GRIMCA KULTURE BASHKEKOHORE SHQIPTARE:

Sulejmani i Madhërishëm rinis në shtator, ja surprizat në seritë e reja:

Për momentin seriali më i pëlqyer nga shqiptarët “Sulejman i Madhërishëm” është ndërprerë për të rinisur sërish në shtator, me seritë e reja të sezonit të tretë, dhe sezonit të katërt. Do të ketë mjaft surpriza me vijimin e ngjarjeve, por edhe personazhe të rinj, të cilët do të luajnë në sezonet e ardhshme. Siç e keni marrë vesh tashmë, Sulltaneshë Hyrremi, do të luhet nga një aktore tjetër, por nuk do të jetë ky i vetmi ndryshim i vazhdimit të serialit. Ne kemi përgatitur për ju në këtë numër të rubrikës së telenovelave një përmbledhje të ngjarjeve dhe të personazheve të rinj që do të jenë pjesë e serialit më të ndjekur “Sulejman i Madhërishëm”. Ndërkohë në ekranin e “AS” çdo ditë në orën 15:30 do të transmetohen seritë e sezonit të dytë, dhe për të gjithë ata që i kishin humbur kjo do të jetë një mundësi e mirë për ti parë, dhe për të lidhur ngjarjet në shtator, kur të nisin edhe seritë e reja.

<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<

Aktorja që do të zëvendësojë Hyrremin

Vahide Gordum, është aktorja që do të interpretojë Sulltaneshën Hyrrem në sezonin e IV të serialit “Sulejman i Madhërishëm”. Aktorja Meryem Uzerli nuk do të jetë pjesë e sezonit të ardhshëm të serialit. Ajo do të mungoj nga sezoni final i serialit për shkak të gjendjes së saj jo të mirë shëndetësore, raportuan mediat turke, të cilat sqaruan më tej se aktorja është larguar nga Turqia duke u kthyer në vendlindjen e saj, në Gjermani. Me të në Gjermani ka shkuar edhe i fejuari i saj, Can Ates.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Një aktore italiane në serial
Në sezonin e 4-ët në serial do të futet gruaja e Princit Selim, Nurbanu Hatun, e cila më pas do të bëhet Sulltaneshë pasi Selimi bëhet sundues i Perandorisë Osmane. Mendohet se ajo mund të ketë qenë ose një fisnike nga Venecia ose spanjolle me origjinë. Nurbanu pati 4 fëmijë me Selimin 3 vajza dhe 1 djalë (Murad III, Esmehan Sultan, Fatma Sultan, Şah Sultan). Muradi III trashëgoi fronin duke u bërë Sulltan për 9 vjet. Kështu Nurbanu udhëhoqi haremin si Valide nga 1574 deri me 1583. Vdiq me 1583 në Stamboll. Thuhet se personazhin e saj do ta realizoje aktorja me origjine italiane Denise Capezza.

<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<

Luran Ahmet, një shqiptar
në Sulejmani i Madhërishëm!

Luran Ahmeti ka lindur më 31 korrik 1974 në Shkup, Maqedoni. Shqiptari nga Maqedonia ka korrur një sukses të madh në televizionet turke. Ka marrë pjesë në seriale si “Elveda Rumeli”, “Balkan Düğünü” dhe së fundmi në serialin turk më të ndjekur “Muhtesem Yuzyil”. Ai do të luajë rolin e një pashai, Hysrev Pasha, ndërkohë Sulejmani do që ta martojë me Hatixhenë (motrën e tij), por Hatixheja nuk pranon.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Arkitekti shqiptar që u
dashurua me vajzën e Sulltanit

Një tjetër personazh shqiptar shumë i rëndësishëm në Perandorinë Osmane do të futet në serial, pikërisht Mimar Sinani. Mimar Sinani (i vërtetë) lindi në 1490 dhe vdiq në 1588, ishte një shqiptar me profesion arkitekt. Ai është dizenjuesi i shumë xhamive ku më e rëndësishmja është Xhamia Sulejmanie e ndërtuar me urdhër të Sulltan Sulejmanit. Gjithashtu ka dizenjuar dhe Xhamine e Sulltaneshës Mihrimah dhe thuhet se ka qene i dashuruar me Sulltaneshen Mihrimah. Ndër punimet e tjera numërohen shumë; ndërtoi 84 Xhami, 52 mesxhide, 57 medrese, 7 Spitale, 22 mazoleume, 17 streha për të varfërit, 5 ujësjellësa, 8 ura, 20 hane dhe 48 hamame. Ai do të interpretohet nga aktori i njohur Gürkan Uygun, i njohur në rolin e Memati në serialin “Lugina e Ujqërve”!

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Gruaja e dytë e pasardhës Mustafait

Në serial do të futet një personazh tjetër, Rumeysa Hatun, motra e Gabrielës e cila do të bëhet gruaja e pasardhës Mustafait. Ajo ishte gruaja e tij e dytë, pas Ayse Hatun me të cilën pati një vajzë. Me Rumeysen ai pati 4 fëmijë; 2 vajza (Handan Sultan, Mihrisah Sultan) dhe 2 djem (Sehzade Mehmet, Sehzade Orhan). Dilefruz do të thotë diçka shumë e veçantë kurse Rumeysa do të thotë ylli më i madh. Nga kuptimi i emrave që ai i vuri duket se sa i lidhur ishte ai me Rumeysen.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Kivanc Tatlitug, Princ Selimi në
serialin “Sulejmani i Madhërishëm”

Aktori i famshëm turk Kivanc Tatlitug i njohur per rolet e suksesshme në serialet ‘Gymysh’, ‘Ezel’ dhe së fundmi në “Kuzey Guney”, do të jetë pjesë e serialit më të ndjekur turk të momentit Sulejmani i Madhërishëm. Ai do të luaj rolin e Princ Selimit në moshë të rritur. Kivanc Tatlitug, ka arritur nënshkrimin e kontrates me ‘TIMS Production’ për sezonin e katërt të serialit që ka arritur një audiencë të konsiderueshme në shumë shtete të Ballkanit, Emirateve të Bashkuara dhe në Europë. Kivanc do jetë prezent me rolin e Princ Selimit gjatë gjithë sezonit të fundit të Sulejmanit të Madhërishëm, personazhi i të cilit do të bëhet edhe Sulltani i Turqisë. Lajmi u bë i ditur nga gazeta të ndryshme turke, ndërsa xhirimet e sezonit të katërt dhe të fundit do të fillojnë nga muaji shtator, në ‘cast-in’ e të cilit pritet të jenë edhe dy aktorë të tjerë të famshëm.

(Marre nga Tirana Observer: http://www.tiranaobserver.al/2013/07/22/sulejmani-i-madherishem-rinis-ne-shtator-ja-surprizat-ne-serite-e-reja/)

 

EDLIRA GUSHTA: OPINIONISTËT DHE ZGJEDHJET

Në gazetën Mapo, pronari dhe drejtuesi i saj, Henri Çili, në një editorial të tij të djeshëm i kërkonte opinionistëve shqiptarë, që të vepronin ndryshe. Sipas Cilit ka ardhur koha që edhe ata të ndjekin shembullin e “kolegëve” të tyre amerikanë dhe më pas europianë dhe të shprehin hapur, si shenjë civilizimi, se cilën parti përkrahin në këto zgjedhje.

Për standardet e gazetës dhe të atyre që e blejnë nuk është ndonjë mendim i keq. Megjithatë, shumica e shqiptarëve që ndjekin me shumë tifozllëk emisionet politike në vend, s’kanë nevojë për editoriale të tilla, e as që opinionistët që të shprehen më kë parti janë… Opinionistët ua tregojnë përnatë në të gjitha stacionet, madje tifozllëku i opinionistëve shprehet edhe me të bërtitura, me të çirrura, njësoj si në mitingjet elektorale.

Kjo gazetë ka vazhduar sot me opinione marrë nga disa prej opinionistëve për të treguar secili prej tyre kahun e vet politik për zgedhjet e 23 qershorit. Gjithnjë për standartin që ka gazeta nuk është ndonjë nismë që duhet të zhvlerësohet. Por, fakti që merren si opinionistë vetëm ata që dalin përnatë në televizione, në të gjitha stacionet e mundshme, po të kishin mundësi, në disa njëherësh edhe në transmetim të drejtpërdrejtë, tregon, se gazeta i trajton këta opinionistë njësoj si figurat rozë të shoqërisë shqiptare dhe asgjë më shumë. Nejse ky është standarti i tyre.

Zonë aspak e lirë

Pra nuk ka ndonjë çudi, apo ndryshim te qëndrimi i Arian Çanit, i cili s’është shumë i besueshëm si opinionist, sepse ai është thjeshtë njeri i shfaqjes televizive. Ai është njësoj si Kac Islami, që ishte antiberishian, partizan i Edi Ramës deri në pikën e fundit të gjakut e më pas kaloi sërish me Berishën, por jo në PPSH por në PD.

Çani ishte ai që prishi kontratën e parë me Klanin, se Frangaj nuk e donte në Studion e Klan kreun e bashkisë së Tiranës dhe kreun e PS-së, me konceptin, ‘topi është i imi, penalltinë e gjuaj unë, unë gjej dhe portierin’. E më pas Çani e çoi emisionin te Vizioni dhe në emisionin e parë ai e pati Ramën tek pullë të ftuar, të ftuarin e vetëm te ‘Zonë e Lirë’, që nuk u la pa thënë asgjë as për Berishën dhe as për Frangajn.

Pastaj Çani pati një iluminim kaloi sërish me Frangajn, u bë me Berishën dhe tani është partizan i tij deri në pikën e fundit të gjakut. Në fakt i kushtuam Çanit më shumë radhë se sa duhej, për vetë faktin se nuk është një opinionist, ai nuk prodhon opinion, ai thjeshtë është njeri i spektakleve, që gazetat nuk harruan të na e tregojnë të gjitha detajet me fotografi se si i varfëri e kishte kaluar 45 vjetorin sa më afër natyrës lakuriqe.

Asgjë të re në frontin e lindjes

Ajo që vë re te opinionistët e tjerë, janë që ata përpiqen që me argumente të të bindin për kahet që mbrojnë fort, diku dhe shumë kund vetëm për arsyet e tyre personale, për vazhdimin e përfitimeve që kanë nga pushteti dhe ata që janë pro rrotacionit të këtyre përfitimeve, pra diçka të mbetet edhe për ta kur të vijë Rama në pushtet. Pra secili prej tyre, Baze, Shkullaku, Zheji, Hila, Nazarko, i shërbejnë me penë kraheve politikë. Këta janë rrogëtarë.

Në shoqëritë demokratike, ku standartet mininale të një jete në demokraci janë të vendosura prej qindra vitesh, një gjë e tillë, nuk do të shqetësonte njeri, madje as pronarin e gazetës, apo as kryeministrin. Secili prej këtyre opinionistëve, si në opozitë ashtu dhe në pushtet nuk e kanë provuar nivelin minimal të jetesës, edhe pse mund të dëgjosh histori persekutimesh. Secili prej tyre jeton në kullën e tyre të krijuar prej vitesh dhe itinerari i vetëm është shtëpi dhe kafenetë e shtrenjta dhe për më tepër asnjërin nuk e ha meraku për viktimat e Gërdecit apo për viktimat e 21 janarit. Këta shohin vetëm interesin e liderit me të cilin pinë kafe.

Fatos Lubonja

Përjashtim bën këtu këtu Fatos Lubonjën, i cili e ka shprehur qëndrimin e tij në editorial te Panorama, se është për një kryq të fletës së votimit dhe ai i ka treguar pse-të e këtij kryqi. Duke qenë se ai e njeh shumë mirë Sali Berishën dhe se çfarë bën ai me shtetin, por duke e njohur shumë e shumë më mirë Edi Ramën dhe çfarë mund të bëjë me pushtetin, pra të njëjtën masakër që bëri dhe me aq pushtet që kishte në Tiranë, Lubonja u tregoi njerëzve se ky është standarti demokratik që duhet të ndjekin për zgjedhjet e 23 qershorit.

Andi Bushati

Por njeriu dhe opinionisti që me zor më bind se nuk duhet të votoj për Edi Ramën, për Sali Berishën dhe për të gjithë klasën politike në vend dhe marr penën dhe ta shkarravis e ta nxij atë fletë, është Andi Bushati. Një javë më parë në një shkrim ‘Kush kërkon të vrasë Edi Ramën?’, ai e tregoi ashtu siç është në të vërtetë Rama, ashtu siç edhe na e ka treguar Lubonja, por ne nuk kemi pasur sy ta lexojmë. Por më pas, ai po në gazetën Tema shkruan një editorial ‘Vota historike e 23 qershorit’. Këtë opinion ai e përsërit edhe te gazeta Mapo ku shkruan: ‘vota kundër Sali Berishës është edhe votë historike, sepse është një brez i tërë 40-45-vjeçarësh të cilit edhe unë i përkas, që, po të bëjnë sot një llogari, kanë jetuar më shumë vite politike nën Sali Berishën se sa nën Enver Hoxhën.

Pra, këtë radhë, vota e 2013 është edhe një përpjekje që të mos krijojmë me votë udhëheqës të përjetshëm.’

Zoti Bushati, jam një grua që ka jetuar në të dy këto hegjemoni dhe është e vërtetë që kam jetuar më pak në kohën e Enverit se sa në kohën e Berishës, por nëse do të krahasohen të dy kohët nuk janë të ngjashme me njëra-tjetrën, në asnjërën pikë.

Nuk e di për ju zoti Bushati, por më ka qëlluar që për të marrë dy shishe qumësht më tepër zgjohesha me motrën herët në mëngjes që në ora 03.30 për të zënë radhën e qumështit, unë me motrën e nënën në radhën e grave dhe babai në radhën e burrave dhe atë ditë mund të bënim ndonjë byrek me kos. (Po ju tregoj vetëm eksperiencën time, se ka 40-45 vjeçarë, ose baballarët e tyre që të tregojnë tmerre, mundesh edhe të flasësh me Lubonjën dhe të të tregojë po tmerre).

Zoti Bushati jam një njeri që ka prindër që kanë jetuar më shumë në kohën e Enverit se sa të Berishës që as nuk duan t’ia shohin bojën as emrin e shkruar të parit, madje u ikën boja e fytyrës kur shohin e dëgjojnë në televizione se iu përkujtua ditëlindja atij dhe vdekja e atij. Duhet ta dini zoti Bushati, se një pjesë e mirë e shqiptarëve e di që e keqja aktuale në Shqipëri është Berisha, por në momentin që kanë përballë PS-në, asnjëherë e distancuar nga trashëgimia gjakatare e Partisë së Punës, nuk duan ta votojnë.

Ata kanë ende varre të pahapura zoti Bushati, nuk dinë se ku janë kockat e 3500 njerëzve të vrarë në të gjitha format e të varrosur pa nam e nishan, kështu që nuk të japin fare të drejtë ty, prandaj ti duhet t’i pranosh etiketimet që të janë bërë dhe që i keqpërdor Berisha.

Zoti Bushati Shqipëria pragun e historisë së saj e kaloi më Lëvizjen e Dhjetorit që e bënë pikërisht studentët e atëhershëm që tani janë 40-45 vjeçarët, por ju lutem më thoni se ku janë ato drejtues të kësaj lëvizje, ku janë pjestarët e saj, ku janë ata që bënë grevën e urisë? Ata që qëndruan nëse nuk u bënë pjesë e palëve u harruan dhe nuk i ftojnë as në aktivitete përkujtimore, ata që ikën as duan t’ia dëgjojnë emrin fare, sepse të gjitha kontributet i duan për vete. Nëse vota e 23 qershorit qenka historike, se ti nuk do të jetosh më në regjimin e Berishës, që ta ka mërzitur më shumë se sa regjimi i Hoxhës, dhe do ta bësh rrotacionin për këtë arsye; atëherë faleminderit për opinionin tënd.

Në pamundësi për të votuar për këtë argument të majtën shqiptare, për shkak se historia e familjes dhe e shumë familjeve si e imja nuk ma lejon këtë, pavarësisht premtimeve, apo sepse shumë pjestarë të shtresës sime i janë bashkuar së majtës, puna e tyre, për shkak të atyre vuajtjeve që kanë kaluar nuk do ta votoj të majtën, pavarësisht se xhaxhi Luftari më thotë ta bëj. Në pamundësi për të votuar të djathtën, që nuk më përfaqëson më historinë e vuajtjen e familjes sime, do ta nxij atë fletë votimi dhe jam duke bërë përpjekjet maksimale që fëmijët e mi të mos edukohen me faktin e të nënshtruarit ndaj çdo regjimi për hir të interesave thellësisht personale.

 

ARBEN BLLACI: BUSTI I SABRI GODOS SI SHKAS REFLEKTIMI

Ka qenë diku rreth vitit 1993 ose 1994, kur kam intervistuar Sabri Godon, tani i ndjerë, atëherë kryetar i Partisë Republikane. Për t’i dhënë pyetjet paraprakisht, në zyrë i shkova me Lutfiun, që bënte gazetën “Republika”. Në të dalë, Luti, si “djall me brirë” që është, i thotë me shaka:

– Kujdes me intervistën z. Sabri, se mik e kam, po ky është për të rrahur!

Secili sipas zakonit të vet; unë qesha me të madhe, Lutfiu uli sytë, siç bën sa herë këput mufka, z. Godo vuri në lëvizje vetëm cepat e buzëve…

Kjo ndodhi, e mbuluar me pluhur kush e di në ç’rrëzë të trurit, erdhi e m’u kujtua befas, kur u gjenda i revoltuar tek dëgjova që Bashkia kishte vendosur të ngrinte një bust të z. Godo në “Pedonalen” e Tiranës. S’kanë për të bërë gjë, mendova pastaj, janë vetëm dërckla elektorale. Po në fakt busti u bë, bile në Itali e ndaj ka edhe një hije romane; bile me urgjencën që rrallë është bërë ndonjë bust; bile u vu në një ndër vendet më të zgjedhura të Tiranës.

Përse, për ç’meritë, nga ato për të cilat njerëzit përjetësohen në metal?

Sepse ishte partizan? Po ai nuk u vra në luftë, vdiq në shtrat, i rrethuar nga dashuria e njerëzve të tij. Edhe po të qe, kushedi nga do ishte degëdisur si heronjtë e Shkodrës e ngado varret e dëshmorëve.

Sepse ishte kundërshtar i shpallur i regjimit feudo – komunist? Ai vetë nuk e ka thënë kurrë këtë gjë, as me gojë, as me librat e tij. Po edhe sikur të qe, e kini parë ku e ka një gjojabust, Osman Kazazi, legjenda e burgjeve politikë në Shqipëri?

Sepse ishte shkrimtar nobelist, qoftë edhe kandidat, apo novator i njohur botërisht? Ishte një Kadare, apo një Lasgush? Askush nuk është aq i palexuar, sa të pohojë këtë.

Ishte një Valesë shqiptar në vitet ‘90? Eshtë emblematike thirrja e tij për të votuar Ramiz Alinë, duke qenë vetë një kryetar partie të djathtë.

Sepse ishte shef i një partie me fuqi përcaktuese për fatet e ecurisë së vendit në demokraci? Partia e tij kurrë nuk u ngrit mbi pesën e përqindshit të votuar nga shqiptarët.

Sepse bëri kushtetutën e Shqipërisë? Nuk qe i vetëm, nuk qe as Xhorxh Medison, as një nga 55 burrat që bënë Kushtetutën Amerikane. Thjesht kontribuoi të bëhej një dokument që u quajt paçavure, u përndoq e u mallkua si ajo, nga ata që sot ngritën bustin.

Sepse dha dorëheqjen nga partia, si shembull unik në pluralizmin shqiptar? Papa ishte Papë, i caktuar për të vdekur në fron dhe me dorëheqjen, sikur tha se pleqëria ka hije më shumë në një manastir, sesa në një fron.

Mund të bëhen njëqind pse-ra dhe sepse-rat të jenë të gjitha kundërshtuese. Po arsyen e vetme se pse z. Godo do na shohë mot e jetë nga busti, (mot e jetë, sepse vetëm bustet e diktatorëve rrëzohen dhe ai nuk e pati fatin të vihej në këtë provë).

Arsyen e vërtetë pra, të bustëzimit, e thonë vetë protagonistët. Godoja, që paskej thënë në ambient familjar, se Bashkia në duart e Bashës qenkej në duart e duhura; e bija, ish-ministre shëndetësie, që konsideratën e babait e tha publikisht në rastin e përurimit të bustit dhe vetë z. Basha, që pohoi me plot gojën, se Godoja ishte miku i tij shumë i çmuar. Prandaj e meritonte një… bust (!)

 

Me një rregull treshi të shpejtë, (nga ajo dhe ajo del kjo) i bie që miqtë e z. Basha, minimalisht z. Ristani që e shpalli kryetar dhe z. Agolli që e uroi publikisht për detyrën, t’i kenë bustet, diku në krah të z. Godo, mbase që me gjallje, se mandati i kryetarit e theu mesin dhe, mos o zot, që dy të lartpërmendurit të kenë ymër kaq të shkurtër!

Kemi dëgjuar e thënë mbase dhe vetë, “e mo, mirë bëri, do bëjë njeriu për shokë e miq, se shqiptarë jemi”, kur një kryetar bashkie hap diku një vend pune, ndërhyn për të mos prishur ndonjë mur që pengon rrugën, devijon pak autostradën par ta shpurë në supermakatin e mikut te tij, shtron rrugën ku do shkelë vetë kur inauguron ndonjë çerdhe a kopësht, jep një leje ndërtimi, një legalizim jashtë radhe etj., etj., të ngjashme! Po që t’i ngrerë bust mirënjohjeje mikut të tij, për meritën e vetme se ia ka konstatuar duart si të përshtatshme për çelësin e një bashkie, kjo është një pikë e zezë!

Jam i ndërgjegjshëm për natyrën delikate të çështjes që po trajtoj. Desha t’i largohesha në fakt, po m’u bë gjemb në tru dreqi dhe më shpoi keq, tek kaloja në “Pedonale”. Por kuptomëni, ju lutem! Busti i z. Godo është vetëm një shkas flagrant, për të këputur litarin e këmbanës, duke i rënë, gjersa të kuptojmë sesa lumë e përrua po shkojnë gjërat në këtë të shkretë vënd. Sesi po i ngrihet monument kuturisjes për të kryer papërgjegjshmëri të kësaj shkalle, pa pikën e turpit, m’u në mes të kryeqytetit dhe m’u në mes të ditës. Ai bust, mirëfilli është një monument i ngritur si simbolikë e si provë e metaltë, për të dëshmuar sesa gjithanëshmërisht mund të abuzohet me pushtetin. Përballë këtij lloj abuzimi, të papeshë në dukje se demek një bust s’i prish punë asnjë të gjalli, abuzimi ekonomik, është një tufë me lule të freskëta…

Askujt nuk i dhimbset një grusht metali, ky vend ka sa te duash minerale që lidhen në bronx e secili nga ne, mund të bëjë nga një bust për qejf të vet. Por është mesazhi, që të plevitos kockën. Mesazhi asgjësues se një mik a një tutor, mund të të shndërrojë nga një hiç, në një gjithçka; nga një i vdekshëm i zakonshëm, në një monument. Paçka se mbi vete nuk ndjen të kesh as gramin e shkëlqimit të ndonjë vlere monumentale. Dhe kjo të mos jetë një rast, por një sjellje që po shndërrohet në traditë. Dhe kryet e punëve urgjente që duhen bërë në këtë vend, mbeten në dorë të qypave dhe pufteve që gëlojnë kudo. Dhe a mund të mos trembesh nga gjithë kjo?!

Edhe mund ta shfrytëzoja këtë fabul për të tjerrë shumë e shumë problematika të tjera. Po nuk dua ta bëj, nuk dua të cënoj inteligjencën e njerëzve, që sytë i kanë në ballë e mendjen në kokë, për të parë e kuptuar atë që ndodh. Por që nuk e di pse heshtin. Pse heshti, fjala vjen, edhe Këshilli Bashkiak, kur iu vu në tavolinë propozimi? Mbase sepse të përgojosh të vdekurin, është një tabu? Dakort. Ama kur derdhet në brox, i vdekuri nuk është më i vdekur, por një subjekt social e politik, që mbart e përhap mesazhe!

Sidoqoftë, unë për vete, e bëra ç’kisha për të bërë.

– “E kërreve derametin, t’u bëfsha kurban!”, – do thoshte nëna ime e shkretë.

– E nxorra nëno, e nxorra, po më duket se Lutfiu kishte të drejtë, kur tha atëherë që duhem rrahur vëndçe…

 

MURAT ALIAJ: PЁRPARA MERCENARЁT E MI TЁ LAVDISHЁM

Njeriu që e kalon gjithë jetën me kafshet, është e pamundur t’ju shpëtojë mjaft huqeve kafsherore. Kafshet, sipas llojit të vet kanë huqe të ndryshme. Të mira e të kqija, sipas llojit të kafshës. Varet se cilat do preferojë njeriu prej tyre. Më e zakonta kafshë tek ne, është qëni i cili vërtet që ka të mirë besnikërinë, por ka të padurueshme lehjen. Që të dyja janë të nevojshëme për një politikan. Madje e dyta përbën domosdoshmëri.

Puna është se është hapur një hendek moskuptimi mes nesh që qeverisim dhe popullit i cili në vënd të ankohet për pazotësinë e tij, rri e shan neve që jemi lokomotiva e shoqërisë. Derisa nuk përbënte rrezik lehja e tij, e lamë, por tani jemi në prag të zgjedhjeve dhe radhën për të lehur e kemi ne. Populli i paduruar duhet të paguaj mëkatet e veta dhe mirë t’i bëhet, por nga ana tjetër ai duhet bërë zap, për të mos na rrezikuar votën. Ai duhet të jetë besnik dhe të mos lehë kundër drejtuesve të vet. Sepse kjo botë ka ca rregulla që e mbajnë ekujlibrin. Ky popull harbut e injorant duhet mësuar të drejtohet, e jo të na japë mend si ta drejtojmë.

Për të keqen e tij populli ka ca huqe jo të mira. Ai i merr serjozisht ca gjera që ne drejtuesit i themi, kur na e do puna për t’i krehur leshtë. Vërtet që ne e quajtëm SOVRAN, dhe ai që i tillë s’ka qënë kurrë, nuk mund ta kuptojë këtë nder që i bëjmë ne. Ai nanuriset dhe përgjerohet për ne gojëartët, duke goditur ata, gojëhaletë që s’lënë gjë pa thënë kundër nesh. Populli është vërtet sovran, por ama, pas nesh që e drejtojmë. Tani le t’i marrim me radhë punët, kush jemi ne, dhe kush është ky popull, që guxon e na jep mësime.

Deshi rrugë? Rrugë i bëmë. Jo pak, por plot 10.000 km, që është e njejtë si të shtrosh distancën Tiranë –Tokio. Populli i sheh dhe ju gëzohet këtyre rrugëve, por s’do t’ja dijë se pikërisht për to u desh të shisnim gjithë ç’kishte mbi toka e nën toka jonë. Madje as ato nuk mjaftuan, pasi u desh që të fusnim edhe vëndin në borxhin më marramëndës që s’e kishte menduar kurrë.

Deshi kanunin si rregullues të marrdhenieve shoqërore. Është plotësisht i lirë që ta nderojë dhe zbatojë atë sipas qejfit. Por ama të mos ankohet se ja paskemi fajin ne që mijra të rinj e kalokan jetën të ngujuar nëpër kulla. A s’janë ata trashëgimtarët më besnikë të së shkuarës sonë?

Deshi shkolla? Gjithandej vumë mësues trapërit tanë, që s’u lodhën duke ju folur fëmijve, për meritat tona. Kusarët i bëmë drejtorë shkollash, kurse kriminelët mësues anatomie. Biznesmenët e morën vet përsipër dhenien e lëndës së matematikës. Kaq të hapura s’kanë qënë kurrë dijet tona të çdo fushe. Mësuesit tanë janë njerëz praktik. Aty ku është e domosdoshme teoria, ne gjetëm ndonjë të përndjekur që na beson akoma duke u zvarritur pas nesh. Askush nuk mund ta japë më mirë lëndën e historisë dhe letërsisë, se sa ata. Fëmijët tanë duhet t’i dinë të gjitha gjërat që i kanë punuar diktatorët këtij vëndi e këtij populli, ndryshe s’ka si t’ja dinë vlerën demonkracisë. Sepse nuk ishte budalla Enveri që neve drejtuesve të sotëm të shtetit, na vinte në rresht si bagëtitë dhe na nxirrte tribunave që të brohorisnim e çirreshim për të. Tani është radha jonë, që brezi i ri të na e kthejë këtë borxh. Ndaj këta fakirë duan s’duan do dalin në sheshe e të çirren për ne. Sepse ne jemi ndryshe nga Enveri. Ne jemi demonkratë që fëmijën qysh pa dalë nga barku i nënës, e fusim në rresht ta hedhë votën për ne. Të tjerët, ata që kanë ca vite që e kanë parë dritën e diellit as i diskutojmë fare. Le të vijnë të votojnë edhe gjashtëmbëdhjetvjeçarët, edhe dhjetvjeçarët. Pse jo edhe ata me bibelino bythëve?.

Ne e bëmë njeriun e të pavdekshëm. Shihini listat tona të votuesve, sa emra do gjeni nga njerëzit që i kanë mbyllë sytë prej vitesh. Se, ata vërtet kanë mbyllë sytë, por jo zemrën e cila rrahu deri në sekondën e fundit, për ne.

Dikush do i quaj lehje qensh sukseset tona. Le t’i quaj si të dojë, pas 23 qershorit ne nuk do lehim më dhe ai do ketë rastin të ndjejë kafshimet e dhëmbëve tanë.

Akoma kemi për të bërë mrekullira, pasi këtë vënd e gjetëm shkretëtirë, pa asnjë uzinë, pa asnjë hidroçentral, pa asnjë minierë. Kemi vetëm ca kështjella ilirësh që na kanë mbetur tek tuk e që do ja u shesim manjakëve të arkelogjisë. Edhe kështjellën e Krujës do e shesim, po të na dalë ndonjë blerës miljarder. Do e shesim jo se kemi nevojë për para, por thjesht për të çuar në vënd amanetin e Skënderbeut që lavdinë e këtij vëndi ta shpërndajmë nëpër gjithë botën.

Të gjitha këto janë punë të mëdha e nuk bëhen me të tundur të gishtit. Ndaj kërkojmë mandatin tjetër të qeverrisjes që ta plotësojmë ëndërrën tonë, duke shitur gjith ç’ka mbetur akoma në këtë vënd. Po do ketë njerëz që prej varfërisë do vazhdojnë të hanë kokat e njeri tjetrit. Mirë t’ju bëhet. Le të vijnë me ne që të pasurohen e të bejnë jetën e njeriut të perëndisë. S’duan. Le të hanë kokat derisa nuk e shohin ku është e mira e tyre.

Ne as ju kemi ndonjë faj dhe as ju kërkojmë ndonjë gjë, veç atë votën, duan s’duan do e hedhin në anën tonë, sepse na e kanë borxh, pasi vetëm ne mendojmë për ta. Do përmbysim malet dhe hapim 250.000 vende pune që të punojnë e të hanë të gjithë të pangopurit, sa t’ju dalë nga hundët. Po do thoni ju ku do hapen këto vende pune? Në hotelet e Argites, Shkëlzenit dhe Lulit. Njerëzit puntorë ngrenë pallate e hotele luksoze në bregdet e në zonat e tjera turistike, e s’merren me fjalë kafenesh siç bën ky popull krahëtharë. Ne ju themi hajdeni të punojmë bashkë: ne si bosa e ju si zvarranikë. S’doni? Punë juaja. Ne do vazhdojmë t’i ngulim kthetrat tona në të gjithë Shqipërinë. Por ama asnjë të drejtë s’keni kur ankoheni se në Shqipëri nuk paska më vënd për shqiptarët, pasi atë e paskan zaptuar lehaqënët dhe banditët. Ne ndjejmë detyrë t’ju vërtetojmë se nuk dimë vetëm të lehim, por edhe… të kafshojmë.

Ndokush edhe do çuditet se ku u gjetën kaq shumë të papunë në këtë vënd, kur shifrat e INSTAT raportojnë vetëm 120.000 të papunë? Mos u ngatëroni me shifra se ato janë për të huajt që patjetër duan ca shifra. Mirëqënia s’matet me shifra por me buzëqeshje dhe me vota.

Vërtet ka njerëz që e kuptojnë gabimin e tyre fatal të kundërvënies dhe nxitojnë t’i lajnë hesapet me këtë jetë, duke u vërvitur nga katet e katert dhe të pestë të pallateve. Njerëz që nuk i kanë bërë mirë llogaritë, pasi pallatet 4–5 katshe të Enverit janë të ulët dhe shumë nga njerëzit e dëshpëruar, ndodh që të mos vdesin pas fluturimit nga sipër. Ne ndaj i ngritëm pallat 10–15 katësh. Hedhja prej tyre e garanton vdekjen.

Ja kështu janë gjërat. Doni s’doni, do votoni për ne. Popull kot. Popull dembel dhe i pazoti që do kishe vdekur me kohë, po të mos ishim ne. Ç’të duhen ty shifrat o legen popull? Ato i duhen Bodes i cili si gomar që është, ka vënë ulurimën se sirtarit të shtetit i mungoka shuma prej 309 miljard lekë. Kujt i ankohet gomari dhe pikërisht këtë kohë gjeti për t’u ankuar? Sikur nuk e di se fushata pa shpenzime nuk bëhet.

Kohë fushate është dhe gjerat kanë marrë dallgë. Ujrat janë turbulluar, por akoma më mirë do bëhet, pas kullimit. Muli ka marrë urdhër që tropojanëve dhe kuksianëve, t’ju bëjë një eskursion në të gjitha qendrat e votimit të Shqipërisë. Por kemi edhe mercenarët e tjerë që s’na i kanë harruar sherbimet, brenda dhe jashtë vëndit. Për kur i duam po s’na u gjëndën tani?

Edhe në na lënçin në baltë ata, turpin ta kenë për vete, pasi ne i kemi marrë masat që të dalim prap fitimtarë. Për të mirën e kombit këmbëngulim e jo tonën.

Qelitë e burgjeve i kemi plot me kriminelë dhe hajdutë. Ata janë penduar për paudhësitë e tyre dhe janë gati të kontribuojnë për demonkracinë. I dhashë urdhër Halimit dhe Mulit që ta shikojnë ndryshe këtë punë. Derisa ne po mobilizojmë për fushatë gjithë të vdekurit, si mund të lëmë pas dore të gjallët! Ne nuk e kemi të keqen nga të burgosurit hajdut e kriminelë, por nga njerëzit e lirë që e kanë zgjatur llapën shumë e guxojnë të përgojojnë neve për grabitje. Duhet bërë patjetër ndryshimi. Të nxjerrim nga burgjet kriminelët e hajdutët dhe të kthejmë Shqipërinë në një burg të egër për gojëçthururit.

Që të jesh kriminel e hajdut duhet patjetër të jesh njeri me zëmër të fortë. Këta njerëz na duhen neve e jo ata që ju është mërzitur jeta dhe fluturojnë nga katet e sipërm, si të jenë qeska plehrash. Vetëm këta mund ta bëjnë zap këtë popull që ka nisur të cicërijë kundër nesh, se gjoja vodhëm e shkretuam gjithë atdheun. Ta shohim kush e shkretoi atdheun. Ne që sakrifikuam emrin tonë fisnik, duke hedhur mbi vete, të gjithë pasurinë kombëtare, apo këta duartharë që kanë 23 vjet që s’njohin shijen e djersës. Rrinë vetëm kafeneve dhe shajnë shpëtimtarin e tyre.

Fatmirësisht edhe me Greqinë e cila ka pjesën më të madhe të shqiptarëve të denuar, ramë dakort që t’i kthejmë në atdhe. Se, ne nuk jemi hakmarrës. Ata kthehen në atdhe me një thesar të pasur eksperience. Se ç’bënë ata në Greqi, neve s’ka ç’na duhet. Ata janë njerëz që kanë treguar me prova, se ju zien gjaku dhe mezi presin të futen në ndeshjen e madhe. Ne do ju ofrojmë edhe poste e shpërlime për sherbimet e tyre, sepse në ekonominë e tregut, asgjë nuk bëhet vullnetarisht. Ndaj nuk duhet çuditur po u pa ndonjë emër emër prej tyre, në listat e deputetëve.

Ka edhe një problem tjetër tek i cili nuk i ka shkuar mëndja asnjërit. Votimet nuk u lanë rastësisht në 23 qershor. Në pisk të vapës është edhe rreziku i përhapjes së mikrobit të tërbimit, i cili ka kohë që ka hyrë në gjakun në këtij populli. Ai është aleat yni dhe ne do e fusim në punë. Me këtë rast do i lajmë hesapet me të gjithë kundërshtarët tanë që na hapën kaq telashe këto muaj me ndërkombëtarët. 23 qershori do jetë një pastrim gjeneral i popullatës dhe për ta frenuar përhapjen e mikrobit të tërbimit edhe në radhët tona, do fillojmë dizifektimin total me solucjonin çudibërës: democraticus berishoviq.

Ndaj u lëshua direktiva, që të gjithë të burgosurit me akuza nga më të rëndat, të fitojnë lirinë. Ata nuk janë më të rrezikshëm nga ky popull pa dinjitet. Ndeshjen do e bëjmë që të habitet edhe djaalli vet. Ne jemi në krahun e guximtarëve. Dhe të shohim se kush do e fitojë. Sigurisht që një ditë edhe ne do ikim si të shumtit, por ka ikje dhe ikje. Ne do ikim si fitimtarë, kur të na dojë qejfi neve e jo kur t’i shkrepet këtij populli pa dinjitet, që ne e bëmë t’i dëgjohet emri në botë.

Me ne është gjithë bota përparimtare që nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Me ne është kryepapa dhe kryehoxha. Me ne janë të dymbëdhjetë perënditë e Olimpit, ndaj nuk na bëhet vonë pse s’do të na kuptojë populli ynë i cili akoma s’njeh veten e jo të na njohë neve. Atij do i japim një mësim që të mos e harrojë, derisa ne të jemi gjallë. Të mos guxojë të llapë pa le të ngrihet e të bëjë ndonjë protestë.

Përpara mercenarët e mi të lavdishëm, për të arritur fitoren tonë më historike!

OLA MITRE: DITËLINDJET, SUPER PARTY E STRIPTEASE NËPËR PUB-E

Padyshim dita në të cilën kemi lindur është festa personale e secilit prej nesh. E nëse në këtë ditë ne jemi mbreti apo mbretëresha e saj, mënyrat për t’u ndjerë realisht të tillë janë të shumta. Dikur ditëlindja ishte më tepër një festë familjare, një drekë në ambientet e shtëpisë e maksimumi vizita nga shokët apo miqtë. Por, me kalimin e kohës mënyrat e festimit të saj kanë ndryshuar për t’u shndërruar nga një festë e vogël familjare, në super party të festuara me miqtë në lokalet e natës. Padyshim që edhe kjo nuk është një tendencë e vonë, pasi ka vite që të rinjtë zgjedhin për të festuar ditën e tyre me miqtë nëpër pub-e. Megjithatë, çdo ditë elementë të rinj i shtohen kësaj feste për ta bërë ditën e lindjes të paharruar.

Lulet

Buqetat me lule janë një prej elementëve më të rëndësishëm të festës. Kjo është dhurata më e preferuar, por jo vetëm. Organizatorët e ditëlindjeve (që mund të jenë miqtë apo vetë “pronari” i ditëlindjes) i zgjedhin ato për të dekoruar ambientet ku ajo do të zhvillohet. Sa për ngjyrat dhe llojet, ato janë nga më të ndryshmet, por që padyshim trëndafili kryeson listën.

Kateringu

Përveç pijeve që ofrohen nga baret apo pub-et, për të shoqëruar këto të fundit preferohet edhe kateringu. Pjata të përgatitura e dekoruara me kujdes zënë vendin e tyre, ndërsa shoqërojnë kokteilet e mbrëmjes. Receta të shijshme dhe risitë kulinare në botën e kateringut plotësojnë në detaj festat personale, ndërsa të ftuarit nuk ngurojnë të shijojnë në maksimum muzikën, pijet dhe këto pjata të servirura me kujdes. Një banket i vërtetë, që sigurisht ka koston e vet, por që është një detaj i ri, i cili ka filluar të preferohet jashtë mase në këto lloje festash.

Dekori dhe Torta

Që të vendoset qershia mbi tortë, ambienti duhet të jetë i dekoruar enkas për këtë rast. Tullumbace, fishekzjarrë e lule janë të tjerë elementë që i janë shtuar mënyrës së festimit e që mirëpriten nga çdokush që është i ftuar. Por, elementi më tradicional i ditëlindjes e që është i pazëvendësueshëm në një ditë të tillë është torta. Ajo është kryefjala, por format dhe madhësitë nga më të larmishmet janë të ndryshme nga ato të parat. Nga ana tjetër edhe pastiçeritë arrijnë të realizojnë gjithçka të kërkuar nga klientët e tyre.

Striptease party

Me kalimin e kohës, edhe lokalet nuk kanë ngurruar të ofrojnë “dhuratat” e tyre për ata që zgjedhin të festojnë ditëlindjen në këto ambiente. Pa muzikë e pije këto festa janë të paimagjinueshme, por së fundi është shtuar edhe një detaj shumë i preferuar. Striptease për atë që ka ditëlindjen. Dhe jo një, por dy djem janë në dispozicion, për të kërcyer e për të dhënë urimin ashtu siç e meriton çdokush në një ditë të tillë. Ora 00:00 është momenti i urimeve: Kënga tradicionale e ditëlindjes e më pas brohoritje, urime e trokitje gotash. “E festuara” ftohet në skenë, për të marrë dhuratën e saj, ndërsa ajo nuk ngurron për këtë. Tingujt e muzikës ndryshojnë, ndërsa këngëtari fillon të interpretojë “You can leave your hat on”, të Joe Cocker. Atmosfera ndizet në maksimum, ndërsa të gjithë duartrokasin e asistojnë kërcimin magjik të saj. Buzë-qeshja e “stampuar” në fytyrë të le të kuptosh lumturinë e atyre momenteve, ndërsa detaji i ri duket se është gjetja ideale për këtë lloj feste.

“Gena Party”

Gena, feston vitin e 36-të të lindjes, por miqtë që kanë përgatitur tortën, preferojnë që ajo të shuajë qirinjtë e të 25-ve. Festa e saj është një prej shumë të tjerave, që përmban të gjithë elementët e mësipërm, një festë e kuruar në detaj, ndërsa ajo thotë se surprizën e ka organizuar nga një prej mikeshave të saj. Gjithashtu, ajo shton se ditëlindja e këtij viti padyshim është një nga më të paharrueshmet. Sa për koston, nuk nguron të na konfirmojë se të gjitha shpenzimet kanë shkuar deri në 60 mijë lekë (së bashku me pijet e 25 miqve të ftuar në party).