GRID RROJI: E DJATHTA DHE RRUGA E DUHUR

Debati i hapur nga Mark Marku (Referencat Ideologjike të së Djathtës Shqiptare, Panorama, 19 Janar 2014) mbi boshtin ideologjik të së djathtës shqiptare është një debat i duhur dhe ndoshta i vonuar në skenën shoqërore shqiptare. Marku nënvizon se të djathtës shqiptare i ka munguar një bosht i qëndrueshëm ideologjik dhe e sheh zgjidhjen tek një ideologji e bazuar tek pozicionimet e disa figurave të njohura antikomuniste. Në gjykimin tim premisa duhet shtrirë përtej të djathtës, dhe duhet nënvizuar natyra jo ideologjike e palëve të parisë së Tiranës, e cila ka sunduar skenën politike të tranzicionit.

Në ndryshim nga Marku, unë nuk e shoh zgjidhjen ideologjike të së djathtës në funksion të individëve por tek adoptimi i një vije ideologjike të qëndrueshme kombëtariste. E djathta si nocion ideologjik përfshin një seri konceptesh si prona, familja, shteti, kombi etj., të cilat lidhen së bashku tek ideologjia kombëtare. Veçanërisht në rastin tonë, në prani të shumë rrymave e trysnive që vijnë nga shumë anë, zgjidhja optimale ideologjike për shqiptarët është projekti i ndërtimit të një shteti komb demokratik dhe modern.

Pikësëpari, duhet theksuar se politika shqiptare e tranzicionit ka qenë dhe mbetet një përpjekje pragmatike e parisë së Tiranës për të mbajtur me çdo kusht nën sundim shqiptarët, dhe për të ndarë pushtetin mes klaneve. Si pasojë, palët në mjedisin politik nuk dallohen për nga ideologjia, por nga lidhjet personale, klanore, krahinore etj. Për shembull, në partitë kryesore grupet e ndryshme që konkurrojnë për pushtet përkatësohen në bazë të emrave të përveçëm e jo të ideologjisë.

Ky lloj ligjërimi pragmatik përforcohet nga mënyra se si media i raporton marrëdhëniet politike. Në PD nuk ka ndasi ideologjike midis të moderuarve dhe ekstremistëve por ka “grupe” personale të Bashës, Topallit, Bodes etj., të cilët i përmbledh ombrella familjare e Sali Berishës dhe Trusti i Gështenjave të Tropojës. Në PS nuk ka rryma të së majtës social demokrate dhe asaj marksiste por grupe klanore si 99shat e Ramës, jeniçerët e “qafës së partisë” Gramoz Ruçi, grupi i bashibozukëve të pakënaqur të bashkuar rreth Ben Blushit etj. Duke qenë parti me të kaluar dhe strukturë të mirëorganizuar ndasitë në PS reflektojnë edhe klanet që janë kacafytur gjatë regjimit hoxhist. LSI-ja as nuk bën përpjekje për të fshehur mungesën e ideologjisë dhe vetëetiketohet “partia që të zgjidh punë”.

Në këtë nënshtrat pragmatik, nuk ka asnjë mundësi të flitet për ndasi ideologjike, për një të majtë apo një të djathtë të bazuar në boshte ideologjike sepse ideologjia thjesht është e panevojshme. Më tej, përtej retorikës, nuk ka dallime ideologjike mes palëve sepse të gjithë kanë përqafuar kapitalizmin Putinian që në gjuhën e parisë përkufizohet “vidh ç’të mundësh se kaq meritojnë këta pisa”. Paria ka përqafuar një liberizëm të shfrenuar pa rregulla, ose me rregulla të stilit mafjoz ku dënohen vetëm ata që nuk kanë mbështetjen e duhur. Madje, me anë të kontrollit të informacionit ky është modeli që na imponohet si i vetmi i mundshëm nën okelion e “integrimit në Evropë”. Mirëpo, mungesa tërësore e ideologjisë e rrezikon ndjeshëm legjitimitetin e parisë. Njerëzit në qoftë se nuk lidhen prej ideologjive dhe prej interesit shtetëror e kombëtar,  i kanë litarët shumë të liruar, e nuk mund të pritet besnikëri prej tyre. Asnjë sistem politik nuk mund të krijojë dallueshmëri mes palëve përpos ideologjive.

Ndaj për t’a zëvendësuar ideologjinë, paria ja ka arritur derimësot të krijojë, ushqejë dhe mbajë gjallë ndasi klanore, krahinore, personale e fetare, me anë të të cilave ka mundur të krijojë një diferencim fals midis palëve. Ky lloj diferencimi në bazë të ndasive ka si qëllim të zëvendësojë etikën e kundërshtarëve politikë me atë të armiqve, të zerojë vlerat morale duke i zhytur dhe konsideruar të gjithë si pjesë të llumit, por edhe të mbysë alternativën natyrale të kombëtarizmit.

Ndasia kryesore në të cilën bazohet dhe mbahet legjitimiteti i parisë është e mirënjohura komunist-anti komunist. Edhe argumenti i Markut mbështetet në mënyrë eksplicite në këtë ndasi. Mirëpo, të bazosh një argument në këtë premisë paraqet disa probleme jo të vogla logjike. Së pari,  dallimi që bëhet është praktikisht artificial sepse kryetari i “anti komunistëve” Sali Berisha ka qenë për disa dekada komunist. Më anë tjetër, kryetarët e partisë që përfaqëson strukturën e ish komunistëve kanë qenë nga më “jo komunistët” e komunistëve. Fatos Nano dhe Edi Rama nuk dallohen për konsekuencë ideologjike, madje të dy as nuk kanë ruajtur ndonjë koherencë gjatë karrierës së tyre politike. Pra kriteri i ndasisë komunist-anti komunist në kontekstin shqiptar është strukturor dhe jo ideologjik dhe e paraqet realitetin politik shqiptar së prapthi. Për pasojë, ndasia vetë është e fryrë artificialisht dhe e nxitur për arsye pushteti. Po ashtu, konceptimi i anti komunizmit si vijë ndarëse midis dy grupeve qartësisht të diferencuara nuk përkon me realitetin. Një ndarje e tillë e prerë do të nënkuptonte që raportet njerëzore përcaktohen eksluzivisht në një nivel të caktuar. Një vëzhgim i përciptë i psikologjisë bashkohore e hedh poshtë menjëherë këtë hipotezë.

Më anë tjetër, ka një problem konceptual me përkufizimin. Të jesh kundër regjimit të Hoxhës nuk të bën domosdoshmërisht të djathtë, e as të kesh qenë komunist në atë kohë nuk të bën domosdoshmërisht të majtë sot. Idetë evoluojnë, njerëzit ndryshojnë mendim, dhe gjejnë hapësira të reja ideologjike. Më tej, shembujt e sjellë nga Marku-Prof. Repishti, Prof. Pipa dhe I ndjeri At Zef Pllumi-i bashkon statura e padiskutueshme, dhe kundërshtia ndaj një regjimi kriminal, por jo një ideologji e djathtë. Në fakt, Pipa dhe Repishti kanë pozicionime qartazi social demokrate ndërsa At Pllumi si përfaqësues i kishës katolike nuk mund të mos kishte në ligjërimin e tij një tis thellësisht social. Edhe Pjetër Arbnori, një simbol i “antikomunizmit” të PD-së i cili pat kryer gati 30 vjet burg, ishte dënuar për krijimin e një partie social demokrate. Pra, anti komunizmi nuk të shndërron detyrimisht në të djathtë, sidomos në kontekstin e regjimit hoxhian i cili nuk bëri dallime në persekutimin e të vetëve.

E djathta moderne në vende të zhvilluara përfaqëson frymën konservatore shoqërore, zhvillimin kombëtar në kuadrin e një shteti komb. Ky grupim njerëzish nuk bashkohen vetëm nga prejardhja, përkatësia e familjes apo të qenit anti diçkaje, por nga besimi tek një grup principesh dhe nga gatishmëria për të krijuar një strukturë politike e cila t’i promovojë këto principe.

Sigurisht që çdo popull krijon elitat e veta ekonomike dhe politike, të cilat kanë interesat e veta, mirëpo elitat e vërteta janë ato që punojnë për kombin dhe jo thjesht për interesat e veta të ngushta. Sipas studiuesve ka tre lloje institucionesh të cilat kanë për zemër dhe i dedikohen mirëfunksionimit të një shteti: strukturat ushtarake, shtetërore dhe ekonomike. Në kontekstin shqiptar, paria në fillimvitet 90të shkatërroi qëllimshëm strukturat ushtarake (të rrënuara në vitet e fundit të regjimit komunist po shumë të strukturuara dhe funksionuese), duke eliminuar kësisoj njërin nga polet shtetndërtuese. Më tej, paria e tranzicionit e mbështetur nga urrejtja popullore që kishte krijuar shteti terrorist i Hoxhës dobësoi deri në pragvdekje strukturat shtetërore dhe krijoi shtetin e varur nga politika. Duhet theksuar se kjo nuk ishte e vetmja rrugë, por ishte e vetmja që i garantonte parisë pushtetin.Së treti, paria kooptoi interesat ekonomike duke krijuar ekonominë klienteliste proto kapitaliste, në të cilën suksesi nuk varet nga aftësitë sipërmarrëse të individëve por nga lidhjet e tyre politike. Pra, paria e tranzicionit me veprimet e veta eliminoi çdo mundësi që shteti të lulëzonte e konsolidohej për shkak se eliminoi qëllimshëm dhe kooptoi ato grupe që do të kishin interes t’a mbronin shtetin.

Ndaj, e djathta e re shqiptare nuk mund të mbështetet tek strukturat e vetëquajtura të djathta të cilat rrjedhin nga tranzicioni, por duhet të krijojë një bosht ideologjik të qëndrueshëm bazuar në tre elementët e sipërpërmendur, si dhe duke përparësuar interesin kombëtar.

E djathta moderne shqiptare duhet të synojë t’a çlirojë shoqërinë shqiptare nga pesha e rëndë e marrëzisë kolektive që na ka imponuar derimësot paria e Tiranës. Ajo duhet të bazohet tek vlerat shqiptare, tek funksionimi i një shteti komb demokratik e modern dhe të mbrojë interesat kombëtare të shqiptarëve. E djathta moderne shqiptare duhet të krijojë struktura shtetërore të qëndrueshme, të pavarura nga politika si dhe të nxisë kontrollin e tyre nga një shoqëri civile e pavarur dhe funksionuese. E djathta moderne shqiptare duhet t’i largohet njëherë e mirë strukturave klanore, krahinore dhe personale dhe të promovojë bashkimin e shqiptarëve rreth interesit të tyre kombëtar. E djathta moderne shqiptare duhet të nxisë krijimin e një shoqërie morale e gjithëpërfshirëse, dhe të ruajë e promovojë vlerat kulturore, etike dhe tradicionale të shqiptarëve. Pra, e djathta moderne shqiptare duhet të jetë një përpjekje e re, energjike dhe shtetformuese në interes të kombit.

Në gjykimin tim, zgjidhja optimale për të djathtën shqiptare është ndjekja e një ideologjie politike i cili të përkufizohet nga ndërtimi i shtetit komb, demokratik dhe modern. Thënë ndryshe, shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se ajo që i bashkon është më e thellë se ajo që i ndan. Ajo që na bashkon brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, është të ndjerit shqiptar, veprimi politik në të mirë të shtetit dhe kombit tonë. Për këtë nuk kemi nevojë të shpikim rrotën, mjafton të ndjekim rrugën që n’a kanë treguar burrat e shtetit që konceptuan Rilindjen Kombëtare. Një rishprehje e platformës Rilindase jashtë kontureve të parisë së Tiranës është alternativa më optimale për të ardhmen e shqiptarëve. Po ashtu, e djathta moderne shqiptare duhet të ndërtojë struktura të reja të bazuara mbi këto principe ideologjike e jo në bazë njerëzish. Kushdo mund t’ bashkohet këtij projekti me kusht që të përqafojë pa kushte ideologjinë dhe të mos ketë skelete nga e kaluara. Kjo është rruga e duhur.

NE VAZHDIM TE DEBATIT MBI KOMBETARIZMIN E TE DJATHTEN – II

Ne vijim të shkembimeve lidhur me pikat e referimit të së djathtës shqiptare me mikun tim, shkrimtarin dhe përkthyesin e shquar dr. Agron Tufa, si dhe me kolegët Dr. Mark Marku dhe Doktorant Grid Rroji u ngritën disa cështje te rëndësishme që duhen sqaruar. Së pari më vjen mirë që të gjithë ndajmë mendimin se themeli i ideologjisë të së djathtës shqiptare duhet të jetë tek tradita kombëtariste që i paraprin vendosjes së sistemit parti shtet. Pra, themeli është tek rilindja kombëtare. Së dyti, si edhe është vënë në dukje nga Tufa dhe Rroji, tradita e qëndresës dhe e kundërvënies ndaj sistemit të mëparshëm e përplotëson dhe nuk e përjashn apo zhvendos mendimin politik të Rilindjes Kombëtare. Së treti, të gjithë biem dakord që themelet ideologjike të së djathtës duhet të jenë kombëtariste. Së katërti, sic vënë në dukje me të drejtë Tufa dhe Rroji, deligjitimimi i të ashtuquajturve të djathtë që sot mbajnë peng opozitën në Tiranë është kthyer në një detyrë imperative dhe të domosdoshme. Është me të vërtetë e dobishme që të vijohet ky debat cilësor dhe shumë i domosdoshëm, që në të njëjtën kohë është i zhveshur nga pasionet e momentit dhe nga interesat e klaneve të parisë së Tiranës. Duke besuar se nuk mundtë thuhen të gjitha në një shkrim, si dhe duke shpresuar se ky debat do të vazhdojë edhe në të ardhmen, do të ndalem kryesisht në problemet që identifikon Tufa në komentin e tij.

1. Në komentin e tij, Tufa pyet: “Eshte e sigurt qe djathtizmi nuk trashegohet, qe eshte ceshtje pervojash te ngulitura personale dhe po aq fryt e kulturimit, leximit qe nxjerrin ne pah formimin e personalietit sensibel. Po a ka nje mastar (mates) per me qene “kombetarist”, kur ky atribut eshte shnderruar ne ligjerim demagogjik? Kush ka te drejte te me quaje mua apo ju “antikombetarist”, apo ne te quajme dikend tjeter te tille, bazuar ne cirkuset e fjaleve?”

Përgjigja e shkurtër është “po” sepse ka një metër me matë se kush është kombëtarist. Kombëtarizmi shihet në veprime e në sjelljen e njerëzve dhe të politikanëve. Në terma të mjegullt e të përgjithshëm, kush e don shtet-kombin e vet, më shumë se sa shtresën, fenë, klanin, krahinën, rrethin shoqëror apo kulturor, është kombëtarist. Rroku një fshatar nga Fandi i Gjakovës që vrau konsullin në Podgoricë në vitin 1916 sepse ai donte me nda trojet shqiptare dhe mandej u vra vetë në luftim, është kombëtarist. Indrit Cara, që la Greqinë ku ishte emigrant dhe shkoi të luftonte për kombin në radhët e UCK dhe u vra në Kosovë është kombëtarist. Ai shqiptari nga Mirdita që e therën në një ishull grek, Zakinthos sepse festoi fitoren e kombëtares shqiptare mbi greqinë është kombëtarist. Fuat Dibra që shiti restaurantet në Paris dhe vdiq i mjerë në Tiranë është kombëtarist. E kështu me radhë, Anastas Kullurioti që shkriu pasurinë për shqiptarët, Ndok Illia, Naum Veqilharxhi, Hasan Prishtina, e me mijra shqiptarë të tjerë që nuk mundën të mendojnë veten ndryshe përvecse si shqiptarë. Aq më shumë, edhe kur e kishin mundësinë me kenë dicka tjetër, ata zgjodhën me kenë shqiptarë. picameni në Nju Jork, pastruesi në Itali, bojaxhiu në Greqi, emigranti në Kanada, në një nivel e ndjejnë veten shqiptarë. Në një nivel, të gjithë e ndjejnë veten si shqiptarë. Këta janë në një nivel të kombëtarizmit, ku veprimi iu vjen natyrishëm dhe ku identiti nuk është I diskutueshëm. Cka munden me kenë tjetër? Gjaku, gjuha, përkatësia etnike, krahina e mbi të gjitha familja por edhe dhe sundimi i huaj, i kanë lindë shqiptarë dhe i kane kthye ne shqiptare … nuk mundën me kenë tjetër.

Mirëpo ky nivel identiteti është në nivelin shoqëror e themelor. Niveli më i lartë dhe modern i kombëtarizmit është në nivelin e të menduarit për shtetin. Kështu kombëtarist është ai që bën më të mirën e mundshme në kushtet ku gjindet për popullin shqiptar duke punuar për të mbrojtur e për të forcuar shtet-kombin shqiptar. Pra, Abdyl Frashëri që paraqiti një platformë kombëtare, Myderriz Omer Prizreni që organizoi Lidhjen e Prizrenit, Sami Frashëri që mendoi e punoi për shqiptarët, Mullah Haxhi Zeka që bëri lidhjen e Pejës, Sefë Kosharja që u var sepse nuk pranoi me kenë tjetër përpos shqiptar, Papa Kristo Negovani që e helmuan se mësonte fëmijët shqip, At Shtjefën Gjecovi që mblodhi Kanunin, Babai i Teqesë së Frashërit që i mblodhi bektashinjtë mbas Lidhjes, Petro Nini Luarasi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mithat Frashëri, e me radhë deri tek Adem Demaci, Adem Jashari, Zahir Pajaziti e me radhë janë kombëtaristë. Sepse kombëtarist tregohesh ose duke punuar për të ngritur shtet-kombin e shqiptarëve, ose duke e drejtuar atë shtet-komb dhe vlerat e tij në interes të shqiptarëve. Atëherë je kombëtarist. Metri me i gjykue njerëzit në se janë kombëtaristë është sjellja e tyre dhe asgja nuk është më e lehtë dhe më e vështirë se sa me gjykue politikanët. Abaz Kupi, për shembull ka kenë officer monarkist. Por Abaz Kupi është kombëtarist sepse rezistoi në Shijak dhe i zbardhi faqen kombit, por edhe pse refuzoi me fillue e me vazhdue luftën civile, duke u tërhequr pa luftë para formacioneve partizane. Anton Harapi që u sakrifikue edhe pse e dinte se nuk kishte zgjidhje të tjera dhe e tha këtë në mbledhjen e Regjencës është prift por është kombëtarist. Kush i kontribuon pa hile e pa mendësi të tjera forcimit të identitetit të shtet-kombit dhe interest kombëtar është kombëtarist si Mehdi Frashëri që e coi të birin peng në Vjenë dhe prapë luftoi me ruajtë shtetkombin shqiptar.

Për të dhënë gjykime në këtë nivel, megjithatë, duhet një gjykim shumë më i kualifikuar dhe duhet kohë. Por cdo ideologji që i ndan shqiptarët nën petkun e cdo justifikimi, është e mbrapshtë dhe nuk na duket. Dhe kësisoj ideologjish kemi me bollëk. Me kenë kombëtarist, don me thanë me besue e me punue në të mirën e shqiptarëve si komb që lidhen me gjak, me besë, me gjuhë e me vllazni shekullore. Me kenë kombëtarist don me thanë me punue që shteti të jetë në shërbim të shqiptarëve dhe të interesave të tyre   si në politikën ndërkombëtare ashtu edhe në politikën e brendshme. Ka shumë politikanë që janë me dritë-hije, pse kanë vepruar në kohë të këqia, por edhe pse kanë vepruar në politikë për një kohë të gjatë. Ata I ka gjykue ndërgjegja e tyre por tani edhe ne duhet me I gjykue ashtu si duhet dhe pyetja e pashmangshme është: a e kanë vënë këta interesin e shtet-kombit përpara cdo gjëje tjetër? Dhe duke i parë politikanët tanë nga ky këndvështrim, do të shohim të tjera gjëra në veprimtarinë e tyre. Kështu iu del kallaji edhe demagogëve, injorantëve, veglave dhe të zvetënuarve si Esad Pashë Toptani për shembull. Por metrin e vlerësimit të politikanëve e mbajnë intelektualët dhe elita e kombit që duhet të jenë bërthama e shoqërisë civile.  Prandaj edhe historia e shkruar është e cmuar, e njëkohësisht edhe e vështirë me u shkrue sepse duhen njerëzit e saktë e pa hile me iu thanë të vërtetën njerëzve. Sepse kombëtarist nuk je sepse flet si shqiptar mban fjalime e shet dokrra hinit, por sepse punon. Kështu, edhe kur jemi armiq me dikë, por e shohim se punojnë për të mirën e kombit, të shtet-kombit, atëherë intelektuali dhe politikani duhet me tregue mirëkuptimin e duhur. Kjo vjen me një përgatitje profesionale, me një kuptim të qartë të interest kombëtar-shtetëror, por tashmë kemi dalë nga faza e infantilizmit professional. Tashmë jemi në gjendje me gykue me qetësi e me maturi se kush është kombëtarist e kush shet dokrra e është mashtrues e maskara. Ata që i duan shqiptarët ata do tu t’ua tregojnë të vërtetën. Edhe po të mos i dëgjojë kush, e vërteta duhet të thuhet e do të thuhet.

2. Pyetja e dytë që ngre Tufa është: Nje i djathte nuk mund te jete ndryshe vecse Kombetarist, pse asht ne boshtin e vlerave te djathta miti i personit/privatesise, prones, aftesise, familjes, fjales se lire dhe lirise, tradites, atdheut/kombit, Besimit etj, etj. A jemi te sigurte, qe brenda vizionit te Rilindjes nuk ka pase rilindes me botekuptim te majte/majtist? Ku t’i gjejme, edhe sikur t’i marrim te mireqene, ate format personalitetesh, mundesisht tani?

Përgjigja e ime është se në të gjitha shoqëritë, organizimi I forcave politike bëhet në një spektër të caktuar ideologjik që është njëkohësisht i ngushtë dhe por edhe i skajshëm nw sensin qw zgjidhjet qw ofrohen janw gjithmonw tw kufizuara. Spektri i bindjeve politike të pranueshme për një shoqëri influencohet shumë nga e shkuara historike, origjinat kulturore të sistemit, nga paria sunduese dhe nga balanca e interesave Brenda asaj shoqërie. Kështu në Arabinë Saudite, spektri shkon nga Vahabizmi tek Sunizmi tradicional, pra është gjithsesi I skajshëm kur konsideron ideologji si liberalizmi apo marksizmi. Në Iran, ke Ajatollahët në të dy krahët. NË Itali, themeli I vërtetë I debatit politik është shumë I përkufizuar nga sistemi I vlerave katolike që gjenden edhe në të majtën italiane. NË Greqi identiteti ortodoks grek përcakton debatin  politik por edhe të majtën e të djathtën greke. Pse e them këtë? Sepse në thelb të politikës tonë, sit ë cdo kombi tjetër, duhet të jetë një dilemë e tillë: Cila është më e mira e mundshme për shtet-kombin shqiptar? Ky duhet të jetë thelbi I politikës kombëtariste. Nëse një politikë e caktuar mbron interesat e popullit ndaj një parie të zvetënuar atëherë sjellja kombëtariste konsiston pikërisht në imponimin e shtërngesave ligjore që e mbajnë këtë pari në fre. Nëse dikush thotë se nje fe është më e mirë se tjetra, ai është armiku I shqiptarëve. Në se dikush thotë se një krahinë është me e zonja se tjetra, se një mendësi është me e mirë se tjetra është kundër shqiptarëve. Shqiptarët duhet me kenë si një lumë që bahet I madh dhe I vyeshëm kur bledh e shkrin në një gjithcka që është ujë. Kombi duhet me shkri e me njehësue gjithcka që është kombëtare dhe e vecantë për shqiptarët.

Sa për Rilindasit tanë ata kanë pasur bindje te ndryshme politike. Ka pasur hoxhallarë si Omer Prizreni, priftërinj si Kristo Negovani, abatë si Preng Doci, kapedana si Preng Bibë Doda, bajraktarë si Mehmet Shpendi, burra të mencur si Binak Alia apo Prenk Cali, Fisnikë si Abdullah Draga apo Ali Pashë Gucia, bejlerë si Abdi Toptani, reshperë si Haxhi Zeka, shkollarë si Vasa Pasha, të mencur si Hasan Prishtina, masonë si Jani Vreto, Kryeministra si Mustafa Pashë Gjiritlia, protestantë si Konstandin Kristoforidhi, folklorist si Thimi Mitko, dhe lista është e gjatë, kaq e gjatë sa të vjen turp me u ndalë. Mirëpo thelbi del edhe me kaq: Kush punon për të mirën e të gjithë shqiptarëve është shembulli që duhet me u ndjekë.

Dhe pikërisht këtu hyn edhe pragmatizmi që na duhet. Ajo që na ndihmon me kultivue të mirën e të dobishmen, me mbrojtë interesin e shqiptarëve, me I ruejtë brezat e ardhshëm, me krijue kushte që me lulëzue e me u begatue si popull, ajo na duhet. A quhet e majtë apo e djathtë diku tjetër nuk ka fare rëndësi. Sepse gjithmonë dikush duhet me u shtërngue për të mirën e përgjithshme. Duke mos e pranue dhunën dhe terrorin e shtetit dhe të parisë, duhet me thanë se cdo përpjekje për të mirën shoqërore, sic ndodh, bie fjala në Izrael apo në Slloveni është një shembull që duhet me u ndjekë. Don të kemi debate, do të kemi fërkime, por nuk duhet kurrë të ikim larg nga themelet. Dhe themeli i vetëm që na bashkon është bindja se ndajmë një gjak, e se jemi vëllezër. Mandej bindja se ndajmë një gjuhë. Mandej bindja se ndajmë një histori, një territory historik, një kulturë, një histori, një mendësi krejt të ndryshme nga të tjeret, dhe sado absurde për disa, edhe njerëz e grupe që nuk ua dojnë të mirën shqiptarëve. Se duhet me mendue si Skënderbeu që I lindun ortodoks, u ba musliman kur e cuan në oborrin e Sulltanit, u ba bektashi kur ishte në ortën e jenicerëve, u kthye katolik kur iu desht ndihma e Papës, dhe gjithmonë ishte e mbeti shqiptar, sic na e kujton letra e tij lapidare Jakopo Orsinit, Princit të Tarantos e shkruajtun në vitin 1461. Jo më kot e kemi heroin tonë kombëtar. Kështu mendoj unë është një mënyrë tjetër me mendue për të djathtën e për kombëtarizmin si ideologji e djathtë. Kjo nuk do tw thotw se janw ezauruar tw gjithw pwrgjigjet por se debati mbi tw djathtwn e mbi kombwtarizmin mund e duhet tw zhvillohet pwrgjatw kwtyre shenjave treguese.

NJË DEBAT I MUNGUAR: IDEOLOGJIA E TË DJATHTËS SHQIPTARE

Në shtetin shqipar nuk ka të majtë, por nuk ka as të djathtë. NË shtetin shqiptar ka një ndarje klanore, që është thelbësisht krahinore dhe tashmë edhe klasore. Përplasja politike është midis dy segmenteve të parisë oligarkike të Tiranës dhe në këtë përplasje katundare nuk ka kurrfarë sistemi ideologjik. Këta janë shkurt e shqip, për të zhvatur, vjedhur, mbushur xhepat e trastat dhe për të shkatërruar kombin shqiptar. Ka edhe më shumë probleme si kriminalizimi, degjenerimi, injoranca etj., mirëpo këto janë dytësore dhe burojnë nga mungesa e qartë e ideologjive. Këto aspekte të problematikës së padallueshmërisë ideologjike te paleve te parise, si dhe të nevojës për një pozicionim koherent ideologjik të strukturave politike në të mirë të shoqërisë, janë trajtuar më në thellësi në librin tim “Përrallat e Tranzicionit shqiptar.” Po ashtu janë trajtuar në bloëgun Rrethi I Ferrit, natyrisht me individualitetet dhe dallueshmëritë e pritshme, nga kolegët Grid Rroji, Valbona Karanxha, Ledjan Prifti, Artjan Gjataj, Edlira Gushta e të tjerë. Mirëpo shtysa për një shkrim të tillë erdhi nga një opinion i sotshëm i Dr. Mark Markut tek Panorama, “Referencat ideologjike të se djathtës shqiptare” tek PANORAMA.[1]

Në shkrimin e tij, duke ndërtuar një paralele me të djathtën në Itali si dhe në Rusi, Dr. Marku argumenton se e djathta duhet të orientohet nga vepra e tre figurave të njohura, Zef Pllumit, Arshi Pipës dhe Sami Repishtit si bartës të spikatur të një sistemi vlerash morale që i kundërvihet me dinjitet sistemit të vlerave të strukturave të ashtuquajtura të majta dhe që janë bija të PPSH-së. Sic thekson Marku, “Rikthimi i formacioneve politike të djathta drejt këtyre vlerave të refuzuara duhet të jetë një nga parakushtet e ristrukturimit të saj. Pa këtë vetidentifikim e djathta rrezikon të mbetet një amalgamë rrethanore pa identitet, siç ka qenë deri tani”[2]. Problemi kryesor lidhur me arsyetimin e mikut tim qysh nga kohët e Lëvizjes Studentore të viteve 1990-1991 nuk qëndron tek këto individë apo tek mendimi i tyre i shprehur në librat e tyre të shumtë. Te tre këto personalitete janë figura të spikatura të historisë së vonshme shqiptare, kontribues të shquar të mendimit shqiptar dhe modele që duhen ndjekur. Duke i pasë njohur personalisht dhe duke i pasë ndjekur si veprimtarë, ndaj respektin më të thellë për punën e veprën e tyre.  Mirëpo, duke e ngushtuar rrethin e sistemit të vlerave, Marku ka një problem jo të vogël ne lidhje me ideologjine.

Ceshtja eshte se ideologjia nuk duhet të lidhet me persona anipse personat janë bartës e shprehës të saj. Ideologjia është botëkuptim I zgjeruar dhe që shpjegon përvojat dhe gjendjen njerezore në mënyrë shumë më komplekse dhe koherente. Ideologjia lidhet me një interpretim të së shkuarës dhe me nje vision të së ardhmes që shkon shumë më larg e me lart individëve të vecantë. Për më tepër ideologjia duhet të tejkalojë përvojat e caktuara historike si bie fjala kundërshtia ndaj komunizmit/socializmit. nuk ka me socialiste ne qeverisje, e bile ka pak ne shtetin shqiptar. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe problemi me argumentin e Markut. Ajo që I bashkon këto tre personalitete qe permend ai, është kundërvënia ndaj sistemit të kaluar, dhe si rrjedhojë, edhe ndaj të ashtuquajturës “e majtë shqiptare e sotme.” Mirëpo ajo që e majta e sotme ka trashëguar nga PPSH është struktura e jo vlerat (që kanë ndryshuar), lidhjet personale e jo njerëzit socialiste/komuniste (që janë tejkaluar), besnikëria e jo mendësia (që është deformuar), e me radhë. Këta që janë sot në të majtë e në të djathtë janë thjesht banda katundare, që janë turrur të vjedhin nga shqiptarët. Bashkë kanë ndërtuar një system oligarkik, kriminal, cnjerëzor, kundërshqiptar, dhe tërësisht të përcudnuar. Lufta duhet të jetë kundër këtij sistemi e jo kundër të shkuarës. duke i ndare ne komuniste e ne te djathte anti-komuniste, Marku po bie ne kurthin e parise.

Lufta kundër komunizmit dhe qëndresa kundër atij sistemi vlerash nuk mundet me kenë e djathta shqiptare. Ne jemi një popull i vogël, të lidhur lëmsh e me njëmijë fije, që nuk i shmangemi dot shoqërisë ku jetojmë dhe që nuk pranojmë e nuk durojmë shumëcka që është normale në shoqëritë e tjera. ne na duhet nje e djathte ndryshe. E djathta shqiptare duhet të drejtohet tek një system vlerash të qarta që gjenden edhe në veprën e këtyre zotërinjve por që është qartësisht i formuluar në programin e Rilindjes kombëtare shqiptare. E djathta shqiptare duhet të jetë e mbështetur në një kuptim të thelluar të asaj që na bën shqiptarë, të dallueshëm nga të tjerët, dhe këtë thelb duhet të luftojë ta mbështesë në politikë duke iu kundërvënë cdo shtyrje që ushqen ndasi e përcarje, krim e zvetënim, skllavërim të shqiptarët e cnjerëzim.

Edhe pak vite, sistemi I mëparshëm parti-shtet do të shihet me sy tjetër nga historianët dhe nga brezat që po vijnë. Ashtu si ilustrohet nga shembulli i njeriu që është shofer nuk e aprovon sjelljen e këmbësorëve dhe kur bëhet këmbësor nuk aprovon sjelljen e shoferëve,  ashtu edhe brezat e ardhshëm do të gjykojnë atë që ka ndodhur me sy tjetër. Mirëpo kur kjo sjellje shihet nga këndvështrimi i interesit kombëtar, atëherë gjërat konsiderohen pak më ndryshe. Dhe ne sot na duhen të gjithë heronjtë, mendimtarët, veprimtarët, atdhetarët, kombëtaristët që duhet të kemi në Panteonin që nuk e kemi dhe që na ndihmojnë që të shohim shqiptarin tjetër me sy tjetër, që të kuptojmë gjendjen pa rënë në kurthet e parisë, që të dimë se cka është e mira dhe e keqja. Ne na duhen ata heronj që të shohim atë që na bashkon e jo atë që na ndan, ata që na mësojnë se bashkimi bën fuqinë, dhe ata që na tregojnë se duhet me i besue shqiptarit tjetër dhe me iu mbështetë më fort e me me dashuri shtet-kombit tonë.  Dhe lista është shumë e gjatë, sepse si popull, kemi shumë heronj, kemi shumë shembuj e modele prej të cilëve duhet me mësue dhe me formësue të djathtën që iu duhet shqiptarëve: kombëtariste, demokratike, që kërkon një treg të institucionalizuar, kultivim të vlerave e të moralit shqiptar, vënien e interesit të shtet-kombit në përparësi, shmangjen e dallimeve e të përcarjes klanore, krahinore, e klasore, dhe kuptimin e thellë të përvojës tonë historike: as Lindje e as Perëndim, përfito nga të mundesh, dhe me një pragmatizmin që na ka karakterizuar gjithmonë, mbështetu tek familja dhe tek nderi, dhe mos harro kurrë se bashkimi shqiptar bën fuqinë e shtetit dhe të individit.

Në përfundim, do të kisha thënë se ku shkrim i Markut është një shenjë e qartë se debati që duhet të zhvillohet është tashmë i nevojshëm dhe i kohës. Dhe e djathta shqiptare, që duhet të rilindë sepse nuk është kurrkund në lojën politike duhet të mbështetet në këto vlera që përmenda më lart dhe me një largpamësi që i tejkalon individët dhe përvojat e tyre. Individët, edhe më të mirët, janë njerëz, ideologjia është ideologji sepse nuk varet më nga individët. Sepse, në mos tjetër, shkaku kryesor I dështimit tonë historik, ka qënë  paaftësia e jonë me kuptue e me vue në jetë këtë projekt serioz e modern që e formuluan bijtë më të shquar të kombit shqiptar dhe që tash 250 vjet nuk ka arritur të bëhet hegjemonik e mbisundues në mendësinë e në politikën shqiptare edhe pse jemi kapur gjithnjë mbas një periudhe, mbas një sistemi të vecuar vlerash, dhe kështu kemi mbetur mbrapa pa arritur të kapim kohën e humbur dhe pa dhënë zgjidhjen e duhur.

10 ARSYET PSE EDI RAMA NUK PRANON SE KA PASUR NDONJE DESHTIM…

Cilat mund te jene apo jane arsyet pse z. kryeminister mendon qe nuk ka pasur asnje deshtim gjate ketyre 100 diteve te para te qeverisjes? Ja 10 arsyet e para qe me vijne ndermend, dhe me siguri qe ka te tjera me te cilat nuk do te merrem tani :

1. deshtimet jane te gjitha te Saliut dhe ky vetem i trashegoi. Keshtu qe nuk ka se si te kishte deshtime. gjendja ishte per faqe te zeze, dhe vazhdon, por pa ndonje ndryshim te dukshem te jete per faqe te zeze. keshtu qe nuk ka se si te kete deshtime kur ka qene e deshtuar pa filluar. kjo eshte arsyeja me e forte dhe logjike.

2. kryeministri nuk jeton ne shtetin shqiptar, nuk pyet per realitetin, nuk ka kaluar ndonjehere nga Gjirokastra apo Lazarati, Vlora apo Divjaka ku rritet cdo gje qe iu intereson perendimoreve, i fut nje bojatisje/shastisje kur i teket dhe ta shet nje Kendez per Mercedez.

3. ka frike se e kritikojne Muci Puci, Rrushi Rrapatushi, Andrea Stefani dhe keta te tjeret tek DITA e TEMA qe mezi presin te vene ne dukje deshtimet e qeverise.

4. sepse po foli per deshtime duhet te permende shkakun e tyre dhe shkakun e ka Kryetar te Kuvendit, mirepo simbas parimit, shkaku behet pasoja, keshtu nen dhe jane shtrire tentakulat sa qe nuk din se si te ruhet prej ketij Haleatit dhe prej opozites.

5. sepse vazhdojme te mendojme simbas parimit te gomarit qe e futi koken ne rere kur e hante ujku dhe tha “nuk eshte e vertete.” ne fund te fundit ujku po i han shqiptaret e jo keta qe na sundojne.

6. se po foli per deshtime, hapet thesi qe e mbajne mbyllur keta te propagandes dhe fillon nje liste qe nuk dihet se ku do te ndalemi.

7. sepse e din se ne vdesim per suksese dhe tek ne numerohet burre e trim ai qe te rren sy per sy, e ku? tek Fevziu. Po ku thuhen te verteta tek Opinioni???

8. sepse po prêt te qartesohet situata dhe te behet e plote lista e deshtimeve ne menyre qe te kete Rilindje nga deshtimi. Sepse mbas Deshtimit vjen Fillimi dhe jo Vazhdimi.

9. Sepse nuk duhet prere endrrat e bukura ne mes. Po jetojme endrren kapitaliste europiane dhe po lundrojme drejt Brukselit, deshtimet nuk duhen permendur se na zemerohen miqte te cilet e dine, por nuk e besojne se nuk do ju kthejme as borxhe as huara, as donacione, apo dhurata.

10. Se po tha se ka pasur deshtime i hap pune Opozites e cila duhet te nderprese festimet e ditelindjeve te PD-se ne katundet e shumta per te bere punen qe duhet e qe nuk e ben, sepse kush do ta beje? per te deshtuar duhet te punojne bashke, dhe keshtu njeri nuk permend gje, tjetri nuk flet dhe realiteti eshte ideal.

Arsyet e tjera me tej po i mbaj per vete…. sepse njerez jemi, dhe te gjtihe keta shohin endrra me sy hapur. ne fund nuk behet qameti, sepse ne mendjen e tyre kaq dine shqiptaret, dhe si thone shpesh per ne, ” jane popull pis” po te kishin mend, do te kishin qeveri tjeter….