Home » KUJTESE » NJE INTERVISTE ME z. YLLI PATA TE SHQIP, 13. 12. 2013

NJE INTERVISTE ME z. YLLI PATA TE SHQIP, 13. 12. 2013

Profesor, PD-ja ndryshe nga vitet e kaluara, e festoi përvjetorin e themelimit jo me 12 dhjetor, por me datë 11. Si e shikoni këtë “revizionim” të historisë?

Që të revizionohet historia, duhet që paraprakisht të jetë i pranuar dhe të ekzistojë një variant pak a shumë i saktë dhe relativisht i mbështetur në të vërtetën, që pastaj modifikohet, plotësohet apo korrigjohet. Mirëpo, shumëçka që është thënë gjatë këtyre 22 viteve lidhur me themelimin e PD-së ka qenë ose pjesërisht e saktë, ose një rrenë e pastër. Legjenda e themelimit është ndryshuar sa herë që ka pasur interesa politike të caktuara dhe ka qenë e mbështetur në formulime që u bien ndesh dokumenteve, materialeve ekzistuese, logjikës së proceseve dhe dëshmive të njerëzve. Si shumë gjëra të tjera, edhe legjenda e themelimit të PD-së, kështu si paraqitet nga Sali Berisha e disa të tjerë rreth tij, mbetet një mashtrim i paskrupullt me historinë. Komedia është se historia e themelimit të PD-së, duke qenë njerëzit gjallë, është bërë si “Rashomon”, një film japonez në të cilin të katër dëshmitarët japin katër variante të ndryshme e të papajtueshme të një ndodhie në të cilën kanë qenë personazhe aktive. Në rastin e PD-së, unë jam nga ai grup i ngushtë prej katër themeluesish të fillimit, në të cilin janë edhe Sali Berisha, Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari. Mirëpo mua as që më ka dalë ndonjëherë emri, e as përmendem në variantet e tyre të themelimit dhe të kronikanëve të paguar. Arsyeja është se po të përmendem unë, mandej edhe njerëzit, edhe proceset, përfshirë edhe themelimin e PD-së duhen parë pak më ndryshe e në një dritë tjetër. Saliut në veçanti i dhemb goja dhe nuk e përmend emrin tim. Unë ia di dhimbjen, si edhe arsyen pse sillet kështu dhe sinqerisht që më vjen shumë keq për të, sepse nuk ka arritur të kalojë mbi komplekse të caktuara. Nga një anë, kështu si ka ardhur puna, ai ka edhe gurin, edhe arrën në dorë. Po deshi Sali Berisha e deklaron PD-në të themeluar me: Mehmet Elezin, Fahri Balliun, Qemal Sakajevën, Mitro Çelën, Besnik Mustafajn, Edmond Budinën dhe Arben Imamin mbas frymëzimit që ai mund të thotë se i erdhi nga fjalimi i Lech Valesës në Gdansk dhe askush nuk do ta ngrejë zërin e ta quajë gënjeshtër e mashtrim. Ah, se harrova edhe të çmueshmit e të paharrueshmit, Sabri Godon, Frrok Cupin, Xhelil Gjonin, dhe dikë në Komitetin e Partisë të Rajonit Nr. 2, ku shkonin raportet e shkruara me dorë te njerëz të caktuar. Por kjo nuk është e vërteta. Nga ana tjetër, themelimi i PD-së, si i çdo partie politike, ka qenë një proces në të cilin varet se çka konsideron si pikë të rëndësishme e domethënëse. Nëse nisemi me objektivin e me idenë e ndërtimit të një force opozitare, atëherë idenë për themelimin e partisë opozitare e kam dhënë unë. Gjithashtu, edhe njerëzit kryesorë të PD-së, Sali Berishën dhe Gramoz Pashkon për herë të parë i kam bërë bashkë unë më 11 dhjetor para mensës së Qytetit Studenti në orën 10:30 të mëngjesit. Të dyve u kam kërkuar që të bashkëpunojnë për themelimin e një partie opozitare dhe u kam premtuar mbështetjen e studentëve. Në një kohë tjetër kam folur për motivet e mia, gjendjen etj. Nga ai moment, ku këta individë i kam bërë bashkë, me synimin për të krijuar një parti tjetër, ka pasur takime ku kanë marrë pjesë shumë njerëz të ndryshëm, formulime dokumentesh, ide e kontribute nga ana e shumëkujt, por edhe hyrje-dalje individësh nga proceset e me radhë. Procesi i themelimit të PD-së nuk reduktohet në një ngjarje apo në një grup të ngushtë personash. Megjithatë, pika të tjera kulmore në historinë e PD-së janë takimi i disa vetave te banesa e Gramoz Pashkos më 12 dhjetor 1990, ku mori formë një parti opozitare, ku unë nuk kam qenë, krijimi i Komisionit Nismëtar të kësaj partie më 13 Dhjetor 1990, dhe mbi të gjitha, legalizimi i PD-së më 19 dhjetor 1990 dhe përhapja e degëve në rrethe. Është mirë që pavarësisht pozicionimeve të ndryshme politike, të dalë e vërteta e themelimit. Ajo nuk ia heq mbështetësit Saliut, sepse ata nuk duan t’ia dinë për të vërtetën. E vërteta nuk shton gjë në kontributet e mia, sepse kam se çfarë të them për veten. Megjithatë, nuk kam ndërmend t’i lë këta individë që kontributin tim e të studentëve të Lëvizjes Studentore ta përvetësojnë dhe të na kthejnë në fantazma historike që përmblidhen në kategorinë “e të tjerëve”, garniturë e dikujt, sepse nuk kemi qenë të tillë. Këta kanë qenë garniturë e jona. E vërteta do t’ua vërë nderin në vend shumë njerëzve që deri më sot janë injoruar, neglizhuar, apo përçmuar e në veçanti studentëve konviktorë, pa të cilët nuk do të kishin ndodhur demonstratat dhe nuk do të kishte as PD, as demokratizim e pluralizëm politik. E vërteta duhet vënë në vend mbi të gjitha për studentët e demonstratave të 8 dhjetorit e të 9 dhjetorit, që më pas u shmangën nga procesi dhe luajtën një rol dytësor. Mirëpo, pa ato djem e vajza, asgjë nuk do të kishte ndodhur, as PD, as pluralizmi politik dhe as përfitimi i legjitimitetit të intelektualëve në nivel kombëtar. Prandaj, duke u mbështetur tek ajo që di unë, si dhe duke lënë mënjanë përrallat e organizatat e imagjinuara që kanë nisur të dalin andej e këndej, data 11 dhjetor është dita e saktë e fillimit të PD-së. Mirëpo, arsyet pse unë mendoj kështu nuk janë të njëjta me të Saliut, që me siguri do të ketë mbledhur nja 10 vetë që të dëshmojnë se PD-ja u formua në lagjen e Brrakës, mbi kopshtin me hurma të Xhemiles në të gdhirë të datës 11 dhjetor. Gjithsesi dua të theksoj se pa miratimin e mbështetjen e studentëve, as unë e askush tjetër nuk do të mund të merrte vendime të tilla. Prandaj merita edhe për këto kontribute u takon djemve e vajzave të Lëvizjes Studentore, që në mos tjetër na mbështetën me ato vendime.

Duke sjellë në vëmendje 22 vjet më parë themelimin e Partisë Demokratike, shumë ditarë dhe dokumentarë po botohen për historikun e themelimit të partisë së parë opozitare. Cila ishte ideja fillestare e formimit të një force të re politike?

Varet se kur i intereson Sali Berishës. Por, realisht, PD-ja është nisur me datën 11 dhjetor, paradite nga ora 10:00-10:30 me iniciativën time. Sali Berisha më solli vendimin e Plenumit të KQ të PPSH që ishte mbajtur një natë më parë, direkt nga Ramiz Alia. Ai vendim tekstualisht theksonte se do të lejohej një pluralizëm fiktiv, organizatash e subjektesh elektorale. Ky nuk ishte pluralizmi i vërtetë politik, por një manovër e zgjuar e Ramiz Alisë, d.m.th. sipas parimit “po e hëngrën, mirë, po nuk e hëngrën, të shohim sa kanë kurajë dhe a ua mban”. Mirëpo, kryesorja ishte se në këtë pikë krijimi i një organizate studentësh dhe intelektualësh të rinj, një nga kërkesat tona, ishte tashmë diçka e pranuar dhe e legjitimuar edhe nga sistemi dhe nga partia në pushtet. Por ky nuk ishte pluralizmi i vërtetë politik dhe beteja për të fituar pluralizmin do të zhvillohej në takimin e përfaqësisë studentore me Ramiz Alinë. Ky nuk ishte një problem i vogël dhe nuk mund të kalohet lehtë, përkundrazi. Intelektualët që erdhën në Qytetin Studenti ishin një problem i madh për ne, sepse edhe pedagogë kishin hyrë dhe ishin ngujuar në fakultete. Sado që kishim një rreth të fortë studentësh, shumica konviktorë, që na mbështesnin me shumë besim, prania e pedagogëve ishte një influencë e jashtëzakonshme negative, edhe sepse ofronte një siguri të madhe për studentët. Në një përpjekje për t’i shkëputur nga studentët, mbi të cilët pedagogët kishin një ndikim të madh, si dhe për t’i futur në atë hullinë ku duhej, kërkova që t’i bëj bashkë disa prej tyre. Aty ishin shumë njerëz, ndër ta ishte edhe Moza Pashko, gruaja e Gramoz Pashkos dhe motra e Genc Rulit. E pyeta ku ishte Gramozi dhe më tha se ishte në fakultet me studentët e Ekonomikut. Çova dikë më Mozën dhe e thirra. Si erdhi Gramozi, i prezantova me Sali Berishën, dhe u thashë se ne do të shkonim në takim me Ramiz Alinë për të kërkuar pluralizmin, se do të ruanim Lëvizjen Studentore dhe se ata duhej të themelonin partinë opozitare, së bashku me intelektualët dhe pedagogët e tjerë. Që nga ai moment ata nuk janë ndarë nga njëri-tjetri. Pavarësisht se e dinin se dy gjela nuk rrinin dot në majë të plehut, dhe e shihnin veten si të parët e katundit, bashkëpunimi i tyre në atë pikë ishte i domosdoshëm dhe të dy e pranuan. Në momentin që ata ikën, organizova zgjedhjet e para të lira në shtetin shqiptar, në të cilin studentët e çdo fakulteti do të votonin me aklamacion për studentët që do t’i përfaqësonin në takimin me Ramiz Alinë. Në lidhje me sekuencën e ngjarjeve, kështu shkurtimisht, më 12 dhjetor janë mbledhur te Gramoz Pashko një grup ku ishin: Azem Hajdari Mimoza Ferraj, Aleksandër Meksi, Sokol Necaj, Sali Berisha etj. Më 13 dhjetor është vendosur përbërja e Komisionit Nismëtar dhe është shpallur partia. Në ditët e tjera janë mbledhur firmat dhe më 19 dhjetor është aprovuar ligjërisht si parti politike.

Si ndodhi zgjedhja e krerëve dhe pse ju shpallët kundërshtimin?

Kush janë krerët? Le të dalë njeri e të thotë se është para meje apo që ka pasur peshë më shumë se unë në këtë proces. Shiko, kjo është komedi që luhet në Tiranë, ku gjithkush kërkon të hyjë në histori duke u mbajtur mbas xhakaventos së dikujt, apo të pardesysë së një tjetri. Ideja kryesore e jona ka qenë ajo që përshkrova më lart. Intelektualët do të bënin partinë opozitare, ne studentët do të kërkonim pluralizmin e vërtetë politik, por edhe do të ruanim Lëvizjen Studentore të pavarur nga intelektualët e të tjerët. Mirëpo, ndërsa ne po punonim me intensitet për detyrat që i kishim vënë vetes, këta, d.m.th. intelektualët, nuk qenë në gjendje të mblidhnin as një grusht me njerëz që t’i mbështesnin hapur, as ndër krushqitë, miqtë e kushërinjtë e tyre. Ishte një gjendje pritjeje në kryeqytet, ku askush nga këto rrethe që dinin, por që ishin edhe të lidhura me regjimin, nuk donte të lëvizte pa u qartësuar ujërat. Kështu që, nga pasditja, mbasi mbetën pak a shumë një grusht, deshën të vinin në mbledhjen e përfaqësisë studentore, të bëheshin pjesë e saj dhe të fitonin legjitimitetin që iu mungonte në takimin me Ramiz Alinë. Unë i nxora jashtë ata të dy dhe nuk lejova që të bëheshin pjesë e përfaqësisë. Kështu që as Sali Berisha as Gramoz Pashko nuk do të kishin kurrë legjitimitet politik nga Lëvizja Studentore e nga arritjet e saj. Për ne ata do të ishin e mbetën të jashtëm e të huaj. Por, në përfaqësi mbeti një pjesëtar i atij grupi që ishte edhe i zgjedhur nga studentët e Arteve, sepse ishte pedagog, Arben Imami.

Kur në atë takim me Ramiz Alinë u fitua pluralizmi i vërtetë politik, dhe meritat i takojnë atij që i takojnë për këtë fitore historike, nuk kishte më frikë se sistemi do të ndëshkonte kënd, aq më shumë po të ishe edhe një njeri i sistemit, siç ishin shumica e këtyre të vetëquajturve intelektualë. Fill mbas kthimit nga takimi, Ben Imami, që edhe në atë kohë nuk kishte kurrfarë konceptesh politike, tha se do të formohej partia opozitare apo Partia Demokratike. Mirëpo Pashko dhe Berisha ishin ende të pasigurt, një ditë më parë e kishin ndier veten keq, sepse nuk kishin gjetur mbështetje as ndër miqtë e tyre dhe, prandaj, kur i mblodhën njerëzit më 12 dhjetor iu thanë se donin të bënin partinë e studentëve, sepse kështu i lanin duart nga përgjegjësia, d.m.th. thjesht do të thoshin se na ndihmuan ne. Natyrisht, nuk e bën një parti të studentëve pa pyetur paraprakisht studentët, apo jo? Dhe do s’do njeri, në atë pikë, besoj se kam pasur shumë influencë ndër studentët dhe më është dëgjuar shumë fjala. Aty në atë mbledhje në banesën e Pashkos, u dha dhe u pranua mendimi që duhej të bënin parti të vërtetë të tyren, dhe jo të studentëve. Kështu këta na erdhën si grup në Qytetin Studenti me mendimin se Azemi, që ishte me ta, do t’i kontrollonte shokët e shoqet e lëvizjes dhe këta intelektualët do të gjenin një ushtri të gatshme për mbështetjen që iu duhej për t’i ndjekur ata që e shihnin veten si liderë të vetëshpallur të opozitës. Mirëpo, i kishin bërë hesapet pa hanxhinë. Kur e pashë se kush po vinte, patëm një përplasje me Azemin që erdhi të më bindte në dhomën time. Shkurt, unë iu thashë se do të nxjerr studentët në rrugët e Qytetit Studenti e t’i përzinim prej aty. Mbas shumë negociatash jo të këndshme me Berishën e bëmë një marrëveshje që të mos ishte vetëm Azemi në shtatëshen themeluese, por ajo të kishte gjashtë studentë, tre intelektualë dhe katër pedagogë. Gjithkush solli njerëzit e vet. Saliu, Gramozi, Azemi dhe unë. Unë i luta shumë intelektualëve që të vinin dhe të bëheshin pjesëtarë të Komisionit Nismëtar, por nuk deshën. Besimi im dhe i disa të tjerëve ishte se me Azemin e me disa të tjerë që i njihnim, do të kishim shumicën, por nuk dolën gjërat ashtu, dhe për këtë ka përgjegjësi Azem Hajdari që i shiti shokët e shoqet e veta dhe zgjodhi Berishën e Pashkon përpara nesh. Megjithatë, duhet theksuar se PD-ja është themeluar në Qytetin Studenti, studentët kanë qenë pjesa heroike e saj, por, në të njëjtën kohë, ne e kemi ruajtur dhe mbrojtur Lëvizjen Studentore si një strukturë të dallueshme nga PD-ja. Por unë vetë nuk jam pajtuar asnjëherë me përbërjen e Komisionit Nismëtar dhe me përpjekjen e tyre sistematike për të kontrolluar, manipuluar e përdorur studentët. Natyrisht as ata nuk janë pajtuar ndonjëherë me praninë time dhe me rolin që kam luajtur. Pavarësisht se idetë i kam pasur shumë të qarta, kam qenë tejet abraziv me shumë prej tyre, por edhe me shokët e mi dhe kjo natyrisht që pati pasoja, sepse mungesa e ngrohtësisë dhe dogmatizmi e ekstremizmi im ideologjik i largonte të tjerët.

Nga themeluesit e parë të PD-së sot në krye të saj kanë mbetur vetëm Berisha, Imami, Ruli e Pollo…

PD-ja ka një histori të ngatërruar. Unë jam themeluesi i PD-së, por PD-ja nuk është partia e ime. Unë idealet e mia i kam ruajtur në veten time dhe nuk i kam ndërruar, përkundrazi kam punuar për t’i vënë në jetë, ndërsa PD-ja është transformuar në një strukturë kriminale që është vënë pa kushte në shërbim të interesave joshqiptare, që ka punuar e që punon kundër çdo gjëje që unë e kam të shenjtë. PD-ja punon kundër shqiptarëve, kundër shtetit të tyre, kundër kombit shqiptar, kundër shtetit ligjor, kundër të drejtës së pronës, kundër të mirës shoqërore dhe njerëzore, kundër begatimit e prosperitetit të shqiptarëve, kundër të ardhmërisë e shpresës së tyre. PD-ja është një bandë në shërbim të Sali Berishës. Sa për këta që përmendni, në majë të sitës morale e kombëtare shpesh mbesin krundet, dhe Sali Berisha, si kalorës i aftë që i jep kalit edhe majë malit, e di se për se shërbejnë ato. Më mirë të sakrifikoj për bindjet e vlerat e mia se të jem shërbëtor i shpërblyer i dikujt tjetër.