MURAT ALIAJ: URAGAN NЁ GOTЁN E UJIT

Pamflet

Këtë radhë uragani shkatërrimtar u nis andej nga nisen të gjitha të keqijat e këtij vëndi, nga ndërtesa kryesore e shtetit. Në fillim doli shpura mbrojtëse që të linte përshtypjne se po bëhej gati ceremonia për përcjelljen e Kadafit dhe pastaj doli vet Lugati i cili kishte shtrenguar fort xhamadanin antiplumb, sikur do të ndeshej me bajlozët. Fytyra i kishte marrë pamjen e vrejtur të një uragani.

Qëndra papagallore e shtetit, dha lajmin se zona e Bathores do përmbytej nga uragani i drejtuar prej Lugatit. Ky duhet të jetë i vetmi vënd në botë, që fatkeqësitë më të rënda natyrore si uraganet dhe çunamët, priten me entusiazëm mbarë popullor, pasi ata rrëfejnë në radhë të parë stoiçizmin e banorëve të ketij vendi, dhe çmendurinë e prijësve të tyre.

Kishin dalë për ta përshendetur uraganin nja dhjete fëmijë dhe njëzet mësues që përbënin bastionin e lugatit. Fëmijët gëzonin që për shkak të uraganit kishin braktisur mësimin e asaj dite. Ç’duhen mësimet përpara ngjarjeve të tilla që s’vijnë dëndur në jetë?

Pavarsisht entusiazmit qeverritar, njerëzit u përpoqën t’i merrnin masat siç dinin ata, për të shpëtuar kokën. Ca u mbyllën shtepive, e të tjerët u ngjitën pemëve si majmunë. Me uraganët nuk bëhet shaka. Uraganët qeverritar janë më të rrezikshëm edhe se çunamët që dërgon zoti. Por në këtë vënd s’pjerdh njeri për uragane e çuname. Ne dimë t’i presim ata kokë lart, sepse jemi nga ato soje që në gojë të ujkut hedhim valle. Entusiazmin e krijuar prej uraganit, e plotësonte shpura e Lugatit. Ishin ata që e kishin dëgjuar njeqind herë të njejtin fjalim, duke e mësuar për mendsh.

Kështu pllakosi uragani në Bathore. Me tam tame dhe gëzim legjendar të cilat u shumfishuan kur mes turrmës u çfaq koka lakuriq si fund kazani, e Fevzos. Era e keqe që shpërndahej prej kanaleve të zbuluara të ujrave të zeza, i vrau hundën Lugatit, por ai për këtë kishte shkuar. Të ngopej me këtë erë të qelbur e të dialogonte me votuesit e tij, të cilët kishin detyrë vetëm të dëgjonin.

–Populli i Bathores ka një të shkuar të hidhur e të papërfillur, por do ketë një të ardhme të farmakosur. Ju jeni e ardhmja e këtij vëndi. Palli fort Lugati duke ju drejtuar fëmijve të leckosur e vrarë lije. Sepse sejcili prej jush lind me një borxh prej tremijë evro mbi shpinë. Lind me një borxh për demokracinë, për ne. Kjo sakrificë do ju shpërblehet me rrugë. Bota është e juaja! Do thoshte gjithë entusiazëm poeti i mjerimit. Ne e bëmë realitet këtë ëndërr. Bota është plotësisht juaja. Më sillni gërshërët! Urdhëroi njerin nga sejmenët që i rrinte pranë. Duhet ta përuroj këtë rrugë e cila do mbetet në histori.

–Këtu s’ka asnjë rrugë. I thanë. Sikur nuk ka kuptim kjo gjë.

–Por duhet ndërtuar ama. Kjo rrugë çon në…

–…në gjirizet e fshatit. E ndihmoi njeri nga hurriganistët.

–Prandaj kjo rrugë duhet të jetë e lavdishme, sepse këtu kemi shkelur ne dhe gjurmët tona duhet t’i mbeten historisë. Unë e siguroj popullin e lavdishëm të Bathores, se ne do ndërtojmë  rrugë edhe në Tomor…

Dhe me dorën e shtrirë, rrëfeu malin e Dajtit.

–Ёshtë Dajti, nuk është Tomorri.

–Po. Dajti është është, por nuk do jetë më. Sepse mbi Dajtin dhe Tomorrin janë njerëzit e lavdishëm të Bathores. Sepse jeni ju, prandaj jemi ne…

U mendua për një hop se diç i kujtoi kjo frazë me të cilin paraardhësi i tij kishte ngritur në këmbë jo vetëm popullin e Bathores.

–…unë ju siguroj se asgjë s’do mbetet siç ka qënë. Do i bëjmë malet fusha dhe fushat male. E ardhmja e Bathores është e siguruar vetëm nën udhëheqjen tonë. Kemi mendu me sjellë këtu të gjitha plehrat e Evropës, që vëndi të kutërbojë sikur këtu të kenë dhier gjithë djajtë e botës. Do na shajnë kundërshtarët tanë se po ndotim ambjentin. Le të na shajnë. Ne mendojmë për njeriun së pari. Më jepni gërshërët, se mori fund kjo punë…

Mirëpo nuk e preu dot shiritin, sepse atë çast u dëgjua një kërcitje e cila i vuri në alarm të gjithë armatën e Lugatit. Shumë e çuditshëme ishte kjo kërcitje që ngjante si grisje brekësh, pas një pordhe të madhe. Lugati shtrengoi edhe më fort jelekun antiplumb dhe hodhi vështrimin andej nga erdhi kërcitja. Asgjë për t’u shqetësuar. Ishte thyer vetëm një degë peme, prej peshës së një majmuni që kërkonte të ngjitej sa më lart pemës, për t’i shpëtuar uraganit. E prenë pemën prej fundit. E kapën të ziun majmun dhe e nxinë nga të rrahurit.

–E kishim fjalën tek rrugët. Vazhdoi ligjëratën lugati. Rrugët janë e ardhmja jonë, prandaj o burani… nga sytë këmbët. Se ne nuk i bëjmë kot rrugët. Ato janë për të komunikuar me botën e cila na përket plotësisht neve. Për herë të parë në historinë kombëtare, shqiptarët ndihen të lirë për ta mbajtur frymën në Amerikë. Këtu do sjellim në vënd të tyre amerikanë, për ta ndërtuar Bathoren.

Pasi i dhanë një gllënjkë farmak për të lagur buzën, Lugati nisi të pëlliste me tone të ngjirrura basi

–Kemi me ba punë të mëdha këtu në Bathore. Do ngremë edhe një universitet që t’i themi botës se këtu edhe gomerët edukohen e shkollohen në shkolla të larta. Madje shumë nga këta gomerë i kemi në qeverri dhe gjykata. Si gomerë që janë, ata i janë vërsulur punës për të mirën e Bathores. E ç’me thanë tjetër!…uragani ynë nuk ndalet, veç kur të duam ne ta ndalim. Dialogu ynë vazhdon pas zgjedhjeve me të vetmin ndryshim se tani flasim ne dhe dëgjoni ju, kurse pas zgjedhjeve flasim ne dëgjojmë vet ne.

MURAT ALIAJ: PЁRPARA MERCENARЁT E MI TЁ LAVDISHЁM

Njeriu që e kalon gjithë jetën me kafshet, është e pamundur t’ju shpëtojë mjaft huqeve kafsherore. Kafshet, sipas llojit të vet kanë huqe të ndryshme. Të mira e të kqija, sipas llojit të kafshës. Varet se cilat do preferojë njeriu prej tyre. Më e zakonta kafshë tek ne, është qëni i cili vërtet që ka të mirë besnikërinë, por ka të padurueshme lehjen. Që të dyja janë të nevojshëme për një politikan. Madje e dyta përbën domosdoshmëri.

Puna është se është hapur një hendek moskuptimi mes nesh që qeverisim dhe popullit i cili në vënd të ankohet për pazotësinë e tij, rri e shan neve që jemi lokomotiva e shoqërisë. Derisa nuk përbënte rrezik lehja e tij, e lamë, por tani jemi në prag të zgjedhjeve dhe radhën për të lehur e kemi ne. Populli i paduruar duhet të paguaj mëkatet e veta dhe mirë t’i bëhet, por nga ana tjetër ai duhet bërë zap, për të mos na rrezikuar votën. Ai duhet të jetë besnik dhe të mos lehë kundër drejtuesve të vet. Sepse kjo botë ka ca rregulla që e mbajnë ekujlibrin. Ky popull harbut e injorant duhet mësuar të drejtohet, e jo të na japë mend si ta drejtojmë.

Për të keqen e tij populli ka ca huqe jo të mira. Ai i merr serjozisht ca gjera që ne drejtuesit i themi, kur na e do puna për t’i krehur leshtë. Vërtet që ne e quajtëm SOVRAN, dhe ai që i tillë s’ka qënë kurrë, nuk mund ta kuptojë këtë nder që i bëjmë ne. Ai nanuriset dhe përgjerohet për ne gojëartët, duke goditur ata, gojëhaletë që s’lënë gjë pa thënë kundër nesh. Populli është vërtet sovran, por ama, pas nesh që e drejtojmë. Tani le t’i marrim me radhë punët, kush jemi ne, dhe kush është ky popull, që guxon e na jep mësime.

Deshi rrugë? Rrugë i bëmë. Jo pak, por plot 10.000 km, që është e njejtë si të shtrosh distancën Tiranë –Tokio. Populli i sheh dhe ju gëzohet këtyre rrugëve, por s’do t’ja dijë se pikërisht për to u desh të shisnim gjithë ç’kishte mbi toka e nën toka jonë. Madje as ato nuk mjaftuan, pasi u desh që të fusnim edhe vëndin në borxhin më marramëndës që s’e kishte menduar kurrë.

Deshi kanunin si rregullues të marrdhenieve shoqërore. Është plotësisht i lirë që ta nderojë dhe zbatojë atë sipas qejfit. Por ama të mos ankohet se ja paskemi fajin ne që mijra të rinj e kalokan jetën të ngujuar nëpër kulla. A s’janë ata trashëgimtarët më besnikë të së shkuarës sonë?

Deshi shkolla? Gjithandej vumë mësues trapërit tanë, që s’u lodhën duke ju folur fëmijve, për meritat tona. Kusarët i bëmë drejtorë shkollash, kurse kriminelët mësues anatomie. Biznesmenët e morën vet përsipër dhenien e lëndës së matematikës. Kaq të hapura s’kanë qënë kurrë dijet tona të çdo fushe. Mësuesit tanë janë njerëz praktik. Aty ku është e domosdoshme teoria, ne gjetëm ndonjë të përndjekur që na beson akoma duke u zvarritur pas nesh. Askush nuk mund ta japë më mirë lëndën e historisë dhe letërsisë, se sa ata. Fëmijët tanë duhet t’i dinë të gjitha gjërat që i kanë punuar diktatorët këtij vëndi e këtij populli, ndryshe s’ka si t’ja dinë vlerën demonkracisë. Sepse nuk ishte budalla Enveri që neve drejtuesve të sotëm të shtetit, na vinte në rresht si bagëtitë dhe na nxirrte tribunave që të brohorisnim e çirreshim për të. Tani është radha jonë, që brezi i ri të na e kthejë këtë borxh. Ndaj këta fakirë duan s’duan do dalin në sheshe e të çirren për ne. Sepse ne jemi ndryshe nga Enveri. Ne jemi demonkratë që fëmijën qysh pa dalë nga barku i nënës, e fusim në rresht ta hedhë votën për ne. Të tjerët, ata që kanë ca vite që e kanë parë dritën e diellit as i diskutojmë fare. Le të vijnë të votojnë edhe gjashtëmbëdhjetvjeçarët, edhe dhjetvjeçarët. Pse jo edhe ata me bibelino bythëve?.

Ne e bëmë njeriun e të pavdekshëm. Shihini listat tona të votuesve, sa emra do gjeni nga njerëzit që i kanë mbyllë sytë prej vitesh. Se, ata vërtet kanë mbyllë sytë, por jo zemrën e cila rrahu deri në sekondën e fundit, për ne.

Dikush do i quaj lehje qensh sukseset tona. Le t’i quaj si të dojë, pas 23 qershorit ne nuk do lehim më dhe ai do ketë rastin të ndjejë kafshimet e dhëmbëve tanë.

Akoma kemi për të bërë mrekullira, pasi këtë vënd e gjetëm shkretëtirë, pa asnjë uzinë, pa asnjë hidroçentral, pa asnjë minierë. Kemi vetëm ca kështjella ilirësh që na kanë mbetur tek tuk e që do ja u shesim manjakëve të arkelogjisë. Edhe kështjellën e Krujës do e shesim, po të na dalë ndonjë blerës miljarder. Do e shesim jo se kemi nevojë për para, por thjesht për të çuar në vënd amanetin e Skënderbeut që lavdinë e këtij vëndi ta shpërndajmë nëpër gjithë botën.

Të gjitha këto janë punë të mëdha e nuk bëhen me të tundur të gishtit. Ndaj kërkojmë mandatin tjetër të qeverrisjes që ta plotësojmë ëndërrën tonë, duke shitur gjith ç’ka mbetur akoma në këtë vënd. Po do ketë njerëz që prej varfërisë do vazhdojnë të hanë kokat e njeri tjetrit. Mirë t’ju bëhet. Le të vijnë me ne që të pasurohen e të bejnë jetën e njeriut të perëndisë. S’duan. Le të hanë kokat derisa nuk e shohin ku është e mira e tyre.

Ne as ju kemi ndonjë faj dhe as ju kërkojmë ndonjë gjë, veç atë votën, duan s’duan do e hedhin në anën tonë, sepse na e kanë borxh, pasi vetëm ne mendojmë për ta. Do përmbysim malet dhe hapim 250.000 vende pune që të punojnë e të hanë të gjithë të pangopurit, sa t’ju dalë nga hundët. Po do thoni ju ku do hapen këto vende pune? Në hotelet e Argites, Shkëlzenit dhe Lulit. Njerëzit puntorë ngrenë pallate e hotele luksoze në bregdet e në zonat e tjera turistike, e s’merren me fjalë kafenesh siç bën ky popull krahëtharë. Ne ju themi hajdeni të punojmë bashkë: ne si bosa e ju si zvarranikë. S’doni? Punë juaja. Ne do vazhdojmë t’i ngulim kthetrat tona në të gjithë Shqipërinë. Por ama asnjë të drejtë s’keni kur ankoheni se në Shqipëri nuk paska më vënd për shqiptarët, pasi atë e paskan zaptuar lehaqënët dhe banditët. Ne ndjejmë detyrë t’ju vërtetojmë se nuk dimë vetëm të lehim, por edhe… të kafshojmë.

Ndokush edhe do çuditet se ku u gjetën kaq shumë të papunë në këtë vënd, kur shifrat e INSTAT raportojnë vetëm 120.000 të papunë? Mos u ngatëroni me shifra se ato janë për të huajt që patjetër duan ca shifra. Mirëqënia s’matet me shifra por me buzëqeshje dhe me vota.

Vërtet ka njerëz që e kuptojnë gabimin e tyre fatal të kundërvënies dhe nxitojnë t’i lajnë hesapet me këtë jetë, duke u vërvitur nga katet e katert dhe të pestë të pallateve. Njerëz që nuk i kanë bërë mirë llogaritë, pasi pallatet 4–5 katshe të Enverit janë të ulët dhe shumë nga njerëzit e dëshpëruar, ndodh që të mos vdesin pas fluturimit nga sipër. Ne ndaj i ngritëm pallat 10–15 katësh. Hedhja prej tyre e garanton vdekjen.

Ja kështu janë gjërat. Doni s’doni, do votoni për ne. Popull kot. Popull dembel dhe i pazoti që do kishe vdekur me kohë, po të mos ishim ne. Ç’të duhen ty shifrat o legen popull? Ato i duhen Bodes i cili si gomar që është, ka vënë ulurimën se sirtarit të shtetit i mungoka shuma prej 309 miljard lekë. Kujt i ankohet gomari dhe pikërisht këtë kohë gjeti për t’u ankuar? Sikur nuk e di se fushata pa shpenzime nuk bëhet.

Kohë fushate është dhe gjerat kanë marrë dallgë. Ujrat janë turbulluar, por akoma më mirë do bëhet, pas kullimit. Muli ka marrë urdhër që tropojanëve dhe kuksianëve, t’ju bëjë një eskursion në të gjitha qendrat e votimit të Shqipërisë. Por kemi edhe mercenarët e tjerë që s’na i kanë harruar sherbimet, brenda dhe jashtë vëndit. Për kur i duam po s’na u gjëndën tani?

Edhe në na lënçin në baltë ata, turpin ta kenë për vete, pasi ne i kemi marrë masat që të dalim prap fitimtarë. Për të mirën e kombit këmbëngulim e jo tonën.

Qelitë e burgjeve i kemi plot me kriminelë dhe hajdutë. Ata janë penduar për paudhësitë e tyre dhe janë gati të kontribuojnë për demonkracinë. I dhashë urdhër Halimit dhe Mulit që ta shikojnë ndryshe këtë punë. Derisa ne po mobilizojmë për fushatë gjithë të vdekurit, si mund të lëmë pas dore të gjallët! Ne nuk e kemi të keqen nga të burgosurit hajdut e kriminelë, por nga njerëzit e lirë që e kanë zgjatur llapën shumë e guxojnë të përgojojnë neve për grabitje. Duhet bërë patjetër ndryshimi. Të nxjerrim nga burgjet kriminelët e hajdutët dhe të kthejmë Shqipërinë në një burg të egër për gojëçthururit.

Që të jesh kriminel e hajdut duhet patjetër të jesh njeri me zëmër të fortë. Këta njerëz na duhen neve e jo ata që ju është mërzitur jeta dhe fluturojnë nga katet e sipërm, si të jenë qeska plehrash. Vetëm këta mund ta bëjnë zap këtë popull që ka nisur të cicërijë kundër nesh, se gjoja vodhëm e shkretuam gjithë atdheun. Ta shohim kush e shkretoi atdheun. Ne që sakrifikuam emrin tonë fisnik, duke hedhur mbi vete, të gjithë pasurinë kombëtare, apo këta duartharë që kanë 23 vjet që s’njohin shijen e djersës. Rrinë vetëm kafeneve dhe shajnë shpëtimtarin e tyre.

Fatmirësisht edhe me Greqinë e cila ka pjesën më të madhe të shqiptarëve të denuar, ramë dakort që t’i kthejmë në atdhe. Se, ne nuk jemi hakmarrës. Ata kthehen në atdhe me një thesar të pasur eksperience. Se ç’bënë ata në Greqi, neve s’ka ç’na duhet. Ata janë njerëz që kanë treguar me prova, se ju zien gjaku dhe mezi presin të futen në ndeshjen e madhe. Ne do ju ofrojmë edhe poste e shpërlime për sherbimet e tyre, sepse në ekonominë e tregut, asgjë nuk bëhet vullnetarisht. Ndaj nuk duhet çuditur po u pa ndonjë emër emër prej tyre, në listat e deputetëve.

Ka edhe një problem tjetër tek i cili nuk i ka shkuar mëndja asnjërit. Votimet nuk u lanë rastësisht në 23 qershor. Në pisk të vapës është edhe rreziku i përhapjes së mikrobit të tërbimit, i cili ka kohë që ka hyrë në gjakun në këtij populli. Ai është aleat yni dhe ne do e fusim në punë. Me këtë rast do i lajmë hesapet me të gjithë kundërshtarët tanë që na hapën kaq telashe këto muaj me ndërkombëtarët. 23 qershori do jetë një pastrim gjeneral i popullatës dhe për ta frenuar përhapjen e mikrobit të tërbimit edhe në radhët tona, do fillojmë dizifektimin total me solucjonin çudibërës: democraticus berishoviq.

Ndaj u lëshua direktiva, që të gjithë të burgosurit me akuza nga më të rëndat, të fitojnë lirinë. Ata nuk janë më të rrezikshëm nga ky popull pa dinjitet. Ndeshjen do e bëjmë që të habitet edhe djaalli vet. Ne jemi në krahun e guximtarëve. Dhe të shohim se kush do e fitojë. Sigurisht që një ditë edhe ne do ikim si të shumtit, por ka ikje dhe ikje. Ne do ikim si fitimtarë, kur të na dojë qejfi neve e jo kur t’i shkrepet këtij populli pa dinjitet, që ne e bëmë t’i dëgjohet emri në botë.

Me ne është gjithë bota përparimtare që nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Me ne është kryepapa dhe kryehoxha. Me ne janë të dymbëdhjetë perënditë e Olimpit, ndaj nuk na bëhet vonë pse s’do të na kuptojë populli ynë i cili akoma s’njeh veten e jo të na njohë neve. Atij do i japim një mësim që të mos e harrojë, derisa ne të jemi gjallë. Të mos guxojë të llapë pa le të ngrihet e të bëjë ndonjë protestë.

Përpara mercenarët e mi të lavdishëm, për të arritur fitoren tonë më historike!

RAMIZ GJINI: HISTORIA E NJE DEPUTETI

                             – Tregim

Kur shoku Xhabir, erdhi sërish në Biboll si kandidat për deputet e nisi të mbante ato fjalimet në popull, ca e pritën mirë, por ca të tjerë, thartuan turinjtë e thanë: “Prapë na u qep si rrodhe ky kopil-kopili?! “Ishte prag zgjedhjesh të reja dhe ç’prej katër ditësh, kisha një dhimbje në ije, që ç’t’iu them! U gardhnova brenda dhe as që do të kisha dalë nga shtëpia sikur të mos ia kish behur tek unë kryetari Brahim Çadërbashi. Erdhi bashkë me të birin e Lal Pogës. U përshëndetëm e u pyetëm, pastaj kryetari Brahim, ndërsa më zgjati qesen e duhanit, tha:

– Ti, o baca Maliq, e di që nesër fillon fushata elektorale?

– E di, – thashë unë, ndonëse si ta dija si të mos e dija, për mua njëlloj qe.
 Mbajti frymën një cop herë e si një babaxhan shtoi:

– Ne, o baca Maliq, kemi menduar të të vëmë në krye të një pune fort me rëndësi.

– Për hajër na daltë, – thashë unë, – Urdhëroni e flisni zotnia juaj!

Po vrisja kaplloqen për të gjetur ku donte të dilte.

– Do të drejtosh sektorin e pompimit gjatë fushatës, – tha ai. Dhe u krekos një copë herë si t’i kish rënë nishanit. Pastaj, medemek, shpjegoi se dëshironin të drejtoja një grup të rinjsh të paisur me pompa nga ato që përdoren për të fryrë gomat!

Të them të drejtën, u zura ngushtë. Cigaren e thura për të thurur, por, ngase më dridheshin duart e në mendje shestoja tjetër gjë, e bëra për hagaret të zotit: të shtrembër e të përdredhur mu si ajo gjethja e mollës ku fshihet natën cirgatori. 
Nuk mora vesh asgjë nga ato që tha ai, ndaj pa të keq pyeta:

– Nuk më thoni, zotnia juaj, ç’do të bëjmë me ato pompa?

– Do të fryni shokun Xhabir, – tha seriozisht zavalli dhe më nguli sytë e zgurdulluar nga pija.

Siç e thashë, unë jam plak i moshuar tashmë. Shumë gjëra në jetë më kalojnë pa i vënë re, e sidomos, nuk marr vesh hiç nga teknologjia e re e mjeteve të propogandës. Ngela si hutaq dhe nuk e kuptoja se si e pse kërkonin ta frynin shokun Xhabir, (zoti e ruajtë!). Por kjo punë u qartësua kur ndërhyri i biri i Lal Pogës e mi shpjegoi qartë të gjitha.

Mua më pëlqen ai djalë. Si mësues që është, hedh dritë në fjalët që thotë, u jep një lloj qartësie, ka durim të madh dhe t’i fut në kokë gjërat ngadalë e shtruar. Vetëm atëherë e kuptova se si qëndronte puna. Fjala qe, se ata të partisë në qendër, na paskeshin ujdisur tek një mjeshtër një Xhabir prej llastiku. Kishin menduar, medemek, ta vendosnin kandidatin e tyre diku pranë kryqëzimit ku ndahet rruga, që çan mespërmes Luginës së dragojve për të mbërritur, pastaj, në qytezën e largët të Dodonës. T’ia lidhnin këmbët për disa ganxhave të ngulura në tokë dhe ta frynin me pompë, që të ngrihej drejt në këmbë, dhe, duke mbajtur një fletë votimi në dorën e majtë, me të djathtën të bënte me gisht drejt perëndimit të largët, medemek, për t’i treguar miletit tonë udhën nga duhet të shkojë! 
Edhe sot e asaj dite, më vjen për t’u çuditur me ato shejtanët e Partisë së Qendrës së Majtë se si u pat vajtur mendja për një marifet të tillë!

Kryetari Brahim, se nga nxori një tufë me pesëmijëshe, mi rrasi në dorë e tha:
- Këto i ke për xhepin e vogël. Kur të ketë sosur kjo punë, o tatëlosh, do të marrësh pjesën e xhepit të madh.

Nuk bëra dot as cik, as mik, sepse ju e dini se si ta lidh gojën ajo e mallkuar parā. Ama, teksa ndaheshim, u zura ngushtë. Duke pranuar shpërblim pa nisur ende puna, po u bija pak më qafë atyre të Partisë së Qendrës së Majtë. Zoti më faltë, jarabi!
Kërceva e thashë:

– Po sikur ta fryjmë njëherë shokun Xhabir, pastaj mendojmë për pagesën?

– Këto punë i di unë, or baca im – ma pat zavalli. Dhe më rrahu shpatullat, athua se unë isha një djalosh në pik të moshës, kurse ai,     – plak në vendin tim.

Të shtunën në mëngjes, nisi fushata elektorale, me artopolantë shëtitës, parulla, tamtame daullesh e grupe militantësh, që bënin propogandë. U bë një llazurë e madhe, që hajt morè, athua se luanin qentë e kallajxhiut.
 I biri i Lal Pogës, na çoi me kamjon drejt e në vendin e caktuar, ku ndahet rruga që të shpie në Dodonë.    Morëm me vete Ernest Misurin si edhe dy pompat (njëra do të qe rezervë) bashkë me atë Xhabirin prej llastiku. E kishin palosur në katërsh, të shkretin. Lëvizte si pelte sa herë djemtë e shkelnin me këmbë. Këto të rinjtë e sotëm janë bërë më shejtanë se ato të Partisë së Qendrës së Majtë: e tërhoqën zhakthi dhe e plandosën mu në mes të sheshit!

– Ngadalë more djema, – u thashë, – kapeni si njerëz e mos e   zhakamysni kësisoj!

Më dëgjuan do të thoni ju? As që deshën t’ia dinin çfarë thashë unë! E tërhoqën osh harbutçe, në fillim nëpër pluhur, pastaj i ranë mespërmes një pellgu me ujë, e shkërryen në baltë, dhe tek e mbramja, kur e shpalosën që ta shikonte pak kohë dielli,(i vinte një erë e keqe), gjetën aty brenda, – me nder jush, – një mi të ngordhur! 
Qysh asaj kohe mu fiksua keq një ndijim torturues: sa herë shikoj ndonjë xhabir, më përzihet, më duket se bie erë mi i ngordhur. Madje kjo më ndodh me gjithë deputetët e parlamentit tonë. Zoti më faltë për këtë, sepse, – me ç’më kanë thënë, – janë nga burrat më të mirë, më të zgjedhurit: natë e ditë, veç për kombin mendojnë! Por, ne vegjëlia, nuk i meritojmë ata, sak mā nuk i meritojmë, sepse po t’i meritonim…

Djemtë e flakën miun në një kanal e nisën të hidhnin romuze. Qeshnin, kukuriseshin dhe talleshin, kopilat. E unë që jamë plak, e nuk kam moshë për t’u hazdisur e hakarizur asisoj, u fola apet me të keq, e i këshillova ta merrnin punën seriozisht, pasi në fund të fundit, pa marrë parasysh të mirat, që do t’i sillte Bibollit zgjedhja deputet e shokut Xhabir, ata për atë punë do të paguheshin.

– Durim, o baca Maliq, ti veç mos na u mërzit – tha i biri i Lal Pogës, – sepse po ia futëm pipin tek vrima këtij qafiri, e fryjmë për dy minuta.

Hajde t’i marrësh vesh këta të rinjtë e sotëm! Edhe kandidat për deputet edhe qafir, nuk kisha parë e dëgjuar ndonjëherë!

Ernest Misuri kërceu e tha:

– Kështu si është katandisur ky, nuk ka adap që ia gjen vrimën. 
E kishte fjalën, për ventilin.
Kërko e kërko, dhe kur ia gjetën ventilin, u shkrinë gazit. Ai mjeshtri anonim, paskësh qenë më shejtan se ato të Partisë së Qendrës së Majtë: ia kish pas ujdisur ventilin mu në prapanicë.
 Dhe filluan sërish djemtë të qisnin bishta, hidh e prit romuze, qesh e ngjesh; kurse mua më merrnin me të mirë, përpiqeshin të më largonin kacabujt, ndërsa i kthenin palët shokut Xhabir. E unë atëbotë, nisa të kuptoja se më kish gjetur belaja.

– T’ia ngulim kunjat, – tha Ernest Misuri dhe vajti të merrte ganxhat.

I ngulën ganxhat në tokë rreth e rreth me një tokmak dhe e lidhën me konop për këmbësh shokun Xhabir. E bënë këtë punë me shpërfillje e tallje, që fali o zot! E mua, ato çaste, nuk di pse m’u shtua ajo dhimbja në ije. Athua se po lidhnin për këmbësh një hajvan të plakur samari, një kalë bajmak, një gërdallë të zgjebosur, e jo shëmbëllesën e një kandidati për deputet. Pastaj, gjithnjë duke qeshur, morën njërën nga pompat, i filetuan tubin në prapanicë dhe nisën ta frynin shpejt e shpejt duke u ndërruar, njëherë njëri, pastaj tjetri. 
E shikoja syprinën e asaj sendegjaje të madhe llastiku si nisi të ngrihej ngadalë e të merrte formën e një qenie me dy këmbë. Fryma është jetë, – thashë me vete, – është akumulim, forcë e sukses, sidomos në politikë, sepse pashë, që nën pushtetin e saj, dalëngadalë, nisën të merrnin trajtë të gjitha pjesët e trupit.

Minutë pas minuti, ajo masë llastiku, që më parë ndodhej fare pranë hiçit, teksa formësohej, rrekej t’i shëmbëllente të gjallit Xhabir, kandidatit tonë të nderuar.(Zoti e ruajtë)

Duke i dhënë varda pompës papushim një kohë bajagi të gjatë, shoku Xhabir mundi të ngrihej ndenjur, por ende nuk kish brenda aq ajër të ngjeshur sa duhej për t’u ngritur në këmbë.
 Pashë që djemtë po djersinin dhe më erdhi keq për ta. U thashë të bënin një pushim të shkurtër dhe ata e lan pompimin; ndërsa vetë, bëra ca hapa prapa për ta këqyrur në distancë atë shëmbëllesë: nuk ngjante hiç me shokun Xhabir. Kish marrë formën e përçudshme të një picërraku të madh të ngritur në bisht, që ka ngrirë i squllët në një pozicion të çuditshëm. Këmbët i kishte të vëngërta e të çapëluara, memzi e mbante me ta drejtëpeshimin. Hunda i rrinte e varur, me majën e kthyer si sqep hutini. Dora e djathtë, nuk qe tendosur në masën e duhur për të bërë me gisht andej nga perëndimi, (ku thonë se është parajsë për së gjalli), por tregonte andej nga stallat e Nesimit, ku ndodhej një grumbull i madh plehu me një taborr mizash që zhuzhisnin përsipër. „Zoti e shpëtoftë miletin tonë nga ky keqkuptim, për aq kohë sa nuk e kemi fryrë tamam shokun Xhabir,“ thashë me vete, sepse rruga e Dodonës qe gufosur nga trafiku, dhe njerëzia, padyshim, i kish ngulur sytë gapërr nga ne. Me ato luhatjet e lehta që i jepte zefiri, me gishtin drejtuar nga grumbulli i plehut, shoku Xhabir, kishte diçka të ngucakeqëshme në vete, athua se e kish zënë krruti. Dukej si një i sëmurë psiqik, që përpiqet të largojë nga vetja një ndjenjë neverie.

I biri i Lal Pogës hoqi këmishën, u shtri mbi bar në shpinë, dhe, ndërsa rreshkej në diell, përtypte një fije bari me dhëmbë e hidhte ndonjë fjalë kuturu rreth politikës. Pastaj bëri shumë pyetje ngase deshi të dinte, se si kanë qenë bërë zgjedhjet në motet e shkuara, e sidomos, ai deshi të dinte, nëse fryheshin kandidatët edhe atëherë kështu si sot. 
Mua nuk po më shqitej ajo dhimbja në ije, ndaj i nxirrja përgjigjet si me grep. I thashë, që aso kohe, kandidatët për deputet, me sa mbaj mend unë, o bir, qenë burra zahmani, të merrnin gjak në vetull. Po të përpiqeshe t’u jepje ndonjë pompë për t’i fryrë, s’e kishe mirë me ta. Ne fakt kjo nuk qe hic e vertete, por hajt ma…

Dalngadalë, ai nisi t’i rrallonte pyetjet, dhe tek e mbramja kuptova, që e kish kapluar gjumi ngase nisi të gërhiste. Kur hodha sytë andej nga shoku Xhabir, për çudinë time, m’u duk më i vogël. Për aq muhabet sa bëra unë me të birin e Lal Pogës, shoku Xhabir qe trusur kërbunjas, i ishte thyer qafa, koka i qe rrëzuar si një kungullac e i pat hapur një golle në kraharor; kurse krahët i vareshin, (ndjezot!), si lavjerrës të fishkur gjer në tokë. Memzi qëndronte në këmbë, qyqari.
Më gjeti, si i thonë, belaja e së shtunës!

E zgjova shpejt të birin e Lal Pogës, thirra dhe Ernestin dhe u thashë t’i jepnin pompës, sepse ora po çastiste afër dhjetës, kurse ne, ende nuk e kishim ngritur në këmbë si duhej belaziun. Në fakt, desha të sigurohesha, nëse shoku Xhabir rridhte me të vërtetë. Kurse ata të dy, na paskeshin qenë dembelë të mëdhenj, e unë nuk i paskam njohur për të tillë! Filluan t’i vinin rrotull me lëvizje të plogështa, silleshin qerthull dhe asnjëri, as tjetri, nuk e merrte mundimin ta rrokte pompën i pari. 
Andej nga e vona, i biri i Lal Pogës kërceu e tha:

– Mos e diskuto: ky karabush, rrjedh diku, o baca Maliq. Nuk ka mundësi….

Dhe nisën të kontrollonin shokun Xhabir për t’i gjetur ndonjë vrimë. 
U ktheva shpinën i zemruar e gjithë rrebe në kokë. Ç’të bëja me ta?! 
Por ja që Ernest Misuri, ma zbrazi inatin:

– Kot zemrohesh me ne, o baca Maliq, sepse ky kandidati ynë rrjedh. Hajde të shikosh, ia gjetëm vrimën allçakut.

U afrova e pashë që djemtë kishin të drejtë: shoku Xhabir rridhte e   cërcërriste mu në tepe të kresë. Pastaj i biri i Lal Pogës i gjeti edhe një vrimë tjetër të vogël në parmë të qafës, i futi në vrimë një fije bari për të mos e humbur, ndërsa nisi të kërkonte andej nga fundi i kurrizit për vrima të tjera. 
Saora, nisa Ernest Misurin në Biboll të bënte me dije kryetarin Brahim Çadërbashi.

Kur u kthye, ma bëri qejfin: kish sjellë një kompresor ajri me benzinë si dhe nja dy-tre pulla të holla, të gatshme, që ngjisnin kollaj, mjafton t’u hiqje një cipë të hollë plastmasi. Por nuk kishte pasur aq mend sa të merrte edhe një valvë shkarkimi për t’ia montuar shokut Xhabir. Dhe kur nuk ka mend djali, s’ka ç’i bën dhaskali.

E pullosën Xhabirin prej llastiku, ia mbyllën vrimat mirë, dhe kur ia futën tubin në prapanicë, ndezën kompresorin.
 Atëherë, vetëm ta shikonit se me ç’madhështi u ngrit në këmbë shoku Xhabir. Më vrafshin shtatë teqe në ju gënjej. Kurrë nuk do ta harroj atë pamje, atë monument njeriu gjigant. Ngjante me nje kreshnik mali nga ato të moteve, që tashmë janë harruar. 
Ajo sajesë llastiku, që më parë të ngjallte neveri me kotësinë e saj, ku edhe minjtë ngordhnin po të hynin aty, nisi të madhohet. Me t’u fryrë, mori në sytë tanë një pamje krejt madhështore! Kishe qejf ta shikoje: dhjetë metra i lartë, me dorën e djathtë të shtrirë nga perëndimi, ballin lart e vështrimin drejt horizontesh të reja…

Kaq shumë u ngazëlleva dhe kaq shumë mu dhimbs humbja e atij ngazëllimi, sa kur u dëgjua krisma, u përdata e gati vdiqa nga tronditja e thellë. 
Ajo shëmbëllesë e gënjeshtërt, plasi e u shfry sa çel e mbyll sytë. Nga gjithë ajo madhështi, ngelën në tokë vetëm disa lepra të vogla llastiku, gjithçka tjetër u zhbi e u zhbā. Por, besoni bacën Maliq: e keqja për mua ende s’ka mbaruar. Sepse, qysh atëherë, jam bërë si i thonë, njeri me hije. Shoku Xhabir i fitoi zgjedhjet dhe vajti deputet në kuvend. Dhe për këtë kam edhe unë meritën time, apo jo? Pastaj u bë edhe ministër dhe kjo nuk është pak. Të gjithë ne, që u rropatëm të fitonte, natyrisht që u gëzuam.
Tani e shikoj përnatë në televizor, sepse nuk para vjen më këtej nga Bibolli. 
Për çdo herë, që e shikoj, më duket më i shëndoshë, më i fryrë e më i rrumbullakosur. Kurse unë, dita ditës cokatem, tretem e hollohem nga një llurbë dyshimi: kam frikë se herëdokurë, – larg qoftë, – mund të plasë edhe e vërteta ashtu si shëmbëllesa e saj e rreme.