SAMI ZEKAJ: RËNIA E SHKODRËS NE ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT 2013

Kërkoi historinë Jozefina Topalli dhe e ashtu ndodhi. Pas 23 qershorit 2013 do të mbahet mend si lidershipi shkodran që i dorëzoi bastionin antikomunist të majtës. Memoria e këtij qyteti fisnik kujton edhe një dorëzim të ngjashëm pararendës, të ndodhur në vitin 1924, kur Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi bashkëpunuan me Fan Nolin, por ishte një e majtë që as vetë nuk e dinte se ishte e tillë. Atë që Enver Hoxha arriti me burgje, internime, pushkatime e fshirje tradite dhe memorie, udhëheqja e Topallit e arriti me konsensus kolektiv, duke e detyruar qytetin ta ndëshkojë PD-në. E natyrisht fituesi do të ishte antagonisti: jo aq për meritën, sepse 4 mandate kishte dhe po aq mori, se sa për rrjedhjen e votëbesimit tek aleatët e PS-së.

Rezultati flet vetë

E majta: 11.788 vota PS-ja ose 27,98 %, 5.620 vota LSI-ja ose 13,34 %, 690 vota Partia Mendimi i Djathtë Liberal, 645 vota Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë; e djathta: 17.225 vota PD-ja ose vetëm 40,88 %, 1.579 vota PR-ja, 920 vota FRD-ja. Këto janë partitë që kalojnë kufirin 1 % në Bashkinë Shkodër.

U votua etika?

Deputeti i vetëm i partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë, Mark Frroku, është vëllai i Arben Frrokut të akuzuar për vrasjen e kryekomisar Arben Lamaj. Dyzetepesë vota më shumë ka marrë aleati i tij Mustafa Lici, kryetari i partisë Mendimi i Djathtë Liberal. Dihet që Lici, i cili ka qenë prej disa vitesh pjesë koalicionit të djathtë të Bashkisë Shkodër, është i ngujuar pasi familjes së tij i atribuohet vrasja e një “kolegu” nga top-lista e të fortëve të qytetit. I njëjti person e shiti ndërtesën e ngritur për partinë e vet në një lulishte publike të Shkodrës si studio televizive të TV1 Channel, media private e neo-deputetit të LSI-së, Agron Çela. Ky i fundit nuk është i ri në zaptimin e lulishteve publike: i vetmi hotel me pesë yje i Shkodrës, pronë e familjes, ngrihet mbi lulishten kryesore të qytetit, ndërkohë që, fjala bie, kryebashkiaku aktual, Lorenc Luka, nuk i kthen Myftinisë së Shkodrës as lulishten/pronën përreth xhamisë kryesore të qytetit, por, në të kundërt, ai dhe paraardhësit e tij gjejnë hapësira publike për të mbjellë, përballë xhamisë dhe në oborrin e saj, monumentet e Luigj Gurakuqit, Nënë Terezës dhe Pellumb Pellumbit. Mbetet mister se si do ta respektojë qytetarin një person i cili qytetarit i merr pronën e përbashkët. Nuk po komentojmë pastaj të shumëpërfolurin apo rilindësin Tom Doshi.

Atëherë, përse kjo rënie?

Faktorët janë kompleks. Një pjesë janë shpjegues të mundshëm në rang kombëtar, një pjesë janë specifik shkodran.

1. Së pari, arroganca e pushtetit dhe modeli autoritar. Mbase shkodranët mund t’ia “bëjnë hallall” Berishës këtë qasje, për karizmën e tij, por Topalli nuk përfaqësonte prej kohesh shkodranët ose të paktën përfaqësonte vetëm një pjesë të tyren, megjithëse edhe kjo është e diskutueshme pasi kryeparlamentarja nuk ka fituar as në zonën e vet. Duke imituar liderin Berisha, Topalli e shndërroi Parlamentin në oborr shtëpie, ku mund të sillej e të fliste sipas dëshirës. Ndërsa pushtetin lokal dhe qendror, të aplikuar në qytetin e Shkodrës, e kishte nën kontroll të padiskutueshëm. Siç u pa, gabohej rëndë. Topalli krijoi bindjen se Shkodra, qyteti i devotshëm i PD-së, ishte pronë e kësaj partie ose, më mirë, e llumit i cili u ngurtësua pa u turbulluar – përveçse, dhe pjesërisht, gjatë drejtimit të bashkisë nga Bahri Boriçi – për 23 vite.

Ajo përfaqëson/te disa rrathë përkatësie sociale në Shkodër. Këtë ia vë në dukje analisti dhe drejtori i Mapo-s, Artur Zheji, në një artikull të 2011, kur Topalli rrëshqiste drejt vetëkënaqësisë në debatin e shëmtuar me presidentin e republikës, Bamir Topi. Shkruante Zheji: «Jozefina është gege […] dhe e manifeston me mendjemadhësi legjitime krenarinë e saj, për këtë dialekt hyjnor, të persekutuar përdhunisht për 50 vjet. Kjo gjuhë e Skënderbeut, e Nënë Terezës, e Buzukut apo Marin Barletit […] e at Zef Pllumit, e Koliqit, e legjendës Gjergj Fishta». Fjalët e Zhejit janë replikë ndaj artikullit të Henri Çili ku ndër të tjera themeluesi i Mapo-s shkruante se Topalli «i brendashkruhet një politike lokale që lidhet me Shkodrën, Veriun, ish- të përndjekurit, katolikët apo  […] një familje e madhe shkodrane me traditë». Përtej faktit se në këtë analize-replike mes Zhejit dhe Çilit i pari – sidomos pas indulgjencës kishtare si pasojë e skeçit Llakaj-Bajko mbi Gjon Palin II – bën detyrën e gardianit e për rrjedhojë analiza duket oborrtare, duhen vëne re shtresat që përfaqëson/te Topalli. Duke hequr përfaqësimin e Shkodrës dhe Veriut në rang kombëtar, në një zonë më të ngushtë ngelet feja e saj, shkodraniteti dhe persekutimi. Madje për Zhejin gjuha e Topallit është vetëm katolike.

2. E këtu dalim tek arsyeja e dytë, që është tërësisht shkodrane: polarizimi fetar i qytetit. Çili kishte të drejtë kur e quante Topallin «anti-elektorale». E forcuar nga devocioni shkodran ndaj PD-së, Topalli harroi që Shkodra as nuk është pronë e një feje partiake e as e një feje hyjnore: duke frakturuar ekuilibrat me arrogancën e Topallit, PD-ja i fali Shkodrën të majtës.

3. Arsyeja e tretë, ose kalimi nga votuesi idealist i viteve ’90 dhe i fillim viteve 2000, përmes votuesit militant, deri tek degjenerimi me votuesin mercenar, lidhet ngusht me arsyen e dytë. Në Shkodrën e Jozefina Topallit, për të gjetur punë në administratën publike të kontrolluar nga pushteti lokal dhe qendror, erdhi një kohë që CV-ja e kandidatit, përveç parave (mercenarizmi), duhej të përmbante tre kushte: 1.injoranca, reale ose jo,  pasi vetëm kështu eprori mund të drejtojë i patrazuar; 2. të qenurit banorë të qytetit, por jo shkodranë, sepse i “huaji” vuan kompleksin e inferioritetit, është më i bindshëm dhe nuk ka një klan pas vetes; 3. feja, natyrisht e kryeparlamentares.

4. Arsyeja e katërt është hipokrizia deri në nivelet e talljes apo krijimi i imagjinatës publike me ‘sikur: sikur po punojmë, sikur kemi etikën e duhur, sikur kemi plane afatgjata, sikur po ndërtojmë infrastrukturën e domosdoshme sociale, sikur po investojmë për arsimin, e kështu me radhë.

Le të marrim dy shembuj. I pari lidhet me administratën publike, konkretisht me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Shkodrës, e drejtuar prej vitesh nga Atrida Ferketi. Mbase bindja e opinionit mbarë qytetar që drejtoresha Ferketi shet vende pune në arsim me euro (5-7 mijë) është një legjendë metropolitane, por nuk na intereson fakti se sa opinioni i cili është në gjendje të drejtojë votën. Jo vetëm që lidershipi i PD-së në Shkodër nuk mori masa për ta mënjanuar këtë opinion, jo vetëm që e sfidoi votuesin me indiferencën ndaj korrupsionit në arsim, por e lejoi Ferketin të ndërtojë një pallat të shëmtuar në një rrugë pedonale, përkrah Muzeut Historik të Shkodrës (një shtëpi dykatëshe, tipike qytetare).

Edhe nëse duket ‘sikur’ po punojnë për kulturën me promovimin e zonave pedonale, në dekadën e fundit Shkodra e ka humbur plotësisht fizionominë e saj. Është shëmtuar nga pallatet asimetrike në të gjitha aspektet.

Mirëpo, kur elita drejtuese me rroga administrate ngre pallate, e kjo vazhdon për dy dekada, do të thotë që forca politike nga e cila buron kjo administratë e konsideron elektoratin e vet si turmë barngrënësish: pra, «çfarëdo të bëjmë ne, këta budallenjtë janë besnikë të partisë». Kjo është mënyrë e mirë për ta humbur votën.

Shembulli i dytë vjen nga ekuilibri i përfaqësimit social. Edhe këtu është përdorur metoda ‘sikur po i përfaqësojmë’. Topalli ishte e bindur se me koktejet tip Voltana Ademi, që vijonte teorikisht eksperiencën (bashkiake) e Artan Haxhit, dhe me qytetarët myslimanë “dem baba dem”, tip Astrit Bushati, kishte vendosur ekuilibrat. Persona të tillë, që populli i quan “pa tëmth”, kanë aftësi thjesht të kurojnë interesat personale, duke mos rrezikuar asnjëherë “filantropinë” e liderit, në këtë rast Topalli. Nga njëra, me këta “kolegë”, Topalli ka siguruar vazhdimësinë e patrazuar të lidershipit të saj në qarkun e Shkodrës, e nga ana tjetër ka krijuar iluzionin sikur përfaqësohet i tërë elektorati i PD-së së qytetit. Në teori përfaqësimi është realizuar, por në praktikë nuk është ndjerë, dhe, duke qenë se vota është fenomen praktik, pikërisht mosndjesia reale tek masa i ka barasvlerësuar zgjidhjet Bushati, Troshani, Ademi e Spahija me talljen ‘sikur’. Topalli ka pasur kohën dhe mjetet për ta nuhatur përfaqësimin tallës. Nëqoftëse nuk është në gjendje për kaq pak, nuk e kuptojmë çfarë i duhet PD-së.

5. Një arsye është mungesa e konkurrencës. Tetë vite pushtet qendror dhe dy dekada pushtet lokal, për më tepër kur postet në administratë janë transformuar në kolltukë privatë të dhënë me qera nga partia, detyrimisht kanë zbehur çdo iniciativë. Nuk është rastësi që fushata elektorale e PD-së në Shkodër ka qenë mjaft e zbehtë. Kjo parti vinte në zgjedhje e sigurt për fitoren, sepse pas dy dekadave mendonte që tashmë e kishte privatizuar pushtetin, që delegimi ishte teori e vlefshme vetëm për Perëndimin.

Mund të themi se Jozefina Topalli e humbi betejën elektorale në të gjitha frontet. Në një qytet ku e djathta është e shenjtë, ta detyrosh votuesin drejt alternativave të tjera nënkupton se udhëheqja, së paku, ka qenë katastrofike. Gjithashtu u dëshmua se ku të shpien personat e shtyrë në politikë, ata që postin nuk e fitojnë, por u jepet nga lart. Siç bie faji i dështimit të PD-së mbi Berishën, rënia e Shkodrës bie mbi të emëruarën Topalli. Nëse PD-ja kërkon demokraci, rinovim, shtysa për ardhje në pushtet, një nga figurat që duhet të kuptojë pensionimin e karrierës politike është Jozefina Topalli.

GRID RROJI: INTEGRIMI SI GJETHE FIKU

votës me kryq është shprehje e protestës mbarëpopullore kundër të gjitha palëve të parisë së Tiranës të cilat kanë vjedhur, gënjyer dhe mashtruar shqiptarët sot e njëzet e tre vjet. Reagimet që kanë ardhur nga palët e parisë së Tiranës janë të shumta dhe një pjesë të tyre e kemi trajtuar tek blogu Rrethi i Ferrit këto ditë. Në shkrimin e sotëm dua të ndalem tek rrena e integrimit,  njëri nga mashtrimet me efikase që vazhdon të përdorë paria për të legjitimuar sundimin e saj si dhe për t’i dhënë shpresë të rreme popullit se sistemi që ajo ka ngritur mund t’u shërbejë shqiptarëve.

Paria e Tiranës ka 23 vjet që tregon një përrallë të madhe, që shet një ëndërr e cila për shumë arsye strukturore, gjeo-politike dhe ekonomike nuk mund të realizohet të paktën gjatë pritshmërisë jetësore të këtij brezi. Kjo është përralla e famshme me integrim.

Integrimi është një rrenë e madhe sepse jo vetëm siç  shprehet studiesi gjerman Jens Bastian “nuk ka gjasa që BE-ja të zgjerohet në Ballkan të paktën deri në 2020” por edhe sepse Shqipëria nuk shihet në Europë si material zgjerimi. Nga ana e analizës ndërkombëtare, koncepti i Europës së Bashkuar po gjen vështirësi të mëdha në kohën e një krize ekonomike të thellë dhe sistemike. Në veçanti, vendet e Ballkanti Perëndimor, të cilat perceptohen si jashtë orbitës qytetërimore Europiane nga anëtarët e BE-së, kanë hasur shumë  vështirësi dhe pengesa. Ndonëse formalisht procesi është i hapur për të gjithë rasti i Turqisë tregon se vendimmarrja është më tepër se teknike. Në rastin e Shqipërisë, ne kemi dështuar për të plotësuar kërkesat teknike, por nuk është e qartë se edhe kur t’i plotësojmë rruga do jetë e shtruar. Edhe pse procesi integrues mund të kishte shërbyer si nxitës në ndërtimin e një shteti te konsoliduar demokratik, paria e ka shfrytëzuar atë si mbulojë e jo si incentiv. Po t’i shtosh këtyre faktorëve mungesën tërësore të përgjegjshmërisë politike të palëve oligarkike dhe hajnore të parisë së Tiranës, atëherë integrimi nuk mbetet veç se një rrenë e madhe që tregon paturpësinë e pafre të saj.

E megjithatë integrimi është pjesë thelbësore e makinës së propagandës së parisë, madje mund të thuhet pa frikë se përbën qendrën gravitacionale të saj. Pa integrimin projekti i parisë do të humbiste një shtyllë shumë të fortë dhe racionalja e ekzistencës së saj do të binte vetvetiu. Një analizë e thjeshtë e retorikës së përdorur në këtë fushatë e vërteton më së miri këtë tezë.

Për shembull, një mbështetës i LSI-së në fejsbuk para ca ditësh shprehej se “Ilir Meta nuk është si Edi Rama sepse i vlerëson votuesit e vet e nuk i le rrugëve. Ai është vizionar dhe pragmatist”. Me pak fjalë, votoni për Ilir Metën se diçka ju del. Pra, partia e Z. Meta mbetet më konsekuentja në tezën e integrimit duke e bërë atë kauzën e vet ekzistenciale. Integrimi në versionin e LSI-sa u thotë qartë dhe pastër shqiptarëve që duke vjedhur së bashku do të integrohemi më shpejt në BE. Ndërsa kjo frymë nuk është aspak ekskluzive dhe përshkon të gjitha klanet politike që janë në garë, të paktën LSI-ja e shpreh këtë retorikë haptas e pa komplekse. Ky është integrimi të cilin na propozon paria e Tiranës e pa të cilin projekti që ajo po na shet sot e njëzet e tre vjet nuk ka kuptim.

Nga ana e vet, edhe Berisha  e përdor integrimin si lopë për t’u mjelë. Sa herë që duhet legjitimuar qeverisja apo sistemi ai përdor integrimin. Për shembull, gjatë kësaj fushate u akuzua “Edvini se për arsye të brendshme partiake na la pa integruar duke mos votuar tri ligjet”. Mirëpo kjo nuk shpjegon dështimin e shtetit në shumë aspekte gjatë qeverisjes së tij, korrupsionin galopant, qelbëzimin e mëtejshëm të problemit të pronës, kapjen e institucioneve dhe instalimin e një kulture politike klanore. Të gjitha sa më sipër janë vlerësime të raporteve europiane për Shqipërinë. Më tej, nuk kuptohet se çfarë do të thotë Berisha me këto fjalë, cilat janë përfitimet dhe detyrimet nga tri ligjet e famshme që tashmë janë votuar por nuk hyjnë në fuqi deri në tetor (!), cili është raporti mes tyre dhe integrimit aktual, dhe sa do të vazhdojë ky proces. Na thuhet se do marrim miliona euro, një tjetër gënjeshtër e pastër sepse edhe sikur Europa të na priste me tabaka me euro tek porta, sistemi i vjeljes së këtyre fondeve është në bazë të kapaciteteve aplikuese të strukturave të shtetit të cilat janë jo vetëm të paafta por edhe në funksion të sistemit korruptiv që ka instaluar.

Sigurisht që Berisha si mjeshtër i retorikës fushatore e përforcon premtimin bosh me togfjalësha si “na mbajti peng Edvini me tre ligjet” apo edhe duke dhjetëfishuar postën në lojë me “liberalizimin e vizave amerikane”. Besueshmëria e këtyre përrallave varet nga përsëritja e shpeshtë edhe pse për vizat amerikane kemi një mohim gojëplotë nga vetë qeveria amerikane. Ky lloj integrimi nuk ndryshon aspak nga ai që propozon LSI-ja, jo më kot këto katër vjet Berisha dhe Meta ishin në koalicion.

Edi Rama nuk e kundërshton tezën e integrimit por u tregon shqiptarëve se “Rilindja” e tij vjollcë është rruga më e mirë drejt tij. Mirëpo, kjo është si të thuash votoni Kamorrën se është më e mirë se Sakra Korona Unita. Sidomos pas bashkimit me Metën, Rilindja e Edi Ramës nuk është tjetër veç se një operacion mediatik për të mbuluar zullumet e klaneve mafioze të PS-së dhe sistemin korruptiv që ai instaloi në bashkinë e Tiranës. Me Rilindas si “Kokëdhima”, Doshi, Angjeli dhe Veliaj dhe me partnerë si Meta të fuqizuar ndjeshëm nga këto zgjedhje, është e sigurtë se do ndryshojnë taktikat e hajnisë por jo modeli. Pra, edhe Rama propozon të njejtin “integrim” si Berisha dhe Meta por në versionin “light purple”.

Për t’a përmbledhur palët e parisë e përdorin integrimin si gjethe fiku për të mbuluar zullumet e veta dhe neverinë që ata ndjejnë për shqiptarët. Vetëm një pari që e urren popullin e vet mund të sajojë gënjeshtra kaq të mëdha dhe t’i shesë ato si panacea shpëtimi. Integrimi është një ëndërr e bukur e cila nuk ka asnjë gjasë të ndodhë në dy dhjetëvjeçarët e ardhshëm dhe aspak gjasë të na ndihmojë për të kapërcyer krizën e thellë politike dhe shoqërore ku jemi. Sistemi i ndërtuar mbi rrenën e madhe të integrimit është i dështuar, dhe i shërben mbajtjes nën sundim të shqiptarëve me anë të propagandës. E megjithatë, integrimi shitet në publik. Duke shfrytëzuar mendësinë e burgut, paria ja ka dalë të na bëjë të besojmë se realiteti brenda qelisë është i vetmi i mundshëm.

Mirëpo, kjo situatë po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme. Kriza ekonomike që ka kapluar vendin, fragmentarizimi i skajshëm i shoqërisë, kriminalizimi i parisë në çdo qelizë të saj por mbi të gjitha humbja e besimit tek zgjidhjet politike që ofron paria e bën vazhdimësinë e këtij projekti sundues tepër të vështirë.

Ndaj edhe në këto kushte instrumenti i vetëm që i ka mbetur qytetarit shqiptar të çoroditur gjithë këto vite nga propaganda e pandalshme është të deligjitimojë parinë me anë të votës me kryq.  Siç  thotë Robert Dali, një nga teoricienët e demokracisë, “ajo që nevojitet nuk është më tepër nga ajo që kemi, por një formë e ndryshme e demokracisë. Çfarëdo forme që të marrë, ajo nuk mund t’i ngjasojë kësaj që kemi sot”. Pra, shoqëria shqiptare ka sot nevojë më tepër se kurrë për një fillim të ri.

Sigurisht që shumë do të varet nga shkalla e masivitetit që do arrijë bojkoti apo vota me kryq. Po ashtu, siç  shprehej Ledian Prifti, nisma e votës së bardhë do të dështojë nëse nuk arrin të ngjizë një grupim të ri politik, me mendësi dhe rregulla të reja sjelljeje, me njerëz të papërlyer dhe mbi të gjitha me synim të qartë për të ndërtuar shtetin komb dhe një demokraci reale e funksionale që t’i shërbejë shqiptarëve e jo parisë.  E vetmja zgjidhje që kemi ne shqiptarët për të dalë nga qerthulli kriminal ku na ka futur paria e Tiranës është të mbështesim një fillim të ri, të ndërtojmë një shtet në shërbim të qytetarëve i cili vepron edhe si gardh kufizues për drejtuesit politikë por edhe si mbrojtës  i paqes shoqërore në vend. Me pak fjalë, ne na duhet një shtet i mbështetur tek vlerat që garanton sundimin e ligjit. Çdo zgjidhje tjetër na çon në hulli të pakëndshme e na le nën thundrën e kësaj parie të zvetënuar e cila tashmë e ka tejkaluar çdo cak të maskarallëkut. Hapi i parë drejt këtij fillimi të ri është të ruajmë nderin e t’i vemë një kryq të madh votës.  Zgjedhja është e jona.

 

VALBONA KARANXHA: KONCEPTE TË TRANSFERUESHME NË TRANZICIONIN E PAFUND SHQIPTAR

Falimentimi i një sistemi politik vjen nga shumë arsye si dhe domosdoshmëria e shoqërisë për të ndryshuar. Tradicionalisht, kur sistemet ndryshojnë sjellin pershtjellime te jetës politike, sociale, ekonomike të vendit dhe jo gjithmonë vendi adaptohet lehte. Adaptimi i një kombi apo vendi me sistemet e reja influencohet nga shume faktorë, por disa nga kryesoret janë krijimi i shtresave sociale te reja gjatë periudhave të tranzicionit, polarizimi i tyre si dhe ndarja e interesave të secilës nga këto klasa.

Dihet tashmë se si pjesë e ish kampit socialist, tranzicioni në Shqipëri në njëzet vjetët e fundit ndjek pak a shumë të njëjtat hapa si vendet e tjera te Europës së Lindjes, por tanzicioni në Shqipëri është unik. Kur vendet e Europës Lindore përpiqen sado pak të rezistojnë ndaj korrupsiont, Shqipëria ndodhet shume herë më mbarapa. Për të gjetur një trend të tranzicionit  shqiptar po përdor disa  fenomene te krahasueshme me Amerikën Latine.

Kur vendet e Amerikës Latine fituan pavaresinë nga Spanja në fundin e viteve 1800  u ndeshen me luhatje te jashtëzakonshme në zhvillimet shoqërore politike dhe në adaptimin të  tyre ndaj një sistemi i cili do mund të funksiononte për ta. Këto luhatje konsistonin në ardhjen në fuqi te diktaturave ushtarake, të pushteteve të përkohshme, krijim e një mentaliteti “katundar” (Rama, 2012), i cili bazohej në interesin imediat vetjak,  dhe  kurfarë preokupimi për popullin. Kështu që pushtetet vinin në banda  njëra mbas tjetrës dhe iknin nga pushteti ashtu siç vinin duke ja lënë vëndin bandës së rradhës.

Amerika Latine mbahet për numër të lartë të dikaturave. Kjo erdhi si arsye e mungesës së kulturës demokratike, etjes për pushtet, famë dhe pasuri. Ajo që është karakteristike për vendet e Amerikes Latine ne këte kohë është fakti që bandat pushtetare, nuk binin në ujdi me pakte por thjesht grabisnin pushtetin nga njëra tjetra. Ideologjia e mirfilltë e këtyre pushteteve mungonte sepse hstoria e hidhur e kolonizimit për reth 400 vjet nuk kishte kultivuar asnjehere një ideologji të pastër, të bazuar në vlera demokratikenë në qëndër të se cilës ishte populli. Një karakteristikë tjetër për keto pushtete ishte lënia jashte e popullsisë indigjene dhe shtresave të varfëra nga jeta politike e  vendit sepse në pushtet nuk mund të vinin veçse Criollos (përzierje race spanjolle me indigjen) ose raca e paster spanjolle. Ky ishte problem tipik i Amerikës Latine.

Me përhapjen e idologjisë komuniste, shumë politikan gjetën një bazë ideologjike të cilën kërkuan ta adoptonin. Ky çiftëzim fatal midis komunizmit dhe mungesës së traditave demokratike bëri që shumë vende të Amerikës Latine të ktheheshin në diktatura nga më të egrat që ka njohur historia.

E solla këtë paralelizëm politik për të ilustruar faktin që tranzicioni në shumë nga këto vende ende nuk ka përfunduar dhe nuk i dihet se kur do përfundoj. Sistemet politike qe keto vende adaptojnë i shërbejnë vetëm klasave sunduese. Keto vende adaptojnë lloj lloj rrymash, sistemesh vetëm si e si t’i qëndrojnë larg demokracisë dhe atij lloj sistemi i cili ka popullin primar.  Rreth 130 vjet me mbas, (pasi e fundit qe u shkëput nga Spanja në 1889 ishte Kuba) të gjithë shtetet e Amerikës Latine me perjashtim të Kosta Rikës janë akoma duke kërkuar demokraictë e verteta të cilat nuk janë instaluar ndonjëherë.

E njëjta gjë po ndodh edhe në Shqipërine e sotme. Ne themi që tranzicioni shqiptar ka filluar në vitet 1990, por teknikisht ai ka filluar njëqind vjet më parë me  shpalljen e pavarsise nga Turqia. Mbas 90 e këtej është një nga fazat e tij. Tranzicioni Shqiptar mund të zgjas në pafundësi deri sa populli të marr ndryshimin në dore. Në qoftëse populli nuk bën përpjekje të ndryshoj “urdhërin” politiko-shoqëror, atëhere vendi mund të skllavërohet përjetsisht ose mund të shpërbehet si komb në një të ardhme. Në një të ardhme parashikohet që në vend te rebelimit të popullit ndaj kësaj klase, mund të ndodh një eksod tjetër masiv, me valë, apo sistematik deri sa kombi te marre fund. A do ec Shqipëria në rrugën demokratike  apo do skllavërohet nën sundimin e klasës së pasur?

Ngjashmëria midis Amerikës Latine dhe Shqipërisë është mbreslënëse. E para, përngjashmërite politike që i sipërpërmenda janë të pa-kontestuesme. Por duke kaluar në plan ekonomik shohim që Amerika Latine megjithe pasuritë e pallogaritshme natyrore, ka numrin më të madh të emigrantëve në SH.B.A. Influksi i emigrantëve sezonal dhe të përhershëm në SH.B.A është marramëndës dhe po ndryshon dinamikën e vendit, deri tani janë të numëruar rreth 50 milion Latinos të cilët punojnë dhe jetojnë ligjërisht. Nuk po përmend ata që janë sezonal dhe vijnë në këtë vënd për të siguruar një farë jetese në vendin e tyre me të ardhurat. Kjo menyre jetese është kthyer në filozofi, pak a shume si emigranët tanë dhe influksi i tyre i pakontrolluar në Europë.  Kjo vjen për shkak jo të varfërisë të këtyre vëndeve por të politikës shkatërrimtare të  ndjekuara nga qeveritë dhe pasurimin e pakicës sunduese.

Shqipëria po ecën në rrugën dhe në shëmbullin e disa nga prodhuesve dhe shpëndarve më të medhenj të drogës në Amerikën Latine. Paralelizmi midis Lazaratit dhe qëndrave të përpunimit të “kokës” në Kolumbia është i pamohueshëm. Qëndrat e prodhimit të kokainës në Kolombia janë industria që jo vetëm mban një pjesë të vendit më mjete dhe të ardhura por ka mundësuar krijimin e lordëve të drogës. Me gjithë operacionet dhe  nderhyrjet e herepashershme të DEA (Drug Enforcement Agency) të SH.B.A në Kolombia, industria e drogës është e paprekshme dhe transportimi i saj është më se i mbrojtur dhe i siguruar nga klasa në fuqi. Lazarati dhe “Barranquilla” lulëzojnë mbi të njëjtin koncept

Në planin shoqëror, vendet ende në tranzicion në Amerikën Latine, janë të mbytura nga, droga, prostitucioni, imoraliteti mungesa e vlerave. Me gjithe rrymën “Avanguardiste” në shekullin e kaluar, e cila ishte një shprehje e përpjekjeve të intelektualeve Latino-Amerikan për përhapjen e vlerave të pastra, nuk po them kombetare sespe Amerika Latine përbehet nga shumë kombe të ndryshëm nga njëri tjetri. Megjithëse të bashkuar nga gjuha dhe feja ata  janë unik në veten e tyre. Keta intelektual, shumica e tyre të shkolluar në Europë kërkonin të rivendosin atë që ishte e vlerë e pastër e cila mund t’i kishte rrenjët në periudhën pre-kolumbiane dhe atë që ishte indigjene e pastër.

Paralelisht në Shqipëri njihen të njejta probleme shoqërore pak a shumë të lindura në periudhën e tranzicionit. Me ndryshime, sepse unë nuk po gjeneralizoj koncepte,  por këto janë probleme të dala nga mungesa e aplikimit të demokracise dhe parimeve demokratike në vendet që ndryshojnë sisteme.

Duke u kthyer në konceptin e parë të kësaj analize e cila ka të bëj me krijimin dhe shpërndarjen e shtresave shoqërore mund te themi se polarizimi i shoqërisë ka ardhur nga politika klanore, lidhjet e forta nëpërmjet grupeve mafioze dhe paaftësitë e qeverive për të qeverisur. Krijimi i një shtrese homogjene sunduese ka çuar në krijimin  e klasave shoqërore dhe përshtatjen e tyre për t’i  mundësuar pasurimin e klasës sunduese.

Mungesa e institucioneve të mirëfillta demokratike është një nga vonuesit e tranzicionit. Mos-aplikimi i shtetit të së drejtës, mosndarja e pushtetit, përqëndrimi i pushtetit në një klasë gjithashtu pengojnë vendin të integrohet. Në vendet e tranzicionit qeveritë e të cilave nuk qeverisin por sundojnë kanë probleme të zbatimit të ligjit apo të kushtetutës.

Gjatë tranzicionit, sisteme që janë të ndërtuar në baza primitive kanë më shumë mundësi të shkaterrohen gjatë periudhes se adaptimit në një sistem modern, por një sistem i cili është më kompleks, ka më shumë mundësi t’i rrezistoj ndryshimeve (Huntington, 1973). Në rastin e Shqipërisë, kjo jo vetëm që ishte eksperiencë e hidhur e viteve të para të tranzicionit por është një rrezik i pranishëm dhe i përhershëm përderisa shoqëria të kaloj këtë periudhë.

Problem tjetër i tranzicionit është dhe implikimi i masave në jëtën politike të vëndit. Mahnitja e shqiptarëve me politikën është më se e shpjegueshme me teorine e ndryshimit të “urdherit” politiko-shoqëror. Kjo vjen si pasojë  e dëshirës që kanë masat për t’u integruar në jetën politike të vendit qoftë kjo edhe pjesmarrje pasive.

Ne konluzion, tranzicioni shqiptar ka fillim por mbarimi nuk dihet. Paria sunduese është bërë forca levizëse sabotatore e proçesit të integrimit në një shoqëri të mirfilltë demokratike. Objektivi i oligarkise plutokratike është të sundoj përjetsisht, të siguroj vazhdueshmërinë e pasurimit. Pushtetarët të cilët janë në qeveri nuk mund te quhen asnjëherë lider, dhe udheheqja e tyre lidership; ata janë thjesht sundues. Interesat e tyre imediate janë ato që motivojnë luftën e tyre politike për ardhjen në pushtet dhe qëndrimin në të.

Klasa sunduese ka krijuar ligjishmeri e cila e lejon te jetë në pushtet dhe të shtyp masat. Një përfundim i tranzicionit mund të jetë pranimi i vendit në BE, por kjo siç e dime është lajthitje sepse vendi nuk ka shans për t’u futur në BE me qeveritë e tranzicionit. Vendi është i mbytur në korrupsion i cili është kusht kryesor për pranim. Kush beson se Shqipëria do të futet ndonjëherë në BE i ushqen vetes iluzione. Kush beson se Europa ka plan të fus Shqipërinë ne BE në këtë gjëndje me këto qeveri tranzicionale, pa prodhim të mirëfillt, pa industri, pa bujqësi, me instabilitet, me nivelet e korrupsionit nga më të lartat në botë, me krijimn e një klase të pasuruar  në kurriz të popullit eshtë dritshkurtër dhe i pa-informuar. Jo vetëm që drita për në Europë do nglet e kuqe, por edhe liberalizimi i vizave me USA do jetë  një enderr  e largët. Pa asnjë farë dyshimi, kontrolli i hyrjes ne SHBA do vazhdoj me të njëjtin rigorozitet si ai i kufirit Meksike SHBA. Ashtu siç e përmëndi Ambasadori Arvizu, shqiptarët nuk janë gati.  Përgjigja qëndron në realitetin tonë politik.

GRID RROJI: PARIA PËRBALLË VOTËS ME KRYQ

Një nga debatet e vërteta të kësaj fushate (e cila duhet thënë është përqëndruar tek hallet e klaneve të parisë e jo të popullit) është ai mbi dobinë e votës së bardhë, abstenimit me votë apo siç  dëshiroj ta quaj këtej e tutje “votës me kryq”. Megjithëse thirrjet për bojkotin e parisë kanë ekzistuar kaherë nga individë si Shenasi Rama, këtë herë debati duket se është shkaktuar nga masiviteti që po merr nisma. Në këtë shkrim dëshiroj  të nxjerr në pah varfërinë argumentuese dhe ideologjike të parisë kundër votës me kryq.

Së pari, fakti që paria e Tiranës nuk ka mundur t’a pengojë debatin të fitojë hapësirë nëpër mediat kryesore si dhe ka filluar të marrë pjesë në mënyrë aktive është tregues i qartë se:1) gjendja është vërtet në kufijtë e një katastrofe e cila po fshihet vetëm nga tamburët dhe efektet llamburitëse të fushatës miliona euroshe të parisë; dhe 2) paria e ka realisht frikë votën me kryq. Për shembull, megjithëse teza e bojkotit është hedhur në zgjedhje të mëparshme asnjëherë nuk ka patur kaq diskutim. Më parë, paria i kishte mbyllur të gjitha kanalet dhe kontrolli i gjithanshëm ja lejonte injorimin e tezave të tilla edhe pse i ndiqte ato me vëmendje të madhe. Ndërsa tani, paria e di se të gjitha shashkave të hedhura për fushatë u ka dalë boja dhe karakatina e saj ideologjike mbahet vetëm me premtime bombastike të cilat nuk i beson as vetë.

Së dyti, angazhimi në mënyrë të drejtpërdrejtë i disa eksponentëve me peshë të parisë apo delegimi nëpër kanale “serioze”të komunikimit, tregon se palëve ka filluar t’u rrëshkasë dheu nën këmbë dhe nuk besojnë më se e kanë gjendjen nën kontroll si më parë. Për shembull, në një debat televiziv Shinasi Ramës i kishin vënë përballë një zhurmues profesionist si Hervin Çuli, një politikane të regjur pjestare të parisë si Monika Kryemadhi dhe një studjuese shërbyese e njërit prej klaneve të parisë si Milva Ikonomi. Mirëpo, në debat e sipër nuk munguan ndërhyrjet “spontane” të pjesëtarëve të klaneve që janë aktualisht në qeveri si Neritan Sejamini, të cilët kërkonin me çdo kusht t’a delegjitimonin votën me nder. Pra, në përpjekjen për “t’ja hedhur edhe kësaj radhe se pastaj lum kush të rrojë”, palët e parisë janë bashkë kundër qytetarit.

Ka disa argumenta kundër votës me kryq të shtjelluara në shkrimet e opinionistëve rrogëtarë, të ekspertëve të shitur të cilët presin ndërrimin e qeverive për të kapur postin e radhës dhe disa eksponentëve politikë të parisë. Të gjithë e trajtojnë votën e bardhë si një utopi të pavlerë, të pambështetur  në realitetin shqiptar dhe ç’është më interesantja në favor të qeverisë aktuale. Logjika me të cilën arrihet në këto konkluzione është të paktën e mangët, por kjo nuk i pengon të gjithë të rreshtojnë një mori shembujsh dhe pyetjesh hipotetike të cilat në gjykimin e tyre e hedhin poshtë a priori nismën.

I pari ndër të gjithë argumentët-dhe nuk kishte se si të ishte ndryshe- është ai personal. Me pak fjalë, argumenti mund të përmblidhet kësisoj: “ epo tani meqë dikeni ta bëni më mirë ju këtë punë, pse kërkoni votë me kryq, hajdeni dhe bëjeni vetë”. Pra, të denoncuarit kthehen në denoncues dhe në të njejtën kohë kërkojnë të vendosin kush e ka të drejtën e të shprehurit në public.  Ky është argument që mund edhe të ngjisë në nivelin krejt fillestar, por një vëzhgim pak më i vëmendshëm logjik e hedh poshtë plotësisht. Mjafton të vërejmë se në oligarkinë hajnore shqiptare çdo hap institucional është ndërtuar në mënyrë që frenat e lojës dhe të rrugëdaljet që ofrohen të jenë gjithmonë dhe pa ndalim në duart e parisë. Kushdo që tenton të hyjë në lojë detyrohet të japi prova besnikërie të cilat e bëjnë të shantazhueshëm në të ardhmen.  Pra, loja është e trukuar qysh në fillim. Më tej, palët e parisë nuk përfaqësojnë boshte të ndryshme ideologjike por banda mafioze të motivuara tërësisht nga përfitimi personal. Ndërtimi i shtetit komb jo vetëm që nuk u intereson por dëmton interesat e tyre afatshkurtëra për pasurim të menjëhershëm. Kësisoj, kauza e rotacionit është si top volejbolli që palët ja kalojnë njëra tjetrës duke bërë kujdes të madh që të mos shënojnë pikë kundër palës tjetër. Ndeshja duhet të zhvillohet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Mirëpo këtij truku duket se i ka dalë boja plotësisht.

Një tjetër argument është “faji i popullit”. Për këta,  politika e llumit, fundërrinave dhe xhambazëve të pamoralshëm është pasqyrë e popullit që e “voton”. Mirëpo edhe ky argument çalon rëndshëm që në fillim sepse duke patur çelësat e lojës paria nuk lejon askënd me principe morale as t’i afrohet politikës. Pra, populli nuk ka patur zgjedhje tjetër deri më sot përveç klaneve të hajdutëve aktualë. Nga ana tjetër, palët kanë krijuar modelin e politikanit hajdut, pa shtyllë kurrizore e në shërbim të klanit përkatës pa kurrfarë ndjenje shërbimi publik. Ky model nuk ishte i paevitueshëm por shprehje e vullnetit të qartë të parisë për t’a zvetënuar skenën politike dhe për t’a sunduar më kollaj popullin. Përsëri nuk është problemi tek vullneti i popullit por tek ata që janë ngarkuar për t’a interpretuar atë. Duke qenë banda cubash e hajdutësh ordinerë dhe duke i pasur nën kontroll të gjitha veglat e politikës ata nuk kanë qenë të detyruar t’i binden vullnetit të popullit. Madje kur kanë mundur e kanë deformuar e zvetënuar atë për qejf sepse kjo jua lehtëson mekanizmin e sundimit.

Ndërsa dy të parët përqëndrohen tek shqiptarët, arsyetimi krahasues me botën është: “ po kështu e kanë filluar të gjithë”. Shpesh ky argument shoqërohet me shembuj nga Amerika e shekullit XIXtë dhe fillim shekullit XXtë.  Këtë argument e mbështesin zakonisht palët që janë në pushtet, dhe aktualisht është premisë e të gjithë analistëve pro qeverisë. Ndërsa shtrembëron keqazi faktet -Amerika e ka filluar demokracinë me Xhorxh Uashingtonin, Abraham Linkolnin e shtetarë të tjerë të cilët është mëkat të vendosen në të njejtën fjali me tanët-ajo që i mungon arsyetimit është koherenca logjike. Krahasimi ndërmjet Amerikës dhe Shqipërisë nuk qëndron në shumë anë. Për shembull, në se do t’a matnim procesin kushtetues me të njejtin kut, do të na duhej që kushtetutën e dyshes Godo-Imami t’a krahasonim me kushtetutën  Medison-Xheferson-Hamilton-Xhej. Nga ky pikëvështrim, por edhe në realitet ky lloj arsyetimi krahasues merr nota të dukshme qesharakërie.

Një argument jo vetëm në dukje më i sofistikuar është ai teorik i shtjelluar nga Bledar H. Prifti, i cili e trajton votën me kryq si votë pro qeverisë apo vota e zezë. Teoria na mëson-thotë kritiku teorik i votës së bardhë- se kjo mënyrë nuk funksionon sepse pengon procesin demokratik. Përkundrazi, sipas Priftit kjo është ajo që duan autokratët si Berisha për të mbajtur pushtetin.  Mirëpo edhe këtu kemi dy supozime që nuk qëndrojnë. Së pari, argumenti për  votën e bardhë nuk bën dallime mes palëve të parisë dhe është specifikisht kundër arsyetimit të së keqes më të vogël. Në qoftë se kemi mësuar gjë këto njëzetetre vjet është se asnjë dallim nuk ka midis palëve të parisë. Rotacioni në oligarkinë plutokratike të Tiranës shërben vetëm për të mbajtur ekuilibrat e brendshëm të parisë, por jo për interesat e qytetarit. Pra, nëse duam ndryshim të vërtetë duhet ndryshuar sistemi i vlerave jo hajdutët. Së dyti, përdorimi i teorisë në mënyrë të përciptë dhe shpeshherë edhe gjysmake ja ul vlerën bindëse tezës së votës se zezë. Injoranca nuk është argument. Vota e bardhë nuk përbën vetëm një akt proteste, por edhe një akt moral të detyrueshëm në kushtet ku sfera publike kontrollohet tërësisht nga oligarkia hajnore e Tiranës. Më tej, vota e bardhë nuk është qëllim në vetvete por është një hap i parë i domosdoshëm drejt një fillimi të ri shoqëror e politik. Fillimi i ri si transformim shumëplanësh do të ishte i mundshëm vetëm nëse bazohet në premisa morale. Teoricienët e “votës së zezë” shprehen se janë rehat me drobitjen morale që ka kapluar shoqërinë shqiptare. Ndaj dhe është e kuptueshme që ndalen tek rotacioni brenda llojit. Argumenti për votën me kryq shkon shumë përtej këtyre lojrave të brendshme të oligarkëve të Tiranës.

Një tjetër arsyetim që mundohet të shesë paria është ai i mosnjohjes së realitetit nga propozuesit e votës me kryq. Sipas disave ata që flasin për moral në politikën shqiptare nuk ja kanë idenë realitetit. Supozimi që bëhet nga këta është se populli shqiptar nuk e do dhe nuk e njeh moralin, ndaj edhe përpjekjet për të instaluar një shtet komb efektiv janë të destinuara të dështojnë. Mirëpo edhe këtu kemi një arsyetim të cekët e jo realist. Shqiptarët kudo që jetojnë nëpër botë sillen si qytetarë model në shumicën dërrmuese të rasteve, dinë të shfrytëzojnë liritë që u jep demokracia dhe në disa raste kanë arritur të bëhen politikanë të suksesshëm në vendet pritëse. Ata nuk vjedhin, nuk vendosin gjoba, nuk kanë lidhje me kriminelë e kartele mafioze. Kësisoj, problemi duket se nuk janë shqiptarët por sistemi politik që n’a ka imponuar paria.

Nuk mungojnë në këtë fushatë edhe tentativat për arsyetime kooptuese si për shembull, “nisma është e mirë por nuk është në kohën e duhur”, “vota e bardhë është naivitet apo braktisje e detyrimit për të votuar”, “ne jemi në fushatë mor vëlla e kta flasin për bojkot, të kryejmë zgjedhjet njëherë e pastaj flasim”, apo edhe “nisma është shumë e vlefshme dhe ne si parti kemi kohë që jemi pro këtij ndryshimi”. Këto lloj akrobacish shërbejnë si prita të fundit kundër mundësisë së depërtimit të argumentit anti-pari përtej mburojave tradicionale.

Mirëpo megjithë përpjekjen e madhe të palëve të parisë, me sa duket shqiptarët janë ndërgjegjësuar se nuk ka asnjë dallim midis palëve dhe kauza rotacionale e ngjalave të 1 Prillit është një fasadë e keqe për vazhdimësinë e oligarkisë.

Nisma për votën me kryq synon transformimin afatgjatë të shoqërisë shqiptare dhe ky lloj transformimi rrënjësor është i mundur vetëm kur bazohet në vlera morale të shëndosha të një shteti komb të konsoliduar.

Vota me kryq nuk është në shërbim të njërës apo tjetrës palë të parisë. Vota me kryq nuk është një tentativë naïve adoleshentësh. Mbi të gjitha, vota me kryq është fillimi i kundërvënies të së mirës ndaj të së keqes, morales ndaj imorales, nderit ndaj krimit, dhe shtetit komb ndaj matrapazëve të panginjshëm të parisë së Tiranës.

Vota me kryq është e vetmja alternativë për të ruajtur nderin duke i shërbyer kombit me anë të votës. Shqiptarët duket se janë ndërgjegjësuar se vota me kryq do t’a trondisë nga themelet regjimin oligarkik të parisë së Tiranës. Ndaj edhe shqetësimi që po përjeton paria është i justifikuar. Vota me kryq është fillimi i fundit të tyre, dhe ata e dinë këtë.  Asgjë nuk mund t’a ndalë vullnetin e popullit për një fillim të ri.

VALBONA KARANXHA: AJO QË POLITIKANËT FSHEHIN NË 23 QERSHOR

23 qershori: Dita kur pushtetin në dorë e ka vetëm populli

23 qershori nuk është vetëm dita e votimeve për zgjedhjen e Parlamentit Shqiptar. Qëllimi i kësaj dite është që populli të ngrihet, të shkoj në qëndrat e votimeve dhe të ushtroj të drejtën e votës në një vend të mirëfillt demokratik. Mirëpo,  meqënëse popullit i është privuar  kjo e drejtë dhe i është marrë nëpër këmbë me mënyra të ndryshme manipulative, atëhere populli duhet sqaruar për disa gjëra përpara se  të shkoj në dhomën e ngushtë të votimit  të zgjedhe kandidatët e preferuar; të marr vendim të  votojë apo t’i verë kryqin votës.

Votime bënte dhe Enver Hoxha. Populli priste orën shtatë apo tetë të darkes për te marrë vesh pjesmarrjen e tij njëqind për qind në votime. Pra pjesmarrja ishte ajo që kishte rëndësi në kohën e Hoxhës, sepse të kandidatët ishin të caktuar, të përjetshëm dhe të një partie. Populli ngrihej në pesë të mëngjesit me daulle e firzamonika dhe kercente drejt qëndres së votimeve. Idea e popullit të dilte ne votime ishte  që t’i tregohej publikut ndërkombetar se Shqipëria komuniste po ushtron të drejtën e votës, dhe populli, nga ana tjetër të jetonte në iluzionin e ngritur nga qeveria e Hoxhes se është i lirë të votoj.

Të njëjtën politikë do të vazhdoj edhe sot 23 vjet ne “demokraci” oligarkia ose paria sunduese. Por kohërat kanë ndryshuar. Populli nuk është më sylesh, ai e di sa vlen dhe e di që ka në dore të ndryshoj fatin e tij duke ushtruar në të njëjtën kohë të drejtën e tij demokratike të zgjedh atë që mendon ai ose të hedh poshtë atë që nuk i mbush mendjen.

Ato parime demokratike që politikanët nuk duan të ndajnë me popullin i mbajnë për vete dhe e përdorin për ta manipuluar atë. Praktikisht, në ditën e votimeve, e vërteta qëndron se korniza kohore nga mëngjesi deri në darkë, (apo kurdo që qëndrat e votimeve qëndrojnë të hapura) është koha më e rëndësishme për votuesin. Në ketë segment  12-14 orë, votuesi shqiptar është ai që ka në dorë  më shumë se arrin ta kuptojë vet.

Pikërisht, në ketë dritare kohore, qeveria shfuqizohet, nuk ka vlerë, paçka se “teknikisht” ajo është në fuqi  deri sa të formohet e reja. Kandidatët nuk kanë asnjë fuqi ligjore, pushtetore. Gjatë kësaj dritare kohore populli ka në dorë një fletë të vlefshme, “Voten” e cila ka rëndësi dhe vlerë të artë, apo strategjike për vendosjen e demokracisë në vend. Me anë të kësaj flete populli do mundësoj  qeverinë e tanishme ose koalicionin e PS te drejtuar nga Rama dhe Meta  të vij në pushtet, ose do t’i largoj me vetdije një herë e mot nga pushteti.

Marrja në dorë e fletës së votës i jep fuqi të pakontestueshme votuesit gjatë kësaj dritare kohore. Pra, votuesi ka në dorë një pasuri që duhet të mendohet mirë kur e mbush dhe e hedh në kuti për arsyet e meposhtme.

Në momentin që votuesi voton për kandidatin, ateherë ai i ka besuar dhe dhënë të drejtën atij të bëj si të dojë me të ardhmen e tij dhe fëmijëve të tij.

Në momentin që votuesi voton për kandidatin, e shkarkon fuqinë që  ka në dorë (pra votën) dhe ja kalon kandidatit me fuqi të plotë ligjore, të pakundershtueshme per kater vjet të tjera, të cilën nuk ka mundësi ta marrë mbrapsh.

Në momentin që votuesi voton për kandidatin, pranon me dëshirë  dhe vullnet se  kandidati do ta përfaqsoj në parlament, do të flas për të, do marr vendime në emrin tij, do nënshkruaj ligje në emrin tij.

Në momentin që votuesi voton për kandidatin, i ka kaluar të drejtën ligjore që këta kandidatë të marrin vendime në parlament apo jashtë tij, për të cilat votuesi edhe mund te mos jetë dakort dhe që mund të bien në kundërshtim me idelologjinë e tij.

Në momentin që votuesi voton  për kandidatin, i ka kaluar te drejtën e vet-perfaqsimit  atij, dmth votuesi nuk përfaqson më veten, por folës për të, të drejtat e tij bëhet kandidati.

A është gati populli jonë t’ja kaloj këto të drejta Ramës, Metës, Berishës dhe koalicioneve përkatese?

Përderisa vota të jetë në dorën e popullit, kandidatët nuk kanë asnjë lloj pushteti apo fuqie ligjore. Ata presin ta marrin atë nga votuesi kur mbyllen kutitë e votimeve. Ky kalim pushteti nga populli tek kandidatët do ndodh pikërisht në kornizën kohore të  votimit të datës 23, i cili është moment vendimtar dhe delikat për popullin shqiptar. Prandaj, për të kuptuar drejt pushtetin të cilin e ka në dorë populli në këtë date duhet jo vetëm shpjeguar me kujdes, por populli duhet të vet-mbrohet nga manipulimet. Votuesi ka të drejtën e tij, të zgjedh, por edhe të abstenoj duke vënë kryq votës. Ky është një manifestim i cili shpreh hapur pakënaqsinë e tij ndaj kandidatëve dhe partive. Në këtë mënyrë populli tregon që kërkon rrugzgjidhje tjetër, dhe rrjedhimisht nuk ja kalon pushtetin në dorë asnjë kandidati ose partie.

Politikanët nuk e thonë asnjëherë që dita e votimeve është momenti të cilin ata vet nuk e kanë në kontroll, në dorë pavarësisht se në sy të popullit hiqen si konfident. Aq më tepër, në këtë fushatë zgjedhjesh, kur monitorimi dhe vëmëndja do jetë e madhe, vulnerabiliteti i kandidatëve do jetë i lartë. Në realitet, kandidatët në 23 qershor janë thjesht njerez të zakonshëm.

Andrew Cuomo (Andru Kuomo), governator i New York-ut thotë. “I want to be the candidate placed on the ballot by the people, not the party” Dua të jem kandidati i cili vihet në votë nga populli dhe jo nga partia.

Popullit shqiptar nuk ju dha mundësia ta ushtroj këtë parim demokratik. Krerët e partive  i bën listat vetë duke e lënë popullin jashtë tyre dhe nuk i dhanë mundësinë atij të zgjedhin kandidatët e vet. Populli me këto qeveri ndihet i shfuqizuar, sepse jo vetëm që nuk i  kanë treguar asnjëhere se ku qëndron fuqia e tij, por edhe fuqinë ligjore ja kanë vjedhur sistematikisht.

Kur krerët bën listat e kandidatëve, popullin e spostuan, izoluan,  injoruan, por në të njëjtën kohë harruan se në 23 qershor, populli ka të drejtë t’i hedh poshtë vendimet e tyre dhe te nullifikoj listat e kandidateve duke venë kryqin atyre. Në 23 qershor populli ka të drejtë të ndal një herë dhe përgjithmonë politikën e korrupsionit, të pa-aftësisë të mashtrimit dhe bashke më ndalimin e saj t’i hap rugën praktikave demokratike. Paniku është normal në situata të tilla, por nuk duhet harraur që militantët janë ata që përhapin panikun për të mbajtur politikanët të cilët në 23 zhvishen nga çdo lloj fuqie  politike. Populli në Shqipëri nuk duhet të harroj asnjehrë që nuk është  vetëm, mbas tij qëndron me mijra shqiptar brënda dhe jashtë të cilët do ta mbështesin dhe shumë  organizata kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat kanë për synim rivendosjen e demokracisë në Shqipëri.

GRID RROJI: AMERIKA DHE ZGJEDHJET

Vizita e fundit e Drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit z. Xhonatan Mur dhe konferenca e tij me disa gazetarë të përzgjedhur është ngjarja që ka kapluar publikun shqiptar në këto të nxehta fushate zgjedhore.

Takimi me median ishte i menduar mirë, gjë që u vu re edhe nga përzgjedhja e kujdesshme e gazetarëve dhe opinionistëve në takim por edhe nga përzgjedhja e atyre që nuk ishin. Po ashtu, z. Mur ka një mënyrë të shprehuri shumë të kujdesshme dhe brenda kornizave diplomatike, e cila është e perfeksionuar me siguri gjatë një periudhe të gjatë shërbimi në diplomaci.

Siç pritej reagimet mbi deklaratat e tij ishin në varësi të pozicionimit politik të palëve. Edhe pse aty ishin thirrur gazetarë dhe jo politikanë, të gjithë ishin të qartë se po i flitej tjerakujt.

Ndër kalemxhinjtë e Berishës vihej re një eufori e përmbajtur e tipit “eh ç’ja futi Marshalli edhe këtë herë Ed Shalëgjatit”. Ata ju gëzuan shumë faktit që problemi i KQZ-së është tashmë “problem i të dyja palëve” dhe se zgjedhjet “garantohen edhe nga Kolegjit Zgjedhor”. Duke ju gëzuar asaj që ata e interpretuan si “fundosje” të Ambasadorit Arvizu në lidhje me vlerësimin e situatës në KQZ ata u përpoqën që t’a milnin sa më tepër bashkëbisedimin. Më kakareçi* ndër ta ishte aq i entuziazmuar sa bëri një pyetje që jo që se kuptoi as vetë, por do i kishte nxjerrë problem të kuptuari edhe dijetarit të madh kinez Lao Cë.

Ndër kalemxhinjtë e Ramës, vihej re qartazi një tis zhgënjimi me gjuhën diplomatike e sidomos me fajësimin e të gjitha palëve politike për situatën e ngërçit politik në përgjithësi, dhe atij në KQZ në veçanti. Më kakareçi ndër ta u shpreh pas takimit se kot e paskësh humbur kohën e tij të vlefshme. Sigurisht që herën tjetër ambasada do bënte mirë të mos e ftonte sepse kësisoj ja kursejnë kohën, edhe pse besoj se në fund të fundit një shërbim i është bërë publikut shqiptar duke mos i lënë kohë atij të shkruaj atë ditë.

Ajo që duhet të na bëjë më shumë përshtypje është fakti se megjithëse ka njëzet vjet që politikanët tanë japin e marrin me ambasadorë, zv. Ambasadorë të fuqishëm, sekretarë politikë, zyrtarë të Departamentit të Shtetit të të gjitha niveleve, si dhe megjithëse një numër i konsiderueshëm shqiptarësh diplomohen çdo vit në katedrat e Amerikës, ende nuk e kanë mësuar abc-në e një diplomacie serioze si ajo amerikania. Si shqiptaro-amerikan dhe si studiues i fushës dëshiroj të ve në dukje disa nga mesazhet e qarta që vijnë nga Amerika për Shqipërinë bazuar në deklaratat publike të zyrtarëve amerikanë dhe Ambasadorit Arvizu.

Së pari, mesazhet diplomatike nuk mund të dalin nga kornizat profesionale të diplomacisë, siç do dëshironin disa, sepse ky është përkufizimi i profesionalizmit në diplomaci. Z. Mur nuk e ka për herë të parë një detyrë të tillë ( në shtete serioze e sidomos në SHBA nuk bëhesh drejtor duke paguar tek selia e partisë përkatëse) dhe as nuk mund t’a ulë nivelin e diskutimit në llumnajën që i kërkon niveli politik shqiptar. Insinuatat se politikën e jashtme amerikane mund t’a bëjnë lobistë sado të fuqishëm si Grupi Podesta tradhtojnë në rastin më të mirë naivitet, e në rastin më fatkeq padije të thellë. Madje pikërisht këtë lloj naiviteti të publikut dhe padije të medias shfrytëzojnë më së miri këto grupe për të mjelë paratë nga grupet mafjoze përkatëse në Shqipëri. Nuk duhet të harrojmë se lobimi është aktivitet ligjor në SHBA brenda disa parametrave të caktuar. Gjithashtu, nuk duhet harruar edhe se diktatorë si Gadafi dhe Mubaraku paguanin shumë herë më tepër se sa mund të paguajnë bandat politike shqiptare por kjo nuk jua zbuti dënimin e merituar që ju dhanë popujt përkatës. Madje, disa muaj para rrëzimit të qeverisë së tij Gadafi i tregonte paturpësisht shtypit ndërkombëtar “dobësinë” që kishte krijuar për ish Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs i bindur tek paprekshmëria e vet. Mirëpo, qeveria amerikane është serioze, flet me gjuhë institucionale dhe interesat e SHBA-ve nuk i përcaktojnë lobistët.  Ndaj, Z.Mur flet me gjuhë diplomatike por duke shprehur parametra të qartë e të pakundërshtueshëm.

Së dyti, z. Mur dhe disa të tjerë që merren me çështjen e Shqipërisë janë fort të informuar mbi shkallën e pocaqillëkut që karakterizon skenën politike shqiptare, si dhe me flamurmbajtësit e palëve.  Ata e dinë se politika shqiptare sundohet nga banda mafjoze, ata e dinë se tashmë bandat jo vetëm nuk ruhen më nga sytë e publikut por banditët pretendojnë vende në parlament për t’u siguruar se nuk preken.  Ata e dinë po ashtu se retorika politike në Shqipëri është një fasadë e keqe e një parie sunduese e cila e urren popullin e vet. Ata janë të ndërgjegjshëm se zgjedhjet e ardhshme janë tejet të rëndësishme për popullin shqiptar, por edhe se bandat mafioze të politikës kanë interesa jetike në to. Po ashtu, ata e kuptojnë se këtyre bandave ju intereson më mirë t’a marrin peng proçesin se sa t’i nënshtrohen vullnetit të popullit.

Nuk është detyrë e tyre të gjykojnë e as të japin vlerësime publike mbi takimet që kanë me të ashtuquajturit udhëheqës shqiptarë të bandave mafioze të politikës. Detyra e tyre si përfaqësues të një shteti mik dhe aleat të Shqipërisë është t’u tregojnë të ashtuquajturve udhëheqës se cilat do ishin zgjidhjet më të mira, si dhe t’u tregojnë atyre ku e kanë kufirin në raport me interesat e SHBA-ve. Nuk është absolutisht detyra e tyre të përzgjedhin se me cilët të ashtuquajtur udhëheqës  do të bashkëbisedojnë. Kjo është detyra jonë dhe i përket vetëm shqiptarëve t’a bëjnë.

Së treti, Shqipëria është një vend mik dhe aleat i SHBA-ve( siç e ripërsëriti së fundmi në Uashington Ndihmës Zëvendës Sekretari Fillip Riker) dhe për këtë arsye Amerika do të jetë në të ardhmen e parashikueshme një pikë unike mbështetjeje jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë shqiptarët. Një pjesë të rëndësishme të kësaj mbështetjeje e ka komuniteti shqiptaro amerikan.Megjithëse më i pakët në numër në krahasim me diasporën në Greqi dhe Itali, kjo bashkësi është nga më vibrantet dhe më të arrirat edhe për shkak të mundësive dhe lirive që ofron demokracia amerikane. Kësisoj, ata që kërkojnë të përfitojnë nga një “përkeqësim” i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane për interesat meskine të bandës mafioze që përfaqësojnë janë të destinuar të zhgënjehen në pritshmëritë e tyre në afatin e shkurtër dhe të gjatë. Ata mund t’a kenë ndarë pushtetin sot me anë të pakteve të ngjalave, por nuk duhet t’i gënjejë mendja se i kanë vënë në gjumë shqiptarët apo miqtë e tyre.

Zgjedhjet që po afrojnë nuk janë të bandave mafjoze të politikës shqiptare të cilat luftojnë për mbijetesë. Zgjedhjet janë të të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, atyre që votojnë dhe atyre që nuk votojnë, atyre që u përdoret emri dhe atyre që u paguhet bileta për të votuar, por edhe i emigrantëve të cilët financojnë shtetin shqiptar i cili sakaq ua mohon të drejtën e votës. Ndaj, dhe SHBA-të theksojnë se ata që kërkojnë t’i përdorin zgjedhjet si mjet politik për t’i përçarë shqiptarët në vend që t’i bashkojnë, për t’a rrënuar stabilitetin në vend që t’a forcojnë, për ta minuar demokracinë në vend që t’a zhvillojnë do t’a vendosin veten në rrugë përplasjeje me SHBA-të.

Së katërti, dua t’i rikthehem rolit të medias në informimin e publikut. Gazetarët e përzgjedhur për të marrë pjesë në takimin me z. Mur ishin- me përjashtim të kakareçëve të cilët duheshin për garniturë- më profesionalët në vend. Është e habitshme që në një vend me një treg gazetarie kaq të vogël sa ky i joni të kemi një numër të konsiderueshëm profesionistësh me ekperiencë të cilët dinë t’a kryejnë profesionin. E megjithatë, media shqiptare ka kohë që është dorëzuar për t’u bërë edhe ajo një pjesë e parisë së Tiranës. E ndarë në klane përkatëse, me përjashtime të vogla, ajo jo vetëm që nuk informon por as që merr mundimin të dalë nga strofulla e ngrohtë dhe e rehatshme e TIranës për të matur pulsin e shqiptarëve.  Ndoshta një mesazh i tërthortë i bashkëbisedimit me median i z. Mur ishte pikërisht dërgimi i një sinjali medias të fillojë të luajë rolin e vet të domosdoshëm si përçuese e së vërtetës, në interesin e vetëm të publikut shqiptar.  Unë kam besim se media shqiptare i ka kapacitetet e nevojshme.

Në vend të mbylljes, zgjidhjet nuk duhet t’i presim të na vijnë me parashutë nga Amerika, ato duhet ti gjejmë ne shqiptarët. Në këto zgjedhje ka ardhur koha që t’i tregojmë bandave kriminale të parisë së Tiranës se ne nuk pajtohemi më me gjendjen llumnajën që ato kanë krijuar për të na sunduar. Për të mundësuar një fillim të ri duhet së pari t’u japim sinjalin se gjendja aktuale është e papranueshme. Për disa kjo do të përkthehet në votimin e forcave të treta, për të tjerë duke ju përgjigjur nismave për t’a zhvlerësuar votën me kryq apo sido tjetër. Ajo që ka rëndësi është t’i tregojmë parisë se ne nuk pajtohemi me gjendjen.

BOJKOTIMI I ZGJEDHJEVE: HAPI I PARE DREJT DEMOKRACISË SË VËRTETË

Në shtetin shqiptar do të ketë zgjedhje por nuk ka zgjidhje. Të gjithë këta janë pjesë organike e parisë së Tiranës. Ata përfaqësojnë interesat e një grushti oligarkësh ekonomikë e politikë të klaneve kriminale të drejtuara nga Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta dhe të tjerët. Ja disa nga arsyet pse duhen bojkotuar zgjedhjet:

Unë them se të gjithë këta nuk kanë pikë dashurie për popullin shqiptar, nuk kanë pikë dhëmbshurie për të varfërin, nuk kanë mirëkuptim për të pamundurin, nuk kanë mëshirë për të mjerin, nuk kanë vetëdije shoqërore e mendësi shtetari. Ti mund të shkosh të votosh për cilin të duesh nga këta por asgjë nuk do të ndërrojë. Prapë do të jesh pjesë e një populli që këta e quajnë “këta pisa.” Prandaj duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Unë them se këta nuk punojnë për ta vënë shtetin në shërbim të të gjithë shqiptarëve por vetëm për ta vjedhur e grabitur për veten e tyre. A nuk të mjafton ajo që sheh e përjeton përditë? A nuk i sheh se si i vodhën të mirat që u prodhuan me aq mund e gjak e që u përkisnin të gjithëve, i ropën shqiptarët nga e mira publike e kolektive, i shitën pasuritë e vlerat, i shfrytëzuan si deshën vetë burimet e shtetit? A nuk e sheh se si na kanë zhytur në borxh publik, na kanë mashtruar, rrejtur, dhe grabitur? Në se ua jep votën këtyre, cilitdo prej tyre, do të bëhesh pjesë e krimit të pashembullt që u luajt kundër shqiptarëve. Prapë do të jesh pjesë e një populli që këta e urrejnë, e neverisin dhe e përbuzin. Por do të jesh si ai që e lë pasurinë në dorën e hajnave. Prandaj duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Unë them se këta do të bëjnë gjithcka që munden që të vazhdojnë degjenerimin e zvetënimin e shoqërisë shqiptare. Këta që nuk e lëvizën as gishtin kur kriminelët e banditët më të fëlliqtë trafikuan cdo gjë të shenjtë që ne kishim, kur shoqëria shqiptare jetonte nën terrorin e bandave që punojnë për ta nuk kanë ndryshuar. Këta që nuk kanë pasur mëshirë për asgjë, nuk do të kenë mëshirë për ty nesër. Këta që kanë trafikuar fëmijë, vajza, armë, drogë, e gjithcka tjetër nuk do të kenë mëshirë për ty e për familjen tënde nesër. Prandaj duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Unë them se këta kanë vetëm një Zot që është paraja. Për para këta kanë shitur shpirtin e tyre, për para këta do të bëjnë gjithcka që u thotë shpirti i tyre i uritur e meskin, sepse skllevërit e zvetënuar e të ndërgjegjshëm të një sistemi nuk bëhen dot bukëdhënës e frymëzues për brezat e ardhshëm. Këta duan të pasurohen me cdo kusht. Tani që nuk kanë ku marrin, ku të vjedhin, ku të privatizojnë, ku të korruptohen, do të drejtohen të të hanë ty me gjithë kocka, me gjtihë atë pak mall që ke, gurë e tulla që i quan pasuri, me atë apartament ku fut kokën, me atë grusht parash që i ke ruajtur për ditën e zezë. Sepse këta nuk njohin gjë tjetër vec erës së parasë. Prandaj, duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Unë them se këta duan të na skllavërojnë e të na bëjnë që të punojmë për bukën e gojës. Këta e kanë sjellë punën që për bukën e gojës njerëzit shesin nderin. Ata që sot shesin nderin, nesër do të shesin jetën e fëmijët e tyre. Sepse këta e dinë shtegun se si të skllavërojnë njeriun. Sot të bëjnë të dalësh në miting, të kërcënojnë me vendin e punës, të mbajnë varur, të korruptojnë, të degjenerojnë si duan ata vetë. E mendon se do të ndryshojnë nesër? Duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Unë them se duke mos ua dhënë votën këtyre je duke treguar karakter dhe virtyt qytetar. Këta duan të të kthejnë në kafshë me të drejtë vote. Këta duan të të kthejnë në injorant me diplomë. Këta duan të të kthejnë në pronar në tokën e paligjshme por nën kontrollin e tyre. Këta duan të të kthejnë në njeri që shet nderin për paranë. Këta duan të të kthejnë në njeri që për jetën e vet shet fëmijët e vet. Këta duan të të kthejnë në njeri që kurvninë e konsideron virtyt, që poshtërsinë e konsideron zgjuarësi, që maskarallëkun e sheh si sjelljen burrënore. Këta duan të të kthejnë në qorrshurdhmemec politik që pranon vjedhjen massive e krimin që kanë bërë këta vetem për të siguruar mbijetesën e ditës e bukën e gojës. Duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Une them se duke mos ua dhënë votën këtyre horrave e maskarenjve ti po tregon se ende ka shpresë për shqiptarët. Sepse bojkoti nuk është qëllim në vetvete. Bojkoti është hapi i parë në rrugën e vështirë të ndryshimit, të fillimit të ri, të një rruge që do të bëjë një shoqëri normale. Bojkoti i këtyre zgjedhjeve ua heq lustrën shfaqjeve publike që kushtojnë miliona euro e që nuk bëjnë asgjë për ty. Bojkoti është hapi i parë me pa rrotull e me kuptue se ka të tjerë që nuk e duan këtë gjendje. Bojkoti është hapi i parë me u nda me të keqen. Bojkoti është momenti kur ti shkëputesh nga kontrolli i ujkut që të ka kapur për fyti. Sepse ti mund të bësh c’të duash, këta duan vetëm të pinë gjak. Po ta kuptosh se vota është plumb, atëherë nuk do të bësh vetëvrasje duke ua dhënë votën këtyre por do ta drejtosh votën-plumb aty ku duhet.

Unë them se kombi shqiptar ka shumë shembuj që duhen ndjekur, ka djem e vajza që duan të japin gjithcka. Kërkoji në rrugën tënde. Aty janë. Ata janë ti, motra, vëllai, djali e vajza, mbesa e nipi, shoku e shoqja, ata që ty nuk ta merr mendja, sepse janë edhe në kalimtarët e rrugës dhe në ata që ti nuk I njeh sepse nuk të lë llapaqenëria mediatike. Ata që nuk ta mbushin mendjen por që duan të punojnë për të mirën e shqiptarëve, për një shtet-komb normal, për një ekonomi kombëtare, për një shoqëri që e mbron nderin e dinjitetin e qytetarëve të vet, për një system shoqëror që mbron të pamundurin, të varfërin, fëmijët, gruan shqiptare janë aty me ty.  Ata njerëz janë e nesërmja jote. Duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve por bëhesh pjesë e zgjidhjes që fillon me dështimin e me cjerrjen e maskës së kësaj parie kriminale.

Unë them se edhe po nuk pate besim se dick aka me ndodhë, mos u bëj pjesë e të keqes. bojkoti eshte qe te mos shkosh fare te votosh. ama, nese shkon e voton, voto ndërgjegjen tënde. Vëru një vizë të gjithëve. Kur të dalësh nga salla do të shohësh ata komisionerët e shitur që rrinë aty gati për të vjedhur të ardhmen tënde por do të jesh i ndërgjegjshëm se ata do të vjedhin votën, por nuk mund të vjedhin nderin e ndërgjegjen. Mos voto për sot, mendo për nesër. Sepse vota e jote vendos të ardhmen tënde dhe të fëmijëve tuaj. Sepse vota që hedh është plumb dhe moa ia drejto atë plumb fëmijëve tuaj. Drejtoja atyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të shfrytëzojnë, e të të grabisin, të të rrjepin e të skllavërojnë. Sepse jemi një hap në buzë të greminës dhe cdo votë kundër parisë, cdo votë për bojkot, e mbush të ardhmen me shpresë. Vuri një vizë të shkuarës. Duhet një fillim i ri, dhe cdo fillim i ri fillon me ndarjen nga e shkuara, sidomos kur ajo është kaq e zezë dhe e vuajtur sa e shkuara e ne shqiptarëve.

INTERVISTE ME Z. JAKUP GJOCA TE GAZETES “TELEGRAF” 05.28.2013

Zoti Rama, si do ta vlerësonit aktualitetin politik në Shqipëri, në këtë pragzgjedhjeje?

Kur shihet me objektivitet, gjendja është katastrofike. Shteti shqiptar sundohet me dorë të hekurt nga paria e Tiranës që është një grup familjesh mafioze që tashmë e kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë. Kjo pari politike është edhe paria ekonomike e kulturore, sepse shumë nga prijatarët e këtyre familjeve e përdorën dijen që kishin fituar brenda e jashtë vendit, për t’u afirmuar si figura qendrore të tranzicionit. Po ashtu edhe profesionistët e rinj që dolën nga radhët e tyre u bënë biznesmenë, politikanë, edhe mafiozë duke u integruar në strukturat e parisë. Shtoi këtyre edhe botën e pasuruar marramendshëm të krimit. Fuzioni i këtyre tre lloj segmentesh çoi në transformimin e parisë shqiptare që tani është thelbësisht një pari politike oligarkike – sepse janë shumë pak familje që kontrollojnë shtetin, politikën; plutokratike – sepse 80% e pasurisë kombëtare është përqendruar në duart e 4% të shoqërisë shqiptare; kleptokratike sepse shteti është i kapur; dhe është pari mafioze sepse aleanca e parisë politike me klanet mafioze është konsoliduar deri në atë pikë saqë politikanët janë thjesht instrumente të klaneve mafioze dhe tani I ke mafiozët si kandidatë për deputetë. Në drejtimet kryesore, shteti është I falimentuar, ekonomia është përtokë, shteti dhe njerëzit janë të mbytur në borxhe, rinia është pa shpresë, mosha e tretë janë pa mbrojtje, shteti e ka humbur sovranitetin, zvetënimi moral ka arritur nivele katastrofike, trafiqet e drogës, të fëmijëve, të armëve e të njerëzve po lulëzojnë, e kështu me radhë. Por gjendja është bërë edhe më e frikshme nga sulmi që paria I bën shtetit. E vetmja rrugë pasurimi që këta kanë gjetur është që të kapin shtetin. prandaj edhe poltiika është në plan të parë, hidhen miliona euro në fushatë, për të maskuar realitetin dhe për të fituar legjitimitetin. Megjithatë, këto miliona nuk e fshehin dot gjendjen e krizës së thellë.

Nëse edhe të hënën nuk rikompozohet KQZ-ja, a mund të shkojmë në zgjedhje me KQZ me 4 anëtarë?

Në zgjedhje mund të shkohet gjithsesi por besoj se KQZ do të plotësohet në minutën kur s’mban më, ose me pak presion e me një shitje alla TV Klan publikut, sikur dicka ndodhi, d.mth. do te paraqitet loja sikur do te kete presione formale nga jashte, ose sikur, me nje shkelje syri, “është në interesin tonë.” Por po nuk qenë krejt të sigurtë për numrat, dhe duket se nuk janë, sepse numrat jane ne kufinjte e 71-69 do të bëjnë gjithcka që të minojnë legjitimitetin e zgjedhjeve, që edhe keshtu janw te kompromentuara. Shkurt ne zgjedhje mund te shkohet edhe me 4 anetare. Do të luhet loja e lënies së fajit kundërshtarit dhe do të vazhdohet sikur kjo gjë nuk ka rëndësi.

Mosgjetja e kompromisit, mund të jetë 100 % faj i maxhorancës?

Këta i bëjnë të gjitha pisllëqet bashkë. Përqindja e fajit nuk ka rëndësi.

Opozita a ka kontribuar sa duhet në gjetjen e konsensusit për të kapërcyer konfliktualitetin e KQZ?

Edhe pse sundojnë bashkë, këta nuk i besojnë njëri tjetrit dhe e vetmja mënyrë që mund të mbijetojnë është duke krijuar sherr. Sepse nuk eshte vetem sherri per KQZ, tani po shohim se sherri po perhapet si zjarri ne te gjitha nivelet. Sa me shume afron data e zgjedhjeve, aq me shume rritet mundesia e perplasjes. Menyra se si eshte ndertuar sistemi politik dhe vete sistemi zgjedhor krijojne mundesi per perplasje te vazhdueshme dhe qe mbetet endemike dhe e rrezikshme.

Mund ta perceptojmë si sfidë politike nga politika ( maxhorancë e opozita, veçmas apo bashkarisht) mosmarrjen parasysh të apeleve të ndërkombëtarëve për një KQZ të pavarur, apo qëllimi i marrjes së pushtetit me çdo çmim, ngrihet mbi çdo parim dhe ligj nga forcat politike?

Institucionet zgjedhore janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme, si në strukturë ashtu edhe në drejtim të legjitimitetit e të besueshmërisë. Le t’i rindërtojë sa herë që t’ia ketë qejfi parisë së Tiranës, por tashmë, në kulm të fushatës, cdo rikonstituim do të ndodhë me një cmim të kripur të humbjes së legjitimitetit. KQZ është e diskredituar, le të cojë kë të dojë opozita, me 1 Qershor ose me 15 qershor. Po ashtu, KZAZ-të do të jenë edhe më të diskredituara, ashtu si edhe komisionet dhe e e gjithë struktura zgjedhore. Sa më e madhe frika e parisë për humbjen e zgjedhjeve, aq më e madhe do të jetë edhe  ndërhyrja politike. Nuk duhet shumë për ta ndalur motorrin, vetëm ca kokrra rërë e pak ujë. Pasoja do të jetë përplasja e pashmangshme në njërin nga tre nivelet institucionale. Kolegji zgjedhor nuk pi ujë. Rëra do të hidhet në qendrat e votimit.

Në parim, ndërkombëtarët nuk duhet të ndërhyjnë. Por këta ndërhyjnë sepse kanë interes për të ruajtur stabilitetin. Mirëpo stabiliteti që duan të huajt është formal. E nga ana e tyre, këta politikanët tanë e duan pushtetin me cdo cmim. Në këto kushte kur duket se numrat do të jenë aty-aty, tundimi është shumë i fortë për me i vjedhë votat dhe me e shtye fitoren nga ana e vet.

Me një fjalë, kjo është thjesht llogari. Nuk e di për cfarë sfide politike flisni ju, këtu politika bëhet me stërkëmbsha. KQZ është institucioni më i varur politikisht në shtetin shqiptar. Atje dergohen njerëzit më të besuar politikisht. Ja, dy ish-kryetarët e KQZ në momentet kritike, Ilirjan Celibashin dhe Arben Ristanin I ke në lista të sigurta. Nuk e kanë ndrruar mendjen në një ditë këta, vegla kanë qënë, si vegla po sillen. Se mos beson njeri qe Lefteri lleshi, Jani Jani apo Ilirjan Muho ishin te paanshem.

Nëse nga një pjesë e opinionit asnjanës, shprehet se maxhoranca e sotme është lodhur, është konsumuar në 8 vjeçarin qeverisës, ju si e shpjegoni që opozita, e sidomos PS-ja nuk ka marrë atë përqindje besimi të elektoratit- të paktën atë që tregojnë sondazhet, por është e barabartë me PD-në?

Po për cfarë besimi flisni? këta janë të gjithë hajna e maskarenj, këtë e dinë të gjithë, edhe këta vetë. Këta e kanë mendjen me vjedhë nga thesari i shtetit. Populli ka nisur ta kuptojë më në fund se kjo është loja e tyre. Kur dikush del e vjedh si bandë i ndajnë punët. Njëri të vjedh dhe tjetri të merr me të mirë. Njëri bën si mirë “hajde ti se e zgjidhim këtë punë më kallzo cfarë të ndodhi” tjetri të vjedh paratë e ikën dhe në darkë i ndajnë bashkë. PS dhe PD janë dy duar të një trupi. Njerëzit e kanë kuptuar me kohë dhe tani e kuptojnë më qartë këtë. Këta janë të diskredituar, jo të lodhur. Se kur vjen puna me vjedhë, këta punojnë 24 orë, shtatë ditë në javë.

çfarë duhet të shpresojnë shqiptarët nga rezultari i 23 Qershorit?

Asgjë. Do të jetë e njëjta gjendje. Të njëjta zare janë hedhur edhe një herë, me përdorë gjuhën e Tiranës, hep-jek, shesh-besh.  Në rastin më interesant, do të ndrrojë hajnat, në krye të shtetit. Kaq.

Sa vlerë reale ka miratimi i 3 ligjeve, kur ndërkohë, po këta ligjbërës, kanë shkelur Kodi Zgjedhor për KQZ-në, duke  hedhur në erë mirëbesimin dhe legjitimitetin e procesit zgedhor?

Po asnjë farë vlere nuk ka. Kjo është thjesht demagogji e propagandë për budallenjtë që duan të besojnë diku, te dicka që do të ua zgjidhë të gjithë hallet. Këta kanë gjetur këtë përrallën e integrimit. Shqiptarët duhet ta ngulin mirë në kokë: nuk ka integrim për shqiptarët. Integrimi duhet të ndodhë midis shqiptarëve vetë. BE është në krizë, ka thënë se nuk ka zgjerim deri në vitin 2027, dhe ne flasim për integrim, kemi parti integrimi, qeveri integrimi dhe tani duam të heqim edhe vizat për në SHBA! Pastaj, kush ka besuar ndonjëherë në procesin zgjedhor???? Po kush beson??? Mulliri i tyre i propagandës bluan fare pa kokrra por kjo tregon nivelin e përbuzjes që këta kanë për shqiptarët.

A ka interes qe ky sistem politik të ndryshojë për të mirë?

Paria nuk ka interes. Populli ka. Të huajt duan stabilitet. Se cfarë bëjmë ne me veten, është problem i jonë. Por duhet punuar fort dhe I duhet treguar popullit se cila është rruga. Koha ka ardhur për një fillim të ri dhe ai nuk vjen dot nga paria. Çdo ditë e më tepër kjo bëhet e qartë si drita e diellit. Nevoja për ndryshim është e pashmangshme. Ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar dhe të mbështetur në themelet e forta të elementëve të mëposhtëm. Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb. Së dyti, në një sistem politik demokratik. Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj. Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar. Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin kombëtar. Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes, në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore. Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë. Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive. Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve. Më në fund, por jo më e fundit, ndërtimi i strukturave funksionale të një sistemi të partive politike i cili të avancojë e të mbrojë interesat e bashkësisë ligjore-politike me mjete legjitime demokratike.

Çdo përpjekje për ndryshim, qoftë në formën e një programi politik, qoftë në formën e një pakete ndryshimesh ligjore, qe nuk mban parasysh këto parime themelore, është e destinuar që të dështojë. Këto elemente janë pjesë e pandashme e çdo projekti për shërimin e përmirësimin e gjendjes. Por, ata që marrin përsipër këtë detyrë, duhet të jenë të përgatitur që të përplasen me një pari që do të përdorë çdo mjet në dispozicionin e saj, edhe në format ekstreme të dhunës e të terrorizmit shtetëror. Rruga është e qartë.

A mund të reformohet së brendshmi ky sistem politik, ekonomik, shoqëror, dhe kjo kastë (klasë) politike 22 vjeçare, e cila është ndërtuesja e interpretuesja e këtij sistemi?

Po nuk priten pushtues qe te na bejne njerez. Sepse pushtimet bejne skllever e jo njerez. Dhe ne I kemi pasur rreth e rrotull te huajt tash 22 vjet dhe nuk janë të zotët të na bëjnë përsëmbari. Ne kemi shtetin tone, le te ndertojme strukturat qe na ndihmojne me arrite objektivat e shoqerive normale, d.m.th., sigurimin e jetes, te nderit, te dinjitetit, te begatimit e te mbrojtjes per popullin tone.  sistemi mund ët reformohet nga brenda, dhe ai do te ndryshohet e përmirësohet me përfshirjen e popullit, të rinisë, të emigrantëve të edukuar jashtë dhe të profesionistëve, qoftë edhe në moshë, në politikë.

Edhe pse do të jetë një ndeshje sy për sy e dhëmb për dhëmb, do të ketë vend edhe për parinë. Gjithkush duhet të funksionojë në një shtet normal që ka shtërngesa ligjore të forta, ata që kanë bërë krime të dënohen, por të gjithë duhet të kenë mundësinë të ndryshojnë për mirë.

Duke qënë se Koalicioni i së majtës, ka LSI-në, e cila bashkëqeverisi për 4 vjet me PD-në, besoni se do të kemi rotacion politik, nëse fiton apo do të kemi Ndryshimin e progresit të kërkuar e të dëshiruar?

Po cfarë rrotacioni, more aman? Këta e kanë mendjen tek rradha e pirjes së gjakut. Politika shqiptare është si politika e cimkave. Ato rrinë gjashtë vjet pa pirë gjak por kur fillojnë kanë etje pwr tw pirw sa për gjashtë vjet. Këta duan të jenë si cimkat. Të pinë gjakun tonë, dmth, të vjedhin sa të munden, në gjashtë muaj të pasurohen për gjashtë breza, dhe mandej flasin për rrotacion. Nuk e kam parë një politikan të dalë e të lypë për bukën e gojës, të ecë në këmbë, të cojë fëmijët në shkollë publike, të bëjë punë vullnetare. Asgjë e re. po përziejmë kazanin e plehrave politikë. Këta ishin në qeveri dolën tre muaj në opozitë. Demokracia nuk është rrotacion, demokracia është që të bëhet zgjedhja më e mirë. Zgjedhjet që kemi ne janë mizerje dhe të dyja të këqia e prandaj duhen refuzuar. Gjarpëri blu e gjarpëri rozë. Ku ëështë dallimi?

A duhet të jetë kushtëzimi i këtij Ndryshimi demokratik, që shtrohet domosdoshmëri nga zgjedhjet e 23 QERSHORIT, rishikimi i Kushtetutës, për të korrigjuar ato ndryshime që u bënë në 2008-n, pasojat e së cilës është përqëndrimi i të gjitha pushteteve në një dorë?

Kushtetuta duhet rishikuar e ndryshuar sepse nuk funksionon. Po kush do ta bëjë? Këta punojnë për vete. Si thonë myzeqarët, gjeti buallica baltën dhe ra rehat.  Edhe ndryshimet do ti bëjnë kur iu intereson dhe si iu intereson. Dhe do të rrinë po aty ku janë tani. Këtu duhet ndrruar kushtetuta, dhe duhet bërë funksionale e duhet vënë në shërbim të mirëfilltë publik struktura e shtetit. Kush do ta bëjë? Hajnin kur e bën polic e ka mendjen prapë me vjedhë. Këta kanë të njëjtën mendësi. Duhet një forcë e re, me njerëz të rinj dhe me mendësi tjetër.

Të paktën këtë premtim nuk e kemi dëgjuar nga opozita. Mendoni se nuk është ky prioriteti i saj strategjik?

Opozita don me cdo kush të kapë kontrollin e shtetit. I ka marrë uria keqas dhe nuk shohin gjë vec parave. Këta duan marrëveshjen me Saliun dhe I thonë “ik me nder.” Aty është e gjithe puna, na e lësho karriken ne. si e thashë më lart, këta nuk kanë ndërmend me ndrrue gjë.

A është Edi Rama lideri i cili mund të realizojë ato tranformime demokratike që nuk janë realizuar 22 vjet deri tani dhe ta çojë Shqipërinë në BE, apo është udhëheqësi i forcës politike më të madhe opozitare?

Po cfarë demokracie? Në cfarë bote jetoni ju?  Këtu është oligarki, këta janë hajna, këta vjedhin bashkë. Edi Rama, Sali berisha Ilir Meta, Fatmir Mediu e me radhë. Këta do të sillen katër vjet rreth mullarit të barit të thesarit dhe aty mbaron puna. Nuk ka BE për ne, ta heqin nga mendja shqiptarët.

Integrimi deri tani është mbajtur peng i mosgjetjes së konsensusit pozitë-opozitë. Përse duhet të jemi optimistë, se çdo rezultar zgjedhor, mund të ndihmojë, që pozita-opozita do të kenë vullnetin politik-kësaj here- për të bashkëpunuar për integrimin?

Po cfarë pengu? BE nuk don qe shteti shqiptar te jete pjese e BE. Duhet të jemi optimistë? Po asgja nuk ka me ndodhë. nuk janë tre ligjet problem. Këta janë bashkë por nuk është integrimi që nuk ka me ndodhë zgjidhja. Sepse ashtu I thuhet që të ngopesh me lugë të zbrazur. Zgjidhja është bojkotimi, vota e bardhë, vota kundër, ndërtimi i një koalicioni qytetar për liri e demokraci. Këtu duhen bërë bashkë këto grimcat e shoqërisë civile që synojnë ikjen nga kontrolli i parisë. Ose duhen mbështetur alternativat që janë jashtë strukturave të këtyre, si dy partitë që do ju krijojnë probleme të dy koalicioneve si FRD e AKZ ose duhet ndërtuar një strukturë civile me inisiativat “Bjeri Vize”, “Vota e Bardhe,” Levizja “Vota e Protestes”, “Hiqu Kryq,” Blogun “Demokracia Direkte” dhe ata të tjerët që kanë thënë tash sa vite, “Bojkot: Vota Shkon Kot.” Sepse, nuk ka më zgjidhje të tjera. Po nuk u veprua kështu, këta prijatarë të parisë së Tiranës do të dalin e të thonë se ju na e dhatë të drejtën të bëjmë të keqen që bëmë, sepse në kaq ditëm, nuk kishte të tjerë, dhe ju na zgjodhët, nuk iu detyruam ne. Se ja shih edhe koalicionet që kemi ndërtuar, ju i zgjodhët. E sa për integrimin ajo është një përrallë e parealizueshme.

MURAT ALIAJ: SHQIPЁRIA PЁRBALLЁ VETVETES

Ne shqiptarëve për 45 vjet rresht na mungoi bota dhe jetuam të rrethuar brenda telave me gjemba. Për nje jetë të tërë na ka munguar e do na mungojë atdheu. Në kërkim të tij po rropatemi prej kaq vitesh, duke e kërkuar atje ku lind e perëndon dielli. Dhe s’duam të bindemi se ai është këtu, nën këmbët tona. Ky i këtushmi ka kohë që na duket i dyshimtë. Është dhe s’është atdheu ynë. Këtu s’ka vënd për të gjithë. Këtu flitet një gjuhë që vret më shumë se plumbat e kriminelëve. Një gjuhë që s’na e siguron marrveshjen. Është kohë fushate dhe i gjithë fondi i fjalorit është vënë në përdorim si kurrë më parë. Vetëm në kohë të tilla mund të vëresh pasurinë e apo varfërinë e një gjuhe.

Problemet që po evidenton fushata zgjedhore e që po merr përsipër për të zgjidhur qeverria e ardhëshme, duket se janë të mprehta. Këtu e kanë vënë theksin partite. Le të përpiqemi të rrjeshtojmë disa prej tyre:

Kryetarët e dy partive që synojnë pushtetin, e që ngjajnë sikur i ka pjellë një nënë, në vënd të merren me problemet e rënda sociale që vet ata i hapën këtij vendi, hedhin e presin akuza rrugeçësh. Pozita mburret se me përkushtim arritën të riabilitojnë me sukses të plotë shumë të sëmurë rëndë psiqikë, madje duke siguruar prej tyre edhe ministra e kryeministra. Por nuk mungon të bëjë autokritikë për faktin se këtë gjë nuk e arriti në të gjithë rastet. Kryetarit të opozitës, për shkak të arrogancës së tij, ju rëndua edhe më tepër sëmundja.

Kryetari i opozitës i cili është kandidat për të fituar zgjedhjet, na qënka psikopat i cili duhet vizituar sa më parë, që të mos u kthehet në rrezik për të nesërmen e atdheut. Ka të dhëna të besueshme se vite më parë, në fëmijerinë e tij të hershme, ai paska guxuar të dale nudo në plazh e të pshurrë në rërë, duke ndotur mjedisin. Sot që ai është i rritur, ka mundësi të dhjesë të gjithë vëndin, po t’i mbetet në dorë.

Nuk duket më ndryshe kryetari i pozitës i cili jo vetëm që është psikopat i deklaruar, por është edhe kriminel e sadist, njesoj si të jetë bir i Neronit. Por që ta ketë të atin apo të ëmën nga Roma, e kundërshton fakti që ai është lindur me kostum tradicional malësor dhe me kërrbaç në dorë. Veç të tjerave, këtë fakt e vërteton edhe një paragraf i ciklit të kreshnikëve, i cili është i vjetër sa bota.

Stërgjyshja e kryetarit të opozitës, na paska patur një lidhje dashurore me një emigrant grek, të mbetur në trojet tona qysh pas luftes së parë botërore dhe si rrjedhim i saj vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite, armiqësia ndaj dy vëndeve fqinje. U kapën në flagrancë duke bërë seks dhe me që kjo mbeti shtatzanë me paraardhësit e Edit, nisi një luftë e përgjakshëme e cila i kalonte tmerret e Luftes së Trojës. Veç të tjerave, kjo gjë na bind se kryetari i opozitës nuk është me gjak të paster shqiptar gjë që duhet parë serjozisht për të mos na rrezikuar nesër.

Në të tilla kushte është e pritshëme që ai t’i falë grekut jo vetëm territore detare, por edhe tokësore. Sa për tjetërsimin e kufirit detar në jug, shqiptarët që do vijnë do e kuptojnë edhe më mirë zgjuarsinë e këtij veprimi. Uji gjithnjë merr formën e enës ku vendosdet. Do s’do greku, në enën tonë do e mbajë detin. Rrjedhimisht ai prapë mbetet uji ynë dhe jo i grekut. Nga ana tjetër ky veprim e ka djellëzinë brenda. Nesër pasardhësit tanë kanë të drejtë që këtë gjë ta përdorin si karrem për të rrëmbyer territoret çame.

Ç’nuk po na dëgjojnë veshët gjatë kësaj fushate? E vetmja gjë që s’po e dëgjojmë akoma është: si do shpëtojë vëndi nga borxhi publik i cili ka arritur shifrën katastrofike prej 63 %, borxh i cili e ka bërë vendin që të qëndrojë i varur në buzë të humnerës. Kush do ta bëjë këtë gjë, kur të dy kandidatët për kryeministra akuzojnë njeri tjetrin si skizofrenë?

Aktualisht vëndi nuk qeveriset nga kushtetuta e cila është formuluar e tillë që mund ta tërheqish si llastik për të përligjur çdo paudhësi, por nga kanuni mesjetar i cili është duke marrë mijra jetë njerëzish e ka ngujuar mijra të tjerë. Krimi i përditshëm e ka bërë të pasigurt jetën e qytetarit. Vrasin banditët që duan të rrëmbejnë fitimet e njeri tjetrit, por vret edhe shteti që ka të drejtën mbi çdo fitim. Sa për drejtësi as që bëhet fjalë. Drejtësia është shteti, kanuni, lahuta. Në cilin vënd të botës shtetasit mund të ikin nga kjo botë, të përcjellë me këngë?

Tam tamet për sukseset marramëndëse nuk kanë të mbaruar. Rrugë, rrugë dhe vetëm rrugë. Ky vënd e ky popull ka nevojë të ngutshëme… vetëm për rrugë. Të thyej qafën në to e të mos na bëhet ferrë nëpër këmbë, se kot nuk i bëmë këto rrugë. Prandaj po i heqim edhe vizat nga Amerika e deri në Tokën e Zjarrte të Magelanit që ky popull të mos gjejë derman. Se këto rrugë në vënd të na bashkonin atdheun, na e ndanë edhe më keq. Ndërsa në veri bëhen autostrada e superstrada, në jug nuk ndërtohet dot një copë rrugë dhe krahina të tëra mbeten të izoluara nga atdheu i cili qeverriset  prej tribuve të mesjetës. Kur vallë shqiptari ka qënë kaq i lirë për të thyer qafën e tij?

Puna e votës i ka ngatërruar pak situatat, por nuk është pa zgjidhje sepse Muli nuk është kot në krye të banditëve. Masat i kemi marrë të tëra. Shkollat dhe nxënësit do votojnë për ne. Të punësuarit sigurisht, se më kot ne nuk i paguam ata me therrimet e xhepave tona. Por jo vetëm ata. Derisa me këto rroga therrime që ju japim mbajnë frymën gjallë deri 15 veta, të 15 duhet ta japin votën për ne. Opozita le të çirret sa të dojë. Këtë metodë e shpiku vet ajo. A nuk ishte Lirka i Metkës që pak muaj para se të bënte divorcin, lëshoi traktet e të punësuarve të tij duke ju kërkuar nga 40 vota çdo të punësuari? Ne nuk jemi kaq hiperbolik. Na mjaftojnë vetëm 15 vota nga çdo i punësuar.

Do s’do qytetari, do votojë për ne. Edhe po s’e pati ai këtë mëndje, do e gjejmë ne mënyrën që ajo votë të vijë për ne, sepse në KQZ janë mercenarët që nuk i paguajmë kot. Ky mandat qeverisës për ne, ndan shapin nga sheqeri dhe e kthen vëndin plotësisht në vënd banditësh e kriminelësh, ashtu siç ka qënë dhe do mbetet përjetësisht. Ata që do i shpëtojnë plumbit këtu, le të thyejnë qafën udhëve të botës. Vizat për në Amerikë do i heqim, do a s’do Rama. Shqiptarët nuk janë krahtharë, por për të bërë prokopi duhet të ikin prej këtij vëndi i cili ka zot. Po s’ju pëlqeu Amerika mund të shkojnë edhe në Hënë a në Mars. Sot janë duke u hapur biznese edhe andej. Këtu ata janë të vonuar dhe s’ka asnjë shpresë për ta ndryshuar fatin e tyre.

Kjo është arsyeja që këtu nuk flitet për ekonomi e për krim. Dy plagët kanceroze që po e mbajnë të mbërthyer vendin. Kjo është qeverria më largpamëse që pati ky vënd. Ekonomia është në nivelet më të larta të globit, ku çdo qeverritar ka të mbyllura në llogari bankare, miljona e disa deri edhe miljarda. Ata që s’kanë mundur të vënë të tilla, janë të paaftë, ndaj duhet ta shikojnë vazhdimin e qënies së tyre këtu, sepse na zbehin shkëlqimin e krijojnë përshtypjen se vëndin po e ha varfëria. Edhe po s’deshën ta bëjnë këtë, neve na mbetën në dorë me bollek plumba nga të Enverit. Mos kujtoni se shpërthyen të gjitha në Gërdec. Atje vetëm sa u dha sinjali i cili nuk u kuptua në kohën e duhur. Akoma nuk duan ta kuptojnë, sepse ky popull është kokngjeshur. Shqipëria do kthehet e tëra në Gërdec që kushdo ta njohë forcën tonë dhe të didhen prej saj.

Shqipëria jonë! Asnjëherë s’ke qënë kaq e kërcënuar prej vetvetes, kaq e poshtëruar prej vetvetes. Kaq e pafuqishme dhe e lodhur. Kaq e verbuar dhe e shurdhuar. Jepi dërmën kësaj pjese të keqe të vetvetes, sa pa ta marrë frymën përfundimisht.

AFRIM KRASNIQI: PARTITE E FAMILJEVE

Dinasti apo klan familjar? Projekt politik apo projekt ekonomik? Ndarje për shkak të bindjeve apo nevojës për përfaqësim familjar? Konkurrencë elektorale apo balancim familjar? Demokraci apo oligarki? Në SHBA dihet: Bush senior ishte Presidenti, Xhorxh W. u bë President, një i tretë Bush mund të jetë kandidat për President. Por të gjithë Bush-ët i përkasin republikanëve, janë produkt votimi konkurrues brenda partisë dhe produkt i votës direkte qytetare. E njëjta gjë vlen për dinastinë Kenedi tek demokratët. Në Britani dy vëllezërit Miliband ishin politikanë, laburistë, produkt vote madje në konkurrim me njëri tjetrin.

Në Shqipëri praktika të tilla janë ende të panjohura. Nuk ka dinasti politike që burojnë nga ideologjie, vota dhe konkurrimi demokratik. Në vitet ’40 patëm kryeministër djalin e Aqif Bicakciu-t apo Mit’hat Frashëri ishte djali i Abdyl Frashërit, por bëhet fjalë për një periudhë kur ende kishte elita dhe sistemi i vlerësimit ishte mbështetja publike, merita dhe prestigji. Me sistemin komunist elitat u emëruan, ndaj edhe të gjithë emrat familjarë ishin produkt emërimi, – pa kriter aftësie e konkurrimi. Ndaj nuk është cudi kur themi se ciftet Hoxha (Enver-Nexhmije), Shehu (Mehmet-Fiqret), Kapo (Hysni-Vito), etj nuk përfaqësojnë dinasti demokratike, por klane familjare në përpjekje për identifikimin e tyre me shtetin dhe pushtetin, – kriter themelor në strukturën emërtuese të diktaturës.

Në demokraci procesi nisi ndryshe që më 1990: në listën themeluese të PD atë vit gjejmë të paktën 7-8 mbiemra (Pashko, Ruka, Shuteriqi, Dedja, etj), ku dy persona të një familjeje bëjnë pjesë në dy kampet politike kryesore rivale, PDSH dhe PPSH. Në parlamentet e tranzicionit gjenden të paktën pesë raste kur dy vëllezër, dy anëtarë të një familjeje, etj, gjenden deputetë në krahë të kundërt, në PD dhe në PS. Kemi një rast të vetëm kur dy deputetë janë bashkëshortë, apo të paktën dy raste kur mandati i deputetit i kalon vëllait apo në pesë raste kur i kalon djalit/vajzës. Secili për motive të ndryshme, më rastin e parë produkt votimi direkt, dhe në dy rastet e fundit, secili si produkt votimi formal (lista proporcionale). Kemi të paktën 10 raste kur deputetë janë “zgjedhur” direkt ose indirekt pinjollë të ish politikanëve gjatë periudhës komuniste, por për shkak të parët janë politikanë dhe të dytët nuk kanë qenë politikanë (në diktaturë kishte funksionarë të emëruar, jo politikanë të zgjedhur) kjo është parë si trashëgimi e pritshme e një vendi ish komunist, siç ka ndodhur edhe në Bullgari apo Rumani. Aktualisht kemi të paktën katër deputetë që hyjnë në lista të sigurta duke qenë njëherësh edhe pinjollë të prindërve të tyre, ish deputetë në parlamente të ndryshme të tranzicionit, por zgjedhja e tyre ka qenë kryesisht jo për shkak të meritës specifike personale, sa për shkak të dobësisë dhe miqësisë personale së liderit emërues me prindërit e tyre.

Shumë më ndryshe nga këto praktika vjen eksperienca e këtyre zgjedhjeve (2013), kur për herë të parë publiku ndeshet me një fenomen të ri: kandidimin masiv të anëtarëve të së njëjtës familje për parti të ndryshme politike, madje për parti të kundërta politike. Rastet Mediu-Celibashi, Duka-Koka, etj janë vetëm dy nga të paktën 11 raste kur dy anëtarë të një familjeje janë vendosur në listat proporcionale në vende me shanse 100% deri në 50% për zgjedhje, pra me mandat të sigurt ose pothuajse të sigurt. Mandate të tilla përfshijnë qarkun Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Shkodër, Lezhë, Kukës, Berat, Gjirokastër dhe Elbasan, pra pothuajse të gjithë vendin. Kemi gjithashtu të paktën 15 raste kur liderit politikë kryesorë kanë emëruar në listat preferenciale elektorale kandidatë për deputetë me lidhje të forta familjare, me lidhje personale, etj, pa asnjë lidhje e argument të arsyeshëm politik. Ndonjë prej tyre vjen për shkak të kredive politike gjatë tranzicionit, shumica për shkak të rrethanave specifike elektorale dhe financimit informal të palëve emërtuese. Në tërësi, asnjë prej tyre nuk është produkt konkurrimi të brendshëm apo sistem merite të verifikuar, nuk janë figura me identitet të qartë politik për forcat që përfaqësojnë dhe si të tilla, janë produkte direkt të vullnetit personal të kryetarëve të partive që i kanë emëruar. Pra sistemi piramidal partiak ka vendosur me ndërgjegje të plotë ti japë mbështetje projektit të ndarjes dhe balancimit familjar mazhorancë – opozitë.

Shqetësimi më i madh nuk lidhet me këtë dukuri të klientelizmit dhe oligarkisë familjare në politikë, por me faktin se shumica e tyre përfaqësojnë botën e biznesit, nuk janë aktorë politikë dhe nuk kanë ndonjë identitet apo projekt politik. Ata vijnë nga biznesi politik dhe duan ta zgjerojnë atë përmes politikës, pra përmes sistemit të klientelës: – një dukuri dëmtuese për vlerat e demokracisë funksionale dhe përfaqësuese. Për më tepër ato janë sinjale negative për nevojën e politikës shqiptare për reformim, demokratizim, përcaktim programor dhe ideologjik, për një sistem të ri merite, konkurrence, vlerash dhe parimesh politike. Ato paralajmërojnë se partitë përkatëse do të mbeten edhe më tej peng i logjikës së familjes, vendimmarrjes personale, oborrit personal, dhe kështu, që parlamenti e jeta politike e katër viteve të ardhshme më shumë ngjasojnë me modelin rus të politikës sesa me modelet perëndimore, për të cilat ne realisht kemi nevojë!

Për t’iu përgjigjur pyetjes në fillim: ekzistojnë argumente dhe fakte të mjaftueshme për të konstatuar se dukuria e re elektorale shqiptare nuk ka të bëjë me dinastitë politike por me klanet familjare në politikë, nuk lidhet me projekte politike por imponohen si projekte ekonomike, nuk vijnë si ndarje për shkak të bindjes politike por nevojës për përfaqësim familjar dhe imunitet personal, nuk vjen si konkurrencë elektorale por si emërim nga lart për balancim familjar midis opozitës dhe mazhorancës së sotme dhe të nesërme, – dhe mbi të gjitha, nuk janë tregues të një demokracie funksionale por të një oligarkie të rrezikshme për cilësinë e demokracisë dhe shtetin e së drejtës!