Katovicës tek një dokument lëvere, dhe i përket një tradite e cila nuk e respekton debatuesin por e poshtëron atë”.  Z. Vehbiu spekulon edhe për një reagim të Forumit Shqiptaro Amerikan për Demokraci- ku shkrimi e tij vlerësohej si reagim i skutave të parisë-duke e quajtur “reagim idhnak dhe me qëllime denigruese” për shkak se Grid Rroji është kryetar i Forumit. Duke e informuar z. Vehbiu se unë ka disa muaj që nuk jam më kryetar por anëtar i FSHAD-it, si dhe duke e falenderuar për mbajtjen gjallë të debatit mbi Parinë e Katovicës, mendoj së është e vlefshme të korrigjohen disa moskuptime dhe keqinterpretime të kultivuara nga ai në replikën e tij.

Së pari, z. Vehbiu ka harruar që unë e kam vlerësuar publikisht si një nga penat me peshë të diasporës në një shkrim të botuar tek Panorama më 2011. Ndonëse ka disa vite që nuk e frekuentoj më, blogu i tij ka disa anëtarë intelektualë dhe trajton me thellësi tema të caktuara. Sikurse, shpeshherë në faqet e tij gjejnë vend të ngrohtë dhe lulëzojnë teza gjysëm profesionale dhe anti-kombëtare si ato të Oliver Shmitit apo dasitë e promovuara nga paria si psh. Gegë-Toskë. Kapërcime të tilla jo fort të bazuara në fakte janë evidentuar edhe në një replikë publike që autori i PTF pati disa kohë më parë me Mark Markun.

Më anë tjetër, mllefi dhe sulmet ndaj atyre me të cilët z. Vehbiu nuk ndan opinione të njëjta janë të zakonshme në blogun e tij, të lehtësuara edhe nga teknika e llagapeve të cilën ai e mbron me shumë pasion. Për hir të së vërtetës, duhet thënë edhe se dy a tre nga llagapet që ai përdor janë të njohura për publikun. Mirëpo, shumica e pjesëmarrësve në blog ruajnë panjohshmërinë dhe kjo përbën përkufizimin e një skute. Në gjykimin e FSHAD-it por edhe timin personal, kjo skutë i shërben parisë, sidomos duke marrë parasysh se shumë argumenta që ngjizen e trajtohen aty, përfundojnë në shtypin e përditshëm. Ky nuk është denigrim por konstatim, njësoj sikur z. Vehbiu të shprehej se FSHAD-i mbron pikëpamje kombëtariste.

Së dyti, ndryshe nga koha e Nils Bohrit parashikimet janë të mundshme edhe në shkencat jo ekzakte e madje ka teknika shkencore për t’i bërë ato siç vërteton suksesi i statisticienit Nejt Sillvër. Sigurisht që asnjë teknikë nuk garanton mosgabueshmërinë, por nuk ka asnjë dyshim se parashikueshmëria e shumë fenomeneve është sot shumë më e mundshme se në fillim të shekullit të njëzetë. Siç shprehet Efraim Halevi, ish-drejtor i përgjithshëm i shërbimeve izraelite: “disa ngjarje të historisë së shekullit të njëzetë i kam ditur që do ndodhin muaj më parë, për shumë të tjera jam informuar ditë para se të ndodhin, kurse disa i kam marrë vesh nga media”.  Nuk e fajësoj gjuhëtarin Vehbiu që nuk është i informuar për këtë evoluim të shkencave shoqërore e sidomos për atë që quhet shtetbërje (statecraft), sikurse nuk mund të fajësohet miku i tij Mustafa Nano kur shkruan për Gegët dhe Toskët me lehtësinë e një studenti të zellshëm.

Së treti, reagimi i Nanos dhe Berishës erdhi pas shkrimit dhe disa ditë pas deklaratës së z. Pëllumbi. Unë e vija në dukje një vonesë të tillë si të pazakonshme, sidomos në rastin e Berishës. Ndonëse nuk kam prirje të besoj se reagimi menjëherë pas shkrimit është më tepër se sa koinçidencë, të dhënat e mia tregojnë se shkrimi nuk ka kaluar pa u lexuar. Mjafton të krahasohen të dhënat e lexueshmërisë në rrjetet sociale, të cilat janë treguesi më transparent i audiencës në rrjet.

Së katërti, argumenti i shkrimit është se dora e padukshme i ka kontrolluar me kujdes zhvillimet por kjo nuk mund të përkthehet bakallçe si kontroll i çdo faze të karrierës individuale të personazheve. Kontrolli është shumë më i sofistikuar se kaq. Mjafton të marrim si shembull rastin që citon z. Vehbiu, kryeredaktorin dhe të vetëquajturin “rilindës” të Diellit të Nolit dhe Konicës, z. Dalip Greca. Ndodhia që citon z. Greca është në rastin më të mirë irrelevante për shkak se askush nuk e bazon vërtetësinë e atij dokumenti tek ajo që ka nxjerrë Servet Pëllumbi sot apo të tjerë përpara tij në fillimvitet 2000. Por kjo as nuk e minon vërtetësinë apo ekzistencën e një plani të parisë. Ajo copë letër është një mjet për të arritur një qëllim, për të cilën sipas pohimit të tij është përdorur z.Greca. Unë nuk habitem aspak që është zgjedhur ai për t’u përdorur në këtë rast.

Historia e regjimit komunist në Shqipëri nuk le vend për dyshime mbi ekzistencën e disa strukturave të fshehta, të organizuara dhe stërvitura sipas modelit të vendeve të kampit të Lindjes. Shqipëria ka patur një nga shërbimet më profesionale gjatë asaj periudhe, ndërsa njëkohësisht ishin krijuar struktura kontrolluese brendapërbrenda shtetit, ekzistenca e të cilave është provuar me dokumenta nga vëzhgues vendas e të huaj. Ndonëse do të duhen shumë vjet që të hapen arkivat dhe të studiohen dokumentat në tërësi, ekzistenca e tyre është e provuar. Këta janë “profesionistët” të cilët e njohin shtetin dhe protagonistët që dolën nga tranzicioni me dhëmbë e dhëmballë, dhe e konsiderojnë shtetin “të tyrin”.

Kushdo që ka një njohje sado të përciptë të funksionimit të këtyre strukturave në përgjithësi, dhe atyre të Lindjes në veçanti është i ndërgjegjshëm se ato nuk shpërbëhen por transformohen. Shembuj ka pafund por mjafton të citojmë këtu Rusinë e Putinit. Pra, për t’i kuptuar nuk duhet shfletuar Asimovi por Riçard Bets, Mark Louenthal apo edhe Sergei Çakhotin dhe Noam Çomski pwr sa i përket teknikave të propagandës.

Më anë tjetër, kontrolli i lojës bëhet duke lejuar dhe vëzhguar nga larg teatrin e politikës, por edhe duke ruajtur me fanatizëm kontrollin mbi hallkat e rëndësishme të një shteti siç janë asetet ekonomike, nyjet financiare dhe format e organizimit politik. Në një shtet komb normal interesat e elitave gërshetohen me ato kombëtare dhe kufizimet ndaj teprive janë të forta dhe të panegociueshme. Në sistemin që ka krijuar paria katundare e Tiranës e gjitha është në funksion të pushtetit dhe pasurimit të tyre.Në këtë sens paria katundare e Tiranës nuk ka kundërshtarë, në një mënyrë a një tjetër interesat e saj ruhen nga të gjithë. Por kjo nuk i pengon të kontrolluarit prej saj që të përfitojnë për vete, që në kontekstin shqiptar përkthehet me pasurim të menjëhershëm. Synimi i gjithkujt në politikën shqiptare është t’i afrohet standartit të parisë dhe të shndërrohet në pari.

Sakaq,vetë natyra e një regjimi në dukje demokratik nuk lejon kontroll të plotë, sidomos në rastin e një vendi të vogël si Shqipëria ku klasa politike e merr legjitimitetin jo nga sovraniteti i shtetit por nga mbështetja e ndërkombëtarëve. Mirëpo logjika elementare t’a thotë se kjo nuk e pengon kontrollin nga poshtë të lojës politike nga struktura të mirëkonsoliduara të cilat kanë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme. Ndaj, edhe këtu sarkazma e cirkut e Z.Vehbiu nuk ka vend.

Së pesti, ky lloj kontrolli nuk e përjashton aspak rastësinë, fatin apo mundësinë e zhvillimeve jashtë kontekstit të parashikuar nga dora e padukshme. Ajo që Makjaveli e quan Fortuna është fatmirësisht e pakontrollueshme. Mirëpo siç e shpjegova më sipër, rrota e mullirit sillet në mënyrë të tillë që çfarëdo lloj drithi t’i hedhësh gatuan miellin e parisë, për shkak se mekanizmat kyç kontrollohen nga dora e vjetër. Që të ndërrohet mielli duhet rindërtuar mulliri.

Dëshiroj të ritheksoj se në një vend si Shqipëria, të kontrolluar për disa dhjetëvjeçarë me dorë të hekurt nga struktura të mirëkonsoliduara si nga ana funksionale ashtu edhe nga ana e lidhjeve farefisnore e të krushqisë, me propagandë të mirëorganizuar e thellësisht të sofistikuar, si dhe me një popullsi gjerësisht të painformuar nuk është fort e vështirë të kontrollosh lojën politike edhe në demokraci. Madje me zgjerimin e instrumentave të propagandës tek blogjet dhe interneti në përgjithësi dora drejtuese bëhet gjithnjë e më e padukshme. Nuk është vendi për të bërë një shqyrtim të literaturës për këtë çështje por çdo kërkim përtej Wikipedias do të lejonte gjithkënd të informohej për këtë.

Së gjashti, Z. Vehbiu mëton të hedhë poshtë argumentin tim duke bërë insinuatën se po kërkoj vend në politikë. Pa dashur të bëj psikanalistin, ndoshta ky është qëllimi i tij, të cilin ai e reflekton tek të tjerët. Gjithashtu, Z. Vehbiu harron se konceptin e parisë nuk e kam ideuar unë por miku dhe profesori im Shenasi Rama, i cili ka shkruar një libër për këtë argument.

Për sa më përket,unë jam shprehur publikisht se politika në përgjithësi, dhe politika shqiptare në veçanti janë profesioni im. Nuk kam asnjë dëshirë apriori për të bërë karrierë politike, sikurse nuk ndjej asnjë kompleks t’i shërbej popullit tim sido që të mundem. Pozicioni i tanishëm më lejon që të shpreh pa rezerva dhe hapur atë që unë e konsideroj si të vërtetë. Si studiues jam i ndërgjegjshëm se askush nuk e ka monopolin e të vërtetës, ndaj mirëpres kritika konstruktive e të informuara të argumentave të mi.

Ndryshe nga sa gjykon përciptazi e me mllef z.Vehbiu, thënia e të vërtetës më ka krijuar armiq të betuar në të gjitha krahët e politikës shqiptare dhe në diasporë, por nuk vjen pa kosto edhe në nivelin miqësor personal. Shqipëria është vend i vogël. Unë mundem vetëm të shpresoj se e drejta është me mua dhe të ruaj përulësinë para popullit tim.

Për t’a përfunduar, Paria e Katovicës ekziston përtej debatit mbi vërtetësinë e një dokumenti. Sundimi i saj mbi shqiptarët është real. Ajo kontrollon lojën politike në Shqipëri për interesat e veta të cilat bien ndesh me interesat kombëtare. Çdo tentativë për të mohuar këtë realitet që duket sheshit nuk mund të mos klasifikohet si mjegullim, ngatërrim apo tjetërsim i një të vërtete në favor të parisë. Për t’ju rikthyer Halevit:”në botën tonë (atë të hijeve shën.im),me kalimin e kohës, kufiri midis reales dhe hijes bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar”. Në gjykimin tim, e vetmja rrugëdalje është kërkimi dhe deklarimi pa frikë i së vërtetës.

GRID RROJI: PARIA E KATOVICES

Dalja në skenë e dokumentit sekret të Byrosë Politike për Katovicën nuk ishte një ngjarje  e rastësishme por as e papritur. Fjalimi i Ramiz Alisë në  Byronë  Politike njihej nga profesionistet por edhe ka kohë që qarkullon në formë gjysëm zyrtare në shtyp dhe në rrjetet sociale.

Gjithashtu është e ditur se plani original nuk ishte për t’a lejuar pluralizmin menjëherë por me faza.

Ndaj, deklarata e Servet Pëllumbit se Ramiz Alia inskenoi tranzicionin shqiptar në të  gjitha hallkat e tij nga prapa perdeve të  trasha të  regjimit komunist, duke caktuar deri edhe kryetarët e partive të  para pluraliste nuk përbën risi.

Po ashtu, tashmë ka kohë që në shtypin e shkruar diskutohet klasa politike si një pari katundare e dalë nga sinoret e regjimit komunist, e cila ka ndjekur një  linjë  të  qartë  interesash personale në  kurriz të  interesit kombëtar. Shenasi Rama e ka trajtuar problemin e parisë në librin Përrallat e Tranzicionit Shqiptar (Botimet Princi 2012) duke analizuar shkaqet dhe pasojat e krijimit të  një  grupimi të  tillë  shoqëror madje duke i tipologjizuar grupimet e saj si për shembull trusti i gështenjave të  Tropojës, klani i jeniçerëve, banda e lavatriçeve apo grupet e martallozëve dhe bashibozukëve.

Më  tej, gjatë  fushatës së  fundit zgjedhore një  grup studiuesish dhe analistësh tek blogu Rrethi i Ferrit përfshi edhe të nënshkruarin, e interpretuan fushatën duke u bazuar në analizën e parisë.  Pra, z.Pëllumbi nuk tha asgjë të paditur e të pathënë publikisht më parë .

Risia e deklaratës i përket burimit prej nga doli informacioni. Z. Pëllumbi është një nga eksponentët e lartë  të  PPSH-së  dhe të  parisë  së Tiranës, me interesa të  qarta në  ekonomi dhe në lojën politike të  tranzicionit.

Gjithashtu, megjithëse media i referohet si “filozofi i të  majtës” z. Pëllumbi kredinë e ka fituar në  politikën aktive. Më  tej, si një  nga njerëzit e dalë  nga Partia e Punës dhe si një individ që  ka përfituar nga skema e Ramiz Alisë të cilën e zbulon sot me dokumenta konkrete, ai ka gjasa të  ketë  qenë i informuar me kohë për këto çështje. Pra, deklarata nuk mund të  jetë as një  lajthitje e rastësishme e as e pakëshilluar me qarqe të  caktuara, të  cilat ndonëse në hije kanë përcaktuar të  gjitha lëvizjet politike gjatë  tranzicionit. Thënë thjesht, deklarata ishte e porositur dhe e mirëllogaritur.

Më  anë  tjetër, kjo deklaratë  disi e papritur në  fillim të pushtetit Rama-Meta krijon më  shumë pikëpyetje se sa përgjigje. Së pari, përse tani? Cilat janë  arsyet që e shtyjnë “dorën e padukshme” të  pohojë ekzistencën e vet, ndërkohë që  është  kujdesur me shumë mund gjatë këtyre viteve t’ja fshehë  popullit prezencën e saj me të  gjitha mjetet? Së  dyti,cili është  mesazhi i vërtetë  pas deklaratës? Kujt i drejtohet ky mesazh dhe cili është  synimi i tij? Së treti, cilat janë përfundimet që  mund të  nxjerrim duke marrë  parasysh se tashmë  paria e Katovicës nuk ngurron të dalë hapur dhe madje t’a vendosë  vetveten qartazi kundër popullit?

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk janë të  thjeshta. Duke u nisur nga momenti politik kritik, pritej që  reagimet të ishin të egra, sidomos nga personazhet që janë në politikë. Mirëpo, pas mesazhit të Pëllumbit duket se ka rënë heshtja, a thua se të gjithë protagonistët kërkojnë ta hedhin pas këtë episod, e t’a harrojnë  sikur të mos ketë ndodhur.

Nuk kemi parë derimësot reagim nga i diskredituari i parë nga ajo deklaratë, Sali Berisha. Megjithëse gjeti kohë të kritikojë Tifozat Kuqezi, në llogarinë e tij në  Fejsbuk nuk gjindet asnjë reagim për këtë  akuzë e cila ja rrëzon të  gjithë  legjitimitetin si udhëheqësi i lëvizjes demokratike të Dhjetorit. Në rastin e tij veçanërisht, heshtja flet shumë.

Heshtja ka pushtuar edhe Kryeministrin cicërues Rama dhe bashkëudhëtarin e tij Meta, por edhe të gjithë eksponentët aktualë të  PS-së. Përbën habi sidomos heshtja e atyre që e kanë ndërtuar profilin politik me anë të  sulmeve kundër “gogolit” Berisha, paçka se sipas z.Pëllumbi Berisha nuk paska qenë aq i ndryshëm nga ata.

Nuk ka reaguar as ndonjë nga kryetarët e partive të  vogla si Skënder Gjinushi apo familja e të ndjerit Sabri Godo, të cilët kanë rregulluar dhjetë breza me pazaret që kanë bërë në emër të demokracisë.

Nuk kanë reaguar as familjarët e “tribunit të  demokracisë ”Azem Hajdari, eshtrat e të  cilit sapo u transferuan me ceremoni shtetërore në varrezat e dëshmorëve. Aq më pak mund të  pritet ndonjë  reagim nga një pensionist i politikës si Fatos Nano.

Duke u nisur nga sa më sipër, gjykoj se mesazhi i përçuar nga z. Pëllumbi nuk i drejtohet vetëm përfaqësuesve të  klaneve të  parisë, por përbën një mesazh për gjithë qytetarët shqiptarë se loja politike dhe rrjedhimisht edhe shteti kontrollohet tërësisht prej arkitektëve të parisë sipas strategjisë së Katovicës.

Një tjetër mesazh është se qeveria aktuale duhet mbështetur sepse e ka gjetur gjuhën me njerëzit e duhur. Edhe pse kryeministri Rama duket se ka krijuar një celulë ojq-iste brendapërbrenda PS-së me të  cilën dëshiron të qeverisë,dërguesit e z.Pëllumbi kërkojnë të na thonë se Rama ka siguruar mbështetjen e dorës së padukshme, atij grupi të  konsoliduar pa miratimin e të  cilit askush nuk ka mundur të qeverisë gjatë  këtyre 23 viteve. Pikësëpari ky duket të  jetë  qëllimi i bërjes publike të  skemës së Ramiz Alisë shumë kohë përpara Dhjetorit 1990.

Më anë tjetër, koha e përzgjedhur për t’a përçuar këtë mesazh është po ashtu e rëndësishme. Me       rrënimin përfundimtar të  shtetit dhe krijimin e një  sistemi politik pastërtisht oligarkik, me kapjen e interesave ekonomike nga paria dhe rënien e kontributeve nga diaspora, me zvetënimin tërësor të shoqërisë dhe normave të moralit, si dhe me bjerrjen e pritshme të mitit të integrimit paria e ka të  qartë se farsës së  saj 23 vjeçare po i vjen fundi. Çfarëdo strategjie mediatike të gatuajë Kryeministri Rama, dhe sado që skuadra e tij do të  vazhdojë  të na servirë nga një lajm “të madh” çdo ditë, duket qartë se paria nuk i ka mjetet e nevojshme për t’ja hedhur edhe kësaj here. Kur thika ekonomike të  prekë kockën, shqiptarët do kërkojnë llogari.

Mirëpo në mendjen e parisë shteti është i tyri, ndaj shqiptarët kanë marrë atë  që meritojnë. Duke qenë  në kontroll të plotë të të gjitha hallkave të pushtetit, demokracia u është kthyer në një procedurë të  bezdisshme.

Megjithatë, ata e dinë se katastrofa ekonomike që po afrohet nuk do lerë shumë vend për manipulimet e zakonshme. Paria i druhet me të drejtë kthesave të mëdha, sepse vetëm ato ja rrezikojnë realisht vazhdimësinë në pushtet. Ndaj, duke u treguar shqiptarëve se edhe Edi Rama është aty ku është në sajë  të mbështetjes së dorës së padukshme të parisë së Katovicës ata synojnë të  dekurajojnë çdo lloj lëvizje politiko qytetare që ka për qëllim ndërtimin e shtetit. Me mesazhin e z.Pëllumbi ata po i thonë publikut dhe kujtdo tjetër se zgjidhjet kalojnë domosdoshmërisht nëpërmjet tyre.

E fundit, por jo nga rëndësia, publikimi i skemës së Katovicës bëhet edhe për të  delegjitimuar Lëvizjen Studentore të Dhjetorit e cila me sa duket u kish dalë dore. Historia e manipuluar e Dhjetorit 90’, e promovuar këto 23 vjet nga paria, i ka shërbyer pikërisht kësaj dite kur i gjithë  tullumbaci i fryrë i versioneve që  ndryshonin sipas stinës të delegjitimohej përfundimisht. Me sa duket dora e padukshme ende i druhet legjitimitetit të asaj Lëvizjeje në popull dhe kërkon t’ja mbyllë të gjitha shtigjet e mundshme në të ardhmen.

Mirëpo, megjithë përpjekjet e mëdha për të ngritur tymnaja do të jetë e pamundur të mbulohen të  vërtetat e Dhjetorit. Në  fakt, disa ish-studentë i kanë  publikuar kujtimet e tyre, të cilat ndryshojnë kryekëput nga historiografia zyrtare, pa u ndeshur me ndonjë reagim nga protagonistët e vetëshpallur e as nga shoqatat tashmë të  shumta që popullojnë skenën publike. Mungesa e reagimit ndaj tyre dëshmon se ende ka shpresë për të  zbuluar të vërtetën e plotë të  atyre ngjarjeve. Gjithashtu, fatmirësisht versionet e ndryshme të palëve dhe metamorfoza e tyre gjatë viteve janë të regjistruara nëpër arkiva televizive dhe të medias së  shkruar të cilat nuk do t’i shpëtojnë historisë. Publikimi i skemës së Katovicës e rihap këtë debat.

Për ta përfunduar, gjykoj se bërja publike e dokumentit zyrtar të  Byrosë  Politike për Katovicën është një  ngjarje e rëndësishme për disa arsye. Së pari,i heq çdo lloj velloje legjitimiteti politikanëve që  derimëtani kanë deklamuar meritat për ndryshimet demokratike në dhjetor të nëntëdhjetës. Së  dyti, ridimensionon legjitimitetin e sistemit politik në tërësi duke konfirmuar atë që  shumë nga ne ka kohë  që e quajnë një oligarki e pastër. Së  treti, konfirmon kapjen totale të  shtetit dhe politikës nga paria dhe mungesën e zgjidhjeve reale brendapërbrenda kontekstit të  parisë . Së katërti, nënvizon ekzistencën e një strukture të padukshme e cila kontrollon në masë të madhe të gjitha klanet e parisë. Së pesti, demaskon si taktikë  pastërtisht konjukturale dhe në masë të madhe të stisur përdorimin nga paria të ndasive e veçanërisht ndasitë komunist-jo komunist dhe gegë-toskë. Së  gjashti, rikonfirmon strukturën dhe mendësinë katundare dhe antikombëtare të klaneve të  parisë,  të cilat nuk janë ndalur përpara asgjëje për të ruajtur interesat e tyre meskine.

Ndaj edhe duhet që shqiptarët të mos ua vënë më veshin premtimeve dhe llomotitjeve të kësaj klase politike. Ata të  gjithë  i ka pjellë  Katovica.

GRID RROJI: MODELI I IMAZHIT: BERISHIZEM 2.0

Me fillimin e punës së qeverisë së re, është koha për të bërë një bilanc paraprak mbi veprimin politik të shumicës së dalë nga 23 Qershori. Në këtë pikëvështrim, gjykimi mbi risitë e mundshme është detyrimisht i kufizuar tek PS-ja jo vetëm sepse Rama është tashmë kryeministër, por edhe sepse për sa i përket pushtetit dhe LSI-së asgjë nuk ka ndryshuar.

Modeli i përqafuar nga kryeministri Rama duket se është ai i krijimit të një imazhi ndryshe, si nga ana foljore ashtu edhe nga ajo pamore. Ligjërata e tij e kultivuar politike, përzgjedhja e ministrave nga radhët e të rinjve besnikë të vet, dhe paraqitja e tyre si fytyra të reja e të paprovuara janë në koherencë me fushatën zgjedhore ku argumenti kryesor i Ramës ishte “na provoni edhe ne”. Nuk mund të mohohet se përtej batutave kërcënuese të panevojshme, ligjërimi publik i kryeministrit Rama është modern, me ngjyra europiane dhe më e rëndësishmja imazhi që projektohet është i sendërtuar profesionalisht në të gjitha hallkat.

Mirëpo, e ashtuquajtura Rilindje nuk mund të ndërtohet vetëm me penelatat mediatike të ekipit të piarit. Ana e imazhit, ndonëse me rëndësi të pamohueshme në politikë, nuk mund të zëvendësojë thelbin e veprimit politik. E pikërisht veprimi politik i shumicës së re qeverisëse duket se nuk ka dallime thelbësore nga paraardhësit e palës tjetër të parisë. Thënë thjesht, shumica e re është e shqetësuar për pushtetin dhe jo për shtetin.

Një nga shembujt më domethënës ishte fotoja e publikuar nga mediat e ministrit të ri Erion Veliaj duke dërguar një fëmijë rom në spitalin ushtarak. Pa e paragjykuar aspak dhembshurinë e ministrit fotozhenik, nuk kishte asnjë arsye për të publikuar një foto të tillë sidomos kur Veliaj ende nuk ka mundur të bëjë asgjë për atë shtresë. Shpresoj që kur të ketë patur kohën e mjaftueshme për të bërë diçka, ministri t’a ketë justifikuar mbulimin pozitiv mediatik, si dhe të ndërgjegjësohet që një veprim vërtet i dembshur shpeshherë imponon heshje dhe anonimitet. Publikimi i menjëhershëm i fotos për të ngritur profilin e ministrit të ri është shfrytëzim tipik i modelit të imazhit për përfitim politik, por nuk sjell asnjë risi thelbësore në politikëbërje. Ndoshta qeveria do kishte përftuar një imazh shumë më pozitiv nëse do kishte denoncuar në prokurori për shkelje ligji mjekun, shefin e pavjonit dhe drejtorin e spitalit.

Më tej, programi qeverisës i paraqitur në Kuvend dhe Kodi i Etikës së Ministrave janë përkthime konceptualisht të dobta e me kundërshti të brendshme nga homologët britanikë. Në qoftë se do të gjykonim thjesht nga këto dy dokumente, kryeministri Rama nuk ka kurrfarë qëllimi për të ndërtuar shtet, por ka ndër mend të shfrytëzojë pushtetin për të gjeneruar një imazh të ri, i cili t’i garantojë rizgjedhjen pas katër vjetësh. Përdorimi i fjalëve “ristrukturim” apo “reformë” kodifikon qëllimin për ndryshime masive në administratën publike, por nuk garanton aspak se këto ndryshime do të bëhen në bazë të ligjit. Përkundrazi, sipas njoftimeve në media nxitimi për të ristrukturuar të gjitha ministritë përpara 15 Tetorit ka lidhje me faktin se në atë kohë hyn në fuqi ligji i ri që garanton të drejtat e punonjësve të administratës. Nuk ka dyshim që pjesë të caktuara të administratës janë të mbushura me militantë partiakë, por ajo që nuk po dëgjojmë nga qeveritarët e rinj është se zëvendësimi i tyre nuk do të bëhet me militantë të palës tjetër. Mënyrat për t’a zgjidhur çështjen janë të ditura botërisht pra ajo që mungon është vullneti politik për të ndërtuar një shtet legjitim. Një tjetër shembull i mungesës së qartësisë ideologjike është mungesa e elementëve thelbësorë të shtetndërtimit. Askund në program nuk përmenden koncepte themelore të shtetit si sovraniteti, fuqizimi dhe modernizimi i ushtrisë shqiptare, përafrimi dhe bashkëpunimi me Kosovën dhe faktorin shqiptar në Maqedoni për të krijuar një agjende mbarëshqiptare, apo edhe krijimi i një modeli të ri ekonomik kombëtar. Përkundrazi, synimi kryesor i qeverisë së re është i njëjtë me atë të 2009-s, integrimi europian.

Më tej, në fjalën e tij të parë si kryeministër, Rama nuk zgjodhi të bëhet palë me popullin e t’ja thotë të vërtetën e batakut ku ndodhemi haptaz e qartë. Në fjalimin e tij elokuent në Kuvend, Rama shprehu shumë koncepte të përgjithshme jo koherente idelogjikisht,por nuk përshkroi qartë situatën dhe nuk dha zgjidhje konkrete për problemet për të cilat tashmë duhet të jetë në dijeni të plotë. Duke marrë parasysh se pozitat dhe ndikimi i LSI-së në qeverisje është shumëfishuar, mungesa e qartësisë nga Rama nuk le shumë vend për të shpresuar se qeverisja e re do të sillet ndryshe ndaj shqiptarëve nga ato të kaluarat.

Ky model i përqafuar nga Rama nuk është i ri, ka qenë në bazë të veprimit të tij politik si kryebashkiak i Tiranës, dhe mund të përkufizohet berishizëm 2.0, ose më saktë vazhdimësia e kapjes së shtetit me petka të reja e moderne. Ndonëse do jetë e vështirë të tejkalojë zullumet e paraardhësve, ky model nuk ofron shpresë për ndërtimin e shtetit kombëtar, pa të cilin nuk kemi shanse të dalim nga humnera politike, morale dhe ekonomike në të cilën jemi zhytur.

Ky lloj modeli bëhet edhe më i dëmshëm në kushtet kur qeverisë i mungon një opozitë e mirëfilltë. Klithmat luftarake të Partisë së SaLulit nuk kanë qëllim bërjen e një opozite që t’a mbajë qeverinë nën trysni pozitive për të mirën publike, por thjesht mbrojtjen e interesave të Sali Berishës dhe rrethit të tij familjar. Lufta në parlament do bëhet për të mbrojtur interesa të cilat janë kryekëput në kundërshtim me vendosjen e një rendi të konsoliduar shtetëror.

Njëherazi, kjo lloj sjelljeje sipërfaqësore e qeverisë së re, nuk e justifikon besimin e atyre që kërkuan ndryshim më 23 Qeshor. Përtej militantëve që po tregtojnë këto ditë punësim dhe favore, një masë e madhe shqiptarësh që votuan për mazhorancën e re, por edhe shumë që nuk e votuan atë, presin sinjalet e duhura për të rivendosur autoritetin e shtetit. Kryeministri Rama duhet të ndërgjegjësohet se opozita e vërtetë nuk do jetë Sali Berisha dhe partia e SaLulit. Opozita e vërtetë do të jenë të rinjtë e të rejat e nismës Vota e Bardhë, studentët në grevë të Ekonomikut, intelektualët e rinj brenda dhe jashtë Shqipërisë që po guxojnë të thonë të vërtetën dhe shqiptarët e papërlyer kudo që gjenden. Ata presin jo vetëm që të ndëshkohen abuzuesit që kanë lidhje me pushtetin e Berishës, por që ligji të sundojë mbi të gjithë dhe gjithshka. Ata presin që shteti të ndalojë monopolet e naftës por edhe monopolin e hekurit, të dënojë trafikantët e Lazaratit e Shijakut por edhe ata të Fierit e Vlorës, të njohë të barabartë përpara ligjit Shkëlzenin dhe Argitën por edhe Ledjon, Koçon dhe përfaqësuesit e klanit të arkitektëve që betonuan Tiranën. Ata presin të ndëshkohen manipuluesit e zgjedhjeve, çunat e Palokës në Mamurras por edhe garibat e Ben Ndokës në Lezhë, të skeduarit e Olldashit në Fier por edhe bandat e Tomës dhe Ben Çelës në Shkodër. Ata presin që të ndëshkohen të gjithë ish ministrat demokratë që kanë llogari bankare jashtë Shqipërisë, por edhe ministrat e deputetët aktualë socialistë, të cilët kanë vite që mbajnë standarte luksi me paratë e vjedhura nga shqiptarët. Dosjet e tyre nuk ka nevojë të ndërtohen nga e para, mjafton të konsultohen me partnerët e huaj. Ata presin që kryeministri i ri t’u thotë miliarderëve të pasuruar në kurriz të shqiptarëve pa asnjë lloj kriteri e rregulli se tanimë duhet të paguajnë për të ringritur shtetin gjysëm të falimentuar. Koha nuk pret.

Mbi të gjitha, sfida e Ramës është që shteti shqiptar të mos jetë më instrument pushteti i klaneve të parisë apo edhe i atij grupit të padukshëm por të kudogjendshëm që i kontrollon fijet nga nëntoka e politikës. Sfida e qeverisë së re është që të ndërtojë një shtet të shqiptarëve e jo një shtet privat të klaneve të jeniçerëve të veshur me piar anglez.

Që ta bëjë këtë, z. Rama duhet të ketë kurajon të vendosë në peshore të kaluarën dhe të ardhmen e vet politike. Atij i duhet të zbatojë deri në fund ligjin, qoftë edhe duke rrezikuar rizgjedhjen e vet, por mbi të gjitha duke dalë nga gjirizet e parisë në të cilat ka notuar deri tani. E përsëris, ai nuk duhet t’u druhet kërcënimeve të partisë së SaLulit, por reagimit të pjesës së shëndoshë të shoqërisë shqiptare e cila nuk dëshiron të presë më për të ndërtuar shtetin. Ai duhet të zgjedhë midis parisë dhe shqiptarëve.

Mirëpo, në këto fillime qeverisëse, z. Rama po na tregon fatkeqësisht se e ashtuquajtura Rilindje nuk kishte synim ndërtimin e shtetit por konsolidimin e pushtetit në duart e klaneve të jeniçerëve, martallozëve dhe bashibozukëve, mbështetjen e të cilëve ai e ka tanimë. Ndaj edhe gjykoj se qeveria e re po na servir një model më të sofistikuar të berishizmit, berishizmin 2.0.

GRID RROJI: PËRMBYLLJA E MARRËVESHJES SË NGJALAVE DHE MËKËMBËSI I FAMILJES NË PD.

Farsa e sapokonsumuar në Partinë Demokratike, ndryshe e njohur edhe si Trusti i Gështenjave të Tropojës, ishte vetëm përfundimi logjik i asaj që filloi të përvijohet publikisht më 1 Prill. Siç e patëm thënë  këtu tek Rrethi i Ferrit marrëveshja nuk mund të ishte konsumuar pa bekimin e Sali Berishës dhe bandave që e mbështesin. Sipas dukjeve, marrëveshja ishte për një kalim të butë të pushtetit, me një shumicë të ngushtë parlamentare të PS-së dhe një forcim të pjesshëm të Metës, i cili do të shërbente si valvul sigurie për të ardhmen e familjes së Berishës. Objektivi final dhe i përhershëm i të gjitha palëve të parisë së Tiranës ishtë  dhe mbetet“mishi të piqet e helli të mos digjet”. Thënë me gjuhën e tyre “të kaurdisemi me yndyrën tonë e t’u shesim shqiptarëve rotacionin për demokraci, se këta pisa kaq meritojnë”.

Mirëpo, megjithëse pakti që garanton pushtetin dhe rotacionin mes tyre nuk shkelet, bandat nuk ja kanë besën njëra tjetrës dhe as nuk kanë konceptin e ndershmërisë. Më tej,  Meta nuk është lojtar dosido që të përdoret aq kollaj. Ai e di se të bëhesh valvul sigurie për dikënd sot nuk garanton që ti nuk prekesh nesër. Ndaj, ndërsa farkëtonte marrëdhënien me familjen Berisha nëpërmjet mëkëmbësit të familjes i cili sapo u emërua kryetar i PD-së, Meta projektonte që të mos ishte më kurrë peng i kasetave apo ndonjë trilli të ndokujt për drejtësi reale. Kësisoj, votat e PS-së mbetën sipas marrëveshjes pak a shumë ato të 2009-ës. Më anë tjetër Meta, me miratimin e heshtur të Berishës, krijoi me finokëri një sinergji kriminale mes bandave të veta dhe atyre të PS-së, e cila i mundësoi një fitore spektakolare por edhe i jep garanci të tjera për të ardhmen.

Megjithëse nuk e priste të dilte kaq i dobët nga përplasja zgjedhore, Berisha e kishte marrë me kohë mesazhin se duhej të largohej nga pushteti. Pra, e gjithë loja e parisë nuk mund të mos kulmonte në “tërheqjen” e Berishës edhe pse në konturet e saj tava ka ndryshuar. Nëse përpara zgjedhjeve Berisha mund edhe të kishte menduar të tërhiqej si kontrollues në prapaskenë i një opozite të fortë numerikisht, dalja nga skema fillestare e LSI-së e bëri pensionin një rrezik të papranueshëm. I regjur nëpër llumnajën e parisë para dhe pas 90ës, Berisha e di më mirë se kushdo se garancitë parazgjedhore dhe shtrëngimet e duarve me bandat kundërshtare nuk vlejnë asnjë grosh kur ata kanë një shumicë kushtetuese, e cila me gjasë nuk do e ketë problem të blejë edhe një numër të konsiderueshëm nga mercenarët e listave të Berishës. Duke qenë se kemi të bëjmë me banda kriminale këtu nuk flitet më për garanci politike, por për mbijetesë. Jo më kot në mesazhet që bandat u dërgojnë njëra tjetrës këto ditë flitet për “burgosje” dhe “zhbërje të të gjitha aktiviteteve ekonomike të mëparshme” nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër kundërpërgjigja është “nuk i njohim zgjedhjet, opozita në rrugë”.

Në të njejtën kohë, Berisha është gjithmonë disa hapa përpara qehajejve dhe pretendentëve në partinë e vet. Me shfryrjen si tullumbac të figurave si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Sokol Olldashi dhe atyre që konsideroheshin “qëndrestarët e post 97ës” Berisha ka garantuar se tashmë legjitimiteti brenda Trustit do të matet me “luftën e rrugës” që do i bëhet bandave që po vijnë në pushtet. Megjithëse paralajmëron furtunë, qëllimi i vërtetë i opozitës në rrugë do të jetë mbajtja e një mbulese mbrojtjeje nga Berisha kundër revansheve të mundshme nga bandat në pushtet.

Pra, pikërisht sepse ka nevojë për një kone të bindur e të lidhur katërcipërisht me fatin e vet, por edhe pse ja njeh lidhjet me ustallarët e vjetër e të rinj të parisë dhe e ka sjellë për dore deri në këtë pikë, emërimi i mëkëmbësit të familjes Lulzim Basha në krye të PD-së nga Berisha ishte një përfundim logjik dhe  pashmangshëm. Kjo përmbyll edhe shndërrimin përfundimtar të PD-së  në një sipërmarrje off-shore të Trustit të Gështenjave të Tropojës. Tashmë Berisha ka një figurinë, dhe një emër jashtë parlamentit  të cilin do t’a përdorë siç pat përdorur Tritan Shehun kur ishte në Presidencë. Pra, Sali Berisha jo vetëm që është në politikë por mbetet strumbullari rreth të cilit do sillet Trusti i Gështenjave të Tropojës, më parë i njohur edhe si PD.

Gjithashtu, përtej retorikës boshe të banditëve që po vijnë në pushtet, një Berishë i dobët, i frikësuar për fatin e vet dhe të familjes, luftarak por i kontrollueshëm i shërben më së miri koalicionit të bandave të “Rilindjes”. Luftarakëria e pritshme u rrit atyre legjitimitetin demokratik, duke krijuar imazhin se opozita i ka të gjitha hapësirat demokratike për të kundërshtuar. Më tej, vendosja e një njeriu të kompromentuar si Lulzim Basha në krye të Trustit-edhe pse vetëm nominalisht- u jep garanci bandave që po vijnë  se nuk do ketë lojëra force me pushtetin. Simbioza Meta-Basha gjithashtu krijon vegimin se Trusti mund të rikthehet shpejt në pushtet duke ja lehtësuar legjitimimin mëkëmbësit. Dhe më e rëndësishmja lidhjet e dukshme dhe padukshme midis qarqeve ekonomiko-mafjoze që mbështesin dyshen Basha-Berisha në kuadër të Trustit, dhe bandave të të uriturve që po vijnë garantojnë një ndarje “ të ndershme” të tortës publike.

Më anë tjetër, për këdo që mund të kishte ndonjë keqkuptim, proçeset e fundit të emërimit qartësojnë çdo dyshim se PD-ja ishte dhe mbetet një parti personale dhe familjare e Berishës e cila e meriton emërtimin Trusti i Gështenjave të Tropojës. Strukja në skutat e anonimitetit politik të disa kinse figurave që deri para pak muajsh mendonin se kishin rrënjë të thella në atë parti, tregoi se të gjitha pretendimet e tyre ishin flluska sapuni. Padija e thellë politike dhe mungesa totale e ndonjë ideologjie drejtuese nuk i lejoi ish drejtuesit qëndrestarë të shihnin se administratorët qesharakë të partisë, si Flamur Noka e Keltis Kruja ishin pikërisht ata që ishin caktuar për t’i eliminuar.

I kalitur në shkollën e Partisë së Punës, Sali Berisha e njeh mirë metodologjinë e thyerjes së njerëzve nëpërmjet nënshtrimit të vazhdueshëm kundrejt cilitdo lloj poshtërimi. Të jesh me Sali Berishën kurdo dhe në çdo rast nuk do të thotë të jesh politikan, por shërbëtor kokëulur dhe i përdorueshëm. Dhe si çdo gjë njëpërdorimshe, pas përdorjes vjen hedhja tutje. Për ata që kishin si synim kockën ky lloj përdorimi prodhoi vila dhe pasuri. Për ata që kërkonin të dilnin në krye kjo ishte një përballje me realitetin e hidhur se askush nuk mund të sfidojë Kumbarin.

Në fakt, nuk duhet të na vijë keq për hedhjen në plehra të atyre që me arrogancë mendonin se shqiptarët janë trutharë e mosmirënjohës dhe nuk meritojnë më tepër. Ndoshta po të kishin patur ndopak personalitet politik do t’a meritonin keqardhjen.

Ajo që është shpërdorim dhe për të ardhur keq është shndërrimi i një partie që kishte lindur nga aspiratat e Lëvizjes së Dhjetorit, që ju paraqit shqiptarëve më 2005ën si uragan moral kundër korrupsionit, në një çetë të një Trusti bandit e anti-kombëtar i cili  është i gatshëm t’i verë zjarr Shqipërisë për “menderen e vet”. Asgjë më shumë se kalimi nga standarti Rusmali tek standarti  Jaka i “Mulit të Novosejës” nuk e ilustron këtë kapërcim. Pra, vdekja e çdo shprese për një rikthim të PD-së në origjinën e vet si përfaqësuese e frymës së lirisë së popullit shqiptar është një fenomen që duhet të trishtojë të gjithë shqiptarët e jo vetëm mbështetësit e saj.

Por a do jetë Trusti një forcë opozitare? Siç e pohoi vetë Marshalli i Trustit, mëkëmbësi “do të ndërtojë një opozitë për të rifituar jo numrat por moralin”. Mirëpo kjo na thotë edhe se këta që humbën thellë kundrejt “Rilindasve” të ndritur të krimit si Tomë Doshi, Lefter Koka, Anastas Angjeli,  Mark Frroku e Fidel Ylli nuk e kishin kartën morale. E nëse nuk e kishin ndërsa ishin në pushtet, nuk ka se si t’a rifitojnë besueshmërinë morale në opozitë. Koha shlyen shumë gjëra, por hajni mbetet hajn, banditi mbetet bandit e dallkauku dallkauk. Siç e thotë Mirush Kabashi në një film të vjetër shqiptar “bishti i qenit, bisht qeni mbetet”.

Pra ironikisht, deklaratat strategjike të Sali Berishës për të ardhmen në opozitë, janë prova më e qartë e banditizimit të pakthyeshëm të Trustit. Dhe një çetë zuzarësh nuk mund t’i kundërvihet një çete tjetër zuzarësh për të mbrojtur interesat e qytetarit. Ata e kanë më kollaj të merren vesh me një të shkelur syri, siç janë marrë derimësot. Trustin e Gështenjave të Tropojës dhe çetat e Jeniçerëve, Martallozëve, Bashibozukëve dhe Frigoriferëve i bashkon mendësia anti-shqiptare, urrejtja për popullin e vet dhe interesi për të ruajtur monopolin si pari. Ndaj edhe Trusti nuk do të bëjë opozitë të vërtetë sepse nuk e ka legjitimitetin e duhur.

Opozita e vërtetë ndaj bandave të uritura të krimit që po vijnë në pushtet me thesin e hapur do të vijë kur të krijohet një forcë e re, e pavarur nga e kaluara e errët e tranzicionit të imponuar nga paria, me ideologji të qartë kombëtariste dhe përkushtimin për të ndërtuar një shtet komb. Deri atëherë do të mbetemi këqyrës të farsave pa fund të bandave dhe çetave të parisë të cilat do të vazhdojnë të tallen haptas me ne. Sepse për ta, ne aq meritojmë, ne jemi “këta pisa që n’a kanë ra për hise” sepse “kur u ndanë këto n’a ranë”. Ata e përmbyllën marrëveshjen e tyre dhe tani po luajnë teatër.

Ka ardhur koha t’u tregojmë se jemi ne që i kemi toleruar dhe jo anasjelltas, se ne jemi një komb i vjetër e me traditë, se ne dimë të ndërtojmë një shtet komb të konsoliduar me të cilin të krenohemi sot e mot.

GRID RROJI: DEBATI MBI KOMBËTARIZMIN

Debati i hapur tek Rrethi i Ferrit mbi vlerën dhe aktualitetin e ideologjisë kombëtariste është një debat i duhur dhe i munguar përgjithësisht në arenën publike shqiptare. Shpeshherë dëgjojmë një përkufizim të cunguar të kombëtarizmit kryesisht të lidhur me nocione të ushtrimit të dhunës ndaj pakicave apo fobive ndaj tyre. Mirëpo kombëtarizmi që kërkon ndërtimin e shtetit komb është një qasje e cila jo vetëm qëndron në thelb të zhvillimit të shtetit modern qysh nga shekulli i XVIII-të, por edhe një nga realitet i pakundërshtueshëm ndër shtetet europiane dhe fqinjët tanë në Ballkan. Në këtë kuptim, ndërtimi i një shteti komb të konsoliduar është jo vetëm nevojë imediate por domosdoshmëri historike për shqiptarët.

Ndaj, mendoj se ashtu siç e kanë shprehur edhe kolegë të tjerë tek Rrethi i Ferrit zhvillimi dhe përhapja e ideologjisë kombëtariste si dhe kërkesa për të ndërtuar një shtet komb modern është rruga e vetme drejt kapërcimit të problemeve të tranizicionit, të cilat më shumë se kurrë kërcënojnë sot shqiptarët.

Kombëtarizmi: Një përqasje teorike.

Kombëtarizmi është një ideologji që u ka shërbyer shumë kombeve për t’a organizuar shoqërinë rreth një shteti me bazë kombëtare. Shtete si Franca, Italia, Gjermania, Izraeli dhe Sllovenia për të përmendur vetëm disa, janë formëzuar në trajtën e tyre moderne bazuar tek kombëtarizmi.

Një nga studjuesit që shpjegon domosdoshmërinë e një zgjedhjeje të tillë është sociologu francez Emil Durkhajm. Ai e konsideron shoqërinë si një “qënie” e cila është e ndryshme nga shumatorja e individëve dhe e grupeve që e përbëjnë atë. Kjo “qënie e një tipi të ri” siç e përkufizonte ai shoqërinë, nuk ishte një nocion universal por kishte kufinj të mirëpërcaktuar nga klani, fisi, grupet profesionale, feja etj. Secila nga to ka personalitetin e vet, ndërgjegjen apo shpirtin përkatës, si dhe ligjin dhe moralitetin që më mirë i përshtaten. Duke qenë se shoqëria është burimi dhe gardiani i civilizimit, i dijes dhe eksperiencës së trashëguar ndër gjenerata, ajo përfaqëson njëfarë stabiliteti dhe vazhdimësie të cilën është e pamundur t’a gjejmë tek individë të veçantë. Këto principe të krijuara në kohë dhe të stabilizuara si të pandryshueshme krijojnë “ndërgjegjen kolektive” të grupit. Mirëpo, shoqëria më e fuqishme sipas Durkhajmit është “shoqëria politike”dhe “atdheu”.  Me të parën ai nënkupton shtetin ndërsa nocioni i dytë presupozon kombin (La Patrie). Thënë thjesht, për të ndërtuar një shoqëri politike të konsoliduar duhet krijuar një shtet komb i konsoliduar. Më tej, teoria e Durkhajmit ësht zhvilluar nga Van Den Berghe i cili shpjegon natyrën etnike të kombeve si dhe e gjen origjinën e miteve dhe historisë së përbashkët tek afrimiteti biologjik midis anëtarëve të kombit. Pra, edhe pse jo në mënyrë shprehimisht të drejtpërdrejtë, teoria sociologjike e Durkhajmit dhe shumë sociologëve të tjerë të modernitetit përkon me shpjegimet kombëtariste.

Ka dy lloje teorish politike që rrjedhin nga koncepti kombëtarist, kombëtarizmi etnik dhe ai qytetar (civik). Sipas filozofit modernist Ernest Gellner ajo çka e bën të veçantë kombëtarizmin është një ndryshim rrënjësor në mënyrën e zhvillimin të  bashkësisë. Kombi lidh njerëz të cilët kanë një histori, gjuhë, zakone dhe prejardhje të përbashkët dhe e organizon shoqërinë në bazë të një shteti i cili e merr legjitimitetin tek kombi. Shteti i ndërtuar në bazë të këtij legjitimiteti bëhet kësisoj autoriteti i vetëm politik me legjitimitetin e duhur për të forcuar dhe përparuar bashkësinë. Pra, për Gellnerin kriteri historik nuk është i rëndësishëm për sa kohë që ekziston vullneti për kombfromim. Mirëpo edhe Gellneri e pranon se prinicipi “një komb-një shtet” edhe pse i artikuluar relativisht vonë, ka rrënjë të thella në nënndërgjegjen e popujve.

Një shembull i suksesit të kombëtarizmit qytetar të propozuar të cituar më sipër janë SHBA-të të cilat nën udhëheqjen ideologjike të shtetarëve si Xhejms Medison krijuan një shtet-komb të bazuar në vlerat qytetare pa patur luksin e një historie të përbashkët kombëtare. Nën ndikimin e parimeve të revolucionit Francez, këta shtetarë krijuan një bashkësi të bazuar në vlerat e barazisë para ligjit, lirisë individuale dhe tejkalimit të shtresëzimit shoqëror aristokratik.

Një tjetër rrymë teorike është ajo që e bazon legjitimitetin e shtetit-komb jo vetëm tek vullneti aktual i një grupi por tek rrënjët e tij etno-historike të cilat mund të mos kenë qenë të shprehura qartë, por kanë ekzistuar në nënndërgjegjen e popullit. Anthoni Smith, një nga përfaqësuesit modernë të kombëtarizmit shprehet se kombëtarizmi është një ideologji e cila e ka origjinën tek “kujtesa historike, tradita,mitet, dhe simbolet e trashëgimisë etnike, të cilat përshkojnë jetën e kaluar të popullit”. Thënë thjesht, kombëtarizmi është një ideologji e cila ekziston në nënndërgjegjen e popullit. Historia, lidhjet e gjakut dhe tradita janë elementë kyç të cilat e përkufizojnë atë.

Në gjykimin tim, pikërsisht ky proçes ndërgjegjësimi ndodhi në Europën perëndimore në shekullin e 18të, por më vonë edhe gjatë proçesit të dekolonizimit të botës së tretë. Pra, kombëtarizmi e ka bazën e vet mbështetëse në dy aspekte të rëndësishme: afërsia etno-kulturore midis njerëzve të së njejtit gjak dhe traditë si dhe ristrukturimi i  strukturave shoqërore për t’a reflektuar këtë riorganizim shoqëror. Ndaj roli i shtetit në përmbushjen e aspiratave kombëtare është i pazëvendësueshëm. Vetëm një shtet i ndërtuar në shërbim të bashkësisë kombëtare, me rregulla që i përforcojnë lidhjet dhe jo ndasitë midis nëngrupeve, si dhe me sens të qartë të detyrës historike mund t’i përmbushë detyrimet ndaj kombit.

Kësisoj, kombëtarizmi shndërron edhe disa aspekte themelore te strukturës shoqërore duke krijuar një model të konsoliduar të një shoqërie me rregulla dhe moral të përcaktuar nga bashkësia. Legjitimiteti i modelit varet jo vetëm nga efektiviteti i tij por edhe nga përkatësia e përbashkët  e anëtarëve të saj dhe qëllimi i tyre i përbashkët. Pra, kombëtarizmi është një ideologji që çon drejt konsolidimit dhe zhvillimit modern të shoqërisë kundrejt copëzimit dhe dominimit të interesave më të vogla familjare, klanore apo të cilitdo grupi tjetër.

Më anë tjetër, kombëtarizmi nuk është karakteristikë vetëm e shteteve të Europës Perëndimore por ka luajtur dhe luan rol vendimtar në shumicën dërrmuese të shteteve kudo në botë. Kryeministri i parë Indian Xhauaharlal Nehru shprehej në mbledhjen e parë të Asamblesë kushtetuese të Indisë së pavarur se “ ne indianët shumë kohë më parë patëm një pikëpjekje me historinë, ka ardhur koha që ne t’i mbajmë zotimet dhe të vjelim frytet”.

Shqiptarët dhe kombëtarizmi.

Populli shqiptar është një nga popujt më të vjetër në Ballkan dhe Europë dhe ka një histori shumëshekullore. Megjithë luhatjet historike, periudhat nën diktatin e fuqive të huaja dhe shumë peripeci të tjera asnjë burim serioz nuk argumenton mosekzistencën e kombit shqiptar.

Rilindja Kombëtare është përpjekja e parë për të ndërtuar një shtet komb shqiptar. Megjithëse e vonuar në raport me fqinjët, Rilindja ishte mishërimi i një rindërgjegjësimi kombëtar dhe rrugëtregues ideologjik për veçantitë e kombëtarizmit shqiptar. Njëra nga veçantitë e kombëtarizmit shqiptar është realiteti i post Londrës i cili na shfaq një komb të ndarë në pesë pjesë. Rilindja përfaqëson edhe sot e kësaj dite aspiratën legjitime të shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre komb.

Mirëpo, rrjedha historike si dhe mungesa e vetëdijësimit të elitave politike shqiptare gjatë shekullit të njëzetë dhe në këtë fillimshekulli, ka sjellë mungesën e një vizioni të qartë dhe devijimin nga agjenda kombëtare. Mungesa e një udhëheqësie të vërtetë dhe vendosja e pushtetit personal dhe klanor mbi interesat kombëtare nga ana e kryesuesve të shtetit shqiptar të Londrës e ka shumëfishuar efektin negativ të këtij fenomeni. Nga Ahmet Zogu tek Edi Rama, duke kaluar nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, dhe Ilir Meta, Shqipëria londineze ka treguar se pushteti klanor ka mbizotëruar tek paria e Tiranës, duke e shpërfillur tërësisht interesin kombëtar. Më tej, tranzicioni mund të konsiderohet pa frikë si eksperiment i dështuar i ideologjive kundërshtare dhe i pseudo-ideologjive. Kozmopolitanizmi, europianizmi, dhe pseudo teoria e “bashkimit në Europën e Bashkuar” janë disa nga këto. Këto lëvizje ideologjike dhe propagandistike të parisë së Tiranës kanë sjellë topitje në popull dhe paqartësi të madhe tek intelektualët e rinj në Shqipëri.

Për këto arsye, megjithë korruptimin e elitave politike në Kosovë dhe Maqedoni, duket se boshti i kombëtarizmit shqiptar po zhvendoset nga Tirana drejt Prishtinës.

Mirëpo, megjithë përpjekjet titanike për t’a reduktuar kombëtarizmin shqiptar në relike historike, realiteti shqiptar ka treguar se ideologjia kombëtariste i ka rrënjët e thella. Mbështetja popullore që siguroi AK-ja, edhe pse e shpërdoruar keqazi nga sharlatanëria e udhëheqjes së saj, dëshmon se kombëtarizmi e ka burimin e fuqisë së vet ideologjike thellë në ndërgjegjen e popullit. Dhe kjo mund të fashitet përkohësisht nën trysninë e faktorëve të jashtëm por nuk zhbëhet. Zhbërja e kësaj ndërgjegje mund të realizohet vetëm nëpërmjet asimilimit, apo thënë ndryshe “vdekjes” së një populli. Ndonëse rreziqet që i kanosen shqiptarëve janë realisht të mëdha, nuk ka gjasa që kjo të ndodhë.

Një tjetër arsye shumë e rëndësishme e cila e bën ndërtimin e një shteti komb të konsoliduar shqiptar një domosdoshmëri është realiteti ndërkombëtar dhe rajonal. Mjedisi ndërkombëtar karakterizohet nga një konkurrencë e pandalshme midis shteteve, shumica dërrmuese e të cilave janë shtete kombëtare. Në këtë mjedis ku “i forti e ha të dobtin” forcimi dhe legjitimiteti i shtetit janë aspekte themelore për mbijetesën e tij. Kombëtarizmi parashikon një politikë të brendshme idealiste dhe një politikë të jashtme realiste në mënyrë që shteti të konsolidohet dhe kombi të forcojë pozitat. Duhet kuptuar pra se kjo nuk është zgjedhje por domosdoshmëri e cila rrjedh edhe nga natyra e sistemit ndërkombëtar.

Më tej, në nivel rajonal shqiptarët janë të rrethuar nga shtet-kombe të cilat jo vetëm që nuk e fshehin natyrën e tyre kombëtariste por operojnë përditë në bazë të parimeve të saj. Pra, mbijetesa e shqiptarëve si komb varet nga ndërgjegjësimi për domosdoshëmërinë e kombëtarizmit si busull orientuese për shqiptarët.

Në vend të përfundimit.

Kombëtarizmi është në gjykimin tim ideologjia e duhur dhe e pashmangshme për shqiptarët në qoftë se kërkojmë një Shqipëri të zhvilluar. Kombëtarizmi shqiptar i shekullit të njëzetë duhet të karakterizohet nga nevoja e ndërtimit të një shteti komb të konsoliduar, nevoja e reformimimt të politikës nga klanoro-mafjoze në një politikë me përmasa kombëtare, ruajtja dhe forcimi i aleancave strategjike të popullit shqiptar, sidomos me SHBA-të por edhe vendosja e interesave kombëtare mbi çdo aspekt tjetër të politikëbërjes.

Rilindja e popullit shqiptar nuk mund të kalojë nëpër kanalet e llumit të rotacionit të parisë së Tiranës. “Rilindja” e njërës palë të parisë së Tiranës nuk mund të përkojë me Rilindjen e shqiptarëve. Nga ana tjetër siç shprehej Shenasi Rama sot, llumit nuk mund t’i kundërvihet llumi. Dalja nga këllira ku na kanë futur palët e parisë presupozon një ndarje drastike me të kaluarën e parisë dhe një fillim të ri. Ndërsa Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë asnjë shans të garantojnë Rilindjen e shqiptarëve me anë të qeverisjes së ardhshme, Sali Berisha dhe cilido qehaja i tij që do kryesojë PD-në nuk kanë asnjë shans për të bërë opozitën që u nevojitet shqiptarëve.

Pra, fillimi i ri kalon domosdoshmërisht nga përqafimi i një ideologjie kombëtariste, të shqiptarëve, për shqiptarët e prej shqiptarëve. Fillimi i ri kalon nga opozita e fortë me regjimin që po vjen por edhe me pseudo-opozitarët që do e legjitimojnë atë me shpresën se do u vijë rradha prapë për në tavë. Fillimi i ri kërkon përqëndrimin e të gjitha energjive pozitive të shqiptarëve rreth domosdoshmërisë së ndërtimit të një shteti komb, të konsoliduar e të ndarë nga krimi, të panjollosur nga paria kriminale e Tiranës, dhe të pavarur nga interesat klanore të saj. Shteti komb që kërkohet duhet të garantojë zgjedhje të lira, liritë dhe të drejtat demokratike të të gjithë qytetarëve, barazinë para ligjit dhe drejtësinë por edhe të vendosë në qendër të vëmendjes interesat strategjike të kombit shqiptar.  Shteti komb duhet gjithashtu të ndihmojë në konsolidimin e shoqërisë duke ndihmuar shtresat në nevojë dhe duke i dhënë përparësi sektorëve strategjikë të mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik. Shteti komb duhet të vendosë objektiva të qartë dhe të kryejë një politikë të jashtme në mbrojtje të interesave kombëtare. Shteti komb që na duhet ysht krijimin e një shoqërie civile e cila të veprojë si garante e të drejtave të qytetarit kundrejt interesave të pushtetit. Një shtet komb i tillë nuk do të lejonte elitën t’a vendoste interesin personal mbi atë të bashkësisë kombëtare. Ndaj dhe diskutimi mbi kombëtarizmin është një aspekt fort i rëndësishëm në këtë periudhë tranzicioni.

________

Referenca:

Anthony Smith, Myths and Memories of a Nation, Oxford University Press, 1999.

Ernest Gellner, Do Nations Have Navels?, Nations and Nationalism, Vol.2, Issue 3, 2008.

M. Marion Mitchell, Emile Durkheim and the Philosophy of Nationalism, Political Science Quarterly, Vol.46, No.1 (March 1931), pg. 87-106.

Benjamin Zachariah, Nehru, Routledge London, 2004.

GRID RROJI: MIDIS ZHURMËS DHE REALITETIT

Statisticieni i njohur amerikan Nejt Sillvër, i njohur për modelin e saktë parashikues të zgjedhjeve të 2008-ës dhe 2012-ës në SHBA, shtjellon në librin e vet “Sinjalet dhe Zhurma” një koncept që është i njohur për specialistët e fushës së tij: zhurmën statistikore të vendosur në kontrast me realitetin e prekshëm. Në këtë kuptim, zhurma është një interpretim i realitetit bazuar në supozime të cilat na japin përfundimin që dëshirojmë dhe i shërbejnë qëllimeve tona. Në të kundërt, një interpretim i saktë do të merrte parasysh jo vetëm ata faktorë të cilët na vijnë për mbarë por edhe ata që do të nxirrnin në përfundime të kundërta me ato që dëshirojmë.  Pa i hyrë vlerësimit teknik të argumentit të Sillvërit, edhe pse derimëtash modeli i praktikuar nga ai ka parashikuar saktë fituesit e 98 garave nga 100 për senatorë në shtete të ndryshme të SHBA-ve, mendoj se  krahasimi me zhurmën që po përftohet në mjedisin politik shqiptar pas zgjedhjeve është i vlefshëm. Me fjalë të tjera, argumentat që po ngrihen në media për shkaqet e rezultateve zgjedhore, e si pasojë të ardhmen e qeverisjes dhe opozitës janë tërësisht të bazuar në objektivat politike të palëve dhe aspak në realitetin që e prek populli shqiptar.

Në gjykimin tim, paria e Tiranës po vazhdon t’a përdorë edhe më furishëm zhurmën për të mjegulluar realitetin dhe për t’u dhënë shqiptarëve shpresë të rreme. Shkaqet e rotacionit nuk duhen kërkuar në kalkulime të elektoratit apo edhe në largpamësinë e popullit shqiptar, edhe pse në nivelin e përgjithshëm të analizës gjykimi i popullit nuk vihet në diskutim. Grupi i kriminelëve që janë zgjedhur në parlament nga radhët e “Rilindjes” nuk mund të përfaqësojë shpresën për një Shqipëri ndryshe. Në rastin më të mirë është një ogur i mirë për punësimin e disa militantëve të cilët kanë pritur për tetë vjet ndryshimin e pushtetit.

Më tej, fitorja e “Rilindjes” i detyrohet katërfishimit të votave të LSI-së, i cili siç e kemi thënë me kohë këtu tek Rrethi i Ferrit nuk mund të kishte ardhur pa marrëveshjen e ngjalave. Ngutja e shumë palëve për t’i cilësuar zgjedhjet si “ më të mirat e tranzicionit” është më tepër një tentativë për t’i mbyllur rrugën problemeve që në fillim se sa një votëbesim për nivelin e demokracisë.

Edhe ndryshimet e brendshme në PD nuk mund të gjykohen si ndryshim i kursit sepse dorëheqja e Berishës ishte e pjesshme dhe vetëm formale. E ashtuquajtura garë e brendshme nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të mbajtur në krye të partisë Berishën me anë të një kukulle, siç ishte rasti i Eduard Selamit apo Tritan Shehut gjatë mandatit të tij presidencial. Çështja e emrave që kandidojnë është e rëndësishme pra vetëm në këtë kontekst, për të gjykuar se cili nga qehajejt e Berishës do fitojë luftën e brendshme për të qenë zv. Kryetar i parë.

Pra, përdorimi i suksesshëm i zhurmës politike, e përkthyer në pseudo debate të brendshme, “diskutime” për poste në qeverisje apo edhe me farsa si zgjedhjet e brendshme në PD, janë pjesë e pandarë e mënyrës që përdor paria për të sunduar popullin. Ka disa shembuj të cilët e ilustrojnë teorinë e zhurmës së krijuar artificialisht për të mbuluar problemet dhe mungesën e ofertës për zgjidhjen e tyre.

Së pari, le të ndalemi tek qeverisësit e rinj. Megjithëse marrëveshja e ngjalave parashikonte në detaj pjesën më të madhe të ndarjes së plaçkës, makina propagandistike e “Rilindjes” ka ndezur motorrët. Popullit i paraqiten takime me ndërkombëtarë, intervista me operatorë politikë  ndërkombëtarë të famshëm të cilëve “Rama ua ngre telefonin”, ngritja e një komisioni ndërpartiak brendapërbrenda koalicionit për ndarjen e posteve në të gjitha nivelet, si dhe i thuren lavde “moralit” të bashkimit të së majtës. Mirëpo, realiteti është se “Rilindja” do përballet ndër të tjera me një ekonomi në reçesion, me papunësi të tejskajshme sidomos ndër të rinjtë, me një rikthim masiv të emigrantëve dhe një situatë financiare katastrofike. Asnjëri prej këtyre problemeve që prekin qytetarin nuk po diskutohet seriozisht por paria e ka përqëndruar median tek ndarja e tortës dhe aspekte të tjera pa interes për popullin. Pra në realitetin e parisë, çështja është se cili grup kriminal ndërmjet ortës së jeniçerëve, klanit të martallozëve apo grupit të frigoriferëve do të dalë më me qar nga proçesi i ndarjes së tortës.

Më tej, thirrjeve të Ramës se “nuk kam punë me Sandrin”  i është përgjigjur menjëherë TV Klani. Duke qenë se pronarët ndërtues të televizioneve të tjera kombëtare si Top Channel dhe Vizion Plus kanë kohë që presin me padurim ardhjen në pushtet të mbështetësve të tyre politikë, skena mediatike po shkon drejt një unifikimi pozicionesh në favor të ortave jeniçere, martalloze dhe bashibozuke të “Rilindasve”. Nuk duhet harruar se modeli i kontrollit të medias nëpërmjet dhënies së licencave njerëzve të afërt të pushtetit është “ideuar dhe zbatuar” së pari nga Ilir Meta, dhe më pas është përforcuar me ndihmën e shumë prej anëtarëve të kabinetit të Nanos që sot janë “Rilindas”,  duke filluar me televizionin Klan. Për Klanin vlen shprehja “çfarë do pushteti bën Klani, dhe çfarë i duhet Sandrit ja mundëson pushteti, pavarësisht ngjyrave”.

Një tjetër aspekt interesant është ndërrimi masiv i administratës, të cilin e shprehu haptaz në fushatë Pandeli Majko. Marrëveshja midis PS-së dhe LSI-së nuk i ka pikat nevralgjike tek ndarja e ministrive, siç po mundohen të na bindin mediat konformiste. Pika delikate është dhe do të mbetet ndarja e posteve të administratës në nivele të dyta, të treta dhe më tej sepse siç e dimë të gjithë tashmë “LSI-ja nuk të le në baltë”. Për t’a mbajtur këtë premtim  për 180 000 votues, ka gjasa që rreth 40 % e administratës t’i lihet në “patronazh” LSI-së, një dyfishim në krahasim me marrëveshjen me Berishën e cila i njihte asaj 20 % të “tapisë” së shtetit.  Nuk besoj se ka nevojë të ilustrohen “bëmat” e LSI-stave gjatë katërvjeçarit të flirtit qeverisës me Berishën.

Një tjetër shashkë zhurmëmadhe që ka hedhur Rilindja e Ramës, këtë herë në bashkëpunim me bandat e pushtetit që po ikën, është projekti TAP. Së pari, përveç ndonjë studimi të firmës që do e ndërtojë dhe shfrytëzojë e cila ka interes t’a ngrejë në qiell, nuk ka studime serioze që shqyrtojnë efektet reale të një gazsjellësi si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë gjeo-politik. Së dyti, eksperienca tregon se gazsjellës të ngjashëm kalojnë edhe nëpër vende historikisht të pazhvilluara dhe të paqëndrueshme politikisht përfshi edhe Afganistanin pa ndikuar në përmirësimin e gjendjes së popujve përkatës. Gjithashtu, nuk shpjegohet se si do t’a përmirësojë TAP-i, i cili kërkon disa vite të ndërtohet, gjendjen katastrofike të financave publike dhe si do t’a ndalë përkeqësimin e sistemit financiar. Më tej, në qoftë se shifrat e papunësisë të servirura në fushatë nga “Rilindja” janë një milion të papunë, duket tejet e vështirë që rreth 2000 vende pune të parashikuara nga projekti do t’a ndryshojë gjendjen dramatikisht. Pra, ajo që të gjithë së bashku po rreken të na e shesin si fitore historike për popullin shqiptar është veçse një përpjekje për të krijuar zhurmë bazuar në nevojën që ka sistemi për të legjitimuar vetveten. Me pak fjalë, TAP-i do t’i shërbejë parisë për të shuar monopolin e vet por jo domosdoshmërisht qytetarit.

Nga ana tjetër e spektrit të parisë, media është e fokusuar tek procesi zgjedhor në PD. Këtu zhurmën e krijojnë qarqet afër atij që këtu në Rrethin e Ferrit, në fshad.com dhe albanianpolitics.com e quajmë “Trusti i Gështenjave të Tropojës”, i cili identifikohet me Sali Berishën. Fjalimi i tij dorëheqës por jo i lamtumirës politike ishte një tregues i qartë se në PD po ndryshon forma por jo përmbajtja. Ky proçes është thjesht një larje e brendshme hesapesh ndërmjet klaneve të cilat mëtojnë të jenë më afër Berishës. Ajo që duket qartë është se grupi i “qëndrestarëve” të 97-ës e ka kryer funksionin e vet për Berishën, dhe si plaçkë e përdorur po eliminohet progresivisht në favor të klanit të familjes i kryesuar nga Lulzim Basha.  Dalja nga loja me bisht ndër shalë e Jozefina Topallit dhe grupit të saj, eliminimi i grupit të juristëve që kryesohej nga Ilir Rusmali, pengimi i kandidimit të Ridvan Bodes apo ndonjë pjesëtari tjetër të “qëndrestarëve” për postin e kryetarit tregon se hesapet janë mbyllur që pa filluar. Lulzim Basha do të jetë me gjasë kryetari i ri i PD-së dhe Sokol Olldashi do të shërbejë si kontorno duke garantuar kështu mbijetesën e tij politike nën regjimin e ri të Berishës në hije. Të gjithë të tjerët janë ose sharlatanë të stërkonsumuar ose shashka brenda shashkës për të amplifikuar efektin e zhurmës. Besoj se në përfundim të proçesit të gjithë do të bien dakord që e gjitha ishte “shumë zhurmë për asgjë”.

Në vend të përmbylljes, e gjithë përpjekja e parisë për të krijuar zhurmë vazhdon sistematikisht dhe pa ndërprerje. Mirëpo siç na mëson Sillvëri, modelet parashikuese nuk varen vetëm nga sasia e të dhënave që përdorin por edhe nga cilësia e presupozimeve që bëjnë modeluesit. Thënë thjesht, ndryshimi midis zhurmës dhe realitetit në rastin shqiptar përcaktohet nga përplasja e interesave të parisë me ato të qytetarëve. Paria kërkon me ngulm të na bindë se sistemi është legjitim, se ka zgjedhje brendapërbrenda tij, se njëra palë është e provuar dhe tjetra e paprovuar, se fajin e ka gjithmonë pala tjetër që e ka lënë gjendjen si mos më keq, apo edhe që demokracia është instaluar edhe brendapërbrenda partive. Për këtë përdoren fakte dhe shifra, krahasime dhe tabela, dhe një lumë “të dhënash” të cilat në dukje përbëjnë arsye të fortë për të besuar atë që servir paria.

Mirëpo për çdo shqiptar që ka sy e veshë kjo është një farsë e madhe sepse realiteti i përditshmë flet ndryshe. Ekspertët parashikojnë një vjeshtë e dimër të vështirë për ekonominë dhe në mungesë të zgjidhjeve reale parisë i duhet të krijojë realitete paralele, arsye të mosarsyes dhe zhurmë. Megjithë përpjekjet e mëdha për rritje të numrit të ministrive dhe spastrimin masiv që po vjen, administrata e ka të kufizuar numrin e të punësuarve. Torta e pushtetit është siç thotë Shenasi Rama “një kovë me vrima” e cila nuk mund t’i kënaqë të gjithë. Kësisoj, vjeshta do të n’a përballë me përkeqësimin e problemeve dhe me mungesën e zgjidhjeve nga ana e parisë.

Shqiptarët duhet t’a injorojnë zhurmën dhe t’i kërkojnë politikës zgjidhje për problemet që sa vijnë e shtohen. Ndryshe do të mbetemi në kufijtë e tifozllëkut i cili na çon drejt kriminalizimit të tejskajshëm dhe gjykimit jo realist.  Megjithë përpjekjet e mëdha për të zhurmuar realitetin nuk ka gjasë që kriza që po vjen të kalojë vetëm me propagandë. Në qoftë se kishim nevojë për një sprovë të parisë, vjeshta që po vjen do të na e ofrojë atë në gjithë dimensionin e mundshëm.

GRID RROJI: BANDAT QË IKIN DHE BANDAT QË VIJNË

Tashmë është e qartë se këto zgjedhje, ashtu si edhe të gjitha zgjedhjet e tranzicionit nuk përballën ide të ndryshme në funksion të objektivave kombëtarë të shqiptarëve por qenë një ndeshje bandash rezultati i të cilës ishte në pjesën më të madhe i paravendosur me marrëveshjen e 1 Prillit. Kësisoj, fitorja e thellë e koalicionit Rama-Meta duhet analizuar në kontekstin e përplasjes kriminale të bandave që përbëjnë parinë e Tiranës.

Arsyet për “shpërbërjen” zgjedhore të Sali Berishës dhe bandave të tij janë disa, por më i dukshmi është bojëdalja e plotë e të gjitha mekanizmave klanorë dhe anti-kombëtarë që ka përdorur Sali Berisha me qëllimin e vetëm për të ndenjur në pushtet. Konceptimi i pushtetit si një mjet për të kontrolluar të gjitha hallkat e shoqërisë dhe krijimi i një sistemi zvetënues i cili i shfrytëzonte dobësitë e njerëzve, i poshtëronte ata dhe në fund u ofronte një kockë si shpëtim materialist është një nga karakteristikat më të errëta të figurës së tij në politikë.

Shumëkush nga “kozmopolitët” e ndriçuar të opozitës është përqëndruar tek atavizmi dhe përdorimi i një gjuhe të egër, por thelbi i veprimit politik të Berishës është përdorimi i llumit të shoqërisë, përzjerja e tij me pak elementë me legjitimitet në popull, thyerja e këtyre ose politicizimi i tyre ekstrem me anë të krijimit të ndasive dhe sundimi i të gjithëve me anë të konfliktit. Më tej, sidomos gjatë katërvjeçarit 2009-13, tallja e hapur me qytetarët shqiptarë, arroganca e pushtetit me anë të emërimeve qesharake, aleanca hajdutërore me Ilir Metën, degradimi i çdo vetëpërmbajtjeje për shkak të zullumeve të pambulueshme më të familjes së tij biologjike, sollën një urrejtje gjithëpopullore e cila e bëri këtë votim plebishitar kundër tij shumë më të thjeshtë.

Mirëpo, gogoli Berisha nuk mjafton për një analizë të kthjellët të zgjedhjeve, sidomos po të marrim parasysh se sipas të dhënave fitorja e thellë e Ramës i detyrohet trefishimit të votave dhe katërfishimit të mandateve të Ilir Metës. Nga pikëpamja etike, një votë plebishitare proteste kundër Sali Berishës duhet të kishte prodhuar një lumë votash për PS-në për arsyen e thjeshtë se ajo ishte e vetmja forcë realisht opozitare në këto zgjedhje. Por faktet dolën ndryshe. PS-ja është rritur jo më shumë se 0.5% dhe në rang vendi ka të njejtat mandate si në 2009ën. Pra, protesta morale kundër Sali Berishës nuk mundet t’a shpjegojë rezultatin.

Një tjetër shpjegim që jepet është se PS-ja ka udhëzuar votuesit e saj të votojnë LSI-në sepse kësisoj maksimizohej rezultati në sistemin zgjedhor aktual. Mirëpo, edhe pse ka gjasa të ketë një përqindje zhvendosje votash brenda koalicionit,  duket jo e besueshme që PS-ja të ketë zhvendosur aq vota sa të gati trefishojë rezultatin me vota të LSI-së dhe katërfishojë mandatet e saj.  Ndaj edhe ky faktor nuk duket të ketë qenë përcaktues.

Nga ana tjetër, ka një përputhje midis votave të humbura nga PD-ja dhe atyre që ka fituar LSI-ja e cila ka ndikuar edhe në mandatet. Nga burime të ndryshme informacioni ka të dhëna se ka patur një fushatë të madhe blerjeje votash nga elementë të LSI-së në gjithë vendin. Duke parë përqindjen e lartë të elementëve me precedentë penalë në të gjitha listat fituese të palëve, si dhe duke marrë parasysh të kaluarën e zgjedhjeve në Shqipëri, ky shpjegim merr besueshmëri më të madhe. Vrasja e një sekseri të LSI-së dhe plagosja e një kandidati për deputet të PD-së në Laç pikërisht për shkak të tentativës për blerje votash nga të dyja palët është një tjetër fakt që e përforcon këtë përfundim. Duhet theksuar se votëblerja me thes me para nuk është eksluzive dhe as u shpik nga LSI-ja. Të gjitha bandat e parisë së Tiranës nuk kanë kurrfarë respekti për votën e lirë dhe e praktikojnë pa teklif këtë mënyrë pune. Një shembull i bashkë punimit trepalë sh ishte komuna Dropull i Epërm në qarkun e Gjirokastrës ku jo vetëm që votuan 320 % të rezidentëve të evidentuar nga censusi i 2011ës, por edhe ndarja ishte sipas proporcionit “të duhur” PS-LSI-PD. Duket se marrëveshja e 1 Prillit si dhe përdorimi masiv i teknikës së blerjes së votës e bënë LSI-në fituese këtë herë.

Një tjetër shembull tipik ishte fitorja “historike” e koalicionit të majtë në qarkun e Shkodrës. Rezultati në favor të opozitës ishte një kombinim i qartë i faktorëve të sipërcituar. Nga njëra anë urrejtja e përftuar nga arroganca dhe mungesa e ndjeshmërisë së Jozefina Topallit e cila e trajtonte Shkodrën si çiflikun e vet personal. Nga ana tjetër ujdia midis grupeve kriminale të lidhura me opozitën si grupi Doshi në Nën Shkodër, grupi Sterkaj në Malësinë e Madhe dhe grupi Çela i LSI-së në qytet, e balancuan avantazhin kriminal që gëzonte PD-ja në qark. Rezultati reflekton pra edhe protestën ndaj Berishës dhe kanakrëve të  tij, por edhe ndryshimin e sinergjive kriminale brenda parisë lokale.

Nga kjo analizë e rezultatit dalin disa përfundime.

Së pari, zgjedhjet e 2013ës do të konsiderohen si më të mira se herën tjetër nga ndërkombëtarët të cilët duan pikësëpari stabilitet sepse nuk kanë besim se meritojmë më tepër. Mirëpo, këto zgjedhje nuk ishin më të mira për shqiptarët. Mungesa e përplasjeve të mëdha i dedikohet marrëveshjeve mes bandave e jo cilësisë së zgjedhjeve. Këto zgjedhje do të kujtohen si triumfi i parive lokale ashtu si e kishim parashikuar më herët tek Rrethi i Ferrit.

Së dyti, megjithë ikjen me gjasë të Berishës nga politika, berishizmi është instaluar edhe më thellë me këto zgjedhje. Pa dashur t’u prish festën socialistëve të ndershëm, sepse siç tha një nga analistët ruralë “nuk shahet dhëndrri në dasëm”, nuk mund të mohohet që qeverisja që po vjen do të ketë baza të forta kriminale si dhe do ketë opozitën më të kriminalizuar e më të pamoralshme të mundshme. Fitorja nuk do të sjellë përfitimet e pritura për popullin por do jetë hambar për ato që Shenasi Rama i quan “ortat e jeniçerëve dhe martallozëve” si dhe për oligarkët e mëdhenj të lidhur më PS-në.

Së treti, e ashtuquajtura Rilindje nuk sjell me vete një frymë ndryshe. Për të ndryshuar realisht Shqipërinë duhet reformuar sistemi politik. Mirëpo edhe në e pastë një vullnet të tillë z. Rama, gjë për të cilën unë dyshoj fort, kjo frymë nuk mund të ndodhë në pushtetin e ortave jeniçero-martalloze, të cilat kanë pritur tetë vjet në opozitë për të thither kockat që do lerë Saliu. Për sa i përket aleatit kryesor Ilir Metës, ai është “i ndershëm” me shqiptarët, ata që e votojnë marrin si shpërblim të mira materiale. Nga ana tjetër, me forcën e madhe që ka fituar nga këto zgjedhje nuk është e qartë se kush drejton brenda koalicionit.

Së katërti, interesat ekonomike të parisë janë të lidhura në atë lloj mënyre sa shumë shpejt një pjesë e mirë e biznesmenëve që ishin më pranë Berishës do të bëjnë kapërcimin tek pala tjetër. Këtë na meson e kaluara e afërt dhe na e konfirmon fjalimi i Ramës sot.  Në mos i afroftë Rama, Meta mirëpret bashkëpunim me gjithkënd “për hir të integrimit”. Paria si grup e ka të nevojshëm bashkëpunimin ekonomik sepse mbi sundimin e rrafshit ekonomik bazohet kontrolli mbi hapësirën politike.

Në një situatë të frikshme ekonomike ku arka e shtetit është bosh, borxhi është në nivele falimentimi, të ardhurat fiskale në rënie të lirë e shumë parametra të tjerë me projeksion shumë negativ do të duhej një reformë e thellë e sistemit ekonomik. Mirëpo e ashtuquajtura Rilindje jo vetëm që nuk e kishte në program një gjë të tillë por një reformim i tillë do t’u binte ndesh interesave të pothuaj të gjithë deputetëve të sapozgjedhur. Ndaj shanset që reforma e vërtetë të ngjasë janë afër zeros.

Së pesti, por më e rëndësishmja, shqiptarët nuk patën dot një alternativë të pastër në këto zgjedhje. Përzgjedhja ishte midis tre figurave me njolla të pashlyeshme në të kaluarën e tyre politike. Nga njëra anë kishim një kryeministër autokrat, tashmë tërësisht të diskredituar, i cili nuk u ndal as përpara tradhtisë kombëtare për hir të pushtetit të vet. Më anë tjetër, patëm një pretendent tashmë kryeministër në pritje,  ish kryebashkiak i Tiranës me lidhje me elementë kriminalë e oligarkë të fuqishëm, i cili nga eksperienca e vet politike “mësoi” se duhet të kopjojë rivalin.  Në fakt, fitorja erdhi pasi ai adoptoi pothuaj tërësisht metodat politike të Berishës. Por, brenda koalicionit opozitar kemi edhe një pretendent kryeminister, ish qeveritar me përqindje të përcaktuara hajdutërie, i cili luftën e ka më tepër brenda llojit për kontrollin e PS-së dhe të kryeministrisë në një të ardhme sa më të aftërt.

Po t’i shtojmë kësaj marrëveshjen e ngjalave të 1 prillit e cila nuk mund të ishte konsumuar pa bekimin e Berishës, del se trekëndëshi Berisha-Rama-Meta është i përbërë nga tre forma të ndryshme të të njëjtit brumë. Berisha u mundua deri në fund t’u dali kontureve të marrëveshjes  e të  ruajë  pushtetin- koncepti i nderit nuk ekziston mes hajnave- por në vija të përgjithshme ata kishin rënë dakord për parametrat e qeverisjes së ardhshme.

Për t’a përfunduar, populli shqiptar nuk pati zgjidhje të vërteta në këto zgjedhje. Ndonëse numrat përfundimtare të pjesëmarrjes në zgjedhje ende nuk janë deklaruar nga KQZ-ja (53%shi i deklaruar i referohet sipas sitit të KQZ-së 72% të të dhënave) duket se qytetarët zgjodhën të gjenin shpresë tek rrotacioni mes bandave. Mirëpo euforia e tanishme është e destinuar të jetë e shkurtër sepse bandat që po vijnë nuk do të mund të bëjnë ndryshimet rrënjësore për të cilat kemi nevojë. Ato do të kujdesen të ruajnë njëri tjetrin dhe të shtojnë pasurinë e tyre por jo të ndërtojnë shtetin komb dhe të bashkojnë shqiptarët. Shpresoj që pasojat e zhgënjimit të shqiptarëve me kastën që po vjen të mos jenë aq të dhimbshme sa ç’ është e parashikueshme.

GRID RROJI: SARAMAGO, NGREHINA PROPAGANDISTIKE DHE VOTA ME KRYQ

Siç e kisha parashikuar në një shkrim të mëparshëm (http://www.fshad.com/7/post/2013/06/jan-shqetsuar.html) në këto ditë të fundit të fushatës zgjedhore kemi hyrë në fazën e tretë të reagimit të palëve të parisë së Tiranës ndaj nismës së votës me kryq. Vetëm në dy tre ditët e fundit ka patur reagime në pothuaj të gjitha mediat nga Piro Misha, Çapajev Gjokutaj, Denar Biba, Edison Ypi, Skënder Demalia, Pëllumb Kulla, etj. pa përmendur faktin që kryebashkiaku “përherë i qeshur” demokrat i Tiranës ka bërë spot televiziv kundër bojkotit. Disa nga argumentat kanë qenë qesharakë, si për shembull “këta janë spiunët e Berishës”. Por, disa të tjerë janë rrekur t’a justifikojnë kundërshtinë e tyre me nismën, edhe pse shprehen dakort me premisat e saj. Nga të gjitha anët ndjehet një lloj frustracioni me suksesin e kësaj nisme, e cila me sa duket e ka goditur shumë më tepër se numerikisht parinë.  Thënë thjesht, vota me kryq përveç të tjerave, rrëzon ngrehinën ideologjike me të cilën paria i ka rrethuar shqiptarët. Duke i vënë kryqin votës,  shqiptarët dalin nga mendësia e burgut në të cilën preferon ti mbajë paria e Tiranës.

Argumentat për të votuar nderin dhe për t’i vënë kryq votës janë shtjelluar gjerë e gjatë në Rrethin e Ferrit dhe nuk dua t’i përsëris rishtaz. Por, duke marrë shkas nga një përsiatje e z. Gjokutaj mbi nobelistin Zhuze De Souza Saramago, në këtë shkrim dëshiroj të ndalem tek aspekti propagandistik i projektit sundues të parisë, për shkak se ai përbën një shtyllë qendrore të tij. Është pikërisht lëkundja e një pike qendrore si modeli ideologjik, i cili mendohej si i pathyeshëm duke marrë parasysh kontrollin e plotë mbi mjetet e shpërndarjes së informacionit,  që e ka shqetësuar parinë.

Në veçanti, argumenti kundër votës me kryq i z. Gjokutaj, një njeri i letrave dhe ish drejtor i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur të Xhorxh Sorosit, mbështetej në refuzimin e paralelit të bërë nga Fatos Lubonja midis Esesë mbi Kthjelltësinë e Saramagos dhe realitetit shqiptar.

Ndonëse nuk jam kritik letrar por vetëm dashamirës i letërsisë, e njoh veprën e Saramagos si dhe veprimtarinë e tij politike aq sa për të patur një tablo të qartë të botës së tij alegorike. Së pari, argumenti se realiteti i Saramagos është alegori letrare dhe si e tillë nuk mund të jetë i krahasueshëm me jetën reale është i dobët logjikisht. Është e ditur se shkrimtarët që kanë jetuar në sisteme autoritare e diktatoriale, si Saramago i cili u lind dhe u rrit nën një diktaturë fashiste, janë tejet të prirur t’a gjejnë shkrehjen e tyre shpirtërore tek alegoritë dhe mitologjia e të shkuarës apo bota fantastike e të ardhmes. Nuk besoj se z. Gjokutaj ka dashur të nënkuptojë se tek Kështjella e Kadaresë për shembull nuk gjinden elemente thelbësore të një Shqipërie ku “punohej, jetohej dhe mësohej si në rrethim”. Nga ky pikëvështrim, “Verbëria” dhe “Kthjelltësia” e Saramagos janë prototipe të një shoqërie e cila  sundohet jo vetëm nga forca e autokracisë, por edhe nga fuqia e propagandës shoqëruese. Propaganda ka rol kryesor në krijimin e mendësisë së burgut, e cila më pas garanton pranimin e realitetit si të pandryshueshëm. Këtu lind krahasimi me gjendjen aktuale të shqiptarëve të cilët jetojnë në një botë pa shtet të mirëfilltë, ku sundon krimi, ku i aftë është xhambazi dhe matrapazi dhe ku propaganda e parisë të thotë se ky është realiteti i pandryshueshëm. Pra, realiteti shqiptar thjesht ka shumë ngjashmëri me “alegorinë” e Saramagos.

Së dyti, “Eseja mbi Kthjelltësinë” i përket periudhës së “ekzilit” kur Saramagoja me vullnetin e vet ishte zhvendosur në ishujt Kanarie. Vetëekzili nga 92-shi deri në vdekjen e autorit, ishte një mënyrë proteste ndaj qeverisë për shkak të refuzimit të përfshirjes së veprës së tij “Bibla sipas Jezu Krishtit” në një konkurs letrar. Sipas burimeve mediatike të kohës, pas trysnisë së Vatikanit qeveria portugeze (asokohe e zgjedhur demokratikisht) e kishte hequr librin nga lista e kandidatëve duke e  konsideruar si blasfemi.

Pra, “Kthjelltësia” është e shkruar jo më nga një revolucionar Stalinist siç konsiderohej Saramagoja i viteve 70të, por nga një mendimtar tejet skeptik për kontrollin e hekurt të lirisë njerëzore në demokraci me anë të mjeteve propagandistike. Së bashku me Esenë mbi Verbërinë kjo vepër ngjan më tepër me një pozicionim filozofik që shkon përtej vlerave letrare. Sipas biografit dhe mikut të tij Antonio Zhoze Borges “qëllimi i Saramagos në këto romane është krijimi i një debati mirëfilli intelektual dhe racional mbi disa ideologji të cilat shoqëria i ka pranuar verbërisht” (Jose` Saramago: Da Cegueira a Lucidez, Zefiro 2010). Pra, Saramago nuk mjaftohet me kritikën ndaj diktatorit Salazar, i cili sundonte me dorë të hekurt Portugalinë fashiste, dhe as mjaftohet me kritikën ndaj fashizmit si sistem. Ai shkon edhe më thellë duke kritikuar mekanizmat që mundësojnë autoritarizmin dhe në veçanti rolin kyç të makinës propagandistike. Edhe këtu nuk është e vështirë të identifikohet paralelizmi me parinë e Tiranës, e cila ndjek një vijë të qartë e të përbashkët ideologjike që përshkohet nga urrejtja për shqiptarët dhe mitizimi i materiales deri në absurditet. Ashtu si në absurdin alegorik të Saramagos, paria e Tiranës kontrollon me shumë zell dhe përpikmëri mullirin ideologjik dhe prodhimet që dalin nga ai. Sigurisht që për hir të “pluralizmit të mendimit” herëpashere lejohen edhe opinione jashtë kornizës ideologjike, por këto etiketohen menjëherë si “naive”, “të parealizueshme” dhe “të dëmshme për zhvillimin demokratik”. Ironikisht këto janë pikërisht argumentet që po përdoren kundër votës me kryq. Ndaj edhe mendoj se në tërësi premisat që përcjell z. Gjokutaj nuk vlejnë për të zhvlerësuar votën me kryq.

Nisma e votës me kryq rrjedh nga një analizë shoqërore që identifikon një mur ideologjik shtrëngues të ndërtuar prej parisë. Muri shtrëngues jo vetëm i garanton asaj sundimin, por edhe po jam merr frymën qytetarit shqiptar duke i mohuar lirinë reale të shprehjes. Ky instrument bllokues ka garantuar që zgjidhjet e vetme të ofruara apo të konsideruara si të pranueshme të dalin nga zyrat përpunuese të propagandës së parisë apo hijet që i kontrollojnë ato. Në këtë këndvështrim, kanë ndryshuar ngjyrat e kostumeve të pushtetit por sistemi i kontrollit ka mbetur i njejtë. Ndaj edhe rotacioni i propaganduar me aq forcë nga pala e parisë që është në opozitë sot është thellësisht i pamjaftueshëm. Siç shprehej Shenasi Rama, rolet do të ndryshojnë pas zgjedhjeve dhe pushtetarët e kthyer në opozitarë do të flasin për autokraci, mungesë lirie dhe nevojë për rotacion, ndërsa Rilindësit vjollcë do të zgjohen befas ithtarë të vazhdimësisë së pushtetit.

Me anë të murit bllokues ideologjik, të cilin disa e quajnë “integrimi euro-atlantik” e disa të tjerë “zhvillim me faza i kapitalizmit”, paria i ka mbyllur të gjitha shtigjet e lirisë të cilat favorizojnë qarkullimin e elitave por edhe ndërtimin e një shteti në shërbim të kombit dhe qytetarëve. Shteti i konsoliduar nuk i shërben asnjërës palë sepse do t’i detyronte të modifikonin thellësisht sjelljen. Mirëpo, duke qenë se arsyeja e vetme pse ata kërkojnë pushtet është pasurimi në kurriz të shqiptarëve, me ndërtimin e shtetit atyre nuk u del llogaria. Ndaj edhe premtimet zgjedhore janë tashmë objekt barsaletash dhe kanë humbur çdo besueshmëri.

Për t’a thënë thjesht, sundimi dhjetëra vjeçar i parisë së Tiranës e ka themelin tek ngrehina e mbyllur ideologjike të cilën nuk kanë patur guximin t’a sfidojnë as intelektualët e dalë nga regjimi hoxhian, as media dhe as shoqëria civile. Me anë të këtij burgu ideologjik, paria ja ka dalë derimësot të kontrollojë të gjitha hullitë e shoqërisë duke e drejtuar atë drejt zvetënimit moral, cubërisë politike dhe kriminalizimit të tejskajshëm. Paria ja ka arritur të krijojë mendësinë e burgut nga i cili askush nuk pret që të dalë. Kjo është arsyeja pse krahasimi me botën oruelliane të Saramagos jo vetëm që është i përpiktë por edhe shumë aktual.

Mesazhi i parisë kundër votës me kryq me gjasë do të intensifikohet ndjeshëm në dyzet e tetë orët e ardhshme. Arsyeja është e thjeshtë. Vota me kryq mund të duket në planin e cekët si një nismë utopike dhe e parealizueshme. E vërteta që dëshmojnë reagimet e ethta të kanakarëve të parisë është se ajo rrezikon monopolin e tyre propagandistik, pa të cilin ngrehina e tyre sunduese nuk qëndron dot në këmbë. Ndaj edhe duhet votuar nderi, i duhet vënë kryq votës. Duhet një fillim i ri.

GRID RROJI: PA ASNJË DYZIM: NË VEND TË ARGUMENTIT PËRMBYLLËS

Në një postim në internet këto ditë një mik, megjithëse kishte shprehur më parë mbështetje për shkrimet pro votës me kryq, shprehte disa dyshime mbi pragmaticitetin e nismës, ose thënë popullorshe sa “me këmbë në tokë” mund të jetë një nismë e tillë në Shqipëri.

Është normale që me përfundimin e fushatës shumëkush ndjehet i pasigurtë në përzgjedhjet e veta, sidomos po të marrim parasysh sa e koklavitur është skena politike shqiptare dhe sa është munduar politika t’i ngatërrojë njerëzit e ndershëm si miku im. Unë mbetem i bindur se ndarja nga e keqja është një rrugë e cila kalon nga shkëputja nga të dyja palët e saj sido që mund t’a perceptojmë për arsye sentimentale ndonjërën prej tyre.

Disa nga kritikat miqësore të mikut tim përfshinin “arrogancën” e votëkryqtarëve e cila i vendos të gjithë pro ose kundër parisë, mungesën e realizmit politik të shëndoshë (duke bërë një diferencim me atë kriminal të Metës), si dhe mosvërtetësinë e barazimit midis Berishës dhe Ramës. Ky i fundit dukej se ishte argumenti bosht i shkrimit sepse pyetjeve nëse Berisha dhe Rama janë sjellë njëlloj në të dhjeta rastet e paraqitura miku im u përgjigjej se kishte diferencë, dhe në rastin e korrupsionit për Ramën thuhej “nuk e dimë”. Me pak fjalë, në mënyrë të tërthortë argumenti kërkonte që njerëzit të mbyllnin hundën dhe të votojnë “të paprovuarin”.

Duke qenë se kësaj fushate bombastike por edhe të turpshme po i vjen fundi, mendoj se është koha për të bërë një bilanc të fundit parazgjedhor të situatës. Sigurisht që argumentat që do përdor përfaqësojnë vetëm mendimin tim personal dhe jo domosdoshmërisht të të gjithë atyre që me aq pasion e mbështetën nismën “voto nderin, veri kryqin votës”. Për t’a thënë thjesht unë nuk besoj se opozita propozon një projekt ndryshimi apo ndërgjegjësimi, por thënë me fjalët e një mbështetësi të saj blogist “na ofron ndërrim fytyrash”. Ky ndërrim nuk premton asgjë të përkorë sidomos po të marrim parasysh se shumica e atyre që do qeverisin nuk e kanë për herë të parë pushtetin. Meqenëse pushteti i Berishës është tashmë i pavotueshëm nga të gjithë aspektet zgjedhja e vetme për të ruajtur nderin është vota me kryq.

Së pari, nuk ka arrogancë tek asnjëri nga propozuesit e votës me kryq. Këtë e tregon fakti që disa herë, ne kemi bërë thirrje që njerëzit e pakapur nga paria të shikojnë vërdallë e të gjejnë një forcë që mund t’i përfaqësojë, e vetëm nëse nuk e gjejnë ti venë kryqin votës.

Unë personalisht pata shpresë se ajo forcë do të ishte AK-ja. Shumëkush cektësisht e intepretoi këtë si dëshirë time për t’u kandiduar me këtë forcë, të shtyrë edhe nga qarqe të lidhura me qeverinë në Tiranë. E vërteta është ndryshe.

Aleanca Kuqezi përfaqësoi për një periudhë jo të shkurtër kohe shpresën se më në fund Shqipëria do t’i bashkohej kombeve të tjera të zhvilluara dhe do të kishte një parti e cila do të krijonte një sistem ndryshe, të bazuar në shtetin komb dhe ku të gjitha forcat të punonin brenda kufijve të përcaktuar nga shteti, për t’I shërbyer interesit kombëtar. Ndërsa një ide e tillë ishte utopi për shumëkënd, AK-ja arriti që t’a bëjë këtë jo vetëm të pranueshme por gjeti një entuziazëm të papritur. Në vazhdën e këtij entuziazmi, Forumi Shqiptaro Amerikan për Demokraci që unë drejtoj i bëri ftesë Kreshnik Spahiut për të shpalosur idetë e veta në NY.  Ky vendim, i shqyrtuar së bashku me të gjithë miqtë e tjerë drejtues të Forumit, u mor për të krijuar hapësirën e nevojshme që këto ide të përhapeshin. Së bashku me Universitetin NYU ku unë punoj, dhe drejtorin e programit të masterit Prof. Shenasi Rama, u mundësua që z.Spahiu të kryente një takim akademik.  Kjo ishte mundësia e artë e Spahiut për t’u faktorizuar si njeri e peshë në hapësirën ideologjike shqiptare. Mirëpo nga shumë anë, daljet e Spahiut në Nju Jork u kritikuan si të cekta, apo demagogji dylekëshe, ndërsa qershia mbi tortë ishte abuzimi me përkthimin e çertifikatës së nderit që mori nga lagjia e Manhatanit, gjë me të cilën ne si Forum nuk kishim asnjë lidhje. Më tej, vazhdimësia e veprimit politik të AK-së nuk le shije të mirë, edhe pse mbetet për t’u provuar vlera e saj reale në elektorat. Gjithsesi, unë nuk mund të gjej mjaft arsye për të votuar AK-në këtë herë. Në mungesë të një alternative tjetër, vota me kryq është e vetmja që shpreh protestën duke ruajtur nderin.

Së dyti, nisma duket si jo realiste nga pikëpamja e atyre të cilët si miku im “i kanë mbi shpinë përditë xhelatët e qeverisë aktuale”. Në fillim, nuk mendoj se zgjedha nën të cilën janë shqiptarët i përket vetëm qeverisë aktuale, por është një fenomen shumë më i zgjeruar në kohë. Një qeverisje të ngjashme ja kanë varur shqiptarëve socialistët nga 1997-2005. Ashtu si sot kapja e shtetit ishte totale. Në 2000-ën PS-ja kishte 85 deputetë(shumë nga të cilët kandidatë të sigurtë sot), kishte ligjëruar Dushkun, kishte kryetar të KQZ-së Celibashin (sot kandidat deputet i Rilindjes), terrorizonte opozitën si fizikisht me anë të Pjerin Ndreut(një tjetër kandidat rilindas) por edhe ideologjikisht duke financuar FDR-në e Genc Pollos(ky i fundit i rikthyer në vathën e Saliut).  Unë për vete shoh shumë analogji me tetë vjetët e kaluar dhe me rrugën e përshkuar nga palët e parisë. Në qoftë se Nano kishte Otranton dhe trafikun e femrave me gomone, Saliu ka Gërdecin dhe 21 Janarin. Lazaratin e kanë bashkë sepse asnjëri nuk ndërhyri në republikën autonome të Cannabis Sativas. Mirëpo Rama nuk ishte në Hënë gjatë këtyre viteve. Si aleat i ngushtë i Ilir Metës ai nuk u shpreh për cënimin e dhunshëm të zgjedhjeve të 2001 dhe 2003 ashtu siç bënë vëzhguesit ndërkombëtarë. Ai nuk u shpreh as për cënimin e standartit të zgjedhjeve të 2005-ës (kur formalisht kishte lënë Metën dhe ishte me Nanon) sepse përfitoi kryetarllëkun e Partisë Socialiste. Më tej, modeli i tij në Bashkinë e Tiranës ishte modeli i krimit ekonomik por edhe më tej. Të gjithë e njohin Tan Lepurin i cili sot ka ndërruar këmishë dhe është bërë blu. Sot Edi Rama ka në lista të paktën dhjetë njerëz me precedentë penalë që nuk marrin dot viza (për ironi një numër të ngjashëm ka edhe Saliu). Berisha ndan bashkëautorësinë me Ramën për degjenerimin e sistemit në autokraci oligarko hajnore pas ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, gjë që u kërkua për të defaktorizuar Metën. Kjo dëshmon se Rama nuk kërkon standarte demokratike e zhvillim kombëtar, por kërkon të fitojë e t’a shfrytëzojë vetë pushtetin autokratik që i jep sistemi. Po ashtu, gjatë kësaj fushate, pa folur për Metëkoalicionin, Rama nuk ka propozuar asnjë ndryshim rrënjësor të sistemit po na ka sjellë të përkthyera broshurat e Toni Blerit me ngjyrë vjollcë.  Dhe duhet të mos harrojmë se Gërdecin e ka bashkë me Saliun, siç dëshmon rrahja e shpatullave në spital në krah të Erion Braçes në ditën e tragjedisë dhe tabulatet e telefonatave, të cilat shumë militantë i kanë fshirë tashmë nga kujtesa e tyre selektive. Kësisoj, argumenti i “të paprovuarit” nuk pi ujë.

Mirëpo, ka një argument të vlefshëm i cili na thotë se heqja e Saliut është e mira që mund të përftohet nga këto zgjedhje dhe të paktën në këtë këndvështrim rotacioni është një gjë e mirë. Kjo është në rastin më të mirë naivitet, dhe në rastin më të keq propagandë. Saliu vetëm se forcohet nga fitorja e ngushtë e Rametës që po përvijohet. Në rastin më të keq për të ai del në opozitë i fortë, duke sulmuar iksin e ypsilonin që “ja morrën zgjedhjet me hile” dhe vazhdon i qetë aktivitetin e vet si mbret i partisë së tij familjare. Dhe një fitore e PS-së me Tom Doshin, Paulin Sterkajn, Fidel Yllin dhe Anastas Angjelin nuk më jep shumë shpresë për ndryshim kursi. Raportet e korrupsionit të viteve 2001-05 dhe 2009-13 ngajsojnë si pika uji.

Sipas meje, paria është produkt i ndarjes së munguar me të kaluarën dhe mungesës së ideologjie kombëtare në politikën shqiptare gjatë këtyre 23 viteve, dhe jo pasojë vetëm e pranisë së Sali Berishës në politikë. Pa Saliun ka pari, pa parinë nuk ka Salizëm. Ndaj dhe mendoj se teoria e “heqjes së të keqes më të madhe” është pseudo-teori.

Së treti, krahasimi midis Ramës dhe Berishës nuk mund të bëhet në boshësi. Është e vërtetë që Berisha e ka dominuar sistemin këto 23 vjet duke kapur institucionet e kryer shumë veprime të tjera të dënueshme, por edhe Rama nuk ka qenë pa pushtet. Madje, Rama ka qenë ministër në pushtet kur Berisha sillej rrugëve të Europës me kaseta dhe nxirrte dyqind vetë në shesh për të mbajtur gjallë frymën e partisë. Sjellja e ardhshme e një politikani nuk mund të paragjykohet, por mund të gjykojmë nga ato që ka bërë në të kaluarën. Ndërsa nuk mund të ketë më dyshime mbi pushtetin kriminal të Berishës, Rama nuk ka lënë pas ndonjë gjurmë të mirë, e kësisoj nuk ka arsye t’i besojmë se do ndryshojë këtë herë. Koalicioni me Ilir Metën, listat me oligarkë dhe fushata e dobët që kreu nuk lenë vend për shumë shpresë. Megjithatë, e mirëkuptoj mikun tim që e kërkon me ngulm shpresën tek Edi Rama, çdokush e ka një mundësi teorike të ndërrojë rrugë. Unë mbetem i bindur për votën me kryq.

Në vend të përfundimit, dëshiroj të përmbledh përshtypjet e mia mbi këto zgjedhje. Fushata që po mbaron nuk i ka shtuar ndonjë vlerë përzgjedhjes zgjedhore të 23 Qershorit. Palët janë sjellë ashtu si pritej. Unë nuk ndjehem aspak i dyzuar në zgjedhjen time për t’i vënë kryqin votës. Përkundrazi jam më i bindur se kurrë se kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur nderin.  Sali Berisha dhe Edi Rama, por edhe  kontrolluesit e tyre në hije nuk meritojnë në gjykimin tim asnjë gram besim. Ky sistem është vdekjeprurës për të ardhmen e shqiptarëve dhe duhen gjetur mënyra sa më demokratike për t’a zhbërë nga rrënjët dhe për të rivendosur vullnetin e popullit. Ndoshta kjo do të duhet të bëhemi më keq përpara se të bëhemi më mirë, po mua nuk më interesojnë shumë lojërat e brendshme të parisë. Ata në fund merren vesh me njëri tjetrin, faturën na e lenë ne. Përplasja që po përvijohet do të jetë fatura për shqiptarët edhe këtë herë.

Ndryshimi që kërkohet nuk është rotacion mes hajnash, por ndërgjegjësim kombëtar. Në lojë janë jo vetëm fatet e mbështetësve të disa partive dhe pasiguritë e atyre që urrejnë Saliun, por e ardhmja e shqiptarëve si popull. Ndaj edhe nuk kam asnjë dyshim se efekti i votës me kryq do ndjehet, në mos ditën e votimeve në javët dhe muajt në vazhdim. Paria e ndjen humbjen e legjitimitetit, na mbetet vetëm t’ja faktojmë atë me veprimin tonë. Shpresoj shumë që përplasja që po vjen të mbetet brenda kornizës demokratike.

Në fund, unë ndjehem i lirë dhe nuk kam qëllime personale përtej thënies të së vërtetës sipas gjykimit tim. Deri sa të më jepet mundësia do vazhdoj t’i shpreh mendimet e mia qartë dhe pa frikë, cilatdo qofshin pasojat. Politika ështe profesioni dhe pasioni im si studjues i saj, por nuk e kam aspak të nevojshme të merrem me politikë me çdo kusht. Unë do të mbështes çdo forcë politike që mund të lindë nga vota me kryq me kusht që të ketë për synim bazë dhe të patjetërsueshëm vendosjen e demokracisë, ndërtimin e shtetit komb, zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe ndarjen nga sistemi i parisë. Sepse unë nuk kam dyzime, do të votoj nderin dhe do t’i vendos kryq votës.