LEDJAN PRIFTI: GJEOPOLITIKA NË HISTORINË SHQIPTARE

Pozicioni gjeografik i Shqipërisë (RSH) në  Ballkan është vlerësuar shpesh si strategjik, për shkak të lidhjes Lindje-Perëndim nëpërmjet Egnatias/Shkumbinit, pra Shqipëria e parë si urë. Kur u ne Vlore u instalua baza sovjetike, roli strategjik i RSH-së, nga rajonal (Itali-Ballkan) u ngrit në nivel botëror, për shkak të Luftës së Ftohtë.
Sot mund të vërehet se për shkak të zhdukjes së Perandorive (romake,bizantine, turke, musolianiane dhe sovjetike), të cilat i dhanë rëndësinë strategjike territorit të RSH-së, roli i RSH-së si urë mes Lindjes dhe Perëndimit ka rënë në nivelin më të ulët historik, po të përjashtojmë periudhën e errët të mesjetës së hershme (shek VII-IX). Kjo do të thotë se rëndesia strategjike lidhej me çështje të natyrës gjeopolitike dhe jo thjesht me ato të natyrës gjeografike.
Në të vërtetë, një entitet shtetëror i gadishullit italik, i cili s’ka synime drejt Ballkanit dhe mungesa e një entiteti shtetëror perandorak në Ballkan, e kthejnë Shqipërinë në një territor periferik, pa ndonjë rëndësi domethënëse strategjike.

Ndryshe është çështja e territoreve shqiptare dardane, lindore ose të Ballkanit Qendror, ato pavarësisht Perandorive, luajnë gjithnjë një rol të rëndësishëm strategjik, sidomos falë trekëndëshit lindor, Luginë-Shkup-Kumanovë, që përfaqëson pikën më nevralgjike ku kalon aksi kryesor ballkanik Moravë-Vardar (i cili e ndan Ballkanin më dysh). Praktikisht, përgjatë historisë mesjetare, moderne e bashkëkohore, ai shtet i cili ka kontrolluar trekëndëshin e mësipërm, ka qenë edhe fuqia më e madhe në Ballkan. Po njësoj gjatë dyndjeve barbare në atë trekëndësh kalonin gjithë barbarët që drejtoheshin në jug të Ballkanit.

Kështu ka qenë gjatë mesjetës për shtetin e parë  dhe të dytë bullgar, për shtetin serb të S. Dushanit, perandorinë bizantine e shtetin osman të fundshek 14 kur e kontrolloi, deri në 1912 kur e humbi, për të përfunduar me Serbinë, e cila zëvendësoi Turqinë si fuqia më e madhe ballkanike. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, trekëndëshi u nda mes Maqedonisë dhe Serbisë, një situatë që praktikisht e ktheu Ballkanin në zonë pa fuqi rajonale, situatë e cila për nga natyra e fuqisë nuk mund të jetë afatgjatë. Dështoi në këtë drejtim dora e lirë që i la Europa Greqisë, e cila si periferike dhe me prirje detare (gadishullore), nuk mund të jetë dot fuqia rajonale e Ballkanit.

Por si ndikoi kjo diferencë e rolit gjeostrategjik në historinë politike të shqiptarëve ?

Territoret e Shqipërisë, për shkak të rolit të tyre strategjik, i lidhur me efektin urë kalimi mes Ballkanit dhe Italisë, afërmendsh nuk mund të ndikonin dot pozitivisht në krijimin e një shteti shqiptar gjatë fazave ekspansive dhe kulmeve të perandorive ballkanike apo shteteve italike. Rëndësia strategjike për Bizantin e shtynte këtë të fundit ta vlerësonte si jetike për lidhjet me Italinë, pra si zonë për të cilën shpenzimet ushtarake ia vlenin të bëheshin. Me emrin arbër, shqiptarët dalin për herë të parë në historine politike, si ish-aleatë (symmachioi’) të bizantinëve, por që ishin bashkuar me gjeneralin rebel Gjergj Maniaku (viti 1043), i cili prej Italisë donte të merrte fronin perandorak. Pra, dalin pikërisht në një ndodhi historike që përfshinte Italinë dhe Ballkanin, pavarësisht se ngjarjet zhvillohen brenda shtetit bizantin ( i cili asokohe zotëronte edhe Italine e Jugut).

Por, fakti që para se të bashkoheshin me Gjergj Maniakun, arbërit ( e malesive prej Elbasanit ne Puke, ose Shkumbin-Drin) vlerësoheshin si aleatë të tipit vasalik, tregon për një rol politik të luajtur prej tyre në luftën e Bizantit për shkatërrimin e Perandorisë Bullgare, e cila përfundoi vetëm 25 vjet më herët (1018). Pra, fillesa e një roli politik lidhet me shkatërrimin e një perandorie (ajo bullgare). Zëvendësimi i menjëhershëm i një perandorie nga një tjeter, nuk dha mundësinë e krijimit të shtetit, por krijoi hapësira për një rol politik vasalik.

Kështu, në bazë të këtij parimi gjeopolitik, na mjafton të presim dobësimin e Bizantit (një perandorie ose shteti hegjemon) në mënyrë që arbërit të dalin me shtetin e tyre të pavarur. Në fakt, në fund të shekulli XII Bizanti dobësohet, prej kësaj përfitojnë bullgarët që krijojnë shtetin e dytë bullgar në 1185 dhe 5 vjet më vonë kemi shtetin e Arbërit si shtet i pavarur. Ky shtet, përsëri në bazë të parimit të mësiperm do e kishte jetën në hartën politike, derisa zbrazëtia e pushtetit në Ballkan të mbushej, pra derisa të dilte një shtet hegjemon. Ky shtet hegjemon ishte Perandoria e Nikesë, e cila rikrijoi Perandorinë Bizantine (e shkatërruar nga kryqëzata e katërt). Më 1255 shteti i arbërit nuk ekziston më as në formë vasalike (më 1261, Nikea rimerr Kostandinopojën e kështu rikrijon P. Bizantine).

Historia e Shqipërisë vazhdon t’i bindet këtij parimi gjeopolitik, sipas të cilit në territoret e Shqipërisë ekzistojne shtete të pavarura, nqs në Ballkan ka një zbrazëti fuqie dhe asnjë shtet italik s’ka forcë për të pushtuar Ballkanin.
Për Bizantin, rëndësia strategjike e Shqipërisë ishte e atillë saqë vetë Perandori Bizantin vjen 2 herë në krye të ushtrive për të shtypur kryengritje arbërore në malësitë poshtë Shkumbinit dhe kjo vetëm pak vite para se Stefan Dushani (mesi i shek. XIV) të pushtonte gjithë territoret bizantine në perëndim të Selanikut e të kërcënonte vetë Kostandinopojën. Pra, në kushtet kur Bizanti ishte dobësuar sa më s’ka, përsëri sforcohej në maksimum që të kontrollonte Shqipërinë (të njëjtin sforcim do të bëjë edhe Turqia 5 shekuj më vone, kur në prag të varrit, në vend të na jepte autonominë, vinte me ushtri – apo vizita e Sulltanit në Kosovë, 1911).

Kryengritësit antibizantine duket se kanë gjetur një aleat të përkohshem taktik tek Stefan Dushani, pasi pak vjet pas vdekjes së tij, me shkatërrimin e perandorisë jetëshkurter që krijoi, arbërit dalin në mënyrë spektakolare, nga Shkodra deri në Artë, me një sërë principatash (praktikisht gjithë Shqipëria gjeopolitikisht Perëndimore- RSH, Camëri, Mal i zi). Pra kemi sërisht, zbatimin e parimit gjeopolik, sipas të cilit zbrazëtia e pushtetit që krijohet pas shkatërrimit të një shteti hegjemon, nxit krijimin e shteteve të pavarura në territoret e Shqipërisë.

Ndërkaq, roli i rëndësishëm i Shqipërisë si urë kalimi Ballkan-Itali, vërehet tek vëmendja e ulët që i kushtoi Turqia në fazën e parë të ekspansionit të saj në Ballkan dhe këmbëngulja e jashtëzakonshme e Sulltan Mehmetit më vone, gjatë kohës së Skënderbeut. Ndërsa në fazën e parë, Turqia u bë shtet hegjemon me pushtimin e Maqedonisë dhe fitoren në betejën e Kosovës, por i la Shqipërisë për një kohë të gjatë princat e principatat, në kohën e sulltan Mehmetit, i cili donte me çdo kusht që pas Kostandinopojës (1453) të pushtonte edhe Romën, kemi një luftë të pashembullt për pushtimin e  plotë të Shqipërisë, e pasi e realizoi në 1479, nuk humbi kohë, por menjëherë në vitin që pasoi, zbarkoi 10 mijë ushtarë në Itali (Otranto).

Shqipëria nuk mund t’i rezistonte dot përjetësisht fuqisë hegjemone të Ballkanit, madje duhej një gjeneral e burrë shteti i jashtëzakonshëm si Skënderbeu, që të vononte zbatimin e parimit gjeopolitik. Ishte shumë e rëndësishme strategjikisht për lidhjet me Italinë (sulmin apo mbrojtjen) që të lejohej ekzistenca e ndonjë shteti (sikunder si Bizanti, si Turqia, pas përpjekjeve të dështuara, lejuan ekzistencën e Dioklesë/ Malit të Zi si shtet vasal).

Për të rigjetur një formacion shtetëror duhet të presim dobësimin e Turqisë, i cili ndodh në gjysmën e dytë të shek 18, kështu kemi pashallëqet autonome të Bushtallinjve dhe Ali Pashës, të cilat nuk kthehen dot në shtete shqiptare (sikundër pashallëku i Beogradit u kthye në shtetin aktual serb), për shkak, nga njëra anë të rifuqizimit të pushtetit qendror në Turqi gjatë viteve ’20-30 të shek 19, nga ana tjetër sepse nuk gjetën mbështetje nga jashtë e as zbatuan parimin nacional të shtetformimit (sikundër bënë grekët e serbët). Pra ishin dy formacione thellësisht feudale në strukturë e mendësi, që nuk i mbijetuan dot rikthimit të pushtetit qendror turk.

Së fundmi, vazhdimi i dobësimit të Turqisë (sado që ngeli shteti hegjemon), krijoi mundësinë e një shteti të ri shqiptar, mundësi që u bë realitet pasi Turqia humbi hegjemoninë si pasojë e dëbimit nga Ballkani gjatë Luftës së parë Ballkanike. Nga kjo zbrazëti e përkohshme pushteti, u krijuan kushtet për një shtet të pavarur shqiptar në Shqiperi, në bazë të ciklit historik. Këto kushte u shfrytëzuan si duhet nga shqiptarët  e me ndihmën e Italisë dhe Austro-Hungarisë, rilindi shteti shqiptar.

Duhet ripohuar e theksuar se ky cikël historik që lidhet me hegjemoninë në Ballkan, përfshin vetëm Shqipërinë Perëndimore (RSH) e jo krejt trojet etnike, pikërisht për shkak të pozicionit strategjik, prandaj edhe kemi ekzistenca të vazhdueshme shtetesh të pavarura e formacionesh vasale gjatë fazave të shkurtra apo të gjata të zbrazëtisë sëpushtetit (arbërit si symmachioi, Principata e Arbërit, pricipatat arbërore, shteti i Skënderbeut, pashallëqet autonome të Aliut e Bushatllinjve e së fundmi Shqipëria), ndryshe nga territoret gjeopolitikisht lindore (Kosova, Ilirida, Lugina), të cilat pas pushtimit romak deri në 1999, nuk kanë patur mundësi të krijojnë formacione politike shqiptare (asnjë pashallëk nuk ishte realisht autonom).

Territoret lindore kanë vuajtur rolin e rëndësishëm strategjik në vendosjen e kujt do të ishte fuqi hegjemone në Ballkan e për atë territor janë përleshur, bizantinët, bullgarët, turqit e serbët përgjatë 1200 vjetëve të fundit. Shqipëria perëndimore ka vuajtur fuqitë hegjemone vetëm pasi ato përfitonin statusin në Ballkanin Qendror, por asnjëherë nuk ka qenë territor ku vendosej se cili do të ishte shteti hegjemon i Ballkanit. Kjo i ka dhënë avantazh, që gjatë periudhave të zbrazëtisë tëpushtetit/hegjemonisë, të krijonte entitete shtetërore vendase.

Si përfundim në bazë të gjithë arsyetimit të mësipërm, aspekti ciklik i historisë politike vendos si imperative për mbijetesën e RSH-se përgjatë mijevjeçarit të tretë ku kemi hyrë, përpjekjet për pengimin e krijimit të çfarëdo shteti hegjemonik që nuk është Shqipëria e Bashkuar, pasi çdo orvatje hegjemonike, përfshirë Jugosllavinë deri në 1990 dhe Greqinë pas 1990, rrezikon seriozisht ekzistencën e shtetit shqiptar apo tërësinë territoriale të tij. Po kështu, shqiptarët e Territorit Dardan (Kosovë-Iliridë-Luginë) duhet të ndërgjegjsohen se çdo shtet i vogël shqiptar që mund të ngrihet (Kosova apo nesër Ilirida), do të jetë pre e menjëhershme e fuqisë së ardhshme hegjemone, sikundër ka qenë deri me sot, prandaj e vetmja e ardhme e një shteti shqiptar në ato troje, e vetmja garanci afatgjatë për sigurinë e jetës, pronës dhe lirisë politike, mund të jetë vetëm Shqipëria e Bashkuar.

 Persa i përket Shqiperisë së Bashkuar, vlera e bashkuar strategjike e RSH-së dhe Territorit Dardan, është shumë më e madhe sesa vlerat strategjike të ndara të dy zonave. Kështu Shqipëria e Bashkuar, nga bregdeti në Kumanovë do të kishte kontrollin e rrugëve kryesore të lëvizjeve Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, njëkohësisht të rrugës më tëshkurtër ballkanike prej bregdetit në  Ballkanin Qendror (kjo do të ngrinte për nga rëndësia Durrësin në rangun e Selanikut). Do të kishim edhe kontrollin e komunikiminit Serbi-Greqi, i cili në rast konflikti ka vlerë të paçmuar. Maqedonia është shtet tepër i vogël për të përbërë pengesë reale për komunikimin serbo-grek, e megjithatë një shtet sllav në pjesën sllave të Maqedonisë, është i domosdoshëm si shtet guzhinet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë ( historia i ka bërë bullgarët me një mentalitet të rrezikshëm hegjemonik, mentalitet që e kanë shprehur vazhdimisht deri në 1945-n).
Roli i kontrollit të trefishtë të komunikimit (Veri-Jug,Lindje-Perëndim, Bregdet-Ballkan Qendror) kerkon një ndërgjëgjsim të ri, një mentalitet të ri, një projekt dhe mjetet e nevojshme për t’u  realizuar. Karakteri ciklik i historisë politike na detyron të zgjedhim midis marrjës përsipër së kontrollit të trefishtë dhe vasalitetit (e përgjumjes historike që e shoqëron).

LEDJAN PRIFTI: SHQIPTARIA DHE FEJA II

Në replikën  e tij, ”Shqiptaria nuk i ka asnjë borxh fesë”, z. Kallamata më vuri para një pozicioni relativisht të papritshëm; atë të shpjegimit të hollësishëm të premisave mbi të cilat bazohej ideja e shkrimit, se shqiptaria nuk e ka përmbushur ende rolin esencial të vendosjes së sistemit modern të vlerave, rol të cilin e mori përsipër nacionalizmi gjatë Rilindjes. Megjithatë replika (me mbështetjen e gjerë që gjeti) më konfirmoi bindjen e shprehur se nuk kemi ende as ndërgjegjësim si front për përmbushjen e këtij roli.

Titulli i replikës është kryekëput pa lidhje; mesa duket i nderuari z.Kallamata kishte nevojë për një titull bombastik, prandaj po e anashkaloj, ashtu sikundër edhe disa momente jo fort të lumtura (të prodhuara me siguri nga leximi i pavëmendshëm) , të cilat e tejkalojnë etikën e debatit të përgjegjshëm dhe prodhues.

Në vija të trasha:

1-Shqiptaria jo vetëm që i mori fesë terren në politikë e kulturë, por iu mbivendos totalisht tek aksioma ”feja e shqiptarit është shqiptaria”.

2- Nuk kam folur për monopol aktual fetar të moralit, përkundrazi kam folur për betejë moderne mes fesë dhe liberalizmit

3- Nuk kuptohet replika rreth komunizmit

4- Askund s’kam pohuar në asnjë formë (dhe larg meje ideja) se bejleret ishin më të moralshëm se rilindasit

5- Nuk kam thënë që fetë janë indiferente ndaj parasë, por vetëm që paraja nuk përbën bosht për sistem vlerash (hiq ato ekonomike, kuptohet)

6- Kam thënë se feja islame në Kosovë u përdor si mjet politik prej nacionalizmit për arsye reagimi e mbijetese (çka strukturalisht ishte pozitive e jo negative)

Më hollësisht, premisa esenciale e marrjes së terrenit ose zëvendësimit nuk përbën ndonjë gjë skandaloze për të çjerrë faqet, përkundrazi ishte dhe është një proçes i domosdoshëm modernizimi të shoqërisë. Për më tepër që fetë në Shqipëri, për arsye historike ishin lidhur fort me pushtuesit, mjaft të kujtojmë që deri në fund të shek XIX, myslimani kishte avantazhe politike, juridike e ekonomike ndaj kristianit, një pabarazi e konfirmuar prej traditës dhe ligjit islamik. Tanzimati dha njëfarë barazie formale, por që nuk pati asnjë substancë domethënëse në praktikë (pavarësisht presionit të vazhdueshëm të Fuqive të mëdha gjatë shek XIX).

Po njësoj ortodoksia ishte e lidhur fort me pushtuesit bizantinë, më vone grekë (deri në shkëputjen falë Nolit), ashtu sikundër katolicizmi me pushtuesit venedikas (Durrës, Shkodër,Drisht, Lezhë, Ulqin, Tivar, Danjë), më vonë me austro-hungarezët dhe italianët (të dyja shtetet u kthyen nga Fuqi kujdestare në pushtuese).

Pra, zëvendësimi i rolit të identitetit fetar me atë etnik, ose marrja e terrenit në shtetformim, politikë, administratë, kulturë etj ishte një domosdoshmëri, si për ekzistencën e një shteti të pavarur shqiptar, ashtu edhe për modernizimin e shoqërisë shqiptare dhe kalimin në epokën e sovranitetit kombëtar/popullor (i cili implikon demokracinë) dhe shtet- kombit.

Deri këtu, proçesi është relativisht i ngjashëm me proçeset europiane, ku bashkë me nacionalizmin operonte edhe liberalizmi (e ideologji të tjera më pak të suksesshme), prandaj kemi ngado laicizimin e shtetit. Në pothuaj gjithë vendet perëndimore kemi një nacionalizëm që mbizotëron ne aspektin politik, sidomos në shtetfomim (shtet-kombi), e që luan rol kyç bashkë me liberalizmin në kulturë.

Por, nuk duhet harruar se ky zëvendësim u bë i mundur edhe falë depërtimit të nihilizmit (vdekja e Zotit), të cilin e shpjegoi aq mirë Niçja, por duhet thene se që tek Hegeli shohim frikën ndaj mungesës së absolutes.

Ndërsa nihilizmi sillte në Perëndim, por edhe Shqipëri, nevojën për rishikimin e sistemit fetar të vlerave, tek ne ndryshe nga Perëndimi ( ku  liberalizmi iu fut me sukses punës së rishikimit dhe vendosjes së një sistemi vlerash), këtë barrë, në mungesë të çfarëdo forme të liberalizmit, madje edhe progresizmi, marksizmi etj,  e mori përsipër nacionalizmi. Nihilizmi si esencialisht antifetar, shtroi detyrën e rishikimit të të gjitha vlerave, deri në atë kohë monopol i fesë. Në perëndim, më i suksesshmi u tregua liberalizmi dhe më pak rrymat e tjera, përfshirë nacionalizmin, i cili u mor me vlerat politike të shtetformimit dhe me vlerat themeltare të kulturave kombëtare.

Në Shqipëri, barrën e rishikimit të të gjitha vlerave e mori përsipër nacionalizmi (deri ne 1945, kur hyri në skenë komunizmi), qoftë sepse mungonte liberalizmi, progresizmi, marksizmi, por sidomos sepse nacionalizmi duke fituar i vetëm betejën ndaj fesë, mori i vetëm edhe gjithë terrenin e fituar, duke bërë të vështirë vetë ekzistencën e hapësirave të pavarura liberale, progresiste, marksiste etj. Nacionalizmi brenda vetes kishte edhe liberalë, edhe progresistë, edhe majtistë ose më mirë socialdemokratë.

Natyrisht, nevojat e Shqipërisë në rrugën e modernizimit ishin të stërmëdha dhe struktura e fortë gati-feudale e vështirësonte më tej rrugëtimin, por kjo nuk justifikon paaftësinë kronike që ka treguar nacionalizmi në rishikimin e të gjitha vlerave (kur kundërshtarët janë më të fortë, atëherë tregon paaftësi ose pamundësi për t’i mposhtur). Rilindasit nuk u pasuan nga trashëgimtarë të denjë (si elitë, jo si individë) dhe komunizmi ndërhyri aq dhunshëm saqë në 1945, filloi një epokë e re, ajo e elitës majtiste, e cila i jep ngjyrat ende sot çdo proçesi domethënës në lidhje me sistemin e vlerave; ka një hegjemoni që nuk është kontestuar si duhet nga djathtistët, aq më pak nga nacionalistët, të cilët kanë humbur busullën e s’po e gjejnë dot më.

Problemi më themelor i nacionalizmit në procesin e rishikimit të vlerave (i filluar nga bashkëveprimi i nacionalizmit me nihilizmin ) është se nuk ka treguar aftesitë e nevojshme propozitive, por është limituar në importin e vlerave prej Perëndimit dhe konfirmimin e vlerave historike që quajmë shqiptare (të cilat nxirren zakonisht nga përjashtimi i vlerave specifike që shprehin fetë monoteiste në Shqipëri). Në të vërtetë, elitat hegjemone majtiste si edhe ato djathtiste, janë më të limituara edhe se vetë elitat e hershme nacionaliste, pasi merren vetëm me import vlerash, si me qenë tregtarë e ndonjëherë trafikantë vlerash ( kur trafikojnë në Shqipëri vlera tipikisht kristiane të Perëndimit).

Si përfundim (padyshim mund të thuhet më shumë), kalimi i detyrueshëm nga epoka e sistemit fetar të vlerave në epokën moderne të sistemit të vlerave, i filluar nga nacionalizmi nuk është përmbushur ende, sado që në këtë proçes kanë ndërhyrë edhe liberalizmi, marksizmi, progresizmi e çdo lloj ideologjie moderne. Nacionalizmi rregulloi vetëm vlerat supreme të shtetformimit e ato themeltare të kulturës kombëtare, por nuk arriti të konsolidojë një rend të detajuar vlerash, mungesë të cilën e vuajmë sot dhe do vazhdojmë ta vuajmë derisa nacionalizmi të çojë në fund detyrën e marrë përsipër gjatë Rilindjes. Liberalë, marksistë e progresistë, nuk kanë asnjë shans ta realizojnë, sepse askund nuk mund të vendoset një rend i detajuar vlerash vetëm nëpërmjet tregtisë e trafikimit ndërkombëtar të vlerave. Pa përpjekje të reja e propozitive në këtë drejtim, nuk do të ketë as ndonjë forcë domethënëse politike nacionaliste në Shqipëri dhe as pengesë serioze ndaj proçesit bashkëkohor të degjenerimit të partive nacionaliste në Kosovë e Maqedoni.

LEDJAN PRIFTI: SHQIPTARIA DHE FEJA

Historikisht, raportet (brenda-)kombëtare dhe ndërkombëtare jane kushtëzuar në masë të madhe prej fesë. Në epokën e shqiptarisë si parimi themeltar i shtetformimit, politikës,kulturës etj, falë goditjeve të vazhdueshme e të shumanshme që ka marrë, feja ka lëshuar terren, madje më shumë sesa shqiptaria ishte në gjendje të mbulonte. Terreni, të cilin shqiptaria ia mori fesë, por pa qenë në gjendje ta mbulonte, duke e lënë kështu në anarki, u identifikua 80 vjet më parë nga Noli tek ”5 anarkitë”:

– E treta. Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

Anarkia morale e Nolit mund të quhet edhe anarkia e vlerave, e gjykimit nga pozicioni i vlerave. Sikur të mos mjaftonte pamundësia e nacionalizmit për të vendosur në mënyrë përfundimtare rendin në fushën e vlerave- ose të caktonte rendin e duhur të vlerave-, në anarkinë e vlerave hyri me shpatë edhe komunizmi, që u duk sikur po caktonte një rend të gjerave, por për te kuptuar pas 1990-s, se komunizmi vetëm sa e kishte thelluar anarkinë. Kjo gjendje anarkie nuk u sistemua as në këto 22 vjet, me hyrjen e sistemit perëndimor të vlerave. Prandaj edhe Noli është kaq bashkëkohor, sepse e njëjta anarki sundon edhe sot, madje sundim pa afat.

Në këtë anarki vlerash, jo vetëm që s’ka vend për meritokraci të menjëhershme, por nuk ekziston as ndonjë shans për të nisur ndonjë reformë të bazuar tek parimi meritokratik (merita kuptohet vetëm në hierarkinë e vlerave, pra vetëm brenda një rendi vlerash). E vetmja vlerë e qendrueshme është paraja, por paraja është një vlerë, e cila nuk mund të shërbejë dot si parim esencial për të krijuar një rend moral. Pra, s’kemi as nga t’ia nisim, që të kemi besim tek sistemimi afatshkurtër i gjendjes. Nqs parimi meritokratik, aq i domosdoshëm në politikë, administratë, kulturë etj, nuk mbështetet nga një rend i përcaktuar i vlerave në shoqëri, ngelet një koncept krej bosh, veç një sllogan politik.

Kur Rilindasit e ngritën shqiptarinë nga një identitet i përgjumur apo paraqitje mjegullore e qenies shqiptare, në parim themeltar të shtetformimit, politikës, kulturës e të prodhimit të vlerave (feja e shqiptarit është shqiptaria), ata nuk ishin në gjendje të mendonin për gjithë pasojat e këtij ndryshimi epokal në jetën e shqiptarëve. Detyra e tyre ishte hapja e rrugës për brezat e ardhshëm, jo dhënia e gjithë zgjidhjeve si me magji. Detyrat që u kish caktuar Historia i kryen me sukses, ishin brezat pasardhës që nuk u treguan në lartësinë e detyrave e përgjegjësive të tyre. Për brezat pasardhës mund të gjenden 1000 arsye e justifikime, por fakti ngelet që ato u treguan në lartësinë e pretendimeve për të drejtat e tyre, por jo të detyrave.

Megjithatë, pak rëndësi ka fajtori, gjendja është kjo që është, një anarki kronike vlerash dhe një front nacionalist ende i papërgatitur për të përmbushur detyrat që vijnë nga zëvendësimi i fesë me shqiptarinë. Biles, jo vetëm i papërgatitur, por deri diku ende i pandergjegjësuar (si front) për detyrën esenciale të  sistemimit të vlerave në shoqëri.

Duke qenë se koha e kthimit të shqiptarisë në themel qenësor të gjithçkaje që lidhej me shqiptarët, përkon me kohën e vdekjes së Zotit në Perëndim dhe rrjedhimisht me depërtimin e nihilizmit në mbarë Perëndimin – çka u përkthye në rishikim të gjithë vlerave-, atëherë nacionalizmi jo vetëm që e pranoi nihilizmin në esencën e vet antifetare, por përsa i përket fushës së rishikimit te vlerave krijoi me të një organizëm simbiotik. Kjo eshte veçori shqiptare pasi nacionalizmat ballkanike ishin në simbioze me Kishën, ndërsa ata perëndimorë u morën me fushën politike e ia lanë rrafshin e vlerave Kishës dhe liberalizmit, duke ndërhyrë rrallë në betejat mes tyre. Ky organizëm simbiotik(nacionalizëm+nihillizëm) më shumë se me krijimin e rishikimin e të gjithë vlerave u kufizua në konfirmimin e vlerave jokristiane e joislame.

Gjithsesi në trojet etnike të pushtuara prej Serbisë e Greqisë, nacionalizmi nuk pati luksin të armiqësohej me fenë, përkundrazi në masa relativisht të gjera identiteti shqiptar vazhdoi të kuptohej brenda fesë islame. Ky ishte një hap i detyruar nga lidhja simbiotike kishë-nacionalizëm që kanë serbët e grekët. Megjithatë në ato troje etnike, raporti mes shqiptarisë dhe fetarisë/identitetit fetar, gjatë këtij 100 vjeçari, ndryshoi përsa i përket lidhjes mes mjetit e qëllimit.

Më parë, kur identiteti fetar si identiteti suprem në politikë,administratë, kulturë etj, kishte nevojë për identitetin etnik shqiptar në mënyrë që të forconte pozitat e P. Osmane, e përdori shqiptarinë si mjet lufte kundër serbëve dhe grekëve. Duke parë leverdine politike, në këtë përdorim të shqiptarisë në favor të fetarisë e shtetit osman, elitat politike e fetare të Turqisë u përpoqën edhe gjatë Lidhjes së Prizrenit që ta kthenin shqiptarinë në mjet lufte. Por gjatë kohës së Lidhjes, nacionalistët shqiptarë i kthyen letrat në tavolinë dhe duke vendosur shqiptarinë si qëllim politik u përpoqën të kthenin identitetin fetar në mjet, e jo vetëm atë islam, por edhe atë katolik ( kundër malazezëve).

Në njëfarë mënyrë, ky kthim i shqiptarisë në qëllim politik dhe i fetarisë në mjet politik, vazhdoi të ekzistojë në trojet e pushtuara paralelisht me shqiptarinë e mirëfilltë që nuk i njihte asnjë rol politik  pozitiv fesë, as si mjet. Vazhdon të ekzistojë edhe sot, por duke qenë një produkt strukturor, në momentin e sotëm të panevojshmërisë strukturore, mund të vlerësohet në zhdukje e sipër. Të njëjtin fat ka ndjekur edhe lidhja e shqiptarisë me fenë e krishterë, e përdori fenë në momentin fillestar kundër Turqisë dhe pasi feja e përmbushi detyrën, filloi të largohet prej saj deri në shpalljen e armiqësisë.

Problemi më i mprehtë i shqiptarisë me fenë lidhet me faktin e mirënjohur që feja, prej hyrjes së Krishtërimit, ka përfaqësuar gjithnjë interesat politike të entiteteve politike të huaja (nga vinte edhe nevoja e ndërrimit te fesë gjatë mesjetës tek fisnikët shqiptarë). Kur Krishtërimi zhduku hyjnitë shqiptare, zhduku edhe çdo ndikim pozitiv të besimit fetar në politikën dhe historinë e shqiptarëve si të tillë (ose si etni). Të njëjtën gjë kemi edhe me islamin, i cili erdhi si përfaqësues i interesave politike të shtetit osman, me një kaste klerikale besnike të Sulltanit (që ishte edhe Kalifi). Prandaj hyrja e nacionalizmit në historinë e shqiptarëve, nuk mund të mos përshoqërohej me një identifikim të negativitetit historiko-politik të fesë. Pavarësisht apologjive të rolit të x apo y feje në periudha të ndryshme të historisë, në tërësinë e vet identiteti fetar ka qenë dhe është një armë e të huajve për ndikim në Shqipëri. Roli pozitiv i njërës apo tjetrës fe, nuk është gjë tjetër veçse produkt i pajtimit të përkohshëm së interesave shqiptare me interesat e ndonjërës prej fuqive të huaja, sepse në thelb, roli historiko-politik i feve në Shqipëri nuk dallon nga ai i agjencive të huaja.

Ky problem mund të quhet i zgjidhur prej kohësh në aspektin politik, sepse feja është ndarë nga shteti dhe ka ndikim të vogël në masën e votuesve, megjithatë që të zgjidhej ky problem, u desh të sakrifikohej rendi i vlerave, ose më saktë zgjidhja e tij u pagua me anarkinë e vlerave. Nacionalizmi nuk pati aftësinë që më asgjësimin e rolit fetar, t’i mbivendosej si duhej feve në fushën e vlerave. Roli i tij ontologjik u kufizua në njëfarë ontologjie politike, vetëm aty arriti të sistemojë rrafshin e vlerave supreme, por edhe aty pa përcaktuar në detaje rendin e vlerave politike. Roli ontologjik në kulturë ndoqi nevojat politike, duke e lënë kështu kulturën shqiptare pa një rrafsh të mirëfilltë ontologjik, aq sa sot duhet të debatojmë se cili është boshti i kulturës sonë, ai perëndimor( kristian) apo ai lindor(islamik).

Si përfundim, dy zgjidhje ka; ose të dorëzohemi e të pohojmë se nacionalizmi e bëri hapin më të madh se këmba kur pretendoi të zëvendësojë edhe rolin ontologjik të feve, nga buron një rend i fiksuar i vlerave shoqërore, ose të drejtohen energji nga fusha politike drejt zhvillimit të rrafsheve ontologjike e morale, në mënyrë që anarkia e vlerave të marrë fund njëherë e mirë. Në rastin e parë, fusha e vlerave shoqërore do i lihet në dorë fesë e liberalizmit, betejës historike perëndimore mes tyre, në rastin e dytë, nga fiksimi i një rendi të vlerave shoqërore mund t’i japim shqiptarisë statusin e një feje civile, çka e bën shqiptarinë garante të ekzistencës politiko-kulturore së shqiptarëve nëpërmjet unitetit e unicitetit të vlerave; e pse jo edhe krijuese të një qytetërimi autentik.

LEDJAN PRIFTI: PROBLEMI GJEOPOLITIK I BASHKIMIT

Gjeopolitika si koncept nuk ka një përkufizim universal, ndoshta si pasojë e mungesës së përkufizimit universal të vetë politikës. Aq më pak mund të përkufizohet si i gjithëpranueshëm ‘problemi gjeopolitik i Bashkimit’. Në të shumtën e rasteve problemi gjeopolitik reduktohet në problemin e konjukturës politike së kohës, i cili më tej reduktohet në vërejtjen e (pa)fuqisë ushtarake të shqiptarëve dhe përtej bukurshkrimit, problemi gjeopolitik në thelb mbaron me këtë vërejtje, natyrisht  kur nuk vazhdon me logorroizmin historik disfatist.

Në njëfarë kuptimi, problemi gjeopolitik fillon pikërisht me mungesën e njohjes dhe trajtimit të gjeopolitikës. Nga njëra anë kjo është e kuptueshme, sepse si disiplinë shkencore u denigrua botërisht gjatë Luftës së Ftohtë, sidomos prej regjimeve komuniste, nga ana tjetër prirjet eurocentrike të këtyre 20 vjetëve nuk lejuan as hapësirat dhe as interesin e nevojshëm. Përndjekja ideologjike ndaj saj vazhdon në mënyrë të butë, madje edhe kur thirret nëpër analiza, i jepet një formë edhe më e mjegullt sesa ajo disiplinë mbart vetë, keshtu paraqitet si koncept bosh.

Megjthatë, tej përndjekjes majtiste e integrimse (majtiste a djathtiste qoftë), gjeopolitika has një problem më të rendësishëm brenda rrymave politike apo shoqërore që përpiqen për Bashkimin. Këto rryma janë të ndara në dy pjesë, ata që janë për një përdorim kaotik të forcës dhe ata që janë për zgjidhjen e çështjes kombëtare vetëm në bazë të së drejtës. Të parët përfaqësojnë arketipin e nacionalistit të pushkës (sot kallashit), që përdorimin e forcës e shohin si detyrë individuale e të shenjtë të nacionalistit, ndërsa të dytët janë legalistët, të cilët mohojnë përdorimin e forcës dhe pretendojnë se çështja kombëtare mund të zgjidhet vetëm brenda legalitetit ndërkombëtar.

Të parët janë për përdorim kaotik të forcës, pasi nuk i pranojnë shtetit monopolin e përdorimit të forcës. Prandaj, në thelb ai përdorim force nuk është politik, por bëhet i atillë vetëm nqs ka mbështetje politike nga ana e shtetit. Mbështetja e shtetit i heq karakterin kaotik dhe e kthen në perdorim politik të forcës, rrjedhimisht të dobishëm për çështjen, e cila është esencialisht politike. Fakti që Bashkimi është çështje esencialisht politike, nuk i jep të drejtë asnjë prej dy rrymave, as kaotikëve që e shohin zgjidhjen tek forca bruto (si shumësi forcash individuale të modelit heroik)  dhe as legalistëve që e shohin tek legaliteti ndërkombëtar. Bashkimi nuk është as për së largu një çështje juridike, që zgjidhet me anë të avokatisë ndërkombëtare.

Ndokush mund të më vërejë, se qendrimi legalist është i imponuar nga mungesa kronike e fuqisë apo pamundësia e Bashkimit me mjete te tjera përpos së drejtës ndërkombëtare. Në radhë të parë, si më sipër, qëndrimi legalist nuk mund të jetë mjet për Bashkimin, sepse nuk kemi të bëjmë me një çështje juridike, maksimumi mund të jetë mjet për mbajtjen gjallë të çështjes  apo për ndihmë diplomatike, por kurrsesi për zgjidhjen. Së dyti, nuk duket e arsyeshme të mbahet në parim një qendrim, i cili bazohet tek pamundësia e Bashkimit, përderisa aktiviteti politiko-shoqëror bazohet tek realizimi i Bashkimit. Pra, qëndrimi legalist 100 vjet pas copëtimit rezulton të jetë thjesht një humbje kohe, madje ka marrë edhe karakteristika groteske.

Në kushtet e sotme, të dy qëndrimet e sipërme janë bërë obsolete. Kemi tashmë dy shtete shqiptare që përfshijnë 85-90% të shqiptarëve, kështu që nacionalistët spontane të pushkës janë një relike e kohërave të vjetra, nuk ka më vend për sjellje jopolitike e përdorim kaotik force. Vendin e kaçakëve dhe trimave e kanë zënë ushtarët e rregullt, vendin e komandantëve e kanë zënë oficerët. Ndonëse ka ende mundësi për të ashtuquajturën lufte asimetrike në Maqedoni (si e vitit 2001), afërmendsh rolin kyç për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Maqedoni e kanë Shqipëria e Kosova si shtete.

Po ashtu, qëndrimi legalist është bërë obsolet, sepse ndryshe nga një brez më parë, kur legalizmi kryente të pakten një funksion në mbijetesën e propogandimin e çështjes kombëtare, tashmë që kemi dy shtete e jemi etni shtetformuese në Maqedoni, nuk kryen më asnjë funksion domethënës, biles nëse duam t’i gjejmë ndonjë funksion, është ai i shërbimit si strehë e atyre që nuk duan realisht bashkimin dhe me dinakëri gjejne tek pamundësia konkrete e Bashkimit me anë të së drejtës ndërkombëtare, një gjethe fiku për të mos dalë haptazi si antipatriotë.

Pra, jetojmë në kohë të reja, me kushte të favorshme, por vazhdojmë të mendojmë e veprojmë me kategori obsolete. Ishim të vonuar në shpalljen e Pavarësisë, po vonohemi sërish në çështjen e Bashkimit.

Sot ka ardhur koha të përqendrohen energjitë në konceptualizmin e zhvillimin e një doktrine kombëtare që bazohet tek  gjeopolitika, tek identifikimi i gjendjes në trojet etnike si gjendje esencialisht gjeopolitike, ku politika e fuqisë të mos jetë një fobi, por një perspektivë, ku ndikimi i faktorëve gjeografikë të analizohet me objektivitet dhe të merren masa për të limituar dëmet që vijnë prej tyre, të dallohen dhe stimulohen prirjet detare e kontinentale të shqiptarëve të rajoneve të ndryshme, të identifikohet qendra ( pivot) etj.

 

Problemi më i mprehtë gjeopolitik që ka kushtëzuar historinë tonë është mungesa e një uniteti gjeografik. Në vija të trasha territori i Shqipërisë etnike është i ndarë në dy pjesë  prej vargmaleve që fillojnë prej Novi Pazarit deri në Liqenin e Prespës(vazhdojnë më në jug me Pindin, i cili ndan Camerinë/Epirin nga territoret greke).

Pjesa perëndimore formon një vazhdimësi territori, ku gjithë lumenjtë e mëdhenj burojnë në vargmalet ndarëse dhe derdhen në det sipas një drejtimi, në vija të trasha, lindje-perendim (nga malet lindore në bregdet). Megjithatë përveç Shkumbinit dhe Vjosës, të cilët kanë lugina të përshtatshme për rrugë, gjithë të tjerët kalojnë nëpër male e gryka të thespisura kështu që janë pak të dobishëm përsa i perket komunikimit rrugor. Pikërisht Shkumbini nëpërmjet Egnantias dhe Vjosa, që lidh Ultesirën Perëndimore me Camërinë, kanë përfaqësuar edhe dy arteriet kryesore të komunikimit, invazioneve ,dyndjeve apo lëvizjeve.

Kështu, në lashtësi shtetet ilire që përfshinin bregdetin (enkelejtë, taulantët, ardianët), nëpërmjet Shkumbinit (dhe dytësisht përmes Tomorricës) dilnin në zonën e liqeneve dhe komunikonin me Maqedoninë, ndërsa nëpërmjet Vjosës komunikonin me Epirin. Ndërkaq komunikimi me Dardaninë ishte i kufizuar për shkak të mungesës së rrugës ( Drini i bashkuar, ka vlerë të paçmuar energjitike, por s’ka fare vlerë komunikimi).

Vazhdimisht përgjatë historisë, shqiptarët perëndimorë kishin më shumë lidhje (tregti,luftë, lëvizje popullatash) me lindjen e jugun, nëpërmjet Shkumbinit e Vjosës, sesa me shqiptarët e Dardanisë dhe Iliridës(përveç atyre të jugut nga liqenet deri në Dibër).

Pra, këto 3 akse (Shkumbin,Vjose, Adriatik) kanë përcaktuar edhe historinë e shqiptarëve perëndimorë, përfshirë edhe emigracionin shqiptar përgjate mesjetës (arvanitë e arbëreshë) apo të sotmin (Greqi e Itali kanë mbi 80% të emigrantëve nga RSH-ja), ndryshe nga Kosova e Ilirida që e kanë kryesisht në vendet gjermanike (Gjermani, Zvicër, Austri).

Pjesa lindore, Kosova e Ilirida, formon relativisht një njësi gjeopolitike më vete. Relativisht, sepse  malet e Sharrit e ndajnë gjeografikisht në dy pjesë, por ne më të shumtën e historisë kanë qenë politikisht të bashkuara, nga entitete të ndryshme politike. Kështu prej Kërçovës e Shtipit në jug, deri në Rashkë e Nish në Veri, kanë qenë territore të shtetit dardan, më tej pas pushtimit romak, u ndodhën bashkarisht në Perandoritë Romake e Bizantine, në shtetin serb të mesjetës, Perandorinë Osmane e së fundmi nën Jugosllavi.

Lumenjtë e këtij territori dardan ( Iliridë qëndrore e veriore, Kosovë, Luginë- me tej novi pazar, toplicë e jablanicë, prej nga shqiptarët janë spastruar etnikisht), ndjekin kryesisht rrjedhën veri-jug, pra ndryshe nga ata të Shqipërisë Perëndimore (RSH, Camëri, zona malazeze e liqenit të Shkodrës), të cilët ndjekin kryesisht rrjedhën lindje-perendim (verilindje-jugperëndim apo juglindje-veriperëndim, në çdo rast derdhja është në perëndim dhe burimi në lindje).

Kjo ka sjellë që akset kryesore të komunikimit të jenë thuajse ekskluzivisht me Veriun dhe Jugun. Përgjate historisë, luftërat janë me Maqedoninë antike në Jug, prej nga erdhi edhe pushtimi romak, ai bizantin dhe ai turk, ndërkaq në veri, konflikti me ilirët autariatë dhe më vonë ata skordistë/skordiskë, përgjatë mesjetës dyndjet sllave, pushtimi bullgar dhe pushtimi serb. Në këto akse zhvillohej edhe tregtia në kohë paqeje, ashtu sikundër edhe sot.

Ndërsa RSH ka tregtinë kryesisht me Italinë e Greqinë, Kosova e ka me Serbinë e Maqedoninë, duke ndjekur kështu secili shtet, akset gjeografike e historike të komunikimit.

Pra, përgjatë historise kemi një komunikim të dobët mes shqiptarëve të lindjes e perëndimit, i kushtëzuar thellësisht nga mungesa e arterieve të rëndësishme rrugore. Aq më pak mund të krijohej ndonjë entitet i përbashkët politik, i cili si të vetmen hapësirë komukimi do të kishte malet e larta të Gegërisë ( nga Tropoja, Kukësi e Dibra në Dukagjin, Krujë e Mat). Asnjë entitet politik  nuk ka arritur t’i bashkojë dot, pa arritur më parë kontrollin e Shkumbinit/Egnatias (rrjedhimisht Maqedonisë) apo të zonës së liqenit të Shkodrës. Këtu mund të përjashtojmë ndoshta mbretin Monun të Dardanisë, i cili ka prerë monedha në Durrës, por megjithatë nuk dimë nëse shteti i tij kishte kontrolluar më parë Egnatian/Shkumbinin apo zonën e liqenit të Shkodrës. Vetë Perandoritë (romake, bizantine, bullgare dhe e Stefan Dushanit) kanë arritur t’i bashkojnë në një shtet vetëm pasi kanë kontrolluar me parë Egnatian (e Maqedoninë).

Ky problem i mprehtë gjeopolitik, ka kushtëzuar negativisht në mënyrë domethënëse historinë e mendësinë shqiptare përgjate shekujve dhe paraqet një sfidë edhe në ditët e sotme kur teknologjia ka mundësuar forma të tjera komunikimi, madje edhe Rrugën e Kombit. Në fakt, Rruga e Kombit përbën atë arterie kyçe që na ka munguar përgjatë gjithë historisë. Tashmë njerëzit, mallrat, por edhe ushtritë, mund të lëvizin me shpejtësi nga Ultësira Perëndimore (ku banon 2/3 e popullatës së RSH-së) drejt Kosovës dhe anasjelltas. Për nga rëndësia që ka për kombin shqiptar kjo rrugë, mund të krahasohet me rëndësinë që pati për Rusinë ndërtimi i hekurudhës Moskë-Vladivostok, e cila jo vetëm favorizoi kolonizimin e zhvillimin e Siberisë, por e bëri Rusine faktor të rëndësishëm politik në Lindjen e Largme ( në 1945 Stalini lëvizi 1.6 milionë ushtarë nga Gjermania ku ndodheshin trupat sovjetike, në mënyre që të sulmonte Japoninë). Në të njëjtën mënyrë, jo vetëm do të nxitet zhvillimi i Shqipërisë e Kosovës, por do të faktorizohet më tej roli i shqiptarëve në Ballkanin Qendror nga një ane dhe Adriatik nga ana tjetër (Kosova del në det, Shqipëria hyn ne Ballkanin Qendror).

Gjithsesi, teknologjia e cila na dha një ndihmesë jetike në kapërcimin gjeografik të problemit gjeopolitik, nuk është e mjaftueshme për kapërcimin edhe politik të problemit. Në këtë aspekt ndikojnë shumë faktorë, duke nisur që nga problemi serb, ai i lokalizmit të parive, ndërgjegjja e dobësuar(apo e lindur e tillë) kombëtare, përqasja problematike ndaj shtetit, vullneti i fortë për mbijetesë, por vullnet i dobët për fuqi, etj. Identifikimi dhe analiza e të gjithë faktorëve që na pengojnë në zgjidhjen e problemit gjeopolitik të Bashkimit perben fillesën e një qasjeje bashkëkohore ndaj Bashkimit Kombëtar dhe të ardhmes së kombit shqiptar, sepse sikundër dihet, zgjidhja e çdo problemi kalon nga diagnoza e saktë e tij.

LEDJAN PRIFTI: SHQIPTARËT APO SERBËT?

Problemi i statusit ndërkombëtar të Kosovës ka angazhuar gjithë diplomacitë e Fuqive të Mëdha prej 14 vjetësh dhe duket se do kalojnë edhe 14 të tjerë para se problemi të jetë në rrugën e zgjidhjes. Janë thënë e stërthënë shumë gjëra rreth kësaj çështjeje, i është ardhur rregullisht rrotull esencës së problemit, por nga ana shqiptare ka një kokëfortësi të çuditshme për të analizuar problemin në thellësinë e tij.

Esenca e problemit nuk është  pavarësia e Kosovës e statusi ndërkombëtar i saj, por në favor të cilit komb do të jetë status quo-ja e shek 21, të shqiptarëve apo serbëve. Në terma të tjerë më praktikë, cili komb do të zërë vendin e Jugosllavisë si fuqia më e madhe e Ballkanit Qendror. E theksoj kere sepse qendra është pika nevralgjike e çdo rajoni, kush dominon qendrën, influencon ndjeshëm rajonin.

Jetojmë në kohët e globalizmit e integrimit; duke folur kështu, e duke i pranuar si   percaktuese keto dy procese, anashkalohet rëndom esenca e problemit ne Ballkan. Mirëpo, pavaresisht perspektivave, globalizmi dhe integrimi europian nuk kanë eliminuar aspak raportet e fuqisë mes shteteve dhe as kanë eliminuar nevojën e ekuilibrave politiko-ushtarake për ruajtjen e status quo-ve në rajone të ndryshme të Europës dhe Botës. Përndryshe mund të thuhet me bindje të plotë e pa frikë kontestimi, se globalizmi dhe integrimi europian kanë efekte te kunderta nga ajo qe presupozohet prej proponenteve te tezes se bota nuk ka nevoje per kombe e shtet-kombe. Keshtu, integrimi europian dhe globalizimi kane favorizuar ringritjen e Gjermanisë në rolin që i takon, madje po bëhet realitet ëndrra e vjetër gjeopolitike e Gjermanisë, që njihet si ”Mitteleuropa”. Po ashtu tërheqja ruse nga Europa Lindore ndihmoi Grandeur-in e Francës duke shtuar influencën e saj në Lindje, pothuaj në nivelin e pas Luftes se Pare Boterore, kësaj radhe në bashkëpunim me Gjermaninë (asokohe me Anglinë).

Pra, globalizmi dhe integrimi europian janë përkthyer në realizimin e objektivave franko-gjermane, ”Grandeur” dhe ”Mitteleuropa”; ”Grandeur”-i që tregon ambicjet frënge dhe ”Mitteleuropa” nevojat industrialo-financiare për tregje të Gjermanisë.

Ku jemi ne? Prej 23 vjetësh shqiptarët e Shqipërisë shohin me instistim nga deti dhe jugu, kur në fakt e ardhmja e tyre gjendet në Ballkanin Qendror. BE-ja do të vijë në Shqipëri prej Ballkanit Qendror, pasi të integrohet Serbia e ndoshta edhe Maqedonia. Nuk ka asnje shans që Europa per shqiptaret të vijë nga deti dhe jugu, dhe për këtë duket se po binden ngadalë të gjithë ata që përdorin arsyen politike. Por e ardhmja e shqiptarëve gjendet në Ballkanin Qendror edhe sepse status quo-ja e re e Ballkanit për shek. 21, do të përcaktohet në pjesën qendrore të tij, posaçërisht në Kosovë e Maqedoni. Sado ta mbajmë vëmendjen larg zhvillimeve në këto dy shtete, janë ato dy shtete që na tërheqin si magnet sa here që shfaqen problem ne Ballkan.

Me shkëputjen e Maqedonisë në vitin 1992 dhe të Kosovës në 1999, Serbia humbi pothuaj gjithë territoret që pushtoi gjatë 2 luftërave ballkanike të 1912-1913-s dhe të konfirmuara pas L1B. Për të fituar hegjemoninë në Ballkan, Serbisë, pas dëbimit të Turqisë iu desh të luftonte kundër Bullgarisë (me kontribut modest të Greqisë). Kur krijoi Jugosllavinë, Serbia hipotekoi status quo-në, që e shihte si shteti më i fortë i Ballkanit. Me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe humbjen e Maqedonisë e Kosovës, Serbia jo vetëm humbi përfitimet territoriale, por edhe statusin e shtetit hegjemon. Mirëpo statusi si formë prestigji është diçka e vështirë si për t’u fituar ashtu edhe humbur. Edhe pse realiteti mund të dëshmojë rritjen apo rënien e tij, duhet të kalojë njëfarë kohë që njerëzit ta njohin si afatgjate rritjen apo rënien e statusit apo prestigjit.

Kështu Serbia, vërtet e humbi statusin e shtetit më të fortë gjatë viteve ’90, por vetëm këto vitet e fundit, kjo humbje po perceptohet si reale. Nëpërmjet mbajtjes peng të Kosovës, Serbia vetëm sa po vonon perceptimin e forces reale që zotëron. Humbja e hegjemonisë krijon një zbrazëti hegjemonie/influence (pushteti, fuqie, power) rajonale, e cila për nga vetë natyra e fuqisë nuk mund të jetë afatgjatë. Sot për sot, zbrazëtinë e kanë mbushur trupat ndërkombëtare dhe fuqizimi politik i faktorit shqiptar, i cili ka një shtet të dytë në Kosovë dhe është  shtetformues në Maqedoni.

Esenca e problemit është se çdo të ndodhë pasi trupat ndërkombëtare të largohen apo te vendosin te mbesin teresisht neutrale. A do të jetë faktori shqiptar që do të zëvendësojë paqësisht peshën ushtarako-politike të trupave ndërkombëtare apo Serbia do të mbajë një gjendje përherë të ndezur nëpërmjet serbëve të Kosovës dhe ndikimit politik në Maqedoni, në mënyrë që destabilizimi të mos lejojë konsolidimin e faktorit shqiptar

Elitat serbe në ndryshim nga ato shqiptare janë duke e parë problemin në thelbin e vet dhe me realizëm të frikshëm (realpolitik) po vendosin bazat e një Kosove të pastabilizueshme prej cdo lloj qeverie shqiptare, duke u krijuar serbëve të Kosovës, nëpërmjet negociatave, kushtet për të qenë një element i përhershëm destabilizimi, por edhe instrument influence politike. Serbët e kanë kuptuar fare mirë se Kosova është e humbur për ta, por ata po përpiqen që humbja e Kosovës të mos përkthehet edhe në humbjen e statusit të shtetit dominant  (hegemon apo me influence te madhe) në punët e Ballkanit, aq më tepër kur kjo humbje duket se shkon në favor të shqiptarëve. Kjo jo vetëm do të çonte dëm gjithë përpjekjet serbe të shekujve 19-20, por do të sillte dëme edhe në çështjen e tyre kombëtare. Për ta hyrja në Europë është diçka e natyrshme, por edhe njera nga alternativat. Ata do ta njohin edhe pavarësinë e Kosovës, por vetëm të një Kosove, të cilën janë në gjendje ta destabilizojne kur të duan, që të mos jetë një shtet që i shërben forcimit të faktorit shqiptar në Ballkan.

Elitat shqiptare nga ana e tyre, nuk kanë kurrfarë shqetësimi kombëtar, janë shndërruar pothuaj të gjitha në elita lokale, të cilat shohin ç’ndodh në oborret lokale, Shqipëri, Kosovë e Iliridë; nuk i shpetojnë dot vetëm formalisht çështjes kombëtare, pasi esencialisht e kanë braktisur që në momentin kur kanë përqafuar lokalizmin. Nuk ka kurrfarë risie historike në këtë fenomen, pasi historikisht elitat shqiptare kanë qenë lokaliste dhe mesa duket Rlindasit nuk arritën dot ta ndryshonin këtë karakter. Kjo pamundësi prodhon në mënyrë të pashmangshme realitete politike të dobëta, të cilat nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë ndryshimet gjeopolitike, aq më pak t’i nxisin ato. Për elitat shqiptare integrimi europian është domosdoshëm si teori e praktikë vetëm sepse konfirmon pushtetet lokale, shumësinë e karrigeve parlamentare,  posteve qeveritare etj.

Megjithatë, pavarësisht pengesave serbe dhe të elitave lokaliste shqiptare, ndryshimi strukturor në raportet shqiptaro-serbe të fuqisë , i cili ka nisur që më shpërbërjen e Jugosllavisë, ka mundësuar në tërësi rritjen e ngadaltë e të vazhdueshme të faktorit shqiptar. Si shqiptarë nuk jemi në gjendje t’i nxisim ndryshimet gjeopolitike, sepse na mungojnë elitat kombëtare, por nuk ka pengesë në botë, që mund të na ndalojë dot përfitime sado të vogla nga ndryshimet pozitive ndaj shqiptarëve që kanë ndodhur në këto 20 vjetët e fundit. Nga këto ndryshime, shteti i Shqipërisë dikur i rrethuar nga një Jugosllavi e madhe dhe një Greqi në zhvilllim, përherë me ekzistencë të kërcënuar, tashmë ka si fqinj Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe një Greqi në krizë demografike, ekonomike e politike, e cila po merr konturet e një krize ekzistenciale.

Përqasja pasive e shtetit të Shqipërisë, nuk është diçka e re, e kushtëzuar prej integrimit europian, përkundrazi është një trashëgimi historike, e cila i gjen rrënjët e veta tek rryma sulltaniste gjatë Rilindjes. Sulltanistët e dikurshëm sot kanë veshur petkun e integrimsave, në kërkim të Sulltanit të ri europian, i cili u garanton pushtetet lokale. Eshtë e njëjta racë që riprodhohet vazhdimisht në trojet etnike, stimulon ‘pragmatizmin’ dhe ‘maskarallëkun’ qe mandej shiten si tipare esenciale te shqiptarëve, I perdor keto si burim legjitimiteti të brendshëm dhe mohon në praktikë ekzistencën e çështjes shqiptare, si burim legjitimiteti të jashtëm.

Një prej karakteristikave të kësaj skote sunduesish është se shet tek ”opinioni i masave” nje formë pseudorealizmi për realpolitikë. Sipas këtij pseudorealizmi ne jemi përherë të dobët, sepse nuk bëhemi dot, prandaj nuk duhet të kemi përqasje aktive në politikën e jashtme por të degjojmë vetëm të Madhin, Turqinë, Italinë, BS-në, Amerikën, Europën dhe nqs na japin ndonjë kockë duhet t’u jemi mirënjohës deri në sahanlëpirje. Në të vërtetë abetarja e realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare nxit për qasje përherë aktive, sepse pasiviteti në ‘xhunglën botërore’ të realizmit nuk është gjë tjetër veçse ftesë për shfrytëzim. Ky pseudorealizëm korr përherë sukses ndër shqiptarë, për një fakt të thjeshtë, sepse në lidhje me politikën e jashtme nuk ka pasur e nuk ka një opinion publik, por vetëm opinion të masave. Opinioni publik nuk krijohet prej imponimit të mendimit nga lart, por nga përballja e mendimeve, ndërsa opinioni i masave nuk është gjë tjetër veçse produkt i propagandës së ideologjisë sunduese.

Për politikën e jashtme të Shqipërisë nuk ka asnjë debat të mirëfilltë (sepse nuk lejohet) që prodhon opinionin publik, por vetëm monolog të pseudorealistëve, të cilët si përfaqësues propagandistike të ideologjisë sunduese, krijojnë opinionin e masave. Pastaj, po të njëjtët dalin si partizanë të opinionit publik dhe demokracisë liberale, të cilës ata vetë i bëjnë atentat në çastin kur bëhen megafonë te elitave për bindjen e masave. Në të vërtetë ata as që e kuptojnë thelbin e aktivitetit të tyre si prijësa turmash, por pandehin se janë ajka intelektuale që prodhon opinionin publik.

Shqiptarët janë të keqinformuar, të manipuluar e të përqëndruar në politikat lokale të Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë dhe jane të privuar nga e drejta e prodhimit te opinionit publik. Meqë pretendojmë demokracinë liberale në radhë të parë për politikën rajonale duhet krijuar opinioni publik, i cili nuk duhet të jetë lokalist, por mbarëkombëtar dhe në bazë të atij opinioni publik duhet të veprojnë qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe përfaqësuesit shqiptarë në Maqedoni. Pa pasur një opinion publik mirëfilli mbarëkombëtar, i cili ushtron presion të vazhdueshëm, çështja kombëtare ka për të qenë në duar të elitave lokaliste dhe megafonëve propagandistike që ato elita paguajnë, me qëllim vazhdimin e sundimit të pseudorealizmit si orientim mbarëkombëtar ndaj politikës së jashtme, veçanërisht ndaj çështjes kombëtare.

Kjo pengesë e brendshme jo vetëm është e para që duhet kapërcyer, por edhe më e vështirë sesa pengesa serbe, pasi pengesën serbe e kapërcen vetiu raporti i ndryshuar i forcave në Ballkan, të cilit ata s’mund t’i bëjnë dot asgjë. Një bashkimi të Kosovës me Shqipërinë, ata nuk kanë kurrfarë force serioze që t’i kundërpërgjigjen. Nga përqasja pasive e Shqipërisë, jo vetëm  që serbet bëhen më të rrezikshëm për stabilitetin e Kosovës, por më të rrezikshëm edhe për vetë Shqipërinë, sepse çdo problem i shtetit të Kosovës me Serbinë do të prodhojë shqetësime serioze edhe në Shqipëri, e cila don apo s’don është e detyruar t’i garantojë Kosovës mbështetje maksimale në rast rreziku, kësaj radhe ndryshe nga 1998-1999, impenjimi do të jetë i drejtpërdrejtë. Pra, përqasja pasive e Shqipërisë, jo vetëm i lejon Serbisë të krjijojë ekuilibra të rinj në favor të saj dhe në dëmin e  shqiptarëve, por edhe shton rrezikun për vetë shtetin e Shqipërisë.

Në asnjë këndvështrim racional, përqasja pasive nuk prodhon pozitivitet për shqiptarët, por përbën humusin për defaktorizimin e vazhdueshëm, defaktorizim, i cili nesër mund të prodhojë rrezik konkret. Cdo rritje e faktorit shqiptar në Ballkan lidhet me përqasje aktive dhe çdo defaktorizim lidhet me përqasjen pasive, që i lë punët e shqiptarëve vetëm në duart e të huajve. Ka ardhur koha që shqiptarët të mos fshihen as pas gishtit e as pas Europes, por të marrin përgjegjësitë dhe rreziqet që vijnë nga të qenit komb i madh ballkanik, i krahasueshëm me serbët, grekët e bullgarët. Ky është imperativi i shekullit të 21.

LEDJAN PRIFTI: T’BANAT E ALBIN KURTIT

Ndërsa në Shqipëri nxehtësia politike i la protagonizmin nxehtësisë stinore, në Kosovë temperatura politike është rritur ndjeshëm. Si është tashmë zakon, pas çdo marrëveshje Prishtinë-Beograd kemi protestat e Vetëvendosjes dhe reagimin ndërkombëtar kundër protestave. Kësaj radhe kemi edhe largimin e një deputeteje të VV-së, Alma Lama, nga grupi parlamentar, sipas saj për arsye politiko-fetare in primis, por edhe për shkak të rrugës së dhunës që Albini vazhdon të ndjekë.

Natyrisht nuk mund të thuhet që shqiptarët si komb janë politikisht të mërzitshëm apo monotone, si ta zëmë norvegjezët, sepse përveç konfliktualitetit si tipar kombëtar, jemi edhe të ndarë në 6 shtete, kështu që po s’pati konflikt në Luginë e Iliridë do e gjejmë në Shqipëri apo Kosovë. Cërçilli pat thënë dikur se Ballkani prodhon më shumë histori se ç’është në gjendje të tresë, sot mund të thuhet se shqiptarët prodhojnë me shumë histori politike se ç’janë në gjendje të tresin. Nga kjo mbingopje përplasjeje politike përveç dobësimit të unitetit prej forcimit të identiteteve lokale kemi edhe dëmin në imazhin e shqiptarëve në Europë.

Duket se Vetëvendosja me anë të radikalizmit konstant po prodhon pasoja të kundërta me qëllimet e deklaruara politike. E ngjizur si njësi politike rreth armiqësisë ndaj serbëve apo elitave serbe, çka e bën nacionaliste, ajo pavarësisht protektoratit perëndimor, duhet të jetë e kujdesshme që të mos kalojë në armiqësi ekzistenciale ndaj Perëndimit, në veçanti ndaj Amerikës. Pakënaqësia ndaj Amerikës nuk duhet të shndërrohet në armiqësi politike, pra VV-ja nuk duhet të përfaqësojë në asnjë mënyrë votuesit antiamerikane të Kosovës. Afrimi me tezat islamike është rruga më e rrezikshme që mund të ndjekë Albini, sepse shton irritimin e Amerikës dhe i jep forcë propagandës serbe, sipas së cilës shqiptarët duan shtet islamik e jo shtet-komb modern.

Prej 150 vjetësh, qëndrimi i patriotëve apo nacionalistëve shqiptarë ndaj fesë, nuk është mbështetur asnjëherë tek korpusi moralo-juridik i të drejtave të njeriut, por tek ontologjia shqiptariste që sheh tek politizimi i identitetit fetar një rrezik ekzistencial për kombin. Feja e shqiptarit është shqiptaria, përfaqëson një aksiomë themeltare mbi të cilën ngrihen qëndrimet politike ndaj fesë. Shpolitizimi me çdo kusht i fesë është një prej pikave kyçe të ideologjisë kombëtare. Lajthitje si ajo e Kreshnik Spahiut, ‘Zoti është i pari, Shqipëria mbi të gjitha” janë të papranueshme. Zoti mund të jetë i pari jashtë politikës, brenda politikës i pari është kombi ( të paktën për partitë nacionaliste).

Gjithsesi, feja mënjanë, problemi thelbësor mbetet marrëdhënia e tensionuar mes VV-së dhe Amerikës. Eshtë e vërtetë që interesat amerikane në Ballkanin Perëndimor janë duke u larguar dita-ditës prej interesave shqiptare, nuk takohen më në aq shumë pika si më parë, por dëmet që pasojnë nuk janë për faj të Amerikës. Jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria i kanë kaluar mbrojtjen shtetit amerikan. Kur një shtet heq dorë nga e drejta e mbrojtjes dhe këtë të drejtë ia kalon një shteti tjetër, atëherë i njeh edhe interesat e shtetit mbrojtës si superiore ndaj interesave të veta. Në rastin e Shqipërisë, interesat amerikane në Ballkan janë njohur prej shqiptarëve si superiore ndaj interesave kombëtare shqiptare. Aq më tepër vlen kjo për Kosovën, të cilës e drejta e mbrojtjes nuk i është njohur ende, përkundrazi mbrojtjen ia garantojnë trupat ndërkombëtare dhe prestigji amerikan.

E vërteta e hidhur, se shtetet shqiptare njohin interesat amerikane në rajon si superiore ndaj interesave shqiptare, nuk duhet të na çojë në përfundimin e gabuar se Amerika përfaqëson problemin, pasi nuk është Amerika që na ka imponuar me ndonjë veprim shtrëngues një gjendje të tillë, por jemi ne që hareshëm e gjithë ngazëllim, i kemi kaluar barrën e mbrojtjes sonë. Kjo barrë ka një kosto, e cila prodhon një të drejtë për Amerikën, e drejtë që Amerika e përdor në rastin e marrëveshjeve Prishtinë-Beograd. Këtë të drejtë që prodhon superioriteti i interesave amerikane ndaj atyre shqiptare në rajon e pohoi me forcë e ndoshta edhe arrogancë, i dërguari amerikan Reeker: ”kush u kundërvihet këtyre proceseve, siç është edhe Marrëveshja, i kundërvihet edhe politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Duke e futur Shqipërinë në NATO, Amerika u përpoq që t’i kalonte shtetit shqiptar një pjesë të barrës, falë kushtëzimit të shpenzimeve minimale për ushtrinë që ka Aleanca. Shqipëria nuk mund t’i zbresë shpenzimet ushtarake poshtë 2% te GDP, pra Amerika nuk tregon ndonjë vullnet ”kolonizatori”.

Në këto kushte, nuk është përplasja me Amerikën rrugëzgjidhja e problemit, por rimarrja e së drejtës së mbrojtjes prej Shqipërisë dhe fitimi sa më i shpejtë i kësaj të drejtë prej Kosovës. Vetëm duke ia hequr të drejtën e mbrojtjes sonë Amerikës, ne mund të jemi në gjendje të vendosim interesat kombëtare shqiptare si superiore ndaj atyre amerikane në trojet etnike. Por, sikundër e dinë të gjithë, ripërvetësimi i asaj të drejte supozon një riarmatim të Shqipërisë me kosto të medha ekonomike, ndoshta të papranueshme për një ekonomi të dobët si kjo e sotmja. Ndërkaq çdo lloj trajtimi i mbrojtjes në bazë të drejtash njeriu e kombesh është vetëm ushtrim intelektual që shpesh përfundon në logorroizëm retoriko-politik. Mbrojtja ngelet fusha ku gryka e topit ka vlerë pakrahasueshmërisht më të madhe se grykët e gjithë politikanëve,politologëve, juristëve, historianëve e intelektualëve publikë të marra së bashku.

Albini nuk është aspak i vetmuar kur irritohet me epërsinë e interesave amerikane ndaj atyre shqiptare në rajon, sepse në parim çdo patriot e/o nacionalist nuk pajtohet absolutisht me epërsinë e interesave të ndonjë shteti tjetër ndaj interesave shqiptare në trojet etnike, qoftë edhe ky shtet Amerika, por Albini është vërtetë i vetmuar, kur këtë irritim e kthen në burim konflikti të hapur me Amerikën, sepse fajin e kemi vetë ne si shqiptarë e jo Amerika. Duke qenë se Albini vepron në emër të nacionalizmit shqiptar ( pavarësisht modelit të ri antikolonizator) dhe është i vetmi autoritet mbarëkombëtar të cilit i njihet pastërtia politike, përgjegjësitë e veprimeve të tij i kapërcejnë kufijtë e shtetit të Kosovës dhe politikës së saj, prandaj Albini duhet të tregohet shumë i kujdesshëm, sepse gjëja e fundit që i nevojitet nacionalizmit shqiptar është nami i antiamerikanizmit.

Vetëvendosja arriti të depërtojë me zgjuarsi në skenën politike të Kosovës, të ngjizet rreth armiqësive të duhura politike e të zgjerohet po falë tyre dhe programit, arriti të faktorizohet institucionalisht duke bërë për vete një perqindje të mirë të elektoratit. Per të fituar në zgjedhjet e ardhshme i duhet rritja e konsesusit, prandaj kuptohet që ka nevojë për karta të reja për të luajtur. Por, karta e mbështetjes së grupimeve islamike dhe karta antiamerikane, janë tepër të rrezikshme, një lojë me zjarrin. Jo vetëm që dëmtojnë imazhin e Vetëvendosjes jashtë Kosovës, por rrezikojnë të kthehen në bumerang edhe brenda saj. Si parti e re, VV-ja nuk mund të ketë besimin e verbër tek vota historiko-politike, ajo është ende e kushtëzuar nga aspekti ideologjik, programor dhe ekipi. Vetëm vota historiko-politike mund t’i lejojë një partie të luajë me zjarrin, sepse vetëm ajo e bën votuesin t’i gëlltisë gjithë manovrat pragmatike. VV-ja është parti mjaft  e re, ashtu si mund t’i dyfishojë votat ne zgjedhjet e ardhshme, ashtu edhe mund t’i përgjysmojë. Eshte më mirë për VV-në të qëndrojë edhe 4 vjet në opozitë, të konsolidohet si forca e vetme opozitare, sesa të luajë me kartat islamike e antiamerikane.

Si përfundim, Albini ka të drejtë të zgjedhë gurët me të cilët do të luajë politikisht në Prishtinë, humbja apo fitorja jane përgjegjësi dhe meritë e tij, do gjykohet keq nëse humbet e do ngrihet në piedestal nëse fiton, por nuk është e drejta e tij që çështjen e Bashkimit Kombëtar të çojë në trajektore perplasjeje me politikën amerikane, sepse çështja e Bashkimit është e pazgjidhshme pa miratimin amerikan. Pavarësisht se sot çështja e Bashkimit nuk përbën interes amerikan, nuk është në interesin e shqiptarëve që Amerika të detyrohet ta shprehë publikisht një gjë të tillë. Po ashtu çdo formë mbështetjeje që i jepet elementit fondamentalist fetar është në kundërshti të hapur me ideologjinë kombëtare, prandaj Albini mund të luajë në Prishtinë, por jo në rang mbarëkombëtar. Pra, Albinit i duhet të zgjedhë nëse do të bëjë politikanin e vogël të Prishtinës e të harrojë çështjen kombëtare e ideologjinë kombëtare apo don të vazhdojë me qenë figurë e vlerësuar mbarëkombëtare dhe të harrojë përdorimin e kartave islamike e antiamerikane.

LEDJAN PRIFTI: ATDHEDASHURIA E EDI RAMËS

Në intervistën dhënë Baton Haxhiut tek Zona e Debatit, kryeministri pa portofol, ndër te tjera u shpreh edhe për qëndrimin e tij në politikën e jashtme, në veçanti marrëdheniet me shtetet e rajonit. Këto marrëdhënie kanë 100 vjet që kushtëzohen, ndër të tjera, edhe nga çështja e Bashkimit, sepse s’ka si të jetë ndryshe përsa kohe që shteti shqiptar është i rrethuar nga shqiptarë.
Në pritje të portofolit e përgjegjësisë kryeministrore, Rama duhet të përgatitet të braktisë shumë nga bindjet personale kozmopolitike, sepse praktikimi i një politike rajonale të suksesshme kërkon një qasje realiste që është krejt ndryshe nga qasja idealisto-kozmopolitike (kjo funksionon në Skandinavi, por është marrëzi në Ballkan). Në opozitë, publicistikë apo mjediset akademike, mund të flasësh lirisht për si duhet të jetë Europa e Bota, por në pushtet duhet të veprosh brenda rendit ekzistues të gjërave.
Kështu në marrëdhëniet me Serbinë e Maqedoninë, të cilat kanë qeveri nacionaliste, një qasje idealisto-kozmopolite do të përkthehej në qasje nënshtrimi e braktisjeje të plotë të interesave kombëtare në Kosovë,Luginë e Iliridë. Përfitimi konkret në lidhje me Europën do të ishte zero, si ka qenë deri më sot, sepse sikundër dihet fare mirë, Serbisë luftënxitëse Europa po i hap ato dyer që Shqipërisë ideal-kozmopolite ia përplas gjithnjë në fytyrë prej 20 vjetësh.

Megjithatë duket se Rama, i vetëdijshëm për këto probleme, ka dalë me tezën e ‘atdhedashurisë’, e cila për nga vetë koncepti qëndron dialektikisht kundër kozmopolitizmit ( i cili nuk njeh atdheun, aq më pak dashurinë për të). Por Rama shpejton ( si para zgjedhjeve ashtu edhe në këtë intervistë) të vendosë pikat mbi i, se atdhedashuria në botëkuptimin e tij ka diferenca substanciale me nacionalizmin. Deri më sot, asnjë nga lukunia e analistëve të majtë, nuk e ka shpjeguar ende se ç’domethënie ka ky qëndrim i Ramës, nga një anë atdhetar, rrjedhimisht antikozmopolit, nga ana tjetër radikalisht antinacionalist. Aq më pak, Rama apo ndonjë politikan socialist nuk na ka shpjeguar se si do të përkthehej në politikën e jashtme kjo atdhetari, që Rama ka zgjedhur si kalë beteje.

Si nacionalist, më bëhet qejfi që kryeministri i ardhshëm, pavarësisht alergjisë nga nacionalizmi, të ndjekë politika atdhetariste, sepse çdo politikë atdhetariste është  për t’u mbështetur, pa mëdyshje e pa dyshime. Por, dikush, madje vetë Rama duhet të na shpjegoje sesi këto politika atdhetariste apo atdhedashuriste do të zbatohen në çështjet konkrete të politikës rajonale ,në radhë të parë, në Kosovë, Iliridë e Luginë. Nqs Rama ka zgjedhur për dallim mes atdhedashurisë dhe nacionalizmit, vetëm paragjykimin që barazon nacionalizmin me luftën, duke vlerësuar si atdhetariste gjithë politikat paqësore që doktrina i njeh si nacionaliste, atëherë një paragjykim më shumë, një më pak, nuk e zhbën perspektivën esencialisht pozitive në lidhje me çështjen kombëtare.

Por, a bën të jemi optimistë në lidhje me atdhedashurinë e Ramës ? Leximi që i bënë gazetat e portalet majtiste asaj interviste, duke e titulluar lajmin, Rama refuzon nacionalizmin, shtron dyshime. Janë ato gazeta që e kanë bërë qëllimisht lajmin të duket si triumf i kozmopolitizmit majtist, duke refuzuar qasjen atdhetariste apo qasja atdhetariste e Ramës është thjesht hi syve të 8 milion shqiptarëve dhe kryeredaktorët e dinë, kurse qytetarët e thjeshtë jo ? Dyshimi do të ngelet për shumë kohë derisa veprimet konkrete të na flasin me statusin e fakteve.

Në të vërtetë, Partia Socialiste ka shumë figura që do të na shpjegonin shumë mirë, si në televizion ashtu edhe në median e shkruar europianizmin, integrizmin, globalizmin, kozmopolitizmin, por deri më sot, po të heqim Pandeli Majkon, vështirë se ndokush brenda PS-së do të mund të na shpjegonte se si do të mund të konkretizohet politikisht atdhedashuria.

Propogandimi i atdhedashurisë është condicio sine qua non, që kryeministrit të Shqipërisë t’i njihet primati mes politikanëve të botës shqiptare, pra që pushtetarët shqiptarë në Kosovë e Maqedoni ta njohin formalisht si autoritetin më të lartë të kombit. Berisha me daljet e veta të tipit nacionalist e kishte të garantuar këtë primat formal, tashmë është radha e Ramës që t’i njihet. Thaçit të Prishtinës dhe Ahmetit të Shkupit, të dy ish-luftëtarë nuk mund t’u kërkosh njohjen e kurrfarë primati formal, nqs nuk bën ca retorikë patriotike. Shpresoj që atdhedashuria e Rames të mos jetë thjesht një gjetje për njohjen e nje primati formal mes gjelash shqiptarë, se kush është i pari i gjithë kombit. Nuk do të kishte banalizmin më të madh të atdhedashurise si koncept.

Një çelës tjetër leximi është atdhedashuria si dashuri për shtetin e Shqipërisë ose Shqipërine Londineze. Rëndom atdheu barazohet me shtetin, jo vetëm në botë por edhe ndër shqiptare. Natyrisht këtë barazim nuk mund ta gjejmë tek Rilindasit, psh Faik Konica nuk mund të përjashtonte nga Atdheu vendlindjen e tij, Konicën, vetëm pse ra nën pushtimin grek, por mund ta gjejmë rëndom tek ‘rilindasit’ socialistë. Dashuria për shtetin apo qoftë edhe dëshira për të rregulluar e forcuar shtetin është gjithnjë pozitive, natyrisht përsa kohe që forcimi i shtetit nuk bëhet në kurriz të Kosovës apo Iliridës. Forcimi i shtetit duke shitur interesat shqiptare në Ballkan ka qenë një rregull i pashkruar gjatë kohës së Zogut dhe Hoxhës, sepse në fakt ky forcim ka qenë thjesht nevojë për forcimin e pushteteve. Gjatë Berishës dhe Nanos, nuk ka pasur as forcim të shtetit, por zhbërje të tij, sepse ndryshe nga Zogu dhe Hoxha, forcimi i pushteteve personale lidhej me zhbërjen e shtetit përvecse me shitjen e interesave shqiptare në Ballkan.

Rrethanat rajonale pas zhbërjes së Jugosllavise dhe rritja demografike e shqiptarëve, ndryshuan për grekët e serbët edhe qëndrimin ndaj një shteti të fortë shqiptar. Ndërsa më parë, një shtet i stabilizuar shqiptar, nuk përfaqësonte rrezik për ta, pasi ishte i vogël përballë Jugosllavisë e Greqisë, pas zhbërjes së Jugosllavisë, çdo shtet i fortë dhe i stabilizuar shqiptar ishte i papranueshëm për sigurinë dhe epërsinë e tyre. Krejt ndryshe nga ç’mendohet në opinionin publik, një forcim i shtetit të Shqiperise rrit në mënyrë eksponenciale dhe të vetvetishme aftësinë e Shqipërisë për të përfaqësuar një armik të rrezikshëm për fqinjet. Një Shqipëri e pasur dhe e fortë, do të investonte për kulturën shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Luginë, do t’u mundësonte sipërmarrësve të saj më shumë hapesira për investim në ato territore etj, kështu një ekspansion ekonomik e kulturor i Shqipërisë drejt trojeve shqiptare jashtë saj, do të shikohej me të drejtë nga elitat sllave, por edhe greke si rrezik. 

Nuk kemi të bëjmë me një çështje ideali kombëtar apo nacionalizmi, por me një çështje strukturore e gjeopolitike. Një Shqipëri e fortë dhe e pasur, nuk i shpëton dot fatit të saj si shtet që do kryejë ekspansion kulturor dhe ekonomik në Kosovë e Maqedoni, pra që do ushtrojë ”soft power” në hapësirën etnike në Ballkan. Top-channel si televizion mbarëkombëtar është një shembull i ekspansionit kulturor të shtetit shqiptar. Ndryshe nga ta zëmë hyrja e Rai-t në Shqipëri, që ishte fenomen i përkohshëm ekspansioni kulturor, depërtimi i TOP-it në trojet e tjera etnike është një kostante që ndikon në unitetin kulturor të kombit. Nga uniteti kulturor, tek uniteti ekonomik, rruga për tek uniteti politik i një kombi ështe e pashmangshme.

Prandaj, edhe nqs atdhedashuria e Ramës nuk është gjë tjetër veçse një dëshirë për të forcuar shtetin e Shqipërisë, përsëri kjo do të ndikojë në forcimin e pozitave mbarëshqiptare në Ballkan. Ngado që ta rrotullojmë një koncept si atdhedashuria, produkti final i jetësimit politik të tij do të jetë Bashkimi Kombëtar. Prandaj Rama le të turfullojë sa të doje kundër nacionalizmit, nqs atdhedashuria nuk është një koncept për t’u hedhur hi syve 8 milion shqiptarëve, por një shtyllë e qeverisjes së ardhshme, atëherë rruga e tij herët a vonë do të bashkohet me rrugën e nacionalistëve. Natyrisht, skepticizmi ndaj atdhedashurisë së tij është mëse legjitim dhe argumentet për atdhemohimin e tij mund të jenë të shumta, prandaj Rama duhet të argumentoje bindshëm  publikisht dhe të ndërmarrë hapa konkrete. Për një kryeministër që ka quajtur programin e vet Rilindje dhe propogandon atdhedashurinë, priten argumente të mirëfillta për politikat që do të ndjekë, jo shashka tymuese dhe hedhje klishesh e paragjykimesh ndaj nacionalizmit shqiptar.

LEDJAN PRIFTI: ESENCA E POLITIKËS DHE RASTI SHQIPTAR

Në kulmin e fushatës elektorale, debati rreth votës së bardhë duket se është diçka më shumë se ‘një çudi që zgjat 3 ditë’, madje mund të thuhet se është bërë risia e vërtetë e kësaj fushate. Suksesi i kësaj nisme, lidhet vetëm tërthorazi me personazhet publike që e mbështesin, sepse varet nga një frymë e përgjithshme diku mërie e diku armiqësie publike ndaj Parisë. Kjo frymë mërie e armiqësie po i zë ngadalë vendin pakënaqësisë private, indiferencës apo edhe dorëzimit fatalist të deridjeshëm. Kjo masë shqiptarësh (madhesi e panjohur) është duke u politizuar, e në mungesë të një partie si M5S në Itali, me anë të votës së bardhë ka mundësi të dëshmojë ekzistencën e saj politike.

Në ndryshim nga mosvotimi, i cili nuk ka asnjë peshë të mirëfillte politike, sepse përfshin edhe votues tërësisht të shpolitizuar apo te papolitizuar (shumë të rinj), hedhja masive e votës së bardhë, ka një peshë të madhe politike, që buron pikërisht nga vetë esenca e politikës, ndarja në grupime nëpërmjet frymës ngjizëse të mërisë e armiqësisë publike. Në Shqipëri ku demokracia është thjesht një maskë që përdor Paria për nevojat e kohës, hedhja e votës së bardhë paraqet të njëjtën dukuri esencialisht politike si protestat e vitit 1990. Asokohe mëria e armiqësia ndaj Parisë komuniste u shfaq në demostrata sepse nuk lejohej votimi, sot kjo mëri e armiqësi (‘hostes’ shmitian) ndaj Parisë së sotme, ka mundësi të shfaqet pikërisht nëpërmjet votës së bardhë.

Me esencën e politikës, nuk nënkuptohet politikëbërja apo politika ‘për vete’ (per se), por politika ‘në vetvete’ (in se). Politika në vetvete nuk mund të kuptohet pa konceptin e pushtetit, i cili do të thotë fuqi. Në italisht e anglisht, ky relacion i pushtetit me fuqinë është i vetvetishëm, sepse janë e njëjta fjalë, potere (politico) në italisht dhe power (political) në anglisht. Sipas gjasave, fjala pushtet vjen prej latinishtes ‘Potestas’, duke ndjekur rregullin e humbjes së rrokjes së ndërmjetme (si tek caballum- kal). Potestas në latinisht do të thotë pikërisht fuqi (power,potere).

Nga kjo lidhje kërthizore e politikës me fuqinë, rrjedh edhe natyra luftarake e politikës. Ndërkaq koncepti i ‘përballjes’ politike lidhet me faktin që politika ekziston në rast se nuk ka një unitet, dmth ku ka pjesë (parti etimologjikisht do të thotë pjesë) ka edhe politikë.

Klauzevici ( teoriceni më i njohur i Luftës) ka thënë që lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera dhe sa më armiqësore e tërësore është përballja politike aq më e egër e gjaksore është lufta. Kjo vijueshmëri dhe njëkohësisht ndërvarësi e politikës me luftën, lidhet pikërisht me konceptet e fuqisë dhe përballjes që gjenden në esencën e të dyja dukurive.

Teoria gjenetike e lindjes së partive, thote që si pasojë e frakturave sociale, dalëngadalë krijohet konfikti, i cili më tej mund të politizohet dhe çdo frakturë të prodhojë një parti politike. Fraktura më e rëndësishme në perëndim, që ka krijuar të majtën e të djathtën është ajo që u shkaktua prej revolucionit industrial, borgjezi-proletariat. Megjithatë Shqipëria nuk njohu ndonjë revolucion industrial, prandaj edhe kjo frakturë nuk ka prodhuar një të majtë e të djathtë të tipit perëndimor, por vetëm surrogate të majta e të djathta. Kjo është edhe arsyeja që asnjëra palë nuk shpreh as ideologjitë përkatëse dhe që asnjë i majtë apo i djathtë shqiptar nuk ka shqetësimet e një të majti apo të djathti tipik perëndimor e as që i intereson fare (taksat psh ndajnë ndjeshëm të majtët nga të djathtët, tek ne vetëm sa ka filluar të ndihet shqetësimi tek biznesi i vogël).

Në Shqipëri, fraktura që prodhoi partitë politike ishte Lufta Civile gjatë vitit të mbrapshtë 1943-1944. Në të vërtetë luftërat civile kanë shërbyer si bazament për spektrat politikë në pothuaj gjithë botën, duke filluar që nga Anglia e Amerika, për të vazhduar me Spanjën e Francën e për të përfunduar tek Greqia e Italia. Por ndërsa tek këto vende, luftërat civile u mpleksën me frakturën borgjezi-proletariat, dhe përveç esencës luftarake të politikes përftuan edhe një përbërës ideologjik të majte e të djathtë, tek ne Lufta Civile u mpleks e përzie me frakturat ekzistuese të trashëguara nga historia, ato ndasi që kane sjellë përçarjen e thellë fetare, krahinore, fisnore e dialektore.

Kështu në 1990, të djathtët tanë s’kishin kurrfarë lidhje me Perëndimin, ata ishin antikomunistë heterogjene, të persekutuar për gjithfarë bindjesh politike( Arbnori ishte dënuar për bindje socialdemokrate), të persektuar fetarë (sidomos katolikë), kishte ish-pronarë, ballistë, zogistë, me pak fjalë ishte një e djathtë kaq heterogjene dhe e mbështetur në eksperiencën shqiptare, saqë menjëherë i dha jetë shumë partive politike, pa asnjë lidhje thelbësore me ideologjinë e djathtë perëndimore. Cfarë i bashkoi të djathtët në 1990, ishte pikërisht mëria e armiqësia publike me Parinë komuniste. Ishte pikërisht ajo armiqësi publike që i shtyu të dilnin në shesh e të nxirrnin Shqipërinë nga era komuniste. Vetë komunizmi meqë i duheshin armiqtë për të mbijetuar politikisht (armiku është në esencën e politikës), bënte propagandë nëpër filma, kundër ballistëve, zogistëve, ish-pronarëve dhe borgjezëve. Kjo kategori e fundit,që për shkak të prapambetjes së vendit ishte e papërfillshme në vitet 40, i duhej për ideologjinë komuniste, për konsum ideologjik ose si tip gjethe fiku, sepse armiqtë ekzistencialë të Parisë komuniste ishin ballistët, zogistët dhe ish-pronarët.

Në dritë të arsyeve të mësipërme, esenca e politikës shqiptare prej vitit 1943 deri më sot, rezulton të jetë thellësisht antikombëtare. Për plot 70 vjet, kjo politikë është bazuar tek Lufta civile dhe tek përçarjet e ndasitë krahinore,fetare, fisnore e dialektore. Gjatë gjithë këtyre 70 vjetëve, ideologjitë e programet janë përdorur o si gjethe fiku ose si justifikime për të kryer vrasje masive, persekutime, pushime nga puna etj. Në këto 23 vjetët e fundit, ndërsa armiqësia e të djathtëve ndaj Parisë komuniste ishte reale, kupola e djathtë, dmth ata që dolën si përfaqësuesit më të lartë të së djathtës ishin në lidhje të ngushta me vetë Parinë. Këta përfaqësues të lartë të së djathtës, ndërsa në publik hiqeshin si armiq të përbetuar politikë të Parisë komuniste, në privat ndanin pazaret që buronin nga grabitja e shqiptarëve, të majtë a të djathtë.

Konfliktet më të thella mes Parisë 23 vjeçare kanë buruar si pasojë e prishjes së herëpashershme të Unitetit të Parisë, për arsye tipike të mendësisë oligarkike si dhe prirjeve autokratike të Berishës. Edhe Paria komuniste vuante nga konflikte të tilla, më tipiku lufta kundër Klanin Shehu në fillim të viteve ’80. E vetmja diferencë mes konflikteve të Parisë këto 23 vjet nga konfliktet brenda gjirit të Parisë komuniste, është se këto të sotmet zhvillohen në publik dhe përfshijnë një masë të madhe shqiptarësh, sepse klanet e sotme kanë paraqitjen e partive politike, ndryshe nga klanet komuniste që vepronin brenda gjirit të një partie.

Si përfundim, duke parë që esenca e politikës shqiptare është antikombëtare, antidemokratike e antiprogresiste, nevojitet sa më parë kapërcimi i saj, kapërcim i cili bëhet i mundur vetëm nga shndërrimi sa më parë i pakënaqësisë, indiferentizmit e fatalizmit në mëri e armiqësi politike me Parinë, sepse vetëm kështu esenca e fuqisë dhe përballjes që mbart politika, mund t’i japë përmbajtje e paraqitje një partie të mirëfilltë politike. Kjo armiqësi duke qenë se buron nga fakti që esenca e politikës së sotme është antikombëtare, antidemokratike dhe antiprogresiste, nuk ka si të mos mbështetet në parimet, idete e idealet e kombëtarizmit, demokracisë dhe progresizmit. Një ndërthurje e moralit patriotik me moralin liberaldemokratik duhet të jetë edhe morali i politikës së re shqiptare.

Nuk kemi të bëjmë me një armiqësi e luftë për hir të armiqësisë e luftës apo për hir të pushtetit, por një armiqësi e luftë që buron nga nevoja, nga domosdoshmëria e zhbërjes së esencës negative të politikës shqiptare, esencë nga e cila nuk mund të burojnë veçse e keqja më e madhe dhe e keqja më e vogël, por asnjëherë e mira. Nga një esencë negative e politikës nuk ka si të burojë e mira apo aq më pak një luftë mes së mirës dhe më të mirës, do të burojë në përjetësi vetëm një luftë politike mes dy të këqijave.

LEDJAN PRIFTI: RREZIQET E VOTËS SË BARDHË

Duket se apelet publike për hedhjen e votës së bardhë kanë përhapur njëfarë paniku tek e majta, sepse pothuaj çdo ditë po lexojmë analiza të atyre që mund të quhen liberalë të majtë. Kryqëzata e liberalëve të majtë është drejtuar kundër Prof. Shinasiut dhe F. Lubonjës, si personat publikë më të njohur që kanë mbështetur këtë nismë. Duket qartë frika që e ka mbërthyer te majtën nga kjo votë, e cila në të vërtetë edhe sikur të mos ketë asnjë efekt në fitoren e zgjedhjeve do të jetë një formë e qartë delegjitimuese e qeverisjes së majtë.

Eshtë e natyrshme për cilëndo forcë politike që fiton zgjedhjet të mos gjendet rehat gjatë qeverisjes me një votë të bardhë në nivele të konsiderueshme 5-10%. Aq më e parehatshme do të jetë qeverisja sikur vota e bardhë të kapë si përqindje rreth 20%, e cila është pak a shumë masa kritike për përmbysjen iminente të sistemit. Minimalisht 20%-shi mund të quhet tërmeti i cili vë në provë qëndrueshmërinë e sistemit.

Besoj se kjo kryqëzatë e çuditshme në emër të moralit liberal-demokratik, në prapavijën politike synon më shumë të asgjësojë delegjitimimin e fitores së majtë, sesa të parandalojë rrjedhjen e votave të nevojshme për fitoren. E them këtë sepse të majtët historikë, të cilët janë irrituar me paktin e ngjalave, sado që të luhaten, kur të vijë dita e votimit do të kujtohen se janë të majtë për shkak të armiqësisë publike me Salën e të djathtën, ndërkaq morali liberal-demokratik ishte vetëm një shtresë e shtuar gjatë këtyre 20 vjetëve, në veçanti gjatë këtyre 8 vjetëve të opozitës, të cilën Rama e zhvilloi mjaftueshëm në terma të moralit liberal-demokratik. Pra, të majtët historikë që janë më radikalisht kundër paktit të ngjalave, kur të vijë dita e votimit, sipas gjasave do të mbyllin hundët e do të votojnë të majtën.

E quajta kryqëzatë e çuditshme, sepse shumë prej argumentimeve i përkasin moralit politik që gjendet në themel të demokracisë liberale. Kjo në fakt është esencialisht e pandershme dhe paradoksale. Eshtë esencialisht e pandershme pasi nuk mund të luftohet një qasje e moralit politik, si vota e bardhë, duke nxjerrë votimin për një parti politike si përgjegjësi morale e çdo qytetari. Eshtë paradoksale, sepse xixëllon kundërthënia në vlerësimin e votuesve nga njëra anë si imoralë e nga ana tjetër si qytetarë me përgjegjësi morale. Pra, këta liberalët e majtë duhet të mbledhin mendjen, nëse votuesi është i moralshëm apo imoral. Mos vallë zgjidhja e paradoksit nga ana e tyre është që votuesi është imoral por bëhet i moralshëm nëse voton majtas në 23 qershor ? Nga këta ça s’pret në fakt, i kanë sofizmat e relativizmin moral në majë të gjuhës.

E vërteta është se liberalët e majtë (që hiqen si të tillë), nëpërmjet premisës se Shqipëria është demokraci liberale, kanë garantuar lulëzimin e tyre publik, duke derdhur në shtyp gjithfarë analizash ku citojnë gjithfarë teorish e teoricenësh të huaj të liberalizmit (të majteë a të djathtë qofshin), të cilat shqiptarët i kanë marrë për ar të kulluar. Nëpërmjet atyre analizave kanë përshkruar ‘realitetin’ shqiptar, kanë formësuar opinionin publik, i cili pastaj i është drejtuar kutive të votimit me ndërgjegje të pastër. Në këtë mënyrë i kanë bërë shërbimin e duhur Parisë, ndonjëherë edhe për syleshësi, sepse kanë përshkruar një realitet që nuk ekziston askund, përpos në shkrimet e tyre dhe në dëshirat e Parisë. Ata kanë lulëzuar sepse i kanë bërë një shërbim të paçmuar Parisë, shërbim i cili, po të hiqen rastet e pakta të syleshësisë intelektuale, është paguar me flori.

Liberalët e majtë apo të djathtë, u kanë përshkruar shqiptarëve një realitet fiktiv, ku në Shqipëri politika zbatohet sipas parimeve liberal-demokratike, ku ka palë antagoniste, ku Nanoja, Meta dhe Rama janë armiq ekzistencialë me Salën (Meta është prapë armik), ku parlamenti nuk është teatër por djepi i demokracisë, ku Balla e Ruçi gati sa s’vriten me Jozefinën e Berishën. Po kështu, tashmë që të mirën s’pretendon ta përfaqësojë askush, sepse u ka dalë boja, nuk na ngelet veçse të zgjedhim të keqen më të vogël, për të majtët Rama e për të djathtët Berisha.

Ka diçka djallëzore tek teoria e së keqes më të vogël, që lidhet me faktin që diskursi publik përsëri mbahet i lidhur pas një moraliteti politik që nuk ekziston. Të thuash e keqja më e vogël, po luan përsëri me kartën morale sepse e keqja ngelet përsëri kategori e moralit. Në gjykimin moral kur sundon e keqja, nuk është se e mira është zhdukur, pasi ashtu do të ishte zhdukur dhe e keqja, sepse janë kategori dialektike, qe ekzistojnë dualisht. Kur sundon e keqja dhe e mira s’duket gjëkundi, rolin e së mirës e luan e keqja më e vogël, e cila vjen si një surrogat i nëndheshëm i së mirës dhe formon gjykimin moral se e mira është të votosh për të keqen më të vogël (një hap i vogël relativizmi moral e ndan të keqen më të vogël për Shqipërinë, nga e mira për të majtët apo të djathtët).

Kjo teori djallëzore, nuk vepron asnjëherë duke u shprehur se Rama apo Berisha përfaqësojnë të keqen e vogël, por duke thënë se kundërshtari është e keqja më e madhe për Shqipërinë. Kështu për liberalët e majtë, Berisha si gogol, është fakt i mjaftueshëm që ata të ndihen moralisht mirë kur të votojnë kundër tij, e të ndihen madje edhe moralisht superiorë ndaj atyre që do hedhin votën e bardhë.

Po të thoshin se Rama është e keqja më e vogël, prandaj do e votojnë, do viheshin në pozitat aspak komode të intelektualit të pamoralshëm, gjë që s’ia lejojnë dot vetes. Kështu mjafton një përdorim sofistik i relativizmit moral që ata të ndihen rehat me pozicionin e atij që jep leksione morale.

Këta duan të mbijetojnë pas tërmetit të 1 Prillit, çka është e kuptueshme, kanë krijuar profilet publike duke shitur iluzionin e ‘demokracisë në zhvillim ‘ për realitet i qartë dhe i padiskutueshëm, por duan edhe që të lajnë mutin me shurrë e të mos bëhen pis. Kjo nuk ka si të justifikohet, duhet të paguajnë haraçin publik.

Vota e bardhë nuk mund të kontestohet në moralitetin e saj  politik, një kontestim i tillë është një akt shumë i ndyrë, një akt i fëlliqur, nga i cili duhet të distancohet çdo liberal që ka një fije ndershmërie.

Vota e bardhë mund të kontestohet vetëm nëse vihet brenda kontekstit të duhur politik, ku armiku publik nuk vlerësohet për moralitetin politik si e keqja më e madhe, por kur vlerësohet për rrezikshmërinë e tij publike.

Armiku politik për nga vetë natyra e konceptit, vlerësohet për sa i rrezikshëm është, ai mund të jetë fare mirë i moralshëm, i bukur, i dobishëm, por jo për këtë është më pak i rrezikshëm. Anasjelltas mund të jetë i pamoralshëm, i shëmtuar, parazit, por jo për këtë mund të jetë më i rrezikshëm.

Pra, nqs duan të kontestojnë votën e bardhë, duhet të thonë e të demostrojnë që Berisha është armiku publik më i rrezikshëm i shqiptarëve, jo thjesht i të majtëve, prandaj meqë është armiku më i rrezikshëm duhen mbyllur hundët e duhet votuar kundër tij.

Natyrisht, tek mënyra e vetme e kontestimit të votës së bardhë që kanë, gjendet edhe e vërteta e politikës në Shqipëri, që Paria nuk është gjë tjetër veçse një tufë e organizuar armiqsh publikë të shqiptarëve. Shqiptarët në 23 Qershor kanë përballë armikun më të rrezikshëm të tyre dhe armiqtë më pak të rrezikshëm. Do të zgjedhin të votojnë armiqtë më pak të rrezikshëm të tyre, të cilët i quajnë sot për sot si e keqja më e vogël.

Ndërkaq, përsëris se të majtët, edhe ata më radikalët kundër paktit të 1 Prillit, në emër të armiqësisë publike me Sali Berishën, sado të hezitojnë do të votojnë për PS-në. Kjo do të ndodhë sepse Shqipëria nuk është demokraci, as e stabilizuar e as në zhvillim e sipër, por një sistem oligargik i cili mbahet në këmbë duke zhvilluar tek votuesit ndjesitë e rremta të mikut e armikut politik.

Akti i parë realist për çdo shqiptar do të jetë shpallja e armiqësisë publike me klasën politike, një akt i cili do t’i shkëpusë nga iluzioni i politikës 23 vjeçare dhe do t’i fusë në politikën e vërtetë. Për shumëkënd kjo mund të sjellë edhe votën kundër Berishës, si armiku më i rrezikshëm publik i këtyre 23 vjeteve, gjë që mund të argumentohet lehtë, por duhet të mbajë mend se në çdo rast është duke vënë një bast e duke votuar përsëri një armik publik.

Vota e bardhë jo vetëm që i takon moralitetit politik, por është edhe një shpallje e padyshimtë e armiqësisë publike me gjithë klasën politike, çasti kur do të ngjizet reagimi i vërtetë politiko-demokratik, që duhet t’i japë jetë partive të reja. Në rast se vota e bardhë, si çasti i ngjizjes së politikës së re, nuk përbën shtysë për lindjen e partive të reja, atëherë do të mund të quhet me plot gojën si vota e dështuar.

Heterogjeniteti i atyre që do hedhin votën e bardhë mund të garantojë lindjen e një partie të re, në rast se kjo parti farkëtohet në emër të armiqësisë publike me klasën politike, përndryshe do të përthyhet në një shumësi tentativash për krijimin e partive politike, të cilat do të jenë të gjitha të dështuara, sepse do t’i japin jetë partiçkave të parëndësishme.

Pra, që vota e bardhë të mos jetë një votë e dështuar, duhet që të bazohet tek parime,ide e ideale gjithëpërfshirëse, duhen harruar mëri e armiqësi historike, ndarje e përçarje krahinore e fetare. Vetëm kështu heterogjeniteti i votuesve që e shpallin armike publike gjithë klasën politike mund t’i japë jetë një fillimi të ri. Thirrjet për një të majtë të re apo të djathtë të re, janë fillimi i dështimit të votës së bardhë, nuk ka pikë realizmi një thirrje e tillë, sepse çdo përkatësi e majtë apo e djathtë në Shqipëri është e infektuar me armiqësi të atilla historiko-politike saqë çdo evokim i së majtës apo së djathtës nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do t’i japë një dorë sistemit të sotëm, i cili do t’i gllaberojë partitë e reja.

LEDJAN PRIFTI: Z. BLEDAR, NUK MBULOHET DIELLI ME SHOSHË

Në shkrimin e sotëm, botuar te gazeta Dita, Bledar H.Prifti, replikonte ndaj Prof. Shinasiut për mbështetjen që Profesori i nderuar i jep votës së bardhë, duke e quajtur votë të zezë, sepse penalizon Ramën. Më parë në këtë blog, kam mbështetur tezën e votës për partitë e treta, si alternativë realiste ndaj votës së bardhë, në bazë të arsyetimit se pluralizmi i faktorëve, thellon krizën e sistemit, i cili bazohet esencialisht tek bipolarizmi. Ashtu si në politikën boterore dalja e një fuqie të tretë shkatërron sistemin me dy fuqi, dalja e nje fuqie të tretë në Shqipëri do të shkatërronte sistemin aktual, status quo-në e sotme dhe do jepte mundësinë e nisjes nga e para.

Z. Bledar e vlerëson votën e bardhë si një dëmtim e ndëshkim të Ramës, duke supozuar se ata që janë kundër sistemit do të votonin për Ramën. Por ky është spekullim i tij, madje paradoksal me pohimin tjetër, që shoqëria shqiptare është imorale, prandaj duhet të shihet në pasqyrë para se të akuzojë për imoralitet paktin e ngjalave. Nqs shoqëria është imorale atëherë vota e bardhë s’ka si e dëmton Ramën, sepse imoralët politikë s’kanë për të hedhur votën e bardhë.

Vetëm të majtët që duan moral politik mund ta hedhin votën e bardhë dhe të dëmtojnë Ramën. Këtij paradoksi i shpëtohet vetëm duke pranuar që ka të majtë me moral politik, të cilët mund t’i japin leksione morali edhe Ramës edhe Bledarit.

Megjithatë, absurditeti që më shtyu në këtë replikë, është ai i zbërthimit të realitetit politik shqiptar me anë të tezave ku diskutohej nëse Amerika është apo jo demokraci (Dahl vs Mills). Them absurditet sepse nëse demokracia në Amerikë ‘ha diskutim’ dhe mund të quhet i pranueshëm këndvështrimi i Dahl-it, në Shqipëri demokracia është vite dritë larg.

E vërteta është se realizmi politik ( teoria elitiste) është i vetmi instrument teorik që mund të shpjegojë bindshëm gjendjen në Shqiperi dhe jo vetëm për këto 23 vite, por që nga krijimi i shtetit. Politikanët tanë na kanë dëshmuar vazhdimisht se janë makiavelistë të thekur, pakti i fundit i ngjalave është akt i pastër makiavelist. Përballë këtij makiavelizmi shekullor, nuk mund të mbyllim sytë e te themi që realitetit politik ne Shqiperi shpjegohet me instrumenta të tjerë teorike, sepse është kështu e ashtu.

Klasiku i fundit i realizmit, juristi dhe filozofi politik gjerman Karl Shmit, na jep edhe instrumentin e fundit teorik për të zbërthyer realitetin e sotëm shqiptar. Ai niset nga premisa se  e mira dhe e keqja janë kategori të moralit/etikës, e bukura dhe e shëmtuara kategori të estetikës, e dobishmja dhe e dëmshmja të ekonomisë, ndërkaq kategoritë e politikës jane miku dhe armiku. Armik në kuptimin latin të ”hostis”, armik publik dhe jo të ”inimicus”, armiku privat.

Armiku si ”hostis”, në shqip lidhet me konceptin e armikut si ‘i huaji’, madje ”hostis” e i huaj duket të kenë lidhje etimologjike (latinizëm ose bashkëpërkatësi indoeuropianiste).

Në Shqipëri, politika ka hecur gjithnjë me mendësinë e kundërshtarit politik si armik publik në kuptimin e ‘të huajit’, që është esencialisht i ndryshëm. Në totalitarizmin komunist, të merreshe me politikë ishte krim, sepse realizmi komunist e konceptonte armikun politik si armik për t’u asgjësuar me çdo mënyrë, si kriminel. Karl Shmiti na e shpjegon shumë qartë realizmin ekstrem të komunizmit.

Në këto 23 vjet, Paria e Tiranës, vazhdoi të ruajë kategoritë politike të mik edhe armik, u ngjizën kampet në bazë të këtyre kategorive, por kjo ishte sa për sy e faqe dhe sot shumica e popullsisë e ka kuptuar që Paria e ka ndarjen mik/armik vetëm një lojë, sepse në thelb janë të gjithë njësoj, biles miq e ortakë.

Ajo çka shumica s’ka kuptuar ende është se në çastin kur nuk ka më një ndarje mik/armik mes Parisë, për makiavelistët tanë në pushtet që të ekzistojë politika duhet gjetur armiku. Pikërisht ai armik i nevojshëm për ta, nuk mund të jetë askush tjetër përpos popullit. Pikërisht pse Paria për këto 23 vjet ka pasur popullin shqiptar për armik në kuptimin shmitian të ‘të huajit’, e ka shfrytëzuar atë, e ka grabitur e mashtruar si mos me këq, ndërkaq pazaret i kanë bërë gjithnjë bashkë, fito ti, më lër edhe mua të fitoj, faturën e paguan populli.

Pra për 23 vjet përtej maskës së armiqësisë, ata si miq e ortakë me njëri-tjetrin kanë shfrytëzuar barbarisht armikun e tyre, popullin e Shqipërisë.

Kjo ka qenë realisht politika shqiptare, pjesëtarët e Parisë e kanë trajtuar popullin si armik, duke iu shitur nëpërmjet mediave si përfaqësues e heronj të tij. Ky është kulmi i mashtrimit që i është bërë shqiptarëve, njëkohësisht edhe kulmi i barbarisë politike.

Kjo është tezë që s’ka nevojë fare për fakte e vërtetim, sepse është tepër evidente për të gjithë, qeverisja 23 vjeçare është dëshmi e qartë fare, çdokush është esencialisht i bindur se ata lart duan vetëm të zhvasin, por hecin sipas parimit ”po na doli gjë edhe neve, le të zhvasin e grabitin sa të duan”.

Vetëm kush e trajton popullin si armik, dëshiron t’i bëje ato që i kanë bërë këtij populli, ta grabisin, ta mashtrojnë e ta vrasin. Më shumë se kaq ç’mund të dëshirohet t’i bëhet armikut ? Madje, si mund të jesh më barbar me armikun sa ç’është treguar Paria me popullin në këto 23 vjet ?

Por, kulmi i absurditetit të një soji liberalësh shqiptare, përfshirë z. Bledar, është kur thuhet se Paria është pasqyrë e popullit, se populli është imoral prandaj Paria është imorale.Nëpërmjet armiqësisë politike me shqiptarët, Paria është përkujdesur që t’i shkatërrojë çdo themel ekonomik, që është baza e autonomisë per mbajtjen e qëndrimit moralo-politik, sepse themeli ekonomik lidhet me vetë ekzistencën fizike. Fukarallëk-maskarallëk, kjo është formula e ndjekur në Shqipëri. O behësh votues e militant ose s’ke shanse për një të ardhme në Shqipëri. Gjithçka, shteti, ekonomia, kultura, është e kapur që populli për të evituar fukarallëkun, të perqafojë maskarallëkun. Përndryshe shko në emigracion ose rro me paratë e emigrantëve që ke në familje.

Jo më kot kemi 1/3 e shqiptarëve në emigracion. As pushtimi turk pas vdekjes së Skënderbeut nuk shkaktoi një emigracion të tillë.

Prandaj, përtej efekteve të votes së bardhë, në dëmtohet Rama apo Berisha, shqiptarëve u duhet thënë e vërteta. S’ka instrument teorik më të mirë për të zbërthyer makiavelizmin e Parisë, sesa vetë teoria e Makiavelit, teoria elitiste ose realiste.

Karl Shmiti me kategoritë politike të mikut e armikut, na sqaron në mënyrë përfundimtare pse ky popull është trajtuar si armik prej Parisë. Politika e vërtetë shqiptare, nuk është ai iluzioni që shohim prej 23 vitesh në televizor, por vërtitet rreth miqësisë së pjesëtarëve të Parisë me njëri-tjetrin dhe armiqësisë së pashpallur, por de facto me popullin.

Në Shqipëri ka vetëm një politikë të vërtetë, Paria vs Popull ( aristokraci vs demos), ka ardhur koha që populli të hapë sytë e t’i shpallë armiqësi Parisë, sepse ashtu si në Athinen e lashtë, demokracia është produkt pikërisht i luftës mes aristokracisë dhe demosit. Vota e bardhë është një prej mjeteve moderne të luftës që ka demosi shqiptar.

Si përfundim, vetëm kur kategoritë politike shmitiane të mikut e armikut publik ( si i huaji), të futen brenda ideologjive politike e aty të humbasin agresivitetin esencial, ne mund të flasim me gjuhën e Dahl-it apo të themi se politika është ”shpërndarje autoritative e vlerave të një shoqërie”’. Për momentin, i vëtmi përshkrim vërtetësor i realitetit thote se politika me Shqipëri nuk është gjë tjetër veçse një luftë që Paria  po i bën popullit shqiptar, të cilin e ka kategorizuar si armik dhe po e trajton si të atillë, duke e mashtruar, grabitur e vrarë.